Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kejsi Tola, Jam vajzë e rregullt, paparacët më bezdisin se thonë të pavërteta

Shko poshtë

Kejsi Tola, Jam vajzë e rregullt, paparacët më bezdisin se thonë të pavërteta Empty Kejsi Tola, Jam vajzë e rregullt, paparacët më bezdisin se thonë të pavërteta

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 10, 2009 7:36 pm

Kejsi Tola, Jam vajzë e rregullt, paparacët më bezdisin se thonë të pavërteta
Këngëtarja 16-vjeçare tregon rrugën deri te fitimi i çmimit të parë të Festivalit të RTSH. Jeta e përditshme e këngëtares, raportet me njerëzit, projekti për prezantimin në Eurosong , Intervistoi: Julia Vrapi
Kejsi Tola, Jam vajzë e rregullt, paparacët më bezdisin se thonë të pavërteta Kejsi-okFestivali i Këngës në RTSH mbylli edicionin e 47-të të tij me këngën fituese "Më merr në ëndërr" e interpretuar nga Kejsi Tola, 16-vjeçarja e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin e këngës evropiane që këtë vit mbahet në Moskë. Në një intervistë dhënë për gazetën, ajo tregon sekretet se si arriti që të triumfojë dhe të dali fituese në natën finale, duke mposhtur dhe emra të tjerë këngëtarësh të njohur të skenës shqiptare. Ajo tregon se beson se me përpjekje dhe dëshirë mund të ecësh përpara. Dhe gjer tani motoja që ka ndjekur nuk i ka dalë keq. Shumëkush prej nesh do të ishte i interesuar të njihte vajzën që fshihet përtej skenës së festivalit. Edhe pse mjaft e re në moshë, përgjigjet e saj flasin për një vajzë më të pjekur në karakter se moshataret e saj. Në intervistën e mëposhtme, Kejsi Tola na tregon se cila është ajo në të vërtetë, pasionet dhe ëndrrat që ka ngritur për më tej.



-Kanë kaluar disa ditë kur ju u shpallët fituesja e edicionit të 47-të të Këngës në RTSH, si ndiheni?

Jam shumë e lumtur, e gëzuar dhe shumë e emocionuar që fitova sepse tani më pret dhe një përgjegjësi akoma dhe më e madhe, do të jetë dhe një konkurrim tjetër ku unë do të jem sërish në një garë të fortë.

-Para se të shpalleshit fituese ju u shprehët se do të këndonit pa ndroje në skenë e festivalit. Me këtë ide ju u ngjitët në skenë apo patët dhe pak ndroje?

Me thënë të drejtën, shumë tregojnë se emocionet fillojnë dhe rriten pasi afrohet dhe nata finale e festivalit, por unë nuk kam pasur shumë emocione në festival. Edhe në natën finale më ka ndodhur e njëjta gjë, unë vetëm kam menduar se do të këndoj mirë dhe asgjë më shumë. Megjithatë kam pasur dhe pak emocione, sepse pa emocione nuk do të kishte kuptim, pasi çdo këngëtarë ka emocione kur del në skenë, por që ato nuk më kanë bërë keq.

-Cilin nga këngëtarët shikoje si konkurrentin më të fortë në festival?

Në festival kishte shumë këngëtarë të mirë dhe nga këto unë mund të përmend Juliana Pashën dhe Luis Ejllin, që dolën në vend të dytë. Por ishte dhe këngëtarja nga Kosova Adelina Thaçi, kështu që unë nuk pata ndonjë prej këngëtarëve që të thosha që ky është konkurrenti im, pasi aty ne jemi të gjithë konkurrentë.

-Sa kohë u përgatitët për këngën “Më merr në ëndërr”?
Për këngën unë kam filluar të përgatitem nga muaji shtator, por që nga ajo kohë janë bërë pak prova në muajin e parë, por në muajin e fundit ishin provat më intensive.

-Kejsi u bënë disa edicione që Festivali i Këngës në RTSH fitohet nga zërat e rinj. Çfarë mendoni për këtë, meqë dhe ju i përkisnin këtyre zërave?

Mendoj se pa talent nuk kishte mundësi se si të fitoja unë dhe të gjithë këngëtarët e tjerë që kanë qenë pjesëmarrës. Por edhe kënga ka shumë rëndësi, por edhe fati mendoj se është. Duke qenë se unë kam fituar dhe edicionin e “Etheve”në muajin shkurt të këtij viti mendoj se është edhe fat për mua fitimi i këtyre edicioneve me këngë.

-Bashkëpunimi i parë me kompozitorin Edmond Zhulali dhe ju u shpallët fituese e çmimit të parë. Ç’mund të na thoni për bashkëpunimin me kompozitorin Edmond Zhulali?


Është me të vërtetë një kompozitor shumë i mirë dhe shumë i kuptueshëm. Është një njeri, i cili punon me shpirt për të bërë atë që ai do, mbi të gjitha ai e ka pasion punën me muzikën. Për të pjesëmarrja në festival nuk është vetëm një konkurrim, pasi ai bën që të nxjerrë një këngë të mirë dhe dëshiron që të lërë gjurmë në festivalin e këngës.

-Po për autorin e tekstit Agim Doçi?
Pavarësisht se me profesor Mondin unë kam qenë më e lidhur me këngën, pasi me atë kam punuar më shumë, por gjatë ditëve të fundit Agim Doçi më ka këshilluar me të vërtetë shumë. Ai është një njeri shumë i mirë dhe më ka ndihmuar shumë, si të bëhet interpretimi, për shprehjen e këngës. Ai më ka inkurajuar shumë gjatë festivalit.

-Cili ishte urimi i parë që morët sapo u shpallët fituese?

Urimin e parë e kam pasur në skenë që mu dha nga një tjetër këngëtare, e cila në moshën time ka fituar festivalin, dhe ajo ishte Elsa Lila.

-Para festivalit ju jeni shprehur se pjesëmarrja në Eurosong për ju do të ishte një ëndërr. Tani që ëndrra juaj u bë realitet, çfarë mendon Kejsi?


Për mua vërtetë kjo ishte një ëndërr, e cila mu realizua në këtë fundviti. Unë do të punoj shumë që të mos zhgënjej publikun shqiptar. Sërish do të këndoj pa ndroje dhe nëse unë nuk kam besim në veten time, nuk do të arrij atje ku unë dua. Por kjo është dhe për të tjerët, pasi nëse një njeri nuk ka besim në atë që ai do të bëjë, atëherë nuk besoj se do të arrijë të ketë një karrierë.

-Jemi në ditët e fundit të viti 2008. Si ka qenë për ju ky vit.?

Për mua viti 2008 ka qenë shumë i suksesshëm. Kam fituar “Ethet”dhe u shpalla dhe fituese në Festivalin e Këngës në RTSH. Por gjatë këtij viti kam qenë pjesëmarrëse dhe në edicionin e “Top Festit”. Edhe pjesëmarrja në këtë edicion ka qenë e suksesshme për mua, pasi arrita dhe në finale. Ishte kënga “Një minutë”me kompozim të Dorian Gjonit dhe më pas erdhi dhe festivali.

-Kejsi tashmë ju vetëm jeni vlerësuar me interpretimet tuaja, por a keni menduar për ndonjë album?

Mua më është premtuar një album nga Top-Channel,si fituese e “Etheve”, por nuk e di sa do të realizohet, por kështu më është thënë. Në qoftë se mua vetë do të jepej mundësia për të bërë një album, besoj se do të prisja disa kohë, sepse do doja që këngët të mos bëheshin shpejt por që të mblidheshin disa këngë festivalesh. Për momentin nuk është synimi im albumi.

-Ju studioni në Liceun Artistik “Jordan Misja” për kanto. Ku e gjen veten më shumë Kejsi në muzikën e lehtë apo në kanto ?


Mua më pëlqen shumë muzika lirike, por nuk e di, pasi jam në një dilemë shumë të madhe se çfarëdo të bëj deri në fund. Do të vijoj me muzikën klasike apo me muzikën pop, të lehtë. Nuk e di akoma se çfarë do të zgjedh, pasi të dyja këto rryma më pëlqejnë shumë.

-Mendoni se në një të ardhme do të jeni në fushën e muzikës, apo do të ketë dhe një profesion tjetër për ju?

Nuk mendoj se do ta braktis muzikën, por ndoshta do të jetë dhe një profesion tjetër,dhe do t’i bëj të dyja.

-Cili do të ishte profesioni tjetër?

Unë nëse do të vazhdoj një shkollë tjetër, ndoshta profesioni i dytë do të ishte menaxhim -biznesi.


-Kënga siç u pohua dhe nga kompozitori do të jetë në anglisht. Çfarë mendon Kejsi për këtë. A do të arrijë atë që dëshiron në skenën e Eurosongut?

Besoj se po, sepse unë kam kënduar dhe këngë të tjera tek “Ethet” dhe shumë prej tyre kanë qenë në anglisht, besoj se artikulimi i fjalëve në gjuhën angleze është shumë i mirë. Gjuha angleze të jep mundësi që t’i artikulosh fjalët shumë mirë.

-Duetin në skenën e festivalit ju e kënduat së bashku me një zë tjetër të ri, Flaka Krelani. Si u ndjetë me këtë bashkëpunim?


U ndjeva shumë mirë. Flaka është një këngëtare shumë e mirë, por dhe një shoqe shumë e mirë për mua. Jam ndjerë me të vërtetë shumë mirë, sepse ajo ka qenë dhe nja mbështetje shumë e madhe për mua.

-Nëse kompozitori Edmond Zhulali do t’ju ofronte një këngë që ta këndonit të dyja, a do të pranonit?
Patjetër që do të pranoja, madje me shumë kënaqësi.

-Jeni vetëm 16 vjeç dhe mbani mbi supe deri tani dy çmime të para në dy edicione të rëndësishme të këngës. Si ka nisur rruga juaj drejt saj?


Fillimet e mia kanë qenë në Festivalin e Zërave të Rinj, dhe kam qenë 10 vjeçe në atë kohë, ku unë fitova çmimin e parësi interpretuese, pra për vokalin dhe jo këngën. Më pas marr pjesë në Festivalin e Tiranës për Fëmijë dhe kam marrë çmim të dytë. Ky ishte i vetmi çmim i dytë që kam marrë. Më pas ka qenë sërish Festivali i Tiranës, ku unë u vlerësova me çmim të parë dhe po këtë vit që u vlerësova me çmim të parë në Tiranë, kam marrë pjesë dhe në festivalin e Shkodrës ku u vlerësova po me çmim të parë. Veç këtyre ka qenë dhe edicioni i “Gjeniut të vogël”, kam marrë pjesë në edicionin e parë dhe kam dalë deri në finale. Më pas vijnë “Ethet”, “Top Festi” dhe në fund vjen Festivali i Këngës në RTSH.

-Si ishte edicioni i “Etheve” për ju?

Për mua “Ethet” kanë qenë një shkollë muzikore dhe neve kemi punuar me profesorë shumë të mirë, si Shpëtim Saraçi dhe Alfred Kaçinari. Besoj se të gjithë aty ishim me synim që të fitonim apo që të dilnim sa më mirë, dhe kjo ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua dhe me të vërtetë më ka ndihmuar shumë. Nëse unë do të kisha marrë pjesë në festival pa marrë pjesë tek “Ethet”, besoj se emocionet do të ishin shumë më ta forta se sa atje.

-Deri tani ju keni marrë vetëm çmime të para dhe një të dytë. E quani veten me fat ?
Besoj se unë jam me fat, por nëse unë nuk do të kisha punuar sado që të kisha fat, nuk besoj se do të arrija këto rezultate që kam arritur.

-Kush zbuloi vokalin tuaj në fillim?
Ishte mami im ajo që e zbuloi vokalin tim, pasi ajo kur ka qenë e vogël ka kënduar dikur në festivalin e fëmijëve, por që nuk e vazhdoi më këtë rrugë. Unë e kam pasur shumë dëshirë që të ndiqja këtë rrugë si mami im. Në shtëpi unë këndoja kot për qejf dhe të gjithë të afërmit e mi, miqtë e familjes më thoshin që unë të vazhdoja një shkollë muzike, pavarësisht se e fillova pak më vonë. Pra mamaja ime ishte ajo që më zbuloi në vokal në fillim dhe jo ndonjë profesionit muzike.

-Kejsi ju keni dhe një motër më të vogël si janë marrëdhëniet tuaja me motrën?

Motra ime është 12 vjeç dhe ne shkojmë shumë mirë me njëra-tjetrën. Përveçse motër unë e kam dhe një shoqe shumë të mirë.

-Po motra ka cilësi muzikore si ju?
Motra ka cilësi për muzikë. Ajo ka kënduar disa herë në festivale, si dhe ka marrë pjesë në evente të ndryshme muzikore për fëmijë. Por ajo është marrë dhe me balet disa kohë, por që e ka lënë më vonë. Mua do të më pëlqente që edhe ajo të ndiqte një rrugë në art, si kjo që po vazhdoj unë.

-Kejsi në raport me shoqërinë, do të jetë po e njëjta po diçka do të ndryshojë?
Nuk ka për të ndryshuar asgjë. Edhe tek “Ethet” ma bënin këtë pyetje, duke më thënë që ti tani që fitove “Ethet” nuk do të na flasësh më etj, por asnjëherë nuk e kam menduar diçka të tillë. Unë do të ngelem e njëjta Kejsi siç kam qenë dhe më parë me shoqërinë.


-Në lice ku ju studioni cilin nga mësuesit keni më për zemër?
E kam thënë dhe herë të tjera që më e rëndësishme për mua është zysha im e kantos Ema Kaçi, që unë e falënderoj shumë. Për mua ajo është më e mira, sepse më qëndron dhe më afër. Por dhe mësuesit e tjerë dua t’i falënderoj shumë, pasi të gjithë na edukojnë dhe mësojnë me përkushtim.

-Si reagoni ndaj kritikave, për sa i përket këngës?

Nëse unë nuk do të dëgjoja kritikat nuk do të mësoja asnjë gjë. Njerëzit mësojnë me kalimin e kohës, unë i dëgjoj kritikat, sidomos ato që më bëjnë profesionistët e muzikës.

-Fitimin e këtij çmimi e shikoni si çelësin që do ju hapi rrugën e karrierës suaj?
Patjetër që e cilësoj si diçka të tillë, por në fakt ishin “Ethet”ato që më kanë hapur rrugën për të vazhduar më tej, por festivali është një përforcim akoma dhe më i fortë.

-Jeni në shkollë, merreni me këngën, por atë kohë të lirë që keni si e shpenzoni?

Nuk është se kam shumë kohë të lirë, por kur kam dal me familjen time, apo shikoj televizor,lexoj etj.

-Mbrëmja e datës 31 dhjetor ku do ju gjejë?
Nuk e di se ku do ta kaloj, por di që do të jem bashkë me familjen time. Mbase mund të jem dhe në Vlorë, pasi atje kam gjyshërit, kushërinjtë por akoma nuk është e vendosur asgjë.

-Po dhuratat?
Pres dhurata,që të gjithë marrim dhe bëjmë dhurata.

-Nëse do ju thoshin një fjalë që do ju lëndonte si do të reagonit?
Nuk e di, pasi nuk jam tip hakmarrës por vetëm do të mbaja një qëndrim të veçantë ndaj personit që do të më lëndonte, por nuk do ja ktheja me të njëjtën mënyrë.

-Si ndjeheni tashmë që jeni bërë e njohur?
Përveç fakti që të njohin njerëzit në rrugë për mua nuk ka ndryshuar asgjë, pasi jam po e njëjta Kejsi si më parë.

-Ju bezdisin paparacët, pasi dhe ju tashmë do të jeni në fokusin e tyre?

Më ka ndodhur njëherë që unë isha me miqtë e mi në një lokal, dhe më pas më kanë bërë një artikull që 16 vjeçarja del natën etj, por që nuk e pata problem sepse unë isha me familjarët e mi dhe nuk është se bëj gjëra që nuk duhet t’i bëj. Janë të bezdisur, pasi shpesh janë vetëm gjëra të pavërteta.

-Kënga që ju kënduat fliste për dashurinë, sa e gjente veten Kejsi tek kënga?
Për sa i përket tekstit nuk e gjej veten, por ne duhet të përshtatemi me këngët që ne këndojmë, cilido qoftë teksti i tyre.
**************************************
Këngët shqiptare në Festivalin Evropian

Fituesja e çmimit të parë të Festivalit të 47-të të Këngës në RTSH, Kejsi Tola me këngën “Më merr në ëndërr” do të përfaqësojë muzikën e lehtë shqiptare në Festivalin Evropian në Moskë. Kjo është hera e gjashtë, që Televizioni Shqiptar mundëson prezantimin e këngës së lehtë shqiptare në Eurosong. Për herë të parë kjo ndodhi në vitin 2004, kur kënga me titull “Imazhi yt” e kompozitorit Edmond Zhulali u interpretua në skenën e Eurosongut në Turqi nga këngëtarja Anjeza Shahini. Një vit më pas në këtë festival prestigjioz Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo me këngën “Nesër shkoj” e kompozitorit Adrian Hila dhe me poet Pandi Laçon. Në vitin 2006 këtë fat e kishte këngëtari Luis Ejlli me këngën “Zjarr e ftohtë” të Klodian Qafokut. I rikthyer në atdhe pas shumë vite emigrimi, këngëtari Frederik Ndoci, në maj të 2007-s, shkoi në Eurosong me këngën “Balada e gurit”. Kjo këngë ka firmat e dy artistëve që shkonin për herë të dytë në Eurosong; Adrian Hila dhe Pandi Laço. Këtë vit në Eurosongun e Beogradit shkoi këngëtarja Olta Boka me krijimin "Zemrën e lamë peng", kompozim i Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi