Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

“Truri në qyp” dhe “laptopi Rama”

Shko poshtë

“Truri në qyp” dhe “laptopi Rama” Empty “Truri në qyp” dhe “laptopi Rama”

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 02, 2011 8:35 pm


“Truri në qyp” dhe “laptopi Rama”

Nga Feti Zeneli



Togfjalëshi “kokë qyp”, që ne e kemi dëgjuar të përdoret si një etiketim i rëndomtë ndaj personave jointeligjentë apo budallenj në procesin e të të mësuarit, ka 4-5 shekuj, qysh nga koha e Dekartit, që përbën bazën e një teorie të rëndësishme filozofike të titulluar: “Truri brenda një qypi”. Për të vërtetuar këtë teori filozofike është imagjinuar pak a shumë ky skenar: “Imagjinoni sikur një qenie njerëzore i është nënshtruar një operacioni nga ana e një shkencëtari të lig. Truri i këtij personi është hequr nga trupi dhe është vendosur në një qyp me lëndë ushqyese, të cilat e mbajnë trurin gjallë. Pjesët e fundit të nervave janë lidhur me një kompjuter supershkencor, i cili bën që personi të ketë iluzione se gjithçka është krejtësisht normale. Duket sikur ekzistojnë njerëz, objekte, qielli etj., por në të vërtetë, gjithçka që ky person është duke përjetuar, është rezultat i impulseve elektronike që shkojnë nga kompjuteri tek pjesët e fundme të nervave. Kjo është, pak a shumë, në vija të përgjithëshme teoria filozofike në fjalë që ka angazhuar një sërë mendimtarësh të shquar nga e gjithë bota, ku tërheq vëmendjen trilli shkencor që është zgjedhur për të eksperimentuar… Një eksperiment të tillë duket se po bën edhe Edvin Rama me deputetët më aktivë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Natyrisht, kreu i PS-së nuk po e bën një gjë të tillë për të “…rindërtuar ndërtesën e njohjes njerëzore mbi themele të patundshme e të sigurta…”, po për të instaluar “serverin kompjuterik” të kohës së “kalkulatriçeve”, në mënyrë që të kontrollojë dhe përcjellë mesazhe politike për të gjithë sistemin e lidhur me të. Pra, Rama kërkon që këtë mënyrë të rikthejë të shkuarën dhe jo të investojë për të ardhmen, siç po përpiqen të bëjnë filozofët dhe shkencëtarët e ndryshëm të rruzullit, kohë pas kohe. Dhe, deri diku, ia ka arritur qëllimit; të paktën në aspektin e krijimit të një sozie oratorike, ku spikatin në mënyrë të veçantë, “të kooptuarit” më të fundit në PS, të ardhur nga administrata e Bashkisë Tiranë.

Ndiqja këto ditë një emision televiziv, ku një nga “kokë-qypat” e Bashkisë Tiranë, tashmë një deputet-llafazan, teksa imitonte Edvin Ramën në gjithçka: në gjeste, në shprehje, etiketimet vulgare, arrogancën, në mënyrën e të qëndruarit në poltron e kështu me radhë. Të paktën 100 herë, nga 10 fjalë gjithsej, mbi bazën e të cilave ai ndërtoi gjithë diskutimin e tij të rëndomtë në atë emision, përdori fjalën “Saliu”, sikur t’i kishte vënë emrin, siç themi ne nga anët tona. Po, nëpërmjet një artikulimi të tillë cinik të emrit të Kryeministrit, përveç ligësisë që qëndronte përtej syzave të tij të errëta, ai mendonte se demonstronte edhe “mendjemadhësi”, që, në fakt, nuk ishte gjë tjetër, përveçse një trashëgimi komuniste e të sjellit me “armikun e klasës”. Qyshkur lindi komunizmi e deri më sot, soji i këtij “sorollopi” nuk e njeh fjalën “zotëri”. Një tjetër deputet i këtij modeli, që jo vetëm emrin, por që deri diku edhe disa histori familjare, i ka të ngjashme më kryetarin; përveç gjesteve dhe shprehjeve, e imiton Ramën edhe në intonacionin e zërit. Kurse një femër PS-iste ta krijon përshtypjen e funksionimit kompjuterik të një “truri në qyp”, tek lëvizja mekanike e buzëve gjatë leximit të deklaratave publike. Pa i marrë një për një, këta, që Rama u ka marrë “trutë” e ua ka futur në “qypin” filozofik, mjafton të themi se karakteristika e përbashkët e tyre është funksionimi nëpërmjet stimulit teknik dhe jo nëpërmjet ndërgjegjes shoqërore. Efekti “domino” këtu është kaq i madh, saqë edhe disa politikanë para-Ramistë po bëjnë lloj-lloj “analizash paraoperacionale”, në mënyrë që “transplanti i truve” nga kafka në “qyp” të rezultojë i suksesshëm; domethënë që t’i përcjellin besnikërisht impulset politike, të cilat u vijnë nga “laptopi Rama”. Një e nga një këta po bëhen shumë, sa që kanë uzurpuar gjithë kupolën e Partisë Socialiste. Dhe siç dihet, Partia Socialiste nuk është më “mbi gjithçka”, siç ishte “nëna” e saj, por është opozita e vendit; tepër e domosdoshme në një demokraci funksionale. Ajo nuk mund të komunikojë më me shenja, kode e simbole komuniste, si në demonstratën e 21 janarit të këtij viti, por në mënyrë transparente. Ajo duhet të respektojë ligjet, institucionet, votën e popullit, traditat tona kombëtare, kundërshtarin politik; të nderojë e respektojë flamurin, heronjtë e demokracisë, njerëzit e përkushtuar për çështjen kombëtare e kështu me radhë. Por që të sillet në mënyrë dinjitoze e të kulturuar, duhet që t’i nxjerrë trutë e disa deputetëve socialistë nga “qypat” e Dekartit, Bostromit apo Putnamit dhe t’ua rikthejë atyre brenda kafkës së kokës, sikundër duhet t’i thotë ndal “shkencëtarit të lig” apo “laptopit Rama”. Pra, fjala është për t’i zhveshur veprimet politike të opozitës nga akullsia dhe çnjerëzia e teknikalitetit, duke iu rikthyer gjithçka realitetit. “Ndërgjegjja është ligj mbi ligjet”, - thotë Lamartin, filozof e burrë shteti francez i shekujve 18-19. Pra realiteti duhet parë në mënyrë të ndërgjegjshme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi