Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Zog Hysenaj

Shko poshtë

Cikël poetik nga Zog Hysenaj Empty Cikël poetik nga Zog Hysenaj

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 23, 2009 3:14 am

ZOG HYSENAJ

IV. DY FJALË NË VESH

DY FJALË NË VESH

Të gjithë janë në gjumë, lerini të flenë!
Kur unë rri e shkruaj, të mos zgjohet askush
Fillikat i vetëm dua të rri
Dy fjalë në vesh t’ia them poezisë…

ASAJ UDHE TË FËMINISË

Kujtesa ime shekuj larg mërguar
E udha harruar shtrirë,
Asaj udhe ngjitem e zdirgjem
Po askund nuk gjej
As mjedrra, as boronica.
Nuk gjej se nuk gjej askund
Asnjë dru të gdhendur
Me emrin tim.
Të gjithë drurët i paskan prerë druvarët,
Edhe një zog mali u habitka si unë.

U DASHKA MËSUAR

U dashka mësuar me çka matet njeriu,
U dashka mësuar me çka matet koha,
U dashka mësuar e mësuar…
Po më parë u dashka ditur
Se gjithçka matet me punë të vyera.
Për këtë është mirë të mëndojmë
Nganjëherë…

ZOT NA RUAJ

Në këtë botë rrumpallë që sundojnë rrumpallexhinjtë
Duhet të ruhemi dhe kur flasim dhe kur heshtim
Se ata prandaj na ruajnë,
Prandaj s’na lënë të gabojmë,
Prandaj edhe na ndëshkojnë,
Për të mirën tonë e bëjnë,
Dihet ajo punë.
Na ruaj o zot , të bëjmë sa më pak gabime!

KUJT T’I THËRRAS?

Dhe nuk di se kujt t’i thërras më parë?
Të vijnë pas thirrjes sime,
pas meje të vijnë
vetëm ata
që s’ikën përgjithmonë
prej këtyre bjeshkëve
e kthehen si zogj shtegtarë!

MOS!

Të gjitha mos-eve do t’iu them mos….
Të gjitha letrat e mia do t’i mbledh në grusht
e do t’i djeg në zjarr,
Fotografitë do t’i kthej mbrapsht,
të shohë pjesën e bardhë, pas fotos.
Mos! i them pastaj vetes,
Hesht!
Faji më i mdh i imi-heshtja.

HËNA

Hëna atje varur në kupën e qiellit
nga njërën anë në tjetrën,
çdo ditë e më e madhe më duket,
E sa herë që bëhet e madhe më
Zvogëlohet çdo natë e më shumë
Derisa mbetet hark
Sa vetulla e hollë e vetullhollës.
Ditën fshihet andej skutave të qiellit
e kryet në darkë e nxjerr.

NË ËNDRRAT E BUKURA LEXOJ MBISHKRIMIN

Deri në fund të botës trishtimi i përgjumur i rinisë
Kotet në trazim të shpirtit,
Rrezet e fundit të diellit drejt prarimit dhe tretjes sime.
Mbi kreshtën e thepisur tashmë hypur
Shtrënguar fort në majën e saj
Sodis shpatin e zharit poshtë, në luginë tretur…
Kur mëndja tall bythën me mua
Marr me vete vitet drejt përjetësisë,
siç merr orteku borën drejtë humnerës.
Në ëndrrat e bukura lexoj urimin e të parëve:
U rritsh
e kurrë në majë mos hypësh!

I. UNË VETËM VETVETES DUA T’I NGJAJ

Skllav i ëndërrimeve
Unë, skllavi i ëndërrimeve
Në dritën e kandilit dhe të hënës
Ulem dhe shkruaj kujtimet e harruara
Kur të tjerët hapin varre,
Të vdekurve u vjedhin stolirat,
E dhëmbët ua marrin natën, kur nuk ka hënë…
Të tjerët të një bote tjetër mbeten,
Me të tjerët kurrë punë mos paça
Unë vetem vetes dua t’i ngjaj!

DURONI EDHE PAK

Duroni ju poetë, poetë që s’duroni
Duroni derisa bota të bëhet e juaja
E ju të bëheni të botës.

PASHA SYTË E MI

Betohem se dielli del nga nëntoka
E syrin nxjerr në majën e malit,
Përmbi ne hijeshon dhe i bën dritë njerëzimit
E përtej majës perëndon,
Moj çika e bacës!
Hëna betohem se mbin nga qielli
Se aty e shoh çdo natë
Kur dritë natës i bën
Herë si rreth e herë si hark
Dhe përherë si sytë e tu
Sytë e tu si drita të shpirtit.

Kapelja

Kapelen ia heq vetëm të drejtes
Kur rrugës me të shndërrohem,
Se për të tjerë, edhe sikur të vdes
Kapelen nuk e heq, të betohem.

Kur humbi bota fillin, kërkova lirinë
Kur bota humbi fillin, e ujqërit ulërinin
Në shkretëtirat e mendimit tim,
Unë durimin humba, kërkova lirinë.
Ku është fshehur dhe sylidhur ku e mbajnë
Pa liri s’ish asgjë e s’isha njeri.

II. I URTË MOS HARRO TË BËHESH

Harroje, harroje më thua?
Sikur hap varre më ngjan kur thua kështu
Të vdekurit e paharruar sikur i varrosi përsëri
Përsëri sikur m’i vret ti,
Nëse harroj se ti më s’duhet të rrosh.

Nuk guxuam

Kurrë nuk mundëm
Të dashurat tona t’i takonim lirshëm,
Nuk mundëm as të flasim me to në rrugë,
Nuk mundëm të tregojmë se janë tonat
Mundëm të guxojmë vetëm t’i mohojmë ato
Me be e rrufe që s’i njohim.
Nuk mundëm as të ankohemi se
Jemi keq,
Me fjalën në gojë
“Rroftë Partia!”
Duhej të vdisnim.
Fundja pse të mos vdisnim,
Fundja edhe partia pse të mos vdiste?

Dyzet arna

Dyzet arna i numërova
Në xhupin e minatorit
E një kapele mbi kokë
S’di pse s’e numërova.
S’di edhe sa jetë
E sa lëkura jete
Nën dhe i lashë…

MBETËM NË PRITJE

Të gjithë presim shpresën se një ditë do të vijë,
Të gjithë i themi asaj: “eja të të shoh”!
Ajo ndoshta do të vijë një ditë,
Asnjërin nga ne nuk do të na njohë.

AFËR DHE LARG

Asgjë më të afërt
sesa e keqja me të mirën
në këtë botë
nuk paska!
A thua pse kaq afër e pse kaq larg?

Lutja

Gjithë jetën u lutëm,
U lutëm për shëndetin e fëmijëve
E fytyrën të mos ua nxijmë.
U lutëm jetëgjatë të jemi,
të rrojmë e të rrojmë sa malet…
Ne që thamë rrofshim,
Shumë herë thamë:
Vdekshim
pse lindëm.
A thua pse?

DO TË…

Kur fillon shtëpinë, shpreson se do ta mbarosh,
Kur sëmuresh, shpreson se një ditë do të shërohesh,
Kur vuan shumë nga varfëria, thua se do të shpëtosh,
Kur plakesh, nuk ke më shpresë se më do të rinohesh …
Por i urtë mos harro të bëhesh!

DITËT E MIA KËNGË

Sikur të gjitha retë e qiellit të mblidhen
E një vetëtimë të madhe të bëjnë,
Ditët e mia aty do të duken
Së bashku me krismat le të kthehen në këngë.

Natës në hënë dorë për dorë këndojnë
E vetëtimë tjetër presin që të vijë
Ditët që njëratjetrën numërojnë
Vjen dielli i mëngjesit ato do t’i shkrijë.

Nepër rreze dielli si uji në krua
Këngë të tjera me to të gëzojnë
E valle le të hedhin ato përmbi mua
Në buzët e vashave, aty të pushojnë!


***
Ruaju mirë
se mos humbasësh në mjegullnajat e bubullimave të mëdha!


C’TË THEM TJETËR PËR FJALËT E TUA
(Një plakut të urtë e burrë malësie)

Gjithë jetën duke folur
Duke folur me fjalë zemre e zë shpirti
Mbete.
Fjalët e tua,
Si drita e qiriut që dritë u bën të tjerëve
E në dritë të vet digjet e digjet…

Të gjitha ditët njësoj
Sot…nesër, dje…
Sivjet…vjet…s’di sa vjet,
Të gjitha njësoj.
Dielli lind e perëndon
E hënës vendin ia lëshon
E hënë…e martë e
prapë e hënë e martë,
java ikën e ne aty na lë
sivjet… pranvera, vera, vjeshta,
dimri më i gjatë
e edhe një vit na kalon
të festojmë
përvjetorë.
Një sot një nesër,
një sivjet, një mot
dhe ne, mbarojmë ditët
ashtu,
kot …
për të lënë të tjerë mbas…

III. SI NË GJËEGJËZË

SI NJË GJËEGJËZË

Një kafshatë bukë misri në dorë
E në mes të sofrës një bludë shëllirë
Ta ngjyejmë jetën,
A t’a ngjyejmë urinë?

Hija e malit

Një brengë trishtuese kthehet dhe më bëhet
Ajo hije e malit përballë shtëpisë sime,
Hija e kreshtës së përhimtë, me kapuçin e borës
E unë, as atje dhe as këtu,
Vargje shkruaj, mbaj shënime.
E delet, sot e kësaj dite kullosin shpatit
Brinjës së malit tim-orë për fshatin
Malli për të më merr deri në dhimtë mua të ngratin:
Për Meçinën, Malin e Kores edhe Lugbatin.

KUR ISHIM E PRAPË S’ISHIM

Kur humbëm të drejtat të rrojmë si njerëz
E shtrembëta na vuri atëbotë në zgjedhë,
Si qe na grahu vijave të një qerreje
Një qerreje të thyer
Që drejtë humnerës shkonte…

LE TA BËJMË EDHE KËTË PYETJE

Cdo ditë që ikën
Një hallkë shton
Në zinxhirin e rëndë
Në qafë varur.
Qafën vetëm për këtë e paskemi?

Paç fat!

Urimi i urimeve: -“paç fat!”
E fati ecte me këmbë breshke,
Në këmbën e urës ndalej, vonohej të vinte…
E si të mos vonohej
Kur s’dilnim vetë ta kërkonim?

U LODHËM SË PRITURI

Gjithë jetën mbetëm në pritje
Për më mirë,
E mira fshehur thellë,
Humbur në humbëtirë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi