Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kolec Traboini: Ndoc Gjetja - Poeti me fytyrë Krishti

Shko poshtë

Kolec Traboini: Ndoc Gjetja - Poeti me fytyrë Krishti Empty Kolec Traboini: Ndoc Gjetja - Poeti me fytyrë Krishti

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 12, 2010 2:54 am

Kolec Traboini: Ndoc Gjetja - Poeti me fytyrë Krishti U1_NdicGjetja-portret
9 Mars 1944 - 7 qershor 2010
NDOC GJETJA- POETI ME FYTYRE KRISHTI
Nga KOLEC TRABOINI
Ndoc Gjetja eshte(nuk mund te perdorim kurrsesi pas dates 7 qershor 2010 kohen e shkuar te foljes), eshte pra nje prej poeteve me prane shpirtrave njerezore ne poezine shqipe bashkekohore, apo sic e ka cilesuar nje studiues, poeti qe di me cdo varg ti bjere bukur tastieres se humanizmit. Ai kete fryme e timber te zerit te vet kurre nuk u rrek t’a tradhetonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve te veta, si nje orakull, ai vazhdoi te shkruaj deri ne dite te fundit me ate sinqeritet sic u shfaq aq i befasishem kur ishte vec se nje gjimnazist ne Lezhe. Poezi e thelle, e ndjere, poezi ne te cilen rrefehet bota e njeriut, intimiteti, mardheniet njerezore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ardhja e tij ne letersi shenoi disi renien morale te shkelqimit te improvizuar te poeteve qe perbenin triumviratin monist te letersise, te cilet, vertete dinin te thurnin vargje, i kishin derguar edhe jashte per studime zhdanoviane, per te qene keshtu “poete oborri”, sic i klasifikonte Frederik Rreshpja, por ketyre te kreut u mungonte sinqeriteti poetik. Shkruanin ca poema per ca shqiponja qe flututonin lart, kur shqiptari zvarritej si krimb baltrave here mbi dhè e here nen dhè. Shkruanin per ca ugare e baltra krenare, per ca qytete industriale, per celik, hekur e beton, e keto i shpalosnin ne faqe gazetash me nje krenari te shpifur, nderkohe poetet qe revoltoheshin si ndaj sistemit te dhunes por dhe imponimit krijues, pergjunjeshin, dhunoheshin, madje edhe pushkatoheshin si Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi, Genci Leka dhe Havzi Nelaj. Ata, te medhejt e dikurshem, edhe sot e ruajne xhelozisht prijtarine fodulle ne poezine shqipe me patericat e nje te huaji qe e njeh gjysem globi larg poezine shqipe, kritik qe ka bere riklasifikimin e poeteve elitare konformist krejt ngjashem me cfare e shiste si lakra tregu i realsocit. Po fundja le ta falenderojme edhe per kete, kritikun e huaj, se po na i mban me berihaj rosinantet e poezise se monizmit, kasnecet letersise se diktatures qe sot kane dale ne publik me nje luk te ri. Por me kot. Se vertete njerezit e shihnin Konstandinin qe ja kish shaluar rrases se varrit si kale, por edhe eren e baltrave te varrit ja ndjenin.Dhe thonin, ky kalores egershan nuk eshte i gjalle, eshte i vdekur, shkon i vdekuri me te gjalle, shkon i gjalli me te vdekur.
Natyrisht, kushdo qe ka patur ambicjen per te fituar emrin poet asokohe te perdhuneshme, ka paguar haracin e konformizmit. Keq apo mire, me dashje apo pa dashje duhej ti kendonte nje kenge lavderuese tiranise cdo autor, por ketu nuk eshte fjala per haracin qe paguhej me imponim, por per perjargjet e atyre qe nen shembellesen e diktatorit te madh, si te ishin marioneta teatri kukllash, benin diktatorin e vogel ne koperativen e shkrimtareve bolshevike.
Edhe Ndoc Gjetja e pagoi haracin e vet historik. Por nderkohe ai ne teresine e tij mbeti poet i vertete. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezise marciale te krereve te letersise, kerkonte tek njeriu, tek perjetimi, tek intimiteti, tek ndjesite e mira e te bukura. Ajo poezi u be fort e dashur per lexuesit. Fale kesaj, Ndoc Gjetes i mbeten nga koha e krijimtarise nen regjimin monist, shume me teper poezi se sa atyre qe prodhonin me shumice per te mbushur depot e propogandes komuniste me vepra qe i imponoheshin popullit brenda dhe, fale parave pa kursim qe jepte regjimi, tollombacja e kuqe fryhej edhe jashte shtetit, packa se deri me sot, askush nuk ka marre persiper te beje nje hulumtin se sa para jane vene nga rregjimi monist qe letersia realsocit te “cante bllokaden” imperialisto- revizioniste.
Megjithe fryrjet qe u beheshin agjitatoreve te letersise se partishme, te cilet zinin vend ne tribuna, kongrese e kuvende krahas krereve te diktatures, ata nuk i shpetonin dot sfidave nga brenda. Nje sfide ishte Kasem Trebeshina. Nuk e lane nje cast te lire por e kalben burgjeve e veprat ja dogjen me vendim te gjykatave te ashtuquajtur popullore.
Se te gjitha, edhe mbjellja e tokave me kokalla, ne emer te popullit behej. U shfaq si meteor Bilal Xhaferri. Plasen ta hiqnin nga udha e letersise, ku dikujt i bente hije mesadukej, sa nje Fadil Pacram qe bente edhe partine edhe letersine( por e pesoi nga te vetet), e anatemoi Bilal Xhaferrin publikisht, sa e degdisi te arratisej. Por edhe atje larg ne Cikago e gjeten ne vitin 1987 - vdekja enigme qe pikelloi artdashesit por gezoi jerarket e letersise moniste, qe vollen vrer ndaj tij.
Krijimtaria e Frederik Rreshpes e Ndoc Gjetjes bashkuar me ate te Jorgo Bllacit e ndonje tjeter, ishin gjithashtu sfida qe ju be poeteve te elites se diktatures. Frederikun pesimist e te zymte qe guxoi te flase, e burgosen, Jorgo Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin qe kendonte per njeriun e “vogel”, rrethanorin, e mbajten prane duke e konsideruar nje poet provincial i parrezikshem. Por duhet thene se Ndoc Gjetja, pavaresisht nje fare konformizmi, per shkak te fatalitetit te lindjes nen diktature, kurre nuk e kishte toleruar kerkesen ndaj artit te vertete. E vune te drejtonte nje reviste te vogel me titull “Ekran” rreth te ciles mblidheshin me se shumti krijuesit e filmit dhe teatrit. Keshtu poeti lezhjan, por i lindur ne Berdice te Shkodres mbijetoi.
Ne vere te vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjend ne nje kurs ne Athine dhe me te thuajse takohesha perdite. Koha kish bere te veten, tranzicioni ne vend qe t’a shpetonte po e shkatrronte njeriun. Poetet e ndjenin veten te braktisur. Shoqeria shqiptare ne nje marramendje prej te dehuri, nuk donte te dinte ne kishte shkrimtare. Shteti i shkerrmoqur nuk merrej as me poetet e as me lypsit e, cfare eshte me e keqja, i konsideronte te nje rangu te dy palet, sepse rendonin buxhetin qeveritar me asistenca sociale.
Nje punonjes administrate mund te bridhte gjithe boten, politikanet i benin pushimet ne Dubai, ndersa poetet thuajse vdisnin per buke. Te shisje banane e paketa cigaresh neper rruge ishte e zakoneshme per krijuesit. Kohe tranzicioni, kohe e pameshirshme e mizore. Ndoc Gjetja fliste me vete i terhequr ne boten e tij,... e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerezore, sic gjithmone i kish ndjere e vuajtur ne shpirtin e tij. Ja si u rrefehej lexuesve te vet: Tridhjete vjet e shtrylla talentin/ ne nje nga zyrat e shtetit monist/me kepuce te vjetra e pershkoja qytetin/ dhe gjithe njerezit i doja si Krisht.
Kohet ishin diametralisht te kunderta, por thelbi i vuajtjes njerezore mbeti, vec ne trajta e forma te reja: O koha tranzicioni, kohe bishtdhelpre! /Si te rane brakushet keshtu poshte kembeve!/Une po shkoj te mbyllem ne Monastrin e Vetes/derisa te kryesh jashteqitjen tende.
Tek bisedonim ne nje kafene verore, prane sheshit Omonia ne Athine ne nje dite te bukur qershori, i shpreha deshiren t’i beja nje cikel fotografish per fondin tim fotografik,por edhe per ti botuar ne gazeten “Egnatia” bashke me poezite e tij. Keshtu kam vepruar me miqte e mi gjate viteve te mergimit ne Greqi: Aristidh Kolec Traboini: Ndoc Gjetja - Poeti me fytyrë Krishti U1_2Kolia, Ndoc Gjetja, Robert Alia- Dragot, Mimoza e shoqja, Gazmend Kapllani, Zhaneta Ogranaj, Pilo Zyba, Genc Cobani, Englantina Kume, Marita Vuksani, Rajmonda Diamanti. I fotografoja, i botoja ne gazete si dhe ne albumin poetik te emigranteve por edhe i ruaja ne arkivin tim. Vjen nje kohe qe edhe fotografite si vere e vjeter cmohen, marrin vlera te reja, sepse jane imazhe te nje kohe qe kurre nuk kthehet me. Po a do te me nxjerresh mire, me pyeti Ndoci, tek pinte cigare i menduar. Atehere ju ktheva e i thashe, se ne mos mbetet i kenaqur Poeti, e ne mos e nxjerrsha ne portret si Krisht, do ta thyeja aparatin fotografik qe sapo e kisha blere ne Monastiraq.
Fotografite dolen te bukura e Ndoci i pelqeu ato. Madje njeren nga fotot e vuri ne kopertinen e librit te vet me poezi.
Qe nga 1993 e sot kane kaluar mjaft vite. Per Ndoc Gjetjen vazhdoi kalvari i mundimeve qe e beri fytyren e tij akoma me te pervujtun. Ata qe e paten pasuar ne Lezhe e qe perbenin te ashtuquajturen “shkolla poetike lezhiane”, njeri i hyri politikes, tjetri diplomacise e nje tjeter ate te keshilltarit te kryeministrit te vendit, duke e lene disi nen hije veprimtarine poetike, per t’i bere vend karieres qe sjell mireqenie dhe fame publike ne media. Ndersa Ndoci po ai. Madje akoma me keq, u largua nga Tirana e u kthye ne vendlindje.
Gjate dhjetevjecarit te fundit i ndodhur ne Amerike, kam degjuar per poetin prej miqeve tane te perbashket si Elinda e Pjeter Jaku, te cilet paten miresine te me dergonin vellimin poetik te Ndoc Gjetes “Dhjata ime” botim i vitit 1998, te cilit ja kushtonte me pikellim te birit te vet Renit i vrare ne moshe te re. Edhe shkrimtari Kujtim Dashi me ka folur per fatin e trishtueshem te Ndoc Gjetjes.
Tragjedia ne jeten e poetit ishtekryer e kjo ndjehej jo vetem ne terheqjen e tij jashte vemendjes publike, por edhe ne poezine e tij me tone pikellimi. Artistet e medhej edhe tragjedite e dhembjet i kane te medha, ndaj dhe veprat e tyre jane aq mbreselenese dhe tronditese, sepse artistet nuk qajne me lote, qajne me shpirt e qajne me art, me nje art qe e tejkalojn jeten e nje njeriu, per tu rrokur ne shpirtrat e brezave te tjere.
Mortja s’ka cfare u ben poeteve, artistet e medhej kane lindje, por vdekja u harrohet. Ndaj them se, kushdo qe e ka njohur poetin dhe poezine e tij, e di mirefilli se Ndoc Gjetja, si me pare edhe me pas, mbeti poeti qe shkroi poezi per boten shpirterore te njeriut,… dhe vete ai ishte dhe mbeti njeriu i pervujtun, i thjeshte, i vertete, poeti me fytyren e Jezu Krishtit ne poezine shqipe.
Ajo fytyre Krishti e mbuluar me nje dhembje hyjnore, gjithmone do te kujtohet diku prane vendvarrimit te kryetrimit Gjergj Kastrioti, ku rrinte me njerez te thjeshte, te cilet mbase nuk e dinin se ai ishte dhe mbetet nje prej poeteve me ne ze te letersise se sotme shqipe, zeri me njerezor.
KOLEC TRABOINI
8 qershor 2008 - 7 qershor 2010
Ndoc Gjetja lindi me 9 mars 1944 ne fshatin Berdice te Shkodres e ndrroi jete me 7 qershor 2010. Kur ishte shtate vjec, prinderit e tij u vendosen me banim ne Lezhe. Ne vitin 1970, filloi te botoje poezite e para. Merret vetem me poezi. Eshte autor i disa vellimeve poetike dhe ne menyre te padyshimte nje prej poeteve me ne ze te letersise se sotme shqipe, zeri me njerezor.
____________
NDOC GJETJA
AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.
Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.
Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.
Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.
Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.
Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.
Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.
Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.
Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.
Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.
EPITAF PER VETEN
Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke
Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
zuri syte me dore dhe vendosi te ikte.
Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
...Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.
Ne castin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri "Nene"
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.
LUTJE
O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
Na ruaj nga shendeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.
na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes
na ruaj nga preardhja prej shimpanzese
na ruaj nga thyerja e timonit te krese.
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit.
na ruaj perdite nga ftohja e miqesive
na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve
une ruhem vete o Zot nga i ligu
por ti me ruaj nga shoku dhe miku.
DASHURISE
O perendeshe e gjithepushtetshme
e universit mashkull-femer!
Bej c'te duash me veten time
jam instrumenti yt i verber.
Ne jete me solle kaq shume dhimbje
dhe shqetesime pa mbarim
po s'jam ankuar kunder teje
as me goje e as me shkrim.
Te jam nenshtruar e te nenshtrohem
gjersa ne bote te jem i gjalle
nden pushtetin tend te perbotshem
me pelqen te jem skllav
Ma ktheve gjuhen ne percartje
me bere plak me shpirt femije
here me hodhe qefinin kraheve
here me ngrite gjer ne yje.
Me hidh ne zjarr, ne det, ne ferr!
Me hidh ne balte, me hidh ne hon!
Vec te lutem mos me ler...
ne ate vend ku ti mungon!
ENDERR
Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar!
Mjaft u puthem e dhame perkedhelje!
Eja te hipim mbi ate re te bardhe
edhe te ikim nga kjo bote-lanete.
Do zbresim ne planetin me te afert
nuk prish pune pse je shtatzene
atje do lindim dy binjake
nje djale-yll e nje vajze-hene
Le te jete planeti pa nje frymor!
Te kete vec ujera, pyje, lendina
Me puthjet tona do krijojme
nje popull te madh sa Kina.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi