Urdhrat e komandës së puçit
Urdhrat e komandës së puçit
Urdhrat e komandës së puçit
Urdhrat e puçistëve me telefon: Ecni, mos kini frikë! Të shtënat janë me fishekë manovre! T'u çojmë tani kallashët apo më vonë! Pse i mbylli sytë Presidenti nga dhuna. Kreu i SHISH nuk iu përgjigj telefonatës së Burgajt
Jam këtu për të dëshmuar për ngjarjen më të shëmtuar në historinë e shtetit shqiptar, nga qershori i vitit 1924 gjer më sot, për një puç grusht shteti, të organizuar nga trojka Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, për të përmbysur me dhunë pushtetin e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t'i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve kohërat e republikave të bananeve, kohërat më të vështira, më të pasigurta e më të pamerituara për qytetarët shqiptarë. Puçi i 21 janarit ishte një grusht shteti i organizuar në përputhje me të gjitha rregullat e një akti të tillë të turpshëm; ishte një grusht shteti, i cili u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij Rama, Ruçi e Gjinushi; ishte një grusht shteti, i cili u përgatit me frymën e një fondamentalizmi ekstrem, duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë, më negative të Partisë Socialiste. Grushti i shtetit u udhëhoq nga një treshe në krye të kësaj partie, duke besuar se Partia Socialiste do t'i mbështesë tërësisht ata, pasi e vërteta historike është se kurrë kjo parti nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet votës. Partia Socialiste është e vetmja parti, e cila në kongresin e saj të qershorit të vitit '90 do të sanksionohej si trashëgimtare juridike e Partisë së Punës të Shqipërisë. Në vitin '97, Partia Socialiste përdori dhunën, armët e të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet. Partia Socialiste nuk bëri kurrë zgjedhje të denja për një vend dhe pasi i humbi ato, me drejtimin e ri dhe dua ta theksoj me drejtimin e ri, sepse unë, me gjithë kundërshtinë e jashtëzakonshme që kam pasur me kryetarin e saj të mëparshëm, kam vlerësuar e vlerësoj faktin se ky zotëri pranoi rotacionin e pushtetit, ndërsa udhëheqja aktuale, trojka Rama, Ruçi, Gjinushi, gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse të minojnë me çdo kusht votën e lirë të shqiptarëve, pushtetin e dalë prej saj. Ky ishte një grusht shteti i kryer ditën për drekë, para mediave të Shqipërisë e të mbarë botës. Banditë, kriminelë, trafikantë, mercenarë, bashibozukë, në numër gjithsej më pak se 300 vetë, rrethuan për 5 orë Këshillin e Ministrave të vendit, Kryeministrinë e vendit, me vendosmërinë totale për ta pushtuar ndërtesën dhe natyrisht, për të larë hesapet me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e lira. Për ata, të cilët mund të kenë qoftë edhe dyshimin më të vogël se çfarë ishte ngjarja e bulevardit, siç do të quhej me emrin kod nga puçistët, sepse ishte përgatitur jo vetëm skenari, por edhe semantika, terminologjia që do të përdorej, le t'i referohemi doktrinës së grushtit të shtetit.
Shqiptarët i nxorën me votë nga pushteti ata që erdhën me dhunë
Ata që rrethuan Kryeministrinë dhe Këshillin e Ministrave, ata ishin bajlozë të vjetër. Urdhër banditëve i jepte kryetari i puçit, por edhe ish-ministri i Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçi, edhe ish-ministri i regjimit të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushi, madje dua të them dhe ministra e mbi ministra të atyre që shqiptarët i nxorën me votë nga pushteti dhe që erdhën me dhunë. Kam këtu mbi 17 përkufizimi, që të gjitha mbi grushtin e shtetit, që e cilësojnë si një akt të përmbysjes së një qeverie me dhunë. Por grushti i shtetit të 21 janarit nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur. Ai ka pasur skenarin tipik puçist, i cili filloi me montimin, falsifikimin e një videoje nga Edvin Kristaq Rama, me ndihmën e një mjerani, e një persekutori të vjetër të Sigurimit të Shtetit, njeriut që burgoste me ekspertizat e tij hanxhar të rinjtë shqiptarë, edhe djalin e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, të Abaz Kupit, Fatbardh Kupin. Këtu është dokumenti i njeriut që 30 vjet më parë, me dëshminë e tij do të bënte që të dënohej me 12 vjet burg një i ri për hartimin e maturës që kishte bërë dhe ky është çakalli i Edvin Ramës, me të cilin filloi edhe skenari i grushtit të shtetit.
Skenari ogurzi nisi me montimin e videos
U shfaq një video. Zoti kryetar, reagimi im ndaj asaj videoje ka qenë i fuqishëm dhe jo se unë u lëndova personalisht, por se e perceptova atë si fillimin e një skenari ogurzi. Në rast se qytetarëve u kujtohet në mënyrë të përditshme në Parlament dhe kudo, u ndërmorën sulmet më të fuqishme kundër manipulatorit dhe organizatorit të këtij manipulimi. Gazetarët me integritet detyruan çakallin e Ramës që media e tyre të shfaqte pjesën nga ora 13.29.42 sekonda në orën 13.30.4 sekonda, pra, mbi 20 sekonda të prera, gjatë të cilës faktohej se Kryeministri i vendit nuk kishte asnjë lidhje me atë bisedë, që zëvendëskryeministri bënte me ish-ministrin e Ekonomisë dhe se në atë bisedë bëhej fjalë jo për kontratë, jo për tender, jo për koncesion, por bëhej fjalë për zëvendësimin e Drejtorit të KESH-it, në përputhje me marrëveshjen midis Partisë Demokratike dhe LSI-së, një kandidat që ishte i PD-së do të zëvendësohej me një kandidat të LSI-së. Por pavarësisht se ishte qartësisht i montuar, sërish zëvendëskryeministri në aktin e parë iu drejtua me një letër Kryetares së Parlamentit, ku e njoftonte se ai nuk i njihte vetes asnjë imunitet dhe në aktin e dytë erdhi në zyrën time, duke më njoftuar dorëheqjen e parevokueshme, në një akt të lartë qytetarie, por edhe një akt i lartë përgjegjësie politike, pasi, u shpreh zoti Meta, unë nuk pranoj të ulem para Prokurorit të Shtetit si zëvendëskryeministër, por si qytetari Ilir Meta. Ndonëse kisha dijeni të plotë, rezultoi se segmente të tjera të videos ishin të manipuluara, rezultoi se 700-mijëshi që përmendet në video ishte në shkresën, me të cilën kompania i drejtohej ish-ministrit për dëmin që asaj i krijohej me moszbatimin e vendimit të gjykatës. Por të gjitha këto janë çështje të hetimit dhe unë iu ftoj juve që atë video ta bëni objekt të hetimit tuaj. Prokuroria po heton për korrupsion dhe unë e përgëzoj, ju duhet të hetoni se aty është fillimi i puçit. Gjithmonë në puçe ka një shkak, duhet të gjendet një pretekst dhe Edvin Kristaq Rama përcaktoi si pretekst shpifjen, trillimin, manipulimin, në bashkëpunimin me një mjeran të vjetër të Sigurimit të Shtetit që u bënte natën e zezë ëndrrave të të rinjve shqiptarë, çakallin e tij në Top Channel. Hetimi i asaj videoje është jashtëzakonisht i rëndësishëm nga ana juaj, me lidhje me asgjë tjetër përveçse lidhjes së saj me puçin që përjetoi Shqipëria. Ndonëse videoja u paraqit para gjithë shqiptarëve dhe manipulimi ishte i qartë si drita e diellit, pati një njeri që u tha shqiptarëve në mënyrën më të pafytyrë se nuk është manipulim, por është e vërtetë dhe ky njeri është kreu i puçistëve Edvin Kristaq Rama. Më pas, puçi vazhdonte. U mblodh Asambleja e Partisë Socialiste, të cilën Edi Rama ia shndërroi në pari të dhunës dhe e riktheu në origjinën e vet.
Rama shpalli dhunën në Asamble, deklaroi: Populli nuk do kontrollohet
Edi Rama nuk u fshehu shqiptarëve qëllimet e tij puçiste. Përkundrazi, shqiptarëve u tha se në demonstratën e 21 janarit populli nuk do të kontrollohet, por populli e kontrolloi veten shkëlqyeshëm. Ata që rrethuan Kryeministrinë nuk ishin gjë tjetër veçse fundërrina, të cilët mjerisht gjenden në çdo komb. Por kur gjejnë një puçist, në mercenarizmin e tyre, ata janë të aftë të mos njohin asgjë. Kështu që populli u kontrollua dhe u kontrollua në mënyrë të shkëlqyer. Mijëra e mijëra socialistë, që me qindra herë kishin ardhur për të protestuar tek dritaret e zyrës së Sali Berishës e të Këshillit të Ministrave dhe që nuk kishin pasur as edhe lëndimin më të vogël, veçse respektin total për liritë e tyre, u larguan nga vendi i ngjarjes. Puçi u paralajmërua gjerësisht nga Rama, Ruçi dhe Gjinushi. Ky i dyti do të më kërcënonte në Parlament se 21 janari ishte fundi im. Unë iu them tani se 21 janari ishte triumfi im dhe njëherësh, 21 janari ishte fundi juaj puçistë. Ky ishte një puç i përgatitur me shumë kujdes, me financim të madh, me mjete të veçanta. Por ajo që nuk kishin llogaritur kurrë puçistët ishte se ata nuk dinin që Policia e këtij Shteti, policia e këtij vendi të lirë ishte e aftë dhe e zonja të zmbrapste çdo puç. Ata nuk llogarisnin se Garda e Republikës së këtij vendi ishte e aftë të mbronte me çdo sakrificë institucionet e republikës. Ata nuk dinin se Shqipëria nuk ishte më skafo-republikë e tyre, por ishte vend anëtar i NATO-s dhe shtetit ligjor.
Deputetët e PS-së paguan me 200-300 USD paramilitarët
Për 10 ditë rresht, deputetë dhe drejtues të PS-së në rrethet Has, Kukës, Pukë, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Peshkopi, Burrel, Tiranë, Durrës, Krujë, Librazhd, Elbasan, Korçë, Kolonjë, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë rekrutuan mercenarët, paguan sipas dokumenteve të pakundërshtueshme 200 deri në 300 dollarë vetëm për dhunën, 50 deri në 100 dollarë për transportin dhe shpenzime të tjera. U mblodhën për t'u shpërndarë nga baronët e krimit të organizuar në krye të PS-së Fidel Ylli, Tom Doshi, Sadri Abazi, Artan Dulaku, Koço Kokëdhima e të tjerë rreth 2 milionë euro. Janë shpërndarë 1.3 milion dhe të tjerat janë në rezervë, apo kanë përfunduar në xhepat e tyre, sepse bashibozukët atë ditë u kthyen e po vidhnin protestuesit në mënyrën më çnjerëzore. Me këto para janë siguruar ngarkesat e tritolit, janë siguruar armët e veçanta, kallashnikovët.
Urdhrat me telefon: Ecni, mos kini frikë!
Në mediat e këtij vendi janë transmetuar thirrjet që vinin nga kullat binjake nga drejtuesit e tyre: Përpara, hyni, çani portën. Por, sot disponojmë dokumente të pakundërshtueshme se deputetët kryesorë të kësaj partie kërkonin me çdo kusht, urdhëronin me telefon nga lokalet e Fidelit: Përpara, ecni, mos kini frikë, të shtënat janë me fishekë manovre, ju do të fitoni dhe gjenerali tjetër që pyeste t'u çojmë tani kallashët apo më vonë. Qytetarët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbërthimin në çdo qelizë të këtij puçi, të këtij akti të shëmtuar. Ata paralajmëruan Kryeministrin e vendit në dhjetra në mos qindra raste si po përgatitej. Me një shkallë të lartë përgjegjësie, ata u përpoqën, bënë më të mirën për të paralajmëruar njerëzit e tyre që të mos vinin si mish për top të një grushti puçistësh. Grushti i zhvillua para kamerave. Qytetarët shqiptarë panë se pasi nuk thyen dot pjesën ballore të Policisë së Shtetit, puçistët dhanë urdhër të sulmohej porta e Kryeministrisë.
Tek "Tajvani", një makinë ishte mbushur me tritol në kallëpe 400 gramëshe
Tek "Tajvani", një makinë e veçantë ishte e mbushur me tritol, në kallëpe 400 gramëshe, të cilat u shpërndanë dhe i hodhën në mënyrë të përsëritur kundër Gardës dhe Policisë së Shtetit. Makinat me kallashnikovë ishin afër. Edi Rama qëndronte në krye të komandës. Në rast se ndonjëherë një nga puçistët, i sigurtë në disfatën, i sugjeroi të largohemi se humbëm, kryepuçisti i thotë në asnjë mënyrë, të vazhdojë beteja. Ëndërronte, besonte se me ata banditë, me ata njerëz të hurit e të litarit, të gurit e eksplozivit do të mund të vinte në zyrën e Kryeministrit. Kryeministria, Këshilli i Ministrave kishte një mbrojtje të plotë e totale. As 200, as 2000 e as 20 mijë nuk mund ta merrnin atë. Kurrë! Ajo kishte një mbrojtje absolute dhe do të ketë një mbrojtje absolute. Sikundër, në këtë vend të lirë do të respektohet me vendosmërinë më të madhe çdo liri dhe e drejtë e qytetarëve shqiptarë për protestë dhe po me ato ligje, po me atë Kushtetutë do të mbrohen me vendosmëri totale institucionet e këtij vendi. Pasi mbarova drekën, në orën 14.15 u ktheva në zyrën time. Punonjësve u thashë se institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë. Sado e hidhur, sado e shëmtuar, sado e dhimbshme që është ajo që ndodhi në 21 janar, nga ana tjetër, po kaq madhështore, po kaq heroike, po kaq domethënëse është qëndresa e atyre burrave dhe grave të Policisë së Shtetit dhe Gardës, të cilët bënë të qartë se institucionet, kështjellë të lirisë, nuk jepen, nuk mund t'i pushtojë kush kurrë.
Kërkesa për tabulatet, akt i përgjegjshëm
Demonstruesit erdhën për protestë paqësore, por një pjesë e tyre ka ardhur e pajisur me armë shumë të veçanta, me çadra-pistoletë, me stilolapsa-pistoletë, me pistoleta e mjete të ndryshme. Duhej me çdo kusht që Kryeministri i vendit nëqoftëse nuk dorëzohej, të kalonte mbi kufoma, të realizohej ajo që kishte paralajmëruar kryepuçisti Rama. Mbi këtë ngjarje ne sot disponojmë të dhëna të shumta, për çdo qelizë, çdo segment të zhvillimit të saj. Por natyrisht, pjesa më kriminale e kësaj ngjarjeje ishte në bunkerin e Fidelit. Aty, Edvin Kristaq Rama me puçistin Ruçi, Gjinushi, me bllokmenë të tjerë, por dhe eksponentë të mafias që ka, të dy dulakët, me pasardhës të Bllokut, me të ashtuquajturit gazetarë, të cilët do të botonin në faqet e zeza të tyre njoftimin se Berisha u arratis, kërkoi strehim në ambasadën serbe. Të gjithë ishin në komandë. Që të gjithë janë të dokumentuar. Në komandë ishin edhe ata deputetë të PS-së që rrethuan me zjarr Kryeministrinë dhe i prinë zjarrit. Keni bërë një akt shumë të përgjegjshëm, kërkuat tabulatët. Tek Shekspiri thuhet drama-gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska. Tabulatët u bënë edhe gracka, ku shpirti i puçistëve kapet e bie si laraska. Ata e dinë veten e tyre ndaj këtij akti, çka i ka tronditur puçistët, sepse në ato kontakte janë të gjitha lidhjet e tyre me krimin, në ato kontakte qëndrojnë të gjitha lidhjet e tyre me puçin. Të jeni të sigurtë se përveç atyre ka dokumente të shumta, të cilat Kryeministri i vendit do t'i dorëzojë të gjithë në këtë komision, por edhe në institucionet përkatëse. Pra, zoti kryetar, kemi të bëjmë me një puç të paralajmëruar.
Kreu i SHISH nuk iu përgjigj telefonatës së Burgajt
Në mëngjesin e datës 21 janar, si akti i parë zyrtar kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe u kam kërkuar t'u transmetojnë Policisë së Shtetit dhe Gardës porosinë time për vetëpërmbajtje maksimale, të dëshmojmë respekt të madh për protestën paqësore, për ata që duan të protestojnë në mënyrë paqësore. Ne kishim informacione të sakta nga shqiptarët, por edhe nga diplomatë të vendeve mike për atë që mund të ndodhte dhe që do të ndodhte. Por ne na takonte që, në asnjë mënyrë, të nisur nga këto informacione, të shfaqej qoftë edhe nervozizmi i vogël. Më mbrapa jam informuar se, ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kanë përcjellë me përgjegjësi porosinë time tek të gjithë trupat. Ajo që është e papranueshme dhe që kërkon një hetim të thellë nga juaj është fakti, se Shërbimi Informativ Kombëtar, Agjencia përgjegjëse për zbulimin dhe kundërzbulimin në këtë vend, që një nga objektivat kryesore ka mbrojtjen e rendit kushtetues, nuk ka sjellë as edhe informacionin më të vogël. Kërkesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në datën 16 janar dhe ju do të keni disponibël dokumentin, kjo Agjenci i përgjigjet se nuk ka asgjë të re. Ndërkohë, kur ne kishim informacione të plota për atë që mund të ndodhte. Cili është shkaku dhe arsyeja, çfarë ia lidhi sytë e i shurdhoi veshët këtij Shërbimi, për të cilin qeveria shqiptare shpenzon sot, për punonjësit e saj 70 përqind më shumë se në vitin 2006. Natyrisht, ishte një shërbim me 1500 vetë dhe i binte të ishte 10 herë më i madh se, Shërbimi i Britanisë së Madhe, po ta proporcionojmë për frymë, u ridimensionua dhe arriti në 950 vetë dhe për punonjësit shpenzimet në këtë Shërbim janë rritur 70 përqind, sa asnjë institucion tjetër i vendit. Kjo çështje meriton një hetim të plotë. Nëse këta sy të lidhur e veshë të shurdhur kanë lidhje me vendosmërinë e Kryeministrit për të përcaktuar mandatin, është në tagrin tuaj ta hetoni. Pas një kërkese të bërë nga aleati e vendit që ka përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë unë e shtyva, ndonëse unë mbetem dhe i qëndroj parimit të mandatit. Por, një vend që ka bërë gjithçka për Shqipërinë më shumë se kushdo tjetër nuk mund të mos dëgjohej nga Kryeministri dhe këtë e bëra, pasi bisedova me zyrtarë të qeverisë amerikane me një mirëkuptim. Natyrisht, jo se unë do të hiqja dorë nga mandati, por normale që në çështjet e sigurisë e them edhe haptas ne mbështesim kudo e për çdo gjë qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e mbështesim, sepse ato kanë përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë e paqes e stabilitetit. Kjo është arsyeja. Shërbimi Informativ në disa rrethe, ju duhet të hetoni nëse kanë dërguar apo jo të dhëna në qendër, nuk mund ta them. Unë personalisht di të them këtë që thotë policia. Është e papranueshme që gjatë ditës së puçit, Drejtori i Shërbimit Informativ nuk i ka hapur telefonin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili i ka telefonuar në mënyrë të përsëritur. Po ditën e puçit, ky zotëri i ka deklaruar Shefit të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake, se nuk ka asgjë të veçantë. Dhe kjo është një deklaratë në drekë. Komisioni duhet të hetojë për të gjithë këto. Ai duhet të hetojë edhe për disa probleme të tjera, të cilat nuk kanë interes publik, por që meritojnë një hetim nga ky komision, për disa të vërteta që janë të rëndësishme për ju.
Ekspertët do të hetojnë dhunën
Pas 5 orë barbarish mbi Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, grushti dështoi dhe ju garantoj se nuk kishte asnjë shans, zero shans. Në këtë përplasje mbetën tre të vrarë. 81gardistë të plagosur, 27 policisë dhe dhjetëra demonstrues. Unë kam dalë menjëherë para shqiptarëve dhe kam theksuar se, duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave, të cilët, sipas të dhënave paraprake, janë qëlluar nga afër me armë zjarri jo në përdorim të forcave të rendit, pasi këto ishin të dhënat që më erdhën nga spitali, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë rrethanat e goditjes së tyre në të gjitha aspektet. Kjo është kërkesa ime në datën 21 janar, në orën 19.00. Natyrisht, e kam theksuar dhe e theksoj, se në përpjekjen për një grusht shteti mund të mos ketë asnjë viktimë, mund të ketë 3, mund të ketë 30. Garantoj shqiptarët se kurrë ndonjëherë, cilido të jetë çmimi, një institucion i lirë i këtij vendi të lirë nuk do të mund të merret kurrë nga askush. Kjo është jashtë çdo diskutimi. Institucionet nuk preken, liritë e të drejtat e këtij vendi nuk preken. Ky është qëndrimi im. Ndaj dhe unë i kërkova prokurores së shtetit të nisë menjëherë hetimin, pasi kështu është rregulli, si u vranë, kush i vrau, në ç'kushte u vranë. Të gjitha këto, përgjigje që duhet t'i japë ekspertiza. I eliminuan ata që kishin ardhur çadra-pistoletë apo stilolapsa-pistoletë, apo i eliminuan gardistët, të cilët, kur u hap dera, qëlluan në ajër, para të gjithë kamerave, sepse po të qëllonin direkt mbi objekt do të kishte dhjetëra të vrarë, qëlluan direkt, u shkau dora, të gjitha janë çështje të ekspertëve dhe që të gjitha hetohen në një vend të lirë. Dhe vdekja është gjëja më e dhimbshme.
Prokuroria tentoi arrestimin zinxhir të drejtuesve të Gardës
Por puçi nuk ndalonte, humbën një betejë, me turp, me bisht ndër shalë dhe sërish besuan se nuk kishin humbur. Në qoftë se e keni konstatuar atë natë, kreu i puçit Edvin Kristaq Rama, ka dalë tre herë në media, përfshirë edhe orën 01.00 të natës. Në orën e fundit, ky puçist do t'u deklaronte shqiptarëve se do të protestojmë nesër kundër horrave të Gardës, e cila ka vite që mbron Edvin Kristaq Ramën dhe e mbron me eficencë të plotë. Këtë do ta deklaronte në orën 01.00. Pas kësaj ore, pasi unë e kam zakon të fle vonë, dhe vetëm brenda tre katër orëve, pas shpalljes së kësaj proteste që do të mbahej, një faktor tjetër politik i këtij puçi, siç do faktohej, Prokurorja e Përgjithshme do të vendoste arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës, në mënyrë që puçistët të demonstronin lirshëm kundër horrave të Gardës e të pushtonin institucionet. Ministri më informon herët e më thotë se, na ka ndodhur kjo gjë. Por unë kisha informacion edhe për stadin B dhe për stadin C të puçit, ndaj nuk isha aspak i papërgatitur. Në këto kushte, ministri lidhet në telefon me Prokuroren e Përgjithshme dhe i thotë se, në rast se arrestonin pa asnjë hetim të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës, me kë do t'i mbrojmë institucionet, pasi ai i kishte shpallur luftë horrave të Gardës, që nuk e lanë të realizonte qëllimin e tij puçist. Burimet direkt nga Prokuroria e Shtetit më informojnë se ishte përgatitur grupi i gatshëm, i cili, në rast se Kryeministri nuk do të eliminohej me puç, do të merreshin me hetimin e tij. Nga Prokuroria e Përgjithshme më njoftojnë, se ky është urdhër direkt i Prokurores së Përgjithshme, në bashkëpunim me Kreun e Shtetit.
Pse i mbylli sytë Presidenti nga dhuna
Në deklaratën që Kreu i Shtetit kishte lëshuar pasdite, në kulimin e agresionit ndaj Këshillit të Ministrave, Shkëlqesia e tij nuk citonte as edhe një herë të vetme fjalën dhunë. Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës i kërkonte të gjithë faktorëve të negocionin për të qetësuar protestuesit. Ndërkohë, dërgonte zëdhënësin e tij të pashpallur në "Top Channel", ku shprehej se, Berisha duhet të negociojë me banditët. Këto janë problemet, një besëprerë dilte aty dhe thoshte se Berisha duhet të shqyrtojë dhe zbërthente, po nuk e kuptova se kush ia kishte shkruar shokut atë komunikatë ky atij, apo ai këtij. Pra, i kërkohej Kryeministrit të rrethuar që të turpëronte flamurin e të negocionte me banditë. Kjo është deklarata. Presidenti i Republikës duhet të japë shpjegime se, çfarë ia mbylli sytë atij që nuk pa dhunën që panë shqiptarët kundër institucionit kushtetues, cilat ishin ato mure që nuk e lanë atë të shohë, cilat ishin ato ekrane që nuk ia paraqitën atij këtë dhunë. Kjo është çështje, të cilën ju duhet ta hetoni. Shqiptarët duhet ta mësojnë të vërtetën. Një gjë dua t'ju garantoj se, ndaj tij në mënyrë të përsëritur kam dëshmuar respekt, respekt dhe vetëm respekt. Që tre muaj kur ka ardhur pas emërimit në Partinë Demokratike, në atë seli ky zotëri ka pasur vetëm mbështetjen dhe respektin e kryetarit të saj. Tani ishte e habitshme. Të nesërmen, ministri më thotë se, kishte një takim me Presidentin në orën 10.00. E pyes përse e kishte kërkuar atë takim dhe m'u përgjigj për arrestimet e Gardës. I them të mos merrej me këtë, pasi unë kam informacionet e mia dhe që gjithçka kombinohej mes Prokurores së Përgjithshme dhe atij. Por, meqenëse do të shkosh, pasi nuk ke pse e anulon takimin, i thashë shtroi një pyetje: zoti President, mbi pesë orë është sulmuar në mënyrë barbare Policia e Shtetit dhe institucioni kushtetues i Këshillit të Ministrave. Dhe përgjigjja e Presidentit të Republikës ishte kjo: opozita ka vetëm fjalë. Së dyti, kur po diskutohej çështja e arrestimit të zinxhirit të komandës së Gardës, Presidenti i Republikës i drejtohet ministrit Basha: "Ki kujdes ato letrat e tua".
Takimet me përfaqësuesit kryesorë diplomatik
Në një situatë të tillë, për të parandaluar zhvillime, ministri takon përfaqësuesit kryesorë diplomatikë dhe unë i thirra në takime të veçantë dhe në grup. Në këto takime i informova për zhvillimet dhe ju kërkova që të sjellin hetues dhe të kontribuojnë në zbardhjen e kësaj të vërtete. Ne jemi shumë të hapur ndaj çdo hetimi, se do të vlerësoja shumë çdo kontribut në këtë drejtim dhe se nuk kam asnjë tendencë, në mënyrë absolute, për të parandaluar asnjë lloj hetimi. Përkundrazi, te secili nga ata, për të cilët është lëshuar mandat arresti, është i gatshëm të deponojë nga ora 12 e natës në orën 12 të ditës, por jo nën arrest kolektiv, siç veproi kryeprokurorja. Një zhvillim intensiv takimesh, ambasadori i SHBA-ve njoftoi se, qeveria amerikane ka pranuar dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për hetimin, pasi besueshmëria e institucionit ishte kompromentuar në shkallën maksimale nga titullari i saj. Ky titullar, por edhe zoti Rama pranuan që ekspertë të shquar të SHBA-ve t'i bashkohen hetimit, duke e konsideruar hetimin si elementin më themelor të zgjidhjes së kësaj krize të rëndë, të krijuar nga tentativa për të marrë pushtetin me dhunë nga kreu i PS-së, së bashku me Gramoz Ruçin e Skënder Gjinushin. Në mënyrën më të papërgjegjshme, në prani të ambasadorit të SHBA-ve, prokurorja e vendit deklaron para gazetarëve se, nuk kishte marrë asnjë padi nga policia për dhunim të rendit kushtetues, në një kohë kur e kishte marrë të paktën 24 orë përpara. Ju kërkua në mënyrë të përsëritur të japë sqarime, por nuk pranoi. Ajo që është më e rënda, e rëndë njëlloj sa rrethimi i Kryeministrisë dhe sulmi ndaj saj, ishte shkelja e marrëveshjes me faktorin ndërkombëtar që bëri Prokuroria e vendit. Ne, për të kontribuar në një progres, vendosëm dhe ramë dakort që të gjithë anëtarët e Gardës të paraqiteshin për hetim, urdhrat e arrestit do të anuloheshin e do të vazhdonte hetimi sipas të gjithë procedurave, me gjykatë e gjithçka tjetër. Në mënyrë befasuese, kjo zonjë, pasi kishte dhënë miratim të plotë për një marrëveshje hollësisht të negociuar, e shkel atë dhe gardistëve të paraqitur për hetim kërkon me çdo kusht t'u vërë hekurat, pasi mitingu ishte të premten.
Rama, frikë nga marrja e tabulateve
Hetimi i shkaqeve të shkelmimit të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë një nga pistat kryesore në hetimin e grushtit të shtetit, cila ishte qendra, cili ishte truri, cili ishte bosi që urdhëroi zonjën të grisë marrëveshjen. Ka një rëndësi të madhe për vendin që kjo të gjendet. Prandaj ju djegin shumë tabulatet, se të nesërmen e puçit në orën 5 pasdite, zonja merr në telefon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe i kërkon ekzekutimin e mandateve. Drejtori i thotë se i keni plotësuar me lapsuse teknike dhe vetëm 30 minuta më vonë, Edi Rama, kryepuçisti paraqitet para mediave dhe deklaron se, policia nuk po ekzekuton mandatet, sepse thonë se kanë lapsuse teknike. Unë kam indiciet e mia, se cili ishte komunikimi i zonjës Rama me zotin Rama, por është në tagrin tuaj dhe unë do të përpiqem të jap ndihmesën time. Por, sidoqoftë lemeria nga tabulatet flet vetë.
Një seri dëshmish të reja do depozitohen pranë grupit të hetimit
Jam këtu për të shprehur një mirënjohje shumë të thellë qytetarëve të Tiranës, por në tërësi qytetarëve shqiptarë, të cilët me maturinë e tyre të qëndrimit demokratik, me përgjegjësinë e tyre, lanë në vetmi 200-300 banditë, njerëz të hurit e të litarit, bënë që një grup aventurierësh të ndryrë në kullat binjake, në lokalin e Fidelit, pinjollë të bllokut, lakej e çakej të tyre përreth, të përjetojnë dëshpërimin dhe turpin më të madh për dështimin e tyre. Unë dua të falenderoj të gjithë ata qytetarë, të cilët dhanë dhe japin një kontribut të madh për të qartësuar rolin e gjithsecilit, atyre që ishin në bunker dhe atyre që ishin në shesh. Unë kam besim të madh, se ju do t'i paraqisni Parlamentit dhe shqiptarëve raportin më të plotë, me të vërtetat më konkrete. Një seri dëshmitarësh kanë dhënë dëshmi të shkëlqyera, të cilat do t'u jepej juve, por edhe grupit të hetimit. Ky ishte një grusht që dështoi dhe që nuk mund të realizohet dot kurrë. Askush nuk mund të marrë Këshillin e Ministrave apo ndonjë institucion tjetër. Ky grusht, në fazën A synonte marrjen e Këshillit të Ministrave, Parlamentit, Televizionit Publik Shqiptar dhe ministrive kyçe. Drejtori i Televizionit Publik Shqiptar kërcënimeve me jetë, të bëra ditën para puçit, do t'u përgjigjej; urdhëroni, do më keni para jush lakuriq si kryetarin tuaj të puçit. Natyrisht, edhe zoti Beci, kishte ndërmend të mbronte institucionin, njëlloj si unë detyrën time, por ia tha këtë se këtë institucion se merrni dot kurrë. Po kështu, Parlamentin dhe ministritë. Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës.
Qytetarët të kontribuojnë për zbardhjen e Grushtit të Shtetit
Dua të falenderoj dhe ju bëj thirrje qytetarëve në të katër anët e vendit, të kontribuoni sa më shumë në qartësimin gjithçka rreth kësaj ngjarjeje, më të turpshmen që ka ndodhur në 87 vitet e fundit, në historinë e vendit. I siguroj se demokracia shqiptare, institucionet, liria dhe vlerat e saj, janë të pacënueshme. Është e vërtetë që një ndërtesë në bulevard u rrethua nga flakët, por është e vërtetë që shkëlqeu mbi flakët e çdo gjë vendosmëria, trimëria e heroizmi i burrave e grave që mbrojtën atë institucion dhe që janë të gatshëm të mbrojnë me çdo kusht institucionet e shtetit ligjor të këtij vendi e të bëjnë të dështojë çdo puçist e çdo puç. Dua të informoj ju dhe shqiptarët, se në interesin më të mirë të vendit e të shqiptarëve e t'ju garantoj se në vendosmërinë time më të madhe ka ekzistuar një kërkesë konstante që ky problem të trajtohet brenda institucioneve dhe ky është edhe vendimi im. Çka do të thotë, se në rast se unë sot bëj transparencën para shqiptarëve për dy tre elementë në krye të institucioneve, nuk ngatërroj aspak institucionet, nuk më lëkundet aspak respekti ndaj institucioneve. Jam i bindur, se hetimi është themelor, por jam i bindur edhe se thirrja e ekspertëve më të mirë nga një vend mik e i madh, i cili në çdo moment të vështirë ka ndihmuar më shumë se kushdo Shqipërinë e shqiptarët, ishte hapi i duhur dhe jam i bindur se ky hetim jetik për paqen e stabilitetin e vendit do të realizohet me paanësi, pavarësi dhe sukses të plotë brenda institucioneve të këtij vendi.
Përpara ligjit, të gjithë janë të barabartë
Shpreha atë që kam konstatuar për Kreun e Shtetit, por ju garantoj ju dhe shqiptarët, se ai do të respektohet në postin e tij. Natyrisht, para ligjit të gjithë jemi të barabartë. Në këtë kontekst, të gjithë do të dëshmojnë para shqiptarëve për rolin e tyre në këtë akt madhor dramatik që përjetoi vendi. Garantoj çdo institucion se ka respekt të plotë të qeverisë. Kjo është një arritje tjetër e madhe e demokracisë shqiptare. Sikundër, mbetem i vendosur për çdo përgjigje ndaj tentativave puçiste të përsëritura. Puçi nuk kalon në këtë vend. Ata që e ndërrmorën duhet të marrin turpin e historisë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht dallimeve partiake, që i besojnë lirisë e vlerave të saj, që i besojnë pluralizmit, që i besojnë demokracisë, të dënojnë këtë akt të shëmtuar si ditën më të zezë të demokracisë shqiptare dhe si një nga ditët më të zeza në historinë e kombit shqiptar. I garantoj se, kurrë ndonjëherë grushtet nuk do të mund të kalojnë mbi institucionet e këtij vendi. Ju faleminderit.
Janë të dokumentuara pagesat e dhëna për paramilitarët që në total kapin shumën e 1.3 milion eurove. Ata që do të ushtronin dhunën janë paguar deri në 300 USD ndërsa ata që janë marrë me transport deri 100 USD
Asnjë informacion nga SHISH për Grushtin e Shtetit
Seanca dëgjimore e Kryeministrit Berisha me anëtarët e Komisionit Parlamentar Hetimor "Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.
-Fatos Hoxha:Zoti Kryeministër nga ato që raportuat ju sot këtu po edhe gjatë seancës plenare, është evidentuar se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ose Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka pasur informacion nga SHISH, pavarësisht kërkesës që ka bërë policia ndaj këtij shërbimi, mos gaboj në datë 15 janar. Në Ligjin për Shërbimin Informativ neni 5, pika 2 ky shërbim detyrohet që t'i japë Kryeministrit informacion në lidhje me çështjet e sigurisë. A keni patur ju si Kryeministër i vendit informacion direkt nga SHISH në lidhje me ngjarjet e 21 janarit?
Unë sqarova se kam patur informacione të shumta, por jo nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe nuk ka patur as Policia e Shtetit.
-Fatos Hoxha:Pyetja e dytë ka të bëjë me puçin, siç e quani ju, të datës 21 janar. Dhuna në këtë demonstratë u paralajmërua dhe u provokua, vetë demonstrata nuk pati asnjë mesazh politik, gjatë gjithë kohës u ushtrua vetëm dhunë dhe sulm mbi institucionet. Në këndvështrimin tuaj zoti Kryeministër pse nuk ka hetim për këtë dhunë?
Gjatë demonstrimit ka patur këto, më lejoni t'u lexoj vetëm një segment: Sa kërciti pushka e parë, bërtitën me të madhe është momenti për t'u dhënë kallashët, kapni kallashët, u çoni kallashët. Gjenerali nuk quhet gjeneral, nuk është luftarak, bërtiste me të madhe. Është koha sërisht pyeste, është koha për t'u çuar kallashët, çojini kallashët. Kreu i puçit ndodhej aty, kreu i puçit u nis të largohej kur makina që do të hapte dyert e Kryeministrisë hyri në oborrin e Kryeministrisë. Pra, nuk kishte slogane, kishte urdhra dhe komanda. Kishte urdhra ndaj dhe ato tabulatët i kanë lemerisur, aty ishin nën komandën e Edi Ramës 3-4 persona të tjerë të cilët urdhëronin. Ky që pyeste për kallashin është një nga kokat kryesore të mafias shqiptare. Sikundër tjetri që u thoshte se na duhen të vdekur. Kjo përpjekje është e tmerrshme, por është humbje e madhe, po nuk pati të vdekur dhe ky është një kriminel tjetër që qëndronte mbi grupin e të ashtuquajturve analistë. Që në kohë paqeje shkruanin fjalimet, në kohë lufte urdhëronin plumbat. Pra, nuk kishte slogane, kishte urdhra, kishte urdhra për tritol, kishte urdhra për kallash, kishte urdhra për të gjitha veprimet. Ngazëllimi i tyre kur u hap dera ka qenë i jashtëzakonshëm. Dëshpërimi i tyre ka qenë vdekësor, kur u pa që territori nuk mund të merrej.
-Fatos Hoxha:Zoti Kryeministër, përse Prokuroria në këndvështrimin tuaj nuk heton këto inisiatorë të dhunës?
Besoj se është bërë shumë i qartë qëndrimi. Në rast se Prokuroria do të kishte hapur çështje për dhunim të rendit kushtetues, iu garantoj se ju sot nuk do të ishit këtu dhe unë nuk do të isha përballë jush dhe ju nuk do të ishit në këtë komision. Por, fakti që Prokuroria bëri gjithçka për të mbrojtur, për të arrestuar komandantët e gardës dhe për të liruar një nga superkriminelët e atij puçi, dëshmoi se jo vetëm ka humbur pavarësinë, por ka qenë pjesë e tij. Sidoqoftë tani dua të siguroj shqiptarët se, hetimi do të jetë i shkëlqyer dhe se ky hetim ka besimin e plotë të qeverisë shqiptare, por duhet të ketë besimin e plotë të të gjithë shqiptarëve. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ajo nuk mbështet një qeveri, nuk mbështet një parti politike, ajo mbështet popullin shqiptar. Jam i sigurtë që cilado qeveri të kishte qenë, qëndrimi i këtij vendi mik do të ishte ky që u tregua në këto ditë të vështira. Ndaj dhe nuk kemi pse të mos kemi besim të plotë tek procesi hetimor.
-Enkelejd Alibeaj:Zoti Kryeministër, unë do të bëj skeptikun sot në këtë Komision Hetimor për atë çfarë juve thatë dhe çfarë kemi parë. Në hetimin e situatës që u konstatua më 21 janar një gjë u përceptua mediatikisht nga të gjithë, godina e Këshillit të Ministrave e rrethuar, godina e Këshillit të Ministrave e goditur, godina e Këshillit të Ministrave e cenuar. Juve thatë se që në orën 2 e 15 keni qenë në zyrën tuaj. Gjatë gjithë periudhës prej 5 orësh kur godina e Këshillit të Ministrave ishte në këtë agresion dhe ju ndodheshit brenda, a keni pasur ju kontakte me krerët e institucioneve shqiptare?
Së pari, unë kam qenë në komunikim periodik me ministrin Basha, i cili më ka ardhur në zyrë dhe i kam kërkuar që të ndjekë detyrën. Me Kryetaren e Parlamentit kam komunikuar periodikisht, ministrin Imami dhe të tjerë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kam ndjekur çdo minutë zhvillimet.
-Enkelejd Alibeaj:Zoti Kryeministër ju thatë në shpjegimet tuaja, që ky është një grusht shteti dhe ky është një përkufizim doktrinal siç ju e shpjeguat më parë. Sigurisht ka anën e dukshme atë çka ne pamë, të gjithë dhe gjithë shoqëria e pa, ka dhe një anë të padukshme ose qëllimi që duhej të arrihej nga ai agresion, ndaj jo vetëm godinës së Këshillit të Ministrave. Në këtë rast unë do të doja të dija, juve thoni që sjellja e institucioneve shqiptare, ato të cilat drejtpërdrejtë apo tërthorazi kanë pasur detyrimin të informonin, parandalonin, madje dhe të ndëshkonin kanë qenë thjesht pasive që është varianti i parë. Kanë qenë aktive, por në kundërshtim me ligjin varianti i dytë?
-Ky ishte një grusht shteti në tentativë, në tentativë jo për mungesë të vullnetit të atyre që e iniciuan, por për shkak të pengesës së policisë dhe gardës në këtë rast. Dhe kjo është ajo që konstatuam atë ditë para mediave. Nëse do të mendonim sikur të kishte një skenar tjetër që godina të ishte pushtuar nga inisiatorët e grushtit të shtetit dhe dua perceptimin tuaj politik, ju do e konsideronit të konsumuar një grusht shteti të tillë, apo do të kishte dhe veprime të tjera që do ta bënin më të butë apo jo grushtin e shtetit? Në fund të fundit është delegimi i atyre që i kanë dhënë besimin pushtetit.
Kurrë atë ndërtesë nuk mund ta merrte kush, kjo ishte jashtë çdo lloj dyshimi. Problemi im më kryesor ishte çmimi i mbrojtjes, po mbrojtja e flamurit ishte absolut. Nuk mund të bëhej fjalë që dikush të merrte ndërtesën, me asgjë ndërtesa nuk mund të merrej. Ndërtesat, Garda e Republikës u garanton një mbrojtje të shkëlqyer, të gjithanshme, ndërkohë punonjësit aty janë të detyruar të nderojnë detyrën, janë të detyruar që për territorin brenda të shndërrohen në gardistë. Dhe absolutisht nuk kam pasur as impresionin më të vogël nga një grup bashibozukësh. Natyrisht rregulli donte që të mos i hidhja në Lanë, po të shkonin te drejtësia. Ju garantoj ju që ekzistonin të gjitha forcat që ata, po të ishte puna të përgjigjeshim flakë për flakë, do t'u jepej siç e meritonin. Por kjo nuk mund të ndodhte në një vend me institucione të forta dhe demokratike. Nuk kishte asnjë arsye, aty isha Kryeministri i vendit duhet të nderoja detyrën time. Ndaj dhe kjo nuk mund të bëhet fjalë kurrë, ata nuk mund të pushtonin institucionet e këtij vendi, sepse janë kështjella lirie të qytetarëve shqiptarë. Të një vendi anëtar të NATO-s. Patëm tri viktima, keqardhjen time më të madhe, ngushëllimet e mia më të thella, hetimin më të plotë. Këta mendonin se duke dekapituar gardën do ta kishin më të thjeshtë. Do ta kishin shumë më të vështirë, shumë më të vështirë dhe të pamundur. Ndaj dhe gjykoj se pavarësisht, se sa i shëmtuar ishte akti, aq dhe ligjor ishte qëndrimi.
-Dashnor Sula: Zoti Kryeministër ju në këtë sallë dëgjimore shpjeguat dhe deklaruat se keni prova të plota, përsa i përket të ashtuquajturit grusht shteti. Duke patur prova të pakundërshtueshme, përse Policia e Shtetit nuk ndalon apo arreston nxitësit, organizatorët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit në bazë të Kodit të Procedurës Penale të nenit 251, pika 1 dhe 2, policia ka të drejtë të referojë materialet për një procedim penal të tillë. Meqenëse Prokuroria ende nuk ka nisur një proces hetimor për këtë?
-Në deklaratat tuaja shpjeguat zoti Kryeministër se kemi disa titullarë institucionesh të cilët kanë qenë pjesëmarrës në këtë grusht shteti. Pyetja ime do të ishte e drejtpërdrejtë, po supozoj se ky Komision Hetimor do të përgatisë një raport përfundimtar, të cilin do e paraqesë në seancën plenare për votim. Nëse seanca plenare voton një raport të tillë, ku del qartë që kemi një grusht shteti dhe ky raport i përcillet organit të Prokurorisë, a mendoni se Prokuroria Shqiptare duke patur parasysh se organi i Prokurorisë është një organ i centralizuar, do të bëjë të mundur hetimin e një procedimi të tillë, i cili do t'i vihet nga raporti i paraqitur nga Parlamenti dhe komisioni i nderuar?
Zoti Sula, iu falënderoj për pyetjet. Së pari, kanë qenë apo jo të implikuar kjo iu takon juve, unë këtu vij për të paraqitur ato çka di në një ngjarje. Por, se cila është shkalla e implikimit dhe cili është realiteti i takon këtij Komisioni Hetimor parlamentar dhe unë do të jem plotësisht dakord me konkluzionin e plotë të tij. Por unë si kryetar i kësaj mazhorance e kam të vështirë të mos jem i hapur me shqiptarët, mos jem i hapur me ju. Ju keni administruar këtë deklaratë të datës 1 janar të kreut të shtetit, ku thuhet se po ndjek me shqetësim të jashtëzakonshëm situatën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Se ku ishte aty diku nga stacioni i trenit apo ishte nga Këshilli i Ministrave kjo është punë tjetër dhe i bëj thirrje për qetësi dhe maturi. U bëj thirrje të gjithë faktorëve politikë që të qetësojnë demonstruesit. Edhe ata që kishin rrethuar Këshillin e Ministrave dhe Këshilli i Ministrave që ishte i rrethuar, këta ishin faktorën. Të garantojnë sa më shpejt rikthimin e rendit publik, pra, i nderuar zoti deputet Sula unë nuk mund të mos them këtë. Është në tagrin tuaj të bëni vlerësimin e çdo dokumenti. Kam ardhur i pari të dëshmoj këtu, të mos bëj as Prokurorinë dhe as akuzatorin e as kërkujt, të paraqes ato çka unë di për këto zhvillime. Jeni ju që do të bëni këtë hetim. Përsa i përket hetimit tuaj dhe hetimit të Prokurorisë. Ju jeni dëshmitarë se po hetoni një objekt krejt tjetër, po hetoni grushtin e shtetit, po hetoni atë që të gjithë shqiptarët panë përpjekjet 5 orëshe për të përmbysur qeverinë, por pas ardhjes së ekspertëve dhe prokurorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës unë kam besim të plotë dhe total në konkluzionet e tyre, sepse ky vend mik i solli në një rast jashtëzakonisht të veçantë, i solli duke patur bindjen e plotë se sqarimi dhe drejtësia për këtë çështje është jetike për paqen dhe stabilitetin në Shqipëri. Kështu që unë mund t'ju them ju se kam besim të plotë dhe në hetimin që po bën Prokuroria dhe kam kënaqësi të madhe që gjithçka po ruhet në kuadrin institucional. Zoti Sula është e vërtetë ajo që thashë, por është e vërtetë që aty ka prokurorë të cilët kanë qenë në kundërshtim dhe nuk kanë qenë dakord me këto veprime. Aty po bëhet një hetim që ka besimin tim të plotë. Unë jam kryetar i mazhorancës që u tentua të përmbyset, unë respektoj dhe do të respektoj çdo institucion. Unë shpreha me fakte disa fakte të hidhura për këtë ngjarje, por vlerësimin do ta bëni ju. Dhe mbi bazën e vlerësimeve tuaja dhe vendimeve të Parlamentit do të ndriçohet plotësisht kjo ngjarje. Një gjë është e sigurtë, që ne e patëm shumë të detyruar këtë akt, se në rast se Prokuroria do të bënte detyrën ne nuk do të kishim nevojë, sepse ajo ishte një ngjarje evidente para të gjithë shqiptarëve, për arsye të caktuara filloi të bëjë të kundërtën. Garantoj shqiptarët se problematika e këtij puçi do të zgjidhet përfundimisht në përputhje me ligjet e këtij vendi.
-Gent Strazimiri: Zoti Kryeministër unë iu dëgjova me vëmendje. Sipas konceptit tuaj dhe sipas informacioneve dhe të dhënave paraqitët etapat e grushtit të shtetit, organizatorët, veprimet, mbi informacionet që ju keni. Pyetja e parë e imja ka të bëjë me atë që ju e quajtët gjeneza e krijimit të rrethanave ose sebepi që u zhvillua ajo demonstratë, që është videoja e shumë përmendur, biseda midis zëvendëskryeministrit Meta dhe ministrit Prifti. Duke pasur parasysh që në variantin e transmetuar nga televizioni Top-Channel ku ju jeni person i përfshirë i përmendur në atë video, ashtu sikurse duke pasur parasysh pozicionin tuaj institucional, duke pasur parasysh se ajo video nuk prekte thjesht individin Ilir Meta, as individin Sali Berisha, por qeverinë e Republikës së Shqipërisë. A keni ndonjë informacion ç'po bën Prokuroria me këtë video, deri në ç'shkallë është hetimi ose fakti që ju vetë jeni i përfshirë, ka pasur ndonjë thirrje ndaj jush apo interesim nga ana e Prokurorisë mbi këtë video që është sebepi që u krijua në një farë mënyrë strumbullari i 21 janarit?
Lidhur me videon. Unë nuk kam treguar asnjë lloj interesi të veçantë se ç'po bën Prokuroria me videon. Di që Prokuroria publikisht kërkoi ekspertizë zyrtare qeverisë së një vendi mik dhe kjo nuk iu dha, sepse veprimi i saj dhe mënyra se si ishte bërë kërkesa ishte shumë e gabuar. Prokuroria do të ketë një mbështetje për hetim të plotë ndaj asaj videoje. Për mua si qeveri, zëvendëskryeministri Meta dha dorëheqjen, dorëzoi imunitetin dhe është i hapur për çdo gjë. Natyrisht fakti që kanali televiziv që bëri manipulimin u detyrua të nesërmen të jepte segmentin e manipuluar ishte pozitiv për publikun, por siç dini ju kjo Prokurori prej 5 vitesh funksionon në mënyrën më asimetrike dhe kryetari i maxhorancës e ka falënderuar 50 herë deri tani për faktin që qëndron, penalizon, shqyrton dosje për administratën. Se kjo do të ishte më e keqja për vendin, unë shoh interesin e vendit. Në raport për puçin Prokuroria nuk ka hapur çështje për puçin zoti Strazimiri, fare nuk ka hapur çështje për dhunim të rendit kushtetues, ndaj dhe unë iu kërkoj ju që të merrni atë video të policisë, të bëni të gjithë vlerësimin e duhur me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë dhe të gjeni lidhjen e saj si me segmentin dhe pretekstin që u shfrytëzua nga Partia Socialiste për puçin. Këtu është evidente nuk mund të mohohet edhe në historikun e puçeve ngjarje të tilla merren për bazë, nxiten, bile dhe krijohen. Puçistët i krijojnë në mënyrë që të ndërmarrin puçin.
-Gent Strazimiri: Zoti Kryeministër ju keni deklaruar vazhdimisht edhe këtu në këtë sallë, gjatë 5 orëve të sulmit në 21 janar ju keni qenë në zyrën tuaj, keni zhvilluar veprimtarinë tuaj si çdo ditë tjetër. Por duke pasur parasysh zhvillimet e orëve të fundit jemi në një stinë kërcënimesh personalitetesh. Duke u nisur nga fakti i asaj që ju thatë asimetri e Prokurorisë, nga fakti që para dhe gjatë datës 21 janar SHISH heshti. A e keni ndjerë veten të kërcënuar ju personalisht gjatë atyre 5 orëve, ju si person? E dyta, ju personalisht kishit informacion, qoftë dhe indicie, qoftë dhe të dhëna, qoftë në mënyrë të tërthortë se eliminimi fizik i personit tuaj ishte një nga objektivat e asaj dite?
Dua t'ju garantoj se përveç momentit të dështimit të plotë dhe total të shërbimit për të informuar për atë që përgatitje nuk ekzistonte asnjë e dhënë tjetër për veprimtari tjetër të këtij shërbimi. Këtu duhet të jemi shumë të qartë dhe nuk kam asnjë arsye që unë të lëshoj dhe hijen më të vogël të dyshimit. Kam patur ndërmend të zëvendësoj shefin e Shërbimit Informativ mbi bazën e mandatit, i qëndroj asaj, e kam shtyrë sepse një vend mik, shumë mik që ka përgjegjësi më kryesore në botë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kërkoi dhe është gjëja më normale. Përsa i përket qëndrimit tim, natyrisht ato pesë orë i kam përjetuar, nuk mund të them pa dhimbje se ata policë që goditeshin në mënyrën më barbare nga një grusht kriminelësh, të droguarish mercenarë, të cilëve, zoti Strazimiri, ju ishte thënë se në orën 12 të ditës në të gjitha qytetet e vendit në këto rrethe u tha që ka rënë Sali Berisha, ka rënë. Se ai sot e ka fundin e tij edhe ata erdhën tani të ngrinin gurët, themelet e Kryeministrisë. Kështu që unë personalisht përveç keqardhjen që ndieja për policinë dhe gardën, në drejtim të së cilës hidheshin tritol, imagjino një djali të ri që i hedhin tritol çdo të thotë dhe që kishte mbrapa vetëm murin. Nuk them se nuk jam shqetësuar për ta, kurse për veten s'e kam ndjerë fare të kërcënuar, absolutisht. E para, brenda nuk hynin kurrë, e dyta, po të ndërmerrnin një sulm frontal do të merrnin një disfatë frontale. E parashikoja se mund të merrni armë e kisha shumë të qartë, por pastaj do të kishte një tjetër gjë, s'do të flinin me mburoja, jo ka rregulla të tjera do të zbatoheshin ligjet kështu që unë nuk kam ndjerë asnjë lloj rreziku dhe i kam parë punonjësit e mi të qetë si çdo ditë. Nuk mund të ketë impresione.
-Gent Strazimiri:Gjatë atyre 5 orëve të rrethimit të Kryeministrisë ju nuk keni pasur asnjë telefonatë as nga Presidenti i Republikës as nga Kryeprokurori, as nga Kryetari i SHISH për të pyetur jeni mirë apo jo, jo më për të diskutuar për faktet e rënda që po ndodhnin atje?
Jo, s'kam pasur asnjë telefonatë prej tyre. Kam pasur me qindra nga qytetarët, kam pasur me qindra mesazhe nga mbarë Shqipëria, por nuk kam patur asnjë komunikim me këta zotërinj dhe nuk kisha nevojë për të komunikuar se unë isha në rregull dhe nuk kisha asnjë problem. Po sulmohesha, por një sulm i pashpresë, nuk e merrnin Kryeministrinë ata kurrë.
-Viktor Gumi: Më lejoni t'iu falënderoj për përgjigjen e shpejtë ndaj këtij komisioni për të ardhur në këtë seancë pyetjesh. Në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, në një nga pozicionet kyçe. A përben grushti i shtetit i datës 21 janar 2011 një moment për reflektim institucional, në çfarë drejtimesh dhe çfarë masash mendoni të ndërmerrni në të ardhmen?
Unë mendoj se ky ekzekutiv ka një qëndrim të kristaltë, respekt të plotë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Do të protestojnë sa herë të duan dhe kudo që të duan. Vendosmëri absolute për të mbrojtur institucionet e vendit, për të vazhduar reformat në mënyrën më të palëkundur. Jo zotëri nuk kemi ne. Ne e faktuam forcën e pathyeshme të shtetit ligjor. Ka pasur momente që më është thënë të kërkojmë ushtrinë. U kam thënë jo nuk ka asnjë nevojë. Edhe ushtria ndërhyn, por ka një rregull më të veçantë. Pra, ekzekutivi mbetet i vendosur për të vazhduar reformat dhe zbatimin e ligjit.
-Viktor Gumi: Në të gjithë këtë skenar dhune para, gjatë dhe pas a mund të na identifikoni cila është hallka më e dobët që nuk funksionoi në këtë skenar dhe hallka më e fortë që mundësoi mbetjen në tentativë të këtij skenari?
Mendoj se hallka më e dobët ka qenë fakti që para datës 21 ka qenë mungesa totale e informacionit nga SHISH. Kjo përbën hallkën më të dobët, dobësinë më ekstreme, sepse taksapaguesit shqiptarë paguajnë sot 70% përqind më shumë për punonjës, se 6 vjet më parë. Mendoj se ky shërbim nuk ka përmbushur detyrën e tij në një moment kyç për vendin e vet. Është në tagrin tuaj të bëni një hetim të plotë, natyrisht për çdo lloj dokumenti që ju keni nevojë do ta keni në dispozicion qoftë të Kryeministrit qoftë të shërbimit, dhe cilido institucion të këtij vendi. Hallka më e fortë nuk më mbetet mua, por unë e shpreh hallka më e fortë ishte ligji që i motivoi ata burra dhe gra të gardës dhe të policisë që ta mbrojnë ligjin dhe rendin kushtetues dhe unë mendoj se jo çdo herë e keqja vjen për të keqe ka edhe një anë që panë shqiptarët se shteti është i qëndrueshëm, është një shtet funksional. Panë policinë në lartësinë e duhur, gardën duke ngjallur respektin më të madh, por ligji ishte ai që ishte hallka më e fortë.
-Enkelejd Alibeaj: Zoti Kryeministër, Kushtetuta e Shqipërisë ka renditur çështjen e rendit kushtetues në të njëjtin nivel siç është pavarësia e këtij vendi, territori i këtij vendi, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve neni 3 i Kushtetutës. Duke qenë se çështja e rendit kushtetues është objekti kryesor i një grushti shteti apo ta quajmë si të duam, cili është ndryshimi i rendit kushtetues? Kjo nuk është çështje e brendshme, aq më tepër që një vend si ky i yni që është anëtar i NATO-s, që do të thotë që rendi kushtetues në Shqipëri është çështje edhe e këtyre vendeve. Doja të dija ju në cilësinë e Kryeministrit keni patur komunikim me faktorin ndërkombëtar për t'i bërë të ditur atij çfarë ishte duke ndodhur dhe çfarë reagimi keni marrë ju si Kryeministër i vendit lidhur me atë që po ndodhte dhe çfarë kishte ndërmend të ndodhte në Shqipëri?
Mendoj se faktori ndërkombëtar ka mbështetur fuqishëm shqiptarët në kapërcimin në mënyrë sa më ligjore dhe demokratike të puçit dhe të pasojave të tij. Kjo është e vërteta dhe unë kam një vlerësim shumë të madh. Për diplomatët duhet t'i jem mirënjohës, sepse diplomatët na kanë paralajmëruar, nuk mund të them se na janë shprehur se më datë 21 do të bëhej një grusht shteti, por janë shprehur se do të jetë situatë shumë kritike dhe ne e kemi marrë në mënyrë shumë serioze. Qëndrimi ynë ishte përgatitje për mbrojte të plotë, dështim të puçit dhe vendosmëri për të respektuar çdo të drejtë. Nëse unë në mëngjesin e 21 janarit kam thënë për të ruajtur gjakftohtësinë, sepse unë e dija që informacionet ishin dhe pavarësisht ne na takonte që të qëndronim në mbrojtje me ligjin. Asnjë autobus nuk u ndalua, policia nuk provokonte para kamerave të gjithë botës. Paralajmërimin e kishin, u jam shumë mirënjohës për qëndrimet. Asnjë ushtar, asnjë oficer të gjithë kanë qenë në lartësinë e detyrës. Nëse në Evropë grushtin e shtetit, nëse grushtet i kanë bërë ushtarakët, këtu ushtria shqiptare është ushtri e NATO-s e shkëlqyer, garante e atyre vlerave mbi të cilat e ka vendosur Kushtetuta e këtij vendi, ndaj edhe them se kjo histori që tronditi shqiptarët u lë atyre që e bënë turpin më të madh dhe dështimin më të madh. Një seri dokumentesh do t'u vihen në dispozicion me kushtin e vetëm që nëse shkojnë në organin e akuzës, të mendoj se dokumentet do të jenë një ndihmë e këtij komisioni për të zbërthyer këtë grusht shteti në të gjithë hallkat e tij.

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Jahjaga ua dorëzoi Urdhrat “Hero i Kosovës” familjarëve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës
» Ja si dhunohen ushtarët e puçit
» Berisha: Ja plani i plotë i puçit
» Në Shkup therin kurban për dështimin e puçit në Turqi
» Berisha: S’mund të pranoj vazhdimin e puçit, ligji do zbatohet

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi