Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Idriz Morina:Dielli nuk ndrin dhe verë s’ka më!

Shko poshtë

Idriz Morina:Dielli nuk ndrin dhe verë s’ka më! Empty Idriz Morina:Dielli nuk ndrin dhe verë s’ka më!

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 07, 2011 8:50 pm


Dielli nuk ndrin dhe verë s’ka më!

Shkruan: Idriz Morina
Mikut tim Teki Dervishi - Kurrë se kisha menduar që do të shkruaja diçka të tillë për Ty Teki, aq më tepër kaq shpejt, besoja se po ta kaloje sëmundjen edhe një dekadë do të kishim pranë. Para se ta kem shkruar këtë shkrim, keq apo mirë më ndje!
Idriz Morina:Dielli nuk ndrin dhe verë s’ka më! 3teki-dervishi-(3)


I përndjekur - I kthyer në heshtje dhe gur.

Njerëzor e miqësor, por dhe shok e mik me çdo njeri. Njerëzit nuk kishin grada, nuk kishin ofiqe, nuk kishin pushtet dhe nuk kishte inferior, por të gjithë vetëm një emër kishin, njerëz. Shumëkush mund të mos jetë afruar në shoqëri me të duke menduar për madhështinë e tij, por që të gjithë do të jenë gabuar, ai ishte më njerëzori, pavarësisht se kush si do të mund ta ketë akceptuar, mjaftonte të njiheshe. Ai ishte i gatshëm të dëgjonte t’i rrëfeshe, por të magjepste me rrëfimin.

I burgosur që në mituri, ai do të kaliste shpirtin ashtu siç ia kishte idealizuar burrërinë shqiptare babai i tij. Edhe i kamur krenar, por edhe i varfër e skamnor - krenar, i papërkulur. Kjo ndodhi atëherë kur familja e tij pësoi pasi babai i tij ishte shprehur kundër komunizmit, ndërsa ndëshkimi kishte pasuar jo vetëm me konfiskimin e pasurisë, por edhe me mbylljen e veprimtarisë së pakët, një dyçani të vogël në Gjakovë. Dhe e tëra vetëm për një fajlë goje, që të gjithë të tjerët e kishin thënë. Por, burri kurrë nuk rren, e thotë atë që e mendon kudo dhe kurdo, pavarësisht ku ndodhet dhe peshës apo pasojës që ka, padiskutueshëm, një koncept lirie, që Evropa vështirë se do ta arrijë, kurrë!

Kjo ishte rruga që do të përcillte gjer në vdekje, por që do të shkonte nëpër burxhe, që 17 vjeçar, ende nxënës dhe më pas në rrugën e tmerrshme të kampit të përqendrimit në “Goli Otok”, burgun më të rëndë të komunizmit në ish-Jugosllavi. Dhe një përndjekje, e cila nuk do t’i shqitej kurrë, as në Kosovën e pasluftës.

“Pse gjithë këtë përndjekje? UNMIK-u po ma bën, policia e UNMIK-ut, kuptohet bashkë me disa të tanë, që u janë vënë në shërbim”. Si su ndalën njëherë?

Pas pak, heshtje, dhe ktheheshe në një shkëmb, që nuk trandej, kurrizëdrejtuar në karrigen përballë kompjuterit, dhe s’lëvizje si një gur nga aty, dhe në heshtje shkruaje... për të nesërmen!

Politika, Rugova dhe Gërvalla

Para se të shkonte në burg, ai pat fatin të takonte në shkollën e mesme edhe Ibrahim Rugovën dhe Jusuf Gërvallën.

Por, që atëherë ai nuk ishte pajtuar me pikëpamjet e majta, aq më pak me Enver Hoxhën. Këto koncepte e kishin lëkundur dhe kishin ndikuar edhe tek Jusuf Gërvalla, që më vonë të reflektonte, dhe të shihte përtej Shqipërisë së Enver Hoxhës.

Sa sillej muhabeti te Rugova, me gjithë krenarinë, e pranonte se Rugova ishte unik në politikë, dhe kishte ditur si dhe pse të vepronte ashtu. “Megjithatë Rugova ishte një gjeni, i ka ditur këto, i ka njohur të gjithë”. Me ëndje kujtonte momentin para se Rugova të merrte vendimin që të pranonte ofertën për ta udhëhequr LDK-në, duke kujtuar edhe detajin, që njëri nga miqtë i kishte thënë, “Mos u bë kryetar se do të vrasin!”. Po ashtu, e kujtonte momentin se si krejt papritmas dhe në trysni, në mbyllje të konkursit për drejtor të Teatrit Kombëtar, kishte pranur të bëhej vetëm pse ishte një zgjedhje e Ibrahim Rugovës. Por, më me ëndje e tregonte nderimin që ia kishte bërë Rugova, kur ia kishte ndarë medaljen e “Lidhjes së Prizrenit”. “Ne kemi qenë shokë, miqtë më të ngushtë”! Ndërsa, më pas tregonte se si kurrë nuk kishte pranuar të bëhej pjesë e politikës, as e trupës së Presidencës. “Unë mbeta disident”, i vetmi në të gjitha kohët!

Dëshira

I lodhur nga vuajtjet, pakënaqësia që ia shkaktonte më shumë se çdo gjë, ndjenja se dukej i pakuptuar sa duhej dhe më shumë i keqkuptuar, shumë shpesh nuk pushonte së përsërituri: “Do të doja ta kisha një shtëpi të vogël, dhe aq pak para sa të jetoja, dhe vetëm të lexoja dhe të shkruaja. Oh vetëm këtë dua!” Kjo ishte dëshira e fundit e të fundmeve dëshira që njeriu i kërkon nga jeta, duke shmangur tej, politikën dhe vetë përditshmërinë nga e cila tashmë qe trandur shumë fort. Aq fort sa dhe mua lexues të dashur, kur më kujtohen ato dhimbje që ndjente Ai, më rrjedhin lotët.

Dhe rrjedh ti lot i vakur

në shpirtin e flakëruar,

se i përjetshmi atdhe

është fishkur

me të ndjerin Teki.

Amaneti

E kishe lënë duhanin. Pasi kishe djegur edhe nga pesë pako në ditë “rockets” me 40 cigare, në shumë momente mërzie, ‘mërzie të zezë’, siç ta citoja jo rrallë ato ditë këtë varg bodlerian, sa herë që më pyesje, se ç’fazë të rëndë po kalonim dhe më thoje, “shumë mërzitshëm, shumë...ehhh”, e kishe lënë duhanin. Nuk ngrije më asnjë gotë, asnjë gllënjkë.

U bëre një pacient i disiplinuar, barërat i pije me kohë. Gjëra që kurrë thuaja as që i kishe menduar t’i bëje. Pavarësisht që vdekjes nuk i druheshe, dhe gazetaria më nuk të motivonte, veç fatit të Kosovës, përveç analizave që bëje dhe parashikimeve që jepje, doje të jetoje, të përmbyllje botimin e librave, që as çerekun se kishe të botuar, ndonëse dy veta tashmë kishin bërë jo pak punë në mbledhjen e shkrimeve letrare dhe një pjesë të tyre, ta sistemonin, Shaip Beqiri dhe Hasan Hasani. Shumëherë thoshe se mbase më mirë do të ishte ta lije gazetarinë dhe t’i ktheheshe botimit të veprave, sepse frikësoheshe se do të mbesnin të shkapërderdhura, ashtu si ishin shumica të botuara si fejtone, si pjesë të veçanta të një tërësie apo poezitë të botuara herë pas here.

Borxhi

Teksa të dukej se veprat do të mbesnin shpërndarë, të botuara në media andej këtej, planifikuam që të fillonim me botimin e publicistikës që nga kthimi Jot në “Bota sot”. Fillova mbledhjen dhe sistemimin e tyre, por ato ishin një libër gjigant, që po të botoheshin në një libër, nuk do të mjaftonin as katër mijë faqe. Përballë këtij mali librash, nga i cili më e pakta do të mund të dilnin 10, dhe vetëm duke i redaktuar me ngadalë dhe me konsultimin e vijueshëm me Ty, do të mund të reduktoheshin me koprraci në 4 apo 6 libra, fillova ta marrë më shtruar çështjen. Por, brenda pak ditësh shëndeti Juaj do të përkeqësohej dhe detyrimisht do të shkonit në spital. Edhe aty duke qëndruar më pyete se çfarë kisha bërë? Të të thosha se po të prisja të dilje nga spitali mu duk e pamatur për gjendjen që kishe, dhe heshta. Ndërkohë, që vërtetë shpresoja se së shpejti do të dilje dhe do të mund të nisnim sistemimin, por kjo dëshirë mbet në fillim, dhe një borxh që duhet përmbushur.

S’ka verë

“Ah, as dielli këtë vit nuk po del, s’ka pranverë, s’ka verë, pa diell, kur do të del ai i bekuar, ... shumë ftohtë...sikur e kanë me mua”. Dhe vërtetë teksa të hedhim sot një grusht dhe, ne miqtë dhe dashamirët e tu, ende vera nuk ka ardhur në Kosovë. Ishte vërenjtur, zymtë, shumë zymtë, por sot, si të ish kiamet fare, edhe pse thonë se kur bie shi, është bereqet, është paqe. Në të kaluarën luftërat kurrë nuk bëheshin në shi. Respektohej dëshira e Zotit, Zeusit, Kërshnas, Jehovait apo Allahut çfarëdo emri që t’i kishin vënë ata!

Lamtumirë!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi