Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga autorë të ndryshëm

Shko poshtë

Cikël poetik nga autorë të ndryshëm Empty Cikël poetik nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 10, 2009 2:59 pm


Cikël poetik nga autorë të ndryshëm U1_IlirianaSulkuqi
Iliriana Sulkuqi
POEZI NGA POETI AZERBAIXHANAS GASHAM NAJAFZADEH

Perktheu ROZI THEOHARI

TË SHKRUASH NJË LETËR

Të shkruash një letër është – të vaditësh arën me misër; Gërmat janë kallinj, Kallinjtë janë gishtat e tokës, Shenja e saj është: “Unë jam këtu.”
Të shkruash një letër është – të thurësh çorape; Çift gërmash shpejt do të plotësojnë këmbët, Të plotësosh këmbët është të nisësh një rrugë të re Të ecësh është – të shkruash, të lësh gjurmë në rrugë…

Të shkruash një letër është – një vajzë, e lindura e fundit e familjes, që jeton në një fshat, Të shkruash një letër – është të harxhosh kohë për të.
Kjo vajzë shkruan e percjell shpirtin në qytet, Ku jeton i dashuri i saj, Dhe i dashuri nuk ka kohë T’i shkruajë një letër asaj.

Të shkruash një letër –
Është të kopjosh një zemër-- në fjalë shndërruar e derdhur në rreshta.
Mos i kalo letrat nga dora ne dorë,
Gjaku i tyre mund të ndyhet e të marrë njollë!

N D O K U S H…

Ndoshta ndodhet ndokush
Të cilën do ta dashuroj pas jush…
Qëlloftë a qoftë më e qeshur
Aspak djallushe e thekur…

Ajo—E pashpresa,
Rritur pa nënë
Në dëshpërim
Si fati im!

T Ë L U T E M…
Oh! Ti…gruaja njomzake!
Që pasi mbarove abortin
Mbathe këpucë me taka gjigante,
Të lutem…Të lutem…
Sëpaku…Ndjesë kërko!
Një mijë,
Para dyqanit
Për fëmijë
Maj 3, 2009
Poezi nga Alma Papamihali
THINJAT
Dje pash thinjën e parë,
Tek krihesha
Sot pash dhe një tjetër,
Dikur fëmijë kur isha,
Mendoja thinjat qenë për njerëzit e vjetër.

Nesër do jenë bërë tre
Pas një muaji në dhjetra shumuar,
Që flokë të bardha do kisha një ditë,
Vërtetë kisha harruar...

Dikur fëmijë mendoja
Thinjat qenë për ata në moshë të thyer,
Por sot i dua thinjat,
Mendimi i çdo dite m´i ka ushqyer.

KUAJT
Kurrë s´ia qava hallin kalorësit
Për këmbët që i vareshin.
Netëve ulëriva me kuajt në stallë
Më dhimbej kurrizi i tyre i dalë...

POETËT
Poetët
...ah...poetët,
ç´njerëz qenkan, vallë?
...................................
Lindin..........
të dashuruar,
..................dhe vdesin beqarë.

SHPIRT I RI
Çdo mur i dhomës
Ka varur një pasqyrë,
Ku veten sheh çdo ditë...
Por, të rinohesh nuk vlejnë pasqyrat,
Që s‘depërtojnë në shpirt...
Poezi nga Vangjush Ziko
NJË SERENATË PËR QYTETIN TIM
(cikël me poezi)


QYTETI KËNGË
Një zemër,
Një kitarë
Dhe pak hënë.
Një brengë dhe një zjarr
Që u bënë këngë.

Një zemër,
Një kitarë
Dhe një këngë,
Dëshirë edhe mall
Që u bënë ëndërr.

Dy zemra,
Një kitarë
Dhe një ëndërr.
Dhe një qytet i tërë
Që u bë këngë.

PERËNDESHA E BUKURISË
Afërdita nga valët e detit doli.
Dea në shkëmbmermer gjalloi.
Perëndesha e bukurisë korçare
Lindi në shpellën e një kitare.

MASKA E KARNAVALES
O djalëria ime aq e qeshur
Me fustanellë dhe opinga veshur,
Me maskë plaku apo bufoni,
Me zhele apo frak baroni,
Përmbi sup hedhur një kitarë,
Siç hedhin supit çiften gjahtarët,
Në pyllin dhe mishmashn'e karnavales
Kërkoje ato gjurmë të sorkadhes.
Sorkadhja jote dhelpër ishte veshur,
Loste e përdridhej duke qeshur.

O mask'e varur në strehët e kujtesës!
BLIRET E BULEVARDIT
Çelën bliret e bulevardit
Dhe ftuan çiftet në shëtitje.
Që nga kurora e Moravës
E pashë,flladi me flatra vinte.

E pashë ja,me këta sy
Si i trazonte lulet e blirit,
U shkundte çifteve mbi sup
Ëndrra me ngjyrën e floririt.

Mbi thinjë çifteve të vjetra
U sitte mallin e rinisë.
Aromë bliri pinte jeta
Dhe eleksir të dashurisë.

Muzika vinte që nga baret
Dhe nga lulishtet n'ajër të lirë,
Këndontë Korça me kitarë
Dhe me kurorë luleblirësh.

KALLDRËMET
Rrugë e shtruar me kalldrëm,
Rrugë me gurë që mbajnë mend.

Me këta gurë Korça e shtroi
Rrugën nga pragu gjer te kroi.

Nga Tempulli në Mësonjëtorja,
Nga burgu gjer në përmendorja.

Gurë të hirtë,gurë të sertë
Nga djepi deri në varrezë.

Me këta gurë nga çdo portë
E shtroi rrugën për në botë.

Dhe priti shokë,dhe priti miq,
Gjakosi shkelës dhe armiq.

Mbi këta gurë i shkruar mbeti
Libri i gurtë i qytetit.

MËSONJËTORJA E PARË
Një kallamar,
Një radhua i mermertë,
Pend'e shqiponjës mbirë mbi bar,
Në bango ulur Shqipëria vetë
Mëson të sajin abetar.
Një zile bie pa pushuar,
Naimi flet përmallshëm dhe zëulët:
Lumja,Korçë ti moj lule,
Që le pas shoqet e tua.

LUFTËTARI KOMBËTAR
Sa herë pranë teje vij,
Ndjej gunën tënde që lëvis,
Guna e bronxët hedhur mbi sup,
Tyt'e dyfekut tymon barut,
Flokët e gjata era t'i merr,
Er'e lirisë që kurrë s'shterr.

Korça plakë që s'plaket kurrë
Me nur'e trimërisë tënde mburret.

LËNDINA E LOTËVE
Erdhë emigrantët që së largu
Dhe ngritën përmendore mbi Lëndinë
Një gur të hirtë,të rëndë malli
Mbi piedestal lotësh të ngrirë.
Mbishkrimin vetë e gërryen
Me thumbin e mallit të tyre.

O mall e plagë e pashlyer!

LETËR KORÇËS
Në kamaren e zemrës do le një letër,
Ta lexosh ti dhe askush tjetër.

Të mos ia japësh asnjeriu,
Mbille në rrënjët e një bliu.

Po lëshoi gjethe,po çeli lule,
Do jem dhe unë asaj rruge,

N'ato rrugica edhe sheshe
Me ty në dhimbje dhe ditë feste.

O mall i bukur i tërë jetës!

Kanada,pranverë 2009

Poezi nga Hysen Çifligu
DHE NGA BARI DEGJOJ MUZIKE
Kur s'e di pse nuk di,
vetem formen kam njeri.
Te pakten, po ta di kete,
mesoj edhe tjeter gje.
Kur e di se di gjithcka,
krahasome me nje budalla.
Ne respektofsha njeri te dyte,
kam filluar te hap syte.
Kur e di se cfare s'di,
bej perpjekje si njeri.
Lapsin mbaj,dhe e le shpaten,
diten, s'e ngatroj me naten.
Kur e di cfare eshte mjaftimi,
zemren ma pushton gezimi.
Kam zgjedhur nder mijera ngjyra,
c'me pershtatet nga natyra.
Kur e di c'eshte dashuria,
me buzeqesh dhe Perendia.
Shpirtin tim e shkrij pa frike,
dhe nga bari, degjoj muzike.
PERSE TE TE BRAKTIS
Miresjellje, ti s'je lende molekulare,
as forme dhe permbajte e botes materiale.
Ti je garancia kudo e kurdohere,
nga casti i krijimit, je mbrojtja per cdo vlere....
...Me ty, miresjellje, e para e cmuar,
nga Pema e Jetes, marr frut per te shijuar.
Ti linde, e dashur, ne nje dite me idealin,
kur Krijuesi projektoi fushen, detin, malin...
Kur ekzistences vendosi qe t'i jape forme,
se jashtmi, se brendshmi, me dashuri e norme.
Kur te parit njeri i dha fryme e jete,
ke qene, miresjellje, dhe per mua vete.
Ndryshe, buzeqeshje, kurre, s'do kisha pasur,
ne det te trazuar, me dallge perplasur.
Pa ty, miresjellje, them c'eshte e vertete,
tkurret dashuria, merr rrugen e shkrete.
Per rruajtjen e botes, je celesi i sigurimit,
nga dheu i Tokes, ne driten e amshimit.
Ose do therrmohej Toka, Gjithesia,
do ish, a s'do ish, tek Zoti dashuria.
Perse te te braktis, te shkoj kot se koti,
kur ty, ne esence, te ka vete Zoti?!

Poezi nga Iliriana Sulkuqi
Pranverë e ngrirë…

…Mos u tremb e dashur, Pranverë-
kështu ka qenë dhe do të jetë…
Në shpirtin tënd me afshe pritjesh
pak borë prej dimri gjithmonë do mbesë…

Mos u trishto, nga fjollaborat
Që rendin , rendin pa kuptim...
Mbi buzë e shpirt fjollëzat shkriva-
Mbi dimëra, m’u jetëbëre ti...
...
...Që thua ti, pranverëz-njomë,
Ky dimri ynë qenka tinzak,
Të hyn papritur n’ shtrat të ngrohtë...,
Sërish në gusht të fton në shtrat...

Ky dimri qenka dhe i marrë…-
As nuk të merr,
As nuk të fal…

20 mars, New York-papritur mëngjesi u mbush me dëborë…
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Cikël poetik nga autorë të ndryshëm Empty Re: Cikël poetik nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 10, 2009 3:01 pm

Po plas!...

Po plas, po plas,
përse nuk shpika
rrota gjigande sa Dashuria...
Si një bujkrobe do e tërhiqja
gjithë Amerikën tek Vendlindja...

Po plas, plas që askund s'jam-
as ku kam lindur,
as ku do vdes...
Që s'bëra dot një varg të malltë
dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.

Po plas, po plas,
kujt t'i rrëfehem
që m'troket ikja n’ rrëz' të veshit,
as bardh, as zi s’më mbeti vargu,
një oqean m’ ndau nga Deti...

Po plas...po plas…
Që dhe një dorë-
shtatë breza nerv,
shtatë malle varg,
një firmë s’e hedh as për shkronjë,
një firmë s’e hedh as për një varr…

Po plas….Po plas
si në legjendë:
« ...Plasnë si poçe me verë... »

4 korrik, 2008 Brooklyn

I thashë lotit…


Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,
Lotin intim ma shanë e vranë…

I pata thënë lotit tim-
përballë botës mos i dil…
Është kohë e keqe, një Zot e di,
do të të thajnë pa dalë mirë…

Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…
Si djal’ plangprishës
pa mua shkoi…

Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,
kthehet sërish lodhur e tretur…
Lutet e lutet mardhur e ngrirë
përmbi qerpik nga pritja djegur…

I kisha thënë, i pata thanë:-
S’i duhet botës një lot që qan…

4 korrik, 2008 Brooklyn


Të vij sonte, apo...?

Të vij sonte apo
nesër,
A pasnesër, duke gdhirë…?
A me Hënën, në të mehur,
a me Diell n’perëndim…?
Të vij sonte në të ngrysur,
me qirinj në Galaktikë ?-
A me Yllin e Mëngjesit
që i bëhem Zgjim me zgjim?
Të vij sonte apo
sonte? -
Dhe me Hënë, dhe me Diell,
dhe me yjet në një shportë
dhe me zemrën sa një qiell…?
Të vij nesër a nxitimthi,
me një shkronjë që më flet shqip,
dhe me Zotin që më lindi
dhe me zë - prelud- në shpirt?

Të vij sonte
apo nesër,
A me ëndrrat që s’u prekën,
A me fjalët që s’u folën,
A pas - kurrë, në këtë shekull?
Të vij sonte apo sonte?
A, pas vetes së përdjegur?...
Pritmë
Pritmë,
Një sekondë e gjysmë…
Sa të lyej flokët
Dhe…
T’i marr leje vetes…!
Pelegrin !

“Shfletova qiejt, rresht e nëpër rrjeshta
Dhe midis qiellit të gjeta Ty...
Nëse në Tokë s’mjaftojnë letrat-
Fjalët prej shpirti, me rètë qendis...
( Mesthënie-autorja)

Kam një lutje, për ty, “Pelegrin”.
Kam një brengë , kam një hall...,
Kam një lot që më ka ngrirë
E ma fsheh të shkretin mall...

Gjema Lotin! Merrma Lotin
Ndër vrapime kalëruar...
Ndoshta shkrin e pikon shi
Nëpër varre të harruar...

Merrma Lotin! Digjma mallin
Që më dogji gjer në hi.
Zjarri s’vjen nga Prometeu,
Por nga zjarri “Dashuri”

Kam një lutje “Pelegrin”,
Kam një fjalë amanet:
“Kur të shkosh në Vendin Tim
hiqmë “zvarrë” dhe nga rètë...

Se, më pas, pas ditë e Dite...,
Me një “peshë” sa trupi im -
S’ka avion t’më fluturojë,
Nuk ka “peshë” për Shpirtin tim...
........................
Të rrëfèhem, se e di-
S’ma shet shpirtin internet-esh,
Por ma gdhend-bardhë e zi-
Nëpër fletë me shkronja zemrash.

Se tek Fjala do të mbrrijmë,
Tek Ajo-Filles’ e Botës
Me një Firmë që driton –Dritë
E i bëhet B(F)rymë Tokës...
..................
Dhe një lutje(kjo, e fundit),
Mos ma merr për të vërtetë!
Kur t’i sillesh rrotull Globit-
Puthmi, puthmi..., ca poetë!


Ku ta fsheh Botën?!...


Bota është e vogël-
Ku t’i
fshihem, ku?
Bota është e madhe –
Pas jush e pafund…

Ku ta fsheh të « Madhen » ... ?
E « Vogla » s’më fsheh...( !)
Ballë e balla-ballas
Midis tyre mbes...

Prag ekuinoksi pranveror,2009

Gishtrinjtë e mi...

Njëherë e një kohë,
gishtrinjtë e mi kacavirreshin
nëpër degët e pemëfrutave
që arrinin deri mbi çatinë
e shtëpisë së fèmijërisë sime..
Një herë e një kohë, pak më pas
lëshonin tinguj pianoforteje-
edhe pse të brejtura nga finja e rrobave
të lara një natë më parë se të rritesha...
...
Gishtrinjtë e mi- pas e mëpas
përkëdhelën faqe dashurish të humbura-
dhe nuk u ankuan ...-
edhe pse pigmente largimesh shfaqeshin
në humbëtira të padeshifruara...
Gishtrinjtë-persëri me tinguj galaktike
lëvizën të më bënin nënë, më parë se grua...
....
Sot e gjithmonë,
nën ritmin e tyre të shpirtit,
përkëdhelin pelena të sapolindurish...
....
Më dhembin gishtrinjtë-
deri në palcë të dashuri-dhimbjes.
Besomëni!

dt.sot...2009


...ndaj syhapur...
malli qenka dhe i bukur..
edhe pse të than si eshkë…
Jeta vetë na qenka –mall
Ndaj syhapur çdokush vdes.

Loti i burrit

Loti i burrit ,
nuk mbërrin deri mbi mollëzat e faqeve-
Gëlltitet në shpirt…

Loti i burrit
Del rrallë e njëherë.
Besojeni!
Eshtë i vërtetë.

Më thirre?...

…ja, erdha.
Sa të kaloj mbi njëmijë vjeshtëzat e mia,
Sapo t’ua mbledh gjethet e zverdhura,
Sapo t’ua shtroj tryezën “Hapy Birthday”
Në larg-ikjen time…
Erdha!
4 korrik, 2008 Brooklyn

Mosha e poetit

Ndoshta, kur i erdhi rradha
moshës së shpirtit
Zoti, duhet të jetë menduar mirë,
patjetër...
dhe krijoi Modelin Hyjnor
tek Poetët...

Mendo, mik , i dashur,
sikur shpirti ynë
të kishte moshën që kemi-
nuk do të bëheshim
gjyshërit më të bukur
për vogëlushët,
por bajlozë, shtriga - me vjellje vreri...

Mendo, sikur të rrudhej shpirti,
sikur të zbardhej i njëtrajtshëm...
sikur të mbahej mbi një shkop
a në karrocë dikush ta shtynte....
Oh, mjerë bota atëhere,
s'do kish gjysh asnjë fëmijë...
s'do do kishte vargje dashurie
që mbillen veç me farë poetësh...

Ja kështu, i dashur mik
poet, si unë - unë si të tjerët,
moshën prej ëndrre, kur e rrëfejmë
s'e kemi më, vetëm për vete...

“Tornado”,
mos ik pa mua!
Merrmë në vorbullën
e çmendurisë tënde!
Për hatrin tim,
lëri të jetohen
të tjerët!
(Tornado-emri i një stuhie –shtjellë shkatërruese)

“Me dorën time qenkam vrarë!…”

Një ditë botës
mendja do t’i vijë…
dhe do të qeshë duke qarë…

Sërish
do të çmendet duke thirrur:
“Me dorën time qenkam vrarë!…”

Ku të shkoj

Toka s’më mbaka!…
Udhët e qiellit - të zëna…
ku të shkoj me të vërtetën
që më digjet si flaka?!

Për pak liri...

Për pak liri
gjakosa dhimbjen…,
kur e fitova,
e futa në pranga…

Vetëm nëna…

Vetëm nëna
ma kuptoi brengën në sy,
Me shpirtin e saj-shami,
fshij lotët e mi…

U putha a s’u putha


Dielli u dogj brenda vetes…
hëna m’u ftoh nëpër duar…
U putha, a s’u putha…(?!)

Bashkoj lotët…

Dimri gris arnat e mia,
vera djeg trupin tim…
Bashkoj lotët
me vjeshtën time.

Sonte...

Sonte,
të jap leje
fli mbi krahun tim…
me ëndrrat e shkuara
Nesër
dhe nesër, dhe nesër…,
zgjohu me mua… !

Dimër...
...u zhveshën drurët…
ftohtë - për lakuriqësi…
Mbi rrugën e gabimeve

Mbi rrugën e gabimeve të mia eca…

bëra gruan,
bëra nënën,
trajtëzova femrën.
Dërguar për Zemrën Shqiptare nga Klubi « Bota e re » SHBA
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi