Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pacolli: Duhet t’i jepet fund qeverisjes monopartiake

Shko poshtë

Pacolli: Duhet t’i jepet fund qeverisjes monopartiake  Empty Pacolli: Duhet t’i jepet fund qeverisjes monopartiake

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 24, 2010 9:10 pm

Pacolli: Duhet t’i jepet fund qeverisjes monopartiake
Pacolli: Duhet t’i jepet fund qeverisjes monopartiake  Pacolli-11



Intervistuan: Idriz Morina e Marie Nikolla

Qeveria e Kosovës duhet të bie, dhe për daljen nga kriza nuk ka rrugë tjetër. Për këtë është i bindur lideri i AKR-së Behgjet Pacolli, dhe që kjo të bëhet realitet, në mënyrë që t’i jepet fund një keqqeverisje dhe tani në këtë rrethanë një qeverisje monopartiake, që të kujton kohët e diktaturave, ai dhe partia e tij po përgatit një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. “Zgjidhja më e mirë është që kjo qeveri të ik prej pushtetit!”, thotë z.Pacolli, partinë e të cilit për shumë kohë njerëzit e shihnin si një shtyllë shtesë të qeverisë së udhëhequr nga PDK-ja. Por, ky imazh duket të ketë qenë i pasaktë, pasi Pacolli u tregua lideri i vetëm i guximshëm, që të ndërmerr nismën që t’ia heq ‘patericat’ qeverisë. Qëllimi nuk është grushtimi i fundit për kundërshtarin, por dhënia shans qytetarit, për të vendosur vetë për fatin e vet më mirë, por që ata ta bëjnë vërtetë këtë, nëse nuk duan t’iu riciklohet varfëria, papunësia, mungesa e zhvillimit, ankesa për zhvatje dhe korrupsion dhe gjithë të këqijat tjera që ata do ti kenë pësuar për këto thuaja tri vjet, duhet të zgjedhin më të mirët!
Bota sot: Z. Pacolli, cila është zgjidhja sipas jush për të dalë nga situata aktuale, kriza institucionale dhe çka në të vërtetë pretendon mocioni i ofruar nga partia e juaj për qeverinë?
Pacolli: Prej ikjes së ministrave të LDK-së nga postet e tyre në mënyrë jokorrekte, në mënyrë klandestine, qeveria ka mbetur jashtë funksionit. Kjo qeveri nuk mund të funksionojë kështu dhe kësaj qeverie duhet t’i jepet fund. Është shumë interesant se tërë spektri politik në Kosovë rrinë duarkryq dhe pret çka po ndodhë! Por, unë nuk mund ta bëjë këtë sepse kam përgjegjësi ndaj votuesve të mi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duke pasur parasysh që kjo krizë tani mund të ketë edhe dëme kolaterale (anësore) dhe duhet sa më shpejt të gjendet një zgjidhje dhe zgjidhja më e mirë është që kjo qeveri të ik prej pushtetit.
Edhe një arsye tjetër që flet, që mbështet iniciativën time se kësaj qeverie duhet t’i merret besimi, flet se jetojmë në një shtet monopartiak dhe kjo ka ndodhur vetëm në kohën e komunizmit dhe jo në kohët moderne, dhe mendoj se kësaj duhet t’i jepet fund. Iniciativa ime do të fillohet me një mocion dhe mendoj se ende ka deputet të përgjegjshëm, që do të nënshkruajnë këtë mocion dhe e dini se koha e kërkuar me Kushtetutë, është minimum dy e maksimum pesë ditë nga dita e paraqitjes së mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, dhe në këtë kornizë kohore duhet të mblidhet Parlamenti dhe nëse nënshkrimet do të garantohen, përkatësisht të arrihen të paktën 61 vota, atëherë do të diskutohet për heqjen e mandatit të kësaj qeverie. Kjo është e vetmja rrugë, është e dhimbshëm sepse kjo provokon zgjedhje të jashtëzakonshme dhe disa parti nuk janë të gatshme për zgjedhje. Është e dhimbshme edhe për përgatitjen e zgjedhjeve sepse nuk e di a do të mund të kemi zgjedhje fer. Por, unë nisem gjithnjë nga ajo se njerëzit janë vetëdijesuar dhe kemi të bëjmë me njerëz të sinqertë, me parti të sinqerta, të cilat nuk do të abuzojnë me votën e qytetarit dhe do të respektojnë kodin për zgjedhjet dhe do të kemi zgjedhje fer. Unë e shoh Kosovën deri në vitin e ri me qeveri të re, me kryetar të ri dhe besoj se kësaj radhe qytetari i Kosovës do të dijë të bëjë zgjedhjen e mirë.
Bota sot: Pse ende ka rezerva nga të tjerët, partitë opozitare, një qasje mosbesuese ndaj mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë që po e përgatisni ju?
Pacolli: Unë dje kam thirrur një tryezë të përbashkët në mënyrë që opozita të jetë unike dhe të dalin me një qëndrim dhe e kam parë që dy partitë tjera të opozitës nuk kanë pasur respekt ndaj kësaj thirrje dhe nuk kanë ardhur. Ne e kemi proceduar vet mocionin dhe do të shkojmë përpara.
Është me rëndësi se të enjten, në atë kohë kur ne kemi qenë në parlament, dy partitë tjera kanë qenë në takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqin dhe janë akorduar për zgjedhje të jashtëzakonshme. Është e njëjta iniciativë, por dikujt i ka konvenuar të paraqitet ndryshe. Ne kemi dashur që të kemi qëndrim të përbashkët me opozitën, por opozita ka preferuar të jetë e ndarë dhe nuk na prishë punë. Thirrjes tonë iu përgjigjën pozitivisht partitë tjera dhe ne paraqitëm qëndrimin edhe të këtyre partive dhe u morëm vesh që Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet shumë shpejt, në këtë rast edhe me mocionin tonë dhe t’i hiqet besimi kësaj qeverie dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Bota sot: Si e vlerësoni aktin që z. Daci, përkatësisht LDD ish partneri juaj në zgjedhjet e shkuara nuk iu përgjigj ftesës suaj?
Pacolli: Nuk dua të komentojë atë se çka ata mendojnë, por është shumë e vërtetë se neve na kanë thënë se do të jenë aty edhe telefonatën e fundit, para se të hynim në sallë na kanë thënë zyrtarë të LDD-së pritnani se do të jemi aty, por nuk kanë ardhur. Nuk qëndron ajo që nënkryetarja e kësaj partie Besa Gaxherri deklaroi të premten se nuk kanë pasur ftesë, sepse ftesë kanë pasur edhe me shkrim edhe me telefonatë.
Bota sot: Ju përmendët zgjedhjet e jashtëzakonshme. Me këtë hap që mocioni i mosbesimit për qeverinë do të çonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, a do të ishte një rrugë e re për Kosovën?
Pacolli: Në këtë situatë të gjitha rrugët tjera janë mbyllur. Qytetari i Kosovës nuk është që i tërë pushteti t’i lihet në dorë një partie. E dyta janë gjërat madhore, që duhet që kjo qeveri t’i procedojë, procedimi i të cilave nuk mund të ndodhë pasi kjo qeveri nuk është e kompletuar dhe nuk mund të ketë besim për punë madhore. Shumë shpejt do të duhej të ulemi dhe të aprovojmë buxhetin për vitin e ardhshëm, por në këtë situatë nuk mund të bëhet kjo, dhe mund të bëhet vetëm me konsensusin e partive politike që buxheti të aprovohet nga kjo qeveri vetëm për tre muajt e par të vitit, kështu që gjithë stafi civil të mos mbetet pa paga. Besoj se kjo do të ndodhë. Pra, asgjë nuk e prish kodin demokratik nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë normale për çdo krizë të tillë politike dhe kjo duhet të ndodhë në Kosovë, deshëm ose nuk deshëm. Është një befasi për ne, por prej momentit kur i kam dhënë besim kësaj qeverie kam thënë se kjo qeveri nuk është e natyrshme, por kam pritë se do të ndodhë një zgjidhje tjetër. AKR-ja ka qenë konstruktive dhe do të jetë konstruktive.
Bota sot: A e shihni veten në një koalicion të mundshëm pas zgjedhor me PDK-në apo iu është ofruar edhe në këtë situatë posti i presidentit sikur atëherë me tentativën e PDK-së për ta prishur koalicionin?
Pacolli: Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk vrapojmë pas posteve pa mandatin e qytetarëve dhe nëse na lejon kënaqësia e votave, nëse ky nonsens mungon e shohim se çka do të bëjmë. Ne nuk do të ngutemi të hyjmë në koalicione parazgjedhore, por ne do të garojmë parti më veti, dhe me partitë e mëdha nuk do të garojmë së bashku.
Bota sot: Me partitë e vogla a do të provoni të hyni në koalicion parazgjedhor, mendojmë për ato jo parlamentare, si PD, Partiëne Pensionistëve apo edhe me partinë e Re FER apo me Vetëvendosjen?
Pacolli: Me partitë e vogla që nuk kanë qenë në qeveri dhe që nuk janë fajtore, ne jemi të hapur dhe do të bisedojmë me çdo parti që programi i tyre është identik me programin tonë. Nëse kanë këto parti programe partiake, sepse ne i kemi ato.
Bota sot: Ju keni deklaruar se në garën zgjedhore do të keni kandidate për kryeministre, zonjën Mimoza Kusari-Lila, është zgjedhja e duhur për vendin?
Pacolli: Pse jo. Besoj se Mimoza Kusari do të ishte një zgjedhje perfekte për kryeministre të Kosovës. Nuk i mungon asaj as karizma as profesionalizmi e as dituria e mundësia që ta ushtroj këtë post.
Bota sot: Nga pozicioni që keni pasur gjatë kësaj kohe për lobimin për pavarësinë e Kosovës, nga vlerësimet e juaja del se figurat e LDK-së kanë qenë ato që më tepër që ju kanë rezistuar. Pse ky raport i tendosur me LDK-në?
Pacolli: Tash na erdhi një njohje nga Kiribati, dhe për herë të parë kemi marr falënderim nga Ministria e Punëve të Jashtme, dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim. Kjo është hera e parë që më falënderojnë edhe pse i kam sjellë rreth 25 për qind të njohjeve dhe ato nuk kanë ardhur në mënyrë sporadike, por kanë qenë njohje tonat dhe ajo Ministri dhe Presidencë kanë shkuar pa e ngritur kokën për të thënë faleminderit çka keni bërë për Kosovën.
Sikur Qeveria dhe Ministria e Jashtme të kishin bashkëpunuar me mua, do të kishim shumë më tepër njohje. Kam qenë gjithmonë i bllokuar prej tyre dhe tani po e ndiej veten të lirë edhe të veproj. Se si është krijuar atmosfera tani, po më duket se do të vijnë disa njohje tani.
Bota sot: Në çfarë intervali kohor pritni të ndodhin këto njohje?
Pacolli: Jemi duke punuar me disa shtete, e dimë se janë në proces e sipër njohjet dhe e dimë se ato do të ndodhin.
Bota sot: Meqë është shkaktuar kjo krizë dhe priten zgjedhjet. Çfarë mund të ofroni për qytetarët në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po priten të mbahen, ju dhe AKR-ja për dallim nga partitë tjera?
Pacolli: Qytetarëve do tu ofrohet një program qind për qind ekonomik, do të ndikojë drejtpërsëdrejti në uljen e papunësisë, në rritje ekonomike që parasheh reforma në shëndetësi dhe edukim dhe pjesa tjetër e programit është se ne synojmë që nëse qeverisim me Kosovën, në shtatorin e ardhshëm ta bëjmë Kosovën anëtare të OKB-së.
AKR-ja pa lëkundje thotë se nëse do të qeverisë do të instaloj jetën politike në Kosovë dhe Kosova do të jetë pjesë e OKB-së shtatorin e ardhshëm.
Normal që Kosova do të lëvizë ngadalë drejt BE-së, në mënyrë sistematike dhe racionale, do të përqendrohemi në liberalizimin e vizave dhe do të krijojmë kushte që një ditë të jemi edhe shtet anëtar. Qëllimi ynë nuk është vetëm të hyjmë në BE duke e ditur se me hyrjen e Kosovës në këtë shtëpi të madhe bien kufijtë, bien doganat dhe prej nga Kosova, atëherë do ta mbush buxhetin e saj. Prandaj, ne do të përshpejtohemi që të krijojmë burime financiare për buxhetin e Kosovës, që nuk do të bazohen vetëm në dogana, por në vjeljen e tatimeve nga zhvillimi i ekonomisë, industrisë, rritjes së investimeve, uljes së papunësisë e varfërisë etj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi