Dino Kaja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mediat e viteve 1880-1912
Faqja 1 e 1
Dino Kaja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mediat e viteve 1880-1912
Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mediat e viteve 1880-1912
Nga Dino Kaja
Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është figura mitike që i kalon kufijtë gjeografikë natyralë të shqiptarëve. Ai është njeriu largpamës, politikani dhe ushtaraku vizionar i shqiptarëve dhe jo vetëm. Lufta e tij ekstreme e fitimtare për mbrojtjen dhe vetëvendosjen e popujve e të sovranitetit të tyre tokësor, ngelen parime mbi të cilat frymëzohet edhe sot e kësaj dite e drejta ndërkombëtare. Ai që kishte ditur të ndryshonte kursin e Shqipërisë së tij, duke parë flamurin shqiptar mbi kështjellën stërgjyshore, iu prezantua botës perëndimore si mbrojtës i padiskutueshëm i vlerave të qytetërimit, duke garantuar të përzinte invazionet e përsëritura të turqve përtej Ballkanit, të siguronte një periudhë të gjatë qëndrueshmërie e stabiliteti për Evropën dhe Italinë e Rilindjes. Me figurën e kryetrimit historik të shqiptarëve janë të lidhura të gjitha fraksionet, pa dallim bindjeje politike apo fetare, ndaj edhe vlerësimi për këtë figurë është maksimal dhe në mënyrë të pakontestueshme nga të gjithë shqiptarët. Periudha ndërmjet viteve 1880-1912, është koha që njihet edhe si periudha e “Lëvizjes Kombëtare”, ndaj nevoja për të parë të shkuarën, vetëdija kombëtare, i shtynë ideologët e Rilindjes të nisnin një fushatë intensive në shtypin shqiptar për njohjen e Skënderbeut, si model heroi dhe mbreti. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte frymëzimi shpirtëror i mbarë lëvizjes kulturore, politike e ushtarake të kësaj periudhe. Si mjetin e vetëm të komunikimit të shpejtë dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë me shqiptarët, gjatë periudhës së Rilindjes, ideologët e kohës përdorën shtypin e shkruar. E vetmja që ka realizuar një botim unik në llojin e vet për figurën e Skënderbeut, në shtypin e kohës gjatë Lëvizjes Kombëtare, është bibliografja Liljana Verdho. Ky botim është prezantuar dy vjet më parë në Prishtinë dhe Tiranë, me rastin e 130-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Ky shkrim na tregon se si e ka trajtuar shtypi figurën e Kastriotit, jo vetëm në periudhën e Rilindjes (1880-1912), por edhe në ditët e sotme.
Skënderbeu në shtypin e Rilindjes Kombëtare (1880-1912)
Debatet më të mprehta për flamurin, pasardhësit e Heroit Kombëtar të pasqyruar në shtypin e kohës përfshinë ideologët e viteve 1880-1912, të poziciononin për herë të parë historinë e polemizuar, para epokës dhe në kohën e Skënderbeut. Fjalimi unikal i Nolit në Boston, polemika mes Mid’hat Frashërit dhe Kristo Floqit për flamurin kombëtar, do të arrinin kulmin me artikujt e shkruar në gazetën “Dielli” nga Faik Konica. Për shkak të qenies nën perandorinë otomane, deri në këtë periudhë kohe ishte folur shumë pak për Kastriotin. Duke e ndjerë si imperativ të kohës ngritjen lart të figurës së tij dhe nevojës për t’u bashkuar rreth një miti të kthyer në legjendë, Fan Noli në fjalimin e tij të famshëm përpara shqiptarëve të Bostonit, fjalim i botuar në gazetën “Dielli” të shoqërisë “Vatra”, midis të tjerash thotë: “Të vetmen shenjë të kombësisë që na ruajtën nënat është gjuha. Të tëra të tjerat i kemi marrë prej syresh të mutiluara (gjymtuara), ca gjëra s’i kemi marrë fare. Përrallat e trimërisë shqiptare në luftën e tmerruar kundër Turqisë, kujtimin e madh të mbretit tonë të fundmë, shpresën e një përlindjeje kombëtare. Cilat nga nënat shqiptare na rrëfeu legjendat e Skënderbeut? Cila na këndoi përpara vatrës balladat kohrëse të historisë kombëtare? Cili na mori përdore që të na tregojë fushat ku luftuan shqiptarët dhe mundën a u mundnë? Mjerë ne? Emri i Skënderbeut gjer dje ish si një emër i huaj për të gjithë shqiptarët. Asnjë këngë popullore për këtë mbret trim si Aleksandri i Madh, diplomat si Louis-i IX. Asnjë vjershëtor s’e këndoi, asnjë nënë s’e vajtoi, asnjë çilimi s’u përlot dhe s’u ndez duke dëgjuar trimëritë e tij. Njeri s’tregon Krujën që luftoi, njeri s’vete të falet në Lesh (Lezh) ku vdiq. Po fle i harruar dhe i neveritur dhe emri i tij ngashëron vetëm ca idealistë shqiptarë ekscentrikë, jashtë kanunit, jashtë fesë, masone të nëndheshme, vagabondë kokë-prishur, në vend që të jetë ushqim mendor i gjithë kombit. Kuptoni tani që s’ka ironi më të madhe se sa të flasim gjuhën shqipe dhe të mos dimë emrin e shqiptarit që e foli. Po jo! Besa lajthim, se e dimë se çfar është.….! A ka blasfemi më të tmerruar nga an’ e Turqve të cilët dridheshin për 25 vjet kur dëgjonin emrin e mbretit tonë, a ka helm më të fortë për djalërinë shqiptare që thithin nëpër shkollat e armikut me prizmin për racën e tij? Ta mproj Skënderbenë nga këto ç’pifje? Jo, se s’jam i marrë. Po më duhet që s’duhet ta lë këtë rasje (rast) pa ju dhënë një shembull të vogël të mëdhështis kombëtare”. Ky fragment nga fjalimi i famshëm i Fan Nolit në Boston për Skënderbeun, na kujton se sa e vakët ishte përcjellja gojore dhe shkrimore nga ajo kohë për heroin tonë.
Zbrazëtia që na krijon mesjeta
Mesjeta është pjesa e errët e historisë sonë. Çështjet shqiptare para principatave thuajse nuk përmendet fare në shtypin kombëtar. Ajo që është e trishtë nga mesjeta jonë, është errësira e fakteve, e dëshmive historike. Ka qenë çështje vetëdijeje kombëtare, zgjim ndërgjegje, por dhe nevojë e brendshme për të pasur modelin e mbretit, që i shtynë ideologët e Rilindjes të nisnin për herë të parë një lëvizje të fuqishme për të treguar heroin. Shtypi i kohës në vitet 1880-1912, do të mbahet mend për intensitetin e shkrimeve dhe artikujve të botuar jo vetëm në çështje të mendimit, por dhe nevojën për t’iu kthyer së shkuarës, si një pjesë e historisë për vizionin e së ardhmes. Duke krahasuar listën bibliografike të periodikut si dhe titujt e gazetave e të revistave, që dihet se janë botuar gjatë periudhës së Lëvizjes sonë Kombëtare, del se nuk është shfrytëzuar i gjithë shtypi, sepse nëpër bibliotekat tona kanë munguar disa gazeta dhe revista si edhe numra të veçantë të tyre. Figura e Skënderbeut dhe epoka e tij nuk kanë pasur të njëjtin pasqyrim në organet e ndryshme të shtypit kombëtar, për të cilat kanë ndikuar faktorët politikë të shteteve, ku janë botuar gazetat e revistat me karakterin dhe drejtimin që ka pasur shtypi në këtë periudhë kohe.
Shtypi i huaj për Skënderbeun
Ruajtjen dhe kujtimin për Skënderbeun te shqiptarët e kanë dëshmuar edhe shumë autorë të huaj, të shquar si: Montenjë, Ronsardi, Bajroni etj. Poeti italian i shek. XVI, Baldasar Skarameli ka lënë për kujtimin e Skënderbeut një dëshmi vetjake shumë të rëndësishme. Ai ka shkruar se në vitin 1583, duke udhëtuar në një anije bashkë me pasagjerë të tjerë nga Kreta në Venedik, i zuri furtuna dhe zbritën në tokën shqiptare, ku u pritën me bujari. Ai rrëfen se këtu, si dhe gjatë udhëtimit nëpër Maqedoni, Thesali e Greqi, e gjeti të gjallë kujtimin e luftës e të betejave fitimtare të Skënderbeut. Ndërsa në vitin 1706, pashai i Shkodrës, Mahmut Baziklia pretendonte se ishte pasardhësi i Skënderbeut dhe donte të imitonte veprat e tij. Kjo ishte një pasqyrë që e jepte gazeta “La Nazione Albanese”, e vitit 1908. Në faqet e shtypit mbi këtë epokë gjithashtu merret polemika, drejtazi dhe tërthorazi, duke arritur në debatin më të veçantë që ka të bëjë me pretendentët e fronit të Shqipërisë, midis Aldaro Kastriotit e Albert Gjikës, ku Aldaro Kastrioti u propagandua si pasardhës i Kastriotëve.
Ndikimi i shtypit në lëvizjen për çlirim kombëtar
Shtypi i Rilindjes konsiderohet nga bibliografia, për të dhënat me vlerë shkencore për disa çështje të jetës së Skënderbeut dhe të epokës së tij. Janë shkruar gojëdhëna, toponime për Heroin, shënime bibliografike për vepra dhe autorë të rëndësishëm që kanë shkruar për të etj. Në kushtet e zhvillimit të Lëvizjes për krijimin e shtetit kombëtar, interesimi i shtypit shqiptar për temën e Skënderbeut ka ndikuar për forcimin dhe organizmin në një shkallë më të lartë të lëvizjes për çlirim kombëtar, për rrugën nëpër të cilën duhej të kalonte kjo lëvizje. E gjithë lënda e periodikut na orienton edhe si lëndë burimore për studimin e epokës së Skënderbeut. Përveç artikujve dhe shkrimeve historike janë botuar gjithashtu gojëdhëna për Skënderbeun dhe për personazhe të tjerë historikë të shek. XV, njoftime bibliografike për vepra historike, si dhe krijime letrare e artistike kushtuar heroit. Është fakt se kjo periudhë e periodikut shqiptar, si lëndë burimore, ndryshe nga ato që janë mbledhur më vonë në mjediset shqiptare, ka vërtetësi historike sepse nuk është ndikuar nga synimet politike dhe propagandistike. Dëshmitë folklorike që janë botuar nëpër faqet e shtypit kombëtar, pothuajse kanë mbetur të panjohura. Prej tyre është shfrytëzuar vetëm ajo pjesë që është botuar në revistën “Albania” gjatë vitit 1905, të cilat mesë shumti u përkasin toponimeve. Këto e kanë njohur përmbledhjen e parë nga Shtjefën Gjeçovi me pseudonimin Lkeni i Hasit dhe me titullin “Gjergj Kastrioti Skanderbegu” dhe “Gojëdhanat e popullit t’Kurbinit e t’Krumës nga Lkeni i Hasit. Por mjaft emra që shkruan në shtypin e kohës së Rilindjes për Skënderbeun janë ende të panjohur, për shkak se ata shkruanin me pseudonime.
Në vargun e ideologëve e të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare, që kanë botuar poezi për Skënderbeun në shtypin e kohës janë: Jeronin De Rada, Gavril Dara, Naim Frashëri, Jani Vreto, Visar Dodani, Murat Toptani, Asdreni etj. Ndërsa artikuj dhe shënime historike për Skënderbeun nëpër faqet e shtypit kombëtar kanë shkruar: Faik Konica, Filip Shiroka, Mid’hat Frashëri, Fan Noli etj. Por në krye të listës që ka shkruar më së tepërmi për Skënderbeun ka qenë Faik Konica, në gazetën “Albania”. Konica ka bërë të njohur për lexuesit e shtypit shqiptar emrat e personaliteteve të kulturës evropiane që kanë shkruar e që kanë vlerësuar heroin tonë kombëtar. Në gazetën “Dielli”, 16 shtator 1915, Mid’hat Frashëri tërhiqte vëmendjen e disa mangësive që kemi ne si komb, të cilat duhen shmangur me qëllim që të mbijetojë dhe zhvillohet Shqipëria. Një nga çështjet që ka ngjallur shumë debat në shtypin e kohës ka qenë dhe flamuri i Skënderbeut dhe flamuri kombëtar, dhe kjo u bë më acaruese kur debatet u lidhën me personat që kanë pretenduar fronin e Shqipërisë. Kjo është debatuar gjerësisht në revistën “La nazione Albanese”, në vitin 1897. Përbri titullit dhe në çdo numër të gazetës “Flamuri”, botuar në 1910-ën në Boston nga Faik Konica, është shkruar: “Lavardin-i, te Historia e Gjergj Kastriotit, të emëruar Skënder Be, mbretit të Shqipërisë, të botuar për herë të parë në Paris, në 1576-ën shkruan: “Nën flamurët e tij, të cilët ishin të gjithë të kuq, Skënder Beu, kish një shqiponjë të zezë me dy krerë”. “Si flamur kombëtar i shqiptarëve është ai që ka pasur Skënderbeu, flamuri i kuq me shqipen e zezë me dy krerë”, (shkruhet në gazetën “Albania”, në artikullin “Flamuri Kombëtar i Shqiptarëve”, Bruksel, 1910).
Debati
Në shtypin e kësaj kohe është një debat i gjatë midis Mid’hat Frashërit dhe Kristo Floqit, ndërkohë kundër pretendentëve për fron, si trashëgimtarë të Skënderbeut, shkruan edhe shkrimtari francez Apoliner, duke botuar një artikull në gazetën e Parisit, “Tre princa të rremë të Shqipërisë”. Për Skënderbeun dhe kohën e tij, numri i artikujve dhe studimeve letrare zë rreth 500 njësi bibliografike, ku numri i autorëve shkon rreth 130, të cilët shkruan artikuj letrarë dhe studime mbi epokën e Skënderbeut.
Shumë shkrime janë poezi, prozë, sonete e ninulla, duke sjellë dhe evokuar të shkuarën, por në disa raste janë të shoqëruar dhe me gravura dhe portrete, që japin një interes të veçantë për studiuesit. Në fondin e Bibliotekës Kombëtare ndodhen rreth 65 tituj gazetash dhe revista, të cilat janë të botuara në Shqipëri, si dhe në kolonitë shqiptare në Bullgari, Rumani, Egjipt, Amerikë, Itali etj. Për ta bërë më të qartë çështjen shqiptare, shumë gazeta artikujt e tyre i botonin në dy gjuhë, në gjuhën e vendit përkatës dhe në gjuhën shqipe. Qëllimi i tyre ishte për ta ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, që ishte në fazën e shkëputjes nga Perandoria Osmane. Emri dhe flamuri i Skënderbeut i priu shqiptarët edhe pas pushtimit osman në përpjekjet e tyre shekullore për liri e pavarësi. Ai u bë simbol i qëndresës dhe fitores mbi armikun dhe frymëzoi shqiptarët në kryengritjet e shekujve XVI-XVIII dhe në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare.
Gazeta Shqiptare - Për ZSH: Gjergj Kabashi
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Epoka e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut
» Gjergj Kastrioti Skenderbeu – Dokumentar video
» Tajar Zavalani: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu
» Jahja Drançolli: A ishte kurorëzuar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu për Mbret?
» Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Mbreti i Shqiptarëve - Dokumentar
» Gjergj Kastrioti Skenderbeu – Dokumentar video
» Tajar Zavalani: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu
» Jahja Drançolli: A ishte kurorëzuar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu për Mbret?
» Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Mbreti i Shqiptarëve - Dokumentar
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi