Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ajet Nuro - Unë, ti ai ose ajo/ Ne, ju, ata ose ato; Po Shqipëria?

Shko poshtë

Ajet Nuro - Unë, ti ai ose ajo/ Ne, ju, ata ose ato; Po Shqipëria? Empty Ajet Nuro - Unë, ti ai ose ajo/ Ne, ju, ata ose ato; Po Shqipëria?

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 30, 2015 12:51 pm

Unë, ti ai ose ajo/ Ne, ju, ata ose ato; Po Shqipëria?


Ajet Nuro - Unë, ti ai ose ajo/ Ne, ju, ata ose ato; Po Shqipëria? DSC08403-300x200

Nga Ajet Nuro

25 vjetë nga ndryshimet që përfshinë edhe Shqipërinë…
 

Rasti i komedisë së arrestimit të dy deputetëve shqiptarë dhe saga e akuzava të ndërsjellat për komandim vrasjesh mes këtyre dy deputetëve dhe kryetarit të parlamentit, i kënaqi të gjithë veç spektatorëve, pra shqiptarëve të mjerë. Nuk ka rëndësi se kush ka faj dhe nuk kam ndër mend të hyj në debate se kush është fajtori. Madje edhe pa fajtor, konkluzionet janë shumë të hidhura dhe horizonti politik e shoqëror i shqiptarëve tejet i zymët.


Ngjarjet në Parlamentin shqiptar


Ngjarja në parlamentin e shqiptarëve (të Shqipërisë… se mund të ndodhte edhe në parlamentin e shqiptarëve të Kosovës) ndodh në 25 vjetorin e « ndryshimeve » që përfshinë Shqipërinë e stërmunduar nga murtaja komuniste. Një çerek shekulli më pas, ngjarjet në parlament por dhe jashtë tij të lënë shijen e hidhur se Shqipërisë do të t’i duhen ndoshta edhe aq vjetë për të arritur ndonjë standard europianë.


Shqipëria dhe Europa


Ishte janari i vitit 1991 kur u gjenda në Tiranë. Shkova tek Qyteti Studenti, aty ku studentët paten protestuar për kushte më të mira dhe nga kërkesat ekonomike kaluan në ato politike. Balta dhe gjurmët në të ishin ende të freskëta në atë fillim të vitit 1991. Ajo që më bëri përshtypje, ishte një parrullë e shkruar në një mur, mbrapa një ndërtese : « E duam Shqipërinë, si gjithë Europa! ». Në atë moment nuk mund të them se e dija saktësisht se çfarë do të thoshte ky sllogan por po të më thoshin se do të duhet 25 vjetë për t’a realizuar atë, do thosha « është shumë 25 vjetë … » Por, sot mund të konstatoj se fatkeqësishtë as pas 25 vjetësh, ne jemi ende larg. Ngjarja me parlamentarët flet shumë por ndoshta nuk i shpjegon dot të gjitha…


Shtypi


Në janarin e vitit 1991 doli numri i parë i gazetës Rilindja Demokratike. Njerëzit e përpinin gazetën dhe madje ata që e shpërndanin e shisnin 2 apo 3 fishin e çmimit të pasqyruar e ndoshta RD ishte nga mallrat e pare që përfitoi nga loja e ekonimisë së tregut. Disa kohë më vonë në universitete u fut edhe një manual për të mësuar gazetarët e Europës Lindore se si të bëjnë gazetari. Një çerek shekulli më pas, të vjenë keq që gazetaria, që mund të ishte pushteti i katërt në vend, është përçudnuar dhe katandisur si mos më keq. Fjala “gazetë e pavarur” që përdorin disa editorë ka humbur vlerën dhe kuptimin. Ato, çdo gjë mund t’a kenë veç pavarësisë.


Prona


Prona, e cila duhet të ishte baza e një ekonomie tregu, është viktima më e madhe e këtij çerek shekulli tranzicion. Nuk mund të kesh një shtet të drejtë dhe të fuqishëm pa respektuar këtë të drejtë themelore të njeriut. Që nga tallja me token dhe ndarja sipas mentalietetit se ajo i takon atij që e punon, e duke mos harruar allishverishet me pronat e patundëshme, problemi pronësisë në Shqipëri, nuk ka për t’u rregulluar kurr madje do jetë edhe burim tensionesh. Loja me lejet apo me palejet e ndërtimit, bënë pjesë në këtë çorbë të pashije …


Qëndrimi ndaj komunizmit


Nëse ndryshimet e para 25 vjetëve i vura në thonjëza pak më sipër pikërisht sepse përmbysja e komunizmit në Shqipëri nuk u arrit kurr. Madje disa ende edhe sot hapur glorifikojnë regjimin që vrau e preu pa asnjë kufi moral, njerëzor madje edhe legal. Askush nuk mori as edhe një gjemb në këmbë për shtypjen e pa shembullt qê iu bë shqiptarëve. Edhe ndonjë deklaratë që është bërë nga krerët e shtetit shqiptar, është bërë nga presioni i ndërkombëtarëve. Askush, në asnjë rrethanë nuk ka kërkuar revansh, hakmarrje apo përjetim i komunizmit me kokë poshtë. Por, nuk mund të respektohet demokracia duke thurur ditirambe diktaturës. Dashuri edhe me demokracinë edhe me diktaturën në të njëjtën kohë (krevat…) nuk bëhet. Qëndrimi ndaj diktaturës është çështje respekti ndaj vetes dhe të tjerëve, është çështje dinjiteti njerëzor. Tek e fundit, le të gabojmë edhe ne shqiptarët njëherë siç bënë popujt e tjerë të Lindjes Europiane. Por, si gjithandej, ne kënaqemi me pak …ose me aspak …


Edukimi


Nostalgjikët e komunizmit kanë se me se të mburren në këtë pikë. Arsimi në Shqipëri është aq keq saqë edhe kur flet më Profesor Doktora ke atë dëshirën t’a pyesësh se ku e ke blerë diplomën. Dhe ata që e kanë fituar diplomën me djersë, presin të punësohen sipas disa procedurave normale, pa e ditur (ose duke e kuptuar me vonesë…) se të diplomuarit nëpër inkubatorë e kanë gjetur punën para se të hyjnë në shkollë. Dhe janë pikërisht këta që po përgatisin të ardhmen e Shqipërisë …


Politika


Shqipëria, duhet tê ndryshoi sa më shpejtë ligjin zgjedhor. Shqiptarët duhet të kenë secili, një përfaqësues në organin më të rëndësishëm të shtetit, në parlament. Por, sot ata votojnë një parti dhe është shefi i asaj partie që emëron kë do ai në organin që duhet të jetë i përbërë nga njerëzit më të devotshëm. Politika është art dhe në parlament duhet të kishim artistë (qoftë edhe në kuptimin e parë të fjalës…) por ja që gojët “e këqia” flasin se aty ka kriminelë. Nëse po, janë ata që po n’a përgatisin perspektivën …


Sipas një anekdote biblike, Jezu Krishti, në mbrëmjen e fundit me dishepujt e tij u kërkoi atyre t’u lante këmbët. I fundit, nga dishepujt, Simon-Pierre i thotë se ai kurr nuk do të pranoj t’i laj Jezuz Krishti këmbët. Krishti i thotë se ajo që ai dëshiron të bëj nuk mund të kuptohet tani por në të ardhmen. Pasi u lanë këmbët dishepujve ai u drejtohet atyre: “ E kuptoni këtë që sapo bëra? Ju më thërrisni “Zot” e “Perëndi” dhe i till jam në të vërtetë. E pra, nëse unë që jam Zot e Perëndi u laj këmbët juve, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri tjetrit. Ky është një shembull që u kam dhënë me qëllim që edhe ju të bëni atë që unë bëra për ju.”


Pra, ky është një shembull biblik mëson sakrificën njerëzore dhe atë sesi shtetarët duhet të jenë në shërbim të popullit që i vë në krye. Aty nga viti 1991 në parlamentin e parë pluralist, disa nga deputetët i referoheshin biblës në ndërhyrjet e tyre në debate parlamentare. Ata të linin përshtypjen se e njihnin biblen. Dhe mund të jetë e vërtetë. Veç problemi është se bibla u përçua tek klasa e re politike nëpërmjet prizmit marksist-leninist. Po sikur vërtet ata t’i referoheshin biblës apo edhe standarteve të tjera morale pozitive? Sot do kishim një klasë politike që do “t’i lante këmbët” popullit të saj dhe ata do bënin të njëjtën gjë për të…


Diaspora


Diaspora shqiptare, pati fatin e keq të mos ketë njohur para-ardhësen e saj. Për afro gjysmë shekulli, nga territori i Shqipërisë dolën vetëm zogjtë shtegtarë dhe ata që i shpëtuan plumbit të diktaturës. Më kujtohet se me hapjen e kufijëve, aty nga viti 1991, ajo që prisnim nga diaspora ishte milionerët e saj. Dhe nga kjo gjueti nuk shpëtuan as krerët më të lartë të shtetit që nuk lanë gjë pa bërë për të tërhequr këta shqiptarë “me një sy” Aq sa, jo rrallë ndodhte që nga mos njohja e realitetit, e hanin sapunin për djath. Shembull, çështja Ajdin Sejdia…


Diaspora e re shqiptare, e lindur nga eksodi i paparë i vitit 1991 dhe në vazhdim në pak vite arriti të ndryshoj. Jo vetëm që shqiptarët e vendosur në Europë dhe në Amerikën e Veriut u adaptuan me relitetin e vendeve pritëse por edhe u integruan e sot shumë prej tyre shkëlqejnë në fusha të ndryshme si ekonomi, financa, arsim etj etj. Por mungesa më e madhe e diasporës është lishja me vendlindjen. Mungon ajo lidhja integrale institucionale që do të bënte që diaspora të shërbente në ndryshimet pozitive. Kam qenë një nga partizanët e ndryshimeve që do të vinin nga rinia shqiptare e edukuar në Perëndim. Por, shumë prej tyre, jo vetëm që nuk kanë mundur të çajnë barrierat e vendosura nga klasa politike në vend por edhe më keq, disa prej tyre pasi janë interguar në politikën shqiptare i janë përshtatur asaj për t’u bërë pjesë e korrupsionit dhe e sëmundjeve të tjera “ngjitëse”.


Historikisht, asnjë ngjarje e madhe në historinë e shqiptarëve nuk është zhvillua pa mbështetjen e diasporës dhe kjo që nga periudha e Rilindjes Kombëtare dhe në momente kyçe si shpallja e pavarësisë dhe ruajtja e tërësisë territoriale. Për t’u nënvizuar është puna e jashtëzakonshme e diasporës shqiptare në Amerikë sidomos puna e jashtëzakonshme e organizatës panshqiptare Vatra. Duke iu referuar librit të Ilir Konomit “Faik Konica, jeta në Uashington”, Konomi e quan “Vatrën” “shtet brenda shtetit”. Nëse kjo shprehje i kushtohet Vatrës së viteve 10, 20 të shekullit të kaluar, sot nuk mund të themi një gjë të tillë për ndonjë organizatë shqiptare që grumbullon rreth vetes mërgatën shqiptare. Pavarësisht shembujve pozitive me organizata që bëjnë të pamundurën për të ruajtur indentitetin kombëtar dhe gjuhën shqipe mes shqiptarëve (shembuj të shumtë ka në ShBA dhe Kanada por edhe në shumë shtete të Europës) fatkeqësisht, ndonëse mundësitë janë të paimagjinueshme, shqiptarët ende nuk e kanë gjetur ende mjetin bashkues që do t’a bënte diasporën shqiptare, ndikuese të procesit ndryshues në gjithë hapsirën shqiptare. Kur them që lidhja institucionale mungon, nuk mund të mohoj përpjekjet e Ministrisë së diasporës së Kosovës për integrimin institucional të mërgatës shqiptare. Në Tiranë, koncepti i mërgatës shqiptare është reduktuar në disa ftesa bajate si « kthehuni në vendin tuaj për të ndihmuar » etj etj.


Në vitin 2001, pas një takimi të disa politikanëve shqiptarë ne Nikolla Geixh, lobeist grek në Shtetet e Bashkuara, me një grup miqësh organizuam një peticion për të denoncuar këtë ngjarje që e quanim jo vetëm fyese por edhe si shkelje të integritetit të një vendi sovran. Brenda një jave, mbi 700 persona (bëhet fjalë për vitin 2001 dhe interneti nuk ishte ky i sotmi…) sa nga e majta dhe nga e djathta e firmosën peticionin që iu drejtua parlamentit të kohës. Kjo tregon atë ndjenjën e lartë të ndjeshmërisë që kanë shqiptarët kur bëhet fjalë për çëshjten kombëtare.


Pesimist? Nuk mund të them, ndonëse 25 vjetë flasin për ëndrra të thyera e të parealizuara. Duke i njohur shqiptarët, e di fuqin e vërtetë të tyre. Në një kohë bumi teknologjik, ata duhet të gjejnë vet-vehten. Nuk mund të justifikohemi me një anëtarësim në NATO. 25 vjetë shqiptarët veç largohen e largohen. Deri kur do t’a quajmë Shqipërinë në tranzicion?


Titulli i këtij shkrimi nuk ka të bëjë me egoizmin tonë. Kuptohet, Shqipëria mund dhe duhet të bëhet nga njerëz që ia kanë dal të realizojnë diçka në jetën e tyre. Pa qytetarë të fortë e të ndërgjegjshëm nuk mund të kemi një vend të fort. Ndryshimin do t’a bëjmë vetëm at’herë kur në përemrat vetorë të zëri vend edhe Shqipëria.


 

Ajet Nuro


Montreal, prill 2015


Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi