Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Familja Fico, "dera" e ministrit shqiptar më të shquar

Shko poshtë

Familja Fico, "dera" e ministrit shqiptar më të shquar Empty Familja Fico, "dera" e ministrit shqiptar më të shquar

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 24, 2011 3:08 pm


Familja Fico, "dera" e ministrit shqiptar më të shquar P1000103

Familja Fico, "dera" e ministrit shqiptar më të shquar



"Përsa i përket politikës së jashtme, afër meje ka qenë familja Fico, e cila nxori ministrin e Jashtëm më të shquar të Shqipërisë".

Ky është përkufizimi që shkrimtari i madh Ismail Kadare i bën familjes Fico, ndërsa dy familjet i ndajnë vetëm pak metra nga njëra- tjetra.


Familja Fico është pjesë e listës së gjatë të familjeve të vjetra gjirokastrite, që me vlerat e veta dhanë shumë për Gjirokastrën dhe vendin.



GJIROKASTËR-
Të flasësh dhe të shkruash për familjet e mëdha gjirokastrite, që gjatë shekujve i dhanë aq shumë jo vetëm qytetit, por mbarë kombit, do të thotë të bëhesh pjesë e historive të shumta, që tregohen nga trashëgimtarët.

Gjirokastra nuk mund të ishte kjo që është, pasuri botërore e njerëzimit, pa kontributin e çmuar të mendjeve të ndritura dhe familjeve që bënë historinë. E në kontrast të plotë me famën dhe kontributin, janë të rrallë pasardhësit që vazhdojnë të jetojnë ende në qytetin e gurtë.


Familja Fico

"Përsa i përket politikës së jashtme, afër meje ka qenë familja Fico, e cila nxori ministrin e Jashtëm më të shquar të Shqipërisë".

Ky është përkufizimi që shkrimtari i madh Ismail Kadare i bën familjes Fico, ndërsa dy familjet i ndajnë vetëm pak metra nga njëra- tjetra. Familja Fico është pjesë e listës së gjatë të familjeve të vjetra gjirokastrite, që me vlerat e veta dhanë shumë për Gjirokastrën dhe vendin.


Prej më shumë se 200 vitesh jetojnë në lagjen "Palorto" të qytetit të Gjirokastrës, e cila njihet gjithashtu edhe si lagjja më e vjetër e qytetit dhe e ka zanafillën fill pas daljes së banorëve nga kalaja e përhapjes së tyre fillimisht rreth saj.


Shtëpia 4- katëshe, me një arkitekturë të mrekullueshme, është e heshtur. Mbi harkun e portës, e gdhendur është një gjysmëhënë me yll, ndërsa poshtë saj disa mbishkrime arabe ose turke. Një tjetër mbishkrim, me të njëjtën gjuhë ndodhet në krahun e djathtë të portës, pothuajse në të njëjtën lartësi.


Lule Fico është e vetmja banore e shtëpisë së madhe. Pjesëtarët e tjerë të familjes Fico kanë ndërruar jetë apo banojnë në qytete dhe shtete të tjera. Nuse e familjes prej më shumë se 50 vitesh, Lulja njeh një pjesë të historisë së saj.


"Me sa kam mësuar nga vjehrra dhe burri im, Ficot janë një fis shumë i lashtë, autoktonë gjirokastritë dhe me shumë trashëgimtarë në disa breza. Më i famshmi ka qenë Rauf Fico, diplomat shumë i njohur dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë.


Pothuajse të gjithë pjesëtarët e fisit kanë qenë të shkolluar; para luftës në shkollat më të mira jashtë vendit dhe kanë qenë kryesisht avokatë, doktorë e inxhinierë. Janë më shumë se 8 breza të Ficove. I pari i kësaj shtëpie ku jemi tani, ishte Mustafa Fico, me profesion avokat që ishte gjyshi i burrit tim, ndërsa kjo shtëpi kishte 3 djem.


Kanë qenë të dhënë pas studimeve kryesisht", tregon Lule Fico. Trashëgimia intelektuale vazhdoi në breza: nëse para çlirimit ishin meshkujt të arsimuar, më vonë edhe nuset që do të hynin në këtë derë preferoheshin të ishin të diplomuara.


Ashtu sikurse të gjitha familjet e mëdha, edhe Ficot shquheshin për potencialin ekonomik, kulturor e patriotik. "Familja jonë ka pasur toka, më së shumti në Kakavijë, në Dropull dhe në Saraqinisht, të cilat nuk i punonin vetë, por kishin vendosur niqastarë (i kishin dhënë me qera).


Kunata ime ka ende dokumentet e asaj kohe, ku tregoheshin të gjithë personat që kishin marrë me qira tokat, si dhe detyrimet që kishin për të paguar. Disponojmë gjithashtu edhe tapitë, që datojnë që në sundimin osman, por deri tani nuk na është kthyer asnjë centimetër e tyre.


Kjo nuk është vetëm për ne, po për të gjitha familjet e pasura të Gjirokastrës. E vetmja pasuri që na u kthye ishte kjo shtëpi, por që na u dorëzua mjaft e dëmtuar", -vijon më tej Lule Fico.


Banesa

"Pa dyshim, elementi më i rëndësishëm i arkitekturës së qytetit është banesa. Prej shumë kohësh studiues të ndryshëm janë marrë me të, e kanë fotografuar në të gjitha pamjet, kanë prekur çdo gur e analizuar çdo kthinë të interierit, por në fund të gjithë ngelen të çuditur prej kësaj mrekullie. I takon në origjinë një tipi oriental apo peristili antik, kullës fshatare apo barokut?

Apo ndoshta s'mund të krahasohet me askënd? Mungojnë pothuajse banesat e varfra dhe çdonjëra përbën një botë më vete, një vlerë të spikatur të ansamblit arkitektonik.


shtu si kështjella të vendosura majë shkëmbinjve, ato mbajnë emra të çuditshëm: Angonatë, Ficatë, Kabilatë, Skëndulatë etj". Ky është një nga shumë përkufizimet e bëra për banesat gjirokastrite dhe ajo e Ficove është në fakt një shtëpi dinjitoze dhe është njëkohësisht një tregues mjaft i qartë i ekonomisë mjaft të mirë që familja dispononte.


Banesa 4- katëshe edhe pse nuk ka njohur ndërhyrje të mirëfilltë prej dekadash, e ruan hijeshinë dhe madhështinë e saj. "Një inxhiniere më ka thënë se këtë lloj arkitekture si të banesës sonë e ka ndeshur në disa zona në Itali, si dhe në Turqi", tregon Lulja.


E ngritur rreth 200 vjet më parë, në vendin që njihet si kufiri ndërmjet dy lagjeve "Palorto" e "Varosh", mban statusin "Monument Kulture" i kategorisë së parë.


Ajo ishte konceptuar me të gjithë elementet e banesës karakteristike gjirokastrite: kati i parë ishte muslluku dhe katoqet, kati i dytë dhe i tretë shërbenin si mjedise banimi, ku nuk mungojnë korridoret e gjerë, odat dhe kati i fundit papafingo.


Shtëpia njohu vitet e saj më të këqija kur iu mor pronarëve të ligjshëm dhe u përdor në format nga më të ndryshmet, duke filluar nga shtypshkronjë, zyra të ushtrisë e deri në mjedise të dhëna me qira për familje të ardhura nga zona të tjera.


"Kur u martova unë, këtu e 50 vjet më parë, familja nuk jetonte në këtë shtëpi, pasi atë e kishte marrë shteti. Jetonim në një tjetër godinë, që ndodhet pas kësaj. Njëherë u bë shtypshkronjë, pastaj u vendosën këtu zyrat e ushtrisë.


Pastaj nga fundi i viteve 1960, u kryen disa punime në shtëpi, nga ndërmarrja komunale e asaj kohe; u prish muslluku dhe katoqet dhe u kthyen në dhoma banimi, ku u vendosën 5 familje me qira. Kur na u rikthye, shtëpia ishte mjaft e dëmtuar. Vit pas viti kemi bërë rregullime vetë me aq sa kishim mundësi; kemi rregulluar çatinë, që pikonte e gjitha, suvatimet e shumë gjëra të tjera.


Por, shtëpia ka nevojë për një dorë të fortë që ta bëjë aq të bukur sa ka qenë dhe ne vetë nuk kemi mundësi. Problemi më i madh mbetet fasada e jashtme, e cila është mjaft e dëmtuar.


Shpresojmë që ta përfshijnë së shpejti në listën e investimeve, si ato që janë kryer edhe në shtëpi të tjera dhe i kanë rregulluar. Mbaj mend, kur Enver Hoxha vinte në "Palorto" dhe kalonte para shtëpisë thoshte: "Sa e bukur është shtëpia e Ficove", shprehet më tej Lule Fico.


Objekt i preferuar nga turistët

Për madhështinë, arkitekturën dhe stilin e veçantë, shtëpia e Ficove është mjaft e pëlqyer prej turistëve të huaj. Lulja tregon se në dhjetëra raste turistët trokasin në portë dhe kërkojnë ta vizitojnë shtëpinë dhe shprehen të mrekulluar prej saj.
"Kanë ardhur qindra turistë, gjermanë, italianë, amerikanë, francezë, kosovarë e grekë. Njëherë erdhën edhe studentë të arkitekturës nga Greqia. E pëlqejnë shumë shtëpinë dhe habiten që ka mbetur në këtë gjendje", -vijon Lule Fico.


Pas çlirimit

Ndryshe nga pjesa më e madhe e familjeve të mëdha gjirokastrite, pjesëtarët e të cilave në shumicën e rasteve u përndoqën e u internuan, familjes Fico iu shtetëzuan vetëm tokat dhe shtëpia, e cila iu kthye më pas. "Nuk kemi pasur probleme, madje pothuajse të gjithë u shkolluan. Burri im ishte mësues, kunati doktor i njohur në Gjirokastër, Fredi Fico, fëmijët tanë po ashtu",- tregon Lulja.

Familja Fico sot


Anëtarët e familjes Fico janë shpërndarë sot në të gjitha anët e globit. Në Gjirokastër ata jetojnë në lagjen "Palorto" dhe "Cfakë", ndërsa pjesa më e madhe janë vendosur në Tiranë, por edhe jashtë Shqipërisë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Greqi e Itali.


Rauf Fico

Investimi intelektual duket se ka qenë një motiv për Ficot, të cilët janë shquar për trashëgimtarë të denjë, ku më i famshmi mbetet natyrisht Rauf Fico, i njohur si diplomati më i shquar i Shqipërisë në të gjitha kohërat.


23 nëntor, Adolf Hitler shprehet: "Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një shteti të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një shteti të madh". I pari ishte Rauf Fico dhe i dyti, ambasadori japonez.


Në vitin 1938, ku dhe është shënuar takimi me Hitlerin, Rauf Fico dekretohet ministër fuqiplotë në Berlin, duke plotësuar vendin e titullarit të asaj legate të hapur qysh në vitin 1936 e të mbetur deri atëherë vetëm me sekretarin Thoma Luarasi.


Aty ai qëndroi deri në pushtimin e vendit. Duke qenë ministër fuqiplotë në Berlin , ai ishte akredituar edhe në Pragë, dhe po ashtu edhe në Budapest. Prezantimi shumë dinjitoz i këtij diplomati të shkëlqyer e detyroi kancelarin gjerman Adolf Hitler të shprehet me superlativa për të.


Pas kësaj, Faik Konica do të thoshte se Rauf Ficoja ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri. Ky diplomat i madh shqiptar, historia e të cilit do të shkruhej më pas, ishte fëmija e çiftit Tahmaz dhe Hava në Jemen të Turqisë, që pas lindjes së djalit vijnë në Shqipëri.


Rauf Ficoja ishte një personalitet i rëndësishëm shtetëror, diplomatik dhe shoqëror shqiptar. Në radhën e diplomatëve të shquar shqiptarë, si: Faik Konica, Mehmed Konica, Iljaz Vrioni, Fuad Asllani, Lec Kurti, Xhaferr Vila e të tjerë, Rauf Ficoja ishte diplomati më i shkëlqyer.


Arsimin e filloi në shkollën ryzhdie të Shkodrës, më pas ai u dërgua për studimet e mesme në Stamboll, fillimisht në Idadien Mylqije dhe më tej në Shkollën e Lartë Administrative "Mylqie", të cilën e mbaroi në korrik të vitit 1903, me vlerësimin "Shkëlqyshëm".


Në tetor të atij viti, Rauf Fico emërohet si nëpunës stazhier pranë administratës së vilajetit të Janinës dhe mbas përfundimit të stazhit ai dekretohet me ofiqin e kajmakanit (nënprefekt). Në prill të vitit 1906 ai emërohet kajmakan në Konicë. Rauf Ficoja ende në moshë të re ishte një atdhetar i shquar.


Ai dhe pse ishte funksionar i lartë osman, duke qenë në qytetin e Konicës, nyje ndërmjetëse në rrugën Manastir për në Gjirokastër e deri në Janinë, ishte në lidhje të ngushtë me atdhetarët shqiptarë Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butkën e të tjerë, me të cilët kryente veprimtari atdhetare. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Ficoja së bashku me Bajo Topullin përfaqësuan Gjirokastrën në Kongresin e Manastirit.


Xhonturqit për këtë veprim atdhetar i mbajtën qëndrim zyrtar. Qeveria xhonturke, për ndëshkim, e transferoi nga trojet shqiptare si kajmakan në qytetin e Gjymyshhaxhiqoj të vilajetit Sivash, e prej aty në Kangall të Anadollit.


Aty nga fillimi i majit të vitit 1909, Rauf Ficoja dërgohet kajmakan në atdhe, në Himarë, ndërsa pesë muaj më vonë ai ishte nënprefekti i Margelliçit (Margaritit) në Çamëri.


Aty në Margelliç, në verën e vitit 1910, Rauf Ficoja me rastin e një feste osmane mbajti një fjalim në gjuhën shqipe. Ky gjest atdhetar e konfliktoi përsëri me qeverinë osmane, e cila në shtator të atij viti e transferoi nga trojet amtare përsëri kajmakan, në Kizillhamam, 70 km më tutje Ankarasë dhe e mbajti aty gati një vit.
Në korrik të vitit 1911, përsëri Ficoja kthehet kajmakan në trojet tona, pikërisht në Kërçovë.


Sapo Shqipëria më 28 nëntor u shpall e pavarur dhe Ismail Qemali krijoi Qeverinë e Përkohshme, Rauf Ficoja ishte një nga funksionarët e parë të saj. Ai u emërua si këshilltar në Ministrinë e Brendshme, ndërsa në nëntor të vitit 1913 e deri nga fundi i janarit të vitit 1914 shërbeu si prefekt i Beratit.


Me ardhjen e princ Vidit dhe krijimit të Qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, Rauf Ficoja ishte emëruar shef i kabinetit të kryeministrit.


Me pushtimin ushtarak austro-hungarez, në shkurt të vitit 1916, Rauf Ficoja u dekretua nënprefekt i Tiranës dhe si i tillë ai shërbeu deri në Kongresin e Lushnjës.


Duke qenë me atë funksion, R.Ficoja qysh në vitin 1917 urdhëroi që e gjithë veprimtaria zyrtare shkresore dhe verbale të kryhej në gjuhën shqipe, duke i paraprirë vendimeve të "Qarkut Literar" të Shkodrës dhe urdhrit të feldmareshallit Ignaz Trollman, që u realizuan vetëm në vitin 1918.


Rauf Ficoja ishte jo vetëm një administrator i shkëlqyer, një politikan i mirorientuar, një shqiptar atdhetar, një nëpunës i pakorruptueshëm, por ai ishte edhe një njeri me zemër të madhe.


Nën nismën dhe këmbënguljen e tij në Tiranë, në vitin 1917 u hap streha vorfnore e parë për fëmijët jetimë që kishin mbetur rrugëve. Mbas Kongresit të Lushnjës, më 30 janar 1920, ai u emërua sekretar shteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme me titullar Ahmet Zogun dhe si i tillë qëndroi deri në fund të vitit 1922, kur jep dorëheqjen për të bërë kandidaturën si deputet.


Në këtë kohë, për shkak të veprimtarisë shoqërore dhe personalitetit të tij, me propozim të Ministrisë së Punëve Jashtme Franceze, më 1922-shin Rauf Ficos i akordohet dekorata "Palma e Artë Akademike", ndërsa Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe Shkencës së Napolit, më 16 korrik 1925, mbasi i ka dhënë gradën shkencore të Doktorit të Nderit, e zgjedh edhe anëtar korrespondent të asaj akademie.


Po e asaj periudhe është edhe dekorimi italian me "Kryqin e Nderit për merita në letërsi e shkencë", i akorduar nga Akademia Mbretërore Italiane. Nga dhjetori i vitit 1923 e deri në janar të vitit 1926, ai ishte zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese.
Rauf Ficoja ishte deputeti i Parlamentit Shqiptar që në vitin 1924.


Në shërbimin diplomatik shqiptar, Rauf Ficoja u fut në shkurt të vitit 1926, kur u dekretua ministër fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë, me rezidencë në Ankara. Në Sofje ai paraqiti letrat kredenciale në 27 gusht 1926. Me atë funksion qëndroi deri në 18 prill të vitit 1928.


Pikërisht në këtë kohë, Rauf Ficoja dekretohet ministër fuqiplotë në Beograd, ku shërbeu deri në fillim të vitit 1929. Rauf Ficoja ishte dekoruar nga mbreti bullgar me "Urdhrin e Borisit" dhe nga Franca në vitin 1926, me medaljen e "Oficerit të Legjionit të Nderit". Rauf Ficoja ishte një poliglot, ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, persishten dhe arabishten, greqishten dhe italishten.


Më 14 janar 1929, Rauf Ficoja u dekretua ministër i Punëve të Jashtme dhe si i tillë shërbeu deri në 6 mars 1930. Pikërisht në këtë kohë një incident diplomatik e detyroi atë të kërkonte të jepte dorëheqjen.


Në një intervistë të dhënë gazetës "Shqipëria e Re" e Konstancës, në shprehjen e tij, rrethi italofil i oborrit dhe diplomatët italianë, e trajtuan sikur ministri kishte fyer italianët dhe Italinë. Fakt ky që nuk ishte i saktë.


Kjo dorëheqje pati një jehonë kundërshtimi shumë të fortë. Dorëheqja nuk u pranua nga mbreti, përkundrazi ai e dekretoi me dy funksione: atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe atë të ministrit të Brendshëm, ku shërbeu deri në 20 prill të vitit 1931. Diplomatët e huaj kishin një vlerësim shumë të lartë për Rauf Ficon.


Ministri fuqiplotë anglez, Sir Robert Hodgson, kishte relatuar se "Rauf Fico është një nga personalitetet më tërheqëse të jetës publike shqiptare dhe një burrë me një ndershmëri dhe atdhetarizëm të padiskutueshëm.


Me bindje republikane, ai ishte i bindur se monarkia i duhet Shqipërisë dhe i qëndroi besnik mbretit Zog". Me po të njëjtat mbresa për Rauf Ficon kishin ikur nga Shqipëria edhe dy ministrat fuqiplotë amerikanë.


R.Ficoja vdiq në Tiranë më 23 janar 1944, pak muaj mbasi ishte kthyer nga internimi në Itali. Varrimi i tij ishte nga më madhështorët që kanë ndodhur në Shqipëri, si për nga numri shumë i madh i pjesëmarrësve, por edhe nga pjesëmarrja e të gjitha shtresave të popullsisë shqiptare brenda e jashtë kufirit të vitit 1913.

shekulli

Dergoi për Akllapi.net

Adnan Kopliku
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi