Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Faqe fatkeqe interneti

Shko poshtë

Faqe fatkeqe interneti Empty Faqe fatkeqe interneti

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 23, 2009 1:29 am

Faqe fatkeqe interneti





Faqe fatkeqe interneti U1_Esad-Mekuli

Dr. Esad Mekuli, Fytyra e busullës

E mbetur në kujtesën e shumë brezave si një pishtare që priu një kohë të gjatë në udhën e vështirë dhe të bukur të letërsisë shqiptare të kësaj pjese të saj, "Jeta e Re" që nga numri i parë (korrik-gusht 19949) u bë simboli më kuptimplotë i kësaj dege të madhe të gjithë kulturës kombëtare. Atë afër një çerek shekulli e drejtoi me urtësi e guxim të rrallë Esad Mekuli, mësuesi i të gjithë brezave të shkrimtarëve tanë, i cili e bëri "Jetën e Re" një ngrehinë ku gjetën vend të gjithë autorët, me të gjitha mënyrat, metodat e stilet e shkrimit. Po të mos qëllonte në krye të "Jetës së Re" një krijues kaq vizionar dhe një njeri shpirtmadh si Mekuli, tepër vështirë do të mund të merrte vrull me kaq siguri një letërsi që u zhvillua dhe u ruajt me shumë përkushtim nga kthetrat e çdollojshme.

Kjo është një kaptinë e historisë së ndritshme të revistës letrare që i dha zë një letërsie të zhvilluar me një dinamikë të papërsëritshme. Prandaj them se pas "Albanisë" së Faik Konicës nuk mund të radhitet asnjë gazetë apo revistë tjetër shqiptare para "Jetës së Re" të Esad Mekulit, e cila me kohë qe bërë vetvetiu një histori alternative antidogmatike e historisë së vërtetë të gjithë letërsisë sonë.

Sprovat me anë pykash e thikash për të futur mish të egër në fizionominë natyrale të kësaj reviste patën filluar kaherë, poende menjëherë pasi burokracia e sapomëkëmbur dogmatike kulturore e Kosovës e nxori atë nga duart e Esad Mekulit në gjysmën e vjetëve `70 dhe zuri të bënte çoroditjet e para në fytyrën e saj. Për çudi, pas epokës së Esad Mekulit, në një periudhë të gjatë kohe, në krye të saj erdhën përbërje të ndryshme redaksish, të cilat këtë revistë të pashoqe e katandisën në një “tezgë” të neveritshme plaçkash vetjake letrare. Ajo jo vetëm që nuk i priu më ecjes reale që po bënte letërsia shqiptare tashmë e vënë në binarë të tjerë, por mbeti si mos më keq. Në të vërtetë "Jeta e Re" qe afër njëzet vjet del vetëm herë pas here, nga rasti në rast, nga përvjetori në përvjetor, sipas lëmoshës që i jepet nga MKRSK ose nga mëshira dorëlirë e përkrahjes së firmave të afaristëve shqiptarë!

Kështu ndodhi edhe me numrin më të ri, me një numër pa rend, i cili shënon 60-vjetorin e daljes së kësaj reviste. Tashmë e kthyer në "fytyrën e kryehershme" të fizionomisë së jashtme pa kurrfarë vazhdimësie në asnjë pikë të vetme thelbësore, një redaksi treshe kishte mbledhur gjithandej lëndën e këtij numri solemn dhe ka nxjerrë atë në dritë për të mos i ikur hapi i "shënimit të historisë" së "Jetës së Re". Kjo përvojë e mbrapshtë me një revistë me renome, e cila para së gjithash meriton të stabilizohet një herë e mirë në rrethanat aktuale, para së gjithash me nivelin që ka sot zhvillimi i letërsisë sonë, ose, në rastin tjetër, së paku të mos lejohet të mbetet një lodër me të cilën mund të luajë kujtdo që i teket.

Të vazhdosh sot të ribësh “Jetën e Re” siç e kishte mbudhur urtari i saj i kryehershëm, natyrisht që nuk ke nevojë të kthehesh në vjetët `60 e më herët apo më vonë, por duhet të qëndrosh fortas te mbarimi i dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XXI të mileniumit III!

U mora me ndonjë parim të përgjithshëm duke pasur këtë shkas jo të vogël, i cili del vetvetiu që në ballafaqimin e parë themelor të dy periudhave pothuaj tërësisht të ndryshme të “Jetës së Re”, pikësëpari për një fakt kryeneç që flet shumë. Cili është ky fakt? Si ka mundësi që edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh të mos e kemi një revistë letrare që e kishim për lakmi në “kohën e belbëzimeve dhe shtërzimeve tona”!? Pra, e kishim atë atëherë kur Esad Mekuli u drejtohej me letra shkrimtarëve tanë të rinj pasi merrte prej tyre vjershën apo tregimin e parë, poende jo rrallë mësynte t`u bënte vizitë drejtpërdrejt atyre atje ku ndodheshin… Natyrisht që nuk them se treshja e sotme apo e nesërme e “Jetës së Re” duhet të mundohet kaq shumë, por them që së paku të mos lejojë të vihet në lojë shpotitëse nga interneti! Pra interneti e vuri në lajthitje këtë treshe të tashme të “Jetës së Re”, kryeredaktorin Ali D. Jasiqin, redaktorët Halil Haxhosajn e Jonuz Fetahajn. Përveç ndonjë skandali tjetër që ua solli në këmbim fotografish të ndonjë autoreje tjetër për tjetër, për sherr të internetit ata shënuan përvjetorin e “Jetës së Re” me një skandal makabër: një fragment (“Deti në gotë”) të tregimit të mbramë të Beqir Musliut “Requiem i vitit 1995”, kushtuar katër kolegëve të tij të vdekur pak para vetë autorit: Mirko Gashit, Hajdar Salihut, Anton Pashkut e Ali Musajt, këta të tre e botuan duke e paraqitur si autor këtë të fundit – Ali Musajn. Ndërkaq autorin e vërtetë të kësaj proze të shkëlqyeshme e paraqitën me dy poezi që enden kaherë ndër faqe të ndryshme fatkeqe të internetit.

11/11/2009

(Huajtëm nga:www.mekulipress.com)



Dërgoi:Kadri Mani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi