Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shefqet Dibrani:KOMUNISTI ISA MUSTAFA PËRKULET EDHE PARA MONUMENTIT KUSHTUAR ENVER MALOKUT

Shko poshtë

Shefqet Dibrani:KOMUNISTI ISA MUSTAFA PËRKULET EDHE PARA MONUMENTIT  KUSHTUAR ENVER MALOKUT Empty Shefqet Dibrani:KOMUNISTI ISA MUSTAFA PËRKULET EDHE PARA MONUMENTIT KUSHTUAR ENVER MALOKUT

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jan 18, 2011 1:38 pm

Shefqet Dibrani:KOMUNISTI ISA MUSTAFA PËRKULET EDHE PARA MONUMENTIT  KUSHTUAR ENVER MALOKUT 23255_1319977144_6363_n
KOMUNISTI ISA MUSTAFA PËRKULET EDHE PARA MONUMENTIT KUSHTUAR ENVER MALOKUT

Më 11 janar në Ditarin e mbrëmjes RTK emitoi një sekuencë nga nderimi që kryetari i LDK-së dr. Isa Mustafa bashkë me sutën e tij vunë lule te monumenti i Enver Malokut. Për njohësit e rrethanave dhe sidomos për familjen ky gjest irritonte se të gjithë njerëzit normal i kanë ditur raportet e ngrira të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrit për Ekonomi dhe Financa dr. Isa Mustafës me Presidencën, me QIK-un dhe me LDK-në.
Citimet janë marrë nga QIK, 11 janar 2011, te informacioni “Përkujtohet Enver Maloku në 12-vjetorin e vdekjes tragjike”


Shkruan: Shefqet DIBRANI

Kryesia e LDK-së e ka përkujtuar veprimtarin e saj të shquar dhe ish-shefin e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), Enver Malokun, në 12-vjetorin e vdekjes së tij tragjike, dhe ky lajm është për t’u mirëpritur pasi për një çast mund të besohet se kryesisë së LDK-së i paska rënë ndërmend të kthehet te rrënjët e veta historike. Po ashtu është krejt normale në kushte normale që kryetari i LDK-së dhe anëtarët e Kryesisë Qendrore të bëjnë homazhe dhe të vënë lule te monumenti kushtuar Enver Malokut, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, i cili 12 vjet më parë u qëllua për vdekje nga persona deri më tash të pa njohur, pranë dritareve të bodrumit ku ai në atë kohë banonte.
Por absurdi i gjithë këtij marifeti politik është se aty ka marrë pjesë personi që ka qenë përgjegjës për “atentatin e vazhdueshëm financiar” ndaj QIK-ut dhe vet Enver Malokut, i cili tashti në cilësinë e kryetarit të LDK-së ka vlerësuar lart figurën e Enver Malokut, për të cilin do të shprehet se “ka bërë shumë për LDK-në dhe Kosovën dhe ka qenë një bashkëpunëtor shumë i ngushtë i Ibrahim Rugovës”, (QIK, 11 janar 2011). Po ashtu dr. Isa Mustafa ka theksuar se “Enver Maloku ishte një intelektual i spikatur i cili ka dhënë kontribut të veçantë për informimin e Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar në kohët më të vështira që ka kaluar dhe ka përjetuar Kosova”, (QIK, 11 janar 2011). Ky konstatimështë mbase i vërtetë seEnver Maloku si askush tjetërka dhënë kontribut të rëndësishëm në Qendrën Informative të Kosovës me siglën e njohur (QIK), duke e përparuar mendimin informativ në Kosovë. Por është tepër irrituese këndellja kaq e vonë e dr. Isa Mustafës i cili është njeriu më përgjegjës për bllokimin financiar që ky zotëri në cilësinë e ministrit ia ka bërë edhe Qendrës për Informim të Kosovës.
Enver Maloku si askush tjetër në historinë e Kosovës e kreu misionin e vet informativ edhe atëherë kur i bëheshin kërcënimet për likuidim fizik, duke mos u trembur dhe duke mos u mposhtur edhe atëherë kur i bëheshin shantazhe financiare nga Qeveria e Kosovës dhe Ministri i atëhershëm i Financave dr. Isa Mustafa i cili tash, pas kaq e kaq vitesh, i paska rënë ndërmend të na rikujton se kush ishte Enver Maloku, bile pa e shprehë asnjë fjalë pendimi për veprimin e tij, të një lloj atentati financiar që ka bërë mbi QIK-un dhe personalisht mbi Enver Malokun.
Shtrohet pyetja nëse ka mundësi të shpjegoj tashti në cilësinë e kryetarit të LDK-së pse “QIK-ut të LDK-së” disa herë iu patën ndërpre financat pikërisht nga dr. Isa Mustafa i cili në atë kohë ishte Ministër i Ekonomisë dhe Financave, dhe a ka mundësi të shpjegoj pse dr. Isa Mustafa dhe as dr. Bujar Bukoshi nuk shprehen në atë kohë keqardhje për atentatin mbi Enver Malokun dhe nuk i shprehen ngushëllime as Kryetarit të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës dhe as Familjes Maloku.
Të gjitha strukturat antidemokratike që ishin në kundërshtim me LDK-në, e qe besa përgjithësisht me Kosovën, me ironi thoshin: “QIK-u i LDK-së”, tashmë dr. Isa Mustafa këtë e thotë me krenari, apo i ka mbetur ves nga e kaluara e tij plot hasmëri kundër “QIK-ut të LDK-së”, atëherë kur ia rrudhte buxhetin financiar, pasi nuk e duronte suksesin e kësaj Qendre Informative Kombëtare (QIK). Dhe kjo rrudhje financiare ndikonte drejtpërdrejt në punën dhe suksesin e QIK-ut, madje duke e sjellë disa herë në pikëpyetje funksionimin e QIK-ut. Dhe kjo ka ngjarë, mu atëherë kur i duhej Kosovës: Në saje të bllokadave financiare ia patën ndërprerë telefonat dhe mjetet tjera të internetit, kurse dr. Isa Mustafa bashkë me sivëllain e tij dr. Bujar Bukoshin bënin gallata kundër QIK-ut, duke shprehur tërë urrejtjen e tyre, të cilën e patën drejtuar kundër Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova i cili ishte po ashtu edhe kryetar i LDK-së, sepse si duket nuk ia duronin suksesin.
Dr. Isa Mustafa me sivëllain e tij dr. Bujar Bukoshi nuk ia duronin suksesin as LDK-së, këtë e kanë theksuar vazhdimisht nëpër intervistat e shumta të asaj kohe, dhe siç thotë populli “nëse është hëngër pitja ka mbetur tepsia”, prandaj nuk dua të besoj se mendja e ndritur e intelektualëve në kryesinë qendrore të LDK-së e as dr. Sabri Hamiti janë bërë kaq harrestar e të mos iu kujtohen bëmat e dr. Isa Mustafës, kundër QIK-ut e kundër Enver Malokut, dhe tani nuk e di me çfarë morali i shkojnë tek monumenti, për të vënë lule dhe për t’u deklaruar ashtu siç bëri dr. Isa Mustafa në këtë përvjetor, por qartë shihet se për marketing politik kjo kastë injorantësh janë në gjendje të kallapitin gjithçka.
Nuk e di, këta “reformatorë të LDK-së”, si paskan menduar ta përparojnë e reformojnë LDK-në, duke ia sjell në krye një komunist i cili si askush tjetër e ka penguar dhe shantazhuar çdo veprim të mirë kombëtar që e bënte LDK-ja, dhe është përpjekur me mish e shpirt për ta zvetënuar punën dhe kontributin e LDK-së, kontributin e QIK-ut dhe të Enver Malokut dhe kjo ka ngjarë pasi dr. Isa Mustafa dhe sivëllai i tij dr. Bujar Bukoshi nuk kanë mundur t’i pranojnë rezultatet dr. Ibrahim Rugovës.
Padyshim QIK-u ka qenë një burim i vetëm i informimit për të njoftuar botën për masakrat dhe terrorin që Serbia po ushtronte në Kosovë. - Për fat të keq, - ia përsëris dr. Isa Mustafës se para se ta vriste “një dorë e panjohur kriminale”, Enver Malokun e vrau dora e njohur e Qeverisë së Kosovës duke ia rrudhur e ndërpre financimin, dhe këtë e ka bërë pikërisht dr. Isa Mustafa. Tash ai duhet të ndjehet keq më shumë për veprimin e tij si Ministër i Ekonomisë dhe Financave i cili njerëzve të kësaj rëndësie le më që nuk iu siguroi truproje, por Institucionit ku ai punoi “QIK-ut” ia pat ndërprerë të gjitha burimet financiare.
Falë Degës së LDK-së në Zvicër e cila detyrimisht intervenoi disa herë, për vite të tëra, për ta shpëtuar QIK-un, dhe duke ia mbuluar marren Qeverisë së Kosovës, e veçmas Ministrit të Ekonomisë dhe Financave dr. Isa Mustafës, u mbijetuan shantazhet financiare që kurdoherë i ka bërë dr. Isa Mustafa me sivëllain e tij dr: Bujar Bukoshin kundër QIK-ut dhe kundër Presidencës.
Në hulumtimet e procesverbaleve të asaj kohe më ra të gjejë gjurmët e shtytjeve financiare që Dega e LDK-së ia ka bërë QIK-ut, dhe Presidencës. Më 09 maj 1995, nga Dega e LDK-së në Zvicër i janë dërguar QIK-ut 5 000 CHF, kurse në muajin tetor të vitit 1996 nga një aksion vullnetar nëpër Nëndegët e LDK-së me motivacion “TA NDIHMOJMË QIK-un”, kësaj qendre informative i janë dërguar 26.000 CHF, të cilat kanë qenë të destinuara edhe për botime të veçanta që pat filluar t’i bënë QIK-u.
Në prill të vitit 1997 i janë dërguar QIK-ut edhe 10.000 CHF të tjera. Po ashtu nga niveli qendror i Degës së LDK-së në Zvicër shuma të mëdha parash janë dërguar herë pas here edhe për redaksinë e Revistën “ORA”, dhe për shumë raste të tjera.
Ia vlen t’ia përkujtoj dr. Isa Mustafës, (tani si kryetar i LDK-së), se kur vet ai si Ministër ia pat bllokuar financimin Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës gjatë udhëtimit të tij për në Amerikë nga data 12-17 gusht 1997, u detyrua Dega e LDK-së në Zvicër t’ia jap 10.000 CHF dhe t’i barti shpenzimet e hotelit në Zvicër në vlerë të saktë 2442.60 CHF, (dymijë e katërqind e dyzetedy franga e gjashtëdhjetë rap/cent).
Nëse do të kishim mundësi që këtyre fakteve t’ua shtojmë shumat e dërguara nga nëndegët veç e veç, dhe ato në mënyrë individuale nga personat privat, do të kuptohet se Ministria e Ekonomisë dhe Financave gjatë viteve të nëntëdhjeta shumë pak ka derdh mjete për Presidencën, për QIK-un dhe për LDK-në. Në këtë raport nuk janë përfshirë asnjë cent nga mjetet financiare që i ka dërguar vazhdimisht Dega e LDK-së në Gjermani, dhe as ato nga degët tjera në Evropën Perëndimore si dhe ato në ShBA. Kur të kihen parasysh të gjitha këto fakte, qëndrimi i mëtutjeshëm i dr. Isa Mustafës në krye të LDK-së është në kundërshtim me vlerat morale të demokracisë dhe do të jetë me përmasa fatale për institucionet kosovare të cilat ëndrrën t’i pushton dr. Isa Mustafa, përmes LDK-së.
Me të drejt tashti shtrohet pyetja nëse dr. Isa Mustafa është i gatshëm të sqaroj dhe t’i kërkoj falje publike edhe Familjes së Enver Malokut, edhe Familjes së dr. Ibrahim Rugovës, edhe LDK-së në Kosovë po më shumë Degëve të LDK-së në Diasporë, veçmas mërgimtarëve me të cilët është sjell si një despot, ndonëse mospërfillja e tij edhe tashti duket nga qielli, dhe krejt këtë far marketingu politik për dr. Ibrahim Rugovën e Enver Malokun e bënë për t’i qit hi syve elektoratit të LDK-së, për t’i mbuluar për aq sa mundet edhe gjurmët e veta në dëm të LDK-së dhe institucioneve që kanë dal nga ajo. Kjo gjë të shqetëson edhe më shumë, kur faktori ndërkombëtar kërkon udhëheqje të vendit me duar të pastra. Pa asnjë dilemë shtrohet pyetja: Po dr. Isa Mustafa a i ka duart e pastra?!...
Ditë më parë Ambasadori Amerikan në Kosovë Kristofer Dell, duke transmetuar qëndrimin e ShBA-së për Institucionet e Kosovës e ka vënë me shpatulla për muri lidershipin kosovar, ku çartë sugjerohen që Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të udhëhiqet nga njerëz që i kanë “duart e pastra”. Prandaj është arsyeja kryesore pse themi se LDK-ja duhet ta merr deklaratën e z. Dell seriozisht dhe të shqetësohet për veten e vet dhe të mos bëjë përpjekje për t’ua mbuluar veprimet njerëzve që dihet se nuk i kanë “duart e pastra”?!
Dr. Isa Mustafa duhet të flet qartë dhe bindshëm, pa ekuivokë, se për çfarë motivesh e ka bërë atë ndërprerje të bashkëpunimit jo vetëm me QIK-un, por edhe me Presidencën, se sa i përket LDK-së dr. Isa Mustafa në atë kohë as që ka dashur të dëgjojë. Kjo është mbase e vërtetë. Tani mendoj se është obligim moral dhe human i kryesisë së LDK-së që të mos toleroj një komunist për të lënduar edhe më tej zemrat e familjarëve, kur krejt bota e qytetëruar e dinë raportin e dr. Isa Mustafës jo vetëm me QIK-un, por edh me Presidencën dhe LDK-në. Le të mbetët në ndërgjegjen e kryesisë qendrore për këto veprime të pamatura dhe lënduese, dhe këtë të mos e bëjnë vetëm sa për marketing politik, sepse ky lloj marketingu do t’u kthehet bumerang një ditë në zgjedhjet e radhës që do të vijnë, sepse sa për pushtet siç po shihet edhe Brukseli po edhe Uashingtoni do t’i detyrojnë të gjitha partitë që t’i “pastrojnë duart e veta”.
Dr. Isa Mustafa duhet ta dinë se më së paku Enver Maloku ka nevojë për nderimin e tij, si dhe nderimin e kësaj kaste injorantësh të instaluar në kryesinë qendrore të LDK-së, nga të cilët ka edhe asi që ndihmat dedikuar kësaj familje i kanë përvetësuar për vete, dhe tani bashkë me dr. Isa Mustafën vejnë lule sa për marketing politik, por le ta dinë se qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës, i dinë fort mirë raportet dhe bëmat e dr. Isa Mustafës bashkë me sivëllain e tij dr. Bujar Bukoshi, kundër QIK-ut dhe Enver Malokut, sikurse që e dinë edhe punën dhe përkushtimin e Enver Maloku për Kosovën.
“Enver Maloku (1993 1999) duke qenë në krye të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), në kohët më dramatike dhe më të përgjakshme të historisë së Kosovës, shpërndau informacionet në gjithë botën në katër gjuhë shqip anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht për dhunën sistematike, masakrat dhe terrorin që po ushtronte Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Enver Maloku edhe me shkrimet autoriale pareshtur sfidoi dhe denoncoi regjimin kriminel të Beogradit para opinionit ndërkombëtar për krimet që po bënte në Kosovë. Duke informuar për dramën e përgjakshme të popullit shqiptar dhe luftën e tij çlirimtare, ai njëkohësisht për shumë vite afirmoi aspiratën e popullit të Kosovës, duke shpërndarë ditë e natë mesazhin për liri, pavarësi e demokraci”, (QIK, 11 janar 2011).
Enver Maloku u vra në një atentat ende të pandriçuar në Prishtinë, më 11 janar të vitit 1999, para dritareve të banesës së tij, në prani të gruas dhe fëmijëve, dhe vrasësit kanë fol shqip, kështu pat shkruar “Koha ditore” e Veton Surroit, kurse nënkryetarja e LDK-së vjen nga ato radhë dhe edhe ajo si grua shkon me eprorin e saj komunistin dr. Isa Mustafa për të nderuar Enver Malokun të cilin në mënyrë të dhunshme e përjashtuan nga kjo botë, në moshën më të mirë të pjekurisë jetësore dhe kreative. Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova në vitin 2004 e ka dekoruar Enver Malokun me "Medaljen Artë të Pavarësisë”, dhe për fat të mirë Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka siguruar një kulm mbi kokë familjes së Enver Malokut që bëri shumë për tu shpërndarë kudo në botë e vërteta mbi Kosovën. Bëri gazetën e mbrëmjes “Informatori”, e para e këtij lloji në kryeqendrën e Kosovës dhe madje në gjithë hapësirën shqiptare dhe në vitin 1999, siç ka potencuar bashkëpunëtori i tij Safet Zejnullau, “ai i bëri dhjetë ditë e gjysmë jetë e i shkroi njëmbëdhjetë kolumne”
Pas vdekjes, në vitin 2002, Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë që e drejton shkrimtari i mirënjohur Nazmi Rrahmani, botoi librin e Enver Malokut “Gjuha e stuhisë” i cili ka mbetur si një ogur i mirë në stendën e librit shqip, po sidomos ndër qarqet kulturore e politike në Kosovë.

CH – St. Gallen, 17 janar 2011.


E. mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch
*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Po ashtu autori i shkrimit ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i njëmbdjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja, duke u bërë zëri më autentik i saj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi