Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shaip Beqiri:MUNGESA ME NJË VRIMË TË ZEZË NË MES

Shko poshtë

Shaip Beqiri:MUNGESA ME NJË VRIMË TË ZEZË NË MES Empty Shaip Beqiri:MUNGESA ME NJË VRIMË TË ZEZË NË MES

Mesazh nga Agim Gashi Wed Sep 02, 2009 9:38 pm

MUNGESA ME NJË VRIMË TË ZEZË NË MES

Shaip Beqiri
Klepsidra e re

Historia e përvojave njerëzore, përsa i përket rolit të mërgatës në zhvillimin dhe përparimin e vendit përkatës, tashmë është e njohur për të gjithë. Dihet sidomos roli kolosal që ka luajtur në këtë aspekt mërgata e dikurshme italiane, ajo irlandeze apo ndonjë tjetër, për të mos harruar shembullin e papërsëritshëm të hebrenjve. Këtij aspekti, kur është fjala për mërgatën shqiptare, qoftë ajo që doli para njëzet vjetësh nga Shqipëria, ajo e paradyzetvjetëve që doli nga Kosova apo cilado tjetër, do të mund t`i shtohej një dimension i ri sikur të kishte një politikë të mençur dhe të drejtë që do të udhëheqte procesin e vërtetë të mëkambjes së gjithanshme të ekonomisë kombëtare. Nëse është e vërtetë se nga 1.5 milion mërgimtarët që dolën vetëm nga Shqipëria gjatë afër njëzet vjetëve të fundit kanë hyrë në atë vend 120 miliardë dollarë, siç pohojnë kompetentët që merren me këto çështje, është rendi të bëhet një përllogaritje e thjeshtë. Le të supozojmë që as nga Kosova nuk kanë dalë në të njëjtën periudhë më pak se gjysma e këtij numri, do të thotë diku 700.000 – 800.000 të arratisur. Le të jetë përgjysmë edhe shuma e parave të tyre, që do të thotë se rrok rrotull 60 miliardë dollarë. Po të shkojmë më tej me këso përllogaritjesh, del që gjatë një viti në Kosovë nga mërgata të kenë hyrë mesatarisht rrotull 3 miliardë dollarë, ose saktësisht dyfish më shumë se ç`është aktualisht buxheti i konsoliduar i Kosovës.
Le të jetë kjo një përllogaritje iluzore dhe tepër e hamendshme, poende edhe e pasaktë, pasi edhe nuk hyn në punë aq shumë këtu. Poenta në këtë rast është gjetkë. A mund të nxirret nga një shifër e tillë potenciali i përafërt i kapitalit të mërgatës së sotme shqiptare?
Sado që mërgata jonë asnjëherë nuk ka pasur një dorë organizimi të mirëfilltë e të mbarë, sado që ajo është përcopëzuar e keqpërdorur nga djallëzi të ndryshme madje edhe në emër të idealeve të mëdha, është e vërtetë e pakundërshtueshme që ajo gjithnjë ka qenë e përkushtuar në punë, kurdoherë solidare e rrallë dhe kursimtare e pashoqe. Sot shqiptarët nëpër botë nuk janë më vetëm punëtorë të pakualifikuar që bëjnë punët më të rënda e të paguara më së paku. Ata kudo që gjendet udhëheqin edhe biznese të sukseshme, duke depërtuar kështu ndër sfera të larta të lëmenjve të ndryshëm, të shquar për korrektësi e aftësi të dallueshme. Natyrisht që ky depërtim nuk është bërë me lehtësi e pa flijime të mëdha, çfarë i ka edhe përfitimet. Në këtë rast nuk dua të zë ngoje ato përfitime që janë bërë me kontrabandë, prostitucion e forma të tjera të shëmtuara, sado të mëdha qofshin. Pra, fjala këtu është për një kapital të shëndoshë me potencial shumë të madh.
Nëse mërgata jonë ka një potencial të tillë të kapitalit që do të mund të investohej praktikisht në ekonominë kombëtare (gjithandej ku jetojnë shqiptarët në tokat e veta) dhe që do të mund të aktivizohej e të funksionalizohej menjëherë, për çka nuk ka ndonjë arsye të dyshohet, atëherë ç`duhet të bëjnë ata që kanë marrë në dorë udhëheqjen e fateve të kombit!?
Pikërisht këtu sharra jonë e ndryshkur has në gozhdën e stërmadhe! Është fakt i pamohueshëm që udhëheqja e deritashme politike shqiptare, me sjelljen e vet pothuaj gjithnjë abuzive ndaj votës së lirë dhe pushtetit të demokracisë së brishtë, nuk e ka merituar aspak kurrnjëherë besimin për të shtënë në dorë të shtetit, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës, pjesën kryesore të atij kapitali që kanë krijuar shqiptarët deri sot në mbarë botën. Kjo është njajo vrima e madhe e zezë në jetën institucionale të politikës shqiptare, e cila është rrjedhojë e pastër e mungesës së liderëve të vërtetë me përmasa reale kombëtare që do të kishin pasur ideal të parë dhe të mbramë udhëheqjen e vendit në bashkëpunim me njerëz kompetentë në poste përkatëse. Pasi kjo nuk ka ndodhur në procesin e këtij tranzicioni të stërzgajtur shqiptar, prandaj është vështirë të besohet se një gjë e tillë mund të bëhet shpejt. Nga kjo pikëpamja, çështja teorikisht duket e zgjidhshme, pasi një kapital i madh shqiptar me të vërtetë ekziston diku; mirëpo, në anën tjetër, udha e tij për të hyrë dhe nxënë vend aty ku do të duhej duket e pamundshme praktikisht.
Në kohën kur i ka mbajtur ende besimi, shqiptarët e kanë dhënë trepërqindëshin pa pyetur se ku po shkonte ai, poende nuk e kanë ngritur ndonjëherë zërin edhe kur për tërë ato para e për shumë të tjera të mëdha nuk është dhënë kurrë një raport i vlefshëm në vend të duhur, ndërkaq sot është vështirë të besosh se ata janë të gatshëm të hyjnë përsëri nëpër të njëjtën baltë!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi