Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

AKADEMIA UDHËHUMBUR - Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA "gazeta shqiptare"

Shko poshtë

AKADEMIA UDHËHUMBUR - Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA "gazeta shqiptare" Empty AKADEMIA UDHËHUMBUR - Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA "gazeta shqiptare"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 23, 2014 5:52 pm

AKADEMIA UDHËHUMBUR - Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA "gazeta shqiptare"

AKADEMIA UDHËHUMBUR   
AKADEMIA UDHËHUMBUR - Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA "gazeta shqiptare" 1622581_10152723410298868_1756505461_o
 Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA
 
            Çaushi i ri i Klanit të vjetër
Më 5 mars të këtij viti Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës reagoi, ndaj, si thuhet në këtë reagim, "prononcimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë lidhur me debatin midis dy anëtarëve të ASHAK-ut". Kjo fjali me të cilën fillon reagimi i ASHAK-ut ndaj kumtesës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përmban dy pasaktësi: e para, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk pati prononcime, por vetëm një prononcim, një reagim, në lidhje me ato që shkruhen për ASHAK-un dhe me ato që po shkruan ASHAK-u. Dhe e dyta, Letra e 37 intelektualëve lidhur me fushatën që Kryesia e ASHAK-ut po zhvillon kundër anëtarit të saj, Rexhep Qosja, nuk është prononcim, nuk është reagim i Akademisë, po reagim vetëm i 37 intelektualëve të shquar të Shqipërisë, anëtarë të disa partive a të pa parti, midis të cilëve ka edhe disa anëtarë të Akademisë, që kanë reaguar si vetje, në emrin e vet e jo në emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Po këtë dyfishim të një reagimi, një "prononcimi" fare të shkurtër dhe plotësisht të paanshëm të ASHSH-së, udhëheqja e ASHAK-ut nuk e bën pa qëllim të keq, që do të shihet në vazhdimin e shkrimit të saj, sidomos në paragrafin e saj të fundit, që tregon shumë se çka e mundon sot këtë institucion pak shkencor, më pak artistik e kryekëput partiakisht politik të Kosovës. 
            Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe 37 intelektualët e Shqipërisë me reagimin e tyre bënë çka po bëjnë veç e veç edhe disa intelektualë të Kosovës: shprehën indinjatën e tyre se si është e mundshme që në Kosovën, e cila po quhet demokratike, mund të zhvillohet fushatë paskajshëm e egër kundër një intelektuali jashtëpartiak, e organizuar prej kryetarëve të dy partive: prej Isa Mustafës - kryetar i LDK-së dhe Lulzim Bashës, përkatësisht Sali Berishës - kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. 
            Ç'është e vërteta, nuk kam pritur, në asnjë mënyrë nuk kam pritur, se qoftë edhe një anëtar i ASHAK-ut do të pajtohet me atë fushatë. Por, ja me atë fushatë u pajtua ai që nuk do të mendoja kurrë se do të pajtohej: u pajtua pedagogu dhe psikologu, Pajazit Nushi, i cili, si pedagog dhe psikolog që është, nuk do të duhej në asnjë mënyrë të pajtohej me gënjeshtrat, shpifjet, fyerjet dhe yshtjet që përmban ajo. Pedagogët dhe psikologët, zakonisht, as nuk duhet t'i lejojnë vetes të pajtohen me gënjeshtra, mashtrime e fyerje të të tjerëve as nuk duhet t'u flasin nxënësve të tyre gënjyeshëm dhe mashtrueshëm. Por, kur e ktheva mendjen në kohën e shkuar u binda se kjo nuk është hera e parë që pedagogu e psikologu Pajazit Nushi është pajtuar me çka s'do të duhej të pajtohej: është pajtuar me ide, me diferencime e me politika të cilat i ka dënuar historia e Kosovës dhe historia e popullit shqiptar në përgjithësi. 
Për të qenë e keqja e tij edhe më e madhe, në shkrimin e Kryesisë së ASHAK-ut, që ka nënshkruar Pajazit Nushi, janë të përmbajtura edhe disa të pavërteta e akuza për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. 
 
FIQIRI I PRISHUR 55-FISH 

Të shohim se çka shkruan, në të vërtetë çka nënshkruan pedagogu Pajazit Nushi. 
Nënkryetari i ASHAK-ut, Pajazit Nushi, nënshkruan pohimin e pavërtetë se Rexhep Qosja"pa të drejtë dhe në vazhdimësi e denoncon Akademinë tonë". Siç e di mirë edhe vetë Pajazit Nushi dhe siç e dëshmon vepra ime letrare, shkencore dhe publicistike, denoncimet nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë mënyrë e mendimit dhe e sjelljes sëRexhep Qosjes. Mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes ishin: mospajtimi, kundërshtimi kritik dhe demaskues i politikës terroriste shtetërore të Serbisë e të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi - para Luftës sonë çlirimtare, sidomos pas vitit 1981, kur Pajazit Nushi me udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me anëtarët e Klanit preshevar, tani të gjithë anëtarë privatizues të ASHAK - ut, i rrëfeheshin vetëmohueshëm Serbisë dhe Jugosllavisë se demonstratat e rinisë sonë studentore dhe shkollore ishin nacionaliste, irredentiste, kontrarevolucionare, të drejtuara kundër integritetit territorial të Jugosllavisë, kundër bashkim-vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e të kombësive të Jugosllavisë socialiste vetëqeverisëse dhe demokratike!!!
 
Mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes sot janë, ndërkaq, jo denoncimi, si thotë Pajazit Nushi, po mospajtimi, kundërshtimi kritik dhe demaskues i korrupsionit kolosal politik dhe material në Kosovë e në Shqipëri, i pasurimit korruptiv të disa zyrtarëve, i politikës së tyre aq shpesh të bazuar në gënjeshtra e mashtrime, i kthimit në pushtet në Kosovë i zyrtarëve të Rrahman Morinës dhe të Millosheviçit siç është Isa Mustafa dhe i një varg bashkëpunëtorëve të ditur të UDB-ës, i privatizimit prej një Klani lokalist të ASHAK-ut. E të tjera. E të tjera të këqija politike e shoqërore. 
 
Dhe kjo politikë e imja ndaj gjithë këtyre të këqijave në jetën tonë politike, shoqërore e kulturore është, natyrisht, e kohëpaskohshme, kurse i përhershëm, i vazhdueshëm do të thoshte Pajazit Nushi, është krijimi i historive, monografive, studimeve, trajtesave, sprovave historike letrare, i romaneve, i dramave dhe i shkrimeve publicistike, sasia dhe cilësia e të cilave, siç po shihet në fushatën kundër meje, ua ka prishur pesëdhjetë e pesë fish fiqirin përndjekësve e urrejtësve të mi politikë dhe akademikë pas botimit të Kompletit të veprave të mia. E kuptueshme. Vepra ime krijuese, me vëllimin, me kuptimin dhe me cilësinë e saj është aq e shumëllojshme saqë të vegjlit me mendje, me zemër e me shpirt në politikën dhe në ASHAK-un tonë i bën edhe 55 herë më të vegjël se ç'i ka bërë i Madhi Zot! (Për këto që do të them në vijim, le të më falë lexuesi i nderuar për jomodestinë e shprehur qëllimshëm.) Me shumësinë e përmbajtjeve, të temave, të motiveve, të çështjeve, të ideve, të vizioneve, të zgjidhjeve të propozuara për çështje e probleme të ndryshme kombëtare, shoqë-rore e politike, me gjykime historike e të përtashme, me veçanësinë, do-methënien dhe cilësinë artistike letrare të romaneve e të dramave, me thellësinë dhe rëndësinë shkencore të monografive, studimeve, trajtesave dhe historive letrare, me shumësinë dhe me ndikimin në jetën politike, shoqërore, kulturore, kombëtare në përgjithësi, të shkrimeve publicistike dhe polemike, me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj të drejtave historike dhe të përtashme të popullit shqiptar, me gjykimet parathënëse të ardhmërisë së çështjes së Kosovës e të çështjes shqiptare në përgjithësi - vepra ime krijuese, pra, është vepër unike në letërsinë shqipe dhe në studimet shqiptare, të cilën akademikët e Seksionit të Gjuhës dhe të Letërsisë, me akademikët e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, me organizuesit e fushatës së tyre kundër meje - me Isa Mustafën dhe me Lulzim Bashën, përkatësisht Sali Berishën, nuk do të mund ta mendonin dhe ta shkruanin edhe po t'i bashkonin të gjithë kalemat e tyre, të pas-ardhësve të tyre dhe të argatëve të tyre në parti e në disa medie. Jo. Kurrë! Për krijimin e Një Vepre të tillë, me sasi e me cilësi të tillë mendore e morale, atyre i Madhi Zot nuk ua ka dhënë as dhuntinë, as karakterin, as qëndrueshmërinë e as kthjelltësinë. I mëshiroj! 
 
AKADEMIA - SHTËPI PRIVATE E LDK-së 

Por, të shohim se me çka nuk pajtohet nënkryetari i ASHAK-ut, Pajazit Nushi, me Rexhep Qosjen. Ai nuk pajtohet me faktin se:
 
1. 
 

Rexhep Qosja përmes kritikës së tij ka shprehur mospajtim me disa dukuri dhe shpërdorime në ASHAK. Ai nuk është pajtuar me kohë dhe nuk pajtohet as sot pse ASHAK-u është bërë institucion kryekëput partiak, institucion fare pak shkencor, më pak artistik e krejt politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rexhep Qosja nuk ka mundur të pajtohet që udhëheqja e ASHAK-ut ka shkelur ligjin e Kuvendit të Kosovës për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve duke e kthyer në dyvjeçar afatin katërvjeçar të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të saj, për aq kohë sa të realizonte pranimin e atyre që synonte, për ta rikthyer sërish në afat katër vjeçar. Dhe këtë shkelje të Ligjit udhëheqja e Akademisë e ka kryer për t'i bërë shpejt e shpejt anëtarë, natyrisht të pamerituar, të ASHAK-ut udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës - të partisë udhëheqja e së cilës në një varg rastesh ka luajtur rolin e kolonës së pestë në historinë e re të Kosovës! Dhe, kështu, në sajë të këtij veprimi antiligjor është bërë e mundshme që anëtarë të Akademisë sonë të bëhen kryetari i LDK-së, nënkryetari i LDK-së, shtatë anëtarë të Kryesisë së LDK-së dhe kryetarët e Partisë Katundare dhe të Partisë Socialdemokrate - dy partive infrastrukturore të LDK-së! Domethënë anëtarë të ASHAK-ut janë bërë 11 udhëheqës të LDK-së, emrat e të cilëve lexuesi mund t'i gjejë në faqen 343 të librit tim Shqipëria dhe Kosova - si janë dhe si do të duhej të jenë. Ku në këtë Evropë ka mundur të ndodhë apo mund të ndodhë që të shkelet një ligj e të falsifikohet një statut Akademie për t'u bërë anëtarë Akademie 11 udhëheqës të një Partie? Askund. Ku në këtë Evropë, në Azi a në Afrikë mund të ndodhë që kryetarët, nënkryetarët dhe shumica e anëtarëve të Kryesisë së një partie të bëhen njëkohësisht anëtarë Akademie? Në Bashkimin Sovjetik të Stalinit? Në Gjermaninë e Hitlerit? Në Italinë e Musolinit? Jo, as atje atëherë një marrëzi dhunuese e tillë nuk ka ngjarë. Kjo ka ngjarë vetëm në primitivizmin e ASHAK-ut tonë. Ky primitivizim dhe banalizim partiak politik i një institucioni shkencor dhe artistik nuk ka ndodhur askund sepse përmes këtij primitivizimi dhe këtij banalizimi cenohet e fyhet kultura e popullit të vendit ku ndodh kjo. 
 
2. 

Rexhep Qosja nuk është pajtuar pse tani e pesëmbëdhjetë vjet ASHAK-un e drejton, në të vërtetë e privatizon Klani i fshatrave të Luginës së Preshevës duke qenë anëtarët e tij 15 vjet njëri pas tjetrit kryetar në dy mandate, nënkryetarë në dy mandate, sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut në dy a më shumë mandate? Si mund të ndodhë kjo, si lejohet kjo, që një Klan i krijuar mbi bazë lokale dhe partiake, i vetëportretizuar në 55 pyetjet e publikuara, të uzurpojë, në të vërtetë të bëjë shtëpi private një institucion me rëndësi shoqërore e kulturore, tani e sa kohë mjerisht tejet të zhvlerësuar dhe të komprometuar!
3. 
            Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet që e drejta për të propozuar kandidatët për anëtarë të Akademisë, prej udhë-heqjes partiake LDK-iste të Akademisë u është marrë shoqatave të shkrimtarëve, të piktorëve e të skulptorëve dhe të kompozitorëve të Kosovës, e cila në Statutin e mëhershëm u njihej atyre. Meqenëse ASHAK-u është Akademi e Shkencave dhe e Ar-teve, domethënë është akademi jo vetëm e shkencave, por edhe e arteve, marrja e të drejtave të krijuesve artistikë për të propozuar kandidatët për anëtarë të Akademisë është masë antiligjore që përmban nënçmim të krijuesve artistikë! Dhe, kjo masë antiligjore është bërë përbërëse e Statutit të ASHAK-ut me qëllim që të mënjanohet propozimi i atyre krijuesve artistikë, para së gjithash i atyre shkrimtarëve pjesëmarrës a përkrahës të UÇK-së, që nuk do të pajtoheshin e nuk pajtohen me privatizimin partiak LDK-ist të Akademisë. 
 
4. 
            Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet që Seksionet e Akademisë të bëhen përzgjedhës dhe përcaktues se cilët kandidatë të propozuar prej fakulteteve e institucioneve shkencore do të zgjidhen anëtarë të ASHAK-ut. Për të qenë shpërdorimi politik partiak i seksioneve edhe më i skajshëm, ato, seksionet, i japin vetes të drejtë që të bëhen edhe vetë, si fakultetet dhe institucionet shkencore, propozuese të kandidatëve për anëtar të ASHAK-ut! Se sa kundërligjore, se sa partiake, dhe se sa primitive është kjo praktikë e udhëheqjeve preshevare të ASHAK-ut dëshmon fakti: u merret e drejta e propozimit shoqatave të krijuesve artistikë e u jepet seksioneve të ASHAK-ut, i merret shumicës pluraliste e i jepet pakicës LDK-iste! Në këtë mënyrë antiligjore është zgjedhur jo vetëm një kandidat, një maturant, në ASHAK-un tonë të privatizuar, që e mbron Pajazit Nushi
 
ISH-ZYRTARI I MILLOSHEVIÇIT BËHET AKADEMIK 

5. 
            Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet pse para gjashtë vjetësh Klani preshevar bëri që anëtar i ASHAK-ut të zgjidhet kryetari i Rinisë Socialiste të Kosovës në kohën e Stambolliqit dhe të Markoviqit, kryetar i Komunës së Prishtinë me mandat dyvjeçar në kohën e dhunës dhe terrorit të Millosheviçit, sekretar krahinor, domethënë ministër i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (i Qeverisë së Kosovës), po ashtu në kohën eMillosheviçit, Isa Mustafa. Ku mund të ndodhë në një vend të quajtur demokratik që anëtar Akademie të Shkencave dhe të Arteve të zgjidhet një zyrtar i pushtuesit, që anëtar Akademie të zgjidhet zyrtari i pushtuesit pa merita shkencore a artistike? Askund në asnjë vend në Evropë, në Azi dhe në Afrikë. Pse fundoset në këtë humnerë staliniste, të pamoralshme zgjedhore, Akademia jonë? Për dy arsye: e para, për të forcuar pozitën LDK-iste të Klanit uzurpues të Akademisë dhe, e dyta, për të realizuar privilegje të caktuara komunale qoftë anëtarët e Klanit qoftë servilët e tyre në Akademi a jashtë Akademisë! 
            Pse jo? Isa Mustafa, ish-bashkëpunëtori zyrtar i Millosheviçit, kur u zgjodh anëtar i ASHAK-ut ishte kryetar i Prishtinës dhe kryetar i LDK-së. 
 
6. 
 

            Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet as pse në Akademi është zgjedhur partizani tjetër i LDK-së dhe i Isa MustafësSali Gashi, dikur kryetar e në kohë të fundit nënkryetar i Komunës së Prishtinës! Dhe shok, bashkautor punimesh e bashkëpartiak i krijuesit të Klanit preshevar, Nexhat Dacit
            Si zgjedhja e Isa Mustafës ashtu edhe zgjedhja e nënkryetarit të tij, Sali Gashit, anëtar i Akademisë është rënie në konflikt të interesit e konflikti i interesit, siç dihet, është trajta më e rëndë, ligjërisht më e dënueshme, e korrupsionit. 
 
 
            Po ku lodhet Klani uzurpues i ASHAK-ut për konfliktin e interesit dhe korrupsionin? Po të lodhej dhe po të frikësohej prej shkeljes së ligjit dhe të Kushtetutës së Kosovës nuk do ta çonte përfaqësuesin e vet në Qeverinë e Kosovës për të pyetur se cilin anëtar të Partisë Demokratike do të donin t'ua pranonin anëtar të Akademisë? Dhe shakasë që zyrtari i Qeverisë do të bëjë me këtë të dërguar, Kryesia e Akademisë do t'i përgjigjet me një konflikt të ri të interesit: me pranimin e Arsim Bajramit anëtar Akademie edhe pse ai është deputet i ngarkuar edhe me një varg detyrash të tjera qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë në Partinë Demokratike të Kosovës, qoftë në një varg fakultetesh, ku e shpjegon "drejtësinë" e sotme demokratike në Kosovë e në Shqipëri! 
            Po të lodhej për konfliktin e interesit Klani preshevar në fjalë nuk do ta bënte "përkthyese" të vet pikërisht një banore të Luginë së Preshevës dhe nuk do ta privatizonte banalisht edhe Katedrën e Kimisë, Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare me farefis të vet, bija e dhëndurë të grupit të sipërpërmendur! 
 
7. 
            Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe vazhdon të mospajtohet me refuzimin e ASHAK-ut që të bashkëpunojë me Institutin Albanologjik të Prishtinës, për çka është protestuar sa e sa herë si në Institut ashtu edhe më gjerë. E refuzon udhëheqja e Akademisë këtë bashkëpunim për hir të interesave afatgjata personale, të personave tëKlanit preshevar, por edhe për të keqen shkencore, artistike, kulturore dhe politike të Kosovës! 
NË TË NJËJTËN KOHË KRYETAR I ASHAK-UT DHE  KRYETAR I KUVENDIT TË KOSOVËS  
 

8.  
 

            Rexhep Qosja nuk është pajtuar me rizgjedhjen e Nexhat Dacit kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, jo vetëm pse ai nuk ka cilësi shkencore për të qenë anëtar, prandaj as kryetar i Akademisë, por edhe pse në të njëjtën kohë ishte edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, i vendosur në atë pozitë në bazë të vendimit të kryetarit të LDK-së, fqinjit të tij të parë, Ibrahim Rugova. Në atë mbledhje zgjedhore iu thashë kolegëve akademikë: është jo vetëm jodemokratike, është jo vetëm joligjore, por edhe qesharake që kryetari i Kuvendit të një vendi, në këtë rast i Kosovës, të zgjidhet njëkohësisht kryetar i Akademisë. Këso zgjedhje, kolegë, historia nuk ka shënuar as në komunizmin sovjetik, as në demokracinë evropiane a amerikane, as në feudalizmin mesjetar. Kot! Të gjithë akademikët votuan për të! Mbas votimit të tillë u thash kolegëve: këtë turp të Akademisë sonë do ta ndreqin përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Dhe, e ndreqën. Mbas disa muajsh ata e shkarkuan Nexhat Dacin nga detyra e kryetarit të Akademisë dhe, për shkak të sjelljeve të tij skandaloze dhe korruptive, për çka është shkruar mjaft në gazetat tona, e shkarkuan edhe nga detyra e kryetarit të Kuvendit. Kur ndodhi shkarkimi i urdhëruar i Nexhat Dacit prej detyrës së kryetarit të ASHAK-ut, iu drejtova kolegëve të mi në Kuvendin e ri zgjedhor: si po shihni, kolegë të dashur, ndodhi ajo që ua kam thënë unë - Nexhat Dacin e shkarkuan të tjerët prej detyrës së paligjshme që ia dhuruat ju! Nuk e di a e ndieni veten sadopak të penduar dhe sadopak të turpëruar për atë zgjedhje të paligjshme dhe kundërdemokratike! 
            Reagimi im i këtillë ndaj shkarkimit të Nexhat Dacit nga detyra e kryetarit të ASHAK-ut nuk do të kalojë, natyrisht, pa fyerje që do të më bëhet prej një pjesëmarrësi në mbledhjen e Kuvendit - prej kryetarit të tanishëm të ASHAK-ut, të vetëportretizuar besnikërisht në 55 pyetjet. 
 
9. 

            Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me gjykimet e kohëpaskohshme inferiore që kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehim disa pjesëtarë të udhëheqjes partiake LDK-iste të ASHAK-ut për bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. 
            Në një prej mbledhjeve të Kuvendit të ASHAK-ut, menjëherë pas Luftës çlirimtare të UÇK-së, unë pata propozuar: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të bënte mirë që t'i propozonte Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që të krijohet një Këshill i përbashkët i dy akademive tona, i cili do të merrej si me hartimin e Programit të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe profesionale njëvjeçare të akademive ashtu edhe me hartimin e Programit shumëvjeçar dhe të merret me hartimin e këtyre programeve për dy arsye kryesore: e para që të caktohen me program prioritetet kërkimore shkencore dhe profesionale të të dy akademive dhe, e dyta, që të mos përsëriten të njëjtat punë kërkimore shkencore dhe profesionale në Shqipëri e në Kosovë. Janë, u pata thënë, edhe disa çështje të tjera, me të cilat mund të merret ky Këshill i përbashkët i dy akademive, dhe këto janë hulumtimet e përbashkëta në arkivat e shteteve ballkanike, përzgjedhja me kritere më të sigurta kombëtare të kandidatëve që do të propozohen e që do të zgjidhen anëtarë të Akademive tona. E të tjera. Reagimi i disa anëtarëve të Kryesisë së Akademisë ndaj këtij propozimi ishte vrazhdë refuzues. 
 
PRODHUESIT E URREJTJES  BRENDAKOMBËTARE 
 

            E dija atëherë dhe e di sot se më përpara se dy akademitë tona të bashkohen në Kosovën e bashkuar me Shqipërinë, duhet të formohet Këshilli i përbashkët që kam propozuar menjëherë pas Luftës sonë çlirimtare. Por, nuk mendoj se kundërshtimi i krijimit të këtij Këshilli do të shuhet. Jo. Kundërshtarët e këtij Këshilli përbëjnë sot Grupin ideologjik brenda ASHAK-ut, i cili me veprimtarinë e vet nëntokësore e mbitokësore nxit propagandën e disa vetjeve, disa medieve të shkruara dhe disa medieve elektronike për ndryshimin e bazës së gjuhës së njësuar kombëtare letrare, domethënë për krijimin e gjuhës së veçantë standarde të Kosovës shtet, në njërën anë dhe për krijimin e kombit të veçantë kosovar, në anën tjetër! Nuk ka dyshim se si kjo ideologji feudale ashtu edhe propaganda e saj, që tashmë kanë filluar të prodhojnë, siç po shihet e po shkruhet kur e kur, një shovinizëm brendakombëtar, ani ku se, në kryeqytetin e Kosovës demokratike, sado të përkrahura, ndoshta edhe të stimuluara prej disa qendrave ballkanike dhe evropiane, do të shuhen, pa dyshim fort të komprometuara dhe do t'i bëjë të shuhen ashtu populli shqiptar i Kosovës, në shpirtin e të cilit nuk është shuar kurrë ideja e madhe për bashkimin me Nënën Shqipëri ashtu siç nuk është shuar kurrë kjo ide e madhe as në shpirtin e Shqipërisë. 
            I ftoj lexuesit, e ftoj Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji të Kosovës që të zgjedhin: e duan ASHAK-un pa dukuritë, shkeljet e ligjit, falsifikimet, shpërdorimet, korrupsionin, privatizimet e familjarizimet në institucionet e uzurpuara, zgjedhjet e anëtarëve të ASHAK-ut duke u bazuar në përkatësinë e tyre partiake, zgjedhjet korruptive duke rënë në konflikt të interesit, zgjedhjet e zyrtarëve të Rrahman Morinës e të Millosheviçit, refuzimin e bashkëpunimit me Institutin Albanologjik, mentalitetin primitiv feudal dhe politikën e mëhallës në ASHAK, që kritikonRexhep Qosja apo ASHAK-un me këto dukuri izoluese, feudaliste, komprometuese, shkatërruese të tij, që përkrah Pajazit Nushi me punëdhënësit e tij të Klanit preshevar! 
 
 
MENTALITETI FEUDAL  DHE POLITIKA  E MËHALLËS 
 

10. 

            Ta përfundoj këtë shkrim duke cituar e, mandej, duke thënë pak fjalë për të, paragrafin përmbyllës me të cilin pedagogu dhe psikologu Pajazit Nushi e përfundon shkrimin e nënshkruar dora vetë! Dhe kjo fjali fatale është: 
            "Raportet e individëve të ASHSH-së me individë e grupe joformale, kudo që të jenë janë çështje të tyre, por në raportet me ASHAK-un është e nevojshme të evitohen sjelljet emocionale, mësimet ideologjike etj. ndaj Akademisë sonë dhe udhëheqjes së saj, mbi bazë të superioritetit të rremë dhe përgjithësisht të sjelljeve paternaliste, të cilat e rrezikojnë seriozisht raportin e bashkëpunimit, për çka ASHAK-u nuk mund të mbajë përgjegjësi"!!! 
            Kjo fjali me përmbajtje antikombëtare, që e prodhojnë si mentaliteti dhe politika e mëhallës, ashtu edhe mendja vetanalizuese dhe vetëpërshkruese e autorit të 55 pyetjeve, tregon qartë se sa pak, se sa aspak e dëshiron bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Grupi i akademikëve inferiorë që predikon kur belbëzueshëm e kur zhurmueshëm krijimin e kombit kosovar dhe të gjuhës së tij standarde gegërishte! Është e sigurt se fjalia e sipërcituar nuk e shpreh disponimin e numrit më të madh të akademikëve të ASHAK-ut në lidhje me bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Dhe, nuk e shpreh disponimin e tyre sepse ata nuk ndihen inferiorë afër kolegëve të tyre nga Shqipëria siç po shihet se ndihen anëtarët e Grupit në fjalë. Jam takuar shumë e shumë herë dhe kam biseduar më gjatë a më shkurtër me numrin më të madh të studiuesve, të shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë shqiptarë nga Shqipëria shtetërore. Jam takuar dhe kam biseduar në Shqipëri e në Kosovë me figurat e shquara intelektuale shkencore, letrare e artistike: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Arben Puto, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Kristo Frashëri, Luan Omari, Ylli Popa, Eduard Sulstarova, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Vehbi Bala, Zija Xholi, Myzafer Korkuti, Myzafer Xhaxhiu, Jup Kastrati, Jorgo Bulo, Pëllumb Xhufi, Stefanaq Pollo, Mentor Petrela, Jorgji Gjinari, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Anastas Dodi, Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Ali Xhiku, Enver Hysa, Floresha Dado, Ethem Lika, Gjovalin Shkurtaj, etj.; jam takuar dhe kam biseduar më shkurt a më gjatë me figurat e shquara politike të Shqipërisë, shumica e të cilëve janë edhe figura të shquara intelektuale e krijuese: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Fatos Nano, Kastriot Islami, Neritan Ceka, Ethem Ruka, Petro Koçi, Preç Zogaj, Sabit Brokaj, Fatos Klosi e të tjerë. Dhe kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë çast, asnjëri prej tyre nuk ka provuar të ndikojë "ideologjikisht" në mua, asnjëri prej tyre nuk ka treguar "superioritet të rremë", si thotë Pajazit Nushi, a superioritet të vërtetë ndaj meje e, jam i sigurt, as ndaj ndonjë shqiptari tjetër të Kosovës. Jo. Intelektualët dhe politikanët e Shqipërisë, qoftë edhe Sali Berisha i hallakatur, kudo e kurdo tregojnë mirësjellje dhe modesti të theksuar ndaj nesh, shqiptarëve të Kosovës, që është virtyti gjithnjë i dukshëm i kulturës së tyre dhe i bashkëbisedimit të tyre me të tjerë - shqiptarë a jo shqiptarë. Unë mund të them se prej tyre, sidomos prej baballarëve të historisë dhe të kulturës shqiptare, kam mësuar shumë edhe si drejtor i Institutit Albanologjik, edhe si studiues shkencor a krijues letrar. Dhe për këtë u jam mirënjohës përjetë. Ata, të gjithë, qoftë studiues, qoftë shkrimtarë, qoftë krijues të tjerë, qoftë politikanë, qoftë publicistë, qoftë gazetarë janë vetje me kulturë të gjithanshme, me dije enciklopedike, me qytetari përshtypjebërëse, me dhunti të jashtëzakonshme shkrimi e gojëtarie. I kemi dëgjuar si flasin në tubime shkencore, i kemi dëgjuar dhe po i dëgjojmë si flasin në institucionet shkencore, kulturore dhe politike, qoftë meshkujt, qoftë gratë. Fjalimet e tyre, diskutimet e tyre janë shprehje e një gojëtarie të mrekullueshme me shumë dije, me shumë erudicion historik dhe kulturor. Dhe, e gjithë kjo është e kuptueshme. Shqipëria është shtet tani e njëqind vjet dhe gjatë këtyre njëqind vjetëve ka pasur kohë e mundësi që të krijojë klasën e lartë politike dhe klasën e lartë intelektuale: mendoj të lartë me kulturë, me dije, me dhunti të jashtëzakonshme gojëtarie. Dhe, kjo ne nuk duhet të na dëshpërojë, siç e ka dëshpëruar dhe kompleksuar udhëheqjen LDK-iste dhe lokaliste të ASHAK-ut. Kjo ne duhet të na gëzojë, shumë të na gëzojë. Dhe kjo lartësi e tyre intelektuale, mendore, kulturore, politike nuk duhet të na bëjë të trillojmë "superioritetin e rremë dhe përgjithësisht sjelljen paternaliste" të tyre.
 
 Jo. Këtë frikë prej superioritetit të tyre jo të rremë po real, objektiv, shumë qartë të dukshëm, mund ta vuajnë vetëm ata që e kanë shkruar dhe nënshkruar fjalinë e sipërcituar kundërkombëtare, ata të cilëve inferioritetin shkencor dhe, në përgjithësi, kulturor, nuk mund t'ua kompensojnë pozitat në Kryesinë e shtëpisë së tyre private të quajtur ASHAK! Unë dhe, jam thellësisht i bindur, numri më i madh i shqiptarëve të Kosovës e çmojmë, e lakmojmë dhe e duam atë superioritet shkencor, letrar, artistik, publicistik, kulturor, politik, qytetar dhe televiziv të vëllezërve tanë në Shqipëri. Dhe, e duam, dhe e lakmojmë, dhe e çmojmë duke bërë përpjekje që ta arrijmë: që ta arrijmë duke tejkaluar kufizimet që zhvillimit tonë ia kishte vënë pozita e pakicës së shtypur kombëtare gjatë njëqind vjetëve në Jugosllavinë një kohë mbretërore e mandej socialiste, por gjithnjë kërcënuese, shtypëse e nënçmuese ndaj nesh. 
 
AKADEMIA UDHËHUMBUR - Shkruan: Prof. Rexhep QOSJA "gazeta shqiptare" 1622581_10152723410298868_1756505461_o
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi