PREND BUZHALA, SHKRIMTAR DHE STUDIUS I DENJE I LETRAVE SHQIPE
Faqja 1 e 1

Me rastin e ditlindjes 01.11.1951
PREND BUZHALA, SHKRIMTAR DHE STUDIUS I DENJE I LETRAVE SHQIPE
Shkruan Prend BUZHALA
SHKRIMTARI IDEALIST SHQIPTAR GJATË SHEKULLIT XX
Në cilën anë është shkrimtari? Anën e kujt e mban ai?
Problemi është i moçëm, ç’prej se mbahet mend krijuesi i parë në punë të artit. E pra, dikur e tani, shkrimtari ishte në anën e atdhesisë, lirisë, demokracisë, përparimit etj etj. Do të thoshim, në anën e Njeriut e të Humanizmit. E në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit. Tek e fundit, krijimtaria artistike, përbën esencën afirmative të të gjitha gjërave. Kurse në anën tjetër të barrikadës do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj etj.
I. Abeli në anën e Shkrimtarit, Kaini në anën e Politikës
Vetëm krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojnë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe politikës; në mes shoqërisë dhe artit, në mes kombit dhe krijimtarisë artistike, në mes të vizioneve për humanizmin e demokracinë dhe të esencave estetike. Nëse problemet e çështjet njerëzore shenjohen nëpërmes Sfinksit antik, që shtron enigma për zgjidhje, zbërthyesi i tyre shenjohet nëpërmes Edipit, kurse privilegji i krijuesit iu jepej perëndive e pajtoreve të arteve, muzave, që ua sjellin frymëzimin; nëse nocioni zanafillor biblik mbi kreacionin mbështetet në Hyjin si semper creator; epoka moderne që zë fill me Humanizmin e Renesancën, këtë privilegj e zbret tek njeriu; por jo krejtësisht tek Njeriu i Rëndomtë, po tek Të Zgjedhurit, tek Heroi, Mbreti, Gjeniu, Artisti. E pra, përsëri Njeriu e njerëzimi e ngjizin dimensionin e të fshehtës a të së mistershmes në natyrën njerëzore krijuese a në vetë aktin e krijimit. I zgjedhuri i tillë, i shenjuari i tillë, ka diçka që e dallon nga të tjerët të jetë Hero, Gjeni, Krijues, Mbret etj. Shekspiri tek “Mbreti Riçardi i Dytë, ndër të tjera, e vë këtë replikë dramatiste: “Si ju jam, prandaj a jam mbret?” Gjeniu, Krijuesi e Heroi përkujtohen përjetshëm, kurse Mbreti ra. Megjithatë, që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet,burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimiter Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engjëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e shkolla të larta të frymës humaniste evropiane. Tash vetëm mund ta imagjinojmë se ku do t’ishim sot me një traditë 600-vjeçare universitare, të cilën e ndërpreu sundimi turk që nuk kishte se çka t’iu sillte arbërorëve, pos errësirës e oskurantizmit.Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë: nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; na shkojnë ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Makina e përbindshme shtetërore e krimit.
Uria, etja, mundimet e vuajtjet pafund. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Prej këtij universi të ferrit real, aspak fantastik, lindi edhe një letërsi e veçantë, një letërsi tjetër, sikundër thuhet. Po përmendim pak fakte: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe për t’u angazhuar për ndërtimin e idealeve evropiane demokratike, por është burgosur nga regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist, dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politkës, Abeli në anën e Shkrimtarit. Ose rasti i Mati Prennushit që i fliste dhe shkruante në gjashtë gjuhë. Po ky Mati Prennushi që iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, ai që ishte profesor gjimnazi; ai që më 24 mars 1911 bashkë me Atë Buon Gjeçajn shpalosën nga gjoksi i tyre flamurin në Deçiç; ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, por shpëton; porse më 1924 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga perkrahesit zogist Don Gjon Gazulli), pse ishin në anën e opozitës noliane, por me ndërhyrjen e qarqeve ndërkombëtare i shpëton ekzekutimit.Po ky Atë Mati që do të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”; nuk do të mundë t’i shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër, të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!!! Noli dëbohet nga Atdheu, Luigj Gurakuqi vritet. Kurse menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; përndiqen e burgosen Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi…
Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë. Mirëpo, fizionomi letërsisë shqipe do t’i japin edhe autorë tjetër të përndjekur e të burgosur, si Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Havzi Nela, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri, Maks Velo, Zyhdi Morava, Genc Leka, Trifon Xhaxhika…Kurse në Kosovën e martirizuar, për aq e aq dekada rresht, po ndodhnin tri burgosjet politike të shkrimtarit Adem Demaçi. Ai i vuajti 28 vite nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë. Kurse sot, për të qenë ironia e thellë e kohës, gjenden ende krijues të ish regjimit serbokomunist, tashmë të hedhur nëpër taborre të reja politike e të një mendësie politike të trashëguar, që duan ende ta fyejnë e ta denigrojnë nën maskat e “rendit demokratik”! Dhe kanë fytyrë të quhen shkrimtarë! E dihet se çfarë mesazhesh humaniste e atdhetare, liridashëse e demokratike, estetike e etike, përçon vepra e Demaçit. Mandej, na vijnë emrat tjerë të shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave: Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha - Bala, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Kadrush Radogoshi, Adem Gashi. . . janë dhjetra emra të tjerë të shkrimtarëve të Kosovës. . .e deri te emrat e krijuesve Latif Berisha, Ymer Elshani, Selman Konjuha, Gaspër Karaçi etj, të pushkatuar në luftën e fundit çlirimtare nga soldateska serbe. E pra, nga ana tjetër, jo rrallë po ky shkrimtar shqiptar, si kudo në botë, ka qenë edhe bashkëpunëtor i Ministrisë së Milicisë shqiptare a sllave, eksponent i regjimit, ekzekutor i Res Publica-s, kalemxhi shpirtshitur, që ka luajtur rolin e cenzorit ideologjik të vrasjes së vlerave, të përndjekjes së fjalës së lirë e të përndjekjes ogurzezë ndaj vetë kolegut të tij krijues. Do të duheshin qindra e mijëra volume për ta paraqitur të vërtetën e dhimbshme jetësore të Shkrimtarit Shqiptar. Shkrimtari shqiptar ka qenë i ndërgjegjësuar se njeriu i kënaqur me gjendjen e lirisë, thënë pak butë, është konformist. Poeti shkodran, Anton Çefa në librin e tij poetik „Dritarja e një britme“ shkruan: „Për shokët e mi brezin e poetëve jokonformistë, që u rritën e u plakën pa e gëzue lirinë e fjalës dhe pa e shijue fjalën e botueme, poezia asht nji bisedë e gjatë me vetveten për ruejtjen e dinjitetit e njikëhësisht shfrim ndaj diktaturës“.
Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një të Vërtete, kurse të tjerat të Vërteta duhet të heshteshin. Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdhuet, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkvizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkvizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?
II. Shkrimtarët: dyshues e opozitarë të përjetshëm
Nëse krijimi është akt individual, vepra letrare, me të arritur në librari, në bibliotekë, në institucione kulture a në duart e lexuesit, bëhet edhe res publica, apo një e mirë e përbashkët. Autorët e moçëm të Antikës thoshin se Shteti apo Res Publica na është çështje publike dhe shtonin: "Videant consules, ne quid detrimenti res publica capiat! (Konsujt le të kujdesen që shteti të mos pësojë asnjë dëm). " Res Publica-n ata e mendonin si qeverisje të interesave të përgjithshme apo të të mirave të përbashkëta. Pra, politika është ajo që merret me çështje publike, kurse letërsia, si nevojë e brendshme shpirtërore e njeriut, nuk kufizohet në kohë e në hapësirë. Shoqëria si sinonim i politikës dhe qytetarit, vetë do të vendosin se si ta qeverisin veten, vetë do të kujdesen për çështjet a punët e veta, do ta bëjnë kushtetutën, o t’i zgjedhin qeverinë dhe deputetët, do të mbështeten, si deklarojnë ata, në vullnetin e popullit. Të zgjedhurve do t’iu besohet pushteti për një kohë të caktuar. Nuk ishte e rastit, pse Platoni pati kërkuar që harmonia do të arrihej, kur shtetin e pushtetin e drejtojnë filozofët si përfaqësues të urtisë e të mendjes, kurse i përjashtonte poetët. Res Publica antike e përfaqësuesve të popullit, tek koncepti i Rusosë shndërrohet në patriae, në atdhesi, në vlera të atdheut. Kurse shkrimtarët humanistë i afirmuan gjakueshëm idealet e tyre të epokës moderne: republikën dhe demokracinë, përkushtimin atdhetar, humanizmin dhe kultin e njeriut, liritë dhe të drejtat njerëzore. Ideja e lirisë është themel i identitetit evropian dhe e lindur po nga ky identitet. Porse njerëzit e lashtë të Antikës nuk e kishin parashikuar se të mirat e përbashkëta apo res publica, do të shndërrohen në interesa të veçanta, e, posaqërisht, në konflikte interesash. Prandaj, padëgjueshmëria qytetare, e lindur po nga ky opozicion i përhershëm i fushës së letërsisë, tani në kuadër të rendit demokratik, vendoset në anën e kundërt të këtij rendi. Dhe kushtetutat moderne e njohin të drejtën qytetare të padëgjueshmërisë e të mosbashkëpunimit, së këndejmi, si e drejtë, edhe e garanatuar, e drejtë edhe e realizuar, sidomos në ato raste kur pushtetarët e shndërrojnë shtetin apo pushtetin në Res Privata. Dhe jo pak qeveritarë e drejtues shtetesh e pushtetesh, vendin e tyre e kanë dërguar në theqafje, në luftëra, në shkatërrim, në sundim diktaturash të përgjakshme etj etj, kur kjo harmoni në mes urtisë e qeverisjes nuk përputhej. Mendimtarë modernë, si Rols (Raëls), Hondrih, Erikson, Berri etj pohonin se padëgjueshmëria qytetare është akt i hapët e i ndërgjegjshëm politik, i padhunshëm, i një grupi a pakice që qëndron kundër ligjeve a sistemit në fuqi, me qëllim që ta ndërrojnë një ligj apo ndonjë veprim politik e që është në duart e shumicës që e kanë në duart e veta forcën politike. Pse të mos e themi se shkrimtari gjithnjë qëndron në anën e padëgjueshmërisë. E kjo padëgjueshmëri gjithnjë gjakon parimin e Barazisë e atë të Drejtësisë. Në këso rastesh, kujtohen protesta e tilla të Martin Luter Kingut në SHBA për realizimin e të drejtave të zezakëve, ato të Gandit për pavarësimin e Indisë, pavarësi e arritur nëpërmes padëgjueshmërisë së padhunshme qytetare. Shkrimtarët disidentë të periudhës komuniste, në emër të idealeve për liri, demokraci e humanizëm, i kanë frymëzuar edhe revolucionet paqësore, me anën e të cilave janë përmbysur qeveritë totalitare e diktaturat komuniste në Evropën Lindore e në shumë vende të Evropës Juglindore.
Gjithsesi, që Res Publica nuk mund të trajtohet sot si Ide platonike, si qasje spekulative teorike, si mit ideologjik mbi rendin ideal e të pagabueshëm, si rend demokratik, në të cilin është e panevojshme padëgjueshmëria qytetare, sepse ky qytetar tashmë na i paska të garantuara të gjitha të drejtat. Kështu, e shikojnë shtetin nga këndi metafizik, domethënë, si rend demokratik që nuk iu nënshtruaka ndryshimeve, evoluimeve apo progresit. Harrohet fakti që në këtë botë tokësore, në këtë botë të gjërave njerëzore, të jetës kalimtare me pikën e lindjes e të vdekjes - nuk ka gjëra ideale, të përkyera pafundësisht apo të paprekshme, dhe, i tillë, me cene e huqe, na është edhe vetë shteti demokratik. Kurse shkrimtarët e dinë se kjo botë nuk është idilë, në të cilën ia vlen vetëm të ëndërrosh. Por, kur qytetarët binden se ky shtet nuk ua realizon të drejtat e tyre, se me veprime e programe kundërdemokratike e kundërnjerëzore, ka për qëllim t'i degjenerojë njerëzit e shoqërinë, atëherë pse të mos kenë të drejtë qytetarët që ta kundërshtojnë? Te e fundit, edhe ligjet nuk janë të përjetshme, po që vlejnë për një kohë të caktuar. Shkrimtarët janë shpesh inicues të asociacioneve demokratike, gjithnjë me pikësynimin që të bëhet transoformimi demokratik i shoqërisë dhe i shtetit. Ata janë ndër të parët, që, në kohë krizash, angazhohen në legalizimin e të drejtave e të lirive njerëzore e në zgjidhjen e konflikteve shoqërore apo etnike. Ndryshe nga mercenarët e zhurnalistikës a të literaturës së porositur e të paguar nga qarqe kundërnacionale, ndryshe edhe nga esktremizmat ideologjikë; shkrimtarët pikësynojnë të tjera caqe; ata nuk vuajnë nga iluzioni për triumfin përfundimtar të së Mirës, prandaj janë dyshues, por ata nuk pajtohen në asnjë kohë e në asnjë rast me triumfin e së keqes. Ata e vazhdojnë betejën e tyre për liri, humanizëm e demokraci. Ata krijojnë aso parzmoresh krijuese, me të cilat do ta mbrojnë me fanatizëm të drejtën për jetë; jetën që ishte dhe është ende e rrezikuar nga stihia e frikës, nga skenat e prapaskenat kundërdemokratike, nga kurthet anti-liri, nga urrejtja e dhuna; ata e kuptojnë vetëçlirimin qytetar që mund të arrihet vetëm nëpërmes luftës kundër kësaj stihie të dhunës e të frikës, duke u përcaktur për lirinë e individit e të shoqërisë.
Shkrimtarët janë ata që rezistojnë kundër stihisë dhe anarkisë, që angazhohen për media të lira e të pavarura, tek iu japin mbështetje atyre ideve e atyre bartësve, që angazhohen për ndryshime konkrete demokratike. Dikur një shkrimtar i afirmuar thoshte: „Nëse dëshiron të dijsh se çfarë është shteti e sundimi i tij, dhe çfarë e ka ardhmërinë, shiko dhe mëso, se sa njerëz të ndershëm e të pastër ai vend ka nëpër burgje e sa kriminelë, dhunues të ligjit e kundërvajtës ka në liri. Kjo për ty do të ishte mësimi më i mirë”. E çka do të thotë nëse ky shkrimtar nuk i ka qëndruar besnik këtij formulimi të shqiptuar në ish Jugosllavinë? Kjo do të thotë se Letërsia e Politika mund të ecin bashkë, nëse angazhohen për ideale të njëjta, për liri, demokraci, humanizëm e drejtësi; por asesi nuk mund të ecin së bashku në fushën e demagogjisë, në të cilën mund të veprojë vetëm politika. E dihet, vendimet për fatet e njeriut, pra edhe për idetë e humanizmit e të demokracisë i merr politika e jo letërsia.
Letërsisë nuk i duhen deklarat për lirinë e krijimtarisë që vijnë nga politika, sepse ato janë deklarata politike. Prandaj, në dekadën që shkoi, shkrimtarët i kemi parë, tek angazhohen edhe për dialog në mes të njerëzve, janë ithtarë të vizioneve liridashëse e të ideve humaniste, liberale dhe demokratike, gjithnjë në kundërshtim me shumësinë e ideologjive të stalinizmit, klerikalizmit, shovinizmit apo të patriarkalizmit militant. I kemi parë tek e ngritnin zërin e tyre për realizimin e kushteve ligjore, institucionale e procedurale; si dje, si sot, ata reagojnë për të drejtën e informimit objektiv, për shprehje të lirë të interesave, bindjeve e ideve, në mënyrë që Res Publica e tyre të ketë publik të formuar e me ndikim në të mirat e përbashkëta. Ata shprehin zemëratën e tyre kundër propagandës e manipulimit me opinionin publik; e afirmojnë dhe e zhvillojnë mendimin e qëndrimin kritik, kulturën e mendimit e të krijimit. Nuk është e rastit pse në këto parime të qytetarisë moderne, tek formulohen nëpër programet e lëvizjeve apo të partive politike, në radhë të parë, marrin pjesë vetë shkrimtarët. Mbase, edhe mund të zgjohet dyshimi rebelues i dikurshëm: në mos shkrimtari shitet te programi i një partie, duke e tjetërsuar esencën e lirisë së krijimtarisë? Ata janë kultivues të tolerancës e jo të urrejtjes ndaj bashkësive të tjera etnike apo ndaj pakicave. Ata janë në konfrontim e ballafaqim të vazhdueshëm me idetë çorientuese e izoluese, ata, madje, janë ithtarët më të mëdhenj të evropeizimit të popullit tonë e të formësimit të identitetit evropian në proceset e reja integruese. Nuk është e rastit pse shumë vepra që përkthehen kohëve të fundit nga thesari i letërsisë bashkëkohore botërore, e ngërthejnë farën e herezisë, dyshimit dhe intepretimit ndrydhe të rendit të të vërtetave të vendosura nga politika, nga ideologjitë e ndryshme apo qoftë edhe nga religjioni (shih romanet „Kodi i da Vinçit“ apo „Vita brevis“). Shkrimtari e ka botën e tij, të pavarur nga politika. Më në fund, ata janë dyshues të përjetshëm e opozitarë të përjetshëm
_____________
TRI ETYDE
=============
LUTJA E FUNDIT
(Etydë poetike pashkiane)
1.
Po lëviz një mizë. Një miliard, biliarda, triliarda lëvizje ngjajnë në një çast të vetëm. Në një të miliontën pjesë të sekondës. E, si t’i emërtosh gjithë ato lëvizje? Aq të pakapshme, të padukshme, të çuditshme. I je drejtuar në Atë Çast Dikujt. Një Fjalë e ke shqiptuar. Ke mundur ta mbyllësh Çepallën e lënduar nga shikimi i një imazhi të plagosshëm a nga një fjalë e thershme. Në Atë Çast të Fluturimit të Amshueshëm, diku në lartësitë e një Mali, ndrit një shuk drite e beftë e përsiatjesh a vegimesh. E kjo nuk iu ngjan Lëvizjeve Të Kësobotshme. Sytë tanë njerëzorë kot i kërkojnë, ato lëvizje nuk mund t’i shohin. Aq papritmas vijnë ato në zurkajat e mendimeve. Zë e i emërton ato Lëvizje. Krejt me Një Fjalë. Një Univers Në Një Oh. Një Oh Të Asobotshëm, e ndien, e para-ndien, teksa e prek. Këtu ndalu. U fute në Të Ndaluarën. Aty ku më Nuk Ka Kohë. Është Zonë e Pazbuluar e Hyjit.
Mandej, hesht. E vetmja heshtje, para së cilës përkulesh. E kur ke heshtur si tani?
2.
Po e krijoj maskën time e nuk po mundem. Këtu pranë kam aq e aq maska; masa është këtu me dy milion maska: secili shtiret a flet a lëviz simbas maskës së vet. E asnjëra nuk është imja. Mos i besoni masës, maskës, maskës-masë. Mbeta me thënien time, krejt lakuriq: shih, ti, tashma alegoria hoqi masën-maskë e doli përfushë.
3.
The: po, po pranoj të vij në këtë botë. Nëpërmes Hirit të Dashurisë. Vetë e zgjodhe të vijsh, si Jezui. Dikush tha: kjo botë është Mësonjëtore e madhe e shembëlltyrave: Bën e Nuk Bën ta bësh këtë a atë. Simbas Dhjetë Urdhëresave të Kanunit të Hyjit. The: po, po pranoj të shkoj Së Andejmi, përtej Kësaj Bote. Por, të duhet të përbirohesh: aty ku bën luftë Shpirti me Qiellin, Nata me Ditën, Dita me Natën. Je Ti, brenda Qenies Tënde, Vetë Ligji, Rendi e Kanuni i Hyjit. Ashtu je krijuar.
Lutja e Parë e Mbrëmjes: o Hyj, më dhuro aq imagjinatë, sa ta mësoj Lëvizjen e triliardtë në Dhé, në Univers: si ta dhurosh një kafshore zemër. Lutja e Dytë: më bëj një njeri t’i prek me bekimin tënd ata në Nëndhé, në Nënbotë, nën këmbë, nën shputën e këmbës, të nëpërkëmburit. Lutja e parafundit: o Hyj, na dërgo në këtë botë, këndej, të poshtër, kasapë, xhelatë, perandorë, policë, të çmendur, budallenj, që të çlirohemi nga vetvetja. Racë njerëzore jemi.
Lutja e Fundit e Mbasmbrëmjes: na dhuro atë që na bën Njerëz; nuk duam të bëhemi as Kafshë, as Zot. Falemnderit, o Zot, që po na barazon me Veten Tënde: Të jesh Ai Që Je.
==============
NJERIU I TRIDHJETEGJASHTË I URTISË
(Etydë borhesiane)
Tridhjetepesë urakët e Dheut askush nuk i kishte parë, po për të tridhjetegjashtin dihej. Ky e arsyetonte para njerëzve gjithëpraninë e Hyjit. Borhes thotë se ata quheshin Njerëz të Drejtësisë, të cilët e arsyetonin botën njerëzore para Hyjit. Drejtësisë dhe Urtisë nu i duhen dëshmitarë. Prandaj, po u muar vesh se kush na qenka I Urti apo I Drejti, aty për aty ia beh kobi: Kob I Urtisë dhe Kob I Drejtësisë. Nuk vdiste vetëm i tridhjetegjashti, i cili ishte i gatshëm të mos e linte vendin e zbrazët: vraponte sa te secili njeri nëpër botë për ta arsyetuar praninë e Hyjit, sa te Hyji për të folur për Njerëzit. Dhe kështu, është bërë Shpëtimtari kryesor: për ta shpëtuar botën para Hyjit dhe për ta amshuar Hyjin para njerëzisë.
==============
BOTËVRASËSJA
(Etydë e gjithëkohshme)
Një gruaje iu paraqit në vegim se po gjykohej nga një gjyq hyjnor si vrasësja e kriminelja numër një e fëmijëve. Rreth 12 vjet nuk lindi fëmijë. Lutjet e saj prekën qiellin dhe tokën. Hyji e dëgjoi dhe ia dhuroi dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Mandej u dha mbas afshit të pafre: abortoi njërën mbas tjetrës pesë foshnja të palindura. “M’i vrave pesë foshnjat e mia që do ta shpëtonin botën”, e akuzonte në vegim Hyji. Kur ua rrfeu vegimin fëmijëve, I Madhi I tha:
1. Shpëtimtari i Parë do të quhej I Marri. Bota ka nevojë për të marrët e urtë. Ata na nevojiten që të ndërhyjnë në vatrat e krizave, për të bërë prerje cezarike botërore, për ta shpëtuar botën.
2. Shpëtimtari I Dytë do të quhej I Çmendur. Atdheu ka nevojë për të çmendur. Ata na duhen që t’i bien me grusht Tiranisë mu në Zemër dhe për t’i qeshur e përqeshur të gjitha marrëzitë tona.
3. Shpëtimtari I Tretë do të quhej Rrugaç. Kemi nevojë për vetmitë e tyre. Rrugët tona kanë nevojë për shtegtarë vetmitarë, si yjet në qiellin e paanë. Ata duken të zhgënyer, po nuk është gjithmonë kështu. Edhe Dielli, Hëna dhe Yjet duken nganjëherë të pikëlluar, po ata asnjëherë nuk e ndiejnë veten të vetmuar. As të zhgënjyer. Të mashtron pamja. Ata mësyjnë errësirën drejt dritës. Ata shndërrohen në farë plleshmërie për të tjerët që vijnë pas.
4. Shpëtimtarja E katërt do të quhej E Çuditshmja. Na mëson si ta nxjerrim e si ta lëmë zemrën mënjanë, si të bëhemi qenie jashtë kësaj bote normale, e si t‘i shohim edhe shpirtërat e bimëve, drurëve dhe zogjve.
5. Shpëtimtari I Pestë do të quhej Fantazmagoriku. Do të na vizitonte netëve të vona nëpër podiume e shtretër të fjetjes, nëpër dhoma gjumi e qoshqe të oborreve. Sytë do të na i mvishte me pëlhura përrallash, kurse në gjumë do të na ligjëronte për të vërtetën hamletiane. Do të na çlironte nga ndërdymjet e rënda: si t’ biem me grusht errësirës.
PORTRET
VLERA TË AVANCUARA LETRARE -ARTISTIKE
PREND BUZHALA SHKRIMTAR DHE STUDIUES I NJOHUR I LETRAVE SHQIPE
Nga Bilall Maliqi
Në mesin e shumë shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur shqiptarë që me veprat e tyre u renditën në faqet më të ndritura të letrave shqipe, e që shkrimet e tyre dëshmojnë se kemi të bëjmë me shkrimtarë me vlera të begatshme artistiko-letrare është shkrimtari, publicisti dhe kritiku i njohur letrar Prend Buzhala.
Emri i shkrimtarit, studiuesit dhe kritikut Buzhala gjendet në shumë punime, revista të ndryshme dhe libra të shumtë që ka marrë për trajtim, studim dhe vështrim …
Biografia
Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951 në Çabiq të Klinës. Filloren e kreu në Ujëmirë, gjimnazin në Klinë, fakultetin filologjik (gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. I ndoqi edhe studimet postdiplomike, po për shkak të burgosjes politike më 1982, iu ndërprenë nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve dhe e drejta e punësimit.
Shkrime letrare botoi prej vitit 1967. Shkruan poezi, prozë, kritika e studime letrare, publicistikë. Gjatë tri dekadave të fundit ishte i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, kështu që gjatë viteve '90 të shekullit që e lamë pas, u arrestua e u keqtrajtua dhjetëra e dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbianë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportonte nga zonat e luftës për disa media. Punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës (1976-1982, 1992-1996), drejtues i arsimit komunal të Klinës (1995-1999), redaktor në gazetat “Fjala” (1990) e “Bashkimi” (1991) të Prishtinës, korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” (1995-shkurt 2002), pastaj te “Epoka e re”, Radio Rilindja, “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturës në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës (2006-2008). Punoi edhe zyrtar arsimi (2001-2003). Tash është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Ka qenë ndër themeluesit e themelues i disa revistave lokale të Klinës, si “Jehona e Dukagjinit “ (vitet ’70 e këndej), “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna”, “Profili” etj. Është redaktor e recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.
Dhjetëra herë i arrestuar
Siç mësohet nga biografia e shkrimtarit shohim se gjatë shekullit që shkoi ishte i përndjekur, keqtrajtuar dhe i arrestuar dhjetra herë nga politika serbe, siç e kishin fatin edhe shumë krijues të tjerë shqiptarë të Kosovës e pjesëve të tjera të shkëputura shqiptare. Pra në shënjestër të policisë dhe politikës së tyre ishin pikërisht pena të njohura të letërsisë shqipe të cilët me anë të shkrimeve të tyre dhanë mesazh të qartë se janë kundër dhunës, kundër spastrimit etnik dhe kundër gllabërimit të tokave të tyre, pra këtë fat e pati edhe shkrimtari, studiuesi dhe kritiku letrar Prend Buzhala…
Krijimtaria
Nëse e marrim në shqyrtim krijimtarinë letrare të shkrimtarit Prend Buzhala, shohim se kemi të bëjmë me një letrar që i rrah gati të gjitha gjinitë letrare dhe shkrimet e tij kanë vlera të avancuara letraro-artistike, kështuqë e bëjnë këtë shkrimtar dhe studiues të njohur, të lexuar dhe të dashur si për lexuesit por edhe për syrin e kritikës letrare në përgjithësi…
Veprat në poezi:
-O Amë, o Amë, 1995.
-Për kë bie këmbanë e re, 1998.
-Shtatë seanca pranë Apokalipsit, 1998.
Kritika, studime monografike, vështrime:
-Prend Buzhala ne promovimin e vepres se Anton Nik Berishes, Prishtine 2008
-Kritika, studime monografike, vështrime:
-Metafora e vendlindjes, 1999.
-Përqasje estetike, 2000.
-Ex libris - I, 2003.
-Odeoni i fjalës, 2003.
-Shkrimtari pranë buzëqeshjes. Studim mono-grafik për letërsinë për fëmijë të Ali Huruglicës, 2005.
-Muza e zemrës, 2006.
-Temë dhe tekst,- Shkup, 2006.
-Muza e Kujtesës, 2007.
-Aty ku krizat i besohen engjëllit, (Ndërko-munikime estetike: arti - literatura – lufta), 2008.
-Res Publica e shkrimtarit, (Ese, trajtesa), 2008.
-Kode poetike të mbijetesës shpirtërore/ Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës, Argeta LMG, Tiranë, 2009.
-Gjenitivi i lirikës - poezia e Mirko Gashit, 2009.
Roman:
-Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë, 2003.
Publicistikë:
-Lartësimi i lirisë. Monografi për mësuesin dëshmor Ismet Rrahmani, 2002.
Përgartiti për shtyp:
-Testament letrar, Mendimi kritik për veprën e Ramadan Mehmetit, me komente, Prishtinë 2008.
-Të kuvendosh nën shenjën e Euterpës, Intervista të Akil Mark Kocit dhënë mediave 1976-2008, Prishtinë 2009.
Prend Buzhala shkrimtar produktiv, në saje të suksesit të arritur në shkrimet e tij u stolis edhe me çmime të ndryshme të cilat i ka arritur falë punës dhe përkushtimit të tij për t’i dhënë letërsisë shqiptare vepra të ndryshme dhe cilësore…
Disa nga çmimet letrare e publicistike:
-Çmimi i gazetës “Rilindja” për gazetarin më të mirë të decenies gjatë viteve ’90, 12 shkurt 1999,
-Çmimi “Agim Ramadani”, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2008, për poezinë më të mirë, me titull “Nga ligjërimet e Nji Plake Ditën e Shën Premtes”,
-Çmimi ”Ora e Tahir Deskut” për veprën më të mirë, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, shtator 2009, Klinë,
-Çmimi “Fondi Akil Mark Koci”, për kontribut në kulturë e në krijimatrinë artistike, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2009.
Përpos gjithë këtij bagazhi krijues të zhanreve të lloj-llojshme shkrimtari dhe kritiku letrar Prend Buzhala ka redaktuar dhe recenzuar shumë libra të autorëve të ndryshëm të cilat libra janë të mbështjellura me vlerë dhe me kriter të botueshëm.
Presim edhe në të ardhmen vepra të shumta me një kolorit zhanresh letrare nga kjo penë e njohur e letërsisë shqiptare…
Revista “Perspektiva”, nr.183, 20 shtator 2010
STUDIM
PREND BUZHALA POETI QË RESPEKTOI PROCESIN E TIJ KRIJUES, QË NËNKUPTON EDHE INDIVIDUALITETIN E TIJ
Nga Mikel GOJANI
Prend Buzhala, emër tashmë i njohur në letrat shqipe, si poet, publicist, romansier, tregimtar e kritik letrar, i cili mund të konsiderohet ndër të paktët autorë shqiptarë të suksesshëm dhe të vlerësuar në vitet e ’90-ta. Edhe pse ka dyzet vjet, që ai intensivisht shkruan, përkundër vështirësive që i janë paraqitur gjatë rrugës së tij krijuese, sepse një kohë është anatemuar dhe mohuar nga një ideologji ekstreme. Mirëpo, i nisur në rrugën që i kishte përcaktuar vetes, të poetit, respekton procesin e tij krijues, që nënkupton edhe individualitetin e tij. Parimi i tij ishte: shih e bluaj. E kuptonte se nga ajo bluarje lind tharmi, lindin esencat, ndërsa periudha e inkubimit, e parapërgatitjes, ishte i vetëdijshëm se do ta zgjat.
Edhe prangat, edhe burgu, edhe pengesat ndër më të egra, që s’munden ta ndalin frymëzimin e këtij poeti
Krijimet që i nxori në dritë ky poet, siç shprehet edhe vetë poeti, “u takojnë kohëve të ndryshme e rrethanave të ndryshme, janë shkruar në kohë të ndryshme dhe botuar në kohë të ndryshme, ose janë refuzuar për botim për shkaqe politike e jo letrare”. Edhe prangat, edhe burgu, edhe pengesat ndër më të egra, frymëzimin e këtij poeti nuk patën mundësi ta ndalnin, sepse, prapë po e them se ishte një rrugë që i kishte dhënë vetes. Të hulumtosh në botën krijuese të Buzhalës, në perceptimin intelektual për misterin poetik dhe botën jashtë tyre, edhe në të kaluarën, edhe në kohën që jetojmë është një kërkim që ia vlen të jetë publik.
Buzhala, deri me tash në botën letrare përveç shumë libra të zhanreve të ndryshme, si me kritika, publicistikë, prozë etj., mirëpo ai ka botuar edhe tre libra me poezi, të titulluar, O amë, o amë, (1995, Për kë bie këmbanë e re, 1998 dhe Shtatë seanca pranë Apokalipsit (1998), për të cilat nëpërmjet kësaj paraqitjeje do të bëjë përpjekje që t’i them disa fjalë.
Poeti Prend Buzhala, me vëllimin e tij të parë poetik, O amë o amë doli nga gualli i anatemimit dhe i mohimit që kishte përjetuar për shumë vite. Buzhala, nëpërmjet vargut të tij të cilin e ngërthen në këtë libër, në letërsinë tonë solli freski, inovacione dhe mundësi ende të pashfrytëzuara të ligjërimit poetik. Vërehet se është shtruar një shkallë e pjekurisë poetike, një vetëdije serioze krijuese, ku artin e shkrimit e ka kuptuar jo vetëm si mesazh gjuhësor – poetik, me të cilin duhet të regjistrohen rrjedhat kohore – shpirtërore që padyshim janë procese transitore, por si qenie dhe esencë poetike që nuk e humb aktualitetin dhe komunikimin, me fuqinë dhe gjykimin refleksiv dhe emotiv.
Libri poetik O amë, o amë përbëhet nga tre blenj, siç i quan autori ciklet. Poezitë Estetikë I, Estetikë II, Estetikë III, i paraprijnë përbërjes prej nga njëzet poezi, në të cilat janë përfshirë nga tridhjetë vargje për secilën.
Autori Buzhala në vëllimin e tij poetik, O amë, o amë i ka përfshirë poezitë e shkruara gjatë viteve 1985-1995, poezi këto që nuk e kishin parë dritën më parë, ngase poeti qysh herët kishte rënë viktimë e policisë kulturore që mbante frenjë të kulturës në edicionet tona botuese dhe redaksitë e periodikut dhe të përditshmes sonë dhe i ishte ndaluar prezantimi i tij në faqet e tyre, apo botimin e ndonjë vëllimi, opusi i të cilit ishte jashtëzakonisht i gjerë.
Ama shpirtërore sikur zgjon peshë “klithmet e brendshme, aktet dramatike të përjetimit...”
Poezitë të konceptuara në librin O amë, o amë poeti me fjalë të tjera i quan edhe si “poezi që mund të lexohen si poemë recitative, ose recitative shqiptare që mund të lexohen si poezi”. Estetikë I, poezi me të cilën hapet vëllimi poetik, është shumë karakteristike, jo vetëm për këtë vëllim poetik, jo vetëm për opusin e përgjithshëm letrar të këtij poeti dhe më gjerë. Qysh në fillim vargu i P. Buzhalës sikur klith nga Ama, pra është një varg që me të gjitha fuqitë shpirtërore udhëtin. Nga Ama e tij shpirtërore sikur zgjohen peshë “klithmet e brendshme, aktet dramatike të përjetimit”. Është ky varg që niset nga prushi i zemrës së Tokës mëmë, prej ku nisen edhe dridhjet dhe drithërimat:
Mos më vë mure në mes të vërtetës dhe së bukurës.
Kur ta kundrosh jetën, shikimi do një shqetësim.
I do klithmat e brendshme, aktet dramatike të përjetimit.
Ta shoh edhe atë që nuk shihet. Po e zëmë:
Ndjenjën e gjakut të ndezur. Skajet e pafundshme të Kosomosit...
Poezia, Esetike I, f.5.
Poezia e Bushalës mban vulën karakteristike të dashurisë së madhe dhe të lidhjes së thellë me truallin Amë. Te ky autor gjejmë një botë jashtëzakonisht të pasur dhe të qartë temash e motivesh karakteristike mbresëlënëse. Mirëpo, ka edhe shumëçka të veçantë: ka prirjen për të vëzhguar misterin e zërit të kohës, të epokës së vet. Për të angazhuar një zë që vjen nga larg, që është i qartë, si zë shpresash dhe besimesh të fuqishme për të ardhmen e kombit dhe të popullit të poetit:
Trajtat e Lirisë dhe Trajtat e dashurisë
Prekin lehtë njëra-tjetrën me lotin e buzëqeshjeve.
Ato janë thirrje për Tingullin e Palindur,
Si një rreze që lajmëron në Ag lindjen e Diellit
Pastaj lind Dielli, pastaj lind kënga.
Poezia, Amë e Lindjeve të Frymës Njerëzore, përtej trajtave sheh gjerat e patrajtë, f. 22.
Pra, kënga quhet qenie, ashtu sikur edhe është qenie njerëzore me frymë, shpirt, botë dhe trajtë specifike.
Figura qendrore që e përshkon tërë vargun e poezisë së këtij vëllimi poetik është Ama, protagonist që e personifikon dheun, jetën, klithjen, bukurinë, gjellën, lirinë, varrprehjen, muzat e jetës, pikëllimet e historisë, e gjuhës atërishte, e grishjeve etj., etj. Pra, kjo figurë udhëton nëpër tërë sistemin figurativ dhe shpalos të gjitha dritaret e motiveve në ligjërimin poetik, ku në veçanti ngacmon çështjet themelore të dramës që ka përjetuar ky popull bashkë me vuajtjet dhe katrahurat.
Derisa Naimi ndjente nevojë t’i drejtohej, të bisedonte me engjëllin e ta thërriste në tryezën poetike dhe, derisa Fishta në tryezën e tij të begatshme ligjëronte orët dhe zanat me frymën tradicionale të poezisë shqipe, Buzhala zgjedh figurën origjinale të Amës. Prandaj, vëllimi i tij O amë, o amë përmban edhe elemente të konceptit epik e jo vetëm lirik-dramatik. Është një epizëm modern.
Në vëllimin e tij poetik O amë, o amë dominojnë motivet e realitetit të përgjithshëm, si dhuna, burgosje, represioni sistematik, eksodi etj. Pra, është ky një varg që paraqet një transhonim të realitetit të drejtpërdrejtë jetësor. Ngërthen në vete, para se gjithash, momentet e caktuara dhe jo të zakonshme të dramës jetësore. I përmbledh këto çaste me të gjitha shkaqet e manifestimit, ofron mozaik pamjesh dhe rikrijon unifikimin e ngjarjeve të dramës që ka përjetuar ky popull gjatë okupimit nga soldateska serbe.
Edhe gjatësia e vargut sugjeron epizmin. Po ashtu, kjo gjatësi vargu, si në letërsinë botërore, sugjeron këndimin e temave serioze dhe të rënda për nga përmbajtja. Vargjet e marrin formën e verseteve biblike. Ndryshe, autori ka futur si shënim sqarues për lexim fjalët “poemë recitative”, ose “recitative shqiptare”.
Recitativi dihet që është zhanër muzikor, ku teksti deklamohet me kompozim muzikor. Mirëpo, poezia i kalon caqet e deklamimit, duke ndjekur pikërisht parimin kompozicional muzikor të fugës, këtu të fugës poetike. Poeti Buzhala vazhdimisht bën përpjekje të dal nga një hark i hekurt jetësor që e rrethon, pra duhet të ngarend në këtë rrugë kërkimore. Duke kërkuar rrugët që poetin e nxjerrin nga këto labirinte, si shpeshherë kthehet edhe në retrospektivë. Ai, jo vetëm që gërsheton etnogjenezën e ngjarjeve, por ndërlidhet edhe me traditën edhe ajo si transparencë ia pasqyron të gjitha sakrificat e pandërprera. Kontraste të thella, të ashpra, ku gëzimi derdhet në vaj, ku dhembja mbulohet me gëzim. T’u shmangesh këtyre momenteve, do të thotë të jesh i vetëdijshëm dhe të njohësh shkaqet që diktojnë t’i luftosh ose t’i pranosh.
Edhe një poezi tjetër përkushtimore, ku poeti P. Buzhala i përkushton mikut dhe bashkëvendësit të tij të ndjerë, poetit dhe artistit, Osman R. Gashi, i cili ka dhënë shumë për letërsinë dhe artin shqiptar, e arrin kulmin e ndërtimit të saj:
Amë e Kujtimit, e Pikëllimit, rend e rend nëpër vite,
Qëndis këngë të Kosovës Mëmë, të Drinit Plak, si yll me flakë,-
Ç’është ky gjak që vë lak dhe hap rrugë me bajrak?
Mall që kall bjeshkën konak dhe lidh besë me rreze drite,
Një kujtim pikëllim therës rend e rend nëpër vite...
Poezia, Në vig vajin e fal për gaz, Ti Amë e Kujtimit, Amë e Pikëllimit Therës (O. R. G.), f. 50.
Kjo përmbledhje ngërthen në vete shumë probleme etike, historike, jetësore dhe njeriun e vë në qendër të vëmendjes, me historinë kombëtare dhe realitetin, me truallin. Kjo dëshmon se Buzhala është krijues vigjilent, se çdo motiv e jeton dhe e mendon në mënyrë filozofike, që lë mbresë të thellë. Pra, ky autor ka qëllime dhe ide të veçanta. Për këtë arsye ai krijon një lidhje të fortë të ideve dhe të figurave poetike, të figuracionit të pasur, ku mishëron fatin e njerëzve në përgjithësi dhe të kombit të vet në veçanti.
Në shikim të parë, kur lexojmë vargun e autorit të librit O amë, o amë të Prend Buzhalës, nisur nga thellësitë e saj tematike, na duket pakëz hermetike. Mirëpo, hermetizmin e njohim si filozofi, poezia e Buzhalës në sistemin e kuptimit rroket lehtë. Është kjo poezi që nuk vilet me shtresën e parë të kuptimit, mirëpo lexuesi pas një komunikimi serioz dhe të përkushtuar me vargun, i qartëson mesazhet. Ky autor me këtë lloj vargu shpërthen shabllonet që kanë kohëzuar formën e poezisë sonë, duke e bartur prej një krijuesi në krijuesin tjetër. Pra, me këtë veprës shkrimtari Prend Buzhala u shfaq si individualitet i veçantë dhe si penë jashtëzakonisht serioze.
Dëgjimi i kambanat hemingueiane dhe kambanave mitike të Jezusit të kryqëzuar në pamjet e historisë
Pas botimit të vëllimit të parë poetik, O amë, o amë, shkrimtari Prend Buzhala në letërsi erdhi me vëllimin tjetër poetik të titulluar “Për kë bie kambanë e re”, ku përfshihen poezi të shkruara gjatë viteve 1968-1975. Ky varg i Buzhalës vjen i brumosur dhe sjell një kualitet të ri në poezinë tonë. Në vargun e tij Buzhala sjell elemente qenësore të poezisë sonë. Në vargun e tij Buzhala sjell disa elemente qenësore të poezisë autentike: ndjenjë, mendimin, mesazhin dhe ngritjen artistike të gërshetuar me sërë metaforash që e fuqizojnë dhe e ndërtojnë vargun.
Pra, poezia e Prend Buzhalës në letërsinë e sotme shqipe është një poezi jashtëzakonisht karakteristike, pikërisht për dendësinë e idesë së thellë, njëherësh dhe mprehtësinë e vrojtimit të fenomeneve të ndjeshme të bashkëkohësisë dhe realitetit tonë. Pa dyshim mund të thuhet kështu, edhe pas leximit të librit të fundit poetik të këtij autori, Për kë bie kambanë e re.
Vëllimi poetik Për kë bie kambanë e re, i autorit P. Buzhala, shpalohet që në fillim të tij me mesazhin më të veçantë dhe mjaft domethënës duke arsyetuar vonesën e daljes në dritë të këtyre poezive:
Këtu autori nuk dëshiron kësaj radhe ‘i prek rrethanat e mosbotimit të deritashëm si libër: ”Prapë ju kujtova vjetësh krejt harruar, Si gjë të vrejtur rrallë tek q’e gjen...”, u këndonte Asdreni vjershave të veta, kur i mori t’i botonte pa sa e sa viteve. Tani vjen si zgjim malli i jetës së kaluar, dhe si zgjim i ndërrimeve.
Botimi pas tri dekadash të këtyre poezive, ndërroi edhe projektin e autorit për botimin e shumë dorëshkrimeve poetike. Si dje për ta mbajtur zgjuar shpresën, për t’i mbyt trishtimet e kohës. Sot poezia (ri)shqipton miqësinë e shoqërinë e gjatë të autorit më Artin, me Letërsinë, me Poezinë. Tek e fundit: në secilën kohë dëgjohen kambanat hemingueiane dhe kambanat mitike të Jezusit të kryqëzuar në pamjet e historisë. Dhe: të jetuarit e konceptit të fenomenologjisë mbi qenien, kohën dhe hapësirën, - thotë në hyrje të vëllimit poetik autori.
Prirja e Buzhalës për t’u identifikuar plotësisht me poezinë është një pikëpamje e artikulimit të ideve dhe preokupimeve të tij krijuese dhe në këtë vëllim, ashtu sikurse edhe në me vëllimin e më parshim, qëndron një varg mbi konceptim tashmë të njohur të këtij poeti, ku në plan të parë qëndron një filozofi e njohur e veçantë e autorit, që është brumosur me themel nga autenticiteti tipik i gjallimit dhe i ekzistenciales kombëtare.
Shqetësimet e Buzhalës, në librin Për kë bie kambanë e re, na dalin në sipërfaqe shumë herët, ngase imazhet e jetës konkrete janë aq të ndjeshme sa që nuk e lënë të mos këlthas në vargun e tij poetik. Kjo ndjeshmëri e brendshme vërehet që në fillim të vëllimit e sidomos tek poezia Për ke bie kambanë e re, që përcjell shumë mesazhe të qarta.
Kambanë e re bie për ne
Varr në dhe
Shkreptijnë rrufe
Kjo shpresë pa fole
Varrë në hare
Zjarr në ne...
Poezia, Kambanë e re bie për ne, f. 6.
Buzhala në këtë përmbledhje bën përpjekje të ngulm për të brumosur dhe skalitur sa më tepër vargun dhe për ta zotëruar estetikisht. Edhe poezia përkushtimore kushtuar rilindësit tonë të shquar arbëresh Jeronim de Rada, me të njëjtin titull, e ndërtuar në formë të akrostikut, është një poezi që ka arritur në tërësi vlerën e ndërtimit të saj, si në aspektin e ndërtimit të saj dhe të arritjes kulmin artistike, po ashtu edhe një poezi që përcjell shumë mesazhe domethënëse:
Dorën poeti e zgjati te çdo arbëresh e n’ato zemra kish futur
Ëmbëlsirën e urtisë – ata shndërroheshin në pëllumba të rinj,
Se për De Radën në tokë, qiell e det lind një legjendë e bukur.
Poezia, Jeronim de Rada, f. 37.
Drama e brendshme e vëllimit poetik Për kë bie kambanë e re, kulmon sidomos te kapitulli i parafundit Rikviem për dhembjen e re, Dhembja në ngjyrën e diellit, Kënga e re, Dhembja ëndërrimtare, Edhe dhembja dehet me bukurinë e çmalljeve, Porositë dhe Në fillim ishte dhembja. Tek këto poezi poeti jep mesazhin se “secili prej nesh ka një dhembje”.
Vëllimi me poezi i autorit P. Buzhala, Për kë bie kambanë e re, edhe si ide, edhe si strukturë rrumbullakësohet jashtëzakonisht fuqishëm edhe poetikisht, edhe artistikisht tek poezitë e kapitullit të fundit, të ciklit Kalorës i mirë, kalorësi i kaltër, që na pasqyron tërë atë dramën tragjike shpirtërore që mban në vete autori. Gjaku, dhembja, fjala, fara., shpresa, dashuria, loti, besa etj., japin personifikimin e shumëçkaje që dominojnë në këto vargje dhe mbërthejnë shumëçka në vete.
Frymim i veçantë i shpirtit të pavdekshëm i njeriut tonë
Te vëllimi i tretë poetik Shtatë seancat para Apokalipsit, kemi një individualitet poetik mjaft të stabilizuar. Në dukje këtu vërejmë një poezi të thjeshtë, por në esencë, kemi këtu një poezi mjaft të bukur, me plot shprehje figurative, ku frymon në mënyrë të veçantë shpirti i pavdekshëm i njeriut tonë.
Teksti i poezisë së librit Shtatë seancat para Apokalipsisë, i Buzhalës duke pasur parasysh me këtë rast tematikën kryesore dhe variantet e saj motivore, shfaqet si model ku është sintetizuar për të kënduar, rikënduar dhe rivlerësuar vlerën e botës që shtjellon poeti.
Poezia e Buzhalës në këtë vëllim poetik është ndërtuar nën ndikimin evident të rrjedhave të poezisë bashkëkohore në përgjithësi, e jo në përvojën poetike të institucionalizuar tek ne, siç ka qenë modë tek krijuesit tanë të atyre kohërave kur poeti ka shkruar këto poezi, për këtë arsye, edhe poezia e Buzhalës përmbajtësisht , teksti i kësaj poezie të bukur ka mbetur gjithnjë në bazën e hapësirës sonë jetësore.
Prend Buzhala, duke kaluar nëpër procedurën e mundimshme krijuese, ka arritur të jap poezi vjersha të pakontestuese me porosi gjithsesi kombëtare dhe universale.
____________
Materialet u moren nga faqe te ndryshme ne internet.
H.Muhaxheri

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi