Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Bytyçi:"Po edhe këtë na e bëre, o Sali Berisha"!?

Shko poshtë

Enver Bytyçi:"Po edhe këtë na e bëre, o Sali Berisha"!? Empty Enver Bytyçi:"Po edhe këtë na e bëre, o Sali Berisha"!?

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 13, 2009 10:20 pm

"Po edhe këtë na e bëre, o Sali Berisha"!?

Enver BYTYÇI
Tragjikomedia shqiptare në rastin e aferës së ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pangos:

Thonë se gjëma më e madhe nuk zgjat më shumë se tri ditë. Por skandali seksual i ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pangos, e ka kaluar tashmë këtë hark kohor. Ajo ngjarje është në faqet e para të shtypit, në të gjitha ekranet e televizioneve, e shndërruar në një garë "për të dëshmuar virgjërinë" e maskarenjve, hipokritëve, imoralëve, të pabesëve. Lexuesi do të më falë për këto etiketime, sepse vërtet janë jashtë standardit etik që përpiqem të zbatoj. Por nuk mund të pajtohet askush me një dukuri të çuditshme. Nëse shohim reagimin e përgjithshëm ndaj imoralitetit të Ylli Pangos, një njeri që do të vinte jashtë planetit do të thoshte: Shqipëria qenka vendi më i përgjegjshëm më i moralshëm, më i virgjër në të gjithë kozmosin. Jashtëtokësori do të thoshte se në këtë vend të gjithë qenkan të ndershëm dhe përveç Ylli Pangos, asnjë nuk është imoral, asnjë nuk është hajdut e pervers, asnjë nuk bën orgji. Madje me rastin Pango përpiqej të merrte në mbrojtje Edwin Ramën dhe një gazetë, shefi i së cilës nuk kishte lënë gur pa lëvizur që fotot nudo të kreut të socialistëve në plazhet e Francës të botoheshin së pari në një gazetë të huaj (Bosnjë) e më pas ato foto të shërbenin si poster elektoral në gazetën e tij.
Ngjarja me Ylli Pangon është vërtet e rëndë, e turpshme dhe e dënueshme. Por ajo nuk është unike në botën e politikës dhe në rrethin e personaliteteve. As në botë, as në Shqipëri. Bota është e mbushur me shumë shembuj të tillë. Madje keqpërdorimi i pozitës në qeverisje e në institucione ka qenë një tipar karakteristik i të gjitha qeverisjeve në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë se Ylli Pango mund të çlirohet prej gafës së radhës, e cila mund të mos ketë qenë as e para, as e fundit për të. Por më shumë se Ylli Pango besoj se është e udhës të linçohet fenomeni, vesi, kultura politike dhe koncepti politik për familjen. Pikërisht ky dimension i mungon analizës së asaj çfarë ka ndodhur me Ylli Pangon.
Në fshatin Surroj të Kukësit para vendosjes së regjimit komunist kishte ndodhur një vrasje për nder. Ishin mbledhur bashkëfshatarët e viktimës që ta dënonin atë edhe moralisht. Kjo do të thoshte që viktima të varrosej me turp, pa asnjë pjesëmarrje të njerëzve. Por i pari i fshatit, Osman Haliti, kishte pyetur: "Kush nga ju nuk e ka bërë këtë veprim imoral, le të mos shkojë në varrim. Vetëm ata që janë vetë të moralshëm kanë të drejtën t'i ndëshkojnë viktimat sipas zakonit". Pas kësaj kishte rënë heshtje varri në kuvend. Askush nuk kishte guxuar të thoshte ndonjë fjalë. Vendimi për linçim ishte evituar dhe një pjesë e madhe e fshatarëve kishin qenë të pranishëm në varrimin e viktimës.
Në rastin e Ylli Pangos fatkeqësisht kanë gjetur momentin të shpallen "të virgjër" shumica e imoralëve të paekranizuar të politikës shqiptare. Ylli Pango po i ndihmon ata që të shfaqen sikur kanë rënë prej qiellit, sikur janë sterilë e sikur asnjë prej tyre nuk ka probleme me gruan ose burrin përkatës të regjistruar në aktet martesore.
Sigurisht që ka jo pak prej tyre që janë vërtet të ndershëm dhe kanë tagër të shfaqin opinione e ta dënojnë Ylli Pangon, si dhe veprimin e tij imoral. Ndër më të spikaturit mund të përmendet kryeministri, Sali Berisha, i cili në katër minuta e kreu detyrën sipas kompetencave që atij i jep ligji, duke i dhënë gjithashtu përgjigje politike organizatorëve, skenaristëve dhe regjisorëve të tragjikomedisë së Pangos. Ndërkaq klithmat e kategorisë së moralistëve imoralë përçojnë hipokrizi e dyfytyrësi. Është më së shumti kjo kategori që deklarohet se "nuk pranon ta shohë Ylli Pangon", as në Parlament, as në qytet, as në rrugë, as në fakultet, askurrkund.
Por kësaj kategorie po i shërben njëkohësisht garnitura e njëjtë e medias së pamoralshme, që edhe ajo ka shfrytëzuar shansin të shitet me "moral të lartë". Nëse do të hulumtohej gjithçka ka ndodhur, do të sillej në shesh e vërteta se stafi televiziv që ka kryer këtë survejim nuk është nisur aspak nga motive morale, përveçse nga motive politike e perverse.
Vërtet një proverb popullor thotë "Më mirë të daltë syri sesa nami". Në këtë kuptim Ylli Pango ka marrë me vete edhe namin e lig të vetin, por dhe namin e lig të sa e sa kolegëve të tij politikanë, duke përfshirë dhe namin e keq të kreut të opozitës, Edvin Ramës. Dukej sikur ish-ministri me aktin e tij imoral do t'i ndihmonte politikisht opozitës në ndeshjen elektorale të qershorit të këtij viti. Megjithatë ka shumë shanse që llogaritë të jenë bërë së prapthi. Është kjo një fushë ku Sali Berisha nuk mund të konkurrohet, aq më pak të mundet. Ajo që kreu i Ekzekutivit realizoi në katër minuta, vendimi politik që ai mori për t'u distancuar menjëherë nga imoraliteti i ministrit të demaskuar, është i mjaftueshëm të shumëzimit me zero të përpjekjeve për dëmtimin e imazhit të tij e të qeverisjes së tij. Nga ana tjetër, konceptet morale të Berishës për familjen janë koncepte që dallojnë kryekëput nga konceptet e principet morale të Edi Ramës dhe të gramafonave të tij në Parlament e jashtë Parlamentit, në media e kudo.
Nëse vërtet do të kishim një shoqëri demokratike, duhej pritur që Ylli Pango të përgjigjej ligjërisht. Kjo do t'i jepte përgjigje përgjegjësisë të tij si funksionar i lartë i Qeverisë, si dhe do të zbulonte të vërtetën se në ç'masë ka abuzuar ai me detyrën që kishte. Gjyqi do t'i jepte gjithashtu përgjigje faktit nëse investigimi i stafit televiziv ishte i ligjshëm ose jo. Në Gjermani gjyqi dënon çdo njeri, institucion, ose avokat që grumbullon prova në mënyrë të paligjshme, pa lejen e prokurorit ose gjyqit hetues. Madje këto prova nuk administrohen, edhe nëse ato janë të argumentuara. Ato mund të rikthehen në administrim vetëm nëse verifikohen ligjërisht dhe paraqiten si të tilla para trupit gjykues.
Ndërkaq në Shqipëri ligjin e bën politika. Nëse Edi Rama urdhëron ekzekutim të provave të jashtëligjshme për qëllime politike, atëherë ato ia kryejnë prokurorët e detektivët e tij në media e kudo që ndodhen. Dhe imoraliteti shkon përtej shfaqjes komike. Emisione televizive të panumërta, editoriale të përditshëm në shtyp denoncojnë Sali Berishën për çdo gjë që ndodh në Shqipëri. Kur dikush ngacmon një femër, fajësohet Sali Berisha, kur dikush tjetër përmendet në ndonjë gazetë të huaj me ose pa të drejtë për korrupsion, fajësohet përsëri Sali Berisha. Me artikuj e opinione gazetash, si dhe të emisioneve televizive fajësohet gjithnjë dhe i vetëm, Sali Berisha. E gjithë kjo orgji mediatike e tipit Frook Çupi dhe Kiço Blushi të kujton atë humorin e Cekës, i cili, kur gjeti gruan me një burrë tjetër në krevat, tha: "Po edhe këtë ma bëre o Sali Berisha!"
Bashkë me abuzimin e ish-ministrit dhe të të tjerëve politikanë pa namuz, është mirë që shoqëria shqiptare të dënojë edhe provokatorët, autorët, regjisorët dhe skenaristët e të tilla tragjikomedive. Si?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi