Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Suzana Kuqi: Copëza... jo relativiteti

Shko poshtë

Suzana Kuqi: Copëza... jo relativiteti Empty Suzana Kuqi: Copëza... jo relativiteti

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 06, 2010 1:10 am

Suzana Kuqi: Copëza... jo relativiteti U1_SuzanaKuqi
Suzana Kuqi
Copëza... jo relativiteti
Nuk e di ne se hyn apo jo relativiteti këtu... Sigurisht, çudi se ç'farë pyetjesh i bëj vehtes dhe unë. Relativiteti duhet të hyjë kudo, ngado dhe si do, madje ai i thjeshti dhe ai i shtërnguari për të cilin fizikantët e kane lodhur trurin aq shumë. Nuk ka nevojë per formula, shembujt i has aq me shumicë në përditshmërinë tonë, veçse nuk e marrim dot me mend se sa rrengje na i punon ai. Nuk e di në se këtu mund të hyjë edhe ky shembull, por tani e kam bërë zakon, i fus hundët edhe ku nuk më takon... Hë pra... ditët para se të fillosh pushimet. Ato ditë nuk ecin fare, janë pambarimisht të gjata e cfilitëse. Ditën e fundit para lejes së fundit, nuk kisha as më të voglën por kur them as më të voglën dëshirë për të shkuar në punë... Mbase kjo më ndodh vetëm mua, mbase. E them këtë pasi unë e kam shumë të theksuar. Kur u zgjova atë mëngjes, e kisha mendjen top t'i telefonoja shefes e t'i thoja se nuk do të shkoja në punë atë pasdite. Oret e para të ditës i kalova me këtë mendim, por dreqi e di pse nuk e mora mundimin t'i telefonoja. Nuk do ta gënjeja e t'i thoja se më ka dalë ndonjë punë e papritur dhe as se befas nuk ndjehesha mirë. E kisha mbledhur mendjen të isha e sinqertë, siç nuk kish qenë asnjëra nga koleget e mia më parë, t'i thoja troç se nuk kisha dëshirë dhe... pikë. Aty afër drekës, sikur m'u lëkund kjo siguri, ishte bërë vonë për të telefonuar e nuk kishin për të gjetur zëvëndësues. Kjo mëdyshje sikur u rrit ca duke e shtyrë dhe ngushtuar atë siguri për të munguar në punë e kur akrepat e orës ju afruan dyshit... u vesha me shpejtësi e dola prej dere.
Shefja nuk ishte në formë, u duk qartë nga mënyra se si ju përgjigj përshëndetjes sime pa më parë në sy, por dhe unë nuk kisha ndërmend të hiqja dorë...
- Sot, për pak e nuk do të vija në punë!
- Përse!?
- Nuk kisha dëshirë. Thashë të të telefonoja e...
Vetulla e majtë e saj e ngritur lart sikur ma preu hovin.
- Asnjë nuk të bjen në punë me zor. Nëse nuk ke dëshirë...- jo, ajo vetull e ngritur lart e dija se ç'donte të më thonte në një formë ende më të qartë. “ Nëse nuk ke nevojë, në këtë periudhë krize... lëroi vendin dikujt tjetër”, ndaj shpejtova t'a ndërprisja:
- Të paktën desha të isha e sinqertë. Nuk ma ha mendja se do të preferoje të shpikja ndonjë arësye tjetër, apo jo?
Edhe se nuk më dha përgjigje, nga shprehja e fytyrës së saj e kuptova se sido që të vijë puna, sinqeriteti është ai që pi më pak ujë se të gjitha justifikimet e tjera.
- Bëra thjesht një shaka,- e ktheva me të qeshur,- siç e sheh jam këtu.
- Ashtu mendova dhe unë,- ma ktheu ajo me një ton që nuk më linte dyshimin më të vogël se po më paralajmëronte të mos bëja më shaka të tilla. “Je në vehte”, ja ktheva me mendje unë, “as ato dy tri kolege që marrin raport e dalin në plazh mëngjeseve e pasditeve, vetëm për shaka të tilla nuk ju bjen ndërmend, e mirë e bëjnë.”
Gjithsesi e hëngra me dhëmbë atë pasdite të gjatë pune, i vetmi ngushëllim, të nesërmen filloja lejen...
Por ec e më thuaj për ditët e lejes. Por si xhanëm ato akrepa nuk bëjnë tik tak, jo jo aspak, ato kanë vetëm një tingull pa zanore, ato bëjnë tktktktktktktktktkttktktktktktkktk e duket sikur fluturojnë. Fluturim është fjalë e gjest i bukur e më vjen keq ta keqpërdor në këtë rast. Fluturojnë dhe ditët në kalendar.
Dhe ja ku jemi ditën e parë të punës pas lejes. Ora bën t......i......k - t.......a.....k. Ec e i thuaj relativitet... Pale po thonë se ora eshte instrument që mat kohën...
Por kësaj gjithsesi jam munduar t'i jap një spjegim, por asaj tjetrës...
... ASAJ... kur jam pasagjere ulur pranë burrit tim, e meqë është imi, është më i miri në botë. Ai vërtet është në timon, e vërtetë që mban syze e ky nuk është ndonjë qamet i madh, sot me syze ka sa të duash madje edhe të rinj fare. Ama sytë i ka shqiponjë. Nuk i shpëton as edhe një femer që kalon nga të dyja anët e rrugës. Edhe këtu sikur ka një farë relativiteti të cilit ende nuk i kam gjetur një emër për të qënë. Mbi të moshuarat shikimi i rrëshqet shpejt, si mbi vaj, tek më të rejat e që janë njëfarësoj rrëshqet butë si mbi gjalp, ama qëllon që kalon ndonjëra që është me të vërtetë e bukur... sytë mezi shqiten. Si mbrëmë kur po kalonte ajo bukuroshja... As që e vë re se e kam vënë re edhe unë, si bukuroshen si atë që po han me sy. Vë bast se nuk i ka shpëtuar asgjë pa i analizuar asaj bukurie, nga thembrat deri tek maja e flokëve, por mua që kam nisur t'i ngrys turinjtë... jo këtë as që e vë re, nuk ka se si. A i ngrys turinjtë unë? Bëj kujdes të mos e jap veten, jo për të, por për inat të kalimtarëve të rastit. Sepse... nuk ka gjë më të shëmtuar kur burri i hap sytë të tjerave dhe ti ngrysesh. Unë e di mirë se shpesh për në punë e bëj rrugën më këmbë. Kur vjen ajo pjesa në fund të rrugës ku gjenden vijat e bardha... Makinat kalojnë si pikat e shiut, se mos vetëm këmbësorët duhet të ikin në punë e kanë orare. Sipas rregullores, sapo kalimtari të vërë këmbën në vizën e parë, makina duhet të ndalojë. Gjithkush e di se sa i zemëron kjo ata që janë në timon, madje edhe se nuk i dëgjon të sharat, i imagjinon fjalë për fjalë, edhe se përtypen ndër dhëmbë e maskohen në atë buzëqeshje formale kur i thua një “faleminderit”. Ama... ama... puna ndryshon kur kalon një bukuroshe. Kulmi i gallatës është kur në makinë janë çift, burrë e grua. Burri në timon, nuk e ndan buzëqeshjen deri sa ajo kalon tërë rrugën e i numëron hapat. C'them dhe unë, numëron, ja peshon hapat. Gruaja... e nxirë në fytyrë e kthen kokën nga ana tjetër të mos e shohë atë bukuri që kalon e pafajëshme sepse i dhëmbin sytë... E, jo, unë nuk jua jap të tjerëve këtë kënaqësi, le të mprifen sa të duan por as të mos u shkojë mendja të bëjnë gallatë me mua...
Pra kaloi ajo bukuroshja dhe unë e mbajta veten, shtërngova ca dhëmbët e aq. Pas pak na duhej të kalonim një udhëkryq. Makina jonë bëri përpara mbi vijat e bardha ndërkohë që një burre ishte gati gati në mes të tyre. “Po ky burri im është në vete”, mendova, “përfiton nga që është darkë e policët janë zhdukur nga faqja e dheut e bën garipin tani... Mos e kanë lënë trutë vallë”?
- Dreqin, nuk e pashë fare...- ma sqaroi padashje ai kur e pa burrin e huaj gati ngjitur me xhamin e pasqyrës së makinës.
Ec e vëri emër kësaj po deshe...
Të më falin fizikantët dhe i kërkoj ndjesë Ajnshtajnit, nuk e kam me ta. Në shkollë jam munduar t'i studjoj e t'i kuptoj. Vërtet, duhej një mendje gjeniale të zbulonte ligjet e sistemet e referimit të një bote në lëvizje. Toka rrotullohet rreth boshtit të saj dhe ne bashkë me të, toka që rrotullohet njëkohësisht rreth boshtit e diellit dhe ne bashkë me të. Sistemi ynë diellor që rrotullohet rreth... E kotë të vazhdoj në këtë drejtim sepse nuk më zgjidh asgjë. Ec e gjej një formulë që të llogarisë në një xhungël rrotullimesh me shpejtësi të ndryshme se me ç'shpejtësi ma thith trurin ajo vorbull jorelativiteti kur burrit tim i mbeten sytë tek një grua tjetër... apo ajo që më shkurton ditët e lejes... apo shumë e shumë të tjera që më shkurtojnë momentet e bukura e më zgjatojnë pambarimisht të padëshëruarat e të vështira. Madje, më nevojitet një formulë tjetër jorelativiteti, një e tillë që po ta zbatoj, të më japë rezultatin e kundërt...
Le të më falin edhe një herë fizikantët, siç e shihni kjo nuk ka fare lidhje me fizikën.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi