Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ELIDA BUÇPAPAJ:PROFITERËT E RUGOVËS JANË ANTIRUGOVIANË

Shko poshtë

ELIDA BUÇPAPAJ:PROFITERËT E RUGOVËS JANË ANTIRUGOVIANË Empty ELIDA BUÇPAPAJ:PROFITERËT E RUGOVËS JANË ANTIRUGOVIANË

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 22, 2014 2:01 pm

PROFITERËT E RUGOVËS JANË ANTIRUGOVIANË


ELIDA BUÇPAPAJ:PROFITERËT E RUGOVËS JANË ANTIRUGOVIANË U2_Elida9
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
(Ky opinion është botuar me rastin e 7 vjetorit të vdekjes të Ibrahim Rugovës dhe është përfshirë në librin e Elida Buçpapajt "Traumat e Tranzicionit", Onufri 2013)

Që prej 1989 kur është themeluar LDK-ja, prej meritave dhe popullaritetit të liderit të Pavarësisë, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë gati të gjithë ata që i qëndruan pranë dhe e pasuan Rugovën, por që mjerisht nuk ndoqën gjurmët e tij. 
Populli i Kosovës është i jashtëzakonshëm, ka një intuitë të pagabueshme, i njeh burrështetasit e vërtetë dhe nuk e ha sapunin për djathë. Këtë e tregon raporti që kishte Rugova me popullin e tij, popullin rugovian, që tani ka mbetur pa lider. Ibrahim Rugova përfaqëson Liderin Europianist të Kosovës, intelektualin elitar, politikanin Perëndimor, shqiptarin mendimtar dhe mendimtarin sovran.
Ibrahim Rugova në rrugën që ka përshkuar ka kaluar ato vështirësi që do të kalonte vetëm Odiseu për të shkuar në Itakë, Ibrahim Rugova përshkoi të pamundurën dhe arriti të realizonte ëndërrën shekullore të shqiptarëve. Prej meritave të tij përfituan pjesa më e madhe e politikanëve që prodhoi LDK si gjatë kohës që ishte gjallë Rugova dhe pas vdekjes së tij, por ata janë 180 gradë ndryshe nga Lideri Indipendentist.
Të gjithë që erdhën në lidërshipin e LDK-së pas vdekjes së Rugovës sollën përçarjen dhe frymën autokratiste duke e shndërruar LDK- në parti lokale, uzurpuan gjithçka, larguan njerëzit e Rugovës, i persekutuan ata dhe e transformuan partinë e Rugovës në një parti me të cilën Rugova do të distancohej menjëherë po të ishte gjallë.
Dhe meqë nuk kanë asnjë lidhje me formatin e liderit që kishte Rugova dhe meqë nuk bëjnë as përpjekjen  më të vogël të vijojnë filozofinë e rrugës së tij, kjo i bën ata të jenë pa identitet dhe të veshur me kostumin e profiterit. Arsye kjo që i lë ata janë në opozitë sepse populli rugovian nuk beson tek ata. 

Në manifestimet e 100 vjetorit që u organizuan në Shkup, ku ishin bashkuar liderët nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia nuk u përmend Rugova. Të përmendësh Ibrahim Rugovën në një tubim të tillë, në kryeqëndrën e Dardanisë, në Shkupin me atë trashëgimi historike, ku Hasan Prishtina kishte paraparë të ngrinte flamurin e pavarësisë, ishte obligim për çdo politikan. Aq më tepër në një rast të tillë që do të përsëritet pas një shekulli dhe uroj që atëherë klasa politike shqiptare të ketë arritur pjekurinë e duhur, larg përçarjeve dhe frymës partiake, sepse mendoj se arsyeja për mospërmendje ka qënë politike.
Sepse nuk mund të pranoj se ka qënë për harresë. Ka qënë për ligësi, çka e ka shoqëruar Rugovën edhe kur ishte gjallë. Po me vdekjen e tij do të duhej një qasje tjetër sepse nuk e kanë më rival. Sa ishte gjallë, kundërshtarët e tij e urrenin, ndërsa populli i Kosovës e donte dhe ia jepte votën. Dhe dinte se kë donte. E sa herë që në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet, Rugova dilte fitimtar, ndërsa kundërshtarët e tij humbisnin, paçka se kishin me vete një makineri propagandistike e cila fabrikonte shpifje të pafundme për demonizimin e Rugovës. Pra, nëse nuk e përmendën, kjo nuk e ul vlerën e Rugovës si lider, përkundrazi ai ka vendin e tij dhe qëndron shumë më lart në krahasim me ata që nuk e përmendën.
Unë për shembull, besoja se Sali Berisha në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë do të kishte paraparë që në Tiranë të lartoheshin shtatorja e Rugovës dhe Pjetër Arbnorit, dy burrave shumë të ndritur të kombit shqiptar që janë pjesë e historisë tonë bashkëkohore. Unë jam me fat se i kam njohur të dy.
Unë jam rugoviste, jo me fjalë por me vepra dhe këtë e kam provuar me veprimtarinë time si gazetare Unë besoj tek idealet rugoviane. Dhe besoj se brezat e politikanëve që do të vinë do ta kenë pikë referimi Ibrahim Rugovën. Rugova ka hyrë në histori dhe do të mbetet, ashtu si Skënderbeu, ndërsa pseudopasuesit e tij do të jenë pjesë e rutinave dhe stanjacioneve të formacioneve politike. Historiografia shqiptare do të dalë nga inercia e historiografisë komuniste-staliniste e do të fillojë që të ndreqë gabimet e saj dhe ta shkruajë historinë ashtu si duhet dhe jam e sigurt se pasardhësit tanë do ta kujtojnë Ibrahim Rugovën si babain e Pavarësisë të Kosovës dhe si një nga Etërit e Kombit Shqiptar.
Unë kam patur fatin që kur posa kisha nisur profesionin e gazetares, në fillimet e mia, kam patur nderin ta intervistoj disa herë Ibrahim Rugovën, pastaj e kam takuar edhe pas konfliktit që solli çlirimin e Kosovës.  Nuk i kushtonte vemendjes mediokritetit të politikës të ditës, paçka se ishte në fokus të të gjitha sulmeve më të pacipa e të pashpirta. Rugova shihte gjithnjë përpara.
Dhe ndodhi gjithçka ashtu si e kishte paraparë ai, ndërhyrjen e NATO-s, çlirimin dhe shtetin e pavarur të Kosovës, me aleatin jetik të Shqiptarëve, që janë SHBA, aleat tek i cili Ibrahim Rugova lidhi fatin e Kosovës, sepse si njeri vigan e dinte se kështu do të ishte e mira e Kosovës dhe popullit të tij. Dhe nuk gaboi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi