Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prof. Aleksandër Kocani:A duhen pranuar rezultatet e sondazheve të ZOGBY?

Shko poshtë

Prof. Aleksandër Kocani:A duhen pranuar rezultatet e sondazheve të ZOGBY? Empty Prof. Aleksandër Kocani:A duhen pranuar rezultatet e sondazheve të ZOGBY?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 17, 2009 12:33 am

A duhen pranuar rezultatet e sondazheve të ZOGBY?

Prof. Aleksandër Kocani
Gabimi që është bërë me sondazhet e tipit ZOGBY (ka pasur edhe të tjera si këto më parë) qëndron në zbatimin mekanik të një metodologjie të përcaktimit dhe realizimit të kampionimit (që mund të ketë patur sukses në sondazhet e zhvilluara në SHBA) pa përfillur se është ruajtur në skemën logjike të ndërtimit të hipotezës së anketimit një premisë që nuk mund të pranohet për shoqërinë politike aktuale shqiptare.


Prej më se dy javësh në shumicën e kanaleve televizive shqiptare po “gumëzhihet” lidhur me rezultatet e sondazheve të kryera nga një kompani prestigjioze amerikane, ZOGBY. Në panele të ndryshme janë thirrur politikanë e analistë nga më të ndryshëm për të diskutuar për pranueshmërinë ose jo të rezultateve të këtij sondazhi si dhe për interpretimin e tyre. Ata që mungonin (me sa kam ndjekur emisionet përkatëse) në këto panele ishin vetëm profesionistët e fushës së metodave të kërkimit që kanë kompetencë sa teorike aq edhe praktike për metodat e kryerjes së studimeve empirike sasiore në fushën e shkencave sociale. Sigurisht që ka interes që të merren opinionet e analistëve lidhur me interpretimin apo shpjegimin e shifrave që japin rezultatet e anketimeve mbi sjelljen votuese të elektoratit në Republikën e Shqipërisë. Pra, për një publik të kulturuar është me vlerë që të hamendësohen shkaqe të ndryshme që shpjegojnë përse bie apo rritet përqindja e mbështetjes për “X” apo “Y” partie, nisur nga lëvizjet apo angazhimet politike të saja. Natyrisht që këtë mund ta bënin më mirë analistë me formim politologu, por kjo është një çështje tjetër që kërkon diskutim më vete. Por, ajo që anashkalohet në këtë rast, dhe kjo duket nga përjashtimi në debatin publik i profesionistëve të metodave të kërkimit, është shqyrtimi kritik, me kompetencë shkencore i besueshmërisë dhe vlefshmërisë së rezultateve të këtyre sondazheve. Pa një shqyrtim të tillë, pa vendosur paraprakisht në se rezultatet në fjalë janë relativisht të pranueshme, domethënë, janë në përputhje me metodologjinë e kërkimit shkencor, nuk ka kuptim që të kalohet në analizën cilësore të tyre në rafshin e interpretimit. Me një fjalë, fillimisht duhet të bihet dakord, në bazë të një shqyrtimi rigoroz shkencor të komponentëve kryesore të metodologjisë së bërjes së sondazhit, në se rezultatet e tij janë të pranueshme në masën e një gabimi të matjes të arsyeshëm të parashikuar nga teoria dhe, në veçanti, praktika e anketimeve në realitetin shqiptar. Më tej, në se pranohen besueshmëria dhe vlefshmëria e këtyre rezultateve, pra, marrja e tyre si të mirëqena, mund të kalohet në analizën e shkaqeve të tendencave të ndryshme të sjelljes votuese të elektoratit shqiptar qoftë edhe e përthyer ndaj partive të ndryshme.

Ku qëndron problemi në rastin konkret?

Është përdorur një metodologji që, në vetvete, duket e pranueshme dhe që mund të përdoret me mjaft sukses në shoqëri të caktuara që janë të emancipuara nga pikëpamja politike, të themi, në SHBA. Domethënë një metodologji që ndjek (me sa duket) me korrektesë rregullat e përcaktimit të madhësisë së kampionimit (rreth 1000 respondentë), gjë që është mjaft e pranueshme për realitetin shqiptar, si dhe mënyrën e përzgjedhjes dhe realizimit të kampionimit (sample): me bistakë (cluster), me strate bazuar në zonat elektorale (këtu mund të ketë vështirësi realizimi sidomos në qytetet relativisht të mëdha), që përmbyllen me zgjedhje rastësore të tipit sistematik të familjeve dhe respondentëve. Kjo përmbyllje ka vetëm një të metë: ajo identifikon familjen apo personin e intervistuar. Nuk mund t’i thuhet atij se do të mbetet anonim pavarësisht se çfarëdo që të thotë. Këtë askush nuk do ta besonte. Aq më pak një i intervistuar në shoqërinë aktuale shqiptare. Në se atij nuk do t’i bëheshin pyetje që konsiderohen në shoqërinë e sotme si delikate, domethënë pyetje që identifikojnë preferencat e tija partiake apo të udhëheqësve partiakë, këtu nuk do të kishte asnjë problem me mungesën e anonimatit të respondentit. Mirëpo, siç shihet nga ekspozea e rezultateve të sondazhit të ZOGBY (paraqitur, për shëmbull, nga gazeta “Shqip” e datës 11 Mars 2009), del se ka pyetje të drejtpërdrejta lidhur me partinë që do të votojë respondenti dhe vlerësimin e dy udhëheqësve kryesorë, zotërinjve Berisha dhe Rama. Vëzhgimet dhe anketimet e ndryshme kanë treguar se votuesit në vendin tonë e perceptojnë si të rrezikshme për statusin e tyre social (punësimin, vlerësimin etj.) identifikimin e bindjeve të tyre politike. Kjo i ka bërë ata dyshyes ndaj personave që u bëjnë atyre pyetje delikate politike (të tipit të simpative ose kritikave ndaj partive apo udhëheqësve partiakë). Një faktor i tillë është për t’u patur në konsideratë në lidhje me vlerësimin e shkallës së sinqeritetit të përgjigjeve të respondentëve, e cila ndikon drejtpërdrejtë në shkallën e besueshmërisë dhe vlefshmërisë të rezultateve të anketimit që përdor pyetje të tilla delikate. Se sa ndikon pikërisht një faktor i tillë (në kushtet e identifikimit të respondentit), nuk mund të thuhet konkretisht pa bërë matjet përkatëse. I intriguar nga një problem i tillë, Departamenti i Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës, gjatë periudhës mars – maj 2009 do të zhvillojë dy anketime për sjelljen votuese të elektoratit të qytetit të Tiranës (për mungesë fondesh nuk shtrihet në tërë vendin, sepse fondet për këto studime i marrin vetëm OJF!) me synim matjen e diferencave në vlerësimin e preferencave partiake. Anketimet do të zhvillohen me të njëjtin kampionim si madhësi (500 respondentë votues të qytetit të Tiranës), me të njëjtin pyetësor dhe pothuajse me të njëjtin tip kamionimi. Ndryshimi do të jetë vetëm në hallkën e fundit të mënyrës së kampionimit: anketimi i parë do të ndjeki rrugën e zgjedhjes në fund të respondentëve me sistemin kuotë (sipas gjinisë dhe grup-moshës), gjë që siguron anonimatin dhe shkallë më të lartë sinqeriteti në përgjigjet e tyre (ndonëse e rrit pak papërcaktueshmërinë apo gabimin që sjell kampionimi). Anketimi i dytë do të ndjekë në fund sistemin e përzgjedhjes në mënyrë sistematike (si sondazhet e ZOGBY), gjë që supozohet se do ta ulë shkallën e sinqeritetit në përgjigjet e respondentëve. Vetëm mbas këtij eksperimenti do të jemi në gjendje që të flasim konkretisht me shifra lidhur me marzhin e gabimit që bëhet kur supozohet se identifikimi i respondentëve nuk ndikon në shkallën e sinqeritetit të respondentëve, kur atyre iu drejtohen pyetje delikate politike.

Çfarë propozohet konkretisht

Gabimi që është bërë me sondazhet e tipit ZOGBY (ka pasur edhe të tjera si këto më parë) qëndron në zbatimin mekanik të një metodologjie të përcaktimit dhe realizimit të kampionimit (që mund të ketë patur sukses në sondazhet e zhvilluara në SHBA) pa përfillur se është ruajtur në skemën logjike të ndërtimit të hipotezës së anketimit një premisë që nuk mund të pranohet për shoqërinë politike aktuale shqiptare. Fjala është për supozimin se shoqëria politike në fjalë është e emancipuar në atë shkallë, sa që është garantuar sinqeriteti i përgjigjeve edhe ndaj pyetjeve lidhur me preferencat partiake apo liderve partiakë të respondentëve pavarësisht nga realizmi apo jo i anonimatit të tyre. Kjo premisë, siç tregojnë vëzhgimet në terren, ende nuk vlen për shoqërinë e sotme politike shqiptare. Kështu që pranimi apo nënkuptimi i saj e bën mjaft të dyshimtë besueshmërinë e rezultateve të anketimit që e përfshin atë në skemën e vet logjike (epistemologjike) dhe e bën të pranishëm manipulimin e mundshëm të opinionit publik shqiptar. Prandaj këtu ka përveç problemit shkencor edhe një problem etik.
Për të shmangur këtë problem sa shkencor, aq edhe etik, propozojmë që në kuadrin e sondazheve të sjelljes votuese të elektoratit shqiptar të ndërtohen kampionime që në fund të hallkës së tyre të kenë elementin kuotë (sipas gjinisë dhe grup-moshës), në mënyrë që të sigurohet realisht anonimati i respondentëve dhe, me të, edhe shkalla e pranueshme e sinqeritetit të përgjigjeve të tyre. Për të garantuar e rritur këtë shkallë sinqeriteti në përgjigje, propozojmë që në pyetësor të shmangen pyetjet e drejtpërdrejta delikate, duke u zëvendësuar secila prej tyre me disa pyetje të tjera, në thelb të barazvlerëshme, por jo të drejtpërdrejta. Këto propozime bëhen duke u mbështetur nga përvoja mbi 16 vjeçare e zhvillimit të anketimeve në shoqërinë shqiptare në tranzicion. Së fundi, pyetjes së bërë në titull, do të mund t’i jepet një përgjigje të konkretizuar në shifra të marzheve të gabimit të bërë vetëm mbasi të mbyllet eksperimenti i nisur nga ky departament.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi