Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ferit Ramadani (1956-2010)

Shko poshtë

Ferit Ramadani (1956-2010) Empty Ferit Ramadani (1956-2010)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 26, 2010 12:36 am

Ferit Ramadani (1956-2010) 1flagofalbaniavy4md7
Ferit Ramadani (1956-2010)
Ndarja nga jeta, është dhimbja përfundimtare që pëson njeriu. Por kur të tilla dhimbje lënë pas gjurmë që do të kujtohen brez pas brezi, atëherë vetë jeta nuk quhet ende e përfunduar…edhe pse fryma e fundit ka heshtur.
Sot, më 25 Tetor 20010, u ndal së rrahuri, zemra e Ferit Ramadanit… këtij patrioti dhe shqiptari të flaktë, që deri në ditën e fundit të jetës së tij, ja kushtoi vargjet çështjes shqiptare…
Zemra e tij heshti, për të lënë dhimbje të madhe tek të gjithë të afërmit, tek gjithë shoqëria e tij, por edhe tek mijëra lexues e miq të shkrimeve të internetit, të cilët edhe pse nuk e kishin takuar personalisht, gëzonin respekt dhe mirënjohe për të.
Ai do mbetet i paharrueshem edhe për ne, stafin e Zemra Shqiptare, ku ai dha kontributin e tij të çmuar, me sa e sa shkrime, me sa e sa poezi. Temat e z. Ramadani do mbeten gjithnjë aktuale, sepse ai i këndoi me penën e tij, vëndlindjes, kombit.
Qoftë i paharruar mes nesh!
Ju prehtë shpirti në paqe!
Ngushëllime për të afërmit dhe familjarët e tij!!
Redaksia Zemra Shqiptare
Ferit Ramadani (1956-2010) Feritramadani
Ferit Ramadani u lind më 06 qershor 1956 në fshatin që populli e quan Llag, ndërsa administrata Trapçin Doll të Kërçovës.
Më 1982 u diplomua në Fakulteti Ekonomik të Prishtinës ku vijoi edhe studimet pasuniversitare në degën "Politika e zhvillimit ekonomik ".Ishte udhëheqës i sektorit ekonomik dhe juridik në Postën e Kërçovës.
Me krijimtari merret që nga viti 1974, dhe ka publikuar poezi, tregime, ese, romane dhe kritika letrare në periodikun e kohës me emër dhe me pseudonime.
Veprat e publikuara :
Për sa legjenda flet historia , poezi, botuar nga "Pjetër Bogdani", Biel të Zvicrës, qershor 1992,
Nesër mund ta kuptoni heshtjen , poezi, botuar nga Flaka, Shkup, 2001
Pirgu i dhembjes , roman 1996,
Pirgu i dhembjes II, roman 1997 etj.
Me keqardhje dhe në pikëllim, po botojmë sonte dy poezi si dhe shkrimin e fundit të tij, në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi, si dhe bashkangjitur...poezitë që miqtë e tij, ja kanë kushtuar pikërisht në diten e ndarjes nga jeta!
Ferit Ramadani
MBRETI PADISHAH TURFULLIN N ' TURQI!
Mbreti padishah
turfullin n' Turqi:
- Në Vlorë Arnautët,
shpallën Pavarësi!
Ai stërnipi i Gjergjit
i Skenderbeut të parë,
që në Krujë shporri
mbretër, pashallarë!
Sërish në Vlorë
po shfaq prapësi,
Gjergj ' i dytë Qemali,
po ajo Shqipëri !
Po ! Ajo Shqipëri
i dyti nëntor !
Turret Anadolli
ta shtypë në Vlorë !
Mirëpo thyhet keq
e ngjitet në tel,
përpara shqiponjës -
shqiptarëve rrebelë !
Hënë e ngrënë e turkut
Sërbosllavi kryq,
ngriten përbindshat :
-Shqipes i bëjnë gjyq !
Ta shporrin nga trojet
ku ishte Iliria,
sfinja nga karpatet,
karadomuz Azia !
Në Stamboll të Turqisë
mbreti padishah,
oshëtin nga inati
por, Shqipëri më s'ka !
Në Beligrad të Sërbit
Pashiqi shejtan
nis orditë gjaksore
për në Durrës, Tiranë...!
Përjetojnë skëterrën
në Ankarë gratë,
harbohen shkinat sërbe
kopila të kenë dhuratë !
T'i drejtojnë në shtigje:
Kosova - Sërbosllavi !
Është model i Vukëve
i Çubrillëve të zi !
Lëshohen Pollogut
thik Pellagonisë,
Kara Maçula Makësh,
Grekomanë - Çamërisë !
Të gjithë për krrokama
nga Shqipja pijnë gjak
për vezë gjarpërinjsh
kërkojnë konak !
Ngritet e Pavarur
Zonja Shqipëri !
Ec shekujve përpara
Nëntorëve të ri !
Është jehonë ndër shtigje
kushtrim për liri,
plas shtriga osmane
cof kurva sërbi ...!
Ferit Ramadani
VARGJE PËR MARTIRËT
Sa vargje të bëj për martirët
vepra e tyre është lavdi
ata janë liria që na flaku zinxhirët
ata janë shpresa për ardhmëri !
Ata kanë një emër për Atdheun :
- Heronj! Që ndriçojnë si yje mbi re .
Ata janë të njëjtë me Skenderbeun
Janë himni i kushtrimit për ne!
Ata janë si Isa, i ngjajnë Adem Jasharit
edhe Shotës i ngjajnë Sulltana e Nuria
në varganin e gjatë të Flakës së Janarit
Jusuf Gërvalla ringjallet tek Iliria!
Nëpër sheshe Xheva e Fehmi komandanti
kanë lëshuar jehonën i dëgjon Vatani
pas shpine në shënjestër i mori naganti
tradhëtia i vrau mos u dëgjohet zani!
Harun Aliu - Kushtrimi , dhe shokët e tij
si Ukshin Hoti e shumë viganë !
I vranë ! I zhdukën me mister të zi !
- Nuri heroik u ndriçon në cdo anë ...
Agim Gashi
IN MEMORIAM PER FERIT RAMADANIN
Pa të derguar vlla te varret
Pa të mbulur me dhe të zi,
I radhis unë këto vargje
Miku im vetëm për Ty.
Ishe njeri me nderë e besë
Ishe baba, mik e poet,
Ishe feniksi i Iliridës
Emri yt ska me u tretë.
Kishe miq që të nderuan
Kishe ti edhe armiq,
Emri yt s´harrohet kurrë
Urrejtsit tu mbetën hiç.
Rruga e mbar për në amshim
Në token tënde flej n´qetësi,
Vargjet tua i lexojnë zogjët
Te varri yt aty përmbi.
25.10.2010-Düren
Miradie Zymberi - Avdullahi
TI JETON
Edhe qielli po qan sot,
në lotë po lahet kjo tokë,
Na iku befas nga kjo botë,
miku i madh!-Pse o Zot?
E deshëm gënjeshtër këtë njoftim,
nuk na pëlqeu që ta besojmë,
jemi mbuluar me pikëllim,
Ngushëllimet e miqve kur lexojmë!
Me flakadan nëpër shtigjet e poezisë
udhërrëfyes për shumë udhëtar,
Ti, o bir i ILIRISË,
u dhe vetëbesim në rrugë të mbarë!
Pena mbet jetime në tavolinë,
dorë e jote më nuk e prekë,
po i le ngushëllim poezinë,
ku i gjallë do të jesh përjetë!
Ti, jo, nuk ke vdekur!
Nga lartësitë tash shikon!
Në veprat tua gjallë ke mbetur.
O, Vëlla, përjetësisht jeton!
Edmond Shallvari
MALLI IM PER TY
Matanë kufirit të shpresës - klithma !
Alkimia e vargut të shpëtojë Sizifin!
Luftë e shpallur - heshtja që vret ,
verbëri shpërndan në dritën e jetës !
Malli im për ty - madhështi e thjeshtë , pa kulm!
Në shtigje ndesh djaj që mbjellin zi !
Rrënohen tempuj mirësie, qëndresa dashuri !
Në universin e kuptimit - errësira për njeri !
Gjithçka vlon të lindë pa u shuar
gjithçka ka kuptim të ri , të vjetër !
Por, nuk arriti gjithçka për të uruar
-si vargjet e lirikës që lindën në letër...!
NAIM FRASHËRI - MONUMENTI I VIRTYTIT DHE VETËFLIJIMIT KOMBËTAR !
Nga Ferit RAMADANI
Të shkruash për Naim Frashërin pas një shekulli e nje dekade e nje viti vdekjeje, nuk është as shpërthim vrulli që del nga kujtesa, as përfundim i asaj të keqeje që e ka pllakosur kombin duke u ndarë nga poeti, patrioti, humanisti, vetëm fizikisht! Naim Frashëri është bërë qysh në të gjallë të tij lidhja e përherëshme dhe ka kaluar në pavdekësi për aspektin parimor që e shprehu në krijimin e një niveli letrar artistik, poaq edhe në aktivitetin e zgjidhjes së çështjes shqiptare! Pikërisht për këtë, ai në çdo distancë kohore, edhe në këtë 111 vjetor vdekjeje, është po aq i afërt me ne, dhe vepron në linjën e parë të aktivitetit! Ai është po aq premtues për ditët e ardhmërisë! Është sfiduesi më i saktë që përballet me realitetin që nganjëherë del i rëndë në dëshpërime e në të këqia! Megjithatë, saherë bie zezona mbi Atdheun dhe shqiptarët, gjegjësisht ata i gërryen ligësia dhe përçarja, Naim Frashëri është monumenti i një ngritjeje i cili në shumë aspekte të ndez me dashurinë dhe me parimet e të mirës për ta na rimbledhur bashkimi e për ta rimbajtur në zemër Shqipërinë!Nga shprehjet poetike të Naimit , shqiptarët e kanë bërë rikthimin e gjendjes shpirtërore! Vargjet e tij, ua kanë shtuar emocionet, dhe ata kanë mbledhur edhe forcën edhe mendjen të veprojnë për interesat e Atdheut! Sepse atij kurrë nuk i ka munguar gatishmëria që t’i përgjigjet dilemës e cila është shtrirë në aspektin propagandistik për ta zhbërë e për ta rrudhur Atdheun e shqiptarëve që ishte Kalaja e enciklopedive për veprimet mbijetuese! Përpara rreziqeve dhe kanosjeve të shpartallimit të Shqipërisë nga interesat e fuqive robëruese, ai doli gjithmonë me një veprim unikat : Për bashkimin dhe pavarësinë! Gjithmonë duke e pasur në kujtesë Heroin Kombëtar të shqiptrëve, Skenderbeun, ai doli me dëshmi - nxitjet, se shqiptarët gjithkah në univers janë të tillë!
“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë
armët e tij kur i pashë
në Belvedere, në Vjenë,
-sikur pashë Skenderbenë”.
Është manifesti i mobilizimit që del e ngrit poemën “Parajsa”, që Naimi ua vë përballë shqiptarëve për qëllime taktike, se vetëm prej të tillëve mund të mbrohet atdheu dhe kombi, ashtu siç u mbrojtë nga Heroi ynë kombëtar! Me këtë dendësi qëndrese, të cilën e ka trashëguar nëpër shekuj shqiptari, ka mundur të mbrohet Atdheu nga egërsia pushtuese për të mbetur bota e qytetëruar e cila edhe për karakterin e të drejtës, të urtisë dhe të vërtetës mbeti Iliri! I prekur thellë në sedër për realitetin praktik dhe pasojat e atdheut të robëruar dhe, shqiptarëve të syrgjynosur, Naimi, bashkë më Abdylin dhe Samiun, dhe me shumë Rilindës të Lidhjes shqiptare, pareshur veproi për ta krijuar Platformën e Zgjimit për Çlirimin Kombëtar!Nëpër dallgët e përmbytjeve robëruese përmbyllej kaptina e Atdheut , përmbyllej syrgjynosja e shqiptarëve për ta larguar nga zemra e nga shpirti edhe gjakun, edhe shqipen edhe Shqipërinë! Që nga Porta e Lartë e Stambollit e deri tek Tanzimati! Që nga Kuvendi i Berlinit e në Paqën e Versajës, apo, në Shën Stefan, gjendja e Shqipërisë shkonte drejt katandisë! Parafyturimi i rrëmujës dhe rrëmetit, Naimin e prekën në ndjenjat e frymëzimit për t’i shkruar krijimet për dhembjen, mallin dhe dashurinë e Atdheut:
“Mendje merr fushat e malet!
Jashtë, jashtë nga qyteti!
Nga brenga, nga thashethemet,
nga rrëmuja, nga rrëmeti!”
Nëpër kohën e kësaj errësire, nëpër gjithë këtë tirani osmane shkuar bizantinëve, Naimi nuk u mposht nga dëshprimi. Ai u ringrit në një kolos që do të derdhë gurrën letrare për të krijuar kryeveprën, poemën Bagëti e Bujqësi, e cila me nivelin e saj artistik, me përmbajtjen dhe tërësinë, simbolin dhe metaforën, hapi horizontin ku hynin dhe gjenin frymëzime për t’u mobilizuar me ndjenjën atdhetare gjithë shqiptarët. Ky patos i brumosur i forcës shprehëse për shqiptarët u bë kushtrimi më i fuqishëm që i nxiti nga Stambolli e deri në Bukuresht ta kërkojnë lirinë! Hovet krijuese të mishëruara me hovet e përhershme shpirtërore të Naimit që i pati në parim e në platformën vepruese të tematikës patriotike, e bënë atë Pris Shpirtëror të shqiptarëve, të cilët e çmuan dhe e admiruan si kombin dhe Atdheun! Sepse, ai ua shpaloi të vërtetat për të cilat duhej këmbëngulur me guxim, ashtu siç ishte edhe poema “Shipëria” se:
“Bota , që kur është zënë,
Shqipëria gjall’ ka qenë!
Pellazg ‘ u thoshin më parë,
më së fundi shqiptarë...
Mos durofsh, i madhi zot,
të jetë në zgjedhë sot!
Poema “Shqipëria” është sa entuziazmuese, poaq edhe dokumentuese, për shqiptarët!Ajo është e një qenësie faktike e cila, që nga krijimi ka përjetuar goditjet e perandorive të ndryshme, të cilat, ende e godasin dhe padrejtësisht vazhdojnë t’ia mohojnë edhe gjenezën , edhe gjakun, edhe gjuhën, ashtu siç u përpoqën t’ia ndryshojnë gjeografinë, që pastaj, në hapësirën e saj të kultivohej çdo farë e fe në damin e shqiptarëve!Naim Frashëri , del si monument për t’ua zbardh të vërtetën shqiptarëve që të mbesin gjithmonë krenar dhe të ndjejnë dashuri për atdheun! Del edhe si parandalues këmbëngulës kundër gjithë atyre që i kanë pretendimet robëruese ndaj kombit! Mbase, i bindur edhe në fuqinë e “I madhi zot”, se nuk do t’i duronte padrejtësitë e tilla të mbetjes së Shqipërisë nën zgjedhë! Është sa e domosdoshme po aq e nevojshme të theksohet në kohën tonë, se Naim Frashëri edhe sot e paskëtaj është Mësuesi ynë i madh i cili na ndërlidh me temat që u ka rënë misteri, megjithatë ai i bën të dashura, dhe brezat që vijnë i detyron të ndjehen krenarë! Sepse:
Pa shihni ç’ gjuhë e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur edhe e dlirë,
si gjuhë perëndie!
Në realitet, kush nuk do t’i përkasë cilësisë së tillë?! Kush nuk do të përpiqej ta flasë atë pos djajve të cilët me çdokusht u përpoçën ta fshijnë nga autoktonia e saj me aneks administratat barbare! Megjithatë, meç ishte e cilësuar si e tillë nga Naim Frashëri - monumenti i virtytit dhe vetëflijimit kombëtar, ajo përkundër gjithë tendencave të perandorëve, bashkë me shqiptarët në çdo skaj të botës përjeton një zhvillim karakteristik! Në këtë proces të zhvillimit është edhe Lëvizja për liri kombëtare! Ajo i ka marrë nuancat e një përbetimi të përhershëm të shqiptarëve të cilët që nga lindja e deri në vdekje e mbajnë si amanet dhe gjatë gjithë jetës së tyre përpiqen ta sëndërtojnë:
“ Shqipëri ti më jep nderë,
më ep emërin shqipëtar,
zemrënë ti ma gatove
plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Gjithë kjo jehonë e ndërgjegjes sonë kombëtare nuk është vënë kurrë në binarët e mohimit të vlerave të të tjerëve! Për ato, Naimi gjithmonë ka pasur respekt dhe ka ofruar bashkëpunim! Ai në kuptimin e këtij krijimi ka ringritur shpjegimin i cili hyn në misionin e ndriçimit për rreshtimin e drejtë dhe përcaktimin e plotë të Atdheut, kombit dhe gjuhës së tij, pa të cilat as që do të bëhej trashëgimia, as kultura, as trimëria! Me një fjalë, historia do ta ndjenjte mungesën për ta shkruar efektin e të ngjarave që mbeten epope të papërsëritura! Ashtu siç mbeten unikate edhe krijimet artistike të Naim Frashërit për vetëflijimin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët:
Do të tretem , të kullohem,
të digjem , të përvëlohem,
që t’u ndinj mir’ e të shihni,
njëri - jatërin të njihni.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi