Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

"Si u denova nga rregjimi prej kenges"Kafe Flora burra plot" Interviste me Agim Shehun,Bisedoi:Raimonda Moisiu,Tirana Observer

Shko poshtë

"Si u denova nga rregjimi prej kenges"Kafe Flora burra plot" Interviste me Agim Shehun,Bisedoi:Raimonda Moisiu,Tirana Observer Empty "Si u denova nga rregjimi prej kenges"Kafe Flora burra plot" Interviste me Agim Shehun,Bisedoi:Raimonda Moisiu,Tirana Observer

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 29, 2010 8:50 pm

Maja që nuk i mbulon mjergulla e kohës!

"Si u denova nga rregjimi prej kenges"Kafe Flora burra plot"

(Titulli redaksional, Botuar sot ne Gazeten TIRANA OBSERVER!
Interviste me poetin e pulicistin Agim Shehu

Agim Shehu: “ Vajzën vështroje te buza e sigurohu te syri i saj...”

"Si u denova nga rregjimi prej kenges"Kafe Flora burra plot" Interviste me Agim Shehun,Bisedoi:Raimonda Moisiu,Tirana Observer 41390_1208896826_5194675_n
Bisedoi Raimonda Moisiu


"Si u denova nga rregjimi prej kenges"Kafe Flora burra plot" Interviste me Agim Shehun,Bisedoi:Raimonda Moisiu,Tirana Observer Thumbnail.php?file=agim_shehu_611857945
Agim Shehu

Shkrimtari dhe publicisti Agim Shehu është tanimë një nga krijuesit e shquar që posedon mjeshtërisht artin e krijimit letrar në thellësi dhe në parametra të gjera. Kush e lexon ndjen se ai është artist me fije poezie në çdo vepër të tij. ; poet që për të krijuar art mban gjallë e artikulon me aftësi një “makinë” të vetën prodhimtarie, me mendim e pasion sipër saj. Me të krijon një univers jete sa intim po aq shoqëror e njerëzor. Më e veçantja dhe mendoj e adhurueshmja, sa më shumë i hollohen thinjat nga mosha, aq më shumë i rëndohet mendimi i pjekur, i ngjashëm me kallirin e mbushur kur rëndon nga prodhimi. E nisi dikur me lirikën e luleshqerrave e blegërimën e deleve në mal dhe po e vazhdon me « lisa » të mëdhenj të poemave, , romanit, veprat studimore e gjer në drama si befasuesja « Kostandini i Madh ». Para lexuesve po sjell gjithnjë e më shumë hapsira jete e ngjarjesh, horizonte befasuese të jetës të cilat vetëm një artist i talentuar e i pjekur di t’i gjejë e t’i japë në madhështinë dhe bukurinë që fshehin brënda vetes. Me talentin dhe pjekurinë e tij ndërton plot qartësi e ndjeshmëri të kaluarën për të pasuruar të tashmen dhe për t’i hapur udhë denjësisht të ardhmes. Poeti dhe studjuesi Mihal Gjergji e vlerëson saktë : « Vjen një kohë kur artisti luan me mënçurinë dhe kjo moshë është mosha e zbukurimit nga argjëndi i thinjave ». Pëllum Kula shkruan se « Agim Shehu është magjistar i fjalës ». Në shtyp autori ka veprën e re « Fjalurtat e mia ngarkuar në shpinë ». Atje lexohet plotësisht jeta dhe filozofia e tij, e kaluar nëpër dramat e njëpasnjëshme të cilat i përballoi me dinjitet. Dhe vjen çudia – 10 vjet në mërgim të detyruar në Zvicër, ka prodhimin më të madh e më të freskët gjatë 75 vite të jetës. Talente të tilla i paguajnë ‘haraç’ ndjeshmërisë kombëtare dhe guximit për ta shprehur këtë ndjeshmëri, megjithatë mjegullat që i fryn e sotmja nuk ia mbulojnë dot ballin kur qëndron sipër një krijimtarie të cilën e merr në pronësi koha. Me këtë frymë pjekurie e modestie ma dha dhe këtë Intervistë që ia kërkova nga larg.

Raimonda Moisiu - Z. Agim, besoj na shkon një bisedë arti përkarshi, ti buzë liqenit në Gjenevë, unë buzë Oqeanit në Amerikë! Disi larg por arti i afron kufijtë, veçanërisht te mërgimtarët !
Agim Shehu - Mendoj na shkon, dhe për disa arësye. Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara përfaqësuar në Intervistë prej ne të dyve, pavarësisht përmasave të jashtme të secilës, kanë një ngjashmëri disi sugjestionuese në strukturë. Amerika i ngjan Makrokozmosit - organizim vigan i harmonisë Universale. Zvicra i ngjan Mikrokozmosit - organizim magjik i harmonisë molekulare. Të dy jemi me fat dhe mbajmë te vetja nga pak rezatim gati hyjnor të vëndeve ku jemi. Ti në Amerikë ke diku dhe një pikëzim të largët Shqipërie, vëndemrat «Albani…Alabama…». Unë në Gjenevë kam pikëzimin ilir «Dardani»; liqeni ku dal vazhdimisht quhet «Leman» (nga shqipja-ilire ‘lamë-lëmë’ thotë Çabej). Volteri e quajti liqenin më magjik në botë. Mid’hat Frashëri i dha të drejtë pasi Volteri nuk kish parë ende liqenin e Pogradecit! Oqeani afër teje quhet At-lantik (vëndi i atërve) ku është mbytur dhe At-lantida…Ardhjen në këto vënde, sado secili në hallin e tij, e kemi dhe disi të ligjëshme pasi më parë kanë ardhur të parë tanët, doemos të mëdhenj e fisnikë gjersa u ka mbetur i pranueshëm dhe emri mbi syprinë të vëndit.
R.M.- Vepra juaj dëshmon gjithënjë e më shumë se jeni ndër poetët tanimë të shquar, nisur te vitet ’60 të shekullit që lamë. A ka diçka të tillë në fëmininë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë poet?

A.Sh - Vështirë ta thuash qartë. Pema nuk e regjistron dot lidhjen e luleve. Talenti nuk është thjeshtë gjë hyjnore edhe pse ka bukurinë e hyjnores. Ai vjen i plazmuar në strukturën e njeriut, është dhe një veçanti disi biologjike e tij. Nëse krijimi artistik është zëri, ndërtimi i talentit është salla me cilësinë akustike të zërit, që e rijep atë si muzikë. Ndodh, e këshillojnë poetin: «Shih sa natyrë e bukur! Frymëzohu»! Mirëpo bota jashtë me botën e brëndëshme të poetit janë si dy «radio» dhënëse e marrëse. Po nuk punoi radioja marrëse çdo gjë është e shuar. E thotë bukur Gëte: «Poeti nuk ka nevojë aq shumë që të shtrohet të njohë realitetin; ai është ndërtuar në mënyrë të tillë që ta njohë lehtësisht atë». Si çdo gjë e gjallë në jetë edhe talenti do ushqimin e vet. Artisti i shquar francez Zhan Gaben e thotë saktë: «Për suksesin në art duhen tri gjëra, pak talent, shumë punë dhe…pak fat». Puna e «fatit» ka shumë fije shpesh të befasishme si të dhëna nga një botë e jashtme, e pakontrolluar dot nga krijuesi. Në fëmini unë jam rritur në një mjedis që ngado ushqente poezi të virgjër natyre dhe ëndërime nga më të çudiçmet. Dele dhe lule përzier tinguj zilesh majë maleve te dajot; yje që natën më këputeshin mbi kokë duke m’u zgjatur si metafora të pakuptueshme. Këngë trimërie të vëndit pikëzuar me lirizmin më të hollë. Ninullat e bukura të nënës i dëgjoja para gjumit si këngë e më përsosnin vatrën e këngës te vetja. Pikat e shiut nga dëbora që shkrihej në çati binin te enët që u vinte poshtë nëna e më tingëllonin në gjumë si ritme poezie. Vinte prilli, shkrinte bora majave dhe zogjtë që putheshin në ajër më vinin si rimë…Im atë në biseda fliste shkurt e aty mësohesha të mos i zgjatja gjërat sidomos në të shkruar (nga zgjatja shpëtova në moshë të thyer)…Është një mekanizëm i tërë si prej fryme qiellore, i papërcaktueshëm qartë e që përfundon te poezia.
R.M.- Çfarë ju ka pëlqyer në adoloshencë për të lexuar?
A.Sh - Gjërat me fantazi dhe trimëri. Nga përrallat e gjyshes te filmat e romanet me aventura. I vogël, nisa Ana Kareninën e më lodhi. Pastaj s’më pëlqeu se bënte dashuri kundër këshillës që më kish dhënë nëna me anë të përrallave: «Ruaju nga vajzat e bukura se të marrin në qafë pa e kuptuar»!
R. M. - Je ruajtur prej tyre?
A.Sh - Me vështirësi se ato s’pyesnin për këshillën e nënës. Lexova Shekspirin e më shkallmoi mëndjen e vogël. Lexova Don Kishotin dhe atje u kënaqa i lumtur.
R.M - Cilët autorë tanët pëlqeje më shumë ?
A.Sh - De Radën, Naimin dhe Migjenin. I pari më dukej shënjtor; i dyti hyjnor. I treti meteor.
R.M. - Cila ka qënë poezia apo tregimi i parë që keni shkruar ?
A.Sh. - Vargëzime të para djalërie me shakarat gazmore në 7-vjeçare për shokë e shoqe të klasës. Botimi i parë ka qënë në Pionieri një vjershë për Debatikun - heroizmi i pionerëve në luftë. Javë të tëra flija me atë gazetë nën kokë. Emri im shkruar saktë në gazetë bashkë me mbiemërin kish një pamje magjie trazuar me një seriozitet absurd.
R.M. - Cili ka qënë libri juaj i parë?
A.Sh. - «Horizont i Kaltër» (mendoja se bota do qe një horizont i kaltër lumturie e drejtësie; të vërtetën çgënjyese me kosto të rëndë e mësova saktë kur atë horizont naiv ma nxinë tejpërtej e pamëshirshëm tymrat mbytës të Metalurgjisë). Libri qe kryesisht me lirika të çiltra në natyrën e moshës e në sitën e kohës. Fillonte me një vjershë për Enverin (isha mësues i ri e më pushuan nga puna brënda vitit ngaqë kundërshtova me guxim romantik drejtorin diktator të gjimnazit. Më këshilluan t’i bëja një vjershë Udhëheqësit. Ia bëra, e botova dhe më rifutën në punë). Në tërë librin, sado me dobësi të moshës frynte lirizmi
R. M. - Atje keni dhe poezinë e famëshme humoristike «Dashnores, nga një matemikan» që mbeti dorë më dorë te rinia e kohës. Për kë e pate shkruar ?
A.Sh - Për një korçare të hijëshme, Luiza K. Qe studente në matematikë e para saj njërit prej shokëve i merrej goja t’i thoshte se e donte! Unë ia thashë me vjershë në vënd të tij te një orë gazmore. Pastaj mori dhenë me uri dashurish të tjera, sidomos për të pafatët në dashuri.
R.M.- Ju keni shkruar shumë lirika dashurie e mesa di nga rinia, ju kanë quajtur «Poet i dashurisë». A ka të vërtetë ?
A.Sh.- Pyet më saktë ata që e thonë. Dashuria është lulëzim i njeriut, e po ashtu vitalitet i njeriut. Flitet për dashurinë e pastër pasi sot, për fat të keq edhe dashuria në më të shumtën e rasteve është kthyer në një lloj biznesi. Është dramë e rëndë, më shumë se njerëzore, kombëtare - shkatërrimi i familjes, vatrës më të shenjtë shqiptare. Prapa tingullit të gotës për urim fejese rri e gatëshme zilja e seancës së gjyqit për ndarje. Dashuria e trupit është porta e shtëpisë nga e cila do hysh në dhoma të tjera më të rëndësishme të botës së njeriut, në pasuri më të mëdha e të qëndrueshme që i lidh gjatë dy njerëz. Pranohen dashuri të furishme, gati të pavetëdijshme si kaskadat në diga, por dhe ato nëmos i parashikon dot, duhet bërë kujdes t’u mënjanosh përmbytjet. Aq më mirë kur atë vërshim dige e kthen në dritë hidroçentrali, dmth në vepër arti siç ka ndodhur me poetë të shquar.
R.M.- Kur shkruan poeti krijime të tilla?
A.Sh.- Si për çdo motiv e sidomos për dashurinë, njeriu shkruan ahere kur nuk mund të mos shkruajë. U mbush rezerva, kroi do vërshojë të japë ujin e bukur të maleve. Dihet, njeriu është i prirë të dashurojë atë që nuk e ka. Nuk e arrrin, dhe thërret në ndihmë artin, në vënd të vajzës ka poezinë për vajzën qoftë dhe për ngushëllim apo si ambasadore tek ajo që ta bindë më hijshëm në vënd të tij. Krijimet më të bukura në erotikë janë ato kur poeti nuk ka pasur sukses në dashuri (për këtë vajzat që u kanë plasur buzën poetëve ndoshta dhe duhen «falënderuar» si shkaktare të veprave më të mrekullueshme).
R.M - Juve ç’ju ka shtyrë për këtë lirikë?
A.Sh - Dashuria e madhe dhe e veçantë me studenten (sot bashkëshortja ime). U nisa për studime letërsie në Moskë e Sigurimi më kërkoi: ose vajzën «borgjeze» ose Moskën! Guxova zgjodha vajzën «borgjeze» - veprimi im më i mënçur në jetë. Humba pak nga jeta ime e çastit e fitova jetën e plotë me dinjitet. Ahere ajo më tha duke qarë: «Lermë mua, shih të ardhmen tënde»! Më pas u dënova ashpër si fill i puçistëve, e unë i thashë: «Lermë mua, shih fatin tënd»!
R.M.- Kur një njeri e ndjen se është i dashuruar nga tjetra?
A.Sh - S’ka asnjë kod të shkruar për këtë, sidoqoftë vajzën vështroje te buza e sigurohu te syri i saj. Pranë saj ndjehesh i lidhur më shumë me trupin; larg saj - i lidhur më shumë me shpirtin. Dashuria e vërtetë është lidhja shpirtërore që e superon atë të trupit.
R. M. - E kur ajo lidhje prishet?
A.Sh - S’jam teoricien e çdo njeri e gjykon vetë, por në tërësi mashkulli të tërheq me anë të mëndjes, femra me anë të aromës. Femra që ka vendosur të të ikë i ngjan erës në ikje: s’ke nga e kap ta rikthesh te vetja.
R.M.- Cilat janë temat më të pëlqyeshme në krijimtarinë tuaj? Sa janë motivet vetiake?
A.Sh.- Janë të botuara e flasin vetë. Krijimi është vetë autori (një poeti rebel rus i kërkuan të tregonte teserën e partisë e ai u dha vëllimin me poezi). Në kuptim të ngushtë, vetjake quhen ato krijime ku flet për veten a të njohurit e tu. Por çdo krijim i çdo ngjarjeje, figurë historike a njerëzore është njëkohësisht edhe vetjake pasi atë e ke trajtuar nëpër gjykimin tënd dhe e ke ngrohur me gjakun tënd duke i bashkuar dhe frymën tënde. Shkrimtari i bën koregjimin historisë duke ndrequr prishjet që i bën njeriu. Gjërat i jep jo siç vinë nga kaosi njerëzor por siç duhet të jenë nga Krijuesi qiellor ndaj thuhet saktë se e vërteta në art është më e vërtetë se e vërteta në jetë. Për më tej, në krijimet e shkrimtarit rri fshehur fëminia e tij me brishtësinë dhe naivitetin hyjnor në embrion të njeriut. Në doni të njihni në thellësi një shkrimtar, thotë Gëte, vizitoni vëndlindjen e tij. Mendoj se në librat e mi zotëron motivi lirik, ai i vëndlindjes dhe sidomos motivi kombëtar (përjashto krijimin socialist në krye si librezë për hyrje në shtypshkronjë). Ndjershmërinë e dukëshme kombëtare që shihet aq shumë në poezi dhe shkrime të tjera e kam rezatim të brendshëm, gati të pandërgjegjshëm, trashëguar nga prindët në vazhdimësi që kanë punuar për Shqipërinë dhe kanë vuajtur nga kjo. Dua të kujtoj se që në vëllimin e parë të djalërisë, 1959 i kundërvihem shovenizmit grek për Vorio-Epirin. Më 1971 kthehem nga metingu i poezisë në Gjakovë dhe botoj poezi në Drita me vargjet: «Kosovë e bukur, gjyk i fryrë/, çdo hap i hedhur-drithërime !/ Erdha dhe mbeta, kisha hyrë/ në vëndin bosh të zemrës sime». Ndjeva kundërshtime të hidhura prosllave nga zyrtarë, e këtu nisi persekutimi im 10 vjeçar me kazmë internimi në Metalurgji. Te poeti nëse motivet intime janë lëndina me blerim e lule sipër, motivet atdhetare janë pasuria e çmuar minerale nën vete me vlera përtej gëzimeve lirike të çastit.
R.M.- Mesa di, u dënove se te një koleg shave Udhëheqësin e ai me pabesi bëri letër lart!..E ç’lloji qe ajo letër pabesie mbi poetin?
A.Sh - Kish aq helm sa po ta kafshonte gjarpëri do qe helmuar. Siç qe qëndisur e që e mësova më pas, ishte përpunim i një ingranazhi fabrike intrigash nga kolegë me pushtet në Udhëheqje. Sa për lloje, ka nga më të ndryshmet në botë. Sollzhenicin tregon se te letra drejtuar një shoku për Stalinin tha «Mustaqja», dhe një ditë u gjënd në burg. Aty lindi vepra e madhe disidente «Arkipelagu Gulag».
R.M. - Di se dhe ju nga mundimet prej internimi 10 vjeçar keni shkruar romanin «Udha për te vdekja». E keni gati për botim?
A.Sh. - Unë s’jam disident e as më ka shkuar në mënd. Sidoqoftë këtë roman e kam gati për shtyp pa e përmendur veten në radhën e të mëdhenjve. Le ta gjykojë lexuesi. Nga ana ime e kam veprën më të çmuar, të punuar me tepër përgjegjësi gjatë 10 vjetësh në mërgim.
R. M.- Cilën poezi tuajën keni më të shtrenjtë?
A.Sh - Duke veçuar njerën më duket se do tradhëtoj të tjera që më janë po aq të dashura e besnike të jetës. Por mbi të gjitha do vija poemën «Bisedë me Rubairat». Nëse të tjerat janë lumenj, kjo poemë është deti (aq sa është) që i përmbledh disi gjithë të tjerat. Aty është përmbledhur jeta dhe filozofia ime për jetën me tërë ëndërat dhe çgënjimet e përjetuara gjatë tre çerek shekulli.
R.M.- A mund të na thoni një nga poezitë e dashura?
A.Sh - Përcaktimi është i vështirë por po jap një të shkurtër, shkruar në vetmi një ditë dimri zviceran: «Bie dëborë e hollë e hutuar/, vellon e bardhë në dritare ma shtriu/. Kërkonte nusen…pa gruan time të thinjur/ dhe shkriu»…
R.M.- Cila është vepra më e mirë e një poeti ?
A.Sh – Mendoj, ajo të cilën ende s’e ka shkruar e do ta marrë me vete në botën tjetër.
R.M. - Për të dhënë një poezi, cila është gjëja më e vështirë ?
A.Sh - Çdo njeri ka vështirësinë e natyrës së vet. Mendoj, e keqja e përbashkët është të ulesh të thuash poezi kur s’ke gjë poetike për të thënë apo kur mendimit, nëse vlen si mendim s’i ke gjetur figurën e shprehjes. Mendimi është anija me vela në det, ndjenja është vala që dallgëzon e shtyn velat.
R.M.- A duhet përdorur rima ?
A.Sh.- Si ta kërkojë poezia. Poeti amerikam Forst thotë se të shkruash poezi pa rimë është njëlloj si të luash tenis pa rjetë. Megjithatë rima s’është poezia. Dhe po të jetë, s’është kurrë asnjanëse; ajo o prish, o ndreq. Kur poezia është e dobët rima e bën edhe më të mërzitëshme (në festa miqsh më mirë pa asnjë shok me vete se me një llafazan pa shije si rimat e kota). Kryesore është ritmi i brëndshëm i vargjeve që i jep dinamikë dhe vitalitet mendimit. Përdorimi i saktë i rimës i ngjan harmonisë në polifoni, kërkon mjeshtëri të madhe.
R.M.- Në tërësi ju jeni poet i shëndetshëm, me tërë besim për jetën ; megjithatë herë herë keni një melankoli të ndjeshme, gati kërkoni vdekjen megjithë gruan! Si bashkëjetojnë tok te ju këto ?
A.Sh - Gjëndja e trazuar shpirtërore shpesh gjer në pikëllim është pasqyrë e jetës plot çgënjime e pabesi të hidhura. Veçanërisht kur në botën me vuajtje sheh dhe prishjen dramatike të njeriut, dhe kjo të ndodhë me të vetëquajturën ‘demokraci’! Vuajtjen mund ta durosh pasi vjen që nga thellësi historie (në shëmbëlltyrën e zvogëluar të Prometeut, pastaj të Krishtit); por pabesinë nuk e përballon dot. Nuk të shqetëson errësira në tunel por mungesa e dritës në fund të tunelit. Kush e mendonte - si kurrë në histori, shqiptarit e vetmja trimëri t’i mbetej vrasja e vetes! Në këtë klimë absurde poeti i çiltër shpreh atë që sheh dhe sado optimist të jetë, poezia shpesh i merr dritë-hijet e Rembrandit.
R.M.- A kemi kritikë ne ?
A.Sh - Në tërësi as dje as sot s’kanë qënë për të qënë. Shumica janë ish shkrimtarë të dështuar: meqë i çgënjeu letërsia, ata u kthyen të çgënjejnë lexuesin; s’krijuan dot vetë e gjykojnë të tjerët (i ngjajnë eunuhut, siç thuhet : e dinë si bëhet ajo ‘punë’ por s’e bëjnë dot). Dje në tërësi bënin kritikë për të lidhur krijuesin me shtetit mbi kurriz të lexuesit, sot bëjnë pazar biznesi me krijuesin për t’u shitur te lexuesi. Borhez këshillon lexuesit që t’i lexojnë vetë veprat e mos të dëgjojnë kritikët.
R.M. - Jeni autor i këngës së paharrueshme «Kafe Flora». Si ndodhi?
A.Sh - Miku im, kompozitori brilant Agim Krajka më tregon në piano një melodi të ngrohtë nga Jugu e më kërkoi tekstin. I thashë të bëjmë, qoftë dhe të guximshme, një këngë për dëfrimin e gëzueshëm të rinisë larg kërkesës së mërzitëshme të kohës për zbore e alarme. U bë nga tre autorë, dy Agimë e një Linditë që e këndoi, dhe doli ajo që doli. Duartrokitjet e papushuara të të rinjve ngado u pasuan nga kamxhiku i menjëhershëm i diktaturës. Komiteti Qëndror së pari organizoi në RTV një paragjyq ku në presidium si të paditur qenë Todi Lubonja, Mihal Luarasi dhe autori i Intervistës. Secili mori dënimin e vet.
R.M.- Lexova në shtyp e internet ca Fjalurta krijuar prej jush…
A.Sh - Libri është në shtyp, «Fjalurtat e mia ngarkuar në shpinë». E boton miku im zotni, Spiro Dede te «Albin».
R. Moisiu - Si i «ngarkoni» në shpinë?
A.Sh - Jam krijues i tyre dhe «hamall» i tyre. Janë nxjerrë nga koha e gjatë e jetës plot përvojë e persekutime, gjer në goditjen për vdekje që më detyruan të mërgoj. Nëpër to rjedh gjaku i shpirtit tim dhe gjykimet e mia për botën dhe ngjarjet e përjetuara. Ndahet në pesë pjesë: Atdhetarizmi, Demokracia, Shoqërore, të Artit dhe të Erotikës.
R.M - Sapo keni nxjerrë dramën me 5 akte «Kostandini i Madh». Ç’ju shpuri gjer 2000 vjet pas? Si i përballuat kaq shekuj, ta paraqisni art në vepër sikur e keni jetuar?
A.Sh - Në Gjenevë rashë në dokumente për atë kohë që më mahnitën me të rejat të cilat s’i dimë. Flitej për madhështinë e tejzakontë të Perandorëve ilirë të Romës, sa në trimëri dhe në mënçuri e humanizëm. E kishim dëgjuar Perandorin e Madh Kostandin si Monument, por s’i dinim dhe dramat e mëdha në familje: intrigat e senatorëve paganë bënë që ai të vriste të birin, Krispin, pastaj gruan e re të tij Faustën…e me këtë dramë në shpinë shkoi themeloi Perandorinë e re të Lindjes simotër e asaj të Perëndimit. Me çdo njerin prej tyre të tjerët do krenoheshin çdo orë të ditës e në çdo media të botës, do t’i vinin në krye të programeve shkollore. Shqiptarët bukëngrënë e vetëngrënës nën zyrtarët që i udhëheqin jo vetëm nuk flasin për ta por as nuk i njohin. Kush s’njeh të kaluarën e vet s’ka hair në të ardhmen. Më lëvizi në fantazi vargu madhështor i Nolit te Hymni i Flamurit të tij: «Flamur që lind Shën Kostandinë…». Filloi të më skicohej drama në fantazi. U ula e fillova. Kisha shtysë dhe paradoksin e çudiçëm që ende s’e kuptoj: Vatikani i shpallur i shenjtë për drejtësi e humanizëm universal njeh gjer Tumorin Lindor në Pacifik..! Njeh Serbinë dhe s’njeh ende viktimën e saj, Kosovën e cila tanimë u mbështet dhe nga Gjykata Ndërkombëtare. Nuk njeh palcën e kombit shqiptaro-ilir i cili i ka dhënë aq shumë Krishterimit: Kostandini i Madh ilir guxoi legalizoi krishterimin; Jeronim Eusebio ilir i pari përktheu Biblën latinisht e ia dha qytetërimit perëndimor. Niketë Dardani ilir bëri Te Deum - hymnin e Krishterimit që u luajt gjatë shekujve. Skënderbeu mbrojti dhe Krishterimin e nga papët me radhë u quajt «Atlet i Krishtit», et ceterà me tralalà! Kombi shqiptar dha veç të tjerëve gjer Papën Klement Albani…Dha Shenjtoren moderne Nënë Tereza…Ç’mund të bëjë tjetër për Vatikanin që të njihet, të paktën me lehtësinë që (sado nën pushtim) njohu dhe pushtetin e Hitlerit?!..(kërkoj falje nëse flas gabim e s’i di gjërat, por le t’i thuhen Kosovës! Selia e shenjtë do ndikonte shumë për mirë).
R.M.- Gjithandej drama ka vlerësime të larta. Cili teatër e ka marrë ?
A.Sh- Unë e kam bërë detyrën time.
R.M.- Jeni krenarë për krijimtarinë tuaj, sidomos kur po vlerësoheni gjithënjë e më shumë ? E përfytyroni dot veten pa shkruar sidomos në moshë të thyer ?
A.Sh - Në letërsi mosha është e thyer nëse të janë thyer duart për të mbajtur penën; më saktë nëse ndjen se të është tharë shpirti. Kjo është vdekja e vërtetë e krijuesit. Për krijimet e mia natyrisht jam krenar në masën që kjo është e arësyeshme. Sa për vlerësimet, më tepër jam mësuar me fjalën e ftohtë e më shumë me heshtjen e hidhur. Që në librin e parë të rinisë një poet, fatkeqësisht krahinar më sulet me një poezi vrasëse ku godet lirizmin tim të tepëruar të cilit i mungonte militantizmi i kohës! Më goditi pikërisht lulet, të brishta e naive siç qenë por të çiltra…Heshtja ka qënë më sunduese, po kjo është shoqëruese në shekuj e krijuesve, që 2 mijë vjet më parë. Shopenhauer shkruan: «Që në kohë të Senekës njihej arti i çvlerësimit me një heshtje keqdashëse. Kopukët e asaj kohe i përdornin me aq shkathtësi mjete të tilla sa dhe maskarenjtë e sotëm. Është gjithmonë zilia që kërkon të na mbyllë gojën».
R.M - Sa lloj të tillësh njihni ju?
A.Sh - Janë ziliqarët. Etjen për emër nuk ua ushqen aftësia dhe ulin kolegun të paktën për t’u barazuar me të. Opozitarët - mospajtim pikëpamjesh e për të të çvlerësuar të njollosin. Mercenarët - shërbëtorë me shpërblim të dikujt lart. Inatçorët - më ngave, të ngava! Ka dhe nënprodukte të tjera por s’i përmënd që të mos shtoj ndotjet e tyre.
R.M.- Jeni duke e shtuar prozën. Ndjeheni më shumë poet a prozator?
A.Sh - Është e mjaftueshme të jesh krijues i pëlqyeshëm. Sidoqoftë proza është diploma e poezisë dhe harmonizon më shumë me moshën e thyer. Në prozën e mirë poezia është e pranishme pa thënë ‘ja ku jam’ !
R.M - Po hapet këmbimi në internet i poezive a esseve mes krijuesve.
A.Sh - Gjë e mirë, njerëzore e artistike sidomos për diasporën, e veçanërisht në gjëndjen çgënjyese trë kritikës. Veç kam përshtypje se herë herë ky botim kalon në qarkullim të cekët vlerash veçanërisht me poezi të montuara për kënaqësi të vogla - «thuaj një fjalë të mirë të të them dy»! Aq më tepër një lloj humori i ngushtë, i mërzitshëm për rrethin e gjerë, si i zvarrisur nga taverna private. Megjithatë, është punë e tyre !
R.M - Ç’mendoni për poetet femra !
A.Sh - Uroj që në art të mbeten së pari ‘femra’. Aq sa njoh, nuk u shkon «burrëria» e sforcuar, veçanërisht në periudha të qeta të jetës. Pa ju bërë qejfin, veç vlerave të tjera ju keni butësi femre në vargje harmonizuar me rebelizëm njerëzor kundër së keqes së kohës mbi femrat dhe njerëzve në tërësi. Është e goditur thënia: «Mashkulli të tërheq me anë të mëndjes; femra me anë të aromës» (në kohë lufte i bëhet vënd dhe barotit).
R.M - Si spjegohet që 10 vjet në Gjenevë keni shkruar më shumë dhe të cilësive më të larta se gjatë gjithë jetës suaj?
A.Sh - Ndoshta, këtu dhe ora e famëshme zvicerane bashkë me saktësinë qiellore në matjen e kohës të mëson dhe këshillën latine «nulla dies sine linea» (asnjë ditë pa një resht). Në mërgim nuk ka kënaqësi të rëndomta dite. Gruas pranë vetmisë sate s’i ndahen këshilla shëndeti, kur dhe gotës së konjakut në shtëpi i ka bërë një vizë, rreptësisht të pakalueshme.
R.M - Si e kaloni kohën ?
A. Sh - Kryesisht si ta kërkojë koha. Në ballë rri kompjuteri me kafen përpara. Dhe shëtitjet në pyllin afër a buzë liqenit.
Ju faleminderit ! Jetë të gjatë e suksese !

Bisedoi :Raimonda Moisiu
Tetor 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi