Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

PASHK VASA – për dje, për sot e për nesër

Shko poshtë

PASHK VASA – për dje, për sot e për nesër Empty PASHK VASA – për dje, për sot e për nesër

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 19, 2011 3:41 am



PASHK VASA – për dje, për sot e për nesër U1_DanielGazulli

PASHK VASA –

për dje, për sot e për nesër

Nga Daniel Gazulli

Në një kohë gjithësesi të trazueme, kudo në trojet shqiptare, të kujtojsh ata që janë gurët e themelit të kombit, do të thotë të nxjerrish sërishmi mësime prej tyne.
Padyshim, një ndër figurat ma të ndrituna, që gabimisht kujtohet pothuejse vetëm për një poezi, një himn i vërtetë dashunie për Atdheun, si asht “Shqipnisë së robnueme”, Pashk Vasa, ky idealsit i rrallë e veprimtar i shquem i Rilindjes Kombtare, përfaqëson atë figurë madhore që punoi e shkroi jo vetëm për kohën e tij, po për të gjithë kohnat. Po të ndjekish veprimtarinë e tij, ma shumë se veprën e tij letrare, mund të heqish paralele që ngjajnë si të ditëve tona – pse në themel asht nevoja me i shërbye Atdheut, zgjimi i vetëdijes i të qenit shqiptar, e njëherësh paraqitja e Kombit Shqiptar para një Europe krejt pak dashamire, me një kthjelltësi që nuk kaloi pa lanë gjurmë edhe në Kançelaritë e Fuqive të Mëdha.
Jeta e tij, edhe pse në rrethana krejtësisht të pafavorshme, mund e duhet të shërbejë sot e kësaj dite e do të thoja edhe për të ardhmen e afërt e të largët.
Pashk Vasa, i njohun edhe si Pashko Vasë Shkodrani, apo Vaso Pasha, leu në Shkodër me 17 shtator 1825.
Nuk ka asnjë dëshmi se ai ndoq ndonjë shkollë në vegjëli, si krejt pa fakte e ka trajtue ndokush. Nga librat e shkrimet e tij të ndryshme mësojmë se, veç dhuntisë që i kishte falë Zoti, e që e përmendin të gjithë bashkëkohësit, një squetësi natyrore të rrallë, ai mësoi shkrim e këndim në mënyrë autodidakte, ashtu edhe gjuhët e hueja, aq sa, shumë i ri u punësue në Konsullatën e Anglisë në Shkodër, pikërisht për aftësistë e tij të veçanta e njohjen e gjuhëve të hueja. Ishte vetëm 22 vjeç.
Përvoja e shkurtë e punës në Konsullatë i dha mundësi Pashkut të shikonte gjendjen e Atdheut e ngjarjet e kohës nga një kandvështrim jo fort zakonshëm për bashkatdhetarët e kohës: prej anglezëve ai dijti të përthithëte vlerën e lirisë, çka shqiptarët, mbas shekujsh robnie, pothuej e kishin humbë si koncept.
Vetëm një vit ma vonë, më 1848, pat rastin të njihej me një grup atdhetarësh italianë, që të ndjekun nga qeveria e Borbonëve, kishin ardhë në Shkodër, e kishin gjetë strehë e mbështetje pikërisht në Konsullatën e Anglisë. Në biseda me ta, pse ai e njihte italishten qysh atëherë e u shërbente si përkthyes edhe anglezëve, iu forcue e iu ndez ma shumë zemra për idealet e lirisë kombtare. Si shkruen vetë, bashkë me ata mërgimtarë, “për hir të drejtësisë e për dashni ndaj Italisë” po atë vit, pra më 1848, shkon vullnetar në Itali me luftue krahas me Venedikas kundërAustriakëve. Iu desht shumë pak kohë që të dallohej qoftë për trimni, por mbi të gjitha për urtësinë e një mendtari të moçëm, jo të një 23-vjeçari; fiton menjëherë besimin e respektin e bashkluftëtarëve, sa arrin të bahet oficer i Shtabit Madhor.
Ndër takimet e njohjet fatlume gjatë qendrimit në Venedik, e me të cilin zuni një miqësi që do të zgjaste ndër vite, ishte ajo me shkrimtarin dalmat, N. Tommaseo, n’atë kohë, Ministër i Arsimit.
Përvoja venedikase zgjati vetëm pesë muej, pse Republika e Shën Markut u detyrue t’i nënshtrohej perandorisë së fuqishme Austrohungareze, një prej fuqive ma të mëdha të kohës. Vasës iu desh të largohej, pse bante pjesë ndër të dënuemit prej pushtuesëve austriakë. Njeri me aftësi të jashtëzakonshme, ai nuk e pat edhe shumë të vështirë që, prej Ankone të nisej drejtpërdrejt e në Stamboll.
Në kryeqytetin e Turqisë, pa pasë asnjë mbështetje e ku nuk njihte njeri, iu desht të rropatej jo pak qoftë edhe me mpërballue vështirësitë e panumurta për jetesës. Por, i gjallë, i guximshem, i rrahun me të gjitha dallgët e mundëshnme të jetës, edhe pse shumë i ri, as u ligshtue, as u tërhoq. Mbas pak kohe hyni nëpunës në Shoqninë e Tramvajëve të kryeqytetit perandorak.
Shkodrani i pashëm tërhoqi vëmendjen e atyne që e njohën për aftësi të rralla e kulturë përendimore, për çka në atë kohë Turqia ndjente nevojë të madhe. Pikërisht falë aftësive të tij, e thirren të punonte në Ministrinë e Jashtme. Ai u ba aq shpejt i njohun e i vlerësuem, jo vetëm për gjuhët që njihte aq mirë, të foluna
PASHK VASA – për dje, për sot e për nesër U1_PashkoVasa
Pashko Vasa, pikturë nga Zef Shoshi
e të shkrueme, përveç shqipes, edhe frengjisht, italisht, anglisht e turqisht, por sidomos për aftësinë me komunikue si diplomat i lindun me kundërshtarët ma të fuqishem të Turqisë në atë kohë.
Ndërkohë në trojet shqiptare kishte fillue rizgjimi kombtar dhe kryengritjet i kishin krijue probleme jo të pakta Turqisë. Sulltani gjykoi se nëse mund të qetësonte kush gjaknat në ato treva, ai duhej të ishte nëpunësi i naltë i Minsitrisë së Jashtme, prandaj edhe e thirri në pallat ta dërgonte vali në Kosovë. Përgjigja e Vasës ka mbetë historike: “Madhni, po më shtërngoni të baj një tradhëti; ja do të tradhëtoj Perandorin, jase do të tradhëtoj Atdheun tem!”
Sulltani e vlerësoi këte përgjigje lapidare, hoq dorë nga kërkesa e tij dhe e dërgoi Governator në Liban, ku edhe ndrroi jetë në vitin 1892.
Për ma se 40 vjet që ai qëndroi në Turqi e Liban, asnjëherë nuk e harroi Atdheun. Shumë shpejt u ba pikë referimi për shqipatrët që baheshin përditë e ma të shumtë në kryqytetin perandorak. Ka qenë meritë e tij afrimi i shqiptarëve ma të zellshëm që të krijonte një shoqni, zyrtarisht kulturore, por që kishte si synim kryesor zgjimin e ndërgjegjës kombtare dhe dashuninë për gjuhën e të parëve, që po birrej përditë e ma shumë. Kështu, bashkë me Sami Frashërin, Jani Vreton e Koto Hoxhën, në vitin 1879, në mjedis të Stambollit të Sulltanëve, ven themelin e ma së parës shoqni letrare, që merr emnin “Drita”. E nuk vonuen, por vetëm mbas pak ditësh nga themelimi i shoqnisë botuen të parën Abetare shqiptare, të quejtun “Alfabetare e gjuhës shqipe”, “Ndë Konstantinopojë mbë 1879”. Pra, në Kostandinopojë, jo në Stamboll. Çdo fjalë e rendueme në atë libër të vogël prej vetëm 136 faqesh, ishte e mendueme mirë e rrihte larg. Në fund të “Alfabetarit” Vasa botoi monografinë “Shqypnija e Shqyptarët”, i pari studim mbas gati tre shekujsh heshtje i përmasave të tilla. Ai, në ato pak faqe, përshkroi mjeshtrisht, po sidomos me kthjelltësi e krenari, gjithë rrjedhën e historisë të kombit tonë i të herojëve të tij, që pak kush në Europë i merrte për shqiptarë: prej Filipit të Maqedonisë, Aleksandrit, Pirros, Gencit, Teutës, e deri tek Gjergji ynë, Kastrioti i madh, çka shkaktoi reagime qoftë në Turqi, ashtu edhe ndër fqinjë të tjerë, po që Vasa, me kulturën e tij të thellë e të gjithanëshme, jo vetëm dijti t’u jepte përgjigje, por e shtjelloj edhe ma tej e ma fort këte temë, tejet e domosdoshme për Kançelaritë Europiane të tymosuna nga një propogandë dashakeqe, që zinte fill në Petërsburg e deri në Beograd e Athinë, që si kishin fitue lirinë për vete, përpiqeshin të kënaqnin lakminë e tyne me trojet shqiptare. Pikërisht për këte, ai, pa humbë kohë, u dha përgjigje si Kançelarive Europiane, ashtu edhe fqinjëve të babzitun, me botimin në gjuhën franceze në Stamboll po në vitin 1879:“Etude sur l’Albanie e les Albanias”, prej 113 faqesh, dhe vetëm pak javë ma vonë vepra u botue edhe në Paris, nën titullin: “Laveritè sur l’Albanie e les Albanias”. (E vërteta mbi Shqipninë dhe Shqiptarët), që u përkthye po mbrenda vitit edhe në gjuhën gjermane (Berlin, 1879), sidhe në turqisht (Stamboll 1879). Ishte kohë Kongresesh, kohë e mbrapsht për shqiptarët, kur Bismarku e kishte quejtë vendin tonë “një shprehje gjeografike”. Libri i Vasës qarkulloi në kulisat diplomatike të kohës dhe mund të thuhet pa frikë se ka qenë një ndër armët ma të forta kundër planeve ogurzeza për ta fshi Shqipninë nga harta e Europës.
Rrallë e pak kujtohet ky kontribut i Vasës. Rrallë e pak kujtohet se Atdhtarë të tillë, gurthemel i Kombit, pavarësisht ku u gjenden e në çfarë rrethanash, i vunë gjoksin mbrojtjes së Atdheut, pse jo gjithmonë mjaftojnë shpata e pushkët, po duhet edhe urtì e kulturë.
Pra Vasa nuk asht vetëm autor i poezisë nostalgjike “Shqypnis së robnueme”, ku ai derdhi gjithë mallin përvëlues, dhimbjen e dashuninë për Atdhe, por mbi të gjitha e në radhë të parë mbrojës i Atdheut para lakmisë së fqinjëve dhe shpërfilljes kriminale të Fuqive të Mëdha.
E vërteta mbi Shqipninë e Shqiptarët” u botue në shqip e përkthyeme e nën kujdesin e Mehdi Frashërit në vitin 1935. Mbas vitit 1944 ajo nuk u ribotue ma. Ishte koha e Lej Fenëve dhe Mrikave traktoriste.
Natyrisht, poezia e tij e famëshme “Shqypnis së robnueme” asht një perlë e vërtetë në çdo drejtim. Për kah gjuha e stili, edhe sot mbas 130 vjetësh, ajo mbetët një perlë që i ka të pakta shoqet, ndërsa shumë vargje të saj kanë hy në gjuhën e popullit si lapidar i vërtetë nga duhen nxjerrë mësime sot e kësaj dite.
Jo rrallë na shkon mendja tek vargjet e tij:

Mori Shqypni, e mjera Shqypní,
Kush të ka qitun me krye në hî?

sa herë ndeshemi me këtë përçudnim që po i bajnë vendit politikanët tanë të paskrupull.
Apo, kur shohim se si po i falen Sulltnait “të shejtë”, pikërisht atij që ishte në themel të robnisë pesëshekullore, nuk ka si të mos na kujtohen përsëri vargjet e Vasës:

E mos shikoni kisha e xhamija:
Feja e Shqyptarit âsht Shqyptarija!

Atëherë, a nuk mund të themi me plot gojë se vepra e Vasës ishte për dje, për sot e për nesër?
Vasa asht autor edhe i shumë veprave të tjera, edhe ato të anashkalueme, si romani i parë shqiptar “Bardha e Temalit”, që u botue në Paris në vitin 1890, autor i një Gramatikë të shqipes në gjuhën frengjisht, për ata që dëshironin me e xanë pa ndihmën e mësuesit, i përmbledhjes poetike në gjuhën italiane “Rose e spine”, të gjitha vepra të spikatuna për vlera estetike e sidomos për një konceptim që mund ta quejmë pararendës të shtjellimit modern shqiptar të filozofisë së jetës.
Ai ishte gjithashtu edhe autor i veprave të tjera të natyrës historike si “La mia prigione” (në italisht, Stamboll, 1850); mbi rrethimin e Venedikut nga austriakët, ashtu edhe i dy studimeve me vlerë mbi lidhjet po historike e në tradita në mes malazezëve e shqiptarëve sidhe mbi një tjetër mbi shndrrimet etnike në Bosnje e Hercegovinë.
Po ajo që duhet të na bajë secilin t’i drejtohemi jetës, veprimatrisë dhe veprës së tij asht përkushtimi ndaj nevojave të Atdheut, veçanarisht në ditët e tij ma të vështira, ashtu si nuk po janë aspak të lehtë as problemet e tij sot në plan kombtar e ndërkombtar.
Ja pse përsëris se Pashk Vasa asht një vlerë e rrallë kombtare për dje, sot e nesër.


Shënim:
Për lexuesit e ZSH po sjell të plotë e në variantin origjinal, simbas botimit të “Kalendari Kombjar”, 1899, Sofje, poezinë ma përfaqësuese të Pashk Vasës “Shqypnis së robnueme”. Ndoshta dikush do të donte ta kishte të ruejtun në skedat personale, pse kjo asht një poezi e pamort.

SHQYPNIS SË ROBNUEME

Mori Shqypni, e mjera Shqypní,
Kush të ka qitun me krye në hî?
Ti ké pas’ kênun nji zojë e randë,
Burrat e dheut të quejshin Nânë!

Ke pas shum tmira, shum begatí
Me vasha t’bukra, me djelm të rí;
Gjâ e dhên shum, ara e bashtina,
Me arm’ të bardha, me pushk’ llatina;
Me burra trima, me grá të dlira
Ti ndër gjith shoqet ke kên’ mâ e mira!

Kur kriste pushka, si shkreptin moti,
Zogu i Shqyptarit, gjithmon i zoti
Ka kên’ për luftë, e n’luft’ ka dekun,
E dhuní mbrapa kurr nuk ká hjekun!

Kur ka lidh besën burri i Shqypnís,
I ka shtî dridhën gjith Rumelís:
Ndër lufta t’rrebta gjith kund ka rá
Me faqe t’bardhë gjithmon âsht dá.

Por, sot, Shqypní, po m’thuej, si jé?...
Ashtu si lisi i rrxuem për dhé!
Shkon bota, e sypri me kamb’ të shklet,
E nji fjal’ t’ambël kurrkush s’ t’a flet!

Si mal me borë, si fush me lule,
Ke pas kên veshun, sot jé me crule!
E nuk tka mbetun as famë, as besë,
Vetë i ke prishun me faqe të zezë!

Shqyptar’, me vllazën jini tu’ u vrám,
Në njiqind kolle jini shpërdám!
Ca thon, kam , ca thon kem din,
Njêni asht Turk, e tjetri Llatin;

Do quhen Grek, e Shqeh disa tjerë,
Por jeni vllazën t’gjith, morè t’mjerë!
Priftnit e Hoxhët ju kan hutue,
Për me ju ndamun, me ju vorfnue!

Vjen njeri i huej, ju rrin ndë votër,
Me ju turpnue me grue, me motër;
E, për ca pare, qi do t’fitoni,
Besën e t’parvet t’gjith e harroni,
E bâhni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën, as gjakun t’uej!

Kjani ju, shpata, kjani dyfeqe,
Se u zû Shqypnija, si zog ndër leqe!
Të kjajn trimnija bashkë me né,
Se rá Shqypnija me faqe n’dhé!
E s’i ka mbetun as buk’, as mish,
As zjarm në votër, as drit, as pish;
As gjak në faqe, as ndér ndër shok,
Por âsht rrëzuemun e âsht bâmun trok!

Mblidhuni ju, vashëza, mblidhuni ju grá,
Me ata sy t’bukur, qi dijni me kjá;
Eni, t’vajtojm’ Shqypnín e mjerë,
Qi ka mbet’ shtuer, pa erz, pa nderë;
Ka mbetë e vej’, si grue pa burr’,
Ka mbet’ si nan’, qi s’pat djelm kurr.

Kujt i bân zemra m’e lân’ me dekë
Ket far trimneshet, qi sot âsht mekë?
Ket nan të dashtun, a do ta lâm,
Qi njeri i huej t’a shkel’ me kâm’?

Nuk, nuk! Ket marre kurrkush se do;
Ket faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’humbet kështu Shqypnija,
Me pushk’ në dorë le t’vdes’ trimnija!

Çonju, Shqyptar’, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën, n’nji bes’ shtërngonju!
E mos shikoni kisha e xhamija:
Feja e Shqyptarit âsht Shqyptarija!

Qysh prej Tivarit deri nPrevezë,
Gjithkund lshon dielli o vapë, o rrezë,
Asht toka jon’, t’Par’t na e kan lânë,
Kush mos t’na prek’, se desim t’tânë:
Tdesim si burrat, qi diqën motit,
E mos t’marrohna përpara Zotit!

Vas Pashë Shkodrani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi