Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Libra të rinjë-Salajdin SALIHU:NË VEND TË PARATHËNIES

Shko poshtë

Libra të rinjë-Salajdin SALIHU:NË VEND TË PARATHËNIES Empty Libra të rinjë-Salajdin SALIHU:NË VEND TË PARATHËNIES

Mesazh nga Agim Gashi Fri Feb 04, 2011 3:58 am

Libra të rinjë-Salajdin SALIHU:NË VEND TË PARATHËNIES Ibrahim_Veliu_Kopertina.JPG.scaled500
Libra të rinjë
Ibrahim Veliu- RESH ETJE


Salajdin SALIHU


NË VEND TË PARATHËNIES

Poeti shkruan sepse brenda tij këndon Demiurgu.
Poeti shkruan për lexuesin ideal, kurse poezia thotë gjëra të papërkthyeshme.
Poeti shkruan në një gjendje tjetër, rrethuar me hije e fantazma.
Poeti shkruan sepse për të arti është pjesëmarrje, dialog me botën dhe frymëmarrje.
Kur i mungon lexuesi i sotëm, beson në ardhjen e lexuesit të nesërm.
Poeti shkruan dhe s'e honeps hijen e vdekjes.
Poeti shkruan sepse dëshiron që të rrëfehet.
Poeti shkruan, shqipton një klithmë... shpesh nuk i bëjnë përshtypje lavdia, prestigji dhe paraja...
Nëse për të tjerë janë kulme triumfi, për të mund të jenë vetëm fatkeqësi...
Poeti shkruan sepse është i prekur nga një mallkim hyj-nor.
Ka mundësi mos t’i bëjë përshtypje as promovimi i një libri...
Por një poet s’mund të jetë indiferent kur libri i promo-vohet në prag të Ditës së Alfabetit[1]...
Sepse alfabeti është shpikja më e madhe e njeriut, të vetmes qenie që prodhon simbole dhe kulturë;
sepse alfabeti e shenjon gjuhën;
sepse poetët kanë atdhe gjuhën e cila "hap portat e mendimit" (Brodski);
sepse nëpërmjet shkrimit njeriu pushtoi kohën dhe hapësirën;
sepse nëpërmjet shkrimit siguroi një formë tjetër ekzistence;
sepse nëpërmjet shkrimit sublimoi përvojën e atyre që nuk janë dhe u flet atyre që do të vijnë...
Besoj fuqimisht, se libri i poetit Ibrahim Veliu, “Resh etje”, do ta ketë jo vetëm lexuesin e sotëm, por edhe lexuesin e së nesërmes…

II.
Në këtë vend ku “vetëm arrihet dhe përfundon çdo udhëtim” dhe në këtë kohë kur “të vetëpëlqyerit promovojnë raritetet e marrëzisë dhe shpallen heronj kombëtarë”, kur “për një frymëmarrje mund të përjashtohemi nga ëndrra”, kur “anonimët defilojnë shpengueshëm” dhe maskat fillojnë “ushtrimin e shtirjeve dhe stërvitjen e grimasave”, nuk ka gjë më të bukur se sa t’i kthehemi poezisë, të “ëndërrtës, të lehtës, flatërores dhe të shenjtës” (Platoni).
Duke iu kthyer poezisë arrijmë që të shqiptojmë më fuqishëm fjalën NJERI.
Duke e shqiptuar fjalën NJERI zgjojmë respektin për të dhe nuk e shndërrojmë në statistikë.
Duke e lexuar poezinë e Ibrahim Veliut ne pasurojmë vetveten dhe bëhemi më njerëzor...
Poeti Odiseas Elitis thoshte se ne kemi nevojë të shqiptonim fjalën NJERI, për shkak të përbindëshave që duhej t’i shkatërronim brenda vetes, duke aluduar, kështu, në për-balljen mitike ndërmjet Edipit dhe Sfinksit, kur ky i fundit u zhbë sapo u përmend NJERIU.

III.
Ibrahim Veliu, ky njeri i heshtur, i fisëm; ky banor i azilit të kësaj bote, që s’e honeps zhurmën, rrëmujën e rrëmetin, as hosanatë dhe trumbetat, po këndon në heshtje një këngë të dhimbshme, siç është kënga e të gjithë atyre që artin e konsiderojnë si nevojë për të krijuar.
Ai vazhdon që të shkruajë poezi në këtë kohë kur poetët priten, ashtu si në çdo stinë të historisë njerëzore, me për-çmim. Sepse janë arkitektë të qiellit, albatrosë që reflektojnë bukuri mahnitëse atje në lartësitë qiellore, kurse poshtë, pranë kapitenëve të anijes që noton në oqean absurdi, duken si qenie që zgjojnë talljen njerëzore.
Bota gjithmonë kështu i ka pritur poetët dhe kjo atyre s’u ka bërë përshtypje.
Ky keqkuptim ndodh për shkakun se poezinë nuk e lexojmë ne, por kultura jonë.
Kur poezinë s'e gjejmë në vetvete, atëherë fajësojmë poetin dhe e marrim për të krisur.
Bota gjithmonë u është gëzuar spektakleve...
Ibrahim Veliu shkruan poezi në një kohë kur thonë se poezia po shuhet përgjithmonë.
Ai shkruan se është poet, pjesë e racës së atyre që besojnë se për sa kohë njerëzit ëndërrojnë, do të kenë nevojë për poezinë.
Por, poezia, kurdoherë, do të jetë princeshë artesh që jo çdokush do t’i afrohet.
Pranë princeshës janë princërit, kontët e konteshat. Ata që dinë dhe që duan t’i aviten kurorës shkëlqimtare.

IV.
Poeti Ibrahim Veliu nuk është indiferent ndaj zhvillimeve të kohës së tij, por ai nuk e torturon poezinë, nuk e shndërron në pamflet, nuk e zhvesh gjuhën nga magjia. Ai nuk i ka dhënë vetes kurrfarë misioni. Poezinë nuk e ka shndërruar në parullë. Nuk pretendon që të jetë prej ideologëve “me pak ide dhe shumë frymë për të folur” (O.Paz).
Poezia e Ibrahim Veliut përfaqëson një kohë intime dhe personale, e cila, sa do e tillë, është edhekohë historike dhe sociale (sërish O.Paz).
Në poezinë “Medaljon i falur” i kundërvihet estetikisht shëmtisë, me formë qeniesh që mbartin në qafë dhëmb miu, dhëmb të një brejtësi, të “vetmin medaljon të paturpësisë”.

V.
Poetin më shumë e frymëzon ambienti rural, që është bota dhe përtejbota e tij.
Në atë ambient ai kërkon hijet e më të dashurve - hijen e babait që “iku nga shtëpia një mëngjes me këmishë të krah-nezë dhe këpucë ajri”.
Është kërkim i së munguarës për të cilën kemi nevojë.
Duke i kujtuar ata që i kemi humbur përgjithmonë, ne i ngjallim brenda vetes. U japim jetë.
Jemi të gatshëm t’u falim gjithçka pa kërkuar asgjë si kundërvlerë.
Ai kujton babanë e pamoshë, të urtë, të shumëfishuar, që ruan mistere brenda vetes; babanë e veshur me petk epik që, herë pas here, “var rrebet e ditës”“degët e gështenjave”.
Ai kujton të ëmën, një grua sqimatare, të fisme, të përku-shtuar. Dy hije që dridheshin “në ethet e njëri tjetrit”.
Derisa në një anë kujton rrënjët e tij, nga ana tjetër komunikon me degët, pra me pasardhësit.
U fal dashuri njerëzore dhe keqardhje për një ikje të ardhshme, dialektike...

VI.
Libri “Resh etje” është i strukturuar si tërësi, i shkruar me një gjuhë të pasur figurative, pa sforcime e stërzgjatje. Çdo pjesë funksionon brenda tërësisë. Si i tillë na krijon kënaqësi estetike.Poezia e Ibrahim Veliut, e ngjeshur me figura, është si ëndrra, e ngatërruar dhe pashpjegueshme. Pikërisht te kjo pamundësi deshifrimi është madhështia e artit.

VII.
Ibrahim Veliu na ka ofruar një libër që do ta ruajë gjithmonë autonominë e tij dhe nuk do të ketë nevojë për autorin. Një libër që, besoj, se nuk do t’i mbyllet horizonti i pritjes. Një libër që e nderon autorin.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi