Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Avni Rudaku-Rudi:Ali Podrimja ishte ai që ishte! (analizë shkencore)

Shko poshtë

Avni Rudaku-Rudi:Ali Podrimja ishte ai që ishte! (analizë shkencore) Empty Avni Rudaku-Rudi:Ali Podrimja ishte ai që ishte! (analizë shkencore)

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 29, 2012 6:11 pm

Avni Rudaku-Rudi:Ali Podrimja ishte ai që ishte! (analizë shkencore) Scaled.php?server=577&filename=30142010150402036143496

Avni Rudaku-Rudi:Ali Podrimja ishte ai që ishte! (analizë shkencore)



Avni Rudaku-Rudi:Ali Podrimja ishte ai që ishte! (analizë shkencore) 563967_10151287716733496_1851606267_n

Pavarësisht!

Poeti i njohur Ali Podrimja vdiq në një mënyrë mjaft të shpërfytyruar. Lajmi në fillim për zhdukjen e tij në Francë, e më pas lajmi tjetër për “zhdukjen definitive” për në amshim, e bëri këtë lajm edhe më të rëndë. Ngjarja e ndodhur pas një vdekjeje shumë të diskutueshme (por edhe shumë vrasje me motive politike të pandriçuara pas lufte) në Kosovë të një personaliteti të njohur publik, të përcjellur me dyshime dhe enigma, po bën që shqiptarët në Kosovë ta kenë të vështirë ta pranojnë se dikush mund të vdes në mënyrë të natyrshme. Pati disa ide të hedhura në internet në kohën kur në Francë bëhej analiza e mjekësisë ligjore se poeti mund të ishte vrarë (!), apo mund të jetë vetëvrarë (!), ndonëse nuk kishte dëshmi tjetër pos spekulimeve që buronin nga dyshimet, hamendjet për pyllin dhe argumentet e tjera për gjendjen e mundshme shpirtërore të poetit. Pas lajmit nga autoritetet franceze se ka vdekur në mënyrë të natyrshme, spekulimet nuk u ndalën, ndonëse u zvogëluan në masë të madhe. Hija e dyshimit mbeti, por u zvenitë. Ndoshta edhe një prej arsyeve të tjera të rritjes së mosbesimit ndaj vdekjes së natyrshme të poetit ishte edhe lajmi mjaft problematik në përkufizim se, “nuk ka shenja dhune në trupin e të ndjerit”, sepse paragjykohej e kundërta nga ligji i programit neurolinguistik që thotë se truri e pranon mohimin dhe pohimin njësoj, prandaj, mos thuani “Mos u lëndoni!”, por “Mbahuni të shëndetshëm”, ngase sapo përmendet lëndimi, truri pranon sinjale të dhembjes, qoftë edhe me prefiksin urdhëror “mos”! Kështu disi mund të shpjegohet edhe pranimi i mënyrës së vdekjes së poetit Podrimja me këtë dyshim të opinionit publik. Sidoqoftë, i lindur pak para përfundimit të Luftës së Dytë botërore, 1942, në Gjakovë, Ali Podrimja vdiq, për të nxitur gazetarë, poetë dhe lexuesit e ndryshëm, që t’i rikthehen më seriozisht jetës dhe veprës së Podrimjes. Bile, këtu duhej kritikuar atë që shpesh e bëjmë në kolumnet tona se, sa vështirë mund të gjindej qoftë edhe ndonjë intervistë e poetit sa ishtë gjallë, nga roli i vakët i medieve në zhvillimet tona letrare dhe në mungesën e gazetarisë së përkushtuar mbi letërsinë dhe kulturën. Ali Podrimja u veçua kryesisht në zhanrin e poezisë. Mbeti gjithmonë poet. Nuk eksperimentoi aq me zhanre të tjera letrare dhe iu përveshën gjatë gjithë jetës poezisë. Mbase, bëri jetë poetike, përfundimi i tij fizik nga jeta e njëmendësë objektive të realitetit, ishte poashtu poetike. Kur themi “poetik”, zakonisht këtu mbetet fjala për dhembje/elegjike. Poeti Podrimja ishte goditur shpirtërisht edhe nga dhembja mbi vdekjen e djalit nga kanceri që në moshë të hershme, e cila vdekje e bëri pikëllimin e Podrimjes pikëllim të thellë poetik dhe personal. Kjo ndikoi mjaft shumë edhe në rrugëtimin e tij shpirtëror dhe gjendjet e lëkundshme emocionale, të cilat i përflasin shokët e tij edhe sot. Ai nuk qeshte aq me të gjithë. Podrimja shkruajti që në rini të hershme poezi, ndërsa të parën poezi ka thënë vetë i ndjeri poet në një intervistë se e ka botuar në vitin 1957 në revistën “Jeta e re”. Podrimja punoi edhe si redaktor për shumë vite në shtëpinë e famshme botuese “Rilindja”. Ka krijues që më ka thënë se poezitë i kishte redaktuar me motive ideologjike të kohës dhe se si poetë nga ajo kohë, kanë mbajtur hidhërimin mbi poetin Podrimja. Madje këtë nuk e fshehin edhe në kohë pikëllimi. Mirëpo, nëse bëhemi shkencor, mund të themi se akuzat ndonëse mund të jenë nga motivet më të ndryshme reale apo edhe personale: qoftë për shkaqe frike nga ajo kohë dhe sistem, frikës së mbylljes nga regjimi të “Rilindjes”, apo edhe besimit në atë sistem (e kundërta e disidentizmit), e lloje të ndryshme arsyesh, por mund të jetë edhe mekanizëm mbrojtës i poetëve të cilët për shkak të inateve personale që nuk ju kanë botuar krijimet e tyre letrare, e që arsyet mund të jenë edhe kryesisht teknike: pa metafora si duhet, gjuhësisht me gabime të mëdha, rima demode e të ngjashme. Pra, kur duam të flasim “kah del shpirti”, mund të spekulojmë sa të duam dhe t’i japim kahje kah të dëshirojmë nga pozicioni i interesave të llojllojshme dhe huqja e kontekstit. Në përgjithësi, redaktorët janë shtresë shoqërore mjaft e kritikuar, jo vetëm se kanë autoritet për botimet, por edhe natyra e rolit të tyre është e llojit të “kasapit”, ngase mund të të shkurtojnë fjali dhe tekste që krijuesin e lëndojnë në një mënyrë apo tjetër. Sidoqoftë, nuk e mohoj edhe redaktimin që mund të jetë bërë nga zhvillimet e kontekstit të rënduar politik pas vitit 1981.

Kundërthëniet për Ali Podrimjen

Në kohë morti dhe fatkeqësie, është problem kardiovaskular që të merremi me shumë detaje, qofshin edhe të karakterit shkencor dhe të së vërtetës historike. Pa dyshim, na duhet distanca historike për çdo gjë, por edhe gjykimi i krijuesve asnjëherë nuk ka mbetur pa u vlerësuar edhe në aspektin ideologjik, politik dhe nacional, prandaj mora zorin t’i lehtësojë disa tabu. Kemi dëgjuar lloj-lloj gjërash për brezin e krijuesve në kohën e ish Jugosllavisë, por edhe për klasën politike të asaj kohe. Disa kanë mendim të prerë se shumica prej tyre kanë heshtur dhe e kanë madhëruar sistemin, prandaj arti i tyre ka qenë në funksion të ideologjisë. Disa prej tyre kanë qenë të përkdhelur të sistemit dhe i ka ngritur vetë sistemi për servilitet, por edhe disa përmes spiunimin aktiv dhe denoncimit! Mirëpo, ka disa prej tyre që nuk e gjykojnë asnjë sjellje, qoftë edhe të të shkruarit e ndonjë poezie për madhërimin epik të figurës së Titos, sepse gjithmonë e vënë në kontekst historik dhe politik të kohës. Ky i fundit është vlerësim më i ekuilibruar, pavarësisht faktit se ndonjëherë edhe kalon në legjitimitet të skajshëm për veprimet dhe etikën e krijuesve në relacionin me pushtetin e këtynehershit. Në njëfarë mënyre, edhe bëhet amnesti e plotë, herë me të drejtë e herë pa të drejtë. Në simpoziumin e mbajtur në Prishtinë “Tito për Kosovën/Kosova për Titon”, më 9-10 dhjetor 1977, të botuar në një përmbledhje si tërësi të këtyre shkrimeve të këtij simpoziumi, në pjesën e kritikut të njohur letrar - tashmë ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova - në faqen 407, 408, 409, e më tej, flet edhe për imazhin e Titos (ish kreut jugosllav) në letërsinë e krijuesve shqiptarë, ku ndër të tjerash flet edhe për poezinë e Ali Podrimjes dhe përfytyrimin metaforik të krijuesit për Titon. “Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar” – citohet të ketë shkruar Rugova në këtë shkrim (Rugova, Ibrahim “Tito në lëtërsinë shqipe në Jugosllavi”, 1977, f.407-409). Duke folur për praninë e figurës së Titos në zhanret e ndryshme letrare, duke përfshirë prozën, poezinë, letërsinë për fëmijë, Rugova tekstualisht thotë: “Thënë historikisht, fytyra e Titos në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi. Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, "Ty që je liria jonë", ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera” – thekson Rugova. Mirëpo, Rugova nuk ndalet vetëm në këto poezi, përmend edhe Podrimjen, Mirko Gashin, e të tjerë. “Në disa poezi të tjera siç janë "Flamur shekujsh" (Ali Podrimja), Dy ditëlindje (Rrahman Dedaj) dhe Flet Tito (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit” – thuhet në këtë kritikë letrare të Rugovës. Duke shtjelluar më gjatë dhe në mënyrë më të hollësishme, Rugova ndalet edhe në të gjitha figurat e tjera simbolike të poezisë së Podrimjes. “Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike” (po aty).Theksimi i tipareve pozitive dhe pasqyrimit shpirtëror të përceptimit të krijuesve për lartësimin e Titos në këtë kontekst të kohës, tregohet në kritikën e Rugovës, siç e përmendëm edhe më herët, edhe në letërsinë për fëmijë. “Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve” – thotë Rugova. (po aty, f.409). Ndërsa edhe vetë poeti Podrimja e kishte pranuar se e kishte shkruar poezinë për Titon, ndërsa në një intervistë kishte treguar edhe për këtë çështje që për disa është i diskutueshëm si “poet kombëtar”!, ngase ka lavdëruar Titon! Ai tregon se si Esad Mekuli e kishte shpëtuar nga regjimi jugosllav pasi që dinte të jepte arsyetime më të zbutura (më diplomatike) për krijimet e tija letrare dhe se pas poezisë mjaft rebeluese dhe që regjimi e konsideronte provokuese “Kosova është gjaku im që nuk falet”, Podrimja tregon këtë histori të largët. “Dhe një ditë takohem me “Ëngjëllin tim mbrojtës” (shën. im., është fjala për Esad Mekulin). Më kishte shikuar gjatë dhe pastaj më ishte drejtuar: Unë gjithmonë nuk mund të të mbroj. Të lutem, ta shkruash një poezi për Titon, do të jetë ajo një mburojë për ty. Po si ta shkruaj, baca Esad, kur nuk e kam takuar asnjëherë dhe ç’të them për të. Prapë më ishte drejtuar: hedhi ca vargje e unë do të kujdesem. Ndryshe unë e kuptoj letërsinë, i kisha thënë. Kam ide të tjera. Megjithatë, kishte fituar ai. Nuk kisha mundur t’ia shoh lotin në sy. I kisha shkruar ca vargje në një cep letre dhe plaku e kishte vënë në çantën e tij. Seç kishte ndodhur me ato vargje e pashë kur doli “Jeta e re” (http://www.shqiperia.com)

Ali Podrimja dhe politika

Ali Podrimja ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Disa thonë se thuajse në përgjithësi brezi i vjetër i ASHAK-ut është me background më të përafërt me LDK-në, prandaj Qosja këtë mllef të LDK-së e zbraste edhe për ASHAK-un! Po ashtu, disa që gjykojnë edhe më ekstremisht, nga poli i kundërt, nga ata që besojnë se në Kosovë ka pasur ose titizëm ose enverizëm, thonë se është një grup i intelektualëve dhe krijuesve që nuk kanë besuar se mund t’ia dilet kundrejt Jugosllavisë aq të fuqishme dhe që vlerësojnë më pozitivisht rolin e Titos në emancipimin kushtetues, juridik dhe politik të Kosovës në kuadër të RSFJ-së, sigurisht se kanë pasur më shumë afërsinë me titizmin. Pavarësisht se kjo dihotomi titizëm dhe enverizëm mund të jetë shumë e rrezikshme, ngase kjo dihotomi mundohet pastaj të jetë dihotomi: tradhëtarë/heronj. Ky është spektri i ngushtë i vrojtimit dhe mund të quhet bile antikombëtar. Jeta politike në Kosovë ka qenë shumë më komplekse se sa të ndahet në titizëm e enverizëm. Shumë titistë mund të kenë kontribuar për çështjen kombëtare, ashtu siç mund të kenë kontribuar enveristët, por në mënyra të ndryshme. Po ashtu, disa prej tyre kanë lavdëruar Titon, për shkak të krahasimit me kohën e egër të Rankoviqit. Disa të tjerë edhe kanë pasur privilegje në atë kohë, nuk mund ta mohojmë, mirëpo ta mohosh se Aliu nuk ishte “poet kombëtar” vetëm për shkak të këtyre qëndrimeve mbi të se paska shkruar për Titon, është absurde dhe e paqëndrueshme. Atëherë s’po jetë figurë në Kosovë që qenka kombëtare, ndonëse edhe rrafshimi i vlerave është po aq i dëmshëm! Po ashtu, “enveristët” po harrojnë ta përmendin vargun e Aliut për presionin e regjimit jugosllav ndaj popullatës shqiptare, gjegjësisht në rrafshin e Dukagjinit: “Qaj rrafshi im i dashur, qaj!/Diellin tënd verbuar e kanë tytat/E vatrat shkimbur deri më një...Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik, Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.” (http://sq.wikipedia.org/wiki/Ali_Podrimja). Ose, “Kosova është gjaku im që nuk falet” që frymëzoi ndjenja të forta nacionaliste dhe kombëtare shqiptare, duke u bërë këngë lirike e qëndresës dhe mobilizimit shpirtëror. Podrimja pas luftës nuk u pozicionua në funksione konkrete partiake dhe bëri mirë. Është ndër të rrallët që nuk mori ngjyrime ideologjike-partiake, pavarësisht që në muhabete kafenesh dhe biseda private thuhet se ka pasur afërsi më shumë me subjektin politik të liderit të ndjerë Rugova. Ai shkonte vazhdimisht në orët letrare. Ai erdhi në qytetin tim, në Gjilan, mori dy çmime. Madje, çmimin e fundit ndonëse ishte e diskutueshme për shkak se poezia e tij “Çelësi i humbur” ishte botuar më parë, prandaj kriter i jurisë ishte të mos shpërbëlehej asnjë poezi pavarësisht nga kush është shkruar. Bile ia thamë organizatorit se kjo poezi është e botuar, por si mund të bëhej fjalë për një poet aq të njohur, që thënë shumë sinqerisht, pra që duhet pranuar hapur se edhe juria zihej fortë ngushtë sapo shfaqej prezenca e Ali Podrimjes, ngase figura e tij prej poeti kishte ndikuar te shumë breza krijuesish dhe kritikësh dhe s’mund të mos vlerësohej si poezia më e dalluar kur lexonte ai. Ai bëri një shkëputje të madhe me poezinë puro romantike tradicionale dhe nacionale shqiptare. Mbetet poet kombëtar ngase kombëtar mund të bëheni edhe vetëm kur shpalosni fatin personal dhe kolektiv dhe shumica e anëtarëve të këtij komuniteti imagjinar të njohin dhe të duan se si e shpalosni këtë me vargje. Lamtumirë poet! Pavarësisht që nuk kam asnjë foto me ty për ta qitur në fejsbuk e për t’u krenuar, unë krenohem që të lexoj, si dhe krenohem që të patëm dhe bota na njohu me ty më pozitivisht

Kosova Sot, 27 korrik 2012
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi