Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Si u anulua goditja atomike mbi Sazan

Shko poshtë

Si u anulua goditja atomike mbi Sazan Empty Si u anulua goditja atomike mbi Sazan

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 30, 2010 3:42 pm

Si u anulua goditja atomike mbi Sazan 22f9df36a84a6ca094f7f17427b4423c-490x320


Si u anulua goditja atomike mbi Sazan
Shqipëria duhej "të zhdukej nga faqja e dheut" me goditje bërthamore për faktin se në këtë vend ishin instaluar pajisje sovjetike kundër-raketë. Të paktën kështu ishte planifikuar deri në shkurt të vitit 1961 në SHBA. Por, drejtues të administratës demokrate të John F. Kennedy, që kishin ardhur në pushtet në këtë vit, njohën dhe kontrolluan planet e paraardhësve dhe Kennedy e anuloi planin.

Nga Express më 30.08.2010

Shqipëria duhej "të zhdukej nga faqja e dheut (to wipe out)" me goditje bërthamore për faktin se në këtë vend ishin instaluar pajisje sovjetike kundër-raketë. Të paktën kështu ishte planifikuar deri në shkurt të vitit 1961 në SHBA. Ndërkohë, Enver Hoxha po bëhej gati të dëbonte sovjetikët nga baza ushtarake detare e Vlorës (gusht 1961). Drejtues të administratës demokrate të John F. Kennedy, që kishin ardhur në pushtet në vitin 1961, u njohën dhe kontrolluan planet e paraardhësve. Fred Kaplan në librin e tij "Magjistarët e Armagedonit" (The Wizards of Armageddon) tregon për tronditjen e sekretarit të ri të Mbrojtjes, Robert Maknamara (1916 - 2009) kur u informua se ishte planifikuar goditja e Shqipërisë me armë atomike. Natyrisht Kennedy e anuloi planin. Por, dhe Shqipëria dëboi bazën sovjetike dhe të bllokut lindor komunist nga Pashalimani. Po botojmë fakte të panjohura nga vitet 1960, në prag të ngjarjes, që mund të shkaktonte fillimin e Luftës III Botërore me krizën e raketave të Kubës. Por, nga kjo krizë përfitoi dhe Enver Hoxha. U shmang dhe një plan i Bashkimit Sovjetik për të sulmuar Shqipërinë një vit në pas. Por, po ndalemi në 3-mujorin e parë të vitit 1961. Janë dy ngjarje me diferencë prej më pak se dy muaj. E para ndodh në fillim të shkurtit në Uashington. E dyta në fund të marsit në Moskë. Mes të dy superfuqive të kohës ndodhet Shqipëria. Enver Hoxha shpëton në saj të aplikimit të një strategjie të re të tij: As Lindje As Perëndim. Baraslargësi mes BS dhe SHBA. Të dy i shante: të parin si "shtet socialimperialist", të dytin si "shtet imperialist". Natyrisht, superfuqive nuk u bëhej vonë për sulmet verbale të Hoxhës. Mjafton që në Shqipëri të mos kishte baza ushtarake, as të njërës as të tjetrës.

Lemeria

Historiani i njohur amerikan i Luftës së Ftohtë, Fred Kaplan shkruan se Robert Maknamara (McNamara), me t'u bërë Sekretar i Mbrojtjes, më 4 shkurt 1961, u njoh me SIOP-in (Single Integrated Operational Plan - Plani Unik i Integruar Operativ) në Komandën e Aviacionit Strategjik. Në rast të një sulmi sovjetik konvencional në Evropë ose thjesht një sulmi të ngjashëm, Maknamara mësoi se Plani 1-A i SHBA, alternativa e vetme e vërtetë për luftë të madhe bërthamore, kishte të bënte me asgjësimin e çdo vendi komunist nga Polonia në Kinë. Ai u informua më tej se, po të dëshironte presidenti, mund të kursente një ose më shumë prej këtyre vendeve. Shqipëria, më pas e angazhuar në polemika të ashpra me Moskën, do të goditej me armë atomike, thjesht, sepse në territorin e saj ishte vendosur një radar i madh sovjetik. Në librin "The Wizards of Armageddon" (Magjistarët e Armagedonit) publicisti dhe eksperti i njohur amerikan i historisë së Luftës së Ftohtë, Fred Kaplan, shkruan se "Maknamara u lemerit (was horrified)". Ai kërkoi të bëheshin përpjekje për alternativa të tjera. Në vitet 1960, Maknamara ishte në favor të mospërdorimit të armëve bërthamore, sepse, sipas fjalëve të tij të zgjedhura me kujdes, ato kërcënojnë me "shkatërrim të shteteve".

"To Wipe Albania out"

Plani 1-A i jepte Presidentit katër opsione për goditjen e parë paralajmëruese mbi Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe Evropën Lindore. Nëpërmjet Arktikut me raketa dhe avionë bombardues do të transportoheshin 3.423 armë bërthamore me fuqi gjithsej 7.847 megatonë. Mendohej të kishte rreth 285 milionë rusë dhe kinezë të vrarë, dhe miliona më shumë në Evropën Lindore. Nuk kishte të ashtuquajtura opsione të tjera më të mira në këtë plan.
Ndër objektivat e rëndësishëm ishte një instalim radari mbrojtës në Shqipëri. Komandanti i aviacionit strategjik amerikan, gjenerali Tomas Pauer (Thomas Power, 1905 - 1970), duke u përpjekur të bënte humor me mikun e tij, tha: "Epo, Z. Sekretar, shpresoj se ju nuk keni miq apo të afërm në Shqipëri sepse thjesht do të na duhet ta fshijmë nga faqja e dheut (Well, Mr. Secretary, I hope you don't have any friends or relations in Albania because we're just going to have to wipe it out)", citon Fred Kaplan.
McNamara e pa me inat. Sekretari i mbrojtjes ishte njeri me tërë kuptimin e fjalës.
Para se të largohej urdhëroi zëvendës-asistentin e vet për analizat e sistemeve, Alen (Alain) Enthoven, të niste punën për të detyruar aviacionin strategjik të shmangej sa më tepër nga veprimet luftarake, shkruan Kaplan. U desh një vjet e gjysmë për hartimin e udhëzimit të ri për të riprogramuar armët dhe mjetet e ndërlidhjes e komunikimit. SIOP-i i rishikuar ishte gati në qershor 1962.

Radari në Sazan

Ndër objektivat e rëndësishëm të sulmit bërthamor amerikan ishte një instalim radari sovjetik në tokën shqiptare, thuhet në dokumentet sekrete të aviacionit strategjik amerikan. Kjo gjë krijonte tension dhe mes Shqipërisë dhe BRSS-së. Kështu, në mbledhjen e 27-29 marsit të vitit 1961 të Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës, qeveria sovjetike ka paraqitur një "Informacion pune" (raboçaja spravka) me ankesa të shumta kundër Tiranës zyrtare për keqësimin e gjendjes në bazën ushtarake-detare të Vlorës. Mes incidenteve të shumta të përmendura në informacion, tërheq vëmendjen dhe problemi i radarit, për të cilin flisnin më pak se 2 muaj më parë, më 4 shkurt, gjeneralët amerikanë në takim me sekretarin e mbrojtjes Maknamara.
Po citojmë dokumentin e deklasifikuar nga arkivat federale gjermane përkthyer nga origjinali rusisht:
"- Më 23 janar 1961 nga ana e SRL-së [shqip: SRL - akronim për "stacion radio-lokator" bregdetar, sinonim: "radar", rusisht: RLS -"radio lokatornaja stancija", anglisht "radar system"] "Llot" në i. [ishullin] e Sazanit u zbulua në ngushticën e Otrantos një grup anijesh të panjohura /deri në 20 njësi/. Megjithatë, këshilltarët në shtabin e flotiljes dhe komanda e brigadës së nëndetëseve nuk ishin vënë në dijeni për këtë gjë.
- Më 19 shkurt 1961, për herë të dytë u zbulua një grup anijesh të panjohura në ngushticën e Otrantos. Megjithatë, dhe në këtë rast këshilltarët dhe brigada e nëndetëseve nuk u njoftuan.
Po ashtu nuk u morën kurrfarë masash për rritjen e gatishmërisë luftarake të flotës si dhe masa për zbulimin.
- Më 29 dhjetor 1960, zëvendëskomandanti i MPK-5001 kapiten i klasit 2 DINO, duke u ndodhur në anije në det 6,5 milje në perëndim të i. të Sazanit i transmetoi me megafon në rusisht një anijeje italiane transporti se anija ndodhet në ujërat territoriale të Shqipërisë dhe i kërkoi që të largohej menjëherë në det. Pavarësisht udhëzimit të instruktorit sovjetik togerit Nikitin se të tilla kërkesa duhen dhënë më sinjal konform kodit ndërkombëtar, DINO tha se ai gjithsesi do të komunikojë po kështu".
Del qartë se sovjetikët ishin tejet të shqetësuar jo vetëm për anashkalimin që u bënin shqiptarët, por atyre u cingëris nervat gjakftohtësia apo mungesa e vigjilencës e ushtarakëve vendas, që nuk "morën kurrfarë masash për rritjen e gatishmërisë luftarake të flotës si dhe masa për zbulimin". Gjithashtu ata janë të revoltuar nga dekonspirimi i luftanijeve sovjetike para italianëve. Natyrisht, kryeministri Mehmet Shehu dha versionin e tij zyrtar, por Komiteti Politik Konsultativ mori masat përkatëse.

Karaburun, plan për 25 nëndetëse atomike

Droja amerikane për një konfrontim bërthamor të mundshëm mes dy blloqeve të mëdha, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, ishte plotësisht e bazuar. Madje, rreziku ndodhej në një distancë të afërt, midis dy anëve të ngushticës së Otrantos. Strategët perëndimorë kishin fotografuar nga ajri terrenin shqiptar dhe ishin informuar në rrugë agjenturore nga një dezertor i KGB-së sovjetike për planet bërthamore sovjetike që po zbatoheshin në gjirin e Vlorës.
"Në Karaburun do të strehoheshin rreth 20-25 nëndetëse atomike sovjetike", thotë Petrit Myftiu, një nga figurat qendrore të flotës ushtarake-detare shqiptare dhe më pas të asaj tregtare. Ky ishte emri më i lakuar në ankesën e qeverisë sovjetike në "informacionin e punës" të lexuar në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës të 27-29 marsit 1961.
Një nga protagonistët e ngjarjeve të bujshme në prag të prishjes së madhe midis Shqipërisë, BRSS, bllokut lindor, Petrit Myftiu, tregon: "Komanda ushtarake sovjetike në Pashaliman, në atë periudhë, kishte për detyrë kryesore mbajtjen në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, ndërtimin dhe përsosjen e infrastrukturës kundëratomike të vendbanimeve në gjirin e Vlorës, njohjen navigacionale dhe luftarake të itinerareve të shumta të detit Mesdhe, me të cilin lagen anëtarë të fuqishëm të bllokut të NATO-s, si Spanja, Franca, Italia, Greqia, Turqia etj. Sovjetikët thoshin se, në një të ardhme jo shumë të largët, diku në gjirin e Raguzos, rrëzë Karaburunit, do të hapeshin tunele, në të cilat do të strehoheshin rreth 20-25 nëndetëse atomike. Në rrafshin e Ravenës, mbi Karaburun, filluan punimet për ndërtimin e pajisjeve të nevojshme për lëshimin e raketave "tokë-ajër", të cilat do t'i siguronin bazës detare të gjirit të Vlorës një mbrojtje kundërajrore tepër efikase. Veç të tjerash, në fushën e Dukatit, e cila nga perëndimi shtrihet ngjitur me shkëmbinjtë e lartë të Karaburunit, do të ndërtohej një aeroport modern, me dy drejtime të traseve për ulje-ngritje të avionëve: njëra nga deti dhe tjetra nga qafa e Llogarasë, si dhe tunele të shumta, që do të hapeshin rrëzë malit, për mbrojtje kundëratomike të avionëve etj".

Vendim i Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës

Tepër sekret Urgjent

Komiteti Politik Konsultativ, pasi u njoh me letrat, që shkëmbyen më 27 dhe 28 mars të këtij viti [1961] Kryekomandanti i Forcave të Armatosura të Bashkuara dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës Popullore të Shqipërisë mbi gjendjen e punëve në bazën ushtarake-detare të Vlorës në Shqipëri, si dhe duke marrë në konsideratë mendimet e shprehura në Mbledhjen e Komitetit lidhur me këtë çështje për kryerjen nga ana e Shqipërisë të detyrimeve të saj, që rrjedhin nga dispozitat e traktatit të Varshavës, vëren me keqardhje se kohën e fundit nga ana e Shqipërisë janë ndërmarrë disa hapa që nuk u përgjigjen parimeve dhe dispozitave të traktatit të Varshavës. Në bazën ushtarake-detare të Vlorës nga pala shqiptare është krijuar një situatë jonormale, e palejueshme mes shteteve-anëtare të traktatit të Varshavës dhe që lidhur me këtë ul seriozisht gatishmërinë luftarake të kësaj baze.
Pjesëmarrësit e mbledhjes i kushtuan vëmendje faktit se në Kongresin IV të PPSH sh. Enver Hoxha deklaroi se gjoja ka pasur vend një sulm mbi Shqipërinë nga ana e Jugosllavisë, Greqisë dhe flotës VI të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht se një ngjarje e tillë ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe politike dhe ushtarake për të gjitha vendet e traktatit të Varshavës, asnjë nga këto vende dhe madje Kryekomandanti i Forcave të Armatosura të Bashkuara nuk u vunë në dijeni nga Shqipëria për këtë gjë dhe deri tani nuk është dhënë informacion për këtë çështje. Të tilla veprime të Republikës Popullore të Shqipërisë nuk u përgjigjen dispozitave të neneve 3 dhe 5 të traktatit të Varshavës.
Komiteti Politik Konsultativ pret që Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë t'i paraqesë menjëherë Kryekomandantit të Forcave të Armatosura të Bashkuara të traktatit të Varshavës të dhënat dhe arsyet, mbi të cilat është mbështetur Deklarata e përfaqësuesve të partisë dhe qeverisë së RPSH mbi çështjen e sulmit kundër Shqipërisë.

Dokumenti 1
Radiogram i Enver Hoxhës dërguar delegacionit shqiptar në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës
Moskë
28 mars 1961


Letrën e Greçkos [Kryekomandanti i Forcave të Armatosura të Bashkuara] hidheni në shportë**, përgjigjuni vetëm atyre çështjeve që ai edhe të tjerët do të shtrojnë në mbledhje. Prandaj fjalimi juaj duhet rishikuar në këtë dritë. Mos flisni të parët. Çështja e bazës. Qeveria shqiptare nuk pranon as ndryshimin më të vogël nga statukuoja aktuale e përcaktuar nga marrëveshjet zyrtare në mes dy qeverive. Hidhni poshtë shpifjet dhe arsyetimet e tyre, përmendni dhe shpërndani promemorien tonë e të Andrejevit në lidhje me ngjarjet në bazë. Argumentoni çështjen nga ana politike-ushtarake, tregoni përgatitjen shembullore të marinarëve tanë. Lidhni kërcënimet dhe shantazhet e mëparshme të Hrushovit për këtë çështje dhe thoni se Qeveria shqiptare nuk pranon tezat e mareshalit Greçko, pse janë pa vend. Theksoni se çdo vendim që do të marrin në drejtim të tërheqjes prej tyre të mjeteve të bazës dhe të mosfurnizimit të saj me armatime sipas marrëveshjeve dhe kontratave, dobëson mbrojtjen e kampit socialist e të Shqipërisë dhe i bën krejtësisht përgjegjës. Si konkluzion, u thoni se në emër të Partisë dhe të Qeverisë, ne nuk pranojmë dhe do të votojmë kundër çdo vendimi që mund të merret kundër statukuosë në bazë dhe mosrespektimit të marrëveshjeve midis BS dhe RPSH
.

Na mbani në korent. Qëndroni në lartësinë e Partisë sonë.
Enver

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi