Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vuajtjet nga Kanuni

Shko poshtë

Vuajtjet nga Kanuni  Empty Vuajtjet nga Kanuni

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 08, 2010 10:34 pm

Vuajtjet nga Kanuni  Reportazh-vejushat-1_632569_thumb_large

Vuajtjet nga Kanuni

Të vejat e luftërave në gjithë Evropën, si ato angleze, mund të kenë pasur një fatkeqësi të përbashkët, me gratë në Kosovë, luftën. Por përvojat e mëvonshme të jetës së tyre, dallojnë rrënjësisht nga njëra-tjetra. Në Kosovë respektohet ende Kanuni i Lekë Dukagjinit, nga i cili në shumë raste, femrat i vuajnë pasojat e tij. Nga Majlinda Aliu më 08 nëntor 2010 në ora 08:54

Kosovë, Kroaci dhe Angli- Arbeta Kryeziu është rritur tashmë. Tani që po bëhet 13-vjeçare, fytyra e saj gjithnjë po i merr tiparet e së ëmës. Duke shikuar fotografinë e Arbetës fëmijë, nënës së saj, Flora Rexhepit, i mbushen sytë me lot. Flora mbeti e ve në moshën 24-vjeçare, kur forcat serbe i vranë të shoqin, Ramadan Kryeziun, në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit, në prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë. Të qenit e ve si pasojë e luftës, nuk ishte katastrofa e vetme për Florën.

Pasi humbi të shoqin, asaj iu desh të hiqte dorë edhe nga fëmija i saj i vetëm që në atë kohë ishte vetëm 18-muajsh, duke e lënë Arbetën nën kujdesin e motrës së të shoqit të saj të ndjerë. Flora ishte një prej viktimave që ra pre e zakoneve të rrepta të shoqërisë kosovare, veçanërisht ndaj të vejave të luftës. Ndryshe nga praktikat e jetës së femrave të veja në Evropën Perëndimore, të vejave në Kosovë iu imponohet të mos e “vazhdojnë jetën normalisht”, por “duhet” të mbajnë zi gjithë jetën për bashkëshortët e tyre të vdekur. Martesa e sërishme e tyre është e papranueshme, e për ironi, fëmijët i përkasin familjes së bashkëshortit, jo të vejave, që janë nënat e tyre. Florën e detyruan të kthehej në shtëpinë e prindërve të saj në Gjilan. Vendimi që ajo të kthehej në Gjilan, ndërsa vajza e saj të mbesë në Sllovi, u mor nga burrat e dy familjeve - të saj dhe të bashkëshortit të ndjerë. Ndërsa, asnjëherë nuk u mor parasysh vullneti i Florës. Madje asaj iu kërkua që nga shkëputja prej fëmijës e tutje të shtirej para Arbetës sikur ishte tezja e saj, e jo nëna.

Flora Rexhepi skuqet kur kujton momentin kur iu desh të dorëzonte vogëlushen e saj. “Kur e lashë bijën time, ka qenë momenti më i vështirë. Aty isha pothuajse pa vetëdije”. Prej atëherë, Flora vuan nga sulmet epileptike. Gjashtë muaj pas kësaj ngjarjeje, Flora nuk u takua me të bijën, ndërsa kur e takoi, pësoi tronditje: “Ajo nuk më njohu, as nuk e dinte që isha nëna e saj. Ishte shumë e vështirë të ruhej sekreti para fëmijës sime, t’i thosha se jam tezja dhe jo nëna e vërtetë”. Axha i Arbetës dhe gruaja e tij e rritën atë si duhet dhe Arbeta nuk dyshoi kurrë për asnjë gjë. Por kur mbushi tetë vjeç, familja e të atit e pa të rrugës t’ia thotë asaj të vërtetën. “Kur i thanë se isha nëna e saj, ajo s’mundi ta besonte”, përkujton Flora.

“Për javë me radhë, Arbeta zgjohej natën duke menduar se ajo që po përjetonte ishte vetëm ankth”. Pasi që e kishte kuptuar këtë fakt, Arbeta është bërë më e ftohtë në raport me Florën, madje shpesh e quan atë gënjeshtare. Ajo nuk ka mundur asnjëherë t’ia falë Florës, që e kishte braktisur. Flora më tej kujton fjalët e saj të prera: “Ti s’ish dashtë me m’lanë, me m’pas dashtë, nuk kishe vepru ashtu”. Flora thotë se i ka shkuar në mend ta merrte Arbetën të jetonte me të. Por, një gjë të tillë nuk e bëri kurrë meqë, siç thotë, ajo nuk donte “ta lëndonte vjehrrin”, cili kishte humbur në luftë të birin dhe të shoqen dhe Arbetën e shihte si kujtimin e gjallë të djalit të vdekur. Flora kishte frikë që, nëse do të përpiqej ta rimerrte vajzën e saj, vjehrri do të zemërohej dhe nuk do ta lejonte më ta takonte atë. Në vitin 2006, Flora vendosi të rimartohej me një burrë më se 20 vjet më të vjetër, gruaja e të cilit kishte vdekur pas luftës. Ajo thotë se zgjodhi një burrë shumë më të vjetër, sepse mendonte se do të ishte më mirëkuptues dhe do ta lejonte të mbante kontakt me të bijën. Tani, edhe pse nuk jetojnë bashkë, Flora e takon vajzën e saj adoleshente rregullisht. “Arbeta është xheloze që unë jam martuar”, thotë ajo. “Nganjëherë më thotë që s’duhej të isha martuar; duhej thjesht të kisha mbetur shoqe e burrit tim aktual”. Ky fakt, Florën e bën të ndjehet e lumtur që të paktën fëmija i saj ende interesohet për të.


Mentaliteti “ndryshon ngadalë”

Sibel Halimi, sociologe në Institutin e Studimeve Gjinore të Prishtinës, thotë se rrethanat historike dhe politike të Kosovës kanë përcaktuar kodet e ashpra kundrejt të vejave si Flora. “Mungesa e lirisë i ka penguar njerëzit të vlerësojnë rëndësinë e lirisë në çdo sferë të jetës”, shpjegon ajo. Burri i dytë i Florës është nga Krusha e Madhe, fshat ku forcat paraushtarake serbe kryen një masakër famëkeqe në mars 1999.

Aty u vranë rreth 240 njerëz, duke lënë mbrapa 140 vejusha dhe 502 jetimë. Pak nga ato gra janë rimartuar. Pjesa tjetër, si Fahrije Hoti, ua kanë kushtuar jetën fëmijëve. Fahrija ka mbetur e ve, por nuk është mbyllur në shtëpi. Si drejtuese e shoqatës “Gratë e Veja të Krushës”, një organizatë joqeveritare që nxjerr pak fitime, ajo është përpjekur t’i bindë fshatarët e saj konservativë për ta pranuar faktin se është më mirë që ajo të punojë sesa të mbetet ekonomikisht e varur nga të afërmit e saj meshkuj. “Mentaliteti në vendin tonë ndryshon ngadalë”, thotë ajo. “Në fillim, ishte e vështirë t’i bëje njerëzit të kuptojnë se një grua mund të bëjë biznes, të ngasë veturën dhe, në të njëjtën kohë, të kujdeset për familjen. “Por më vonë shumë gra iu bashkuan nismës sime, e cila tregton ushqim tradicional organik”, shton Fahrija duke ndezur një cigare.

Roli i kreut të familjes ia ka ndryshuar asaj edhe pamjen. Tani ka një pamje më mashkullore. Kryetari i fshatit, Kadri Dellova, nuk vë pengesa në rrugën e grave si Fahrija. Duke qenë sociolog, ai beson se Kosova rurale ka mbetur mes së resë dhe të vjetrës. “Kosova i është drejtuar një mënyre jetese “moderne”, por është e vështirë të thyhen zakonet e vjetra në familjet tradicionale,” shprehet ai.

Rregulla të ndryshme për burrat!

Kur bëhet fjalë për martesën e vejanëve, gjithsesi, rregullat në Kosovë janë krejtësisht ndryshe. Shoqëria i trajton këta burra si viktima që kërkojnë një partnere të re menjëherë. Selmon Zeqiri, 42-vjeçar nga Celina, fshat vetëm një kilometër nga Krusha e Madhe, humbi gjatë konfliktit 16 anëtarë të familjes së afërt, duke përfshirë të shoqen dhe dy djem.

Vetëm djali më i vogël i tij, Valoni, i mbijetoi masakrës së paramilitarëve serbë. Pas luftës, ai u kthye nga Gjermania, ku punonte, për t'i varrosur anëtarët e familjes. Hapi i dytë që bëri, ishte gjetja e dikujt për t’u martuar. E të afërmit iu bashkuan kërkimit të tij. “Në fillim nuk isha shumë i interesuar të rimartohesha, por mandej e kuptova se më duhej dikush për të gatuar e pastruar dhe për të krijuar një familje të re”, shprehet Selmoni. Sot, ai jeton në shtëpinë modeste të rindërtuar me gruan e dytë, Lavdërijen, dhe me tri vajza e dy djemtë e tij.

E divorcuar, Lavdërija nuk kishte qenë gati të martohej prapë. “Por babai im më kërkoi të martohesha me Selmonin,” thotë ajo. Lavdërija thotë se qysh prej fëmijërisë ishte ndier e diskriminuar për shkak të gjinisë. Prindërit e ndalën nga shkolla herët, duke thënë se vëllezërit kishin përparësi. Me vështrim te fëmijët e saj, ajo dëshiron që ata t’i bëjnë gjërat ndryshe. “Po bëj përpjekje të mëdha t’i edukoj vajzat, që e ardhmja e tyre të jetë më e mirë”, thotë ajo. Selmoni është tejet konservativ. Ai thotë se nuk do të ishte martuar kurrë me Lavdërijen sikur ajo të kishte sjellë fëmijë të vet nga martesa e saj e parë. Ai mendon se të vejat me fëmijë nuk duhet të martohen. Sipas tij, ato duhet ta sakrifikojnë veten për fëmijët e vet. Zakonet e vjetra që përcjellin të vejat dhe vejanët në Kosovë ndikojnë që të ekzistojnë standarde të dyfishta në aspektin gjinor.

Në teori, gratë në Kosovë gëzojnë barazi para ligjit. Në praktikë, ato vazhdimisht diskriminohen, veçanërisht kur bëhet fjalë në çështje të tilla si trashëgimia, shpjegon avokatja Drita Hajdari. Në Kosovës më shumë përparësi i jepet Kanunit të Lekë Dukagjinit, sesa ligjit, shprehet Hajdari. Sipas Kanunit, vajzat nuk kanë të drejtë të trashëgojnë pjesë nga pasuria e familjes.

Në Bosnjë është pak më ndryshe!

Kosova nuk është vendi i vetëm i Ballkanit që po shërohet nga plagët e luftës. Sipas Qendrës për Kërkime e Dokumentacion në Sarajevë afër 100 mijë njerëz u vranë në luftën e Bosnjë-Hercegovinës prej vitit 1992 deri më 1995. Mijëra gra boshnjake kanë mbetur të veja. Gjithsesi, edhe pse qëndrimet ndaj të vejave të luftës janë konservative në Bosnjë, megjithatë janë më pak të ashpra sesa në Kosovë.

Vukosava Klanco, një boshnjake serbe në mes të dyzetave, mbeti e ve para 15 vitesh. Paraushtarakët serbë ia vranë të shoqin, Mujon, mysliman boshnjak, në Vllasenicë të Bosnjës lindore më 1992. Vukosava dhe Mujo u takuan në shkollë, ranë në dashuri dhe u martuan kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Ata kishin pastaj dy fëmijë. Mbetja e ve dhe nënë e vetme ishte e vështirë. “Kur humb partnerin në mënyrë të tillë, të duhet të kalosh përmes një procesi të gjatë e të ndërlikuar”, shpjegon Klanco. Ajo shkoi me fëmijët të jetonte në Suedi dhe tashti e kalon kohën mes Stokholmit dhe Tuzllës në Bosnjën verilindore.

“Isha e shqetësuar si t’i rrisja fëmijët”, kujton ajo. “Ua kushtova jetën”. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo nuk është martuar. Por, ka punuar shumë me dy djemtë e saj, duke u përpjekur t’i bëjë ata të kuptojnë që ndonëse dashuria e saj për të atin e tyre do të zgjasë përgjithmonë, ka ardhur koha që ajo të ecë përpara. “Kam folur shumë me bijtë e mi dhe tani ata do ta pranonin si gjë normale nëse unë do të martohesha”, thotë ajo. “Nuk doja që një ditë thjesht t’u dilja përpara e t’u thosha: “Ky është njerku juaj”. Ndonëse shprehet e gatshme për një marrëdhënie të re, megjithatë ajo përballet me vështirësi, por ndryshe nga ato të të vejave të luftës në Kosovë, si për shembull konceptimi i gabuar ndaj pavarësisë së saj. “Nuk kam nevojë për një partner që të më financojë, të më blejë gjëra e të më shëtisë me veturë”, thotë ajo.

“Jam grua në punë. Çfarë dua unë, është të kaloj jetën me një shok, por nuk është aq e thjeshtë”. Shoqja e saj, Hanife Kiçiq, myslimane boshnjake, gjithashtu e ve e luftës, burri dhe djali i së cilës u vranë po ashtu në Vllasanicë më 1992, mendon ndryshe. Duke jetuar në Tuzëll për t’ia përkushtuar jetën djalit të vogël, ajo stresohet kur pyetet nëse ka menduar ndonjëherë të rimartohej. “Jo, askush nuk mund t’ia zërë vendin atij”, thotë ajo për bashkëshortin e saj të ndjerë. Por, mosmiratimi i Kiçiqit për rimartesën e të vejave pjesërisht mbështetet në faktorë financiarë, si dhe mbi ndjenjën që martesa e sërishme nuk është e drejtë.

“Ato që janë rimartuar, janë ballafaquar me probleme financiare, sepse kanë humbur të drejtën e pensionit si të veja të luftës”, thotë ajo. “Prandaj, shumica nuk janë rimartuar”. Një pension i një të veje të luftës në Bosnjë e Hercegovinë është rreth 160 euro në muaj, që është më shumë se pensioni mesatar. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, pensioni mesatar në Bosnjë më 2009 ishte 126 euro në muaj. Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës pensionet e të vejave të luftës në Kosovë janë, në nivel më të krahasueshëm, 130 euro në muaj. Kjo është katër herë më shumë se pensioni mesatar prej rreth 40 eurosh në muaj.

Në Angli, është më lirë!

Ballkani nuk është rajoni i vetëm në Evropë, ku gratë i kanë humbë burrat në luftë. Tridhjetenjëvjeçarja Abby Cornish nga Kenti i Anglisë juglindore dhe dy fëmijët e saj ishin një nga shumë familjet e mbetura pa burrë e baba si pasojë e angazhimit ushtarak të Britanisë së Madhe në Irak dhe Afganistan. Këto konflikte kanë marrë jetën e më se 500 ushtarëve britanikë prej vitit 2001.

Burri i Abby, Matthew u vra në Irak më 1 gusht 2006 duke shërbyer në ushtrinë britanike. Ai ishte në një bazë ushtarake kur u gjuajt me mortajë dhe një shrapnel e goditi në kokë. “Thjesht s’mund ta besoja, u ndjeva keq dhe e lënduar sa s’ka më rëndë”, rikujton Abby. “E doja të rikthehej në jetë, nuk mendoja se do t’ia dilja pa të”. Trupi i pajetë i Matthew erdhi në shtëpi me aeroplan dhe ai u varros më 17 gusht 2006, një ditë para përvjetorit të pestë të martesës së çiftit. “Ishte e vështirë t’i shihje fëmijët të rriteshin pa babanë, të cilin e donin aq shumë”, thotë Abby. Por, ajo ia doli me ndihmën e familjes dhe Jimit, njërit nga shokët e ushtrisë të burrit të saj të ndjerë. Duke u kujdesur për Abbyn dhe fëmijët e saj, ata u bënë më të afërt. “Nuk e di me të vërtetë se si ndodhi”, shprehet ajo.

“Kishim qenë miq për shumë kohë dhe ai më ndihmoi shumë kur vdiq Matthew. Një ditë kuptuam se ndjenim për njëri-tjetrin më shumë sesa thjesht miqësi”. Kur ai u shpërngul në shtëpinë e familjes së re, fëmijët e saj ishin të gëzuar, sepse ishin mësuar me të. Në anën tjetër, Abby vazhdon të ketë lidhje të ngushta me familjen e Matthewit, madje ishin ata që e motivuan atë të shihte jetën përpara. Tani ajo po planifikon të martohet me Jimin në maj 2011.

“Familja dhe miqtë, duke përfshirë disa nga familja e Matthewit, do të vijnë në dasmën tonë”, thotë Abby. Jimi është pajtuar që ajo të mbajë mbiemrin e burrit të parë. “Edhe kur të martohem, do të jem prapë e martuar me Methewin. Do të kem një bashkëshort këtu dhe një bashkëshort në qiell”, vazhdon ajo.

“Nuk do ta harroj kurrë burrin tim, ai është babai i fëmijëve të mi dhe do të jetë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Do ta dua gjithmonë, e do të më marrë malli nga zemra për të”.

A po vjen ndryshimi?

Në Kosovë ka apele për ndryshimin e qëndrimeve kundrejt të vejave, në veçanti karshi të vejave të luftës. Nevojitet një fushatë e vazhdueshme për të ndryshuar mentalitetet e vjetra, thotë avokatja Drita Hajdari. E ve në të dyzetat, ajo tani është ekonomikisht e pavarur, mendjehapur dhe absolutisht nuk vishet me të zeza.

Ndërkohë që populli i Kosovës së pavarur kërkon modele të reja jetese, ata duhet të mbështeten në shembujt më të mirë nga rajoni dhe te pjesa tjetër e Evropës, thotë sociologia Sibel Halimi. “Kemi të drejtë të jemi të lumtur dhe të mos gjykohemi nga “policia morale”, është mesazhi i Vukosava Klancos për të gjitha gratë, vejusha apo të pamartuara, që jetojnë në shoqëri konservative joliberale. Anxhela Nikols, e ve tjetër angleze e luftës, burri i së cilës, Lensi, u vra në Afganistan më 2006, nuk i ka hyrë ndonjë marrëdhënieje të re. Por, edhe ajo beson se askush nuk ka të drejtë t’u thotë të vejave të luftës se çka të bëjnë me jetën e tyre.

“Gjithmonë do të ketë njerëz që na gjykojnë për atë që bëjmë, por këta janë njerëzit që nuk na njohin dhe nuk duan që ne të jemi të lumtura”, thotë ajo. Në Kosovë, Flora Rexhepi jeton me dhimbjen e humbjes së dyfishtë: të qenit e ve dhe e ndarë nga fëmija i saj. Mesazhi i saj për gratë që përballen me të njëjtin fat është i thjesht e i drejtpërdrejtë: “Kurrë mos e braktis fëmijën për asgjë në botë”.

Ky artikull është shkruar gjatë programit të Bursës Ballkanike të Gazetarisë së Shkëlqyer, një nismë e Robert Bosch Stiftungut dhe fondacionit ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. Titulli dhe nëntitulli janë të redaksisë.


Express
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi