Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA

Shko poshtë

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA Empty ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 01, 2012 6:20 pm



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA 187323_1223830960_1690631526_nELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA 186704_100000759084838_185566_n

NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA

Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes17fk

Një ftesë nga Berna është gjithmonë një rast i mirëpritur, sidomos për të ftuar si ne, me lidhje aq të forta shpirtërore, që nuk kanë të çmallur me kryeqytetin helvetik. Dhe në përfytyrim nuk ka si të mos na vijë menjëherë Berna, me emblemat e emrit të saj, me pafundësi stilizimesh në çdo hap të qytetit, me Ariun e hepuar në pozicionin e njohur diagonal. Jemi në zemër të qershorit, me ditët aq të papërcaktuara, me diell, me re, sa të dendura e të rënda e të ngarkuara me rrebeshe, sa të lehta e të përshkuara nga dielli, që përshpejtojnë të grahura nga era, herë e lehtë si puhizë dhe si fllad, herë e furishme dhe e nxituar. Ne gjithsesi Bernës ia njohim mirë veçantinë, që ndoshta nuk e ka aq të përkryer asnjë qytet apo vendbanim tjetër, në sjelljen e saj ndaj ndryshimeve të motit: Sa në asnjë qytet apo vendbanim tjetër, ndërrimet e kohës nuk shkaktojnë kurrë njëtrajtshmëri, Berna nuk bie kurrë në monotoni: atje asnjë ditë dhe asnjë natë nuk ngjajnë me një ditë apo një natë tjetër, secila ka individualitetin e vet të dallueshëm.

Kësaj here ftesa vjen nga Zonja Korina Kazanova (Madame Corina Casanova), Kanceljere e Konfederatës Helevetike, pra shefe e Kancelerisë Federale. Është kjo një nga privilegjet jo të rralla për anëtarët e APES (Shoqatës së Shtypit të Huaj për Zvicrën dhe Lihtenshtajnin), "partnerët tanë mediatikë", siç cilësohemi në tekstin e ftesës.

Kanceleria Federale e Zvicrës, i cilësuar Shtatmadhoria e Këshillit Federal, është autoriteti më i vjetër i administratës federale, është 46 vjet më i vjetër se vet shteti federal zviceran. Më 2003 ky autoritet festoi 200 vjetorin e tij. Themelimin e Kancelerisë si organ federal i përhershëm e bënte vizionari gjenial Napoleon Bonaparti, nëpërmjet Aktit të Mediacionit, i cili konstituonte Zvicrën si shtet federal me një qeveri qendrore, çka parandalonte shpërbërjen e tij dhe konsolidonte përfundimisht Konfederatën. Me përmbushjen e këtij vizioni atëbotë u muarën drejtpërdrejt senatorët francezë me të famë të madhe si Barthelemy, Roederer, Fouché, e Demeunier.

Një post dhe një zyrë, themeluar më 1803, që për shumëkënd disi mund të jenë edhe enigmë: përkatësisht Kancelerja Federale dhe Kanceleria Federale. Njohja e kësaj enigme është në qendër të tematikës së udhëtimit tonë në Bernë. Zonjën Kazanova jemi mësuar ta shikojmë gjithnjë në përbërje të Këshillit Federal me shtatë anëtare, duke e konsideruar atë gjithnjë si të tetën e Qeverisë Zvicerane, nganjëherë si të parën që i prin shtatëshes. Në një qeveri që nuk ka Kryeministër, në një shtet ku Presidenti (Presidentja) mban njëkohësisht edhe një protofol ministror, ushtron një detyrë qeveritare, nuk ka si të mos lindë edhe pyetja se cili është në të vërtetë roli i Zyrës së Kancelerisë Federale dhe i shefes së kësaj zyre.


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes2ne

I.SHTATMADHORIA E ADMINISTRATËS ZVICERANE DHE SHEFJA E SAJ

Dhe shpalosja e kësaj enigme do të bëhet në tri etapa, në tri shtylla, në tre kapituj të axhendës sonë në Bernë.

1.Qendra e Mediave

"Udhëtimi i zbulimit të vërtetë nuk konsiston në kërkimin e peizazheve të reja, por në kërkimin për të pasur sy të rinj." Kjo thënie e Marcel Proust nuk ka si të mos na vijë në mendje këtu në Qendrën e Mediave, anembanë mureve të së cilës janë projektuar sy dhe veshë, një gjetje dizajni kjo tejet kuptimplotë për faktin se mediat janë shqisat e specializuara, nëpërmjet të cilave shoqëria shikon dhe dëgjon, merr sinjalet pamore dhe dëgjimore drejtpërdrejt nga realiteti i përditshmërisë. Kështu ne gazetarët jemi Magelanët modernë, zbulimtarët e zellshëm dhe të përkushtuar të së vërtetës, që në kohë reale ia kumtojmë e ia shpalosim njerëzimit të globalizuar realitetet qysh në thellbet më zanafillore të embrioneve të tyre.

Mikpritësja jonë Kazanova vjen e na takon të gjithëve një për një, dikush është duke pirë kafenë, dikush po shfleton një broshurë, dikush po këshillohet me bllokun e tij të shënimeve. Na takon dhe ne, shkëmbejmë kartvizitat, kur i themi se jemi gazetarë nga Shqipëria, na thotë: "Kam qenë në Tiranë në zgjedhjet e para pluraliste që u mbajtën aty".

Gjithçka, pra, fillon pikërisht në Qendrën e Mediave. Mbi bazën e një vendimi të Këshillit Federal dhe të Parlamentit të vitit 2001, mu pranë Pallatit Federal do të ndërtohej kjo qendër e cila do të përurohej më 2006 nga Moritz Leuenbergher, në atë kohë Ministër i Komunikacioneve.

Tejet e bollshme, tejet supermoderne, tejet e thjeshtë në funksionim, tejet praktike për të gjitha llojet e mediave, për individë dhe ekipe - të vogla e të mëdha - Qendra e Mediave është një mjedis krejt familjar për gazetarët. Edhe ata që kanë ardhur për herë të parë këtu fillojnë të lëvizin dhe t'i shërbejnë vetes krejt natyrshëm a thua se janë të shtëpisë. "E dini pse na duket të gjithëve sikur vijmë këtu për të kushedisatën herë? Sepse këto mjedise jemi mësuar t'i shikojmë përditë në ekranet e vegjël. Këtu mbahen pothuaj pa përjashtim të gjitha konferencat dhe takimet e qeveritarëve me shtypin," thotë Pierre i AFP.

Konferencën e shtypit e japin për ne Kancelierja Korine Kazanova dhe nënkancelieri Andre Simonaci (André Simonazzi), ky njëkohësisht zëdhënës i Këshillit Federal. Na shpjegojnë se kjo zyrë e cila ka pjesë të dukshme vetëm pjesëmarrjet e zonjës Kazanova në mbledhjet e Qeverisë dhe daljet e rregullta të zotëri Simonacit në takimet me mediat, ka një rol të rëndësishëm, një peshë të madhe dhe një strukturë të tërë, tejet të konsiderueshme, ka, pra, një pjesë të nënsipërfaqëshme, e cila e përmbush një mision sa të veçantë edhe të pazëvendësueshëm, mision të cilin e kryen pa u dukur.

Shkurt, nisur nga konceptet me të cilat jemi mësuar, institucionin që e kryeson zonja Kazanova ne do ta quanim "një ministri të ministrive". Në strukturimet e njohura të qeverive rolin e këtij institucioni jemi mësuar ta luajnë nganjëherë "sekretariatet e përgjithshme të Këshillave të Ministrave", nganjëherë "kabinetet e Kryeministrave", në disa raste plus Ministritë e Informacionit, në disa raste të tjera plus Ministritë e Koordinimit Ndërqeveritar apo "Zyrat e Planifikimit dhe Strategjisë", varësisht kjo nga natyra e burokracive përkatëse. Ky institucion, pra, ka detyrë të kanalizojë burokracinë e vendit (për me tepër me organizim federal), ta rritë frytshmërinë (efikasitetin) e kësaj burokracie duke shmangur sa më shumë rënien në burokratizëm. Nëse marrim hua terma nga anatomia, atëherë themi se Kanceleria është truri i vogël, ndërsa Këshilli Federal është truri i madh i administratës shtetërore të Zvicrës.

"Si zyrë e stafit të Këshillit Federal, një nga funksionet e shumta të rëndësishme, shpjegon Kancelierja, është administrimi dhe koordinimi i informacionit dhe komunikimeve që burojnë nga qeveria. Në botën tonë të globalizuar, komunikimi nuk ndalet në kufijtë e një vendi dhe është i pranishëm pothuaj në çdo çast. Për çdo javë në mbledhjen e qeverisë çështjet e diskutuara shumë shpesh kanë një ngarkesë dhe domethënie ndërkombëtare."

Veçanësitë e Zvicrës shumëgjuhëshe dhe shumëkulturore kërkojnë edhe një strukturë shumërrafshesh të institucionit. Kancelierja, dy nënkancelierët, katër sektorët kryesorë, me një numër nënsektorësh, me një personel 250 vetash, të përbërë nga ekspertë të informatikës, të së drejtës, të mediave, të ligjeve, të terminologjive, të logjistikës, sajbëradministrimit, të politikës linguistike, të gjuhëve vendëse, të gjuhëve të huaja kryesore e tjerë e tjerë. Me shifra: 23% janë linguistë, 13% janë juristë, 12% komercialistë, 9% janë specialistë të informacionit, komunikimit dhe të internetit.


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes11ne

2.Madam Korin Kazanova

Një aparat shtetëror i tillë tejet i përkryer i një shteti tejet të përkryer patjetër do të ketë edhe një titullar të asaj lartësie. Në cilësinë e shefes së stafit të Këshillit Federal, zonja Korina Kazanova vjen pas një formimi të plotë arsimor, pas një përvoje të gjatë si pjesë e stafeve të ngushtë të ish kryetarit të Gjykatës Supreme Federale, të ministrit të Jashtëm Flavio Cotti, si këshilltare personale e Këshilltarit Federal Joseph Deiss, po edhe si Delegate për Informacion në Shërbimet Parlamentare të Asamblesë Federale, si zëvendës Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Jashtme, si nënkanceliere në vitin 2005, derisa në dhjetor të vitit 2007 u emërua në detyrën që e mban, si Kanceliere Federale.

Zonja Kazanova sjell edhe një përvojë të konsiderueshme në rrafshet ndërkombëtare. Gjatë viteve 1986-1990 ajo ishte delegate për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Afrikën e Jugut, Angola, Nikaragua dhe në El Salvador. Ajo ka kryer specializime gjuhësore në Itali, SHBA, Meksikë, duke zotëruar më së mirë gjashtë gjuhë: romançe, gjermanisht, frengjisht, italisht, anglisht dhe spanjisht, çka e aftëson atë për komunikim të rrjedhshëm në të gjitha rrafshet dhe me të gjitha auditoret, me një mprehtësi të posaçme në marrëdhëniet publike e veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Krahas mbështetjes ndaj Presidentes së Federatës dhe ndaj Këshillit Federal në përmbushjen e detyrave të tyre, zonja Kazanova kryen edhe funksione lidhur me Asamblenë Federale, çka ia parashikon asaj Kushtetuta e Federatës dhe ligjet që burojnë prej saj. Kështu ajo do të luajë edhe rolin e koordinatores mes Këshillit Kombëtar (Dhomës së Ulët të Parlamenti ose Dhomës së Popullit) si dhe Këshillit të Shteteve (Senatit, pra Dhomës së Lartë të Parlamentit). Mbledhja e këtyre dy dhomave përbën institucionin kushtetues të quajtur Asambleja Federale, e cila zgjedh të gjitha organet e larta të Ekzekutivit dhe të Gjyqësorit të vendit.

Bashkë me dy nënkancelierët, zonja Kazanova merr pjesë në mbledhjet e përjavshme të Këshillit Federal në cilësi këshillimore, por gjithashtu ka të drejtën për të paraqitur projektligje dhe projektvendime. Ndryshe nga anëtarët e Këshillit Federal, të cilët zgjidhen nga Asambleja Federale, kancelierja e Këshillit Federal emërohet nga ky Këshill. Por funksioni i saj dhe institucioni që ajo kryeson e kanë provuar veten në këta dy shekuj të jetës së tyre gjithnjë e më bashkëkohorë duke ecur me kohën e duke i paraprirë asaj.


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes5ne

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apesh1ne



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apesh4kuppelhalle-02-gA


II.NËPËR SPIRALET E KOHËS DHE HAPËSIRËS SË PALLATIT FEDERAL

Pas kalimit të procedurave përkatëse ndodhemi në Pallatin Federal, siç quhet ndërtesa e ku ndodhen dy dhomat e Parlamentit të Zvicrës, Dhoma e Ulët dhe Dhoma e Lartë ose Dhoma e popullit dhe Dhoma e Shteteve, Kanceleria, drejtoratet, bibliotekat dhe mjedise të tjera. Ndërtesa e projektuar nga arkitekti Hans Auer dhe e përuruar më 1902, pati kushtuar në atë kohë 7 198 000 franga zvicerane. Në njëqind e dhjetë vitet e derisotme, përveç mirëmbajtjeve, asgjë nuk është prekur në tërësinë e jashtme apo të brendshme ndërtesës, ndërsa është pasuruar me zbukurime dhe me objekte të çmuara.

Ndërkohën deri në fillimin e seancës së paraditës të Dhomës së Ulët të Parlamentit e shfrytëzojmë për të kundruar nga afër më me hollësi bukuritë e brendshme të ndërtesës. Udhërrëfyesja jonë na shpjegon se janë me qindra ata që ndjekin çdo ditë punimet e parlamentit, si ne, të organizuar në kolektiva të ndryshme të ngushta nxënësish, studentësh, punonjësish nga të gjitha anët e vendit. Natyrisht, vëmendjen e të gjithëve e tërheq më së shumti Holli i Kubesë, me një lartësi të jashtme 64 metra dhe lartësi të brendshme 33 metra. Mozaiku në qendër të Kubesë e përfaqëson stemën e Federatës, në latinisht: Unus pro omnibus, omnos pro uno (Një për të gjithë, të gjithë për një), rrethuar nga stemat e 22 kantoneve, sa ishin ato në atë kohë. Stema e kantonit Jura, krijuar më 1979, u vendos jashtë mozaikut. Parimi "Një për të gjithë, të gjithë për një" tej së qeni një sllogan, në fakt e përmban filozofinë morale të Besëlidhjes, emri kushtetues i Federatës, dhe të besëlidhësave, emri kushtetues i qytetarëve të Federatës. Një Besëlidhje e vendosur mes kantoneve (të gjithë) në kuadrin e Federatës (një) - pra të gjitha kantonet i përkushtohen Federatës dhe Federata iu kushtohet të gjitha kantoneve, ashtu edhe të gjithë qytetarët i kushtohen Federatës dhe Federata i kushtohet secilit prej qytetarëve të saj, pra besëtarëve të saj.

Skulptura, grupe skulpturore, skulptura murore, mozaikë e tjerë iu janë shtuar mjediseve të brendshme përgjatë kohërave, duke u lidhur simbolikisht me domethëniet e kohëve kur janë krijuar. Kureshtjet janë të shumta, pyetjet të shumta, ngulmimet për hollësi, gjithashtu. Megjithatë organizimi është i tillë që akustika të mos rëndohet dhe secili grup i vizitorëve të kënaqë kureshtjen e vet pa e dëmtuar atë të grupeve të tjera. I veçantë është pavioni i objekteve të dhuruara krerëve të Parlamentit Zviceran nga krerët e delegacioneve të huaja nga gjithë bota, në vite të ndryshme, ku, ndër risitë e tij, nuk mungon as shtatorja e vogël e dhuruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi me rastin e vizitës së tij në Parlamentin e Bernës pranverën e sivjetme.

Ka ardhur koha të ndjekim seancën plenare të radhës në Parlament, çka kërkon që ne të ngjitemi nëpër shkalloret e ngushta spirale drejt lozhave. Këtu, më shumë se në të gjitha mjediset e tjera, kërkohet një ambjentim me lartësitë, pasi platea, ku janë të vendosura grupet parlamentare, kryesia e Parlamentit, foltoret, sekretaritë e tjerë, është shumë poshtë, prandaj edhe kundrimi ynë bie gati prependikular mbi sallën. Por kujdes, na thonë, mos i përdorni këtu aparatët fotografikë!

Qetësia karakteristike, ku rëndom dëgjohet vetëm një zë folësi, ia lë vendin një gjallërie të veçantë, sa dhe të zakonshme në raste të tilla, kur në foltore del Christopher Blocher, nënpresident i Partisë Popullore Zvicerane, një nga politikanët më të bujshëm dhe tash edhe më veteranë të Zvicrës, sidomos të të djathtës zvicerane. Në rendin e ditës është pikërisht tema aq e diskutueshme e shkurtimit të procedurave dhe të trajtimeve financiare për azilkërkuesit, e kundërshtuar nga ministrja përkatëse Simona Sommaruga dhe nga Partia Socialiste e Partia e të Gjelbërve, por e parapëlqyer sidomos nga Partia Popullore Zvicerane, nga Partia Liberale, nga Partia e Gjelbër Federale e tjerë. Në reagimet e menjëhershme atë ditë komentuesve nuk iu mbetej tjetër veç të shprehnin shpresën se Këshilli i Shteteve nuk do ta miratojë këtë ligj, të paktën do ta miratojë vetëm pasi t'i jenë bërë ndryshime të ndjeshme.

Edhe ne si gazetarë nuk na pëlqen aspak ky ligj, pasi asnjë prej refugjatëve nuk e lë vendin e vet me dëshirë. Ikjen prej atdheut ia detyrojnë rrethanat, luftërat, qeveritë e korruptuara, kaosi dhe trazirat që i detyron të brastisin rrënjët për një jetë më të mirë. Këta njerëz meritojnë humanizëm. Dhe Zvicra e ka në kulturën e saj mikpritjen e refugjatëve. Mjafton të kujtojmë luftën e Kosovës, ku Zvicra mirëpriti mijëra e mijra shqiptarë nga Kosova.

Pulmani po na pret në oborrin e Pallatit Federal, hypim bashkë me zonjën Kazanova, të cilën nuk e shoqëron asnjë bodyguard, siç jemi mësuar t'i shohim politikanët shqiptarë që rrethohen nga gorrillat, kur niveli i jetës të popullit është pothuaj mizerabël.

Dhe kështu shpaloset etapa e tretë, më romantikja dhe më befasuesja e udhëtimit të APES në Bernë. Marrim drejtimin për në Belp në drejtimin Tun, përgjatë luginës së lumit Gürbe, duke pasur në të djathtë kodërnajën me ahishte dhe livadhe, ku verave gati përvjet zhvillohen edhe disa nga manifestimet më tradicionale të koncerteve muzikore të grupeve dhe prirjeve më të modës, krejtësisht nën qiellin e hapur. Zviceranët janë konsumatorët më të famshëm në botë të verërave, i tejlakojnë edhe francezët.


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apses1
Bob Evans


III.ÇIFLIKU DHE KËSHTJELLA LONË, MIKPRITJE MODERNE DHE NUANCA ANTIKE

Më në fund arrijmë në Çiflikun Lohn (shqip: Lonë), në fshatin Kehrsatz (shqip: Kerzac). Është gjithnjë e parapëlqyeshme që në çiflikun që i paraprin kështjellës të hysh në formë shetitje nëpër ajrin e kulluar, nëpër një hapësirë krejtësisht të gjelbër, rrethuar me gështenja, ndërsa rrugët e drejta që çojnë tek kështjella në të dy anët kanë blirë madhështorë.Këtu nuk i presin drurët dhe pemët si ndodh në Shqipëri. Ju kujtohet se si e prenë këtyre ditëve në Galerinë e Arteve Figurative Lisin e Et'hem beut, një monument natyre me moshë më tepër se dyshekullore! Zvicra nuk e pranon kurrë këtë mendësi primitive. Një veprim i tillë do të kërkonte në Zvicër patjetër mbajtjen e një referendumi mbarëpopullor. Dhe natyrisht që do të kishin fituar ata që e mbrojnë lisin dhe jo politikanë me sopatë në dorë.

Dalëngadalë, përmes drurëve gjigantë, shfaqet kështjella, me pamjen e jashtme karakteristike të tempujve. Kështjella Lonë është një nga tri rezidencat në pronësi të Këshillit Federal të Zvicrës, ku priten miqtë shtetërorë. Rezidenca tjetër është Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl në Bernën e Vjetër. Ndonëse Bellevue Palace Hotel, rezidenca e tretë qeveritare, gjithashtu në pronësi federale, prej vitit 1994 po bëhet gjithnjë e më e parapëlqyer. Çifliku Lonë mbetet përherë njëra nga tri alternativat, që nga viti 1942 kur ish pronarët ia dhuronin atë qeverisë zvicerane. Çifliku Lonë dhurohej bashkë me dekorimet e pasura dhe me të gjitha pajisjet. Dëshira e dhuruesve ndërthurej me dëshirën që ndërtesa të jetë pjesërisht në shërbim të publikut si shtëpi muzé historike.

Ngritur në një terren tipik fshatar, ku kishte ekzistuar një shtëpi e vogël, me kopshtie dhe pemë, kështjella, e projektuar nga arkitekti Carl Ahasver von Sinner, do të ndërtohej në vitet 1782/1783, mbi parime të klasicizmit të hershëm arkitekturor, me hapësira të bollshme të brendshme: korridore, dhoma, salla, sallone, taracë, një shatrivan, shkallë të përdredhura. Pronari parë i saj ishte një kapiten i ushtrisë hollandeze, nga një familje me emër në histori. Ndërtesën e trashëgoi e bija, pastaj nipi, e më në fund e veja e tij, e cila ia shiti historianit Dr. Friedrich Emil Welti, i biri i Emil Welti, Këshilltar Federal. Në vitin 1942, pas vdekjes së gruas së tij të dytë, Helene Welti-Kammerer, prona i kaloi Konfederatës Zvicerane në kujtim të Këshilltarit Federal Emil Welti. Prej atëherë kështjella është përdorur për miqtë e qeverisë zvicerane, mbretër, mbretëresha, presidentë, kancelarë, kryeministra, disa nga të cilët janë: që nga Sir Winston Chirchill (1946), Pandit Nehru, kryeministër i Indisë (1949), Konrad Adenauer, kancelar i RFGJ (1951), deri tek Mbretëresha Elizabetë II dhe Princi Filip i Britanisë së Madhe (1980) e deri tek Lech Valesa dhe Dimitri Medvjedev, Zonja e hekurt e BE Angela Merkel, dhe të tjerë të ditëve tona.

Mjediset e brendshme, nisur nga natyra edhe muzeale e kështjellës, orendisen në përshtatje me interesat e vizitorëve: Për ne Kështjella Lonë është orendisur sikur sapo ka pritur Sir Winston Churchill dhe Mbretëreshën Elizabetë II. Gjithçka është sipas filmimeve të asaj kohe, të cilat edhe do të na shfaqeshin ne në sallonin e posaçëm të pirjes së kafesë, ku është edhe ballkoni kryesor, me pamje nga kondërnaja me ahishte dhe livadhe. Atje ne do të pozonim dhe do të bënim fotografi të pafundme, të etur për të fiksuar çaste të papërsëritshme.

Familjet fisnike të Kështjellës, më parë ajo e ushtarakut hollandez, pastaj e ministrit zviceran të ardhur nga Argau, kishin tradita mikpritëse për shoqërinë e lartë të kohës, përfshirë artistë, shkrimtarë, historianë, arkitektë, sidomos piktorë nga më të shquarit e kohës. Portrete, peizazhe të realizuara me personazhet e këtyre familjeve dhe me peizazhet e hatashme që e rrethojnë Kështjellën Lonë dhe pamjet e fshatit Kerzac janë varur nëpër mjediset e brendshme dhe mund t'i kundrosh çastet e dikurshme të tyre sa të duash sipas gjendjes shpirtërore të çasti tënd. Një ndër miqtë e kështjellës Lonë ishte edhe shkrimtari çmim Nobel Hermann Hesse, punime të të cilit në vaj janë të varura nëpër mjediset e brendshme.

Në sallonin e kafesë zonja Kazanova mban një fjalë të shkurtër, ku na e përshkruan historinë e kështjellës, fatin e familjeve që e banuan atë dhe fatin e mëvonshëm. Në emër të APES e merr fjalën shkurtimisht nënpresidenti ynë, z. Jean Musy. Presidentja z. Emilya Nazarenko është ndërkohë me shërbim në Kuala Lumpur të Malajzisë. Na pret pastaj dreka, sipas traditës të guzhinës së lartë, Â la carte, ku ne zgjedhim sipas dëshirës një meny suhmë delikate dhe speciale, duke rënë nën tundimin e personelit të shërbimit, që plot pasion na flasin për pjatat dhe asortimentet. Dhe ne, natyrisht, nuk duam të lëmë asgjë pa shijuar nga ajo larmi gatimesh të hatashme, ku mbretëreshë e tryezës është gjithsesi vera e kuqe. Dhe sipas huqeve të veta, sekush nga ne, iu propozon të tjerëve të mos mjaftohen me këtë apo atë gatesë, duke bërë publicitetetin e radhës për pjatat e pëlqyera.

Pranë nesh është zotëri Claude Gerbex, përgjegjës i sektorit të informacionit në gjuhën frënge pranë Kancelerisë Federale. I mbushen sytë me lotë kur i kujton fëmijët e Kosovës, në pranverën e vitit 1999, të cilët i ka takuar në Zvicër, por edhe në qendrat e improvizuara në Maqedoni dhe në Shqipëri. Nuk i hiqen nga mendja sytë e tyre të pikëlluar që kërkon ndihmë, sytë e tyre që ndritnin nga shpresat. Dhe Gerbex pastaj nuk harron të na rekomandojë që të mos i shpërfillim ëmbëlsirat, sidomos të mos i shpërfillim ato me drethëza, boronica dhe kajmak. Pas një dreke aq të bollshme e tejet të shijshme, kjo ëmbëlsirë të bën të ndjehesh krejtësisht i lehtë.

Për Kosovën, gjatë drekës, flasim edhe me një nga kolegët më të vjetër të APESit, Jean-Paul, po ashtu edhe për Mauriciet e tij. Edhe për faktin që Republika e Mauricieve e ka njohur Kosovën, çka, pak më vonë, nën ndikimin e verës së kuqe, e harron. Pritni, thotë, do ta verifikoj në internet. Pastaj i pëlqen të flasë për përparimet e gjithanshme të vendit të tij tejet të vogël e tejet të përparuar. I vjen sidomos mirë kur ia krahasojmë me Singaporin apo Hong Kongun. Kështu vazhdojnë të shpalosen individualitetet tona: dashamirët e anekdotave, dashamirët e verës, dashamirët e ngrënieve të bollshme, dashamirët e delikatesave, dashmamirët e ëmbëlsirave.

Pas drekës zonja Kazanova vazhdon të japë intervista në sallonin e kafesë, ku është fiksuar edhe kamera televizive. Pastatj fotot e veçanta të gazetarëve me kancelieren, fotot në grupe të vogla, fotot kolektive. Adhuruesit e kafesë, ndërkohë, gjejnë përsëri rastin të shijojnë kafe pas kafesh.


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_DSC00993

***

IV.APES

APES (Association de la Presse Étrangère en Suisse et au Liechtenstein - Shoqata e Shtypit të Huaj në Zvicër dhe në Lihtenshtajn), me qendër në Pallatin e Kombeve në Gjenevë dhe me një histori gati shekullore, një formë e organizimit të gazetarëve që nuk ekziston askund tjetër në botë, veç në Zvicër. Një nga organizatat më të vjetra të gazetarëve profesionistë në Zvicër, ajo u themelua më 15 korrik 1928, pranë Ligës së Kombeve, pikërisht në Gjenevë. Me përjashtim të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur pikëpamjet e ndryshme paralizuan punën e shoqatës, ajo gjatë gjithë kohës ka arritur t'iu përshtatet ndryshueshmërive në gjirin e saj nëpërmjet taktit, kohezionit e fleksibilitetit dhe të funksionojë gjithnjë e më frytshëm, duke u bërë edhe partnere zyrtare e Zvicrës në raportet me mediat e huaja që nga viti 1979, çka kurorëzohej edhe me rregulloren e re të akreditimit të përfaqësuesve të mediave të huaja, që hynte në fuqi më 1 janar 1992, në nenin 3 të së cilës thuhet: "Departamenti Federal i Punëve të Jashtme mban marrëdhënie të privilegjuara me Shoqatën e Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtejn. APES është ndërmjetësuesi kryesor i departamentit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësuesit e mediave të huaja në Zvicër, janë apo nuk janë ata anëtarë të APES."

E themeluar në zanafillë prej gazetarëve, APES sot numëron 120 anëtarë, midis tyre tre shqiptarë, nga 46 vende të botës, të cilët punojnë për agjenci, gazeta, revista, radio, televizione, internetin nga më prestiogjozet dhe më të famshmet të botës. APES ka pasuruar traditat, ka shtuar partneritetet përveçse me qeverinë zvicerane, edhe me organizma ndërkombëtare, organizata joqeveritare, misionet diplomatike në Zvicër. Shoqata ka themeluar më 2003 edhe Prix de Apes që iu jepet përvitshëm, me votat e anëtarëve të saj, personaliteteve më të shquara të kohës. Prej 1948 APES organizon darkën e përvitshme me Presidentin e Zvicrës, çka i rrit mundësitë për forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijimin e lidhjeve të reja profesionale. Duke pasur partner gjithnjë e më të ngushtë institucione qendrore si Présence Suisse dhe Suisse Tourism, APES organizon udhëtime në rajone të ndryshme të Zvicrës, ndonjëherë edhe jashtë saj, si në qershor 2007, për shembull, kur bëri një udhëtim të mrekullueshëm në Kosovë. Kjo praktikë e thellon aktivitetin e saj profesional sa dhe e rrit, e forcon ndjenjën e familjaritetit, miqësisë dhe solidaritetit mes kolegëve.

Kjo ndjenjë u provua qartë dhe me sukses vitet e fundit, kur zonja Yolanda Rojal, gazetare me përvojë të gjatë e së përditshmes ekuadoriane El Universo, presidente e APES në vitet 2005-2011, aktualisht presidente nderi, dhe shumë më tepër se mike e kolege për të gjithë ne, pati një përkeqësim shëndetësor. Gjatë gjithë kohës zonjës Royal iu ndodhën pranë shqetësimet dhe përkujdesjet e kolegëve të shoqatës, lutjet dhe dëshirat për shërim dhe kthim sa më të shpejtë në mesin tonë.

Gjithnjë e më shumë mes kolegëve ndahen jo vetëm dhimbjet e shqetësimet, por edhe gëzimet, aq më tepër kur ato kanë simbolika të veçanta: Këto ditë, për shembull, nuk mungoi kartolina për Robert Evans, gazetarin me shumë përvojë të Reuters me rastin e lindjes së nipit të tij të katërt. Të bëhesh gjysh për të katërtën herë është një gëzim i rrallë e një privilegj, në të cilin nuk mund të mos marrësh pjesë dhe të dëshirosh edhe për veten atë vitalitet që ka kolegu ynë me aq përvojë në misionin e madh e të shenjtë të së vërtetës, mision ku ne gazetarët jemi të pazëvendësueshëm, mision që po bëhet gjithnjë e më i vështirë përballë sfidash gjithnjë e më të ndërlikuara në botën tonë përherë e më globale.


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes3

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes6

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes7

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes8



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes9

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes10



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes12



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes13



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes14



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes15



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes17fk



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apes19nationalratssaal-16-gA



ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_Apesh1

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_apeshifotokryesore1

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ:NJË FTESË NGA BERNA - APES I MIKPRITUR NGA KANCELIERJA KAZANOVA U3_DSC00988

Fotot nga ELEANOR WITTMER dhe APES
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi