Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zekerija Ibrahimi:Letër proteste me rastin e 8 Marsit

Shko poshtë

Zekerija Ibrahimi:Letër proteste me rastin e 8 Marsit Empty Zekerija Ibrahimi:Letër proteste me rastin e 8 Marsit

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 11, 2009 6:12 pm

Letër proteste me rastin e 8 Marsit



NËNË, TY TË DISKRIMINOJNË E TË NËNÇMOJNË



SHKRUAN: ZEKERIJA IBRAHIMI - SHKUP



Nëna ime, ty të kanë diskriminuar e nënçmuar. Barku yt është shpallë i keq, e ti duhet të ndëshkohesh, ndërsa barku i nënave sllave është shpallë i mirë dhe duhet të shpërblehet. E keqja është se bashkë me ata kësaj radhe ishin edhe tanët. Turp u qoftë të gjithëve!



Nëna ime, sot kur në pjesën më të madhe të botës gratë mblidhen e protestojnë për të drejtat e tyre, ndërsa në vendin tonë ato mblidhen e festojnë, e ti nuk merresh më as me të parat e as me të dytat, unë po ta shkruaj një letër për t'i bërë një retrospektivë kohës kur ti ishe nëna ime dhe kohës kur ti tash je bërë gjyshe.



Nëna ime, ndonëse kam qenë fare i njomë, thjesht një kalama, unë i mbaj mend mirë ato vite të fundit të komunizmit pas '81-shit kur neve na nëpërkëmbej nderi. Ishte ajo kohë kur ti me bonat e verdhë, që babës tonë ia jepnin në punë, prisje rend në dyqan për t'i blerë dy litra vaj, pak qumësht, ndonjë detergjent e ndonjë kile sheqer, se për tjetër s'mbetej gjë.



Megjithatë më e keqja se kjo vijoi më pas. Unë edhe sot e kujtoj me dhimbje kohën kur ty t'u kufizua e drejta për të pasur më shumë se tre fëmijë dhe kjo atëbotë u bë me ligj. Më kujtohen atëherë bisedat që i bëje ti me babanë se sa keq po bëhet për ato nëna që i kishin nga katër e më shumë fëmijë. (Ne, për fat, ishim vetëm tre!) Ata prindër nuk do të merrnin shtesa për ata fëmijë. E të mos marrësh atëbotë shtesa për fëmijë ishte keq, se ishte kohë fukarallëku. Pa to, pastaj, as në shkollë nuk ta jepnin mensën. Vërtet ishte keq. E mua në klasën time, si më zavrak që isha, arsimtari më kishte caktuar që unë t'ua sjellë mensën në klasë shokëve e shoqeve të mia. E kur vija më atë shportën e madhe në dorë, i dija më saktë se kush janë të katërtin a të pestët, të cilëve nuk u binte mensa. E derisa në përtypeshim në pushimin e gjatë, ata, të katërtit e të pestit, na shikonin si të zënë në faj që Zoti nuk i kishte krijuar të dytët ose të parët. Ishin skena të dhimbshme ato.



Pastaj, nëna ime, fëmijëve të katërt e të pestë nuk u binte as të marrin vaksina. Ata thjesht ishin lënë në dorë të Zotit: po qe se kishin ymër, jetonin. Në të kundërtën ishin të dënuar të vdesin nga sëmundjet.



Eh, nëna ime, si m'u kujtua edhe një moment me ato vaksinat! Kam qenë po ashtu në shkollë fillore kur u përhap fjala se po vijnë të na japin vaksina që kur të rritemi të mbetemi sterilë. Dhe, derisa mjekët matelbardhë hynin për dere, ne kërcenim jashtë për dritare për të ikur që mos të marrim vaksina steriliteti. Eh, nëna ime, pushtet i poshtër ka qenë!



Nënë, e di se nënat e fqinjëve tanë, që kishin më shumë se tre fëmijë, ndiheshin keq sa herë që vinte muhabeti i fëmijëve, ngase pikërisht më të voglit e tyre i kishin të privuar nga kënaqësitë fëmijërore. Se ashtu kishte urdhëruar shteti – se shqiptarët shumë po shtoheshin e duhej gjetur ndonjë mekanizëm që kështu ta pengonin këtë shtim që në të ardhmen mund t'i bënte problem pushtetit. Unë e kuptoja se ky ishte një turp që na e kishin varë në qafë, ngase prindërve tanë ua kufizonin edhe raportet bashkëshortore me arsyen e vetme se ata nuk ishin sllavë dhe, ta dish nëna ime, më vinte të plas për këtë, por s'kisha ç'të bëj.



Më kujtohet pastaj, nënë, kur po në këtë frymë, duke dashur të të nxjerrin sa më pranë syve të tyre, ata erdhën e lagje më lagje na i prishën muret e na i prenë dyert, me të vetmin qëllim që ta zbulojnë nderin tënd. Vërtet ishte e padurueshme ajo. Atëbotë thuaja çdo mbrëmje në shtëpinë tonë do të bëhej muhabeti si t'i bëjmë vesikat e të ikim në Turqi, se këtu nuk kishte më jetë për ne. Por, kaloi....



Eh, nënë, shyqyr Zotit që kaloi ajo kohë e kurrë mos u ktheftë më.



Dhe tani, nëna ime, tani kur u bënë rreth 20 vite që e kemi lënë pas atë kohë të errët, pushteti prapë po të diskriminon ty. Prapë, tashmë në fytyrën e nipave, janë ngjallë ata që atëherë ta kufizonin barkun ty, por kësaj radhe edhe më keq. Tash, kur shqiptarët me një rezistencë të armatosur në 2001-shin sikur e kthyen një çikë krenarie, ata tjerët për të na bindur se megjithatë ne do të shtohemi aq sa duan ata, edhe kësaj radhe sollën një ligj që nënën sllave e shpallën nënë të mirë, nënë që duhet të lindë, nënë që duhet të paguhet pse lindë, nëna që ka bark engjëllor dhe ne te gjithë taksapaguesit e këtij shteti do të duhet ta shpërblejmë barkun e saj, ndërsa ty, nëna ime, prapë të nëpërkëmbën. Ty prapë të lanë aty ku ishe. Ti duhet të vazhdosh të lindësh krejt në hesapin tënd.



Shyqyr Zotit që ti tash nuk lindë më! Ndonëse ma merr mendja se ti edhe si gjyshe do të doje ta shohësh plot shtëpinë, por ata ta kufizojnë edhe atë dëshirë, nënë.



Nënë ime e dashur, unë e di se ti nuk e di si quhet ky fenomen në sociologji, se nuk e di as çfarë është sociologjia, por unë po ta shpjegoj me llafet tona. Kësaj pune i thonë racizëm. Këtë e ka bërë vetëm Hitleri, ai kasapi i Luftës së Dytë Botërore, i cili i shpalli racë të shenjtë gjermanët e tij. Kjo do të thotë se të gjithë që në vendin tonë nuk flasin maqedonisht (si thua ti: shkenisht), që nuk janë sllavë (si i quan ti: shkje), do të jenë të privuar nga shteti për fëmijët e tyre. U bë më keq se në kohën kur ti ishe nënë, e dashura nëna ime: atëherë ta kufizonin barkun, ndërsa sot ne fëmijët tu, do të duhet të paguajmë për barkun e nënave sllave.



Eh, nëna ime, kështu na e bën Kolja i Prilepit sot. Kësaj radhe, fatkeqësisht, bashkë me shqiptarët tanë që e hedhin fajin se jo ligji u përgatit në kohën e PDSH-së, jo e miratoi BDI-ja, e pallavra të tjera të këtilla që pas këtij poshtërimi për ne nuk janë më me rëndësi.

Nëna ime, unë edhe një gjë s'mund ta kuptoj: ne kemi edhe nëna shqiptare në Parlament që e lejuan këtë turp. Ndonëse aty disa janë vetëm manekine e disa dalin në TV vetëm kur dikush i korrupton dhe ato tregojnë se nuk e shesin veten aq lirë, se pushteti u sjell më shumë privilegje se shumat e korrupsionit, megjithatë vërtet më ka ra keq që edhe disa që i kam konsideruar intelektuale të formuara, që janë edhe nëna, sesi ato e kanë lejuar këtë turp.



Por, sidoqoftë nëna ime, ty të kanë diskriminuar e nënçmuar. Barku jot është shpallë i keq, e ti duhet të ndëshkohesh, ndërsa barku i nënave sllave është shpallë i mirë dhe duhet të shpërblehet. E keqja është se bashkë me ata kësaj radhe ishin edhe tanët. Turp u qoftë të gjithëve!



E meqë sot është dita botërore e grave, në vend të një buqete me lule për ty, le të jetë kjo letër si protestë në emër të të gjitha nënave shqiptare në Maqedoni që ky pushet po i diskriminon më keq se në komunizmin e ligë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi