Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë

Shko poshtë

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë Empty Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 02, 2012 12:48 pm

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 41495_1458014986_7727_n

Intervistoi:Muharrem Sfarqa

Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 396987_331598113540705_2073829397_n

(Bisedë me Behxhet Krasniqin,veprimtar i mërgatës shqiptare në Gjermani, dhe vëllau i ish ministrit të mbrojtjes, Ahmet Krasniqit)

Familja Zhilivoda e cila zë një vend të rëndësishëm në historinë e djeshme dhe të sotme të Kosovës, zanafillën e luftës për liri e ka që nga perandoria turke kur parardhësit e kësaj familje që po jetonin në Preluzhë, nga një aksion kundër ''Tesildarëtve'' të Mbretit (tagrambledhesve) të cilët po hynin kohë e pa kohë nëpër familjet shqiptare duke ushtruar dhunë dhe plaqkitje, do t'ju përgjigjen me armë duke mbrojtur pragun e shtëpisë. Kjo edhe do të bëhet pretekst i shpërnguljes së kësaj familje në një vendbanim të ri duke hapur toka të reja (pyje, shkurre e therra) për banim dhe ara të bukës. Pikërisht në këto toka të vjetra me banime të reja në Zhilivodë do të vazhdojë të kultivohet atdhedashuria ku periudhës së lavdishme të historisë kundër sundimit të ri serb që po i përgatitej Kosovës, do të luftojë patrioti Aziz Zhilivoda me emrin e të cilit do të identifikohet një krahinë e tërë. Por, me përfundimin e luftës së dytë botërore dhe me instalimin e sistemit komunist odisejada e kësaj familje do të shënojë përjetime të rënda e të përditëshme. Trimi Aziz Zhilivoda do të arratiset në Shqipëri ndërkaq barra e familjes do t’i bie vëllait të Azizit, Hajrizit, i cili do të duhet të kujdeset përpos fëmijëve të tij, edhe për fëmijët e Azizit, që do të vazhdojnë të rriten me mallin për babain. Në këto rrethana do të lindin e do ta përfundojnë fëmijërinë e rëndë vëllezërit Ahmet Krasniqi (Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës) dhe Behxhet Krasniqi me të cilin për lexuesit tanë, në përvjetorin e 14-te, zhvilluam një bisedë për lexuesit e kombëtares “Bota sot”.

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 404714_474621299238385_955231080_n

Një fëmijëri e rëndë

“Bota Sot”:Çka kujtoni nga fëmijëria juaj?

Behxhet Krasniqi:
Unë dhe vëllai im Ahmeti jemi rritur si të thuash gati pa fëmijëri, e me vaj në buzë. Në vitin 1955, babai ynë Hajrizi pas torturave që do t’i bëhen nga UDB-ja, të cilave nuk do të mund t’ ju përballojë, vdes në spitalin e vjetër të Prishtinës, në lagjen Arbëria (ish Dragodan). Nëna ime, të cilën edhe sot e kujtoj si atëherë, ishte e re dhe shumë e bukur, dhe me detyrim do të ndahet nga ne, ndërkaq, rolin e Nënës do ma marrë gruaja xhaxhait tonë, Azizit, nëna Hidë (Shehide) prej familjes Grajqefci të Hades, dhe gjyshja ime e cila ishte një këngëtare autodidakte e këngëve dhe rapsodive, dhe dinte qindra këngë e mijëra vargje përmendsh, një grua trimëreshë, nga familja Abdullahu e Vranidollit.

Kushtet tepër të rënda të fëmijërisë dhe të fëmijërisë së hershme, disi na mundësuan një pjekuri të hershme. Pra u rritëm duke i parë dallimet e jetës, sidomos deri në rënien e Rankoviçit. Madje ne deri atëherë nuk kemi pasur as edhe të drejtë vote. Familja jonë një kohë ka qenë e internuar në kullat e Isak Llapashticës. Aty, fëmijët e Aziz Zhilivodës, Ragipin, Faikun dhe Shaipin i mësonte shkrim-lexim mixha Qerim. Mirëpo rënia e Rankoviqit shënoi një liberalizim të jetës shqipëtare, sidomos për shkollim.

''Bota Sot'':Si u reflektua ky liberalizim?

Behxhet Krasniqi:
Ne ishim të lidhur me familje atdhtare, prandaj ishim edhe në dijeni me hapat që duheshin marrë për edukimin dhe emancipimin e kombit.
Pas maturës (...) me insistimin e Metush Krasniqit dhe ndihmën e miqëve, Ahmeti do të regjistrohet në Akademi Ushtarake, ndërkaq, unë në Fakultetin Filozofik, në degën e Gjuhës dhe Letersisë Shqipe.

''Bota Sot'': Cili ishte aktiviteti juaj gjatë studimeve?

Behxhet Krasniqi:
Në atë kohë lexonim shumë, natyrisht që ishim një gjeneratë me shumë ideale dhe shumë ëndrra, jo vetëm për vete por për të mirën e përgjithshme të Kosovës. Unë, isha anëtar i grupit letrar ''De Rada'' që udhëhiqej nga Dibran Demaku (poet dhe publicist) dhe po shkruaja dhe botoja në gazetën e studentëve ''Bota e Re'', "Thumbi" dhe ''Zëri i Rinisë'', poezi, humor dhe satirë, me pseudonimin ''Beka'', por edhe leximit të shtypit ilegal ( të ndaluar ) i kushtonim një kohë të veçantë e të rëndësishme.

Në vlugun e veprimtarisë atdhetare

“Bota Sot”:Ju si student edhe u burgoset, a mund të na rrëfeni më gjerësisht?

Behxhet Krasniqi:
Gjatë kohës së studimeve, si i ri, i frymëzuar me atdhetari dhe me idealizmin e gjeneratës, dëshira për dije më shtoi pasionin për të lexuar sidomos literaturë të ndaluar. Dhe si student letërsie natyrisht që më tepër më interesonin poezitë, pasi që edhe vetë, merresha me krijimtari poetike. Një ndikin të veçantë bënin sidomos edhe filmat e Shqipërisë që shfaqeshin në Prishtinë. Në atë kohë shoqërohesha sidomos me Ismail Sylën - shkrimtar dhe i burgosur politik. Madje ai atëherë më pati dhënë edhe antologjinë e poezisë patriotike "Këngët e lirisë". Ky libër më ka mbetur sot e asaj dite kujtim nga ai, i cili u burgos disa ditë para meje. Shoqërimi im me Ismailin ishte edhe një luftë e jona për njëri tjetërin për t’u anëtarësuar në grupin e ilegales ku vepronim. Unë isha anëtar i LNQKVSH-së (në grupin të cilin e udhëheqte intelektuali i njohur, Xhafer Durmishi) dhe gjatë ndërhyrjes dhe bastisjes nga forcat e sigurimit, ma morën makinën e shkrimit dhe dy përmbledhje me poezi të gatshme për botim si dhe një fond i pasur i librave nga biblioteka ime personale, të cilat nuk më janë kthyer kurrë.
Për koinçidencë të rastit, këto libra m’i mori ish mësuesi im, Hajzer Hajdari i cili gjatë shkollimit na kishte mësuar ta duam librin e që tani për fatin e keq ishte shëndrruar në sigurim dhe ishte në shoqërim të Dragan Miliçit, i cili më vonë u bë njeriu i dytë i UDB- së për Kosovë.

“Bota Sot”:Na flisni pak për kohën e burgut...


Behxhet Krasniqi:
Natyrisht, njeriu kujtimeve të burgut nuk ju këthehet me dëshirë, sidomos nuk kisha dashur kurrë ta kujtoj periudhën e katërmuajshe të hetuesisë në Mitrovicë dhe presionin e paparë fizik e psiqik për të pranuar akuazat që më vëheshin në barrë. Por unë isha i vendosur për ta përballuar nga shkaku që e dija se dënimi im eventual është edhe dënim për vëllaun tim Ahmetin, që në atë kohë ishte epror i lartë ushtarak. Ishte një përpjekje e pushtetit të atëhershëm "me një gurë me i vra dy zogj" siq thotë populli.
Në burgun e Mitrovicës dhe të Gjurakocit, sa qëndrova, unë njoha shumë burra të fortë e të përkushtuar për çështjen kombëtare. Aty njoha Muhamet Pirrakun, Ymer Shahinin, Nezir Myrtaj, Dr. Ibrahim Nikçin, Ujkan Nikçi , Shaqir Sela nga Struga, Shaqir Zenelin, Sali Lukaj, Muhamed Tërrnavën, Gani Hoxhën, Nezir Fejzën, dr. Shaqir Shaqirin e të tjerë.
Sidomos rrënqethem edhe sot dhe jam krenar kur e kujtoj Ibrahim Nikçin, një patriot i cili edhepse i dërrmuar fizikisht, stoikisht i përballoi të gjitha torturat. Ndërkaq, do të vë në pah këtu, forcën e Nezir Myrtajt, i cili në ankesat zyrtare që na i ofronin t’i nënshkruanim per falje dhe zbritje dënimesh, ai tekstualisht shkroi kështu:" unë, Nezir Myrtaj, prej se jam bërë i vetëdijshëm, me mish e me shpirt jam mundue me rrënu këtë sistem i cili është ndërtu në dëm të shqiptarëve”.

“Bota Sot”:Cili ishte aktiviteti juaj pas daljes nga burgu?

Behxhet Krasniqi:
Pas daljes nga burgu u ballafaqova me vështirësi të tjera që i impononte jeta. Krahas studimeve me korrespodencë, unë isha edhe i punësuar në mihjen sipërfaqësore në Dobrosellë, dhe burgosja ime nën akuzën për kundërrevolucion e propagandë u bë shkak të më ndalohet kthimi në vendin e punës si ''i papërshtatshëm''. kontaktet me miq dhe shokë të burgut i kam mbajtur dhe kultivuar vazhdimisht.

Me themelimin e LDK-së, u anëtarësova në këtë parti. Këtu punova në shumë sfera, sidomos, kam qenë aktiv në mbledhjen e ndihmave për shkollën shqipe në komunën e Vushtrrisë, ndërkaq në nëndegën time isha i caktuar për siguri dhe mbrojtje në planin ushtarak deri në vitin 1993. Në këtë vit unë gjendesha në mardhënie pune në shkollën fillore ''Liria'' në Strofc, kur në prill të atijë viti kryhet një akt diversant kundër lartpërquesit të rrymës për Mal të Zi, dhe atë në shtyllën që ishte vendosur pikërisht në pronën time të patundshme. Kjo do të bëhet shkak që televisioni i atëhershëm i Prishtinës të jap lajmin se njësitë guerile me në krye familjarët e familjes së Aziz Zhilivodës e kanë kryer këtë akt. Këtu edhe zë fill ndjekja ime e dytë nga pushteti.

Arratisja dhe jeta në mërgim

“Bota sot”:Prandaj edhe ju u arratisët ... !?

Behxhet Krasniqi:
Po, unë isha i detyruar të arratisem edhepse ky akt diversant nuk ishte vepër as e imja e as e familjes sime. Në atë kohë vëllai im, Ahmet Krasniqi ishte dezerter i ushtrisë dhe unë si ish i burgosur politik, prandaj dyshimi im është se këtë akt e ka bërë ose UDB-ja për të filluar ndjekjen ose dikush nga ndonjë organizatë tjetër ilegale. Për këtë akt, pushteti i atëhershëm okupues kishte filluar një aksion të tmerrshëm kundër banorëve të Zhilivodës, madje një numër i madh i këtyre banorëve kanë pësuar shume nga ky rast, sa që nga rrahjet e pamëshirshme të UDB-së disa për të mbijetuar janë detyruar të ''mjekohen'' duke u mbeshtjellur me lëkura të deleve. Përveç tjerash, unë mendoja se si aktivist i LDK-së, veprimtaria patriotike do të ishte më e lehtë, duke vepruar legalisht, mirëpo, edhe në kuadër të këtij aktiviteti, ndjekjet ndaj familjes sonë nuk pushuan. Kështuqë, u detyrova të arratisem jashtë Kosovës dhe pikërisht me 2 maj të vitit 1993 kalova në Shqipëri me peripeti të shumta.

“Bota Sot:”Cilat ishin ato?

Behxhet Krasniqi:
Fillimisht, jam vendosur në Maqedoni, në familjen e Harun dhe Samit Zenelit, dhe atë me një pasaportë të Ibrahim Abdullahut nga Vranidolli, të cilën ma ka rregullue dikush nga fshati Llapashticë. Më vonë me këtë pasaportë kam lëvizur nëpër Europë. Në arratisjen time më ka ndihmue me të gjitha mundësitë dhe mënyrat ish i burgosuri politik, Shaqir Zeneli nga Prapashtica, shok i imi i burgut.

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 539026_413383052051727_247294856_n

“Bota sot”:Në Shqipëri, ku jeni vendosur?

Behxhet Krasniqi:
Fillimisht, u paraqita në Tiranë, në Zyrën e atëhershme të Kosovës. Më kujtohet se në atë kohë ishte Mehmet Kraja, ai i cili u interesua për vendosjen time atje. I njejti më vonë më pat tregue se të dhënat e mia dhe ndjekjen time nga pushteti i atëhershëm e kishte vërtetue dhe konfirmue Rexhep Gjergji. Duke qenë se unë në Elbasan e kisha xhaxhain tim, Aziz Zhilivodën, shpreha dëshirë që të qëndroj në këtë qytet, duke shprehur gatishmërinë time që të jem në shërbim të Zyrës së Kosovës në Tiranë dhe kërkesave të tyre eventuale që do t’i kishin ata ndaj meje. Në këtë kohë aty vjen edhe Shefki Islam Krasniqi, ish i burgosur në armatën jugosllave. Ai ishte i torturuar tej mase, me disa brinjë të thyer dhe gati para vdekjes. Me të kemi banuar në Elbasan, prej muajit maj deri në fund të dhjetorit të vitit 1993.

Takimi me Aziz Zhilivodën

“Bota Sot”:Çka kujtoni nga takimi juaj me Aziz Zhilivodën?

Behxhet Krasniqi:
Kur arrita te ''Skampa'' në Elbasan, takova njeri me biqikletë dhe e pyeta: Ku është rruga ''Skenderbe'', ai me tha: Kënd e kërkoni atje?; e unë i tregova se po e kërkoja Aziz Zhilivodën. Cka e ke ti atë?; Mixhë, ju pergjegja, Behxhet ti je a ? Unë jam dhëndrri i Azizit, më tha. Ishte Mursel Halimi nga Podujeva, profesor i Historisë. Në derë e takova Mërgimen, vajzën e Azizit, e cila nga dera e dhomës e pyeti Azizin, a po e njeh Babë këtë? Ai tha ky është Behxheti. Gati sa nuk u rrëzova nga emocionet. Ai duke më dëshiruar mirëseardhje, kur ma shërngoi dorën, unë nuk e përballova shtërngimin e tij të fortë, gati u ula galuc. Ai tha: Babloku është i fortë, mos më l’shoftë shpirti pa hy edhe një herë në Prishtinë me ''mashinkë''. Ishte 83 vjeqar dhe ishte i informuar për gjendjen në Kosovë dhe tërë atë që po ndodhte atje. Xhaxhai im, Aziz Zhilivoda, ishte lidhja e fortë e shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Para meje në Shqipëri ishte vëllai im Ahmeti, i cili, pas dezertimit nga armata jugosllave, me ndihmën e Aziz Zhilivodës ishte vu në shërbim të armatës shqiptare, edhepse, Ahmeti ishte shgënjyer nga rrënimi i çdoditshëm i kësaj armate dhe kishte bërë një lëvizje të shkurtër deri në Austri, ku ishte takuar me intelektualin e ndjekur politik, dhe historianin Skënder Gashin. Pas qëndrimit në Vienë, ai ishte kthyer në Kroaci.

“Bota Sot”:Pas qëndrimit tuaj në Shqipëri, ju erdhët në Gjermani. Cili ishte aktiviteit juaj këtu?

Behxhet Krasniqi:
Në fillim të vitit 1994, kam ardhur në Köln të Gjermanisë dhe kam jetuar me mallin për Kosovën dhe familjen, ngase shoqja ime me tre djemtë jetonte në Kosovë.

“Bota Sot”:Pasi që gratë kanë qenë gjithmonë logjistika e burrave patriot shqiptarë, na tregoni kush është bashkëshortja juaj?

Behxhet Krasniqi:
Bashkëshortja ime është Kimete Ademi, nga Dobroshevci i Drenicës, të cilën e njoha në lokalet e gazetës së studentëve ''Bota e re'', së cilës në redaksi i punonte, xhaxhai i saj Gani Ademi. Ajo gjithashtu rrjedh nga një familje patriotike, ngase, gjyshi i saj, Muharrem Ademi, një ballist i njohur i kësaj ane, ishte burgosur vazhdimisht nga Ali Shukrija, famëkeq.

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 270677_464621430235336_554573255_n

Në rreshtin e veprimtarëve të mërgatës

“Bota Sot”:Ti kthehemi aktivitetit tuaj në Gjermani, na rrëfeni diqka më gjerësisht?

Behxhet Krasniqi:
Unë pasi u lidha me LDK-në në klubin ''Kaqaniku 90'' në Köln, kam bashkëpunuar me Ragip Bytyqin, Ibush Mirenën, Bahri Bytyqin, Muharrem Mehmetajn, Agim Ymerin, Qazim Beqirin, Hazir Krasniqin, Sali Çekun, Hafiz Gagicën, Xhafer Durmishin, Abedin Gashin e të tjerë, ndërkaq më vonë isha edhe kryetar i LDK-së për rrethin e Euskirchen dhe përgjegjës i 3%-shit. LDK-ja në Gjermani, në krye me Hafiz Gagicën ishte promotor i aktivitetit tonë në Gjermani.

Kemi punuar shumë edhe për unifikimin e shqiptarëve si domosdoshmëri për çlirimin e Kosovës. Aktiviteti im në Gjermani më ka mundësuar takime të shumta njohjeje me shumë veprimtarë dhe me përfaqësues të kombit, si me Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin e të tjerë, këtu kam njohur edhe akativist të palodhshëm të çështjes kombëtare, të cilët nuk kanë kursyer asgjë nga vetja për lirinë e Kosovës, por, mendoj se në mesin e tyre veprimtari Agim Kamberaj mbetet emblema e të gjithë neve.

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 598569_427682277265621_159351752_n

“Bota Sot”:Në Gjermani, siq kemi mësuar, herë pas here vinte edhe ministri i mbrojtjes, vëllai juaj Ahmet Krasniqi. Cila ishte veprimtaria e tijë këtu?

Behxhet Krasniqi:
Fillimisht ai ishte zgjedhur kordinator i ushtarakëve për Kroaci e më vonë edhe për tërë mërgaten shqiptare, ngase ai thoshte: unë jam ushtarak dhe unë dua dhe di ta organizoj luftën mbrojtëse dhe atë të lirisë së Kosovës. Aktiviteti i tij pra ishte i përqendruar në këtë pikë. Ai kishte kontakte intenzive me të gjithë ish oficerët që jetonin jashtë Kosovës. Motoja e tij e jetës gjithmonë ka qenë: ''Atëdheu mbi të gjitha''. Unë po ju kujtoj vetëm një rast të qëndrimit të tij me virtyte të larta, kur në një rast, në lokalet e sigurimit serb në Mitrovicë, derisa mua po më merrnin në pyetje, ai erdhi dhe më vizitoi. Gjatë një bisede të shkurtër më shumë me gjeste se sa me fjalë, ngase në dhomë ishin vendosur mjete të ndryshme përgjimi, ai në pjesën e mbrendshme të kutisë së shkrepses më shkroi vetëm një fjali: ''Mos i trego shokët''. Unë në atë kohë nuk e dija se edhe ai ishte pjesë e ilegales të cilën e ka themeluar Metush Krasniqi. Ahmeti sa herë që ka ardhur në Kosovë, ai çdo herë ka gjetur kohë për ta vizituar Metush Krasniqin, Shefqet Jasharin - Strofcin dhe miq të tjerë. Ahmetin e karakterizonin virtyte të larta njerëzore, si: ndershmëria, besnikëria, modestia, trimëria etj.

“Bota Sot”:Përshkallëzimi i luftës në Kosovë, Ahmetin e gjenë në pozitën e Ministrit të Mbrojtjes, si i vlerësonte ai rrethanat që kishin një rrjedhë të shpejtë?

Behxhet Krasniqi:
Ai ka punuar shumë në bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak shqiptar dhe ka pasur shumë besim në fitoren dhe lirinë e Kosovës. Atij nuk i kanë interesuar klanet, tarafet, dhe dallimet ideologjike e as edhe lufta për pushtet. Ai ishte një institucionalist i cili po luftonte për krijimin dhe njohjen e hierarkisë, ku do të dihej kush jep dhe kush zbaton urdhëra, sado që i njihte në thelb edhe dobësitë e herëpasëhershme shqiptare, që janë paraqitur gjatë historisë sonë.

Ai e njihte jashtëzakonisht mirë, historinë, kulturën dhe traditën tonë, ngase pjesën me të madhe të jetës së tij, ja ka kushtuar leximit.

Intervistë me Behxhet Krasniqin:Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe rivarrimin  e eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë 407897_331589033541613_468280761_n

Ëndrra e Ahmet Krasniqit


“Bota Sot”:Ushtarakët njihen si njerëz raconal dhe me optimizëm të matur, po ai?

Behxhet Krasniqi:
Ai me racionalitet i vlerësonte të gjitha rrethanat dhe gjykonte në të mirë të rezultateve të së ardhmes. Një optimizëm të rrallë deri në entuziazëm të cilin kurrë në jetë nuk e kam parë më te gëzuar ishte momenti pas nënshkrimit të ''Marrveshjes së Oslos''. Ai nga Oslo më ka telefonuar dhe decidivishtë më ka thënë se: '' Ne të gjithë jemi bashkuar dhe kemi nënshkruar sot marrëveshjen më të rëndësishme për luftë të përbashkët për lirinë e Kosovës me të gjithë faktorët relevant kombëtar, saqë edhe dy Serbia po te jenë, më nuk mund të na ndalin. Ne kemi me fitue.'' Me kënaqësinë më të madhe tha se: ''Unë e kam pas ëndërr me u ngrit, me m’sue artin luftarak dhe me u bë i aftë për t’i ndihmuar atdheut.''

“Bota Sot”:Por më vonë rrethanat nuk morën rrjedhën e dëshiruar?

Behxhet Krasniqi:
Ato ndryshuan negativisht për vëllaun tim, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për të gjithë ata që luftuan në mënyrë institucionale për lirinë e Kosovës. Goditja më e rëndë për të ishte moszbatimi në terren i ''Marrëveshjes së Oslos'' e sidomos mesazhet që i kishin arritur atij për mospërfilljen dhe mosnjohjen e saj. Në bisedën e fundit me të, më tha: ''Unë do të zbres prej këtij autobusi.'' që kishte simbolika të ndryshme dhe sidomos shqetësuese ishte për mua kur ai me pasthirrmën ''Ah bac!!!'' po e mbyllte telefonin, pasi që u morëm vesh se unë do të udhëtoja për Tiranë pas tri dite. Por atentatorët ishin më të shpejtë. Pikërisht me 21 shtator, para 14 vitesh, ai do të vritet në Tiranë në rrethana tash për tash të pasqaruara. Unë kisha vendosur të shkoj në Tiranë edhe para kësaj bisede, përkundër asaj që ai insistonte që unë ta ndihmoj luftën nga këtu përmes infrastrukturave tjera, por, një bisedë që kam pasur me Ibrahim Nikqin, një ish i burgosur në Gjurakofc (i cili më vonë u vra së bashku me vëllaun e tij në Shqipëri, në rrethana të pasqaruara) i cili pas një vizite që i kishte bërë Ahmetit në Shqipëri nga Zvicra, të cilit madje Ahmeti ia kishte dhënë një palë dylbi si dhuratë, ai më tha: ''Ahmeti e ka vështirë'' dhe se ai është ''mes ujqërve dhe dhelprave'' madje atij, Ahmeti i kishte thënë se gjithsesi do të hyjë në territorin e Kosovës për ta organizuar luftën, nëso jo si ministër, atëherë si ushtar i thjeshtë.

“Bota Sot”:Ju jeni vazhdimisht në kërkim të zbardhjes së vrasjes së Ahmet Krasniqit ...!?

Behxhet Krasniqi:
Ne kemi kërkuar vazhdimisht zbardhjen e kësaj vrasje, e cila besoj se rëndon ndërgjegjen shqiptare. Përkitazi me këtë para dy vitesh unë jam pritur si vëllau i Ahmet Kranqit nga kryeminstri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha i cili më ka premtuar se do të angazhojë tërë potencialin e infrastrukturës shtetërore për zbardhjen e kësaj vrasje. Unë edhe sot vazhdoj të jetoj nën hijen e vëllait tim, të cilin e kam pas edhe shok, nga i cili kurr një fjalë të rëndë nuk e kam përjetuar. Vrasja e tij ka qenë goditja më e rëndë në jetën time, nga e cila akoma nuk e kam marrë veten. Rivarrimi i tij në Prishtinë do të ishte një satisfakcion i vogël moral dhe një vend i afërt ku do të mund të kishim vendosur lule më shpesh.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi