Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjykimet e poetëve

Shko poshtë

Gjykimet e poetëve Empty Gjykimet e poetëve

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 27, 2008 12:03 am

Tortura çnjerëzore në biruca për të pranuar akuzat. Kërkesa e Vilsonit drejtuar Gjykatës

Nga Rexhep POLISI

Gjyqi ndaj poetëve vazhdoi gjashtë ditë me dyer të mbyllura në sallën e kinemasë të qytetit Librazhd. Brenda në sallë ishin mbi 20 policë, dy nga këta rrinin tek dera me automatik në dorë, ndërsa nga jashtë dukej turma e njerëzve që prisnin tek dera. Dhe në bulevard kishte shumë njerëz që prisnin se çdo të ndodhte. Seancën e drejton jo kryetarja e Gjykatës, por gjykatësi Subi Sulçe me prokuror Qani Lavdarin. Pranë trupit gjykues ishte edhe një civil i ardhur nga Tirana, i cili bisedonte shpesh vesh më vesh me Subi Sulçen. Asnjë nga të afërmit e të akuzuarve nuk ishin lejuar të vinin në sallën e kinemasë ku po zhvillohej gjyqi. Në sallë janë aparatçikët e administratës së rrethit, hetues, nxënës, mësues, ushtarakë, njerëz të zgjedhur nga Bërzeshta, vendlindja e dy poetëve dhe nga gjithë krahinat e tjera të rrethit Librazhd.

Menjëherë pas njoftimit të atyre që do ta drejtojnë këtë gjyq, e marrin fjalën njerëzit e përgatitur nga salla. Lexojnë në letër ato që u janë përgatitur për t'i lexuar në sallën e gjyqit. I pari flet një mësues pensionist nga Bërzeshta. "Shokë gjyqtar, unë i njoh mirë këta pinjollë të familjeve reaksionare. Unë mendoj që ju të mos harxhoni bojë dhe letër kot për këta njerëz. Partia ka bërë gabim që u ka dhënë arsim dhe këta e kanë vendin në litar, në shesh, që t'i shohë edhe populli. Nuk e duam të birin e Bardho Lekës. Nuk duam të na ngjallet edhe një herë mbi kalë të bardhë Bardho Leka", tha mësuesi pensionist në sallën e gjyqit. Pastaj foli kryetari i kooperativës së Lunikut, Todi Bardhi, i cili fliste njëlloj si prokurori. Pas tij foli një ushtarak i quajtur Isa Kopaçi, i cili fliste për mbrojtjen e atdheut dhe për sabotimin e bunkerit. Ai thoshte: "Unë kam dyshim se këta kanë qenë në zbor dhe kanë punuar për ndërtimin e bunkerëve dhe kam dyshim se këta i kanë sabotuar". Më vonë u prezantua një nxënëse, e cila tha se jam e gjimnazit të Librazhdit. Pasi lexoi dy faqe letre, ajo tha se "ne kemi besim se Partia do ta vlerësojë drejt krimin e kryer nga këta dy poetë dhe t'u japë dënimin e merituar".

Diskutimet vazhduan shumë, por ishin fytyra të panjohura dhe të gjithë thonin të njëjtën gjë. Këta betoheshin se ne do të punojmë, do të mbrojmë atdheun me kazma e lopata nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Flisnin pambarim fjalë nga ato që të ngrijnë gjakun. Pasi mbaruan diskutimet nga salla, u hap seanca duke bërë formalitetet. Të parit ia dhanë fjalën Genc Lekës. Krytari i Gjykatës i drejtohet: "I pandehur, e pranoni akuzën?" Genci i përgjigjet: "Pranoj vetëm agjitacion dhe propagandë ku më poshte do të shpjegoj kuptimin e poezive. Ndërsa nenin e sabotimit nuk e pranoj, sepse nuk e kam kryer". Pastaj pyeti Vilsonin, i cili nuk pranoi të ngrihej të fliste. Pasi ia përsëriti disa herë kryetari i Gjykatës rreth akuzës, atëherë Vilsoni tha: "Unë akuzën nuk e pranoj. Nuk kam kryer asnjë lloj krimi". Në çast prokurori, kryetari i Gjykatës dhe civili i ardhur nga Tirana dolën në koridor dhe diçka biesduan. Pas pesë minutash u ulën nëpër vende. Në këtë çast kryetari i Degës, Merdar Hasa, nënkryetari i degës, Spiro Lera, hetuesi Lulo Ymeri, Petrit Azemaj dhe shefi i hetuesisë Selim Caka, u ngritën në këmbë dhe dolën jashtë sallës së gjyqit. Qetësinë e theu prokurori, Qani Lavdari. "Çojini në birucë, seanca vazhdon mbasdite".

Sapo i çuan në birucë, kryetari i Degës, Merdar Hasa, ndëkryetari i degës, Spiro Lera, hetuesi, Lulo Ymeri, Petrit Azemaj dhe shefi i hetuesisë, Selim Caka, hynë në koridorin e birucës dhe hapin birucën e Gencit. Mbasi u dëgjua zhurma e hekurave që e lidhën, e marrin në zyrat lart. Pas një gjysëm ore e kthejnë në birucë. Bedriu tregon se unë që isha në birucën ngjitur, në birucën nr.2, trokita në mur për ta pyetur ku ishte dhe çfarë i thanë? Genci nuk i përgjigjet me të trokitur. Atëherë Bedriu kupton se Genci ishte shumë i tronditur dhe nuk dihej se çpo ndodhte me të. Pastaj Bedriu kthehet në krahun tjetër dhe troket në murin e birucës së Vilsonit. Bedriu i tregon Vilsonit me anë të trokiturave në mur se Genci nuk më është përgjigjur me të trokitur. Duket që është shumë i shqetësuar. Pas gati dy orësh i dërgojnë në sallën e gjyqit për të vazhduar seancën e dytë. Pasi zenë vend në sallë Genci ishte në krah të djathtë të Bedriut. Ai vetëm dridhej me duart e lidhura përpara. Dukej se hetueist i kishin bërë diçka të rëndë. Ai ishte shumë i tronditur dhe i çorientuar, bënte veprime të pavetëdijshme.

Pesë ditë gjyq me dyer të mbyllura

Gjyqi vazhdoi pesë ditë. Poetët i akuzonin edhe për sabotim ekonomik, sikur "kishin nxitur të tjerët të mos punonin, të mos prashisnin në arë, të ndërronin farërat e mbjelljes dhe duke mos punuar, gjoja, bëhej populli i pakënaqur dhe ngrihej në revoltë". Ditën e pestë mbasi mbaruan edhe dëshmitarët e ardhur nga jashtë sallës, prokurori Qani Lavdari dha pretencën. Genc Bardho Leka, vdekje, pushkatim. Vilson Sami Blloshmi, vdekje pushaktim. Bedri Sami Blloshmi, vdekje, pushkatim, ndërsa Demir Blloshmi (kunati i Gencit) dënohet me 20 vjet heqje lirie. Mbasi u dha pretenca, i lidhin dy e nga dy i hedhin në gazin e zbuluar të degës dhe i çojnë nëpër biruca. Që nga salla e gjyqit e deri tek Dega e Brendshme ata ishin të shoqëruar nga turma njerëzish që shkonin pas gazit të degës deri tek Dega e Brendshme. Bedriu tregon se sapo vajta në birucë, pas pesë minutash hapet dera dhe hyn përgjegjësi i birucës, Axhem Dajlani. Pas tij ishte një polic që kishte disa litarë dhe zinxhirë nëpër duar. Pasi i lidhin këmbët dhe duart, e lidhin me një litar ndërmjet këmbëve dhe duarve që të mos kryente vetëvrasje. Në kokë i vënë një helmetë të zezë ku në sfondin e zi dukej harta e Shqipërisë me bojë të bardhë. Bedriu tronditet pa masë. Një shoku i birucës që ishte i dënuar i jepte kurajo duke i fërkuar kokën dhe duart, duke i thënë "mos u mërzit se nuk dihet çfarë ka bërë zoti". Ajo natë u gdhi pa e kuptuar. Të nesërmen në mëngjes i marrin prapë të lidhur dy e nga dy dhe i çojnë në sallën e gjyqit. Pasi zunë vend, e gjithë salla u ngrit në këmbë sepse do të jepej vendimi. Vendimi ishte Genci dhe Vilsoni vdekje, pushkatim, Bedriu me 25 vjet heqje lirie dhe kunati i Gencit, Demiri, 20 vet heqje lirie. Atëherë prokurori thotë: "tani mbaruam" dhe i dërgojnë përsëri nëpër biruca.


vijon


Edituar për herë të fundit nga Epirotarum në Thu Nov 27, 2008 12:05 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gjykimet e poetëve Empty Re: Gjykimet e poetëve

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 27, 2008 12:05 am

Poetët, 35 ditë të lidhur kokë e këmbë

Vendimi u dha më 12 qershor 1977. Plot 35 ditë dy poetët u mbajtën të lidhur kokë e këmbë e me helmetë në kokë në pritje të vdekjes. Ditën e dielë, më 17 korrik 1977, u shkon familja në takim. Përgjegjësi i birucës shkon dhe thërret Bediun duke i thënë "hajde se të ka ardhur familja". Bedriu ishte shumë i tronditur dhe nuk donte t'i takonte sepse nuk kishte se çfarë t'u thoshte. Atëherë dy të dënuar që ndodheshin në birucë me të, miq të familjes, e detyruan Bedriun që të shkojë të takojë familjen duke i thënë që t'u japë ndonjë shpresë. Bedriu del dhe i takon. Sheh se kishte ardhur mamaja e tij dhe motra. Ato vetëm qanin. Nga ana e familjes ndodhej edhe kryetari i Degës, nënkryetari dhe disa hetues. Mamaja e pyet Bedriun: "Hë mor, bir, si u dënuat?. Ne nuk erdhëm se nuk e dinim se do të dilnit në gjyq. Unë kërkova të takoj Vilsonin më përpara se është më i madh dhe doja t'i jepja një sihariq se i ka lindur vajza". Bedriu i thotë: "Mama, dëgjo një herë e mirë. Vëllai im bashkë me Gencin janë këtu mbrapa dhe tregon me dorë birucën, janë të lidhur kokë e këmbë prej ditësh. Këta kriminelë që ke këtu, nga çasti në çast do t'i vrasin". Mamja i thoshte, "mos i bir, mos fol kështu. Përse do t'i vrasin, ata s'kanë bërë ndonjë gjë, pse do t'i vrasin?" Bedriu i thotë mamasë: "Ata edhe në gjyq nuk kanë pranuar asnjë lloj akuze dhe nuk kanë bërë asgjë, por këta që janë pranë teje janë gjakatarë dhe vetëm me gjakun e popullit jetojnë. Këta janë kriminelë prandaj tani shko në shtëpi dhe mos ki merak, as për mua se keni dy djem të tjerë dhe shikoni punën tuaj". Në atë kohë ndërhyn kryetari i Degës që u thotë policëve të ndërprejë takimin dhe i kthehet mamasë së Bedriut: "E dëgjon si flet djali yt?" Bedriun e marrin me forcë, por ai kthehet dhe i thotë mamasë: "mos dëgjo asnjë fjalë nga këta kriminelë, por ik në shtëpi".

Në mbrëmje duke kryer veprimet e darkës, shkon polici dhe pyet të dënuarit e tjerë: "a hëngri bukë Bedriu?" Ata i thonë "jo". Në këtë kohë hynë tre policë brenda në dhomën ku ishin të dënuarit, e shtrinë Bedriun dhe i dhanë për të ngrënë me forcë. Atë natë Bedriu ka rënë në gjumë i dërrmuar. Kur ngrihet në mëngjes si i dehur për të shkuar në banjë, hedh sytë nga biruca e Vilsonit dhe Gencit. Aty sheh se polici që rrinte posaçërisht për ata të dy, nuk ishte. Atëherë ai e kupton se ata i kishin marrë në mesnatë. Bedriut i bie të fikët dhe shokët e marrin dhe e fusin në dhomë brenda. Pas dy ditësh shkon në birucën e Bedriut Rustem Dashi, po nga fshati Bërzeshtë, i cili ishte i dënuar dhe kishte qenë gjithë kohën në birucë me Vilsonin gjatë 35 ditëve që e kishin lënë të lidhur kokë e këmbë. Ai i tregon Bedriut se Vilsoni sa ishte shtrirë, e kishte marrë pak gjumi ngaqë i dhimbnin shpatullat dhe i ishin bërë plagë, sepse duart i kishte të lidhura prapa. Për një çast Vilsoni zgjohet dhe i thotë Rustemit "më kthe në krahun tjetër se u mpiva". Pastaj i thotë: "Rustem kam parë një ëndërr". Por ai nuk mundi ta tregojë ëndrrën sepse hapet dera e birucës dhe hyjnë policët brenda, i zgjidhin këmbët, e ngrejnë në këmbë e marrin për krahësh, Rustemi i kishte hedhur xhaketën krave dhe te dera e birucës i tha: "Rustem ma bëj hallal. Ti do të dalësh shpejt nga burgu dhe thuaji familjes time që unë nuk i kam turpëruar, sepse nuk kam bërë asgjë, prandaj e kam mohuar akuzën. Se Bedriu nuk dihet kur del nga burgu". I thotë edhe një herë: "hallall Rustem" dhe e marrin policët. Pas dy javësh e marrin Bedriun dhe e dërgojnë në kaushin e Tiranës.

Genci dhe Vilsoni në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977 u pushkatua rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet "Përroi i Firarit". Një toponim i çuditshëm. Atje jo që s'ka ujë, por as zogjtë nuk kalojnë andej. Me sa duket e ndiejnë erën e vdekjes. Sipas kalimtarëve, atje rrallë mund të ndodhte të dëgjohej zëri i ngjirur i qyqes. Qyqja, siç tregon një gojëdhënë, kërkon vëllanë e vrarë nga shokët në pyll. Siç duket, edhe qyqes nuk i besohet që në të tilla humnera mund të ndodhin tragjedi të tilla. Ditën që u bë zhvarrimi i trupave të Gencit dhe Vilsonit, kujton Bedri Blloshmi, plumbin e gjeta midis trupave të tyre. Kishte filluar të kalbej, ndërsa trupat e të ndierëve i kishin mbuluar rrënjët e drurëve që kishin mbirë më pas. Siç duket, i mbanin mbuluar nga ndonjë rrezik tjetër si i diktaturës, që të zhduknin çdo gjurmë mbas krimit.

Si u përgatit dosja ndaj poetëve

Në dosjen gjyqësore të poetëve është gjetur edhe një plan masash që mban datën 28.04.1977. Në faqen 9, gërma "Gj", thuhet: "Mbi diskutimet e pjesmarrësve në gjyq për dënimin kapital të dy të pandehurve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka". Po këtë datë është mbajtur edhe protokolli i Komitetit të Partisë, i drejtuar nga sekretari i Parë, Sotir Koçollari. Në këtë raport shkruhet: "Shoku Alush Çekrezi thotë, si do të quhet grupi?

Subi Sulçe, gjyqtar: Nga të dhënat del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.

Shoku Sotir (sekretari i Parë): Forma e tyre e organizuar del plotësisht sepse secili prej tyre, në mënyrë të vetëdijshme, kanë dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojnë ekonominë e kooperativës bujqësore.

Subi Sulçe: Atëhere të tetë të pandehurit do të futen në një nen.

Merdar Hasa (kryetari i Degës): Pse thua që Vilson Blloshmi nuk hyn në këtë grup? Kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve.

Shoku Sotir: Kush konsiderohet më kryesori?

Subiu: Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë, me sa ka dosja. Prova nuk kemi, për përvetësim nuk ia vërtetojmë dot.

Shoku Sotir: Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, bile edhe në bazë të një platforme në mendjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të Punëve të Brendshme, rritja e vigjilencës së tyre, etj. Kreu i këtij them se janë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës, të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. I kanë mbajtur këto libra, por i kanë lexuar dhe janë frymëzuar prej tyre. Kanë pasur edhe shkrime të tyre për përmbysjen e e pushtetit popullor dhe jo vepra e poezi. Vilsoni është më i zgjuari nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi". Vilsoni është arrestuar më 5 gusht 1976 për agjitacion dhe propagandë dhe më 9 maj të vitit 1977 kur ndryshuan akt-akuzën Vilsonin e akuzojnë edhe për sabotim ekonomik.

Siç duket qartë, dy muaj para se të bëhej gjyqi, Komiteti i Partisë në bashkëpunim me Degën e Brendshme kishin përgatitur planin e masave dhe kishin vendosur që dy poetët të pushkatoheshin. Për këtë qëllim shërbeu edhe akt-ekspertiza e përgatitur nga shkrimtarja Diana Çuli, sot deputete e PSD në Kuvend.

Në gjyq, një infermiere e internuar në ndërmarrjen pyjore flet për librat e ndaluar që i kërkonte Vilsoni. Një shofer, që nuk kishte lexuar kurrë libra, thotë se Vilsoni i ka dhënë libra me gra lakuriqe. Pastaj civili i ardhur nga Tirana do të flasë për vjershat dhe përkthimet e Vilsonit. Prokurori vë në dukje se në bibliotekën e tij me mbi 700 libra, nuk kishte asnjë vepër të Enver Hoxhës, por kishte gjithë farë "plehrash të borgjezisë e të reaksionit" si Lamartin, Shatobrian, Bodler etj. Seancat me vjershat e përkthimet ishin më të gjatat. Lexoheshin disa herë ekspertizat e ardhura nga Tirana. Pastaj civili i Tiranës i pyeste një për një për vargjet. Për përkthimet nga Bodleri, Remboja dhe S. Prydhomi. Prokurori thoshte se, "me këto dilnin në përfundim se këta kanë patur në kokë dhe kanë shprehur në letër mendime armiqësore. Dhe si armiq dhe me të tilla mendime armiqësore, i kanë bërë edhe sabotimet për ta dëmtuar pushtetin popullor". Në funksion të pushaktimit për dy poetët dhe bashkëpunëtorët e tyre në "veprimtarinë armiqësore", në akuzë dhe argumentimin e vendimit të pritshëm, siç del nga dosja gjyqësore, është formuluar dhe akuza e "sabotimit ekonomik" në dëm të ekonomisë së përbashkët e pushtetit popullor.



VILSON BLLOSHMI


[size=16]SAHARAJA

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s'sheh ëndrra, s'sheh as drurë.

Saharaja s'di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt' e sajë…
Saharaja s'ka këngë të këndojë,
Saharaja s'ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë e birë.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën nuk shkon mirë.

Natës s'i pëlqen në Sahara,
S'i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s'ka;
Perç' e sajë e zezë s'ka ç'të mbulojë.

As dhe një s'e di si është kandisur
Me kët' plagë mbi shpinë rruzullimi,
Porse thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë;
Saharaja e mban vesh e qesh;
Saharaja fillon të gëzojë
Kur ne të mallokohemi mes nesh.

E kur bije ndrojtur rrez' e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit;
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shanë,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi
Në pusinë e harresës tret…
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.


25.10.1973

25.10.1974
Fund
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi