Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Krimi farmaceutik

Shko poshtë

Krimi farmaceutik Empty Krimi farmaceutik

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 06, 2009 8:03 pm

Krimi farmaceutik


Krimi farmaceutik Barnat-490x320

Rreth 700 tonë barna me vlerë rreth 50 milionë euro ndodhen në depon e Mazgitit dhe në spitale publike. Të gjitha janë me afat të skaduar. Grumbullimi i tyre është bërë dhjetë vjet me radhë si shkak i menaxhimit katastrofal të shëndetësisë kosovare. Asgjësimi i tyre do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, 3 milionë euro. Furnizimi me barna mbetet pa ndryshime. Nuk ka barna.

Nga Nebih Maxhuni & Arben Hyseni më 06.03.2009 në ora 8:21

Menaxhimi i dobët, jokuantifikimi i barnave, grupet e interesit, përqindja e drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë në tenderë dhe blerja e barnave pa nevojë, i kanë lënë qytetarët e Kosovës për dhjetë vjet pas luftës pa asnjë ilaç. Edhe vetë farmacistët kosovarë pranojnë se në këtë sektor janë bërë krimet më të mëdha dhe të padukshme në shoqërinë kosovare prej pasluftës. Tash dhjetë vjet, përkundër qindra miliona eurove që janë dhënë për blerjen e barnave, pacientët nuk kanë qenë kurrë të furnizuar me to.

Në të njëjtën kohë, depot e barnave të Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet dhe barnatoret shtetërore kanë qenë dhe janë përplot me to. Një pjesë e madhe e tyre më afat ta skaduar. Kjo punë, sipas të gjithë argumenteve dhe dëshmive, del të ketë qenë e organizuar nga protagonistët e sektorit të shëndetësisë dhe grupeve të interesit. Kryesisht përmes kompanive farmaceutike.

Për dhjetë vjet, nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës janë ndarë në baza vjetore minimum rreth 20 milionë euro për furnizim me ilaçe. Dhe për krejt këto dhjetë vjet, pacientët kosovarë nuk kanë qenë për asnjë muaj të furnizuar plotësisht me to. Mungesa totale apo kolapsi farmaceutik vazhdon edhe sot. Asnjë prej institucioneve shëndetësore në Kosovë nuk plotëson asnjë nevojë të pacientëve. Krejt çfarë bëjnë këto spitale tash, është nisja e disa shkresave në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim.

Kryesorja dhe më problematikja, është Qendra Klinike Universitare. Sallat e operacioneve në këtë institucion janë bërë shumë të papëlqyeshme për kirurgët në saje të mungesës së ilaçeve. Shumë mjekë ikin prej sallave nga frika se mos iu mbetet ndonjë pacient në dorë. E në këtë derexhe, sektorin e farmaceutikës e kanë sjell vetë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, me menaxhimin e dobët dhe lidhjet e tyre me këto kompani farmaceutike.

Përmes tenderëve të selektuar për hatër të këtyre kompanive, MSh-ja ka blerë barna pa pikë nevoje. Ka blerë barna edhe kur në depon e Mazgitit kanë qëlluar me mijëra kutia ilaçe të llojit të njëjtë. MSh-ja kurrë nuk ka pasur asnjë program strategjik apo raport, i cili identifikon se çfarë ilaçesh, ku dhe për cilën kategori shkojnë më shumë. Këtë kohë, kompanitë farmaceutike e kanë shfrytëzuar fort mirë duke u shitur kësaj ministrie barna gjytyrie.

Me krejt këto marifete, tash, Ministrisë së Shëndetësisë iu kanë mbledhur hiq më pak se 700 tonë barna pa afat në depon e Mazgitit dhe spitalet rajonale. Me këtë sasi të madhe, kjo ministri tash ka mbetur godare, duke mos pasur asnjë ide se s`i t`i asgjësojë ato. Vetëm për asgjësimin e tyre, sipas drejtuesve të MSh-së, është raportuar se duhen diku rreth 3 milionë euro. Ndërsa vlera e këtyre ilaçeve të skaduara, sipas kalkulimeve të Expressit dhe burimeve të saja brenda kësaj ministrie, arrin shifrën mbi 50 milionë euro.
Farmacistët kosovarë asgjësimin e këtyre barnave e konsiderojnë si asgjësimin e të gjitha dokumenteve, dëshmive dhe keqpërdorimeve me barnat e blera në Kosovë.

“Me këtë proces i vihet kapaku i keqpërdorimeve dhe korrupsionit me barna prej një periudhe tetëvjeçare”, thotë njëri nga zyrtarët e lartë në MSh. Express gjatë një muaji hulumtimi ka zbuluar shkaktarët kryesorë që e kanë lënë Kosovën në këto dhjetë vjetët e fundit pa barna. Por, prapëseprapë, kryesorja mbetet kuantifikimi, selektimi i prioriteteve për blerjen e banave dhe blerja e tyre pa kritere për hatër të miqve në kompanitë farmaceutike.

Për çdo vjet, në depon e Mazgitit janë dërguar furnizime me ilaçe të ngjashme të cilat nuk janë përdorur fare gjatë tërë viteve të mëparshme, e të cilat kanë qenë me bollëk në atë depo. Por Ministria i ka blerë ato të njëjta për hatër të ndonjë kompanie farmaceutike, ku kanë qenë të përfshirë në përqindje tenderësh disa prej drejtuesve të MSh-së. Kjo ministri për çdo vjet ka futur në tender për blerjen e barnave edhe ato që i ka pasur me shumicë na Mazgiti.

“Për çdo tender janë kërkuar barna, edhe pse ka pasur në depo. Për shembull ka pasur rreth 30 mijë diklofenakë, të cilët nuk janë përdorur apo harxhuar gjatë vitit as 5 mijë prej tyre dhe në të njëjtën kohë MSH-ja ka porositur edhe dyfish më shumë”, thotë njëri prej farmacistëve kosovarë, i cili ka qenë pjesëmarrës indirekt në këta tenderë.

Njëri prej menaxhuesve të depos së Mazgitit, Bedri Avdullahu, pronar i Korporatës Farmaceutike të Kosovës, shpjegon se si Ministria kurrë nuk ia ka qëlluar me blerjen e barnave. Ai përmes KFK-së, barnat të cilat i blen MSh-ja, i mirëmban dhe bën shpërndarjen e tyre nëpër institucionet shëndetësore publike.

Shumë farmacistë kanë kritikuar edhe formën e shpërndarjes së këtyre barnave, duke thënë se ka qenë një ndër faktorët e mungesës së ilaçeve në spitale. KFK-ja një kohë ka qenë institucion shtetëror, ndërsa më vonë është bërë privat dhe është marrë në dorë nga vetë Bedri Avdullahu. Shefi i KFK-së thotë se krejt kjo është menaxhuar nga MSh-ja dhe e vetmja detyrë e tyre ka qenë shpërndarja e barnave.

Ai thotë se amullia e këtyre barnave ka ardhur bash prej Ministrisë, e cila s`ka pasur asnjë platformë për këtë punë. Sipas tij, në spitalet publike janë dërguar barna me shumicë, edhe pse ndoshta në atë spital nuk ka pasur fare nevojë.

“MSh-ja asnjëherë nuk ka bërë specifikimin e harxhimeve të barnave dhe nevojën e saktë të këtyre spitaleve në baza vjetore, për ilaçe të caktuara”, sqaron Avdullahu. Problem edhe më të madh ai sheh asgjësimin e tyre, i cili po bëhet pa kontroll. Hedhja e barnave vend e pa vend, nëpër kontejnerë dhe vende të ndryshme, thotë ai, janë bombë atomike për ambientin tonë.

Avullimit të barnave të blera nga MSh-ja, i kanë kontribuar shumë edhe barnatoret shtetërore, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në shpërndarjen e këtyre barnave dhe spitalet publike. Në këto ambiente rrallë e hiq ka pasur evidenca se sa, qysh dhe si kanë shkuar këto ilaçe. Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë të dhënë për periudhën e menaxhimit të barnave gjatë kohës së pasluftës.

Zyrtarët e Ministrisë tash sa kohë janë justifikuar për masën e madhe të këtyre barnave pa afat, duke thënë se janë donacione. Por, kjo ministri nuk është në gjendje të tregojë se cili donacion i ka ardhur Kosovës me barna prej vitit 2001. Gjithashtu nuk janë në gjendje të tregojnë as në vlerë valutore se sa janë ato. Vetëm e dinë se tash deri në 7 milionë euro minimum do t`iu kushtojë asgjësimi i tyre. Sipas kalkulimeve të Expressit dhe përllogaritjeve të ekspertëve të farmaceutikës, del se diku deri rreth 50 milionë euro janë barna pa afat.

Për disa donacione të vogla, është në gjendje të dëshmojë vetëm Qendra Klinike Universitare, së cilës i kanë shkuar herë pas here në tri vitet e para pas luftës, por këto nuk janë dërguar asnjëherë në depon e Mazgitit, po direkt kësaj qendre.

Në anën tjetër, ata me mjeshtri janë përgjigjur se janë diku mbi 100 tonë barna pa afat. Jo saktësisht, por zëdhënësi i kësaj ministrie, Skënder Berisha thotë se përfolet, pa e ditur sa, se janë mbi 100 tonë barna pa afat. Masën e madhe prej 700 tonëve të barnave të skaduara e ka konfirmuar edhe vetë mirëmbajtësi i këtyre ilaçeve, Bedri Avdullahu. Të njëjtën shifër përafërsisht e ka dhënë edhe ish-shefi i farmaceutikës në MSH, Nexhdet Kondirolli, i cili ka deklaruar se janë diku mbi 500 tonë.

Në anën tjetër, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë me mjeshtri i ikin kësaj shifre. Ata thonë se nuk janë aq shumë, por vetëm mund të konfirmojnë se janë mbi 100 tonë. Bile një shumë të kësaj e deklarojnë si barna me afat të skaduar, e që, sipas tyre, janë dhuruar si donacion. “Saktësisht me tonelata nuk dihet, por është një sasi e konsiderueshme e barnave dhe materialit shpenzues. Është përfolur se ka mbi 100 tonë barna me afat të skaduar”, thotë Lutfi Mulaku, drejtor i Departamentit Farmaceutik në MSH. Asgjësimi, sipas tij, nuk dihet sa do të kushtojë. Ai tha se modalitetet për asgjësimin e barnave do t`i përcaktojë Komisioni ndërministror.

Thonë se në këtë komision bëjnë pjesë pesë anëtarë të pesë ministrive që është duke punuar dhe së shpejti MSh-ja do të ketë rekomandimet për këtë çështje. “Asgjësimi i barnave kushton prej 1 euro e përmbi për një kilogram”, thotë Mulaku. Ndërsa, Bedri Avdullahu, i cili ka bërë një projekt për asgjësimin e tyre, thotë se kushton 1 deri në 8 euro asgjësimi i një kilogrami. Nëse mesatarisht llogaritet shuma në katër euro për asgjësim të kilogramit, atëherë del se për 700 mijë kilogramë barna, nevojiten së paku 2.8 milionë euro.

Përderisa çdo institucion publik shëndetësor përballet me mungesë totale të barnave dhe materialit shpenzues, në depon e Mazgitit janë rreth 50 milionë euro barna pa afat, të cilat rreth 3 milionë euro do të kushtojnë për t`u asgjësuar. Më së shumti që po kukat për mungesën e tyre është Qendra Klinike Universitare, e cila nuk ka asnjë ilaç duke u nisur prej penjve të sallave të operacionit, dorëzave, fashave, e deri tek ato ilaçet më të shtrenjta për trajtimin e sëmundjes së HIV/AIDS-it dhe kancerit.

“Barnatorja Qendrore e QKU-së për çdo javë bën kërkesë në Drejtorinë Ekzekutive për furnizim me barna nga ana e MSH-së për shkak të mungesës së madhe të tyre”, thotë zëdhënësi i QKU-së, Shpend Fazliu. Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, i pyetur për krejt këto nga Expressi, përgjigjet duke thënë “po më pengoni”. Mungesa e madhe e barnave po vazhdon bashkë me idenë e Ministrisë së Shëndetësisë për të rregulluar këtë sektor aq të ndjeshëm.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi