Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën)

Shko poshtë

Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën) Empty Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 19, 2011 2:39 am

Në kujtim të poetit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla

LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS
(Requiem për Jusuf Gërvallën)

Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën) 167123_181041351929742_100000716346990_470328_1478697_n
Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën) Moz-screenshot-8Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën) Moz-screenshot-9
Rushit Ramabaja:LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS(Requiem për Jusuf Gërvallën) Rushit%20Ramabaja279649737
Shkruan Rushit RAMABAJA

Për mua miti i Jusufit s’nisi të mbruhej pas natës së 17 janarit 1982, kur ra në pritën e pabesë në Gjermani, por trembëdhjetë vjet më herët, në pranverën e vitit 1969. U takuam për herë të parë në një tryezë të rrumbullakët të krijuesve të rinj në redaksinë e “Zërit të rinisë”. Ishte koha kur shumica e intelektualëve të kësaj pjese të etnisë, veçanërisht të rinjtë, me një vrull të beftë po dilnin nga orbita e shkollës serbe duke kërkuar identitetin e vet historik e kulturor në rrënjën pellazgo-ilire, përkatësisht evropiane. Në tryezën ku qenë ftuar shkrimtarë, artistë figurativë, aktorë, muzikantë etj., tema e rigjetjes së identitetit, për shkak të rrethanave, u shtrua tërthorazi, natyrisht.
Megjithatë, gjatë debatit të zjarrtë, në ndeshjen e ashpër midis rrymës nacionale, që kërkonte zhveshjen e shpirtit e të artit nga reflektimet e etnopsikologjisë së pushtuesit, në njërën anë, dhe e rrymës tjetër, në shpirtin e të cilëve kish zënë të binte mjegulla e fiseve endacake, e që i shihte përfaqësuesit e nacionales si romantikë të vonuar, si tërheqës së prapthi të qerres së historisë, si prishës të bashkëjetesës, që, sipas tyre, i kish vëllazëruar popujt e perandrorisë së Titos më shumë se gjiri i nënës dhe sidomos si mohues të kozmopolitizmit. Punën e vëllazërimit të popujve, nostalgjikët anacionalë e thoshin me gjysmë zëri, natyrisht, që të mos dukeshin dhe aq shumë anacionalë dhe gjithë peshën e fjalës e vinin mbi gjoja përndezjen që u zgjonte kozmopolitizmi. Gdhiu koha, i mëshonin zërit këta, që popujt, gjithmonë me zezona nëpër këmbë, të varrrosnin baladat, dasmat, ritet e vdekjes dhe krejt bëzhdilet anakronike të folklorizmave. Dhe kur të kenë zhveshur të kaluarën, siç bënë me kostumet popullore, lehtë do të mund të heqin dorë nga ato që ende quhen të shenjta – gjuha dhe atdheu. Ju do të pyesni, shtonin më tej nostalgjikët e sllavizmit, si do të mund të çlirohen popujt nga mëkati i atdheut dhe me çfarë do të ngushëllohen pastaj? Me të bukurën e artit, o të uruar. Ajo do të bëhet mëmëdhe universal i popujve. Aty, në universin më të bukur që ka pjellë mendja njerëzore, do të lindin, do të qajnë, do të martohen, do të qeshin e do të vdesin bashkë. Për heqjen e barrës së këtij mëkati, kanë nevojë veçan popujt e lashtë, si ky yni. Ata, të stërngopurit me atdhe. Kjo, hëpërhë, tingëllon paksa bizare, megjithatë, me kalimin e moteve, kur koha t’ua ketë rrafshuar brigjet e mërive fisnore, ata do të gdhihen një pranverë të lumtur e të pamëkatshëm dhe do të qeshin me zë të lartë për ato dhimka e për ato gulme folklorike.
Nostalgjikët, ata që kishin thithur me tepri shpirtin sllav, çuditërisht, dukeshin më të stërvitur në oratorinë përndezëse, sa i hutuan një çikë këta të rrymës nacionale. Jusufi deri atëherë kish heshtur. Shikimin e tij, që dukej sikur e përpinte botën nga lartësitë e mistershme, e bënin më të kthjellët e më të rinuar rrobat e bardha.
Ju po thoni, iu drejtua ai nostalgjikëve, se do të gjejmë vetë parajsën në atdheun e kozmopolitizmit. Pastaj do të qeshim me kokëkrisurinë e të gjithë heronjve dhe do të qajmë për luftërat e kota që kemi bërë. Kështu? Veç a do të mund të vini dorën në zjarr se prapë s’do të na dëbojnë prej aty Andiqi e Qosiçi? Se s’do t’ua hapin porat hordhive çetnike të Drazhës që të na therin në gjumë si berret? Kështu, ose s’jeni lodhur fare me mësimet e historisë. Jemi stërngoput tashmë me trumpetimet e perandorëve të stepës për kombin e madh socialist, për idealet e proletariatit nga lind e ku perëndon e me gjepura të ngjashme. E dini ç’është kozmopolitizmi vërtet? Kush ua futi në mendje këtë atdhe fiktiv dhe sidomos që të hiqeni si artistë rishtarë dhe si hapës të portave të atdheut të paqenë? Ka këtu, megjithatë, që të gjitha i dinë. Por, sot le të mbetet me kaq!
Nostalgjikën heshtën. Ata e vidhnin herë pas here me sy si të zënë në faj. Jusufi, nga ana e tij, të gjithën po e kthente në shaka. Le të kujtonin nostalgjikët se ai po i merrte për naivë. Kalamaj të magjepsur nga përralla e Hirushes. Me këtë lojë do ta shtynte sado pak gjuajtjen e rrufeve.
Tre vjet më vonë, në vjeshtën e shtatëdhjetë e dytës, kur ia nisëm të punonim bashkë në “Rilindje”, në bisedat e zjarrta të mbrëmjeve në kafenenë përballë Radio-Prishtinës, Jusufi po ma shpjegonte thelbin e kozmopolitizmit. Këta farë artistësh rishtarë, po thoshte, dolën me filozofinë për atdheun fiktiv, kur pësuan disfatë gjithë ato ushtri dhe gjithë ato elaborate të pushtuesit. Kur tashmë edhe pararulla sentimentale e vëllazërimit, s’mbeti më shumë se një relikt. Megjithatë, këta mashtrues janë me dinakë nga sa kujtojmë ne. Dhe më të rrezikshëm, natyrisht. Kanë misionin e shprishjes së ngadaltë të etnisë, me mjete paqësore siç është arti dhe pa rënë fare në sy. Kanë mbetur e vetmja shpresë e serbizimit të shqiptarëve, prandaj kanë aq privilegje e favore. Do të përpiqen që përmes muzikës, letërsisë, filmit, teatrit etj. t’i bëjnë shqiptarët të heqin pezhishkën e mallit të atdheut dhe nesër, kur ta ndiejnë veten as në tokë as në qiell, me neverinë për gjuhën që ua ka rrëfyer të fshehtat e shpirtit, me përbuzjen për zanafillën dhe sidomos me ndjenjën e ankthit për dheun e tyre, vetë kompleksi i rrënimit do t’i mësojë të shohin ëndrra, të qeshin, të qajnë, të përbuzin e të dashurojnë si serbët. Mbi jetën e tyre s’do të ketë më veçse duhmë të rakisë së kumbullave dhe këngë me lavire. Kështu shpresojnë. Por, kurrgjë s’do t’u shkojë për mbroth. Ke për të parë!
Më 1975, duke lexuar vargjet e librit të tij të parë “FLUTUROJNË E BIEN”, për herë të parë po më dukej se Jusufi kish zënë të bënte jetë të dyfishtë: këtej dhe andej pragut të përfytyrimit. Këtej gjithë ditën ishte me ne, shkruante artikuj për gazetë, këndonte “O kjo anë e lumit ka bilbila shumë”, grindej me meskinët, binte birrë e mahitej me miqtë në kafenenë përballë Radio-Prishtinës. Ndërkaq, andej përfytyrimit, në universin e artit, ai rrinte më i menduar, më i zverdhur, më i pagjumë, më misterioz. Atje shplekste plofecitë e të nesërmes së etnisë. Me vargjet për shtëpinë (“Shtëpia që rrëzohet”, “Shtëpia që ndërtoj”, “Shtëpia në kornizë”, “Shtëpia që meremetohet” e “Shtëpia në rrugë”), ai krijoi me lehtësi të habitshme simbolin e vendlindjes – atdheut, që bashkë me simbolin e jetëdhënëses – etnisë në vjershat për nënën dhe atë për të lashtën – urtinë në vargjet për gjyshin, ndërtoi metaforën harlistare të lirisë, nga e cila do të mëkoheshin të gjitha vjershat, interpretimet dhe figurat e vizatimeve të tij.
Në këtë kohë ky, sikur ta kish hetuar mungesën e gjysmës së vet dhe sidomos ikjen e shpejtë të gjysmës që ende kish mbetur me ne, më njoftoi me shkrimtarin kryengritës Teki Dërvishin. Ndodhi kjo një mbrëmje tetori. Ndonëse binte shi si me shtëmbë, Jusufi më tërhoqi pothuaj zvarrë dhe pa më pyetur fare, më çoi në kafenenë ballë Radio-Prishtinës. Po më thoshte: “Do të të takoj me njeriun, që ndonëse s’e ke parë kurrë, e ke pasur mik sa mua, ndoshta më shumë”. Dhe aty priste Tekiu. Ia kisha lexuar shumicën e veprave, e dija se kish dergjur burgun në Goli-Otok qysh në stinët e djalërisë dhe sidomos se e mbante si flamur të përjetshëm rebelimin kundër shkelësit. Atë natë më dukeshin si dy princër rojtës të shpirtit të etnisë dhe vetja si një fëmijë që po mëson atin e të qenit njeri. Dhe jo veç pse isha më i vogël në moshë.
Mbrëmjet e verës së mbramë të Jusufit në atdhe i kaluam pothuaj bashkë. Në këtë kohë, diku në gjysmë të verës, mbrujtësit e idesë së shprishjes përmes kozmopolitizmit, sollën në Kosovë një grup serb të rokut. Të gjithës i prinë me një reklamë të paparë, sikur këtu të pritej zbritja nga qielli e vetë shpëtimtarëve. Vajzat e kolaboracionistëve, të stërvitura për orgji e ekstazë, vrapuan t’u hidheshin në përqafim rokistëve serbë, sikur në ato tymra e zdral leshrash të gjenin fatin e atdheut.
E shkrova një reportazh satirik për këtë histeri vajzash, po ku ta botoja?
“Në “Rilindje”. Ku tjetër?” – po më thoshte Jusufi. Por qysh? Jusufi e redaktonte faqen e programit të RTV-së. Këtu do ta lëshonte të dielën, kur gazeta censurohej më pak.
Kurrë s’mund ta harroj alarmin e së hënës, kur doli satira. Thërrisnin si të çmendur dinjitarë të partisë e të shtetit. Nga qendra, madje dhe nga vetë kryeqyteti perandorak – Beogradi. Sikur të kish ndodhur komplot. Jo, po më shumë – një grusht shteti i vërtetë.
Ishim në mbledhjen e rubrikës së kulturës, kur hyri kryeredaktori dhe menjëherë nisi të sokëllinte si i xhindosur. Jusufi po më shtrëngonte krahun që të mos flisja. Kur e kreu ai dhe priste përgjigjjen tonë, Jusufi, me një të qeshur trillane prej çapkëni, ia priti: “S’e kam ditur, shoku kryeredaktor, se jeni aq nostalgjik për leshrat dhe tymrat e rokistëve serbë. Se, po ta kisha ditur, për respekt ndaj jush, satira kurrë s’do ta kish parë dritën”.
“Ç’po flet, more?” – u hutua kryeredaktori. –“Unë paskam nostalgji për rokistët! Sidomos për zdralin e tymin?! Veç vihuni njëherë në vendin tim dhe durojeni gjithë atë gurgule që është ngritur. Sikur të kish rënë tërmet!”
Ishte më shumë se përmbysje, po më thoshte Jusufi ku mbetëm vetëm. U rrëzuam shpresën e fundit dhe i bëmë të hiqnin maskat. Ndryshe, kush do të bënte zhurmë për një grup rokistësh gati anonim.
Në vjeshtë, ende pa nisur shirat, Jusufi iku dhe s’u kthye më. Pushtuesi i kish vënë shenjën e vdekjes trembëdhjetë vjet më parë. Ai e kish parathënë këtë qartë në vargjet e vjershën “Fletë testamenti: “Në zgjimin tim më të heshutur të më ngurosin/ në flijimin tim më të begatshëm të verës/ në nisjen time në fillimin tim të ri/ ...vërmëni atje ku do të tregojë gri për udhën/ deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë...” Ndoshta shumë më herët. Dhe pastaj, kur kish kaluar i tëri në gjithjetësi, kur na shikonte me dhimbshuri në motet e zisë, Tekiu më mbeti pothuaj e vetmja mbështetje.

___________

Falenderojme shkrimtarin dhe mikun tone Rushit Ramabaja, per kete shkrim qe na e dhuroj per sofren tone poetike.
H.Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi