Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit

Shko poshtë

Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit Empty Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Feb 04, 2011 3:36 am

Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit

Nga Halil Rama

Ish-gazetari i "RD"-së, Ramiz Gjini, u shpall dje romancieri më i mirë i vitit 2010. Në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për ndarjen e çmimeve kombëtare në letërsi, nga juria me kryetar shkrimtarin dhe studiuesin Agron Tufa dhe anëtarë: Bardhyl Londo, Persida Asllani, Virgjil Muçi dhe Balil Gjini, romani "Bibollasit", i Ramiz Gjinit, është vlerësuar me çmimin "Petro Marko", si romani më i mirë i vitit. Vetë autori në një letër falenderimi për jurinë shprehet se: "Me sinqeritet, më duhet të them, se gëzimi im, pati nisur qysh para dy-tre javësh, kur përmes një shkrimi të botuar në faqet kulturore të një gazete të përditshme, mësova që isha përzgjedhur dhe vënë në garë me autorë mjaft seriozë. Gjini pohon se, shkrimtarin e mirënjohur Zija Çela e ka lexuar që në rininë e tij të hershme dhe se ka mësuar shumë prej tij. Por edhe të tjerët, sipas tij janë shkrimtarë shumë dinjitozë, të cilët, padyshim, i kanë dhënë lexuesit kënaqësi dhe letërsisë shqipe vlera të pakrahasueshme. "Ndaj, pavarësisht nga çmimi, fakti, që kam marrë pjesë në këtë garë me autorë kaq serioze, më ka bërë të ndjehem vërtet shkrimtar, të kem respekt për punën time krijuese e të shtoj kërkesat ndaj vetes, duke e konsideruar krijimtarinë jo si një profesion, as si një luks në vetvete, por si një mënyrë jetese të vështirë", shprehet fituesi i çmimit "Petro Marko". Nga Ramiz Gjini, një falenderim i përzemët u përket anëarëe të jurisë, të cilët, me vlerësimin që i bënë romanit "Bibollasit", i kanë kujtuar, që ndonëse punon e jeton në New York, shtëpia e tij është Shqipëria, të cilën e do dhe do ta dojë atë, ashtu siç duhet nëna, deri në vdekje. "Në lidhje me romanin, "Bibollasit", me pak fjalë, mund të them se e kam shkruar ashtu si kam ditur ta shkruaj, duke u përpjekur, që ajo histori e veçantë, të jetë njëkohësisht edhe historia jonë e përbashkët. Nuk jam përpjekur kurrësesi të çudis lexuesin, nuk jam përpjekur as të tregoj, që një personazh është i keq dhe tjetri, i mirë. Unë thjeshtë kam rrëfyer, me qëllimin e vetëm, që t'i jap lexuesit pak kënaqësi, e njëkohësisht, ndoshta dhe pak sëmbim të hidhur", shprehet romancieri më i mirë i vitit 2010.

Gjini, ndër mjeshtrat e padiskutueshëm të prozës sonë

Romani "Bibollasit" i Ramiz Gjinit, i botuar nga botimet "MB" dhe vjen pas vëllimeve me tregime "Dush varrezash" (1998), "Këpucët e të tjerëve mbi trotuar" (1999), "Atdheu prej dëbore" (2003), "Mendjet e njerëzve" (2005), "Rrëfime në hije" (2008), "Posta që sjell era" 2010 dhe romanit "Rrëketë" (2004). I njohur dhe i konfirmuar prej kohësh si një ndër mjeshtrat e padiskutueshëm të prozës sonë të shkurtër bashkëkohore (për çka flet dhe interesimi i përkthyesve të huaj, me botimin e përmbledhjes së zgjedhur me tregime në rumanisht "Atdheu prej dëbore" nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku), - Ramiz Gjini ka kaluar në lëvrimin e prozës së gjatë. Romani "Bibollasit" përbën dylogjinë satirike të "Bibollit", një toponim alegorik i Shqipërisë postkomuniste dhe është vazhdim i romanit të mëparshëm "Rrëketë". Situatat dhe skenat e shumta komike në romanin "Bibollasit" përshkohen nga humori i zi, absurd, plot elementë fantastikë e demonologjikë, duke krijuar një strukturë shumështresore dinamike të një rrëfimi të gjallë e sugjestionues. Është një roman që përfshin universalet absurde, nonsensin e përditshmërisë, kaosin psikologjik të një shoqërie të dalë nga diktatura. Afreska rrëfimore të rrëmben me një galeri tipash naivë, megallomanë, mashtrues, simulakër e psikopatë, por që secili bart të vërtetën e tij. Para nesh kemi një penë mjeshtërore, një rrëfimtar të lindur, që zbulon nëpërmjet humorit të zymtë, plot poezi, diavoliadën shqiptare të kaosit individual e shoqëror. Edhe pse personazhet janë thuajse të gjithë negativë, antiepikë e kontradiktorë, këta antiheronj janë përshkruar me dhimbje, përvujtni e dashuri, një karakteristikë e hershme që i dallon të gjitha krijimet e Ramiz Gjinit.
Disa vlerësime për romanin "Bibollasit"
Agron Tufa: Para nesh kemi një penë mjeshtërore, një rrëfimtar të lindur, që zbulon nëpërmjet humorit të zymtë, plot poezi, diavoliadën shqiptare të kaosit individual e shoqëror. Edhe pse personazhet janë thuajse të gjithë negativë, antiepikë e kontradiktorë, këta antiheronj janë përshkruar me dhimbje, përvujtni e dashuri, një karakteristikë e hershme që i dallon të gjitha krijimet e këtij autori.
Andon Andoni: Romani është i ndërtuar mbi absurdin dhe krijon situata të tilla letrare dhe estetike të mahnitshme. Në raportet e individit me shtetin, mund të them se ky roman do trondisë jo vetëm letërsinë shqiptare, por edhe shtetin shqiptar.
Sami Milloshi: Ramiz Gjini, ka një mënyrë të shkruari shumë të veçantë. Me lojën që ai bën me absurdin, fokuson një realitet, realiteti shqiptar të kësaj epoke, i cili është memorizuar shumë mirë në kujtesën e tij.
Xhafer Martini: Është një roman shumë i rëndësishëm, sepse trajton disa tema shumë të rëndësishme, si p.sh.: raporti i njeriut me shtetin. Janë të rralla veprat letrare që kanë trajtuar një problem të tillë kaq të thellë edhe në gjerësi edhe në tërësi si e ka trajtuar Ramizi. Ai është një shkrimtar popullor. Ramizi mban anën e popullit. Dhe të jesh në anën e popullit është vepra më e madhe.
Në ceremoniunë e djeshme të ndarjes së çmimeve kombëtare të lerësisë, Kryetari i jurisë Agron Tufa u shpreh se, në veprat që konkuruan për vititn 2010 spikati gjinia e romanit, kritikës e studimit letrar. "Kjo prirje është tregues se letërsia jonë po hyn në një rrugë të një dinamike të re, duke e kapërcyer fazën "romantike" të letërsisë ku dominohej nga poezia", tha Tufa.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mes shkrimtarëve, përkthyesve e personaliteteve të kulturës i pranishëm ishte edhe ministri i MTKRS-së, Ferdinand Xhaferaj, që çmoi se "çmimet Kombëtare të Letërsisë orientohen drejt një përqasjeje të dyfishtë, nga njëra anë përpiqemi të vlerësojmë traditën kombëtare dhe nga ana tjetër përpiqemi të promovojmë prirjet e reja që përshkojnë rrjedhën e letërsisë shqipe". Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë kthyer në një traditë nga MTKRS, juria e të cilave vlerëson veprat më të mira të gjinive të ndryshme, risitë dhe dukuritë letrare të tyre, gjatë një një viti.

Përgatiti:

Halil RAMA

Sabri Hamiti, fitues i "Çmimit të Madh të Letërsisë 2010"


Shkrimtari dhe studiuesi Sabri Hamiti u shpall fitues i "Çmimit të Madh të Letërsisë 2010", me veprën "Poetika Shqipe" dje, paradite në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë. Pas marrjes së çmimit nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, vetë Hamiti tha se, "këtë libër, që kolegët e mi e dallojnë, është në të vërtetë vetëm një titull në trajtën e shquar të një nëntitulli prej 40 vitesh të studimeve të mia letrare"
Nëntë çmime të tjera u ndanë në MTKRS nga emra të njohur të letrave shqipe të përzgjedhur nga juria me kryetar shkrimtarin dhe studiuesin Agron Tufa dhe antarë: Bardhyl Londo, Persida Asllani, Virgjil Muçi dhe Balil Gjini.

Çmimi "Petro Marko" për vitin 2010

I jepet shkrimtarit Ramiz Gjini me romanin "Bibollasit", për risitë letrare që sjell në regjistrat stilistikë të narracionit dhe për konceptin karnavalesk dhe groteskun në paraqitjen e përditshmërisë së shoqërsë sonë, të deformuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale.

Çmimi "Mitrush Kuteli" për vitin 2010
I jepet shkrimtarit Ridvan Dibra, me vëllimin me tregime "Në kërkim të fëmijërisë së humbur", për teknikat narrative të përvojës së gjallë, të rikuptimësuara në korniza kompozicionale dhe paradokset semiotike me kohën.

Çmimi "Lasgush Poradeci" 2010
I jepet poetit Arian Leka me poemën "Ndreqje gabimesh", për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj.

Çmimi "Faik Konica" 2010
I jepet studiuesit Anastas Kapurani me veprën studimore "Migjeni, ose parathënie e dyzuar", për prurjen bashkëkohore në mendimin kritik mbi veprën e Migjenit dhe hapjen e diskuriveitetit shkencor mbi krijimtarinë e tij.

Çmimi "Gjergj Fishta" 2010
I jepet shkrimtarit Visar Zhiti, për librin eseistik "Panteoni i nëndheshëm", për sjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi veprën letrare të shkrimtarëve të ndaluar e të burgosur nën dikataturën komuniste, të cilët nuk patën fatin të komunikonin me lexuesin e tyre, por provuan tragjedinë e dyfishtë si njerëz e si krijues.

Çmimi "Fan Noli" 2010
I jepet përkthyeses Saverina Pasho, me romanin "Ishulli i mundshëm" të shkrimtarit francez Michel Houellebecq, për gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore në një shqipe të pasur, të gjallë e dinamike.

Çmimi "Jusuf Vrioni" 2010
I jepet përkthyesit të njohur Joachim Röhm, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat gjermane.

Çmimi "At Donat Kurti" 2010
I jepet shkrimtarit të ri, Joni Boçarit, me romanin "Bor-for ose provat e Askanos", për gjuhën e gjallë dhe imagjinatën lojacake në krijimin e realiteteve të magjishme e fantastiko-shkencore.

Çmimi "Migjeni" 2010
I jepet poetes debutuese Manjola Brahaj me vëllimin "Vajtimi i Kalipsosë", për gjuhën e pasur dhe imazhet befasuese, në një konceptim modern të strukturës semantike dhe vargut të përpunuar.
Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit 180519_126143607454762_100001773705213_144844_6285802_n

Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit 180193_126143624121427_100001773705213_144845_4064095_n

Solli:Kozeta Zylo

Shkrimtari i mirenjohur Ramiz Gjini shpallet romancieri me i mire i vitit 161188_100001773705213_4808615_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi