Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ISG shpërfill ankesën e Haradinajt, zgjedhjet më 2011

Shko poshtë

ISG shpërfill ankesën e Haradinajt, zgjedhjet më 2011 Empty ISG shpërfill ankesën e Haradinajt, zgjedhjet më 2011

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 28, 2009 1:35 am

ISG shpërfill ankesën e Haradinajt, zgjedhjet më 2011


Nga Express më 27.02.2009 në ora 17:43


ISG shpërfill ankesën e Haradinajt, zgjedhjet më 2011 Fisnik.dobreci_pieter_feith-490x320
Pieter Feith (Foto: Fisnik Dobreci)



Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën (ISG) i ka dhënë sot përkrahje konkluzionit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, që t’u lejojë institucioneve qendrore të Kosovës, që të përmbushin mandatet e tyre në përputhje me Kushtetutën, duke pohuar se një gjë e tillë është në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.

Kështu, ISG hedh poshtë ankesën që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte bërë ndaj “interpretimit” që i kishte bërë Feith Planit të Ahtisaarit, ku thuhet se zgjedhjet duhet të mbahen 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave.

“ISG-ja shpreh mbështetjen e vet të plotë ndaj përpjekjeve të ndërmarra nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) z. Pieter Feith dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Gjatë vitit të fundit, ata kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin duke mbështetur dhe mbikëqyrur zbatimin e PGjS-së nga autoritetet Kosovare dhe duke u ndihmuar këtyre autoriteteve në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumetnike. Në këtë kontekst, ISG-ja mbështet konkluzionin e arritur nga ICR-ja se vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës që t’u lejojë institucioneve qendrore të përmbushin mandatet e tyre në përputhje me Kushtetutën është në pajtim me PGjS-në”, thuhet në Deklaratën e lëshuar pas takimit të shtatë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, që sot u mbajt në Vjenë të Austrisë.

Në takimin në Vjenë gjithashtu është lavdëruar qeveria e Kosovës për përpjekjet e saja për të fuqizuar strukturat e sundimit të ligjit, përfshirë këtu përparimin e bërë sa i përket themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë sipas agjencisë KosovaLive, përfaqësuesit e ISG-së janë dakorduar gjithashtu që shpërbërja e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës duhet (TMK) të ndodhë në mënyrë të dinjitetshme dhe të bëhet në koordinim me gjithë faktorët relevantë në Kosovë.

Ministri Mujota fillimisht ka falënderuar të gjitha shtetet që kanë ndihmuar ndërtimin dhe ngritjen e FSK-së, posaçërisht Aleancën Veriatlantike dhe KFOR-in, për disejnimin dhe udhëheqjen e këtij procesi shumë të rëndësishëm.

Në fjalën e tij, ministri Mujota njoftoi pjesëmarrësit për zhvillimet në Kosovë një vit pas pavarësisë, ndërtimin e kapaciteteve shtetërore në fushën e sigurisë dhe ndërtimin e Ministrisë dhe ngritjen e FSK-së. Për këtë të fundit, Mujota tha se është forcë profesionale, multietnike dhe në funksion të paqes e sigurisë në vend e rajon.

“Jemi të inkurajuar me mbështetjen konkrete të qeverive të shteteve mike dhe gatishmërinë e tyre për të vazhduar në këtë drejtim”, tha ai.

Vëmendje e posaçme në këtë takim i është kushtuar procesit të shpërbërjes dhe trajtimit të pjesëtarëve të TMK-së që nuk kanë kaluar në FSK. “Ishte vlerësim i përbashkët se ky proces duhet të përmbyllet me dinjitet dhe me bashkëpunim të të gjithë faktorëve”, u tha në takim.

Takimi u mbajt nën kryesimin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, ndërsa shtetet pjesëmarrëse u përfaqësuan në nivel të Drejtorëve Politik të Ministrive të Jashtme dhe Ambasadorëve, në mesin e të cilëve Steward Jones - drejtor Politik për Ballkanin nga Departamenti i Shtetit amerikan, Larry Rossin - zëvendës asistent i Sekretarit Gjeneral të NATO-s z. Jap De Hoop Scheffer, drejtori Politik për Evropën juglindore nga Ministria e Jashtme e Austrisë.


DEKLARATA E ISG-së

1. Grupi Ndërkombëtar Drejtues (ISG) i uron popullit të Republikës së Kosovës përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës. Kosova ka bërë një përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS) dhe është e përkushtuar qartë për të shkuar më tej në rrugën e saj të integrimit Euro-Atlantik. ISG-ja ripohon bindjen e saj se pavarësia e Kosovës i kontribuon paqës dhe stabilitetit rajonal. Gjatë vitit të saj të parë, Kosovo e ka konsoliduar veten si një anëtare të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare të shteteve. ISG-ja mirëpret përpjekjet e institucioneve shtetërore për të promovuar gjithëpërfshirjen, sundimin e ligjit dhe transparencën në qeverisje dhe u bën thirrje atyre që të vazhdojnë më tej me këto përpjekje në mënyrën më të vendosur dhe efikase, në dobi të të gjithë banorëve të Kosovës.

2. Po ashtu, ISG-ja e lavdëron Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e saja për të fuqizuar strukturat e sundimit të ligjit, përfshirë këtu përparimin e bërë sa i përket themelimit të një Gjykate Kushtetuese. Duke nënvizuar rëndësinë e madhe që ajo i kushton pjesëmarrjes dhe promovimit të komuniteteve pakicë, ISG-ja mirëpret gatishmërinë e Qeverisë për t’u shtrirë dorën këtyre komuniteteve dhe për të miratuar legjislacion që përgatit terrenin për vetëqeverisjen lokale. ISG-ja e mirëpret dialogun e drejtpërdrejtë.

3. Pavarësisht përparimit që tashmë është arritur, ISG-ja vë në dukje se ka sfida të rëndësishme përpara nesh. Prandaj, ISG-ja, i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i intensifikojë përpjekjet e saj për realizimin e një decentralizimi efektiv të strukturave qeverisëse në përputhje me PGjS-në, që t’i mbrojë në mënyrë efektive trashëgiminë fetare dhe kulturore, të promovojë pajtimin, t’u sigurojë arsimim të gjitha komuniteteve, të nxisë kthim të qëndrueshëm, të përshpejtojë reformat ekonomike – mes të tjerash përmes privatizimit të ndërmarrjeve publike kryesore bazuar në përgjegjshmëri të plotë – dhe të sigurojë një proces transparent të emërimit në bordet e ndërmarrjeve publike dhe në postet tjera kyçe, siç parashihet në PGjS.

4. ISG-ja shpreh mbështetjen e vet të plotë ndaj përpjekjeve të ndërmarra nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) z. Pieter Feith dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Gjatë vitit të fundit, ata kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin duke mbështetur dhe mbikëqyrur zbatimin e PGjS-së nga autoritetet Kosovare dhe duke u ndihmuar këtyre autoriteteve në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumetnike. Në këtë kontekst, ISG-ja mbështet konkluzionin e arritur nga ICR-ja se vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës që t’u lejojë institucioneve qendrore të përmbushin mandatet e tyre në përputhje me Kushtetutën është në pajtim me PGjS-në.

5. Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) falënderon Shkëlqesinë e Tij, z. Fehmi Mujota, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, që iu drejtua sot anëtarëve të këtij grupi. Themelimin i Forcës së Sigurisë së Kosovës më 12 janar 2009 është një arritje e konsiderueshme që sjell përgjegjësi të reja dhe të rëndësishme për autoritetet e Kosovës. ISG-ja e vlerëson përkushtimin e shprehur nga Ministri për të siguruar që Forca e Sigurisë së Kosovës, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS), do të jetë një forcë profesionale, shumetnike dhe e gatshme të kryejë funksionet që i janë caktuar nën kontrollin demokratik.

6. ISG-ja e mirëpret publikimin në faqen e internetit të ICO-s (http://www.ico-kos.org) të një Matrice të azhurnuar për Zbatimin e Misionit të ICO-s, në të cilën paraqiten hollësi lidhur me përparimin e konsiderueshëm të bërë në zbatimin e PGjS-së që prej pavarësimit të Kosovës. ISG-ja posaçërisht mirëpret përparimin e rëndësishëm të arritur në konsolidimin e sektorit të sigurisë, miratimin e kornizës legjislative për reformën e mëtejshme, përfshirë edhe atë të ekonomisë, si dhe legjislacionin për mbrojtjen e komuniteteve pakicë dhe trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi