Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz

Shko poshtë

Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz Empty Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 17, 2009 12:45 am

Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz

Rennes de Chateau/Një fshat i vogël në qendër të misterit
Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz Sh_b
"Ky është një vend i tmerrshëm"
Rennes le Chateau është një fshat i vogël në Pirenejtë francezë. Në qendër të tij, një kishëz fshati e cila pak më shumë se një shekull më parë po shembej përtokë. Prifti që vendosi ta restaurojë quhej François-Bérenger Saunière: ai vendim, i cili ndryshoi jetën e shumë njerëzve duke filluar me të tijën, i dha jetë një prej mistereve më kompleksë e më të papenetrueshëm të historisë së të gjithë kohërave.
Afro 200 banorët që jetojnë aty bashkëjetojnë me një seri pyetjesh... e para prej të cilave nuk mund të mos jetë kjo: A është vërtetë e mundur që në një vend të vogël të përqendrohen, shekull pas shekulli, kaq shumë enigma?
Çfarë e lidh këtë fshat të vogël francez me pasionin e Jezusit? Përse ky vend ishte kaq shumë i rëndësishëm për romakët dhe visigotët, për templarët dhe katarët, për Nicolas Poussin, një piktor i madh i viteve gjashtëqind dhe për vëllanë e Perandorit të Austrisë? Përse artistë dhe njerëz të pushtetshëm gjatë shekullit të fundit kanë dashur të vizitojnë Rennes le Chateau? Përse në kishën e restauruar nga Sauniere ka hieroglife që të çojnë në misteret e Egjiptit dhe inicialet e emrave të shenjtëve që janë pikturuar në statuja formojnë emrin GRAAL? Përse zonja e shërbimit dhe trashëgimtarja e Berengere, Marie Denardaud, thoshte se "njerëzit që jetojnë këtu ecin mbi flori dhe nuk e dinë"? Përse në derën e hyrjes në Kishën kushtuar Mari Magdalenës - një fakt që siç do ta shohim nuk është i rastësishëm - François-Bérenger Saunière kërkoi që të shkruhet në latinisht: "Ky është një vend i tmerrshëm"?
Kur, në vitin 1885 Sauniere mbërrin në Rennes le Chateau, ai gjen një mal me probleme përpara tij. Prifti i varfër duhet që të vuajë nga kufizime të mëdha ekonomike, si dhe të përballet me problemin që paraqet një kishë në qendër të fshatit, e cila po shembej copë pas cope. Pavarësisht gjithë këtyre, i hyn punës dhe pak nga pak arrin të vërë në vijë punët. Fillimisht me shumë mundim dhe më pas, krejt papritur, situata ndryshon. Dhe ndryshon në një datë të saktë. Pas pothuajse shtatë vitesh kufizime dhe shtrëngime, Sauniere shkruan në ditarin e tij: "Sot kam gjetur një thesar"!
Eshtë ndoshta kjo dita kur Sauniere, duke spostuar altarin e Kishës - që në atë kohë ishte i ngjitur pas murit për arsye se prifti që mbante meshën ndryshe nga sot, u kthente shpinën besimtarëve - gjeti katër pergamenë antikë në brendësi të një shtylle mbajtëse. Dy prej këtyre pergamenëve e kishin origjinën që në Mesjetë, ndërsa dy të tjerë ishin shkruar nga një paraardhës i Sauniere, abati Antoine Bigou, i cili kishte drejtuar para tij kishën e Rennes.
Sauniere ia çon menjëherë këto dokumente peshkopit të tij në fshatin pranë, Carcassonne dhe ky i fundit e autorizon që të shkojë në Paris. Çfarë të bënte në Paris? Nuk është shumë e qartë: ndoshta për të konsultuar pergamenët me ndonjë ekspert, por edhe për të bërë ndonjë verifikim personal. Në fakt, është e sigurtë se përveçse ka frekuentuar disa qarqe fetarë në Paris, Berengere jepet edhe pas jetës së bukur dhe kalon shumë kohë në Louvre, dhe saktësisht në sallat ku qëndrojnë të ruajtura veprat e një piktori të madh manierist të gjashtëqindës: Nicolas Poussin.Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz +++rennes-le-chateau_
Mes pikturave të Poussinit, njëra në mënyrë të veçantë i interesonte Sauniere: "pastorët e Arkadias", e realizuar në vitin 1640 ku paraqitet një sarkofag antik me mbishkrimin "Et in Arcadia Ego". Shumëkush këmbëngul se sarkofagu dhe panorama që e rrethon kujton një skenar me të vërtetë ekzistent në rrethinat e Rennes le Chateau, edhe pse nuk rezulton që Poussin (një piktor shumë i njohur dhe shumë i studiuar) nuk ka qenë kurrë në ato anë.

Dhe Berengere do të kërkojë një kopje të kësaj pikture, bashkë me disa kopje të pikturave të tjera. Çuditërisht, mes veprave që filluan t'i interesojnë ishte edhe portreti i një pape shumë të veçantë: Çelestino V, një Papë që nuk shkoi asnjëherë në Romë dhe i cili jetoi dhe vdiq në l'Aquila. Çelestino, mes shumë gjërave të tjera, ishte paraardhësi i Bonifacit VIII, i cili pati shumë rol në shpërndarjen e përgjakshme të urdhërit të templarëve, në fillimin e Treindës. Një rrethanë kjo që shndërrohet në unike për arsye se historia e templarëve dhe ajo e Renne kanë lidhje me njëra tjetrën...
Duke u kthyer në Rennes le Chateau brenda pak vitesh, thuajse si për mrekulli Sauniere do të arrijë të ristrukturojë kishën me një shpenzim të madh mjetesh ekonomike dhe ai vetë duke kaluar në një stil jetese të kushtueshëm, pa dhënë asnjëherë shpjegime për këtë ndryshim të papritur. Disa kanë përllogaritur se brenda pak vitesh, Sauniere shpenzoi afro 15 milion euro. Jo vetëm kaq, pas atij zbulimi abati nisi të kryejë ekskursione të gjatë, pas të cilëve rikthehej me qerre të mbushura me gurë, të cilët mbyllej dhe i studionte në sakristi. Çfarë kishte mësuar Sauniere? Çfarë lloj thesari kishte gjetur?
Hipoteza e parë: ka nga ata që mendojnë për gjetjen e një thesari në kuptimin klasik: flori, gurë të çmuar, para... dhe në këtë rast do të bëhej fjalë për vlera të krijuara në epoka shumë të largëta. Përse thesari i Rennes le Chateau është i ndryshëm nga gjithë të tjerët? Pak sepse është më antiku dhe pak sepse bëhet fjalë për një thesar të përbërë nga shumë thesarë, të cilët të formuar përgjatë historisë, për një arsye apo për një tjetër, kanë përfunduar gjithmonë nga këto anë. Ajo që tashmë i përket këtij fshati të vogël është një sagë e jashtëzakonshme që nis nga thesari antik i Tempullit të Solomonit në Jeruzalem, kalon nëpër romakët dhe visigotët e lashtë, kalon nëpër katarët, heretikët e zhdukur jo shumë larg prej këtu, në Montsegur në vitin 1244 dhe mbërrin tek Kavalierët Templarë.
Në rast shumë të çuditshëm të historisë, kur visigotët plaçkitën Romën morën edhe thesarin e tempullit të Jeruzalemit që Titi kish marrë me vete kur kishte pushtuar qytetin në vitin 66. Migrimi i tyre nuk u ndal në Itali, por vazhdoi deri në Pirenejtë, ku u krijua për pak kohë një mbretëri visigote. Por koincidencat nuk mbarojnë këtu: në fakt, gjithmonë në këtë zonë i pati rrënjët herezia e katarëve, mbrojtës të mundshëm të pasurive shumë të mëdha që u zhdukën me eleminimin e rezistencës së fundit të katarëve, shumë pranë në Mont Segur. Edhe shumë fortesa të templarëve u ngritën në këtë zonë, sipas disave a thua duhej të mbronin një thesar shumë të madh që vazhdonte të pasurohej me të ardhur të tjerë. Dhe, gjithmonë nëse duam të vlerësojmë koincidencat, nuk mund të shpëtojë fakti që, nëse e gjithë kjo është e vërtetë, atëherë thesari mitik i Tempullit të Jeruzalemit u zbulua disa shekuj më vonë se ishte ruajtur nga një urdhër kavaleresk, i cili e kish marrë emrin pikërisht nga fakti që qendrën e tij të parë e kish patur, menjëherë pas kryqëzatës së parë, në njërin krah të atij që dikur kishte qenë tempulli i madh i Solomonit.
Hipoteza e dytë: Thesari i Sauniere nuk ishte një thesar i vërtetë, por një seri dokumentdsh në gjendje që të konfirmonin një legjendë antike, që i përkiste pikërisht këtij vendi. Sipas kësaj legjende, Jezusi nuk vdiq në kryq por, i shpëtuar nga të tijtë, arriti të largohet nga Palestina dhe të mbërrijë në jug të Francës. Bashkë me të, në grupin e vogël të hebrenjve kristianë që kishin marrë arratinë, sipas legjendës thuhet të ketë qenë edhe Mari Magdalena, prostituta që, sipas Biblës Jezusi e kishte konvertuar. Një tjetër version i legjendës thotë që në këto anë erdhi vetëm Mari Magdalena me disa hebrenj të tjerë. Sido që të jetë, në tokën ku thuhet se shekuj më parë ishin strehuar disa pasardhës të Jezusit, Thesari i Tempullit të Jeruzalemit gjeti vendndodhjene tij të re. Nga ai komunitet i vogël hebrenjsh të arratisur nga Palestina do të ishte zhvilluar më pas linja e pasardhësve që do t'i jepte jetë dinastisë së parë të mbretërve francezë, merovinjëve. Pra, pasuria e Berengere mund të ketë ardhur nga shitja e dokumenteve që kanë lidhje me këtë histori apo nga ndonjë e njohur arkaike e fetare.
Hipoteza e tretë: Kjo është më prozaikja dhe ka lidhje me faktin që François Berengere Sauniere ka qenë i dhënë pas një trafiku donacionesh dhe, të thuash të drejtën, nuk kuptohet se si mund të shpjegohet lëvizja e madhe e personazheve dhe paratë që rrethuan priftin gjatë gjysmës së dytë të jetës së tij.
Një gjë është e sigurtë: brenda pak viteve, nga një prift anonim fshati, Sauniere u shndërrua në një njeri të pasur dhe të rëndësishëm. I pasur sepse shpenzonte pa hesap, duke ndërtuar një shtëpi luksoze, kopshtin, Belvederen si dhe kullën e Magdalës për bibliotekën. Bleu troje dhe dha para për bamirësi. Por ndërtoi edhe një rrugë për të mbërritur në Rennes Le Chateau. Një vepër kjo që mund ta lidhim qoftë me faktin që me siguri Sauniere donte të ndante me bashkëfshatarët e tij një pjesë të pasurisë, qoftë sepse donte t'ua lehtësonte udhëtimin njerëzve të rëndësishëm që vinin ta takonin. Mes tyre Emma Calve, këngëtarja lirike më e njohur e kohës, një lloj Maria Callas, por edhe Sekretari i Shtetit për Kulturën si dhe fisnikë dhe bankierë të shumtë. Por ai që shkakton më shumë habi është duka Xhovani i Habsburgut, vëllai i Perandorit të Austrisë, Francesco Giuseppe, i cili i dërgoi shuma të mëdha parash Saunierit.
Sauniere nuk jetoi megjithatë kurrë në shtëpinë luksoze dhe në shtratin. Atje u shtri vetëm kur ishte i vdekur: kjo shtëpi i shërbente për të pritur, në një tokë jo shumë mikpritëse, vizitorët e rëndësishëm, si për shembull vëllanë e perandorit të Austrisë.
Dhe fluksi i njerëzve të famshëm që kanë vizituar Renne Le Chateau, një fshat ku nuk ka asgjë që të mos lidhet me jetën e çuditshme të Berengere Sauniere, është i gjatë edhe në vitet e mëvonshëm: Mitterand, Marlene Dietrich, Grace Kelly, Josephine Baker dhe Richard Wagner. Në mënyrë të veçantë, kompozitori gjerman, shumë i adhuruar nga Hitleri dhe nazistët, erdhi në këto anë përpara se të kompozonte operën e tij "Parsifal", një histori ku një rol qendror ka kërkimi i GRAAL-it mitik. Mos ndoshta këtë kërkonin njerëzit e ushtrisë gjermane në 1943-'44 gjatë gërmimeve të tyre të vrullshëm nën drejtimin e hierarkut nazist më të spikatur për dijet e tij fetare, Otto Rahn?
Eshtë e mundur që një pjesë e sekretit të Sauniere është i ruajtur përmes simboleve të shumtë që ndodhen në kishën e restauruar dhe të dedikuar Mari Magdalenës. Ja më kryesorët:
1) Mbi portën e hyrjes ka një shkrim në latinisht që thotë: "Ky është një vend i tmerrshëm"
2) Baseni i ujit të shenjtë mbahet nga një demon, figura e të cilit është shkëputur nga një libër i bibliotekës së Sauniere. Në atë libër, demoni thërritet "Asmodeo": në mitologjinë hebreje ishte ky emri i mbretit të demonëve dhe ruajtësit të tempullit të Solomonit.
3) Në një mozaik mbi altar është konfiguruar Darka e Fundit me një grua, në këmbët e Krishtit që mban një kupë në duar. Një çiftëzim ky i Darkës së Fundit dhe Mari Magdalenës që nuk gjendet në rrëfimet e Biblës.
4) Në një afresk të madh në mur dallohet një çantë gjysmë e hapur prej nga del shkëlqimi i fliririt; veç të tjerash, inicialet e emrave të shenjtëve në statujat e Kishës formojnë emrin GRAAL.
5) Disa prej karakteristikave të Kishës sjellin në vëmendje tekstin e një prej pergamenëve të gjetur.
Por Sauniere nuk u kufizua vetëm tek Kisha: restauroi vendin e meshës, riorganizoi varrezën, krijoi një kopsht gjeometrik përpara Kishës. Në qendër të kopshtit një statujë e Virgjëreshës të vendosur mbi një prej dy kolonave të lashta që mbanin dikur altarin antik të Kishës. Një tjetër gjë e çuditshme: ndërtoi një studio në krah të varrezës, një studio që është e bazuar mbi një çisternë shumë të madhe me ujë. Dhe një herë që pati një zjarr të madh, u bekua jo pak nga banorët për të mirën që përbënte për arsye se uji u përdor për shuarjen. Si ka mundësi? Sipas disa ekspertëve të magjisë, uji është një mbrojtës i fuqishëm nga prurjet negative dhe Sauniere - i cili është i njohur për lidhjet me qarqe të fshehtë e të lidhur me magjinë - ndoshta nuk donte të hiqte dorë apo kish nevojë për kërkimet e tij

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz Empty Re: Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 17, 2009 12:46 am

Thuhet se gjatë kërkimeve Sauniere shkatërroi disa varre pikërisht për të mos lënë gjurmë të zbulimeve të tij. Mes tyre rasti që bëri më shumë bujë ishte ai i varrit të një gruaje fisnike të zonës, e cila kish vdekur një shekull më parë: quhej Marie, ishte markesa e d'Hautpoul de Blanchefort. Mbi varrin e saj kishte një mbishkrim goxha të çuditshëm, hartuar nga paraardhësi i Sauniere, abati Bigou. Gjëja e çuditshme është se Bigou kish qenë kapelan i familjes fisnike të Blanchefort, familje që mes të tjerave kish nxjerrë nga gjiri i saj një Zot të Madh të templarëve, Bernard de Blanchefort, mjeshtër i katërt i urdhërit, njeri që kish kryer gërmime misteriozë në këto zona, mbi të cilat kish ngritur edhe kështjellën e tij në një distancë dy kilometra vijë ajrore nga Rennes.
Mbishkrimi i Bigou, të cilin Sauniere e shkatërroi, por që kish qenë kopjuar më parë, kishte përmendje të atyre që thuheshin në tekstet e pergamenëve të gjetur poshtë altarit. Në mënyrë të veçantë, po të vësh në radhë vetëm fjalët e shkruajtura duke marrë parasysh gabime dhe hapësira të dyfishta arrihet të formohet - sipas disave - fraza: MBRETIT DAGOBERT DHE SIONIT I PERKET KY THESAR
Mbreti Dragobert ishte një mbret merovinj dhe përmendja e thesarit të Tempullit të Jeruzalemit është evidente. Më pas, pergameni përmend "Rojën Demon" i risjellë në basenin e ujit të shenjtë, demonin Asmodeo që bënte rojën e thesarit të Tempullit dikur.
Kulla e Magdalas. Kulla-bibliotekë e dedikuar Magdalenës mbyll perimetrin e shtëpisë dhe parkut të vogël të dëshiruar nga Sauniere. Prifti nuk deshi kurrë të shpjegojë përse kish kaq shumë para në dispozicion dhe nuk nxorri nga goja as edhe një fjalë, edhe atëherë kur u pezullua nga Kisha. I ripranuar në Kishë pak vite para vdekjes, Berengere Sauniere në momentin që ndërroi jetë nuk rezultonte pronar i asgjëje. Gjithçka i ishte kaluar shërbyeses së tij dhe ndoshta edhe të dashurës: Marie Denardaud, e cila jetoi në shtëpinë luksoze të Sauniere deri ditën që vdiq, në janar 1953. Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, me hyrjen e frangave të reja, u pyet se kush donte që të ndërronte monedhat e vjetra me të rejat. La Denardaud nuk deshi kurrë t'i nënshtrohej një "hetimi" të tillë dhe thuhet se ajo kishte djegur shumë kartëmonedha në këtë kopsht. Edhe ajo e mori me vete në varr sekretin.
Por as ajo dhe as Sauniere nuk i kishin bërë llogaritë me një ndërtues në Rennes, i cili kishte kryer të gjithë punimet për priftin e pasur, duke përfshirë ndërtimin e kullës së Magdalës. Në ditarin e atij ndërtuesi, trashëgimtarët kanë gjetur një shënim në të cilin ai rrëfen se kishte marrë urdhër nga Sauniere që të fshihte një shtëpi poshtë kësaj kulle. Dhe hetime të mëtejshëm me përdorimin edhe të teknologjisë së lartë të skanimit kanë zbuluar praktikisht se poshtë asaj kulle është një paralelpiped (një shtëpi) por ende nuk është nxjerrë jashtë.
Cfarë fsheh?
"Ky është një vend i tmerrshëm", shkruhet në latinisht në portën kryesore të kësaj kishe të vogël, por shumë të famshme. Por mund edhe të kishin shkruajtur: "Ky është një vend i mbushur me mistere". Dhe kjo me siguri që do të ishte e vërtetë.
Kthehemi sërish në Renne Le Chateau, në jug të Francës. Një grusht shtëpish që shumë harta vazhdojnë ende të mos i përfshijnë por ku, edhe pas vdekjes së protagonistëve të kësaj historie, personazhe të fuqishëm, të pushtetshëm e misteriozë kanë vazhduar të vijnë. Përse?
Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë viteve të fundit: gërmime të reja, kërkime të reja, si dhe një libër. Pak kohë më parë u zhvilluan gërmime që do të duhej të zbulonmin të paktën një prej mistereve të mëdhenj të Renne Le Chateau... Dhe gërmime ndodhën. Por pati edhe të tjera. Në fakt, në një kohë që kërkohej të vihej rregull mes mijëra pyetjeve mbi këtë fshat të vogël, gjërat nisën të ndërlikohen disi për shkak të suksesit mbarëbotëror të një libri që qëndroi për shumë kohë në krye të klasifikimeve të shitjeve të të gjithë botës. "Kodi i Da Vinçit" përmend në mënyrë të vazhdueshme misteret e Renne Le Chateau, ndonëse nuk e përmend asnjëherë me emër fshatin.
Një prej çelësave të misterit të Rennes Le Chateau qëndron në faktin që ky vend dhe banorët e tij të lashtë duhet të kenë qenë të lidhur me "trashëgiminë mesianike", domethënë me linjën e pasardhësve që ka nisur me Jezusin dhe që i dha jetë dinastisë së Merovinjëve.
Pas largimit të tyre, është vazhduar me dinastinë e Karolinjëve, me atë të Charlemagne. Kjo lloj "trashëgimie" ka vazhduar në mënyrë të fshehtë, falë punës së një urdhëri të fshehtë që vazhdon të jetë aktiv edhe sot: "Paria e Sionit". Në fakt gjithonë është menduar se Paria e Sionit, gjatë shekujve kishte fshehur gjithmonë pikërisht në Renne Le Chateau provat e legjendës së mësipërme. "Kodi i Da vinçit" e konfirmon. Por, nëse bëhen verifikime, arrin në konkluzionin se gjërat nuk janë pikërisht ashtu si na bën të besojmë libri.
Të mohosh që Paria e Sionit ka patur dhe vazhdon të ketë edhe sot rolin që shumë kërkime dhe tashmë edhe libra i atribuojnë, nuk do të thotë megjithatë që përreth Renne le Chateau lëvizin forca dhe interesa të fshehtë.
A mund të hipotizohet se ka qenë lançuar një diskutim strategjik që synon të diskretitojë fenë katolike? Sepse, ose gjithçka është e vërtetë (por deri më sot mungojnë provat reale historike dhe arkeologjike), ose ndokush është duke u përpjekur, me një farë suksesi, që të mbjellë dyshime? Dhe nëse kjo është e vërtetë, cili mund të jetë?
Ndoshta princi kundërshtar i Krishtërimit? Renne le Chateau është shtëpia e Djallit?
Por, edhe pa thirrur në vëmendje Të Keqin, ka nga ata që janë të bindur se interesa të mëdha dhe organizata me mjete dhe mënyra ende të paqarta janë duke shfrytëzuar interesin që zgjon në të gjithë botën historia e Renne Le Chateau.
Mariano Bizarri, një profesor i historisë, thotë se disa organizata në Amerikë, kanë interes që të përziejnë letrat dhe të diskretitojnë Kishën, duke shkatërruar kështu një trashëgimi kulturore mbi të cilën është ndërtuar në fakt Perëndimi. Edhe suksesi i librit "Kodi i Da Vinçit" ka qenë ndërtuar dhe planifikuar në tryezë pikërisht nga këto lloj organizatash.
Nëse ka një gjë që në Renne Le Chateau nuk mungon asnjëherë, këto janë pikëpyetjet. Edhe pa parinë e Sionit, gjërat që duket se nuk shkojnë aty janë të shumta. Një prej atyre më të jashtëzakonshmet ndodhen pikërisht nën Kullën e famshme. Pak vite më parë, doli në dritë ditari për të cilin folëm më sipër, i njeriut që kishte kryer të gjithë punimet për Sauniere, duke përfshirë edhe ndërtimin e Kullës së Magdalës.
Në ditarin e ndërtuesit, trashëgimtarët e tij kanë gjetur një shënim në të cilin ai kujton se ka marrë urdhër nga Sauniere që të fshehë një shtëpi poshtë kësaj kulle. Në vitin 2001, kërkimet e kryera me rreze lazer dhe skanime të ndryshëm kanë provuar që praktikisht nën këtë kullë ka një paralelpiped (një shtëpi).
Megjithëse prej shumë kohësh, kërkues pak a shumë të improvizuar kanë gërmuar shpesh herë pa patur autorizime, në të gjithë zonën me qëllimin për të kërkuar sekretet e Sauniere, në këtë zonë gërmimet janë të ndaluar me ligj që nga viti 1965. Kryebashkiaku i Rennes shpjegon nga ana e tij se gërmimet janë ndaluar atëherë, për arsye se autoritetet druheshin nga mbërritja e hetuesve të improvizuar, punët e të cilëve do të kishin dëmtuar strukturat.
Kohët e fudnit, një grup studiuesish nga Shtetet e Bashkuara, të autorizuar nga Komuna e Renne Le Chateau, ka arritur të gërmojë nën Kullën e Magdalës. Mes studiuesve ishte edhe një profesor italian, Andrea Baratolo. Ky i fundit, i cili dëshmon që ka qenë i pranishëm gjatë gërmimeve të kryer në Kullën e Magdalës, pyetjes nëse aty u zbulua diçka, i përgjigjet: Absolutisht asgjë interesante.
Por, sipas Baratolos, Kulla e Magdalës nuk ishte vendi i duhur ku duhej të kryheshin gërmimet. Herën tjetër, thotë ai, do të duhet që të gërmojmë poshtë Kishës dhe poshtë kopshtit që e rrethon atë. Thesari i Sauniere ndoshta ishte i përbërë pjesërisht nga mallra dhe sende të çmuar që janë gjetur më vonë rastësisht. Por ndoshta ka qenë i përbërë edhe nga dokumente antikë, përmbajtja e të cilëve është megjithatë ende e panjohur.
Kështu, siç të rrëfejnë edhe sot e kësaj d ite në këtë zonë, priftërinj të tjerë, në po të njëjtën periudhë si Sauniere, përjetuan eksperienca të ngjashme me të tijën: frekuentime të çuditshëm, pasurim të papritur, probleme me autoritetet fetarë. Dhe veç të tjerash, në rastin e njërit prej tyre, Antoine Gelis, kemi një vdekje të tmerrshme...
Costaussa është një fshat i vogël vetëm 8 kilometra larg nga Rennes le Chateau. Në altarin e kësaj Kishe u vra Gelis, në mbrëmjen e 31 tetorit të vitit 1897. Hetimet nuk sollën asnjëherë zbulimin e vrasësit por ishin gjithsesi të dobishëm. Në fakt, pas vdekjes së priftit u gjendën sasi shumë të mëdha parash pak a shumë kudo; në dy kasaforta brenda kishës, por edhe poshtë dyshemesë, brenda një muri, në rrugicën që të çonte në Kishë, mes librave, poshtë krevatit dhe madje edhe në banjë. Si e kish bërë gjithë këtë pasuri të madhe një prift i thjeshtë fshati...? Dhe mbi të gjitha, përse vrasësi nuk mori as paratë që ishin të dukshme kudo? Përse u vra Gelis, miku i Sauniere?
Massimo Polidoro, Sekretar kombëtar i Cicap dhe Mariano Bizzarri parashtrojnë teoritë e tyre, sipas të cilave priftërinjtë e zonës mendohet që të kenë qenë pjesë e një shoqërie të fshehtë ultrakatolike dhe konservatore. Kjo gjë mund të shpjegojë vrasjen rituale të Gelis si dhe pasurimin e papritur të Sauniere. Shoqëria mund të ketë patur detyrën që të grumbullonte fonde të fshehtë për të mbështetur rikthimin e monarkisë në Francë. Pas vdekjes së Gelis, mes gjërave të tjera që i përkisnin u gjetën edhe simbole ezoterikë. Ashtu sikurse mbi varrin e tij është simboli i një sekti antik dhe misterioz të Mesjetës së vonë: "Rosa Croce". Por, gjëja që bie më shumë në sy është se varri i tij është i pozicionuar ndryshe nga të tjerët. Të gjithë gurët e tjerë shohin nga veriu ,ndërkohë që ai i Gelis sheh nga jugu. Në drejtim të kodrës ku ngrihet Renne Le Chateau...Të vërtetat përvëluese të fshatit misterioz --Rennes-7-800
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi