Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA MYRTEZA MARA
Faqja 1 e 1
Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA MYRTEZA MARA
Me rastin e ditlindjes
POEZI NGA MYRTEZA MARA
KUR DO KTHEHET DIELLI
Perëndimin e pafajshëm
të Diellit
e përcjell pragmbrëmjeve
me frikën e mosardhjes:
Ndoshta i zënë pritë!
Ndoshta e dhunojnë!
Ndoshta e marrin peng,
e lënë pa zjarr
dhe mua
më mbeten lotët e natës pa tharë!?
Prometeu ka vdekur,
bashkë me legjendën,
ndaj kam frikë dhe pyes:
Kur do kthehet Dielli?
Mbështes mjekrën e bardhë,
mbi jastëkun e zi të natës,
lotët, si pikë zhive
rrëshqasin ugarëve të faqes...
Kur do kthehet Dielli?!
MIQVE POETE
Të mirët miqt e mi!
Sa ura do ishin ngritur,
me psherëtimat e vargjeve tona,
mbi lumenjtë
që lagin brigjet e shpresave?
Drita do kalonte
pa ngrirë së ftohti,
dhimbjet do thyenin patericat,
rozafat do u çonin bukë ustallarëve,
pa u kthyer në çezma gjaku...
Ka ardhur koha,
me vargjet tona,
të mbjellim një legjendë,
frutet le t'i hanë brezat.
Kështu ka qenë
edhe në shkujt e vjetër:
Themelet e urave,
që lidhnin botët e shpirtrave
i ndërtonin poetët,
ani,
se mbajnë emrat e mbretërve!
NATA E MADHE
Kur bota pagëzonte lindjen e Krishtit,
Ne, të harruar në shpellat e natës.
Të tjerët si diell e përdorën kryqin,
Ne, syverbuar nga pishtarët e flakës!
U zvarrritëm mjegullave të përgjakura,
Mbollëm rrënjët e dhimbjeve të serta.
Gjethet lindnin të verdha, të plakura
Bini më parë se të vinte vjeshta.
Diell kish pak, hënë edhe më pak,
Zjarri i yjeve nuk mbërrinte në tokë.
Flijuam, u lutëm, por mbetëm në natë,
Nata jonë më e madhja në botë!
Me natën në krah shekujve udhëtuam,
Kërkuam rreth vetes, shteg nuk gjetëm.
Veç në errësirë një gjë nuk harruam,
Gjuhën e nënës, ngushëllimin e vetëm.
Nuk matet me vite, as me dekada,
Kjo natë e madhe harruar nga drita.
Natëmatësit ta kthejnë kokën prapa
Të shohin tymin që villnin pishat.
Të shohin blozën që errësoi qiellin,
Dhe ato pak ditë që na u dukën si fat.
Flaka e pishës nuk është si dielli,
Po s'fikëm zjarret do mbytemi në natë!
NESE NJE DITE
Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit,
Nën ombrellën time ka vend përherë.
Aty do i gjesh gjithë "puthjet e kujtimit",
Dhe shpirtin tim muzeum me pranverë!
Nëse një ditë do të duhet një urë,
Të kalosh pa frikë detin e urrejtjes,
Mos u mundo, varkë bëhem unë
Gjoksndezur shkrijmë dhe ajzbergët.
Nëse një ditë do të humbas kënga
Trokit tek muza ime e vjetër.
Veç, të lutem, mos m'i zgjuaj ëndrrat,
E vetmja pasuri që më ka mbetur!
Nëse një ditë do të duhet një qiell,
I pastër si loti yt kristal,
Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer,
Për ty do e le jetim atë varr!
ME MIRE ENDERR
Pse ma zgjon nga gjumi ëndrrën?
Ka zenë kore plaga e vjetër.
Pse ma drithëron zemrën?
Atë kam, s'kam zemër tjetër.
Aty stivosur kujtimet,
Aty bleta mbjell nektarin.
Aty shuhen dallgëzimet,
Aty thyen dhe deti dallgët.
Aty loti bëhet gurë,
Aty guri bëhet lot.
Aty ndez zjarrin një buzë,
Buzën që s'e putha dot.
E futa puthjen në ëndërr,
Një gjymtyrë më tepër shpirti.
Veç në ëndërr mjalt e ëmbël
Se syhapët më braktisi...
Tani vjen e më troket!
Ndryshkur dera, s'hapet dot.
Akulli s'bëhet i nxehtë,
Më mirë ëndërr, se sa lotë.
ZEMRES
Sytë ma ftojnë zemrën përherë në "mëkat",
Nëpër lëndina kur shikojnë një flutur.
Tufa xixëllonjash që vallzojnë si flakë,
Edhe kur pëllumbat çmallen duke u puthur.
Sytë ma lëndojnë kaq e kaq herë,
Oh, e gjora zemër ndrydhur në kafaz!
Zgjuar rri, si yjet, dhe kur sytë flenë,
E dënuar, moj zemër, mos të shohësh gaz.
Ah, këta sy dembel, ti ua jep dritën,
Mburren që janë dy dhe shikojnë botë!
Por s'e dinë të gjorët, se kur zemra fiket,
Ata dy diej balli s'rrjedhin dot as lotë.
Zemra ime zemër, sa të kanë munduar,
Këta sytë jeshil, si kuaj të hazdisur.
Kanë kaluar shumë vite, por s'jam penduar,
Deri në fund bashkë, siç dhe jemi nisur.
Unë nuk jam penduar për lirinë e syrit,
Vetë ua ke mëkuar atë flakë të zjarrtë.
Drit'e mbajt shpirtin, atje brenda gjirit,
Për vete, moj zemër, u mbylle në natë.
Ti e mira ime gjëmon si atëherë,
"Pi ende.-më thua, zjarr të jap unë!
Merri kësaj jete mjalt e kupa vere,
Jeta e përtejme është vetëm gjumë!"...
Zemra ime, zemër, sa të kam munduar,
Tani erdhi koha veç ty të të dëgjojë.
Vitet bënë detyrën, por unë s'jam penduar,
Kur kam ty të ndezur diellin e verboj!
MALLI I VIRGJER
Vite, e vite, pa u parë,
Dhimbjen e kishim gëlltitur.
Befas u gjendëm përballë,
Si dy drurë të zhuritur.
Unë, me mbesën duarzënë,
Me një tufë lulebore.
Ti, me nipin, dritëhënë,
Shtrënguar dorë për dore.
I fola, në emrin tënd,
Mbesës, kur më hodhe sytë.
Ti gati ngrive në vend,
U trembe nga emri yt!
Dhe unë, gati i pafrymë,
Kur i thirre nipit të vogël.
Ai mbante emrin tim,
Thashë: është trill, apo lodër!
Por,... jo! Sytë e vërtetuan,
Ish kujtim i një sekreti.
Paçka se nuk u bashkuam,
Malli i virgjër na mbeti!
FOSILE ENDRRASH
Çdo natë e njëjta ëndërr:
Mur i rrëzuar,
refren i legjendës së thinjur.
Mëngjeseve
fshijë gjurmët e dhimbjes,
me djersën e luleve
vadit buzëqeshjen e hutuar
dhe mbledh farëza dielli
për t'i mbjell brazdave të etura.
Natën tjetër,
mbështetur në supin e vetmisë,
errësira më kafshon sytë.
Në sofrën e bubullimave
retë përtypin rrufe.
ne,
përsëri pa dritë!
Ekranet e mureve,
paradë e kufomave të gjalla,
fantazma hamletiane...
Ringjallen fosilet e urrejtjes,
nuk mbajnë më andra
ëndrrat e jetës!
DASHURI E PASHTERUAR
Rend dallga tërsëllimë,
S'dihet ku e ka inatin!
Sa sheh bregun si qilim
Sillet si e zonj'e shtratit.
Heq këmishën lehtë-lehtë,
Kundërmon aromë deti.
Afshi i bregut të nxehtë
E tërbon "Bijën e Mbretit".
Ledhaton siç di dallga,
Dy trupa bëhen një zemër.
Lartë fluturojnë pulëbardhat,
Bregu thotë: "Jam në ëndërr".
Por kur bregu është shkëmb,
Zien dallga, derdhet shkumë.
E kafshon ëmbël me dhëmbë,
Dhe i ndez zjarrin në buzë.
Qeshet shkëmbi, guduliset,
Dhe i thith qumështin në gjinjë.
Lajkatarja përpëlitet,
Si një erë, si simfoni!
Zbrapset pak sa merr frymë,
Mos!-thotë shkëmbi,-ku po shkon?
Por e shpejtë si vetëtimë
Dallga me gjoks e mbulon!
Edhe puthen si të marrë,
Sikur s'do shikohen kurrë.
Pas pak dallga bëhet valë
Edhe shkëmbi ndihet burrë...
Nuk i pamë një herë të ngopur,
Shkëmb e dallgë të tërbuar.
Kullon shkumë trup i plagosur,
Dashuri e pashteruar!
RRETHI I ABSURDIT
Ftohtësi e diellit, zjarrmi e hënës,
Yje zvarritës në kurvërinë e ndershme.
Bardhësi e djallit dhe helmi i ëmbël,
Akuj që digjen në shkretëtirën e heshtjes!
Mirësi e intrigës, pleh i parfumuar,
Minj me gravata, korba këngëtarë!
Krimba fluturues në qiellin e shpuar,
Këngë të varura në erërat litar!
Kuaj që lehin nga hingëllimat e qenëve,
Ujqë barinj dhe kusarët fisnik.
Kasap që friken nga blegërimat e dhenëve,
Varre të ngrohtë, zogj zvarranik!
Pushtetarë pa xhep, peshq llafazan,
Absurd, absurd, nata dhe dita!
Politikanë serioz, oxhaqe pa zjarrë,
Vapë në pol, Ekuadori me ngrica!
MALL MERGIMTARI
Kam nje mall qe me zbut zemren
Dhe me ngroh vargjet e kenges,
Bute-bute si mjalt'i endrres,
Kam nje mall.
Kam nje mall per nje krua,
Per nje dardhe e per nje ftua,
Per nje xixellonje ne pyll,
Per nje rè e per nje yll,
Kam nje mall.
Kam nje mall qe po me djeg,
Kam nje mall qe po me tret.
Kam nje mall qe po me plak,
Po me thane e po me mpak
Une posht e malli larte,
Kam nje mall.
Kam nje mall ngjitur ne buze
Pervelon i nxehte si shpuze,
Nuk e shuan as loti i fatit,
As psheretim'e emigrantit.
Kam nje mall kush me beson
Bota mur, nuk me degjon
Kam nje mall.
Kam nje mall sa nje det,
Sa nje mal, sa nje termet
Pende ne krahet e pellumbit
Me i shpejt se sa plumbi,
Shkon ku prehet gur'i rende
Ku me gjejne eshtrat vend,
Ku lulon sythi i kenges,
Ku me pret ninull'e endrres
Kam nje mall.
Kam nje mall, por nuk jam vetem
Gjak arbri i patretur,
Fidan jete neper bote.
Fytyrehene, syte pa lote,
Kam nje mall
Kam nje mall llave vullkani,
Zemerçare si vater zjarri,
Mund te shuhet veç atje,
Ku varret mbulohen me dhè.
Ku lulet puthen nga bleta,
Ku me thone "Tungjatjeta!"
Kam nje mall.
Kam nje mall s'me le te vdes,
Kam nje mall qe me jep jete.
Eshte nje mall Shqiperie,
Mbushur drite dashurie,
Kam nje mall!
Rome, mars 2001 (Nga vellimi "Nisje e Vonuar")
NISA SHPIRTIN NE MERGIM
Pese vjeç nipi i vogel
Mori udhen e mergimit.
Ne dore mbante nje loder,
Ndersa une mbaja trishtimin.
Ne traget hipa dhe shpirtin,
E dergova emigrant,
Ti qendroje prane nipit,
Si dore e zgajtur nga larg.
Pa shpirt ditet i kaloj,
Por ushqej nje shprese te madhe,
Zerin e tij kur degjoj,
Harroj brenge, harroj halle!
"Gjysh, me ka marre malli!"
Percjell qielli nje cope shpirt.
Rrjedhin lotet ujevare mali,
Ketej une, andej im nip!
Eh, u thafshë det'i terbuar,
Sillme nje dallge ta bej kalë.
Te shuaj mallin e perveluar,
Te ngite dhe zemren e çare!
Deti shkumon i shurdhuar,
Qielli i ngrire s'me degjon.
Hena ka kohe e merguar,
Loti i nxehte dhe gurin shpon!
LOTI I GJAKUT
Ç'ti them qiellit, ç'ti them yjeve,
Ç'ti them gurit thare ne rrenje!
Ç'tu them zogjve, ç'tu them pyjeve,
Po ty ç'te te them moj hene!?
Ç'ti them detit, ç'ti them vales,
Ç'ti them bregut qe me pret?!
Ç'tu them fushave edhe maleve!
Supengritur gjer tek retë.
Ç'ti them Atit ballërrudhur,
"Bir, ku ishe, s'te kam pare!
Kaq vite ku ke humbur,
S'erdhe te me thuash nje fjale!?"
Ç'ti them nenes tretur mallit,
Ç'tu them dhe miqeve me bese!
Ç'fare t'i them vatres se zjarrit
Qe me pret te shkoj ta ndez...
Oh, mergim, o lot i gjakut,
Keto mote si u rrudhen!
Ikim si diell i perflakur,
Kur vijme s'na njohin udhet!
NEPER PUTHJET E POETIT
Une e di ku me ke strukur,
Ne nje cep te zemres sate.
Aty ku u dogj nje flutur,
Ne qiririn e asaj nate.
Une e di, ti s'e harron
Ate ze qe peshperiste:
"Jam i yti medaljon,
Dhe te treten njemije vite!"
Une e di, ti ke mall,
Per çdo lule qe ke prekur.
Puthja jote pikon zjarr
E mergon me shekuj vdekjen...
Mos shiko se ç'thot pasqyra,
Mos beso rete ziliqare!
Shpirti-diell tek fytyra
Vitet digjen fishekzare.
Eja, dalim prap tek shkembi,
shohim si perndizen dallget.
Eja, se zemra me çmendi,
Po me ben si te marret!
Nuk do flasim, as do qeshim,
Te shijome kengen e detit.
Do rilindim, do rivdesim,
Neper puthjet e poetit!
Myrteza Mara: Poezia e bukur është këngë dhe këngët e bukura nuk harrohen lehtë
Poeti dhe shkrimtari vlonjat rrëfen udhën e gjatë me krijimtarinë e tij letrare
Myrteza Mara është sot ndoshta zëri më poetik në qytetin bregdetar të Vlorës. Me mbi 10 libra të botuara, disa prej të cilave edhe të vlerësuara më çmime të ndryshme, i fundit në konkursin e poezisë për dashurinë në Korçë, ai mbisundon
në krijimtari jo për vetëm prodhimtari, por edhe për bukurinë e vargut dhe për më tepër për ndjenjën e bukur të dashurisë të ngritur në art. Por edhe prozë ai tashmë ka krijuar profilin e vet që pëlqehet jo më pak se në poezi. Kritikë dhe krijues të ndryshëm janë shprehur me vlerësime të mëdha për veprën e tij dhe ndër të tjerët mjafton të përmendim Fatmir Terziun, Prof. Bardhosh Gace, shkrimtarin që jeton dhe punon në Greqi, Nase Jani etj. Më shumë se sa kjo kritikë autorin vlonjatë e gëzon fakti se sapo mësohet se ka dalë në shitje një libër i tij, janë të shumtë lexuesit që e kërkojnë këtë libër dhe ky fakt është një sadisfaksion për vetë poetin. Në një rrëfim të gjatë ai tregon për shumë sekrete të jetës së tij, për krijimtarinë dhe po ashtu nuk harron të japë edhe shumë porosi për krijuesit e rinj.
-Njëmbëdhjetë vëllime me poezi, vlerësime e çmime të ndryshme. Si ka qenë rruga deri tek vëllimi i fundit?
Është kënaqësi dhe përgjegjësi e dyfishtë kur poeti interviston poetin. Rruga e krijimtarisë time letrare ka qenë si e shumë të tjerëve që kanë guxuar të dalin para lexuesit me krijimtarinë e tyre pas viteve 90-të. Nëse do bëja “disidentin”, ose “viktimën e persekutuar” do skuqeshin nga turpi edhe këto fjalë të shkruara. Pasioni lind me njeriun, por janë kushtet ato që hapin ose mbyllin shtegun e duhur. Udha e arsimimit dhe karrierës time ka qen e “blertë”, udha e ushtarakut. Një udhë e vështirë, plotë ëndrra të marrosura, por të bindur e të papenduar se i kemi shërbyer atdheut, ashtu siç shërbehet dhe sot, kudo e kurdoherë. Në vitet e tranzicionit, duke parë shpërthimin e madh në gjithë fushat e jetës dhe unë, si shumë të tjerë, nxorëm nga “arshivat personale” blloqet me shënimet e zverdhura dhe guxuam të shfaqim pasionin e ndrydhur. “Ku është Parajsa” është vëllimi parë me poezi, botuar në vitin 1998. “Sytë e Erës”-vëllimi i njëmbëdhjetë, botim i këtij viti. Rrugë e vështirë, me kërkesa ndaj vetes jo vetëm për të shkruar, por mbi të gjitha për të rritur cilësinë. Por gjithçka kapërcehet me vullnet, me lexim të pareshtur të poezisë më të mirë kombëtare e të huaj, me bashkëpunim miqësor midis poetësh, shkëmbim i përvojës nëpërmjet veprimtarive të shumta me krijuesit e qyteteve kryesore të vendit, etj.
-Ku qëndron forca, këmbëngulja inteligjente për të ecur në rrugën e vështirë të krijimtarisë letrare? Është sfidë, apo ambicie?
Si kudo forca krijuese qëndron tek vullneti dhe pasioni, por njëkohësisht të shkruarit poezi apo prozë nuk është thjesht “punë” që matet dhe shpërblehet me orë. Të shkruash letërsi dhe veçanërisht poezi duhet patjetër “brum poetik”. Poezia nuk duhet kuptuar thjeshtë vargëzim, qoftë dhe me rimë, metrikë, apo varg të disiplinuar. Poezia është shkëlqim në errësirë, ujë në shkretëtirë, zjarr në akull. Ajo është këngë që shpreh dhimbje, mall, dashuri, shpresë. Poezia e arrirë mbahet mend, recitohet e transmetohet lehtë. Ajo të shlodh e të mbush me ndjenjë njerëzore. Me anë të vargut të gjetur përcillen mesazhe jete ndër breza dhe epoka. Kujtojmë Naimin, Çajupin, Migjenin, Lasgushin, Ali Asllanin, Agollin, Spahiun e deri tek brezi tjetër i pas viteve 90-të, për të cilët ka ardhur koha, për të mos thënë që është vonë, për t’i njohur, pasi do ndodh që shumë syresh, me vlera të admirueshme, të mbeten anonim të përjetshëm. Nëse nisesh të kapërcesh një urë, mirë është të mos kthehesh pas, por as të qëndrosh mes saj sepse pengon të tjerët. Pra duhet ecur para deri tek bregu tjetër. Mund të ndodh që je tërë jetën në “udhëtim”, kjo është shumë më e bukur se të qëndrosh ose kthehesh. Nëse kjo quhet ambicie ose sfidë le të quhet, aq më mirë.
-Cili është elementi më i rëndësishëm dhe më interesant për të shkruar një libër të suksesshëm? Përvoja juaj në këtë drejtim?
Subjekti, lënda, aftësia për të krijuar e ndërtuar heronj e personazhe të spikatur që të jenë tërësisht tokësor, të besueshëm. Madje lexuesi duhet t’i “njoh” këta tipa, që do të thotë të krijohet mendimi sikur ngjarjet janë zhvilluar, ose zhvillohen para syve. Krijimi i subjekteve dhe heronjve jashtë reales, veshja e tyre me artifica dhe tendenca për t’i bërë “mbinjerëz”, “çudibërës”, janë jo vetëm të panevojshme, por ul nivelin e kërkesave të elektoratit lexues, i cili duhet thënë se ka ardhur koha të zgjidhet elitar. Dihet, sot lexohet pak, por kjo vjen për të vetmen arsye se ka skarcitet, ka prurje nga “vërshimi i përrenjve dhe rrëkezave” me ujë të turbullt. Kjo lloj krijimtarie shëtit nëpër trasta e tezga ambulante dhe serviret në forma nga më primitivet. Patjetër që shija do jetë e keqe dhe krijohet përshtypja se “kështu janë të gjithë librat” e kësaj periudhe. Të shkruash poezi rëndësi ka gjetja e motivit. Nëse e “kap” motivin frymëzues nuk është e vështirë, për një poet të vërtet, të end vargje të bukur. Motivi nuk kërkohet në hapësira boshe, por në jetën e gjallë, në kontakt me natyrën, fenomenin, gëzimin dhe hidhërimin. Poeti bëhet misionar nëse poezia e tij “godet në dhjetë”. Por poezia është delikate, ajo i ngjanë femrës dhe kërkon ta përdhelësh, ta komplimentosh me fjalë (metafora) të zgjedhura, të dish se çfarë kërkon të arrish nga motivi që të frymëzon dhe pastaj “shkon në shtrat” me të. Kjo lloj poezie ka erë shpirti dhe gëzon mandat dhe imunitet të plotë për t’u pranuar nga lexuesit. Si mund të harrohen vargjet e Ali Asllanit, kur i këndon së bukurës, dashurisë:
... Do më vish, a s’do më vish, me qerpik të syrit tim do fshi vendin ku do rrish!.... Dhe kështu në dhe të gjallë dora jote të më fus, / që të rroj edhe i vdekur, të vazhdoj për ty të lus! Ose Lasgushi:.. Er’e malit që oshëtinë, / Edhe ujët që buron / Të gjithë thonë me nxitim/ Dashuro se koha shkon!....
Në krijimtarinë time poetike, prej njëmbëdhjetë vëllimeve, gjenden motive nga më të ndryshmet. Kam provuar emigracionin, 4 vjet në Itali, dhe gjatë kësaj periudhe shumica e krijimeve ka dhimbje, mall për atë që më mungonte më shumë, Atdheun, njerëzit, vendlindjen… Ndryshon stili, motivet, mënyra e të shprehurit nëpërmjet vargjeve pasi u ktheva e jetoj në vendin tim. Poeti dhe shkrimtari duhet të kuptoj e të ndjej barrën dhe përgjegjësin e madhe që ka si qytetar, si shtetas, si krijues ndaj vendit të vet, ndaj kulturës dhe edukimit të brezave.
-Sa kohë u merr shkrimi i një libri në proze, apo poezi dhe sa i frytshëm ka qenë bashkëpunimi juaj si krijues me Institutin e Librit dhe Promocionit “Toena”?
E përmenda dhe pak më lartë, krijimtaria nuk është punë që matet dhe shpërblehet me orar. Poezia mblidhet siç mbledh bleta nektarin dhe kur e ndjen se plotësohet sasia dhe cilësia për të botuar një vëllim poetik troket në dyert e shtëpive botuese. Kjo mund të zgjat muaj të tërë. Ndërsa proza ka periudhë inkubacioni më të madhe. Përshembull romanin “Semaforët e thyer” e fillova ne vitin 1999 dhe e përfundova në vitin 2003. Ishte proza e parë voluminoze dhe ndjeja përgjegjësi të shumëfishtë për vet subjektin që trajtohet. Por mund të ndodh edhe ndryshe, si p.sh: Novela “Faji i Bukur” (ribotimi Lisiana), 84 faqe, është shkruar direkt në kompjuter për katër ditë! Por kjo nuk besoj se mund të ndodh ndonjëherë tjetër. Bashkëpunimi im me “Toena” është me të vërtet fat. Këtë e them jo vetëm me kënaqësi, por dhe në formë apeli për gjithë krijuesit. Kam botuar shumë libra nëpër shtypshkronja “anonime”. Them kështu sepse ato ngjanë me punishtet artizanale, pra vetëm hedhin në letër e faqosin një libër. Kaq! Ndërsa shtëpitë botuese në përgjithësi dhe “Toena” në veçanti, përveç shtypjes cilësore bën dhe shpërndarjen e librit nëpër qytete e panaire të ndryshme, brenda e jashtë vendit. Kështu ndodhi me novelën time, të cilën fillimisht e botova në një shtypshkronjë dhe më pas u ribotuar tre herë nga “Toena”, sepse libri u njoh dhe kërkua.
-Ju mbani përmendësh shumë vargje e poezi tuajat dhe të autorëve që keni për zemër, madje dhe recitoni bukur e me ndjenjë. Është kjo dhunti, apo i keni venë vetes detyrë që duhet të “jeni i kompletuar” dhe nga kjo anë? Gjithashtu është me interes të dimë se si e balanconi, ose programoni kohën duke qenë poet e shkrimtar, Kryetar i Shoqatës “Petro Marko” të qytetit dhe administrator i biznesit tuaj në fushën e ndërtimit?
Të krijosh e të harrosh është si të korrësh e mos të lidhësh, ose thënë ndryshe, të harrosh vetveten. Sigurisht nuk mund te mbahen mend qindra e mijëra vargje, por disa motive të veçanta që mbeten të freskëta gjithmonë nuk mund të fshihen lehte nga kujtesa. Ato janë dhe bëhen frymë, dritë, gëzim apo trishtim i përhershëm. Një poet që nuk mbanë mend asnjë nga vargjet e tij nuk mund të “fajësohet” thjeshtë për kujtesë të dobët. Poezia e bukur është këngë dhe këngët e bukura nuk harrohen lehtë. Më pyesni për kohën, si e balancojë unë atë duke pasur dhe punë të tjera. Nuk është e lehtë, por e dini që është më lehtë të ndërtosh një pallat se të shkruash një roman? Në biznesin tim punojnë shumë njerëz, duke filluar nga administrata e deri tek shërbimi i rojës. Secili kryen detyrën e tij dhe kontrollohet nga personat përgjegjës, mua më mbetet organizimi dhe kërkesa për të zbatuar projektet dhe ligjet. Ndërsa kur shkruan prozë apo poezi nuk ka administratë, as inxhiniera e punonjës të kualifikuar. Në këtë fushë je vetë krijues e zbatues, arkitekt e konstruktor, ndaj lodhja e përgjegjësia është më e madhe. Shoqata e Shkrimtarëve “Petro Marko”, që unë kryesoj prej vitesh, ka në përbërjen e saj pena të arrira, të vjetër e të rinj. Secili shkruan për vete e më vete, por “pyllit letrar” të Vlorës i shtohet përherë blerim dhe këngë zogjsh në simfoninë e madhe krijuese. Veprimtaritë tona si shoqatë janë të shumta e të larmishme, brenda e jashtë vendit, sukseset gjithashtu.
-Në prozën tuaj, tashmë të njohur, cila është pjesa më e vështirë: gjetja dhe zbërthimi ideor, artistik e emocional i personazheve apo i ngjarjes në tërësi?
Nuk mund të ketë ndarje mekanike midis personazheve të veçantë dhe idesë së veprës. Ato janë në unitet. Mendoj se e rëndësishme është të dish se çfarë duhet të arrish, çfarë kërkon autori të përcjell tek lexuesit e sotëm e ata të nesërm, tek koha e perspektiva. Ndërsa njohja e personazheve dhe veshja e tyre me artin e duhur është cilësi e autorit, e penës së tij, e aftësisë për të njohur tipa e karaktere të pranueshëm, jetësor. Nëse në vepër është një personazh negativ, kriminel apo hajdut, duhet të “bëhesh” vetë “hajdut, kriminel”, pra autori duhet të ndihet nën lëkurën e çdo personazhi. Ndryshe vepra do thartohet sa të shfletosh faqen e parë. Në veprat e mija gjithë personazhet janë pjesë e shpirtit, e gjakut dhe e jetës. Tashmë ata janë “familja” ime. Para se të çoja për botim romanin “Dy Dashuri” kam qenë në mëdyshje të madhe për një personazh pozitiv, Erinda, të cilën unë e “vdiqa”. Shpirtërisht kam vuajtur deri në depresion e përlotje.
-Pse duhet të vdes Erinda e pafajshme?
Ime shoqe u shqetësua seriozisht dhe disa herë këmbënguli që ta ndryshoja romanin, por e ndryshuar ajo vepër do ishte tjetërsuar. Erinda vdiq, por unë krenohem për gjetjen, për zgjidhjen e dhimbshme dhe të arrirë artistike.
-Krijimtaria juaj, sa libra në prozë e poezi, vlerësime e çmime të ndryshme? Çmendim keni për kritikën e sotme?
Krijimtaria ime ka filluar me poezi. Janë gjithsej njëmbëdhjetë vëllime me poezi dhe katër në prozë, tre romane dhe një novelë. Vlerësimin më të lartë letrar e kam marrë nga Klubi i Shkrimtarëve në Botë “Drita”, me qendër në Athinë, “Penda e Artë” në Konkursin “Kadmus-2006”, për librin me lirika dashurie “Qiriri i Penduar”. Po në këtë vit jam vlerësuar me çmim të veçantë nga gazeta Horoskop në Konkursin “San Valentino”. Në vitin 2007 Çmimi i Dytë në Durrës në konkursin “Poezi për Detin”. Në fundvitin 2009 “Personalitet i Spikatur” nga Gazeta lokale e qytetit “Imperial”. Në qershor të këtij viti “Çmimi i Parë” në Festivalin Ballkanik “Netët e Poezisë Korçare” për poezi dashurie. Ndërsa vlerësimi më i madh më është bërë nga qyteti im, nga Bashkia e Vlorës dhe i nderuari Kryetari i saj z. Shpëtim Gjika, më 20 Prill 2010, sipas propozimit të Institutit të Librit dhe promocionit “Toena”, duke më dhënë titullin “Mirënjohje e Qytetit”. Gjithashtu edhe Komuna Vllahinë, ku përfshihet fshati Peshkëpi, vendlindja ime, më ka shpallur në muajin qershor 2010 “Qytetar Nderi i Komunës”. Të gjitha këto vlerësime janë inkurajim dhe si qytetar e krijues më takon tua shpërblej po me mirënjohje, dashuri e krijimtari të palodhur. Kritika!... Është folur e flitet shumë, por përsëri nuk po zgjidhet “nyja gordiane”. Sot marrin përsipër të bëjnë vlerësime edhe njerëz të papërgjegjshëm, të paformuar e papaisur as me elementët më fillestar të kritikës. Më tepër janë urime si në dasma se sa analizë të vërteta profesionale. Në qytetin tonë dikush, (nuk dua t’ia përmend emrin se do të ishte luks për të) merr përsipër dhe shkruan një libër me mendime estetike të letërsisë vlonjate!!! Një paçavure, asgjë më shumë. Ky libër pa vlera, pa përgjegjësi, me stil e kulturë rurale u prit keq nga krijuesit poetë e shkrimtarë. Guximi, sipas mendësisë së vjetër që “cilido ka të drejt të shkruaj me germa të mëdha çfarë mendon për punën dhe njerëzit!” i jep oksigjen mediokritetit, i hap rrugë letërsisë anemike dhe nxit debat të panevojshëm, duke harxhuar energji negative. “Çeta e mediokërve” armatoset dhe shtohet çdo ditë më shumë se “luftëtarët e vërtet”, dhe ashtu siç thotë miku im, poeti dhe shkrimtari Xhemil Lato, “ata që mbjellin grurë të zier thasët do i mbushin me kashtë”. Ata verbohen nga drita letrare e arrirë sepse dehen me errësirën e tyre. Janë e bëhen jo vetëm xheloz, por dhe gjenerator të prodhimit të thashethemeve, ndotjes së vlerave, etj. Njerëzit e etur për lëvdata të pamerituara enden trotuarëve të qytetit me “kryeveprat” e tyre në sqetull, apo çanta dhe i shpërndajnë si të jenë gështenja të pjekura! Megjithëse Kadareja thotë se ”... edhe letërsia mediokre ka dobinë e saj në të qenë!”, unë e kam provuar dhe e ndjej rrezikun e kësaj “çete”, sidomos në letërsinë që zhvillohet jashtë Tiranës. Megjithatë duhet pranuar se sa më shumë shtohen ata, aq më lart ngrihet e veçohet letërsia e vërtetë. Por a duhet të ketë kritikë të kualifikuar? Patjetër! Kjo është urgjente për kohën. Është ndoshta nga detyrat më të vështira, por mendoj se një fillim i mbarë duhet të nis nga shtëpitë botuese prestigjioze, të cilat i kanë kapërcyer problemet financiare dhe sot ecin me planifikim e bilance të qëndrueshme. Këto institucione duhet të bëhen “dogana” të forta për të ndaluar krijimtarinë e rëndomtë. Nëse ndodh kjo, pra sita ose filtri i parë do jetë i imët, atëherë “buka letrare” do dalë me shije dhe e pjekur. Kritika e vërtet duhet të jetë në shërbim të letërsisë së vërtet, pasi ka ndodhur që edhe personalitete të njohura, në fushën e kritikës, apo autorë të vjetër e me përvojë, flasin e shkruajnë artikuj e parathënie librash. deri dhe autorë fillestarë, me pasthirrma e superlative, vetëm e vetëm për rrethana miqësore ose komerciale.
-A jeni zhgënjyer ndonjëherë?
Një herë?!.....
-Ç’është dashuria për ju si poet e shkrimtar?
Në faqen e parë të një vëllimi me poezi kam shkruar: “Botën e lëviz, rreth boshtit magjik dashuria dhe ne mbi vitet e jetës. Pa dashuri, kjo botë, do ishte përtypur nga dhëmbët e vdekjes!” Se sa dashuri ka në veprën e një poeti apo shkrimtari duhen pyetur lexuesit. Vetëm ata janë në gjendje të gjykojnë dhe shikojnë si në ekran atë dritë misteri të ëmbël që ndriçon midis rreshtave e vargjeve. Një libër me poezi, apo prozë, është ekstrakt i shpirtit krijues. Të shkruash për dashurinë nuk është e thënë se duhet vërtet të kesh jetuar, apo jeton nëpër aktet e një drame të radhës. Poeti nga Mitrovica, miku im Sabit Idrizi shkruan: “Poeti, dhe po nuk e pati një të dashur duhet ta trilloj atë!”. Poeti nuk është si piktori, i cili për të bërë një vepër të arrirë me subjekt dashurie duhet patjetër të frymëzohet nga modeli i gjallë, para të cilit ai sodit, mediton dhe krijon. Poeti dhe shkrimtari model ka lëndën e grumbulluar, kujtesën, talentin dhe aftësinë e vet për të bërë të gjallë ngjarje e personazhe. Shkrimtari dhe poeti janë njerëz që jetojnë mes shoqërisë, pjesë e dramave dhe tragjedive të saj. Të këndosh e shkruash për dashurinë nuk është herezi. Që nga Khajami e deri tek... Skënder Rusi janë mijëra e mijëra krijues e vepra që këndojnë e qajnë bukur për dashurinë. Lirizmi është pjesë dalluese e krijimtarisë time. Ndihem mirë në këtë linjë, çka se ndonjë “profesori rural” i thartohet pështyma kur ndesh vargje të tilla: Ato buzë qershi të kuqe, cili zog s’do t’i çukiste?/ Heshtur mërmërisë një lutje: Zot, ç’bëre që më rrite! / Pse s’më le mes qershive, zog me zogave buzëkuqe / Me dëborë vitesh më thinje, me zor rend nëpër lugje!.../ Por, s’jam si dhelpra e Ezopit, gjithë qershitë më pëlqejnë / Kërkoni gjurmët e zogut, unë atje e kam folenë! Novela “Faji i Bukur”, ose “Lisiana” (ribotim i Toenës) është pasqyrë shpirti ku thyhet një tabu: Dashuria nuk ka moshë! Mirësia nuk ka kufi! Kjo vepër më ka dhënë sadisfaksionin më të madh deri tani, jo vetëm se është ribotuar tre herë, por edhe se jam njohur me aq shumë lexues të rinj sa nuk e kisha menduar ndonjëherë, brenda e jashtë vendit.
-Planet tuaja krijuese, të afërta dhe të largëta?
Kokën e kam me ëndrra e plane të bukura. Çdo natë e mbush plotë e përplot, por sa zgjohem gjysma derdhet menjëherë, një pjesë avullon gjatë ditës dhe kur shkoj në darkë në shtëpi e rimbush me ëndrra e plane të tjera edhe më të bukura. Kam gati një libër me tregime, për të cilin mendoj se nga vjeshta e fundit “piqet”. Po ashtu punoj me një roman, filluar para një viti, por po eci ngadalë për efekt të kohës. Jam shumë i zënë me punët e biznesit dhe më mbetet pak kohë për tu “grindur e pajtuar” me heronjtë, (personazhet) që i kam pagëzuar dhe i njoh e më njohin. Gjithashtu kam menduar se ka ardhur koha të botoj dy vëllime me poezi të zgjedhura. Është dhe një dëshirë e kahershme, por që nuk ka pse të mbetet “ëndërr në sirtar”, pra dua të bëj një veprimtari prezantuese, ose demonstruese, tip spektakli poetik me pjesëmarrjen dhe interpretimin e poezive të zgjedhura nga miqtë mi të rrallë, si artistët e popullit Margarita Xhepa e Reshat Arbana, aktorë të qytetit, nxënës e student, etj. Këto poezi do hidhen në disk dhe do shpërndahen në treg e ndër miq e dashamirës. Janë dhe disa plane bashkëpunimi me televizione private, shoqata të ndryshme dhe sidomos me Klubin e Shkrimtarëve në botë “Drita”, ku me kryetarin e këtij klubi, zotin Nase Jani po punojmë për realizimin e dy projekteve.
-Çfarë u ka mbetur peng?
Vetëm poetit nuk i bëhet kjo pyetje. Poeti, thotë Oscar Wilde, është ëndërrimtar dhe “…dënimi i tij është se e sheh agimin më parë se të tjerët!” Pra shpirti i poetit do mbetet tërë jetën i brengosur sepse ai e do botën ashtu siç duhet të jetë dhe jo siç është! Megjithatë tani është vonë të shikohet pas, gjithçka përpara për të realizuar disa nga ëndrrat që na kanë pushtuar shpirtin dhe kokën.
-Kush është Myrteza Mara për lexuesin dhe publikun shqiptar?
Myrteza Mara është qytetar vlonjat që jeton e punon në Vlorë. Kam një vajzë që më ka bërë dy herë gjysh me dy nipa. Ime shoqe është “brinja ime”. Gati katër dekada marrim të njëjtin ajër, ndajmë të njëjtat brenga e gëzime. Është “redaktorja” ime e parë. Diku kam shkruar:… “Ne e ndajmë bashkë një copë psherëtimë, Nëpër buzën tënde kalon zëri im!...”. Vlora për mua është gjithçka: Mekë! Jetë! Diell! Poezi! Këtu kam miq të shumtë që i dua dhe më duan, (edhe “armiqtë” këtu i kam). Këtu do shkrijë dhe pikën e fundit të fuqisë dhe talentit për të punuar e krijuar. Vlora meriton dhe pret shumë nga ne. Kur kam qen në emigrim pena e mallit më bëri të shkruaj edhe këto vargje:… “Atje është Vlora, ëndrra e ëndrrave të mia! Atje është Vlora, dashuria ime e parë! Atje dhe në gurë mbinë poezia, Atje dhe të vdes do mbetem i gjallë!”
-Cili është mesazhi për inteligjencën dhe talentet e reja?
Nëse gjithë shtresat e një shoqërie do i krahasojmë me eshtrat e një trupi, inteligjenca është gjaku, zemra dhe truri i një kombi. Përgjegjësia e saj është evidente për fatet e vendit. Indiferentizmi dhe shmangia nga kjo lloj përgjegjësie është mëkat i pafalshëm. Po ashtu, talentet e reja, duhet të dinë dhe njohin gjurmët e të parëve duke hapur shtigje të reja me fenerët e shpirtit të tyre rinor.
Intervistoi: Vangjel Sako
Gazeta “Sot”Nga Nase Jani
Vepra letrare gjen lexuesin që meriton
Ndjesi për poezinë dhe prozën e shkrimtarit Myrteza Mara
(Autor i dhjetë librave me poezi dhe tre librave në prozë.
Fitues i “Penës së Artë”, “Kadmus”-2006)
Poeti, njeriu i së nesërmes
Në këtë dekadën e fundit, shkrimtari Myrteza Mara i ka dhënë vetes një emër të përveçëm në letërsi. E ka nisur të shkruarit, qysh në vitet e rinisë, duke i dhënë portret të plotë, nga libri në libër, nga poezitë e poemat tek tregimi, novela e romani. Në të gjitha gjinitë e letërsisë, ka një të përbashkët: dashurinë, që lexuesi i vëmendshëm e vë re dhe ndjehet mirë kur e lexon krijimtarinë e tij.
Myrteza Mara është poet në poezi dhe ndjehet poet në prozë. Dikur, fjala “Poet” ishte gjithësia e atyre që merreshin me art e letërsi. Ishte poet ai që e përdorte me mjeshtëri penelin apo daltën, ishte poet ai që e përdorte me mjeshtëri të treguarit në prozën e shkurtër apo në roman… Emri “Poet” ishte qiellor, një dhunti, që i vinte njeriut për ta vënë në shërbim të zbukurimit të shpirtrave njerëzorë. “Poezia është muzika e shpirtit, sidomos për shpirtrat e mëdhenj e të ndjeshëm…” shkruan Volteri. Poeti është një shenjt jo si shenjtët e tjerë të biblës e të kuranit, ai është një shenjt, që këndon brenda njeriut, duke i dhënë kujtesë kohës-them unë. “Shumë burra trima kanë jetuar edhe para Agamemnonit, mirëpo të gjithë janë humbur në natën e amshuar të harresës, të pashenjë, të panjohur, sepse u ka munguar Poeti i Shenjtë”, thotë Horaci. Kujtesës së kohës-kombëtare nuk i munguar kujtesa-poetike me Darën, Naimin e Fishtën, Migjenin, Poradecin, Kadarenë e Agollin, deri tek poetët e ditëve tona.
Kujtesës së kohës-vlonjate nuk i ka munguar kujtesa-poetike, që nga mjeshtrit e mëdhenj Ali Asllani, Petro Marko, e Fatos Arapi e deri tek poetët e ditëve tona.
“Të ndjejmë mundemi vetëm në gjuhën amtare, të mendojmë mbase edhe në ndonjë gjuhë tjetër”-shkruan poeti T. S. Eliot. Le ta sjellim këtë gjykim në mjedisin shqiptar dhe pikërisht në Vlorën-Poete, ku merr mushtin shpirtëror poeti Mara. Është Vlora me gjithë bukuritë e saj: diellin dhe detin, që i ka me të tepërt; ullinjtë, portokallet e limonët, me gjelbërim të shumëjetshëm, kodrat e malet, me gjithë pasuritë e pemëve dhe kafshëve të rralla… Vlora me bukuritë dhe madhështitë historike, që i ka dhënë emër gjithë Shqipërisë… Aty është ndjenja dhe mendimi i poetit, që jeton brenda këtyre pasurive..
“Dua të shtrihem në qilimin e qiellit
Si mbi një lëndinë të të virgjër,
Ku çdo yll ngjan me një flutur…
E dashur më jep një të puthur…
Poeti, siç di të gjejë virgjërinë e fjalës, (se ndryshe nuk mund të jetë poet), di të zbulojë edhe virgjërinë e natyrës (dhe këtë mund ta bëjë vetëm poeti). Poezia s’ka moshë. Ajo ngjet me natyrën, me pemët, me lulet, me zogjtë, me diellin, me detin, me formulën e ujit “H2-O” dhe dihet që uji u jep jetë gjithë qelizave të jetës… Kështu ndodh me poezinë, kur ajo është, siç shkruan Xhon Milton: “e thjeshtë, shqisore dhe e pasionuar”. Nuk mund të konceptohet ndryshe poezia. Kështu ka ardhur nëpër vite dhe kështu do të jetë. Modernizmat, duke bashkuar fjalë, duke ngatërruar fjalë e duke mos kuptuar fjalë, nuk mund të quhen poezi. Ndodh shpesh që lexon libra me poezi të tilla, kur poezitë që ngjasojnë me blerimin e ullirit, mënjanohen, injorohen duke i quajtur si të shkuara-kohe. Mund të bëhen njëmijë e një prova, por Poezia e vërtetë është e vërtetë dhe e bukur si natyra.
“Nuk ekzistojnë dy lloj poezish-shkruan Pol Elyar-fjala “poezi” do të thotë “këngë”. Që në kohët më të lashta poezia është gjuha që këndon dhe unë besoj se kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë ndonjëherë.”.
“Poezia është bashkimi i dy fjalëve për të cilat njeriut s’i kishte vajtur mendja kurrë, që mund të bashkoheshin… poezia është një “dre i plagosur” shkruan F. G. Lorka. Ka të vërtetë ndryshe nga këto?!
“Mos ke mbirë në një sy tjetër?!”… shkruan poeti Mara, për “miken” që s’e ka më… Çdo koment është i panevojshëm përballë këtij vargu, që i thotë të tëra. Dhe lexuesi i poezisë të Myrteza Marës, i kujtohen vargjet e Lasgush Poradecit apo Ali Asllanit, Robert Bërnsit apo Dritëro Agollit… , ku fjalët bashkohen-magjishëm siç do poeti…
Dhe Poeti i Vlorës, duke e shpënë mendimin e tij tek të mëdhenjtë e poezisë nëpër kohë shkruan:
“S’bën dot koha pa poetë,
Pa poetë s’ka dashuri…
Bota, thoni, ç’mund të jetë,
Po nuk pati poezi?”
Pse ndodh kjo? Se poeti digjet nga dëshira për të riprodhuar jetën, më të mirë, më të bukur, larg çnjerëzores, larg gënjeshtrës…
Myrteza Mara është poet-lirik, që e ngjyen penën në shpirtin e natyrës dhe shpirtin e njeriut. Kryefjala e gjithë krijimtarisë së tij është dashuria dhe e vërteta. Dashuria dhe e vërteta, gjer në dhimbje, për njeriun dhe natyrën. Mund të them me bindje se poezia është vetë dashuria e poetit. Ai, brenda dashurisë, zbulon variantet e dashurisë, si grafiku sizmik i tërmeteve.
Dhe poeti shkruan:
Ç’t’i them qiellit, ç’t’i them yjeve,
Ç’t’i them gurit tharë në rrënjë?
Ç’t’u them zogjve, ç’t’u them pyjeve,
Po ty ç’të të them moj nënë?!
Dhe poeti shkruan:
“Vitet që humbën në mjegull, mos m’i ki zili.
Unë vetë i shtyva, drejt honit të harresës,
Ishin vite pa Ty…”
Poeti flet edhe kur hesht, edhe kur ndjen, edhe kur mendon… Ai është i gjithi-fjalë.
“Akoma s’është mbushur me dashuri jeta!” shkruan poeti i madh kombëtar turk, Nazim Hikmet. Prandaj shkruan poezi liriku Myrteza Mara.
“Dera e fshehtë e shkrimtarit”
Myrteza Mara është njeri me fuqi krijuese, që shikon brenda trurit dhe shpirtit të njeriut. Edhe kur bisedon me të, ndjen se ke të bësh me një njeri që artin e ka pjesë të vetvetes. Ai e përjeton jetën edhe jashtë vetes së tij, edhe jashtë familjes, pallatit, lagjes, qytetit, vendlindjes… edhe jashtë Shqipërisë. Gjeografia shpirtërore e shkrimtarit, veç poezisë së bukur, na sjell edhe një prozë sa elegante aq edhe tronditëse.
Gjithmonë diçka ndodh brenda shkrimtarit. Uni dhe Uni , që gjenden tek çdo njeri, te shkrimtari përballen më dukshëm me njëri-tjetrin… Shkrimtari gjithmonë është dy, me të përbashkëtat dhe, më tepër, me të kundërtat e tyre. Uni dhe Uni , mendojnë ndryshe, ndjejnë ndryshe, dashurojnë ndryshe, edhe grinden, edhe shahen, por jo si njerëzit e zakonshëm… Në fund del në pah mendimi filozofik, që fillon nga më e thjeshta e jetës deri tek problemet më madhore të njeriut. Kështu lind dhe rritet vepra letrare tek shkrimtari Myrteza Mara.
“Të shkruash romane është një punë filozofike”-shkruan kritiku anglez Ralf Foks. Kush bën letërsi të vërtetë e fut mendimin e vet në filtrin filozofik. Kjo vihet re, dukshëm, tek proza e M. Marës, kryesisht tek romani “Semaforët e thyer” dhe “Gruaja e një ëndrre të bardhë”, që shkrimtari ia ka dhënë lexuesit dy vitet e fundit. Por nuk dua të eci në këtë udhë-mendimi te ky shkrim, që kërkon një studim të gjatë. Do vazhdoj ndijimet e mia në portretin poetik të shkrimtarit Myrteza Mara, pa pretenduar të bëj analizën e veprës së tij letrare.
Novela “Lisjana”, e botuar më 2007 dhe e ribotuar nga Shtëpia Botuese “Toena” më 2008, është dëshmia më e mirë e një proze të bukur poetike. Të bësh një përcaktim të tillë për një libër të tërë me 88 faqe, nuk është e lehtë. Duhet një artist i mirë i mendimit dhe i fjalës, që të arrijë të mbajë një novele të tërë me dallgë poetike brenda. Mund të them se është novelë e tipit Çehovjane, por e kohëve moderne të shekullit të XXI. Shkrimtari tregon në vetën e parë, komunikon me personazhet, ashtu siç do ai e ashtu siç di ai, ndërton marrëdhënie njerëzore të pranueshme nga lexuesi, por edhe të pa pranueshme nga lexuesi, (se ndryshe s’kishim pse të shkruanim për këtë shkrimtar) thyen “tabunë” e ndarjes së brezave me kryefjalën “dashuria nuk njeh moshë”, e respekton jetën në të gjitha etapat e saj, duke i dhënë asaj kuptim…
“Gjëja më e mirë shkruhet kur je i dashuruar”-shkruan Ernest Hemiguej. Dua ta besoj Hemiguejn! Por shkrimtari nuk dashuron si njeriu i zakonshëm. Vetëm kur dashuria kthehet dhimbje dhe vuajtje, ai mund të jetë i sigurt për atë që shkruan. Dhe vepra e tij letrare gjen lexuesin që meriton.
Novela “Lisiana”është bërë më tepër pronë e rinisë, duke kaluar nga njëra dorë tek tjetra, bile edhe duke e fotokopjuar. Kur ndodh kështu, në kohën që lexuesit i janë larguar shumë librit, është një sukses i kuptimtë i shkrimtarit dhe një mësim për shumë shkrues, që pandehin se bëjnë çudinë duke nxirë fletët me germa, pa bërë dot letërsi të vërtetë. Le të lexojnë “Lisjanën” edhe ata që të mësojnë si shkruhet bukur proza.
“Gruaja e një ëndrre të bardhë” (Toena, 2008) është romani i fundit që i ka dhënë lexuesit shkrimtari. Në qendër të romanit është dashuria e ngujuar pas hekurave të shpirtit. Rreth kësaj dashurie zhvillohen ngjarjet e krimit, jeta në emigracion, që lëviz drejt vendlindjes, ku mundësinë e kap prej fyti pamundësia. Në qendër të romanit qëndron “ngjarja e padëgjuar ndonjëherë”(siç shkruan Gëtja, në një vlerësim të novelës së Cvajgut), që del nga e zakonshmja e jetës, bile veçohet edhe nga disa të padëgjuara të tjera. Autori nuk e ka kërkuar, por e ka jetuar ngjarjen, se shkrimtari di t’i zbulojë e t’i magnetojë “të pandodhurat”. Kur e lexon romanin të duket sikur shkrimtari ndodhet aty “tek e pandodhura”. Shkrimtari hyn në jetën e personazheve jo nga porta, por nga një derë dytësore, që quhet “dera e fshehtë e shkrimtarit” dhe bëhet vetë-personazh, “zot shtëpie” jo mik shtëpie. Nuk është e lehtë kjo. Pyesni Myrteza Marën si mund të hyhet.
Në këta njëzetë vjet, shumë shkrimtarë kanë migruar jashtë vendit, janë bërë dhjetëra e dhjetëra libra, të gjithë gjinive, por nuk na ka mbetur në mend ndonjë libër, ku dashuria dhe dhimbja të bashkëjetojnë në harmoni, siç ndodh me romanin e M. Marës. Letërsia është të shohësh më lart e më larg, të abstragosh duke jetuar e të jetosh duke abstraguar. Letërsia nuk e riprodhon botën, por e krijon atë ë formën më të lartë të mendimit dhe të qytetarisë. Vlora, e poetit dhe shkrimtarit Myrteza Mara, është një vend ku prodhohet letërsi, por manifestohet jo mirë ajo që prodhohet. Në një shkrim timin kam shkruar “Vlora-poete”. Brenda kësaj fjale hyjnë gjithë krijuesit e vërtetë vlonjatë, që e duan letërsinë dhe e shkruajnë bukur letërsinë, pa thënë: shih sa bukur e kam shkruar! Letërsia e Myrteza Marës dhe gjithë letërsia vlonjate është një pasuri për letërsinë e sotme shqipe. Poeti nuk ka moshë, mosha e tij është poezia. Çdo poet ka qiellin e vetë poetik, me hapësira të pamatshme. Lexoni librat e Myrtza Marës që të hyni në qiellin e tij poetik!
“Nga një artist me zemër të vogël, sado i aftë të jetë ai, nuk del art i mirë…” shkruan shkrimtari i madh turk Jashar Qemal. Unë, duke njohur Myrteza Marën i besoj plotësisht këto fjalë.
Detyra e çdo shkrimtari është të krijojë kulturë për popullin e vet, aq më tepër sot që kultura kombëtare shfaqet anemike. Këtu nis dhe nuk mbaron misioni i tij. Veprat e ardhme të shkrimtarit Myrteza Mara, jam i sigurt se do vazhdojnë të ndihmojnë në kulturën tonë kombëtare, duke krijuar kulturë.
Poeti është gjithmonë njeriu i së nesërmes,
lexojeni poetin,
besojeni poetin!
Athinë, tetor 2009
Nga Drita Antologji
_________________________
URIM I MIQEVE NGA "SOFRA POETIKE"
Shume i respektuari Myrteza Mara, gezuar ditlindjen! Ne miqte tuaj nga "Sofra poetike" urojme nga zemra qe ti jeton edhe 100 vjet tjera te lumtura dhe te na dhuroni edhe shume vepra letrare! Gezuar!
Përgatiti: Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA MYRTEZA MARA
Edhe unë bashkë me Sofren i bashkangjitem Urimit!
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA SILVANA BERKI
» Me rastin e ditlindjes-POEZI NGA ILIR MAGJISTARI
» Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA PELLUMB SYKU
» Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA MAHIR MORINA
» POEZI NGA FRAN UKCAMA-Me rastin e ditlindjes
» Me rastin e ditlindjes-POEZI NGA ILIR MAGJISTARI
» Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA PELLUMB SYKU
» Me rastin e ditlindjes:POEZI NGA MAHIR MORINA
» POEZI NGA FRAN UKCAMA-Me rastin e ditlindjes
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi