Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë

Shko poshtë

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Empty Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë

Mesazh nga Agim Gashi Mon Oct 25, 2010 8:43 pm

Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Ajet_nuro.jpeg
Nga Ajet Nuro

Si asnjëherë tjetër, para se të nisesha për në Kanada, në fund të udhëtimit tim në Shqipëri, pyetja që mu bë më shumë, pavarësisht formës, ishte « si tu duk Shqipëria ?» Pyetja është intriguese dhe duke qenë se unë nuk e pëlqej hipokrizinë edhe përgjiga duhet të jetë po aq intriguese por fatkeqësisht ajo nuk mund të jetë një « mirë » apo « keq » e thatë. Unë, nuk shkova në Shqipëri që ti përgjigjem kësaj pyetje. Sidoqoftë, unë si bir i saj nuk mund të përjashtohem nga e drejta që ti përgjigjem një pyetje të tillë nisur edhe nga konteksti i një biri të larguar. Por, Shqipëria është për ne diçka më shumë se një shtet, një vend i botës... Shqipëria është diçka më shumë se kujtimet që ne i kemi lënë atje, një përzierje kodesh e normash që ne i quajmë të shenjta dhe që mundohemi ti ruajmë me fanatizëm dhe tua transmetojmë edhe fëmijëve tanë. Por, nga ana tjetër Shqipëria mund të shihet ashtu siç e ka parë edhe Sejfulla Meleshova alias Lame Kodra:

Po e dua Shqiperine
Per nje stan ne Trebeshinë...

Ndonëse do ti rivij edhe kësaj çështje, asaj të « stanit në Trebeshinë » sepse çështja e staneve apo e pronave është një çështje që herët a vonë, koha do ti jap notë negative Shqipërisë. Por le të rivijmë tek pyetje « Si tu duk Shqipëria? ». Në kontekstin e kësaj pyetje, le të mos e prekim Shqipërinë në ato që nuk preken por thjesht në veprimet apo mosveprimet e atyre që kanë mundësi ta zbukurojnë vendin tonë. Pra, le të mos e kthejmë pyetjen në diskutimin bajat « A e doni Shqipërinë apo jo? » … Apo të tjera pyetje të kësaj gjinie që ndoshta duan të lenë të kuptosh që ne të larguarit e duam më pak Shqipërinë nga ata që kanë fatin ta gëzojnë atë për ditë. Profili im është i tillë që unë e kritikoj shpesh gjendjen në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë se nuk e dua Shqipërinë. Unë kritikoj Shqipërinë (atje ku duhet kritikuar) sepse e dua vendin tim ndryshe. Nga ana tjetër e ngre gjer në qiell Shqipërinë, aty ku më duket e arsyeshme e përsëri sepse dua ta shikoj ndryshe.
E pra, si m'u duk Shqipëria? Kini durim dhe lexoni. Unë po përshkruaj ato që pash dhe në fund nuk besoj se do jetë vështirë ti japim përgjigje pyetjes.

Një copë Tepelenë në mes të Tiranës
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Restaurant_tepelena
Ende pa u nisur nga Kanadaja, m'u e bë e ditur se të nesërmen, prindrit e mi organizonin një drekë për nderin tonë, një drekë familjare. Nga dhjetra restorante nga jugu dhe nga Tepelena, ata kishin zgjedhur një restorant me emrin Tepelena. Restoranti ndodhet diku pas ish-ekspozitës « Shqipëria sot ». Unë, do ta kisha harruar këtë restorant sepse nuk kemi vizituar pak restorante gjatë vizitës sonë në Shqipëri. Madje ai do mbetet në kujtesën tonë jo për faktin se ishte i pari që hapte serinë e ngrënieve në mjedise Madi in Albania. Ky restorant nuk ishte thjesht një resorant që mbante emrin « Tepelena » por brenda ishte një copë Tepelenë. Që nga mobilimi, dekorimet e gjithçka tjetër brenda mureve ishin tradicionale tepelenase. Aty brenda gjeje zile dhe këmborë, fyell dhe dyare por edhe portretin e një nëne që tirrte lesh në furkë. Edhe vetë ata që shërbenin ishin të veshur me veshje popullore tradicionale tepelenase që të jepte një ndjesi se gjendeshi diku nga fshatrat e rrethit tonë, të famshëm në mbarështrimin e bagëtive dhe në përgatitjen e ushqimeve tradicionale blegtorale. Nëse do të doja t'u tregoja fëmijëve të mi se çfarë është tundësi, zilja apo këmbora, nuk kisha nevojë të shkoja në Kurvelesh apo në krahina të tjera të Tepelenës. Kurveleshi ishte aty në mes të Tiranës... Kënga labe (polifonike më mirë të themi...) dhe dollit që ende nuk janë harruar nga anët tona plotësuan dekorin tepelenas.
Dreka tek « Tepelena » ishte një fillim i mbarë...

Vazhdon ...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Empty Ajet Nuro:Si t'u duk Shqipëria?

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 30, 2010 12:46 am



Si t'u duk Shqipëria?


Nga Ajet Nuro

Pjesa e dytë.

-Këtë shkrim ia kushtoj babait tim që më ndjek e inkurajon në çdo ndërmarrje timen-

Kafeja e shenjtë e atit tim


Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Kafe_babi
Babai im çohet herët në mëngjes dhe dy janë ritualet që nuk mund ti harroj pa kryer; të ndjek titujt e gazetave të përditëshme në televizion dhe të pijë kafenë me shokët. Madje, kjo e fundit është kthyer në një rit pak a shumë të shenjtë. Aq sa, edhe unë që nuk jam edhe aq amator i kafeneve, nga që e kisha dëgjuar kaq e kaq herë të më fliste për kafenë që e merrte çdo ditë në të njëjtën orë, në të njëjtën kafene dhe me të njëtët shokë, shkova edhe unë jo një herë por mbi katër-pesë herë. Jo vetëm për ti bërë shoqëri babait tim por edhe nga kënaqësia që ndieja të pija kafe me miqtë e tij. Miqtë e babait im janë “emigrantë » të vendosur në lagjen Kombinat. Kështu, Skënderi është me origjinë nga Korça, Rizai është nga Berati ndërsa Xhelali që i bashkohet grupit në fund-javë është nga fshati ynë. Nuk mund të them se origjina e secilit prej tyre ndihmon, por duke gjykuar se ata mblidhen çdo ditë të vitit dhe kjo prej vitesh duhet bërë ndonjë studim se përse nuk arrijnë të grinden apo të ndahen në pozitë-opozitë. Madje, duke u nisur nga fakti që në menunë e bisedimeve të tyre krahas lajmeve familjare një pjesë të mirë të bisedave të tyre, ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri, e zë politika, parlamenti shqiptar duhet të marr shembull nga këta të urtë (që nuk janë të vetmit...) për ta kthyer Kuvendin Popullor në një vend të urtish dhe jo në një koshere grindjesh...


Pak humor …
Humori për babain tim dhe shokët e tij është pjesë e kafesë së përditëshme dhe besoj se është antidoti më i mirë për të luftuar stresin dhe për të mbajtur lartë moralin në një të përditëshme ku nuk mungojnë hallet. Babai im jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij nën diktaturë dhe, edhe ngjarjet që at’herë dukeshin normale, sot të shkaktojnë të qeshur. Nëse dje, nuk mund të qeshje, të paktën sot nuk të ndalon kush. Urdhëri i sekretarit të partisë të fshatit (që nuk kishte pasur asnjë pulë në shtëpi…) , në kohën e famëkeqit tufëzim, për të mos lëshuar pulat jashtë (mendojeni që pulat e të gjithë fshatit, me urdhër të partisë nuk duhet të delnin nga kotecet…) ndoshta sot shkakton të qeshura por dje jo edhe aq… Por meqë dëgjova kaq e kaq historira po ua tregoj edhe juve një të tillë.
Mançua ishte nga Arrëza dhe ishte nga të paktit që nuk futej në kooperativë dhe kjo kishte shqetësuar komitetin e partisë në Tepelenë. Kështu qendra vendosi ta thërresi Mançon në komitet dhe ta bindin të ndërroj mendje. Mançua merr gomarin dhe niset për në Tepelenë. Edhe pse në komitet i bënë propagandë, Mançua ngeli në të tijën. « Nuk futem në kooperativë sepse kamë fëmijë dhe ata duan të hanë… » At'herë partia vendosi ti ngjisi një spiun Manços, me qëllim që ta kapnin gjëkundi Mançon mat dhe kështu ti bënin presion. Duke u kthyer për në shtëpi, Mançua pushon me një vend dhe e lidh gomarin. Duke lidhur gomarin, Mançua i flet dhe i thotë ato që ndjente : « Po nuk mund të futem në kooepertaivë se kam fëmijë për të ushqyer. Nuk mund t'i lë tokat të m'i punojnë të tjerët etj etj » Të gjitha këto i regjistrohen dhe i transmetohen në komitet. Pas një jave e thërresin në komitet dhe e pyesin : « Me kë je llafosur për punën e kooperativës? » Mançua i shkret as që i vinte mendja se ç’kish llafosur. « Jo », -thotë, « nuk jam llafosur me njeri… » Por, kur ia rikujtojnë thëniet, Mançua i bie në të. At’hrë u drejtohet shokëve të komitetit : « Dëgjoni! Ju që keni arritur të fusni edhe gomarin tim në sigurimin e shtetit ta keni hallall. Po futem edhe unë në kooperativë…»


“Sikur shqiptarët që kanë studiuar dhe studiojnë jashtë të ktheheshin në Shqipëri …”

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë DSC06127_small
Dalani, miku i babait tim së bashku me bashkëshorten e tij
Ky do ishte një titull i përshtatshëm për një artikull me temë kthimin e trurit të larguar nga Shqipëria. Sidoqoftë, në kontekstin në të cilën ajo shprehje m'u tha, të vjen keq që edhe unë nuk i jap një përgjigje kësaj vërejtje apo pyetjeje retorike.
Dalani është mik i babait tim. Me origjinë nga Erseka, ai ndan pasionin e dominove dhe leximin e shtypit me babain tim. U çudita që ai dinte aq shumë për mua saqë disa shkrime të botuara në mediat e Tiranës i kishte analizuar me detaje. Kështu shprehjet frazeologjike dhe ndonjë histori ilustruese që unë përdor për të argumentuar ide të ndryshme, ai ia kishte « kredituar » babait tim. « Ti, ia ke mësuar këto histori atij », i thoshte ai babait tim. Por, leximi i z. Dalan është kritik. « Nuk ke kritikuar filan politikan » më tha për një nga artikujt e rrallë politik që unë kisha shkruar në 2010. I thash se objekti i shkrimit nuk ishte filani apo fisteku por qëndrimi i papërgjegjshëm i klasës politike shqiptare. Shqetësimi i z. Dalan ishte shqetsimi i çdo shqiptari. “Koha e diktaturës iku por, siç duket ai (dhe bëri shenjë për diktatorin) edhe atje ku është, na e ka lënë një copë litari jashtë varrit për të na ngatërruar e për të mos na lënë të ecim përpara”. Dhe aty, më bëri atë pyetjen retorike: “Pse mos të kthehen këtu gjithë shqiptarët që kanë studiuar jashtë?! Sikur shqiptarët që kanë studiuar dhe studiojnë jashtë të ktheheshin në Shqipëri …” Edhe unë mendoj si zoti Dalan dhe nuk besoj se jemi të vetmit. Në parantez po u them se aty nga fillimi i viteve ’90 kur Shqipëria sapo ishte hapur, edhe unë (por jo vetëm unë...) mendoja se kthimi i milionerëve shqiptarë apo të paktën ardhja e investimeve nga jashtë (jo vetëm e këtyre milionerëve) do bënte që Shqipëria të ecte shpejtë përpara. Sot, mbase nuk flitet për ta, sepse milionerët i kemi në Shqipëri por, për kthimin e trurit, po. Madje ka programe qeveritare, ka projekte, veç truri apo inteligjencia shqiptare nuk po duket të kthehet nga andej ku ka shkuar të shkollohet. Kjo, nuk duhet përgjithësuar por, sidoqoftë rezultatet nuk janë në takim. Ky fenomen mund të shpjegohet pjesërisht edhe me faktin se ata që duhet të mendojnë për kthimin e trurit nga jashtë, në vend që të mendojnë për të mirën e përgjithëshme, mendojnë për mbijetesën e tyre në kushtet e një ballafaqimi me bashkëkombasit e tyre të përgatitur në Perëndim. Nga ana tjetër, Shqipëria po vonon në krijimin e infrastrukturës së përshtatëshme që në mos e barabartë me atë të Perëndimit të mos jetë shumë larg saj. Kështu nga disa biseda me miq të mi që gjenden në Perëndim, një nga problemet që ata quajnë të pakapërcyeshëm për ta sidomos ata që kanë fëmijë, është shkolla jocilësore shqiptare. Nga ana tjetër fitimet nga ushtrimi i disa profesioneve në Shqipëri janë edhe më të majme se për shembull këtu në Kanada. Por a mjafton një gjë e tillë? Duke mos tentuar të gjejmë përgjigje gjithë problematikës që lidhet me largimin apo mos kthimin e trurit në Shqipëri mund të themi se një gjë e tillë i mohon Shqipërisë një zhvillim të shpejt dhe bashkëkohor.
Vazhdon

Së shpejti Shoferë shqiptarë! Zoti t’ju ruaj nga më e keqja!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Empty Si t'u duk Shqipëria? 3

Mesazh nga Agim Gashi Sat Nov 06, 2010 11:51 pm



Si t'u duk Shqipëria? 3

Nga Ajet Nuro

Pjesa e tretë

Shoferë shqiptarë! Zoti t’ju ruaj nga më e keqja!

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Tirana_small
Pamje nga Tirana, Hotel Rogner
Muajin e kaluar, pra në korrik, isha në Shqipëri. Si kudo, kur vendos të bësh diku pushimet duhet të mendosh për një mjet transporti. Në rastin tim nuk vuajta shumë sepse vëllai më dha makinën e tij për të kaluar pushimet pa probleme. Ndonëse u interesova dhe më siguruan se nuk kishte asnjë problem për të ngarë një makinë në Shqipëri (ana ligjore e problemit…), para se të mbrrija në Tiranë nuk kisha menduar një gjë : si ngitet (vozitet) në Shqipëri. Gjatë vizitave të mëparëshme, kisha përjetuar momente stresi tek duke qenë në krahë të shoferit më duhet të shtrëngoja këmbët duke shpresuar se frenoja në kohë (ndonëse nuk isha shofer…) në një trafik të frikshëm si ai i Tiranës. (Le të marrim Tiranën si shembull se mjafton të flasim për të për të nënkuptuar Shqipërinë…). Por, ta ndjekësh trafikun tiranas si vëzhgues dhe të marrësh pjesë në të, janë dy gjëra të ndryshme. Dua të them se unë kam një dobësi për të ngarë makina por, atë që ndien tek nget një makinë në Tiranë mund të përmblidhet në fjalën torturë.

Makinat që kanë frikë nga njerëzit

Problemi i qarkullimit rrugor në Shqipëri është i përmasave të ndryshme që nga infrastruktura gjerë tek përdoruesit. Pikërisht këta të fundit më kanë bërë më shumë përshtypje nga të gjitha problemet e ndryshme që mund të dallojmë tek ky segment i jetës qytetare. Nga natyra njeriu ka instiktin të ruhet nga e keqa dhe tregohet i kujdesshëm kur kjo e fundit e rrezikon. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodh me kalimtarët që u duhet të ndajnë rrugët publike me makinat dhe përdoruesit e tyre. Kështu, futja e kalemintarëve vend e pa vend në rrugët ku kalojnë makinat është një fenomen që sidomos neve që vijmë nga jashtë na le pa mend dhe na shkakton një stres më shumë në përpjekjet për të qarkulluar me makinë në rrugët e Shqipërisë. Përgjegjësia pra, numër një, i bie vet kalimtarëve. Por, në një vend të organizuar si shtet edhe ky i fundit ka fjalën e vetë. Kështu, nëse një shofer dënohet kur nuk zbaton rregullat e qarkullimit edhe një kalimtar duhet të jetë subjekt i rregullave të qarkullimit dhe kur ai nuk i zbaton ato kjo mund dhe duhet ti shkaktoj edhe pasoja dënuese. Të paktën, në Kanada, nëse do futesh në rrugën ku kalonë makinat në vendin dhe në kohën e ndaluar në mos makina, të dënon ligji...

Mungesa tabelash e shenjash
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Trafik_gjirokaster_small
Trafiku në rrugët shqiptare, Gjirokastër, korrik 2010
Në Tiranë e gjetiu në shumë akse qarkullimi, ka mungesë të jashtëzakonshëme shenjash dhe tabelash që rregullojnë qarkullimin. Në këto kushte, kur mungon edhe edukata qytetare, ligjin e bënë më i forti. Kështu, nëse dikush aty ku nuk ka tabela apo shenja që i japin prioritet njërit apo tjetrit nga qarkulluesit, duhet të jesh “i fort” që të mundesh të kalosh... Por edhe aty ku ka shenja si psh në autostradën që të çon në jug të vendit, afër pikave rrotulluese ku ndahen rrugët, tabelat për ulje shpejtësie janë aq afër sa është e pa mundur të bësh një ulje shpejtësia të natyrshme. Ndoshta, prandaj duhen testuar frenat para udhëtimit...

Gjithë fajin e kanë emigrantët...

Nuk është çudi të dëgjosh se fajin për aksidentet e kanë ... emigrantët... Ndoshta është bërë legjendë por nëse emigrantët shkaktojnë aksidente duhet parë edhe pseja. Ata, mund të jenë mësuar me rregulla qarkullimi në vendet ku jetojnë. Të kthyer në vendin e tyre ku në fushën e qarkullimit duket si “xhungël” ndoshta ata shkaktojnë edhe aksidente. Sidoqoftë, emigrantët nuk janë rracë e veçantë. Shqipëria me qarkullimin e saj ndoshta përbënë një rast të veçant... të paktën në Europë...

Shqipëria vendi më me aksidente në Europë

Pak para se të nisesha nga Shqipëria për në Kanada, në lajme, dëgjova se Shqipëria është vendi me më shumë aksidente në raport me popullsinë në shkallë Europe. Pra, shqetësimi im për qarkullimin ka edhe mbështetje statistikore. Dhe kjo është një minus për një vend që pritet të hyjë në Bashkimin Europian apo edhe që pretendon të rrisi frekuentimin nga turistët e huaj. Gjendja e qarkullimit rrugor duhet të ndryshohet në mënyrë urgjente ... nëse duam të qarkullojmë pa frikë.
Shkruar në gusht 2010, riparë në tetor 2010
Vazhdon...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Empty Ajet Nuro:Si t'u duk Shqipëria? 4

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 15, 2010 1:22 pm


Si t'u duk Shqipëria? 4



Nga Ajet Nuro

Pjesa e katërt dhe e fundit

Botuar edhe në gazetën Republika, Tiranë në datat 10 e 11 nëntor 2010



Shqipëria turistike

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë 5174
Një çift që kishin vendosur ta festonin bashkimi e tyre në Syrin e Kaltër
Shqipëria, pa e tepëruar, është një nga vendet më të bukura të botës. Veçse mbi atë vend nuk vihet dorë ose, edhe kur vihet dorë vihet së prapthi. Nuk e di se si mund të shpjegohen ndërtimet në Adriatikë edhe mbi rërë aty ku pushuesit duhet të pushojnë? Mali i Dajtit është një nga pikat turistike më të frekuentuara në Shqipëri. Ndërtimi i një teleferiku e ka bërë edhe më të afërt dhe lehtësisht të vizitueshëm. Por, kur merr teleferikun për tu ngjitur në Dajt, ndonëse një vepër me të vërtet moderne, hej zot, aty e kupton se me të vëretet aty është Shqipëri, ajo pjesë e Shqipërisë që nuk ndryshon lehtë. Nëpër vagona nuk ka ngelur vend në peçiglasin me të cilin janë ndërtuar vagonat për të bërë fotografi. Aty gjen veç gërvishtje. Ndonëse tabelat shkruajnë “Mos gërvishtni!”.


Shteti dhe turizmi
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Tepelena_small
Pamje nga një ndërtesë që gjendet në qendër të Tepelenës
Jam nga ata që këmbngulin që shteti të mos ndërhyj në ekonomi por ja që edhe ai ka vendin e vetë në zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Zhvillimi i turizmit është një nga degët e ekonomisë që mund të zhvillohet më shpejt se degët e tjera. Sektori privat me aq sa ka mundur e ka bërë të vetën në këtë drejtim. Po shteti? Në vitin 2003 i kalova pushimet në Spille, pranë Kavajës. Privatët kishin ndërtuar hotele dhe kishin krijuar kushtet që të mos mungonte gjë në to. Por, rruga për të shkuar aty, ishte mjerane. Nga sa kam marr vesh, një gjendje e tillë vazhdon edhe sot. Kush duhet ta bënte rrugën? Para nja dy vjetësh, qeveria shqiptare pagoi një shumë prej rreth 300 mijë dollarësh me qëllim që CNN të bënte reklama për turizmin shqiptar. Kjo është një nga ato lëvizje qeveritare që mund të quhen të mençura. E keqa qëndron se, turisti shik që ndjek CNN do të donte kushte qëndrimi në lartësinë e reklamës që ai ka parë tek CNN. Pyetja shtrohet, çfarë i ofron atij Tirana, Kruja, Elbasani, Tepelena, Skrapari. Çdo njësi lokale duhet të ketë turizmin e vetë, sigurisht pa pretenduar që Tepelena të krahasohet me Tiranën por Tepelena të jetë në lartësinë që duhet të jetë Tepelena. Tepelena meqë bie fjala tek kjo e fundit është për të ardhur keq pasi duket sikur gjendja aty po përkeqësohet. Nëse në qytete të tjerë të Shqipërisë të bien në sy ndërtesa të reja dhe tek tuk ndonjë rrënojë, në Tepelenë të zë syri tek tuk ndonjë ndërtesë të re (një kishë për shembull) dhe më shumë rrënoja ose edhe ndërtesa gjendja e të cilave përkeqësohet për ditë...


Gjirokastra...
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Qafa_e_pazarit_small
Qafa e pazarit në Gjirokastër, një nga pikat më të vizituara të qytetit muze.
Qyteti i Gjirokastrës është një qytet muze dhe fatmirësisht ky fakt e ka shpëtuer pjesën muze të qytetit nga ndërtimet ala-shqiptarçe. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur rreth universitetit “Eqrem Çabej”. Studiumi nuk merrr më frymë si më parë nga ndërtimet që kanë mbirë si kërpudhat rreth e rrotull tij. Rruga për të shkuar në universitet është vështirë të gjendet. Po ashtu me vështirësi duhet të gjesh rrugën për tu ngjitur tek qafa e pazarit. Në këtë qytet, që duhet të ishte tejet, tejet turistik mungojnë tabelat që duhet ti drejtojnë turistët në pikat më interesante për tu vizituar në qytet. Përsëri këtu, shteti duhet të thotë fjalën e vetë. Entet turistike gjithashtu.


Syri i kaltër


Para se të shkosh në Sarandë nuk mund të rrish pa u kthyer tek Syri i kaltër. Është një nga pikat turistike të qytetit bregdetar. Por për të shkuar tek Syri i kaltër duhet të vuash. Në një pikë, sapo lë rrugën që të çon në Sarandë ka një post-bllok ku duhet të paguash. Nuk e di sa paguhet sepse nuk pagova unë vetë por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka fakti se, që nga kjo pikë gjer sa shkohet në vendin ku ndodhet Syri i kaltërrruga është gjithë gropa dhe është e pamundur të kalosh shpejtësinë 10 kilometra në orë. Nuk e di se kush ka vendosur të taksoj vizitorët që sakrifikojnë për të shkuar në Syrin e kaltër. Kur i kërkohet vizitorit të paguaj, pritet të paktën një minimum shërbimi. Por, në Syrin e kaltër ashtu si edhe gjetiu privatët kanë ndërtuar restorante që ta ka ënda të ulesh dhe të hash. Dhe vërtet restoranti që hëngrëm drekën aty në Syrin e kaltër ishte i përsosur. Ia vlenë të shkosh përsëri ... po të ketë rrugë ... normale.
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Uji_kalter_small
Një çift që kishin vendosur ta festonin bashkimi e tyre në Syrin e Kaltër. Ata pranuan me kënaqësi të pozonin për ne. Syri i Kaltër, Sarandë, 11 korrik 2010


Butrinti me vlera antike por me shërbim primitiv
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Butrinti_small
Që kur u vendos që pushimet ti kalonim në Sarandë për mua një vizitë në Butrint ishte e pashmangëshme. Nuk kisha mundur ta vizitoja këtë perlë të antikitetit shqiptar. Kështu, në një nga ditët, vendosëm të shkojmë në Butrint paradite dhe në mbasdite të ktheheshim në Ksamil për të vazhduar programin me plazh. Edhe rruga që të çonte në Butrint ishte e mundimëshme por në këtë rast për shkak të punimeve për zgjerimin e saj. Por, nuk e kuptoj se si punimet në këtë aks me rëndësi të pashoqe turistike dhe kulturore lihen për në verë at’herë kur është edhe fluksi më i madh turistik. Nejse, me mundim mbrritëm në Butrint. Para se të hynim në parkun arkeologjik të Butrintit bëmë një xhiro në anën tjetër të kanalit të Vrinës. Pastaj hyrja. Një pjesë e delegacionit tonë nuk dëshironte të hynte pasi e kishin vizituar disa herë Butrintin por në atë vapë korriku nuk mund të rrije jashtë në mungesë të ndonjë hijeje. Kështu që ndonëse ia qamë hallin personit të ngarkuar në hyrje të parkut ai ishte i prerë: Po hytë do paguani. Nejse, nuk mund të diskutonim gjatë për biletat. Ndonëse çmimi nuk është i paktë po të kemi parasysh të ardhurat e qytetarëve shqiptarë. 500 lekë pra, për çdo vizitorë. Për ne kishte rëndësi vizita në këtë park unik për nga rëndësia. Ndaj pyetja e logjikshme ishte, çfarë përfshihej në këtë çmim... – A ka shoqërues në park? –Po, po. Vazhdoni dhe brenda në park keni gjihçka, edhe shoqërues. U nisëm me dëshirë se veç të tejrash dikush do kujdesej për të na shoqëruar dhe për të na shpjeguar mrekullit e Butrintit tonë të famshëm. Filluam vizitën. E filluam nga amfiteatri. Aty kishte një parket që ia prishte bukurinë teatrit antik. Si duket amfiteatri po përgatitej për ndonjë aktivitet tjetër. Në fakt, ato ditë në Butrint zhvillohej një festival ndërkombëtar i teatrove mesdhetare dhe ndoshta edhe amfiteatri antik në parkun e Butrinit do të kishte rolin e vet në këtë mes. Duke dashur të largohemi nga amfiteatri, djali im 6-vjeçar filloi të vraponte në një drejtim që me sa dukej ishte i ndaluar të kalohej. Një roje i parkut na drejtohet: - Merreni këtë djalin dhe mos e lejoni të kaloj këtej. Roja, si duket, ishte i vendosur në atë drejtim nga vizitorët nuk duhet të kalonin. E mora djalin por i çuditur që asnjë shenjë nuk ndalonte kalimin andej nga ishte nisur djali im, i drejtohem rojes, që dallohej si i till nga uniforma që kishte veshur, për ta pyetur se pse nuk ka ndonjë shenjë që ndalon kalimin. Përgjigja e tij më habiti: - Ja ku e ke tabelën, -tha roja duke bërë një shenjë nga koka tek këmbët e veta. I habitur nga përgjigje fodulle e megalomane e pyes nëse parku ka shoqërues apo ciceron siç quhen rëndom. – Po vazhdoni shikoni se të githa janë të shkruara aty, -vazhdoi roja po me të njëjtin ton. Vazhduam më tej. Sigurisht shpjegimet mund të gjenden në pllakat e vendosura gjithandej por një shoqërues është një shoqërues dhe ai është në gjendje të shpjegoj dhe të të jap një informacion të përqëndruar e të specializuar që asnjë mbishkrim apo tabel nuk mund ta zvendësoj. Pak hapa më tej një roje tjetër pushon në hije i shoqëruar nga një person tjetër civil. Ai, kur e pyesim nëse ka ndonjë shoqërues vërdall, na jep një përgjigje edhe më fyese: -Vazhdoni, vazhdoni të shikoni ndinjë kasolle me bagëti... shkoni se ka edhe kasolle andej (drejtimi nga vazhdonim ne vizitën...). Ndoshta roja donte të na fyente pse i prishëm rehatin, ndoshta donte të na fyente si vizitor, si shqiptarë që vizitonim një nga perlat turistike shqiptare, ndoshta na fyente se i dukej vetja superior. Nuk e di por, për mua të fyer duhet të ndihen organet që drejtojnë parkun e Butrintit, vet shteti ynë. Mendimi i parë që të vjenë në mendje është : “Çfarë shteti kemi ne. Sigurisht, një roje aty në park është përfaqësues i një firme private por besoj se kjo kompani ka një proces përzgjedhjeje për më tepër që respektojnë një kontratë në një pikë aq të rëndësishme si parku turistik i Butrinitit. Jo vetëm ne që ishim mbi dhjetë veta por, asnjë grup shqiptarësh nuk shoqërohej. Një gëzim kur tek muzeu i parkut takuam një bashkëfshatarin tonë që punonte aty. Ai, nga gëzimi, njoftoi edhe kolegët e vetë dhe aty filluam të shikojmë punonjës të parkut. Por ... jo shoqërues...
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Butrinti2_small
Duke u larguar nuk mund të rrija pa u rikthyer edhe njëherë tek amfiteatri antik për të bërë ndonjë fotografi. Dhe çuditërisht,aty fillojnë të mbrrijnë turistët e huaj dhe edhe më çuditërisht shfaqen edhe shoqëruesit. A thua, të huajit e meritojnë më shumë se shqiptarët të jenë të shoqëruar? E megjithatë ata paguajnë të njëjtin çmim.
Të habitur nga ky qëndrim i drejtuesve të parkut i drejtohemi personit që na shiti biletat... Vrejtjes sonë ai i përgjigjet se çuditet. Normalisht, shoqëruesit janë në park. Normalisht... po jo në rastin tonë. I kërkoj se kush e drejton parkun. – Agim ... Po ju kush jeni? Di që e kishte mbiemrin Shahu. Por, ndonëse vizitova Butrintin që është një mrekulli turistike, mua në mendje më ka ngelur një fjalë: primitivizëm. Aty ku duhet të ishim më modernët. Ndoshta duhet të isha futur nën lëkurën e ndonjë të huaji për ta parë Butrintin ndryshe...
Ksamili
Në Ksamil kam miq dhe shok. Shumë tepelenas janë vendosur aty para dhe sidomos pas rënies së diktaturës. Do të doja të shkoja përditë aty sepse plazhet ishin me më shumë rërë falë edhe punës së privatëve ksmiliotë, ndonëse unë rrija në Sarandë. Por, rruga ishte në gjendje komé dhe makinat e kishin të vështirë të çanin atë distancë të vogël që ndanë Sarandën nga kjo qytezë. Nejse, nuk do të shkruaja gjë për Ksamilin këtë bukuri natyrore nëse aty nuk do të gjenim një gjendje si pas një bombardimi. Pikërisht në pranverën e këtij viti, inspektoriati Ndërtimor Urabanistik Kombetar kishte vendosur të godiste. Le të jemi të qartë se unë jam kundër çdo ndërtimi pa leje dhe kjo ëshë e panegociushme. Por, nëse vendoset të respekrohet ligji, pse vetëm në Ksamil? Nëse qeveria dëshiron të respektoj ligjin dhe rregullat e urbanistikës ajo duhet të bëhet në të gjithë Shqipërinë pa dallim. Më keq akoma. Pyeta në Ksamil, pse ndodhi kjo tragjedi, pra shkatërrimi i ndërtimeve që shumë qytetarëve u kushtoi gjithë kursimet e tyre. Përgjigja: Është e vërtetë se qeveria e kishte bërë të qartë se çdo ndërtim pas vitit 2007 do të prishet. Por, gjatë fushatës elektorale, kandidatët e babzitur për vota, shkelnin syrin dhe u thoshin qytetarëve na votoni se do ta rregullojmë edhe këtë çështje. Dhe kjo, nga të gjitha krahët e politikës. Veçse këto ishin para zgjedhjeve...
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Ksamili_small
Një nga ndërtesat e shkatërruara në Ksamil, në pranverë 2010
Për t'iu përshkruar trishtimin që të jep një situatë e tillë po u jap dy nga dhjetra shkatërrimet e bëra në pranverën e dymijë e dhjetës:
I pari, një qytetar me origjinë nga Buzi i Tepelenës, sa dëgjoi se shtëpia e tij do rrëzohej u kthye urgjentisht nga Greqia, ku punonte dhe jetonte me familjen dhe e gjeti shtëpinë duke u shkatërruar nga inspektoriati ndërtimor. Në kulmin e dëshpërimit, ngaqë po i shkonin dëm mundi disa vjeçar dhe nëna do ti ngelej jashtë u drejtohet ekzekutorëve të shkatërrimit të shtëpisë së tij ta mbulojnë edhe atë aty tek shtëpia që po i shkatërronin...
Rasti i dytë që më treguan miqët e mi në Ksamil ishte ai i një emigranti që kishte hedhur në Ksamil 400 mijë euro, kursimet e gjithë viteve të tij në mërgim. Së bashku me ndërtesën që iu shkatërrua, iu shkatërrua edhe vetë si person. Ndërtesa e shkatërruar i mori me vehte edhe mendjen...
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Gramoz_small
Moteli i ndërtuar nga z. Gramoz Velaj në Ksamil, Sarandë
Por Ksamili nuk ishte vetëm zi. Një vizitë tek moteli që kishte ndërtuar miku im Gramoz Velaj të jep kënaqësi që vetëm një vepër arti ta jep. Gramozi kishte ngritur diçka moderne që i përshtatet kohës. Sigurisht që ai ka hedhur aty kursimet e tija por ia vlen barra qeranë...
Saranda
Saranda është një nga qendrat që po një njeh një bum ndërtimesh. Investime të jashtëzakonshme po të kesh parasysh gjendjen e Shqipërisë. Aty përzihen interesa të mëdha e të vogla. Investuesit pa emër dha ata që huazojnë emrin i drejtohen qytetit bregdetar për të hedhur në të paranë e siguruar ku me mund, ku pa mund, ku me punë dhe investime të guximshme, ku ... se nuk kanë ç'tu bëjnë. Megjithatë nuk ke se si të mos i gëzohesh këtij bumi pasi një gjë e tillë ndikon në ardhjen e turistëve në Shqipëri, qofshin këta shqiptarë apo të huaj. Mund të them se çmimet e dhomave që jepeshin me qera nuk ishin edhe aq të larta. Kjo duke u nisur nga çmime artikujsh konsumi si ushqimet apo edhe artikuj të tjerë që nga ana e tyre ishin ishin pothuajse të njëjta me Korfuzin fqinj. Më e keqja sipas meje është se, si edhe gjetiu në Shqipëri, mungojnë planet e përgjithëshme urbanistike të zhvillimit të qytetit. Kështu, dikush ndërton një ndërtesë buzë detit me pretendimin se një pjesë e mirë e pamjes së ndërtesës është nga deti por që të nesërmen dikush tjetër ia zë këtë pamje sepse ai është në gjendje të siguroj një leje edhe më pranë detit. Nuk e di nëse pas disa vitesh do shikojmë ndërtesa me themele në det...
Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Krahu_shqiponjes_small
Sidoqoftë Saranda është e bukur sidomos në mbrëmje me shëtitjet në shëtitoren e saj buzë detit që është e mbyllur për automjetet. Lokalet në të cilët darkuam, jo të gjithë ishin në nivelin që do të donim të ishin, të denjë për një qytet turistik. Sidoqoftë, nëse dëshironi lokale shik, kështjella e Lëkursit është destinacioni ideal. Por, duke kërkuar me disa miq të mi një lokal ku mund të hanim peshk, me të pyetur mbrritëm në lokalin e quajtur "Krahu i shqiponjës". Lokali gjendet aty ku mbaron shëtirorja e këmbësorëve. Duke qenë se hezitonim të hynim pasi nuk ishim të sigurt se ai ishte lokali që kërkonim, i zoti i lokalit, një djal i shkathët dhe me të vërtet me një shpirt natyral tregtar, na ftoi brenda duke na premtuar se aty do të gjenim peshkun më të mirë në qytet. Dhe më e mira është se, kjo nuk ishte vetëm një parrullë. Mikpritësi ynë na ka dhënë një shërbim mbretëror. E pyeta nga ishte. Më tha me krenari se ishte nga Çamëria. Një lokal si ky që po iu flas të bënë të ndihesh krenar e të thuash edhe ne shqiptarët jemi në gjendje të presim turistë...
Po Tirana?


Tirana, është në një farë mënyre pasqyra e Shqipërisë. Jo vetëm se është kryeqyteti ynë por është qendra më e madhe e banuar me një popullsi që u trefishua në këto vite të pas diktaturës. Ndonëse me ndërtesa të reja, për mua pjesa e vjetër e saj, pra qendra me monumentin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe bulevardi Dëshmorët e Kombit ku ndodhen institucionet më të rëndësishme të vendit, përbënë për mua edhe pjesën më tërheqëse. Ndënëse kohën e kisha të kufizuar, një mëngjes, ia kushtova një vizite në qendër të Tiranës. Nga unaza, ku lash makinën, mora djathtas për nga korpusi qendror i universitetit të Tiranës. Nuk di nëse është ende korpusi qendror por të paktën kështu ka qenë dikur... Duke shkuar drejt universitetit pra në drejtim të liqenit artificial të Tiranës, duhet të kalosh nga kryeministria. Thash të bëja një foto për ta patur në arkivin tim për ta publikuar në ndonjë lajm për kryeministrinë apo edhe kryeministrin. Por, çuditërisht, një roje më afrohet dhe më thotë se është e ndaluar të fotografosh kryeministrinë... Çfarë ti thosha?! Në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara parlamentet janë nga pikat më të vizituara. Po ashtu edhe shtëpia e Bardhë. Në Kanada, kryeministri punon në zyra brenda parlamentit... Nejse, kalova në krahun tjetër të bulevardit dhe tentova të bëja një foto nga larg. (Edhe unë jam shqipo apo jo?!) Edhe aty, roja vigjilent i kryesisë së Kuvendit më tha se nuk lejohet. I thash se doja një foto të kryeministrisë ... Më tha, po bëje një foto, por unë të them atë që na thonë...
Kullat binjake (me sa di unë kështu njihen...) i japin jo vetëm bukuri bulevardit kryesor të Tiranës por në të njëjtën kohë është simboli i ndryshimeve të 20 viteve të fundit.
Në kthim tek qendra, fatkeqësisht tek monumenti i Skënderbeut, punohej. Nëse punimet e bëjnë edhe më të bukur qendrën e Tiranës, ia vlen barra qeranë ti rikthehesh atij segmenti të kryeqendrës shqiptare.


Unë dua Shqipërinë...


Është një nga vargjet e Sejfulla Maleshovës. Vazhdimi është ajo që e ndau Sejfulla Maleshovën nga komunistët: prona private. Lame Kodra e donte Shqipërinë thjesht për një stan në Trebeshinë... Ajo që e kam vënë re më parë në Shqipëri, por që e ripashë edhe këtë herë, është një mungesë totale e respektit për pronën private. Le të mos flas për ligjin e ndarjes së tokave famëkeqin ligji 7501. Ai në një farë mënyre de facto ligjëroi luftën që banda e Hoxhës u bëri pronarëve të ligjshëm të tokave. Thash që nuk dua të flas për atë ligj por, ai ligj pati efektin domino në mënyrën e të parit të pronës në Shqipëri. Ish-pronarë trojesh, ish pronarë fabrikash, ish pronarë banesash dynden çdo ditë në gjykata për të marr atë që u takon. Në vend që ta marrin atë që u takon, marrin hipokrizinë, fyerjen, talljen, lodhjen dhe u krijohet përshtypja se kjo është demokracia. Diku gjatë udhëtimit tim, diku në bregdet po flisja me një pronar që kishte një terren në një pikë që çdo shqiptar do ta lakmonte. “E shikon atë copë tokë, atje ku duket një ndërtesë?”- më tha. - Po,- iu përgjigja. Është e imja por nuk e marr dot. Një ditë një i pushtetshëm më tha ”Më jep 80 përqind të terrenit dhe ta rikthej unë”. Kjo ndodh në Shqipëri. E përsëris, në një Shqipëri që dëshiron ti bashkohet Europës...


Si m'u duk Shqipëria?


Mund të them se kam kaluar pushime nga më të këndëshmet në Shqipëri. E megjithatë, kjo nuk i përgjigjet pyetjes së bërë në fillim dhe të ripërsëritur këtu pak më lartë. Nëse bëjë ndonjë vrejtje ndaj vendit tim, e bëjë që vendi im të fluturoj dhe jo të zvarritet. Ndërkohë, si m'u duk Shqipëria gjatë vizitës sime më të fundit? Duke lexuar sa më sipër, çdo njëri është i lirë të japi një përgjigje sipse kandarit të vetë ...




Ajet Nuro


Montreal, gusht, shtator 2010
Rishikuar e korrigjuar në tetor 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë Empty Re: Ajet Nuro:Përshtypje udhëtimi – Shqipëri korrik 2010 - Pjesa e parë

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi