Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

“Qershori i tretë” erdhi në janar

Shko poshtë

“Qershori i tretë” erdhi në janar Empty “Qershori i tretë” erdhi në janar

Mesazh nga Agim Gashi Wed Feb 09, 2011 12:01 am

“Qershori i tretë” erdhi në janar
“Qershori i tretë” erdhi në janar Abdi%20baleta
Nga Abdi Baleta
Focus

Këto ishin shpërthime çmendurie, tërbimi që del jashtë natyrës njerëzore, ishin skena të një furie sulmesh barbare e të turpshme që bënë ”demonstruesit” e komanduar nga treshja puçiste Edi Rama - Gramoz Ruçi - Skënder Gjinushi.
Të nderuar lexues të gazetës “Bota Sot”,
Zgjodha këtë titull për shkrimin tim, sepse emërtimi i muajit të gjashtë të vitit, që në gjuhën shqipe është lidhur aq bukur me “pjekjen e qershive”, në fjalorin politik shqiptar prej kohësh është lidhur tragjikisht me një dukuri historike të shëmtuar: me “kryengritjen e armatosur”, me “puçin politik” dhe me “grushtin ushtarak të shtetit”, për të marrë pushtetin në vend, pa iu drejtuar më parë votës popullore dhe pa kaluar shtetasit para kutive të votimit.
Më 21 janar 2011 shqiptarët kudo (dhe jo vetëm shqiptarët) mbetën të gozhduar e të ngrirë për orë të tëra para ekraneve televizive duke ndjekur një shfaqje dhune masive, primitive e të paparë. Grupime njerëzish suleshin si të tërbuar me hunj, me gurë, shishe benzine, ulërima e gjeste fyese dhe me klithma të egra kundër rreshtave të policëve të paarmatosur që mbronin selinë e qeverisë së Republikës së Shqipërisë në bulevardin kryesor të kryeqytetit, “Dëshmorët e Kombit”. Kurrë ndonjëherë më parë një krim i këtyre përmasave dhe i kësaj natyre nuk është kryer para syve të kaq shumë dëshmitarëve okularë dhe nuk është fiksuar me mjetet më të përsosura teknologjike si kësaj radhe. Por këto ishin e kundërta e asaj që do të shohë spektatori. Këto ishin shpërthime çmendurie, tërbimi që del jashtë natyrës njerëzore, ishin skena të një furie sulmesh barbare e të turpshme që bënë ”demonstruesit” e komanduar nga treshja puçiste Edi Rama - Gramoz Ruçi - Skënder Gjinushi, për të përmbysur qeverinë dhe qeverisjen e ligjshme të Shqipërisë të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe për ta zëvendësuar atë me qeverinë e tyre “revolucionare”, të të ashtuquajturit “popull i rebeluar”.
Për të dytën herë gjatë 20 viteve të pas komunizmit në Shqipëri skena të tilla dhune masive u organizuan nga të njëjtat forca politike, nga të njëjtët politikanë të etur për të ardhur në pushtet nëpërmjet gjakderdhjes me të njëjtën parrullë “Sali Berisha dorëzo pushtetin”.
Klithmat tmerruese të kryetarit të PS-së
Forcat e policisë e të Gardës së Republikës, qëndruan me profesionalizëm të admirueshëm në krye të detyrës së tyre ligjore dhe mbrojtën heroikisht selinë e qeverisë dhe qeverisjen legjitime të Shqipërisë më 21 janar 2011. Pas pesë orë dhunë primitive të paparë kreu i turmës së ndërkryer të sulmuesve, që kishte qëndruar i strukur në vendkomandë, bashkë me këshilltarët e gjeneralët e tij (ende me veshje civile) u shfaq në ekran i dëshpëruar që nuk e pushtoi dot selinë e qeverisë dhe dha urdhërin për tërheqje.
Ky njeri, kryetar i pushtetit vendor në kryeqytet dhe kreu i partisë politike më të madhe opozitare dhe i krejt “opozitës së bashkuar”, deri në këtë çast kishte lëshuar klithmat tmerruese se “nuk e përmbante dot më popullin e rebeluar”, se “të zemruarit me qeverinë” nuk pyesnin më askend në botë dhe do të merrnin me forcë gjithçka në dorën e tyre, qeveri e qeverisje, pushtet e politikë; se kryeministri i Shqipërisë po të mos largohej vetë tinëz nga posti i tij do të detyrohej të shkelte mbi kufoma për të dalë nga zyra e tij njëherë e përgjithmonë. Nuk imagjinohet dot lehtë që një politikan në një shtet anëtar të NATO-s, në janar të vitit 2011, të bëjë e të shpallë publikisht një skenar të tillë ngjarjesh dhe të shkojë vetë në vendngjarjen e planifikuar të krimit masiv për të luajtur edhe rolin e kryeregjizorit të këtyre skenave. Ai kërcënonte se nuk ishte në gjendje dhe as nuk donte të komandonte më forcat e verbra të dhunës që kishte grumbulluar rreth vetes për shumë kohë dhe i kishte lëshuar të ushtronin dhunë më 21 janar 2011 në orën 14.00.
Për shumë njerëz sot një skenar e regjizurë e tillë çmendurake e cinike mund të duken të pashoqe. Megjithatë edhe për këtë skenar e regjizurë grushtesh shteti ka precedentë shqiptarë.
Më 22 shkurt 1991, në fillimet e lëvizjes demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, në Shqipëri u kurdis tentativa për grusht shteti nga forcat ushtarake me pretendimin se “duhej shpëtuar vendi nga anarkia”, “se duhej rivendosur monumenti i Enver Hoxhës në qendër të Tiranës” (që ishte rrëzuar nga protestuesit më 20 shkurt). Për pesë orë të tëra, nën britmat e kuadrateve ushtarake të bërë gati për “luftim”, u zhvillua një takim në “shtabin operativ” të grushtit të shtetit në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në oborrin e së cilës ngrihej ende hijerëndë monumenti i Enverit. Ky “shtab operativ” përbëhej prej oficerësh të rinj e kursantësh, kurse hallka tjetër mbi ta, me oficerë madhorë, qëndronte diku në sallat ngjitur. Oficerët e rinj lëshonin klithmat kërcënuese “ushtria nuk mund të durojë më politikën”, “ushtria nuk ka më besim tek ministria e brendshme për ruajtjen e rendit publik”, “ushtria nuk mund t’i bindet më as Ministrisë së Mbrojtjes, as komandantit të përgjithshëm (Ramiz Alisë) se e lanë vendin të zhytet në anarki”.
Pas 5 orë debatesh të tensionuara me përfaqësuesit e PD-së e të Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që ishin ftuar në atë takim, dhe pas një mobilizimi popullor kundërshtues jashtë mureve të Shkollës së Bashkuar filloi të binte zjarrmia e kërcënuesve me grushtin ushtarak të shtetit. Shtabet më të larta politiko-ushtarake (hallka e tretë) që ishin në Ministrinë e Mbrojtjes dhanë urdhrin për “tërheqje”, si Edi Rama e bashkëpunëtorët e tij më 21 janar 2011. Grushti i shtetit i ushtrisë mbeti pa shkuar deri në fund.
Në shkurt-mars 1997 në Shqipërinë e Jugut plasi rebelimi i armatosur nën drejtimin e “komiteteve të shpëtimit publik” që gjithashtu shpallën se ishin ngritur kundër gjithë mekanizmit politik pushtetar dhe opozitar të Tiranës dhe klithnin se vetëm populli do të vendosë. Nga “Lidhja e Jugut”, të krijuar prej këtyre komiteteve, qeverisë e presidentit Berisha në Tiranë u mbërriti ultimatumi “ose të dorëzoni pushtetin deri më 13 mars në orën 20.00, ose populli i rebeluar dhe forcat e tij të armatosura do të marshojnë mbi Tiranë”. Këto forca nuk mbërritën më afër se lumi Shkumbin, por pikërisht në orën 20.00 të datës 13 mars 1997 Tirana u gjend nën sulmin e forcave bashibozuke që ishin futur, ose ishin organizuar më parë në kryeqytet. Filloi gjëmimi i armëve, britmat “Vlora, Vlora” nëpër rrugë, vjedhjet e grabitjet. U sulmua Presidenca e Republikës, ku gjendej i ngujuar Berisha. Shteti shqiptar u shkërmoq. Shqipëria mbeti pa pushtet e u zhyt në kaos. Rebelimi i armatosur antikushtetues triumfoi.
“O ne në qeveri, o Shqipëria shkrumb e hi”
Edhe më 21 janar 2011 u përsërit i njëjti skenar. Politika opozitare kërkoi që pushteti t’i dorëzohej asaj, ose përndryshe “pushtetin do ta merrte populli i papërmbajtur”, që ajo nuk e kontrollonte dot. Kur sulmi për marrjen e ndërtesës së Kryeministrisë dështoi opozita politike tregoi se ajo mund ta kontrollonte fare lehtë “popullin e dalë jashtë kontrollit”. “Shturmtruper-ët” e Edi Ramës u tërhoqën nga “fushëbeteja” sapo u tha “Fyhreri” i tyre. Një javë më vonë, më 28 janar, po ky “popull i pabindur” marshoi shumë qetë në të njëjtin bulevard gjatë një ceremonie mortore për tre të vrarët e 21 janarit.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili qëndroi në zyrën e tij, shpalli se tentativa për grusht shteti kishte dështuar plotësisht dhe se çdo tentativë e tillë do të dështonte, pasi qeveria dhe institucionet e dala nga zgjedhjet e 28 majit 2009 ishin të vendosura të mbronin rendin kushtetues. Berisha nuk zuri në gojë ngjarjet e vitit 1991, as ato të vitit 1997. Ai shkoi më thellë në historinë politike të grushteve të shtetit në Shqipëri, duke i shpallur sulmet e 21 janarit 2011 si përsëritje të grushtit të shtetit të qershorit të vitit 1924. Atëherë, para 87 vitesh, kur shteti shqiptar i ngjante një fëmije që sapo ishte ngritur në këmbë, shpërtheu në Vlorë një rebelim i armatosur civilësh e ushtarakësh, të prirë nga një opozitë parlamentare anarkiste e terroriste, e etur për të shtënë sa më parë në dorë pushtetin, sipas parullës së saj “O ne në qeveri, o Shqipëria shkrumb e hi”. Një grumbull heterogjen politikanësh, klerikësh politikë dhe ushtarakësh ambiciozë të asaj kohe organizuan “marshimin mbi Tiranë”, duke u nisur nga disa pika si Vlora, Përmeti, Skrapari, Shkodra e Malësia dhe rrëzuan pushtetin e ligjshëm në Tiranë. Berisha u kumtoi shqiptarëve se 21 janari (më saktë 5 orë të pasdites së kësaj date) ishte një përsëritje e dhunës së qershorit 1924. Pra, në janar të vitit 2011 po përsëriteshin ngjarje të para 87 viteve.
“Qershori i dytë” ka ndodhur në shkurt-mars të vitit 1997
“Qershori i dytë” ka ndodhur në shkurt-mars të vitit 1997, kur “rebelimi i armatosur”, i nxitur nga Partia Socialiste, rrëzoi një pushtet të dalë nga zgjedhjet, me Sali Berishën president i Shqipërisë.
Kryeministri Berisha ishte i saktë në këtë krahasim. Por ishte i pasaktë kur krijonte përshtypjen se shqiptarët po përjetonim “qershorin e dytë” të rebelimit për pushtet. Në të vërtetë ky është “qershori i tretë”, në vargun e gjatë të episodeve të luftës civile në Shqipëri. Është rasti i tretë në historinë politike brenda 87 vjetësh të shtetit shqiptar, që një parti politike, një grupim politik e parlamentar i pakënaqur pse rezultatet e zgjedhjeve e kanë lënë në opozitë, tenton me anë të dhunës së rrugës e me armë të marrë pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv nga duart e shumicës parlamentare.
“Qershori i dytë” ka ndodhur në shkurt-mars të vitit 1997, kur “rebelimi i armatosur”, i nxitur dhe i drejtuar politikisht po nga Partia Socialiste, rrëzoi një pushtet të dalë nga zgjedhjet (që dhe atëherë e kryesonte Sali Berisha si president i Shqipërisë). Në vitin e zi 1997 “qershitë e pushtetit” për kryengritësit rebelë të armatosur dhe për puçistët politikë socialistë nuk u poqën në muajin e tyre të natyrshëm, në qershor si më 1924, por u bënë për t’u mbledhur në kulmin e acarit dimëror, në shkurt-mars. Edhe në vitin 2011 të paduruarit për të rrëmbyer me dhunë qeverisjen e vendit dolën në rrugë “të mblidhnin qershitë” e qeverisjes, të lakmuara prej tyre, në mes të acarit dimëror, më 21 janar. Për çudi kjo datë përkonte dhe me një tjetër “përkujtesë revolucionare”, me datën 21 janar 1924 kur “revolucionarët e gjithë botës” ranë në zi për vdekjen e Vladimir Iliç Leninit në Rusi.
Në “qershorin e…” vitit 1997, gazeta “Bota sot” nuk lejohet të botohej në Kosovë nga regjimi serb
Pikërisht në kohën e “qershorit të dytë të acartë” të Shqipërisë, në shkurt të vitit 1997, redaksia e gazetës “Bota Sot” pati mirësinë të më ftonte të isha i pranishëm në faqet e saj me analizat e mia politike nga Tirana për zhvillimet e atëhershme dramatike. Pranova me kënaqësi këtë ftesë, sepse çmoja se bashkëkombasit shqiptarë në mërgim (atëherë “Bota Sot” nuk lejohej nga pushtuesit serbë të hynte në Kosovë), kishin nevojë të merrnin opinione politike të drejtpërdrejta nga Shqipëria, e cila po kalonte një periudhë tejet të vështirë e të dhimbshme, për shkak të ndërhyrjeve politiko-ushtarake e agjenturore të huaja. Faktikisht Shqipëria atëherë ishte zhytur në një luftë civile, që shpërtheu fillimisht me hyrjen e pjesëmarrjen e bandave greke në Shqipërinë e Jugut dhe u shtri në të gjithë vendin.
Në atë kohë, në Shqipëri u kufizua tej mase mundësia për të komunikuar me opinionin publik nëpërmjet analizash politike. Ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. U mbyllën gazetat. Megjithatë, furia e ndërhyrjes grek, e mafies rajonale italiane e ballkanike dhe e agjenturave të huaja nuk u ndal dot nga një rezistencë e dobët, anemike, e çorganizuar, madje e tradhtuar edhe nga brenda, e pushtetit legjitim të asaj kohe, i cili ishte pushtet i Partisë Demokratike me Sali Berishën si president dhe Aleksandër Meksin si kryeministër. Ky pushtet kapitulloi para rebelimit të armatosur, të drejtuar nga “Komitetet e shpëtimit publik” në zonën jugore të Shqipërisë dhe nën trysninë e intrigat politike të Partisë Socialiste dhe të disa aleatëve të saj që i mblodhi nga mundi, duke përfshirë edhe disa “forca të djathta”. Pushteti i atëhershëm i PD-së dhe i Berishës praktikisht u shembën turpshëm me marrëveshjen e 9 marsit 1997. Triumfoi rebelimi i armatosur greko-komunist dhe grushti i shtetit i Partisë Socialiste, e cila mori në dorë qeverisjen e vendit, jo me anë të votës, por me anë të pushkës, siç kishte bërë kjo parti edhe në vitin1944.
Pas dorëzimit me turp të pushtetit me 9 mars 1997 Partia Demokratike ra dhe në kurthin politiko-diplomatik të forcave ndërkombëtare, të cilat kishin nxitur rebelimin e armatosur, duke pranuar që ky rebelim dhe triumfi i grushtit të shtetit të “legalizoheshin” me një farsë zgjedhore që u kurdis më 29 qershor 1997. Në këtë farsë mori pjesë dhe PD-ja e mundur ushtarakisht, e dërrmuar moralisht dhe e përbuzur politikisht. PD-ja mbijetoi, ndonëse ishte e qartë se kurrë nuk do të merrte më veten për të plotësuar si duhet atë mision që shpresuan në fillim shumica e shqiptarëve, kur e mbështetën.
Për të gjitha këto zhvillime e dukuri të shmëtuara në jetën politike shqiptare pas rrëzimit të diktaturës komuniste kam shkruar gjerë e gjatë në faqet e “Bota Sot” atëherë dhe gjatë shumë viteve bashkëpunimi të rregullt me këtë gazetë. Ndonëse nuk e kisha hequr asnjë herë nga mendja dyshimin se pas “qershorit të dytë” do të kishte përsëri shtërngata politike në Shqipëri, ardhja e “qershorit të tretë” në mes të dimrit të acartë të vitit 2011 është paralajmërim i fuqishëm se u duhet rënë më fort këmbanave të alarmit.
Të dashur lexues të “Bota Sot”
Prandaj, mbas një ndërprerjeje gati dyvjeçare vendosa të shkruaj sërish për ju nga Tirana, sepse kemi prova të reja që retë e zeza të luftës civile nuk janë larguar kurrë nga qielli politik i Shqipërisë, qysh nga koha e pavarësimit të saj më 1912. Më 21 janar 2011, për disa orë me radhë, shpërtheu edhe njëherë rrebeshi i një tentative për grusht shteti që kishte për qëllim të përmbyste rendin kushtetues, të nxirrte jashtë skenës politike atë shumicë politike, atë parlament dhe atë qeveri që dolën nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të 28 qershorit 2009. Pra, synohej të përmbysej një qeverisje e ngritur mbi rezultatet që kishin dalë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe të zëvendësohej ajo me një qeverisje që do të dilte nga “dhuna revolucionare” e rrugës. Synohej kështu që edhe një herë në Shqipëri të shembeshin e të dështonin pushteti dhe qeverisja e dalë nga kutitë e votimit, nga vota e lirë e shtetasve, dhe të triumfonin pushteti dhe qeverisja e dalë nga “gryka e pushkës”. Një mënyrë e tillë veprimi për të ardhur në pushtet nuk mund të quhet më garë për pushtet, por luftë për ardhjen me dhunë në pushtet. Kjo e ka emrin “luftë civile”, edhe nëse për mendësitë e disave kjo mund të ketë kuptimin e “revolucionit shoqëror”, apo të “kryengritjes popullore”. Sulmet e egra dhe veprimet banditeske që organizoi e ndërmori më 21 janar 2011 udhëheqja politike e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të pushtuar selinë e qeverisë së Shqipërisë dhe për të vendosur aty qeverinë e krijuar nga opozita, ishin tentativë e mirëfilltë për një grusht shteti, siç ka ndodhur edhe herë të tjera në Shqipëri, sipas shembullit më të keq të juntave civilo-ushtarake në shumë vende të botës, dikur në Amerikën Latine dhe tani më shumë në vendet afrikane.
Grushteti 21 janarit të vitit 2011
Grushti i shtetit i 21 janarit 2011 nuk duhet vështruar aspak si ndonjë e papritur e madhe, si një “rrufe në qiellin e pastër” të politikës shqiptare. Ai grusht shteti kishte kohë që qëndronte pezull në atmosferën e politikës shqiptare. Vetë ata që e gatuan dhe e shpërthyen kishin paralajmëruar me kohë se puna do të shkonte deri tek përdorimi i dhunës së rrugës për të rrëmbyer pushtetin, nëse ky pushtet nuk u dorëzohej atyre me të mirë nga pushtetmbajtësit, sepse këta gjoja nuk e meritokan pushtetin, pasi zgjedhjet nuk paskan qenë të ndershme, ndonëse mekanizmat ligjorë shqiptarë dhe ata juridikë e politikë ndërkombëtarë, këto zgjedhje i kishin shpallur të mirëqena dhe qeverinë shqiptare të ligjshme e partnere të tyre.
Baza dhe treguesi kryesor i nivelit të demokracisë në një vend është ndërrimi i pushteteve dhe kalimi i qeverisjes nga një forcë politike tek një tjetër nëpërmjet zgjedhjesh, qofshin ato dhe jo të përsosura në të gjitha parametrat e standardet. Tregues tjetër themelor i nivelit të demokracisë në një vend është rregullshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve në intervale kohore të caktuar (4, 5 vjet zakonisht). Në zgjedhje të parakohshme mund të shkohet kur nuk krijohet dot një shumicë parlamentare që të japë një qeverisje, ose kur një koalicion qeverisës prishet. Mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme kur ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme si p.sh., në Shqipëri në vitin1997.
PS-ja manipuloi zgjedhjet e vitit 2001 e faktorët ndërkombëtarë mbyllën sytë
Shëqipëria i ka përjetuar dhimbshëm këto dukuri. Qysh nga viti 1912 e deri më sot në Shqipëri nuk po krijohet dot një praktikë e qëndrueshme demokracie zgjedhore, ku të mos ketë kontestime që çojnë në tronditje të thella të sistemit politik .
Zgjedhjet e para parlamentare në vitin 1921 mund të ishin të mirëqena për atë kohë, por nuk vendosnin dot standarde të larta demokratike e as nuk shtruan rrugën drejt demokracisë serioze në politikë. Pas atyre zgjedhjeve shteti shqiptar deri në vitin 1924, më saktë deri në “Triumfin e Legalitetit” më 24 dhejtor 1924, hyri në një periudhë trazirash të mëdha, me disa episode lufte civile. Politikani intelektual Terenc Toçi ka shkruar se kjo ishte “periudhë e një parlamentarizmi e tribunizmi të turpshëm e të rrëmujshëm” e një “populizmi ngatërrestar”. Një tjetër intelektual i shquar, politikan i kohës, Eqrem bej Vlora, ka bërë një cilësim edhe më të saktë duke e cilë suar “periudhë e shthurësisë masono-demokratike”. Ishte kjo shthurësi masono-demokratike që çoi në “qershorin e parë”, në atë që është quajtur “grusht shteti”, “kryengritje e armatosur”, apo dhe “revolucion demokratik” (quajeni si të doni se në thelb nuk ndyshon gjë përsa i përket karakterit antiligjor të tij) të qershorit 1924.
Si pikënisje dhe “alibi” për këtë veprim antiligjor të marrjes me dhunë të pushtetit shërbeu pikërisht pakënaqësia e një krahu politik për rezultatin e zgjedhjeve të 27 dhjetorit të vitit 1923 për Asamblenë Kushtetuese. Ata që nuk fituan aq vota sa donin për të imponuar pushtetin e tyre përgatitën veprimet e armatosura. Kështu, në vend që të rrënjosej qysh në fillim të jetës shtetërore të pavarur në Shqipëri shenjtëria e zgjidhjes nëpërmjet zgjedhjeve, u shfaq hija e mbrapshtisë dhe e mallkimit të përdorimit të dhunës për pakënaqësi politike nga zgjedhjet.
Zgjedhjet e para më vitin 1991 dhe msakra në Shkodër
Deri në vitin e rënies së diktaturës komuniste më 1991 në Shqipëri nuk janë zhvilluar zgjedhje të rregullta të pluralizmit demokratik, siç kërkohet sot. Zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, edhe pse ishin pluraliste, u paraprinë nga dhuna e Partisë së Punës në pushtet, madje nga një tentativë klasike për grusht ushtarak shteti më 22 shkurt 1991 (dy ditë pas rrëzimit të monumentit të Enverit në Tiranë). Këto zgjedhje u pasuan nga masakra e 2 prillit 1991 në Shkodër, që pushteti i Partisë së Punës me ministër të brendshëm Gramoz Ruçin, kishte llogaritur ta shtrinte në të gjithë Shqipërinë kundër opozitës demokratike. Zgjedhjet pasuese, më 22 shkurt të vitit 1992, ishin “të parakohshme”. Në fakt ato nuk ishin zgjedhje, por një referendum për sistemin politik. Ishte koha kur Partia e Punës, edhe pse kishte dy të tretat e vendeve në parlament ishte tashmë jashtë kohës e hapësirës politike shqiptare dhe ndërkombëtare. Ajo nuk kishte rrugë tjetër veçse të largohej nga skena, qoftë përkohësisht, duke dorëzuar pushtetin, sepse ishte relike politike e të shkuarës diktatoriale komuniste.
Zgjedhjet e radhës të vitit 1996 u përdhosën nga të dy palët konkurruese: PD-ja në pushtet dhe PS-ja në opozitë. PD-ja ishte rrëmbyer nga ethet e pushtetit dhe kërkonte fitore me dy të tretat e vendeve në parlament. PD-ja nuk përfilli këshillat e amerikanëve për të qenë më modeste në pretendime. PS-ja ishte verbuar nga revanshizmi politik dhe kërkonte rikthim të shpejtë në pushtet. Prandaj kjo kurdisi komplotin e zhvleftësimit të zgjedhjeve ne sytë e botës, duke tërhequr ditën e votimeve gjithë përfaqsuesit e saj nga komisionet e qendrave të votimit dhe duke bojktuar në mënyrë të paligjshme e të pabesë krejt procesin. PD-ja ra në kurthin e ngritur, duke marrë vendet e deputetëve deri në zonat e njohura si bastione socialiste (si p.sh., në Skrapar). Faktorët ndërkombëtarë sigurisht që u neveritën nga të tilla zhvillime.
PD-ja u tregua e paaftë të bënte shpejt ndreqjet e duhura. Kjo shërbeu si pikënisje dhe “alibi” për PS-në që të kurdiste “qershorin e dytë” në shkurt-mars të vitit 1997. Pasoi farsa zgjedhore e “zgjedhjeve të parakohshme” të 29 qershorit 1997 që faktorët ndërkombëtarë, edhe pse e panë se nuk ishin zgjedhje, me cinizëm i shpallën “të pranueshme për momentin”. Pasoi dhe një farsë zgjedhore në qershor 2001, kur PS-ja manipuloi rezultatet dhe faktorët ndërkombëtarë përsëri mbyllën sytë me (keq)dashje dhe e detyruan PD-në të pajtohej edhe një herë me “humbjen”, për hir të stabilitetit në Shqipëri e në Ballkan.
Shpresa që lindi më vitin 2005
Në vitin 2005 në Shqipëri lindi një shpresë se më në fund, pas shumë peripecish fatkeqe në ndërrimet e pushteteve, do të hidheshin themelet e qëndrueshme të një praktike të mirëfilltë demokratike për ndërrimin e pushteteve dhe kalimin normal e të qetë të qeverisjes nga një forcë politike tek një tjetër vetëm nëpërmjet zgjedhjesh. Në vitin 2005 PS-ja u largua me zgjedhje nga pushteti, tetë vjet pasie e kishte marrë atë me dhunë të armatosur më 1997 dhe 4 vjet pasi e kishte mbajtur me manipulim zgjedhor në vitin 2001.
Ishte hera e parë që një pushtet i ardhur me dhunë, po largohej me vota. Por, gjithsesi, nuk ishte ndonjë “triumf i ligjshmërisë”, sepse në fakt po legalizohej paligjshmria e marrjes së pushtetit me dhunë në vitin 1997. Në fakt vetëm po bëhej një “kompensim” i vonuar i dëmit politik që i ishte shkaktuar padrejtësisht PD-së në vitet 1997 dhe 2001 me miratimin e faktorëve ndërkombëtarë.
Megjithatë, në vitin 2005 për herë të parë u krijua përshtypja se faktorët politikë shqiptarë po pajtoheshin me idenë që ndërrimi i pushteteve në Shqipëri, tani e tutje, të bëhej vetëm me vota. Por u pa shpejt se kjo përshtypje mund të mbetej ende një iluzion.
Humbësit socialistë në vitin 2005 e treguan aty për aty se nuk mund ta kapërdinin këtë gjë. Në krye të Partisë Socialiste u thirr Edi Rama, një njeri që nuk i kishte përkitur kësaj partie nga pikëpamja organizative, por kishte përfituar prej saj poste të rëndësishme si ministër i cultures dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Janë të shumta arsyet, shqiptare dhe ndërkombëtare, për ardhjen në krye të PS-së të këtij personazhi problematik në të gjitha drejtimet, me një konstrukt mendor e psikologjik të veçantë, prepotent e mjaft të paparashikueshëm, me sjellje arrogante dhe me metoda pune destruktive. Këto arsye mund të analizohen në një kontekst më të gjerë, jo në një shkrim me objektiv të kufizuar si ky.
Këtu duhet thënë se enveristët e thekur, karrieristët e rinj, “turqit e rinj punisto-socialistë”, që iu ngjitën Partisë Socialiste gjatë viteve në pushtet, që u pasuruan tej mase nëpërmjet lojës së saj të pandershme, përbëjnë kontigjentin bazë në anëtarsinë dhe në elektoratin e PS-së. Këta e pranuan me kënaqësi Edi Ramën në krye të PS-së, se ky u ngjallte nostalgjitë për “udhëheqësin e fortë”, u dukej njeriu më i prerë dhe më energjik që mund t’u printe me vendosmërinë më të madhe se ndokush tjetër në betejat politike për të rimarrë pushtetin pas katër vitesh. Fanatikët e PS-së dhe Edi Rama, u bënë si “binjakë të historisë komuniste” (kujtoni vjershën e famshme të Majakovskit për Leninin e bolshevikët si “binjakë të historisë”). Komunsitët e fosilizuar dhe neokomunistët ekstravagantë, gjetën tek Edi Rama atë që u lypsej, “egërsinë revolucionare”, mospërfilljen për “rregullat elegante” të demokracisë zgjedhore, besimin e verbër tek kulti i dhunës me fjalë e me mjete më të forta.
Rama, nga ana e tij, e përdori tabelën e PS-së për të shtënë në dorë një formacion e një grupim politik të gatshëm, për të grumbulluar rreth tij si ushtarë të bindur “politikanë të rinj”, tipa nga më ambiciozët nga brezi i dytë dhe i tretë i nomenklaturës së lartë komuniste të kohës së Enverit, më të etur për pushtet se vetë paraardhësit e tyre gjenetikë e politikë, edhe më të dhënë pas parave e pasurisë, pas tangërllëkut; më të gatshëm dhe më të përgatitur për dhunë verbale se pararendësit e tyre; dhe më të etur deri në marrëzi për të kapur sa më parë karriget e larta të pushtetit qeverisës, bashkë me privilegjet që të sigurojnë këto karrige në kushtet e “shthurësisë së re masono-demokratike”, ku është zhytur politika shqiptare në tërësi qysh prej 20 vitesh.
Kërcënimet e socialistëve: “Mos harroni vitin 1997!”
Por hesapet zgjedhore Ramës nuk i dolën tamam si i kishte bërë. PS-ja nuk siguroi dot aq vende në parlament sa të fitonte të drejtën të formonte vetë qeverinë, dhe nuk pati parti me të cilën të bënte koalicion. PD-ja mundi të krijonte një koalicion me LSI-në, ndonëse të panatyrshëm për nga pozicionimi në spektrin politik shqiptar. Me formimin e këtij koalicioni të panatyrshëm politikisht (dhe të pahijshëm moralisht për një sërë arsyesh) Berisha e PD-ja ia “hodhën” Ramës e PS-së. Por Shqipërisë, në kushtet e krijuara, i bënë një të mirë, se nuk e lanë pa qeverisje dhe nuk e shtynë drejt zgjedhjesh të reja, që mund të rezultonin shumë problematike dhe nga zgjedhje mund të ktheheshin në një episod lufte civile. LSI-ja dhe Ilir Meta, nga krahu i majtë i politikës, pra i të njëjtit soj politik me PS-në, me një numër minimal deputetësh, vetëm katër, edhe këta të kontestuar, morën peshë të madhe politike. Ata e kishin në dorë të çonin vendin drejt zgjedhjesh të reja. Por, në fakt, bënë më të mirën që mund të bënin. U bashkuan me PD-në për të bërë Shqipërinë me qeveri dhe për të mos krijuar tensione të reja institucionale.
Grushteti i 21 janarit
Ishin këto dy arsye të forta që tërbuan Ramën dhe kontigjentet e tij. Rama nuk donte të humbte postin e kryetarit të PS-së dhe nisi fushatën e zhvlerësimit të zgjedhjeve. Rama dhe kontigjentet e tij e shohin se me zgjedhje normale do ta kenë të vështirë të vinë në pushtet dhe prandaj tentojnë të destabilizojnë sistemin politik e rendin kushtetues të Shqipërisë që të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Rama dhe kontigjentet e tij e dinë se, si rregull, ai pushtet që e ndjen veten të detyruar të pranojë zgjedhje të parakohshme, dobëson edhe më pozitën e tij dhe forcon atë të kundërshtarit, bën paraprakisht një hap kapitullues. Prandaj u organizua grushti i shtetit i 21 janarit 2011, në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011. Prandaj Rama dhe kontigjentet e tij bërtasin se bashkë me zgjedhjet lokale duhen bërë edhe ato të përgjithshme. Pra, edhe një herë, për të tretën herë tashmë, në historinë politike të shtetit shqiptar, “pakënaqësia” nga zgjedhjet u përdor nga një forcë politike, PS-ja, si pikënisje dhe si “alibi” për të sjellë një “qershor tjetër politik” në mes të dimrit të acartë.
Socialistët e drejtuar nga Edi Rama kishin bërë përgatitje të shumta e të gjithanëshme për këtë grusht shteti. Ata kanë kërcënuar pa pushim qeverinë e PD-së me fjalët “mos harroni vitin 1997”, pra u kanë thënë qeveritarëve se nuk kishin hequr dorë nga rimarrja e pushtetit me dhunë. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ky kërcënim u bë edhe më serioz. Fillimisht u përdor përralla e “hapjes së kutive të votimit” për të rinumëruar votat. Pastaj u tha troç ajo që mbahej gjysmë e fshehur: duam zgjedhje të parakohshme. Dhe më në fund erdhi dhuna e 21 janari të vitit 2011, që nisi me ultimatumet e hapura se “pushtetin do ta merrte vetë populli”, meqenëse PD-ja nuk pranoi t’ia dorëzonte PS-së nëpërmjet një farse “zgjedhjesh të parakohshme” si në vitin 1997.
Cinizmin më të hapur dhe më pështirosës në “argumentimin ideo-politik” të grushtit të shtetit e ka paraqitur Preç Zogaj, i bishtëzuari më i ri në gupimin politik rreth Edi Ramës. Sipas këtij “ideologu” të marrjes së pushtetit nëpërmjet dhunës së rrugës, nëse opozita i kërkon forcës politike që qeveris zgjedhje të reja, kjo u dashka t’i pranojë pa fjalë këto zgjedhje dhe pa një pa dy të nisë procedurat për mbajtjen e tyre. Sipas këtij “ideologu”, të një tipi të ri, pushteti i PD-së qenka bërë i paligjshëm, sepse ai mbahet me mbështetjen e katër deputetëve të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe këta katër deputetë janë votuar nga zgjedhës të majtë. Sipas këtij “ideologu” një parti që quhet e djathtë e paska të ndaluar të bëjë koalicion qeveritar me një parti që quhet e majtë, edhe kur kjo bëhet e domosdoshme nga rrethanat politike, kur nuk formohet dot ndryshe një qeveri, siç ndodhi në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Pra, sipas Zogajt, një “politikani të djathtë” iu dashka ndaluar të bëjë ortakëri politike me “politikanë të majtë”, ose katër deputetëve të majtë nuk u lejokërkan të bëjnë aleancë me 70 deputetë të djathtë që Shqipëria të ketë qeveri e të mos shkojë në zgjedhje të reja që mund t’i lënë gjërat kështu si janë, ose t’i bëjnë edhe më keq. Preç Zogaj, “ideologu i ri” trumbetues i grushtit të shtetit si “metodë politike demokratike”, gjatë 20 viteve të politikës paskomuniste në Shqipëri është hequr me mburrje si “i moderuari dhe moderuesi i përhershëm” në politikën shqiptare, si këshilltari i papërtuar i gjithfarë kompromisesh politike midis të djathtës e të majtës, si kundërshtari më i rreptë i ideve dhe i qëndrimeve radikale në politikë.
Por, Preç Zogaj asnjëherë nuk ka qenë ashtu siç është hequr. Ai as sot nuk ka këllqe intelektuale e militantiste të jetë ashtu siç po kapardiset, si “radikal e radikalist” i tërbuar. Preç Zogajn qysh në vitin 1991 e kemi njohur si kundërshtar të grevës së urisë të studentëve, që kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. E kemi ditur se Preçi ishte nga të përzgjedhurit e Ramiz Alisë për t’u futur në Lëvizjen Demokratike në vitin 1991, për ta “moderuar” (në fakt squllur) këtë lëvizje. Ai ishte njëri nga dy deputetët e PD-së, që ditën e zgjedhjes së Ramiz Alisë si president, i bëri ledhatime figurës së diktatorit komunist në parlament. Preçin e kemi njohur si ithtarin e qëndrimit në fuqi të qeverisë famëkeqe të (de)stabilitetit (në vitin 1991) ku ai ishte Ministër i Kulturës, në kohën që krahu i djathtë i PD-së këmbëngulte dhe ia arriti të prishte këtë qeveri të dëmshme për demokracinë në Shqipëri. Preçi ishte njëri nga ata që donin ta lidhin PD-në sa më fort pas qerres të së majtës dhe kur dështoi kaloi nga PD-ja, që po radikalizohej në vitin 1992, në anti-PD-në e quajtur “Aleanca Demokratike”. Pastaj, nëpërmjet kësaj Aleance u hodh në shtabet politike-propagandistike të grushtit të shtetit të vitit 1997, për të shembur “pushtetin e malokut Berisha”. Si shpërblim për këtë bashkëpunim me PS-në pas fitores së “revolucionit të kallashit” më 1997 i dhanë postin e këshilltarit të Presidentit, Rexhep Meidani. Prej andej e bënë edhe ministër në qeverinë socialiste të kryesuar nga Fatos Nano, nga ku e dëboi Ilir Meta.
Preç Zogaj, renegati i penduar!
Pas gjithë këtij flirtimi të gjatë me të majtët Preçi u kujtua se në politikë kishte pas hyrë si “i djathtë”. Duke e ngrënë turpin me bukë u kthye tek PD-ja e tek Berisha me pamjen “renegatit të penduar” dhe nuk la elozh pa i bërë Berishës, me shkrime e me libra. Dhe Berisha e tregoi shëmtueshëm “zemërgjërsinë” (dinakërinë) e tij. E mori Preçin afër vetes, madje e bëri këtë shkrimtar e poet edhe “diplomat të shquar”, deri kryetar të komisionit parlamentar për politikën e jashtme. Por përsëri midis tyre ndodhi një ngatërresë, për të cilën nuk dimë gjë, dhe Preçi iku sërish për t’u bë kryetar nderi i demokristianëve të Nard Ndokës, të armiqsuar me Berishën e bashkë me ta iu ngjit nga pas Edi Ramës, si pjesë e “opozitës së bashkuar”, ku ka marrë rolin e avokatit teorik të grushtit të shtetit. Kryeministri Berisha ka zbuluar sekretin se këto gjëra Preçi i bëka meqenëse i kanë premtuar që do ta bëkan edhe një herë ministër të kulturës. Është një shpjegim i pamjaftueshëm, pakëz naiv, ose disi maskues i të vërtetës.
Por e keqja nuk qëndron tek një Preç. Fatkeqësisht në politikën shqiptare ka shumë Preça e shumë personazhe të atyre tipave që përdhosin pa pushim politikën, acarojnë nervat e publikut dhe shtyjnë shqiptarët në veprime dhune e në vëllavrasje, që bredhin sa majtas-djathtas, që marrin poste të larta herë nga socialistët e herë nga Berisha, pa folur këtu për varo-vingat e tyre nëpër ambasadat e huaja në Tiranë, nëpër zyrat e politikave e në selitë e agjenturave të huaja jashtë Shqipërisë. Të gjithë këta ndikojnë që në Shqipëri retë e luftës civile të nxijnë qiellin dimër e verë, që grushtet e shtetit të qëndrojnë pezull në çdo stinë mbi kokat e shqiptarëve, që banditët të vërshojnë rrugëve dhe shesheve për të vjelur “qershitë e revolucioneve” në janar, ose për të mbushur shportat me vota të vjedhura nën ndriçimin e rrezeve të diellit të qershorit.
Të tillë njerëz janë grumbulluar tani me shumicë rreth strumbullarit të së keqes, Edi Rama. Por edhe rreth Berishës vërdallisen jo vetëm të pafajshëm, të ndershëm, engjëj të politikës. Rama dhe propaganda e tij ka se ku ta godasë turmën politike rreth Berishës. Ia njeh mirë pikat e dobëta, njerëzit e kompromentuar, të lëkundurit, gjysmakët politikë e intelektualë.
Grusht shteti ishte organizuar e komandohej nga një “treshja” Rama, Ruçi e Gjinushi
Para se të ndërmerrte grushtin e shtetit Rama tentoi që pozitat qeverisëse të Berishës t’i minonte pikërisht në parlament, duke i shkëputur ndonjë deputet deri sa të humbte shumicën. Pas dështimit të grushtit të shtetit më 21 janar Rama nuk ka humbur shpresat për të shkaktuar krizë qeveritare dhe ka shpallur se zgjedhjet e parakohshme mbeten e vetmja zgjidhje, që PS do ta arrijë nëpërmjet luftës parlamentare. Rama e di se pika e dobët e qeverisjes së Berishës janë zullumet e korrupsionit të shumë njerëzve të pushtetit, të cilët mund të frenojnë kundërgoditjet që premton Berisha ndaj puçistëve, ose mund të rrezikojnë në fund vetë shumicën e brishtë parlamentare. Këta janë përdhosësit e politikës shqiptare gjatë 20 viteve.
Kryeministri Berisha di shumë gjëra për rrjedhat e sipërfaqshme e të nëndheshme të punëve në Shqipëri. Ai duhet besuar kur thotë se grushti i shtetit ishte organizuar dhe komandohej nga një “trojkë” (në shqip “treshe”) e përbërë nga Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi. Nuk përmendi Preçin e Spartak Ngjelën e disa të tjerë, por opinioni publik i njeh dhe ata si anëtarë të “klubit të së keqes” nën tabelën “PS”, ose “Opozita e bashkuar”. Berisha bëri mirë që ua kujtoi shqiptarëve se Ruçi e Gjinushi kanë qenë ministra të Enver Hoxhës (njëri i brendshëm, tjetri i arsimit). Megjithatë, Berisha la pa thënë (nuk ka harruar me siguri) një gjë me shumë rëndësi: Gramoz Ruçi e Skënder Gjinushi në vitin 1997 kanë qenë dy nga pjesëtarët e triumviratit që drejtonte ngjarjet rrënuese të “qershorit të dytë”,(shkurt-qershor 1997.
Spartak Ngjela avokati i “klubit të së keqes politike”
Në përgjithësi, Berisha e ka anashkaluar “qershorin e dytë” të vitit 1997, në të gjitha deklaratat e tij publike, sepse mbi të rëndon përgjegjësia e madhe që nuk e parandaloi, ose nuk arriti që të bënte të dështonte grusht-shtetin e atij viti, sikurse bëri të dështonte grusht-shteti i 21 janarit 2011. Me sa duket, për t’i shpëtuar ndjekjes nga fantazma e kësaj përgjegjësie, për të mos hapur kapakun e gjirizit erërëndë të trazirave të vitit 1997, që ai ka thënë se e ka mbyllur përfundimisht, kryeministri bëri një kapërcim aq të gjatë në kohë, 87 vjeçar, duke u hedhur nga “qershori i parë” (1924), që synonte të likuidonte politikisht e fizikisht në radhë të parë figurën më shpresëdhënëse të shqiptarëve, Ahmet Zogun, tek “qershori i janarit 2011”, i cili drejtohet kundër figurës më rezistente në politikën shqiptare të sotme, kryeministrit Sali Berisha.
Sipas fjalëve të vetë Saliut, drejtuesit e grushtit të shtetit kryeministrin e vështruakan si një Ahmet Zog të ri. Pra, veç urrejtjes politike-ideologjike paskan ndaj kryeministrit edhe një urrejtje historike të trashëguar nga gjyshërit e prindërit e tyre. Pa hyrë shumë thellë në krahasime të tilla, tani vlen të them se ka këtu një të vërtetë. Pas likuidimit të Azem Hajdarit pasuesit e “qershorit të parë e të dytë” dhe protagonistët e “qershorit të tretë” Berishën e vënë në shënjestër si pengesën kryesore që duhet ta rrëzojnë për të hapur udhën drejt kolltuqeve ministrore për një periudhë më të gjatë se tetë vitet e kallash-pushtetit socialist, 1997-2005. Ishte shumë simbolike goditja me veturë gjatë sulmeve të 21 janarit e pengesave në hyrje të selisë së kryeministrisë.
Nëse kryeministri nuk ka pasur rast të vlerësojë të gjitha deklaratat që kanë bërë avokatët e grushtit të shtetit duhet të mos harrojmë ne të tjerët që në mbrëmjen e grushtit të shtetit, pasi Rama i dëshpëruar nga dështimi i tij kishte dhënë komandën “tërhiquni”, u shfaq në një ekran televiziv avokati i “klubit të së keqes politike”, Spartak Ngjela. Më i shpërfytyruar se vetë Rama, ai lëshoi fjalët, në dukje krejt përçart: “Ne po luftojmë me otomanizmin dhe kjo luftë ka nisur qysh në vitin 1967”. Deri tani nuk e ka pyetur kush këtë avokat se çfarë synonte me këto fjalë “enigmatike”. Në radhë të parë i takon prokurorisë ta pyesë, sepse për një shkrim në internet një “hoxhë shqiptar” (i quajtur jo myslimançe Artan Kristo) është dënuar kohët e fundit me 5 vite burg nga gjykata e Durrësit, nën akuzën se ka nxitur terrorizmin për qëllime fetare myslimane. Kurse Spratak Ngjela është një nga nxitësit kryesorë për ditë e muaj me radhë, me deklarata zjarrvënëse të asaj batërdie që pamë para ndërtesës së Kryeministrisë me 21 janar 2011.
Kush i ka ndjekur historitë e “qershoreve” të parë e të dytë e ka të qartë se edhe urrejtja fetare e greko-ortodoksizmit dhe e klerikalizmit politik fondamentalit katolik kanë pasur pjesën e tyre të fajit në nxitjen disa herë të luftërave civile në Shqipëri. Është gjë e njohur se qysh në kohën e “qershorit të parë”, me protagonistë kryesorë Fan Nolin e Luigj Gurakuqin, flitej për një farë “lidhje të krishterë” në Shqipëri që të luftonte kundër shtetit turko-shqiptar që, sipas propagandës së Athinës, donte ta krijonte Ahmet Zogu. Dihet se mbi varrin e Avni Rustemit, nga ku nisi flakërimi i pasioneve për të bërë “qershorin e parë”, ka mbajtur një fjalim tejet “revolucionar”, jo një përshpirtje prej kleriku, edhe poeti i epikës kombëtare shqiptare, Gjergj Fishta. Nuk dihet mirë, por është fakt i shkruar, se një gazetar me mbiemrin Meksi, i gazetës së Gjirokastrës “Demokratia”, në fillim të viteve 1930 i drejtohej “Orës së Maleve” në Shkodër me thirrjen që të krijohej një “Lidhje e krishterë ortodokse-katolike” kundër sundimit pushtetar mysliman.
Propaganda helene perms ambazadori grek në Shqipëri
“Qershori i dytë” (1997) u përgatit nga grekët në emër të ortodoksizimit e të greqizimit të Shqipërisë, nëpërmjet pushtimit ushtarak grek. Spartak Ngjela ka qenë bashkryetar me Spartak Brahon (nga Partia Socialiste) i Komisionit hetimor parlamentar për rebelimin e vitit 1997 (qershorin e dytë). Në rapotin e veçantë që paraqiti Ngjela (atëherë përfaqësues i pushtetit të PD-së dhe deputet e ministër legalisto-zogist) e vetmja gjë për t’u mbajtur shënim e për t’u kujtuar sot ishte se mohonte rreptësisht se në ngjarjet e Shqipërisë kishte pasur ndërhyrje nga jashtë, pra shfajësonte Greqinë për intervencionin e saj ushtarak, agjenturor, politik, diplomatik, fetar e kriminal në kurdisjen e tragjedisë së Shqipërisë në vitin 1997.
Një kushëri i Spartak Ngjelës, që ka shërbyer në poste të larta të diplomacisë shqiptare gjatë viteve të kallash-pushtetit socialist, qysh në vitin 1992 në një seminar në Athinë ankohej se në Shqipëri ishte vendosur “një etnokraci”, një eufemizëm për tezën greke të shtetit “turko-mysliman”. Një ambasador i Greqisë në Shqipëri, më 5 mars 1998, deklaronte në gazetën e Tiranës “Republika” se shumica e banorëve të Shqipërisë ishin me origjinë helene, por të konvertuar nga pushtuesit osmanë në myslimanë që flisnin gjuhën shqipe, me përjashtim të një pjese të vogël “otomanësh” që kishin mbetur në Alpet e Veriut (këta ishin vendosësit e “etnokracisë” në Shqipëri për të cilën kishte folur më 1992 në Athinë edhe kushëriri i Spartak Ngjelës). Prandaj, sipas amabasadorit grek në Tiranë, Prevenduraqis, shumica e banorëve të Shqipërisë duhej të nxitonin të ndërronin sa më parë emrat, besimin fetar, përkatësinë kombëtare, për t’u rikthyer në origjinën e tyre helene.
Në vitet 2008 e 2009 të njëjtat “teza” të marra i kemi lexuar (dhe demaskuar) në gazetat e Tiranës në shkrime me autorsinë e disa shqiptarëve të besimit katolik, sipas të cilëve vetëm banorët e këtij besimi në Shqipëri kishin mbetur shqiptarë safi, kurse myslimanët ishin osmanë të ngulur në këtë vend nga Sulltanët dhe që kishin mësuar të flisnin shqip e humbur gjuhën e tyre të parë.
Në 3 muajt e fundit të vitit 2010 kemi qenë të detyruar, së bashku me gazetarin Robert Papa, i besimit ortodoks, të bëjmë disa emisione televizive polemizuese në programin televiziv “Fokus” të transmetuar në kanalin televiziv “Koha”, për të kundërshtuar një ofensivë të ndyrë greko-janullatiste se gjoja ortodoksët në Shqipëri qenkan trajtuar gjithmonë keq dhe u trajtokan edhe sot keq. Kemi polemizuar dhe një shkrim provokues e të fëlliqur të një greku me emrin Jakumis, ribotuar në gazetën e Tiranës “Metropol”, ku u bëhej thirrje banorëve të Shqipërisë të kuptonin sa mirë është të jesh grek, sa mirë është të përqafosh kulturën helene si më e përparuara në rajon e në botë dhe të mos shqetësohesh se po shkombëtarizohesh, por të flakësh ngurrimet e të vetëdeklarohesh grek. Sipas Jakumisit, në këtë mënyrë banori i
Shqipërisë do të gjejë lumturi më të madhe.
Grushti i shtetit ndodhi në një ofensive të re kundër shqiptarëve pas raportit të Dik Martyt
Nga dëshpërimi për dështimin e grushtit të shtetit u shfaq Spartak Ngjela për të shpallur se në Shqipëri u bëka luftë kundër otomanizmit, qysh nga vitit 1967. Lexuesit duhet të sjellin në kujtesë se viti 1967 shënoi pikën kulmore te fushatës enveriste për “revolucionarizimin” ideologjik në Shqipëri, që vuri në shënjestër fenë si të tillë, klerikët, besimtarët e përkushtuar dhe të gjitha institucionet fetare. Ngjela bëri vetëm një të mirë me deklaratën e tij, e identifikoi publikisht veten dhe grupimin e tij politik me luftën kundër shqiptarëve të maskuar si luftë siç kanë porositur grekët qysh kur u themelua shteti shqiptar.
Shtabet që gatuan „qershorin e tretë“ më 21 janar
Në kohën e ngjarjeve të “qershorit të dytë”, nga të njëjtat shtabe që gatuan dhe “qershorin e tretë”, mallkimet përqendroheshin kundër “malokëve”, “çeçenëve” apo “shpellorëve” të Berishës, të cilët duheshin larguar me çdo mjet me çfarëdo çmimi nga qeverisja e Shqipërisë. Në prag të “qershorit të tretë” nuk u dëgjuan më këto epitete fyese për të gjithë shqiptarët e malësorët gegë, sepse siç u pa në “shturmtruper-ët” e Ramës ishin rekrutuar si “dajakxhi” të sprovuar edhe shumë elementë nga zona Laç-Lezhë-Shkodër, ku natyrisht gjatë viteve kanë zbritur dhe shumë malësorë, që në 1997 etiketoheshin si “malokë” e “shpellorë” nga komunistët e Zonës së Parë Operative në Jug të Vjosës. Kësaj herë vumë re se në shtyp nxitja e urrejtjes krahinore për Berishën kishte gjeografi më të ngushtuar. Pamë vetëm thirrje “të çrrënjosim Dragobinë” dhe “të bëjmë çdragobizimin”. U bën mirë që thirrje të tilla nuk u përsëritën gjatë.
Kush ka sy në ballë të shohë qartë, veshë të qëruar të dëgjojë kthjellët dhe mendje të patrazuar të gjykojë drejt e ka të qartë se ata që bënë “qershorin e dytë” (shkurt-mars 1997) ishin pasuesit ideorë e politikë të atyre që kishin kurdisur “qershorin e parë” (1924) dhe janë po ata që sollën “qershorin e tretë” në janarin e vitit 2011. Në treshen Rama-Ruçi-Gjinushi të “qershorit të tretë”, dy i përkasin edhe treshes kryesore të “qershorit të dytë”, Ruçi e Gjinushi.
Në treshen udhëheqëse të “qershorit të tretë” Rama ka marrë vendin që kishte Fan Noli në treshen politike të “qershorit të parë”, Fan Noli-Luigj Gurakuqi-Bajram Curri (pas të cilëve radhiteshin politikanë si Stavro Vinjau, Sulejman Delvina, Riza Cerova, Ali Këlcyra, Qazim Koculi, ushtarakë si Kasëm Qafzezi, Rexhep Shala e të tjerë të asaj kohe). Por midis Ramës e Nolit, përveç rolit të njëjtë politik në grushtin e shtetit, ka shumë ndryshime. Më i madhi ndryshim është se Noli rolin e kryeministrit e mori pasi u hodh shorti midis pretendentëve dhe e luajti këtë rol në mënyrën më të shkujdesur, duke qëndruar gjatë në Lidhjen e Kombeve, apo duke i rënë fyellit në zyrë. Kurse Rama në mendjen e tij postin e kryeministrit e ka akaparuar qysh para se të vinte në krye të Partisë Socialiste. Rama i ka detyruar paraprakisht pasuesit e tij të tulaten para “gjatësisë trupore e politike” të tij dhe as të mos ta çojnë nëpër mend se dikush tjetër mund të pretendojë për këtë post. Rama i ka “hipnotizuar” pasuesit e kultit të tij të mendojnë vetëm si të vetësakrifikohen politikisht apo fizikisht për ambicjen kryeministrore të Ramës.
Kjo e bën shumë më të rrezikshëm Ramën si pretendent për kryeministër, e larg qoftë si kryeministër faktik. Kjo e bën më të rrezikshme atmosferën në “qershorin e tretë” se në atë të parin, në muajt e stinët politike që do të vinë pas këtij “qershori të tretë”. Rama vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Berisha ka deklaruar se grushti i shtetit dështoi dhe se çdo tentativë e dytë e Ramës për të përsëritur grushtin e shtetit do të jetë më fatalja për të (Edin).
Nga ana tjetër, Berisha deklaron se Rama dhe shtabet e tij (ku tashmë sipas Berishës janë përfshirë edhe Prokurorja e Përgjithshme, shefat e shërbimit informativ shtetëror dhe dyshohet deri Presidenti i Republikës, Bamir Topi), kanë planet “B”, “C” etj., për ta vazhduar grushtin e shtetit. Kjo do të thotë se u shua flaka e grushtit të shtetit që plasi më 21 janar, por nuk është fikur zjarri i tij. Nga bloza e tymi i kësaj flake është nxirë Tirana, është ngopur edhe më shumë me lëndë mbytëse atmosfera e luftës civile në gjendje të përhershme latent në Shqipëri.
Terreni i luftës civile në Shqipëri daton që nga viti 1914
Terreni i luftës civile në Shqipëri ka mbetur i ndezur qysh nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, sidomos nga viti 1914. Ky terren vazhdon të digjet siç digjet torfa në Rusi edhe nën shtresën e borës së dimrit të acartë. Nga kjo djegie e brendshme, që nxjerr trym të ngadaltë, në çdo kohë mund të shpërthejnë flakë, siç ndodhi më 21 janar 2011. Këto mendime rreth atmosferës së përhershme të luftës civile mbi jetën politike shqiptare nuk m’i ka diktuar grushti i shtetit i 21 janarit. Rreth kësaj teme më është dashur të flas disa herë në diksutime politologjike për rrjedhat historike në Shqipëri dhe në programe televizive gjatë vitit 2001. Herën e fundit kam folur më 15 janar 2011 në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, gjatë promovimit të librit “Historia e Shqipërisë 1912-1939”, të Prof. Dr. Bajram Xhafës, pedagog i historisë në këtë Universitet.
Prandaj, nuk dihet edhe sa kohë shqiptarët do të vazhdojnë të jetojnë në atmosferën mbytëse të një “grushti shteti permanent”. Nëse Berisha e ka seriozisht e me vendosmëri t’i japë fund grushtit të shtetit, ai nuk mund të pranojë kurrsesi “zgjidhjen politike” të Ramës, me zgjedhje të parakohshme nëpërmjet një kompromisi të ri Berisha-Rama, siç bëjnë nganjëherë thirrje disa faktorë ndërkombëtarë. Po të ndodhë kjo atëherë ka triumfuar grushti i shtetit.
Grushti i shtetit shpërtheu në terren shqiptar, por dhe në një sfond të caktuar ndërkombëtar. Ishte koha e një ofensive të re kundër shqiptarëve, pas botimit e diskutimit të raportit famëkeq të Dik Martit. Është koha kur Serbia përpiqet të krijojë ambient mbytës e të ushtrojë trysni mbi shqiptarët në prag të fillimit të “bisedimeve teknike” me Kosovën dhe kur Kosova ka ende problemin e ndërtimit të qeverisë. Është koha kur diplomacia ruse po ndërmerr një ofensivë të re kërcënuese për të futur nën hijen e saj shtetet, që dikur i dolën nga hyqmi, dhe për t’i dhënë Amerikës sinjale të reja të forcës së Rusisë. Rusia e ka zgjedhur çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi si një fushë tenisi për të sfiduar SHBA në “lojëra miqsore”. Është koha kur Greqia ndjehet e lodhur shumë nga trazirat që shkaktojnë grupet anarkiste dhe ka nevojë të largojë vëmendjen botërore nga problemet e saj të brendshme. Grushti i shtetit në Tiranë nuk është kurdisur pa frymëzime e huazime metodash nga lëvizja anarkiste greke.
Organizatorët e grushtetit nuk gëzojnë më përkrahjen ndërkobmëtare
Por, gjithsesi, organizatorët e grushtit të shtetit nuk gëzonin më kësaj radhe atë mbështetje dhe ato epërsi ndërkombëtare që gëzuan në vitin 1997. Së pari, se Shqipëria është anëtare e NATO-s. Së dyti, se SHBA vepruan me shpejtësi, vendosmëri e qartësi si asnjëherë tjetër për të shkurajuar turbulluesit dhe përkeqësimin e gjendjes politike në Shqipëri. Së treti, se Europa e lëkundur dhe një pjesë bishtdredhur e diplomacisë europiane e mblodhi mendjen shpejt se duhej të ndiqte qëndrimet e SHBA lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Së katërti, se në gjysmën e dytë të vitit 2010 nga Shqipëria ishin larguar një takëm prej 5-6 ambasadorësh të disa vendeve europiane dhe mekanizmash europiane, që gjatë disa viteve kishin fituar shijen e ndërhyrjeve ngatërrestare në punët e Shqipërisë sikur të ishin politikanë shqiptarë dhe kryenin verimtari të çuditshme e aspak diplomatike në Shqipëri, që inkurajonin drejtpërsëdrejti, ose nëpërmjet spekulimesh aventurizmin politik të Edi Ramës e të PS-së. Së pesti, se “skenari tunizian”, tek i cili shpresonte shumë Skënder Gjinushi, u kthye në të kundërtën e shpresave të tij, sepse bota pa e pranoi se rasti i Shqipërisë ishte i ndryshëm nga ai i Tunizisë. Edhe përhapja e shpejtë e trazirave në vendet arabe i kujtoi Perëndimit se jo gjithmonë del gjë e mirë nga lëvizje të pakontrolluara, ose të manipuluara nga politika të paqarta.
E keqja qëndron në mosdënimin e krimit
Megjithatë, ishte qëndresa e atyre institucioneve pushtetore shqiptare, që iu kundërvunë energjikisht grushtit të shtetit: e shumicës parlamentare, e qeverisë, e policisë së shtetit, e gardës së Republikës që thyen sulmin e parë “ballor”, siç e kishte shpallur Preç Zogaj më 20 janar. Kjo i dha faktorit pozitiv ndërkombëtar provën dhe garancinë e duhur se kishte kaluar ajo situatë që pushteti në Shqipëri të rrëzohet e të ndërrohet nëpërmjet dhunës së rrugës. Institucionet që shpëtuan Shqipërinë kishin përballë jo vetëm “shturmtruper-ët” e Ramës, por në njëfarë mënyre edhe gjysmën e pushtetit. Kishin kundër pushtetet vendore të kontrolluara nga socialistët, policitë bashkiake të kontrolluara nga këta pushtete vendore, kishin kundër pasivitetin (Zoti na ruajtë nëse ka qenë dhe bashkëpunim i fshehtë) e organeve shtetërore që hyjnë në kategorinë e “institucioneve të emëruara”, jo të zgjedhura drejtpërdrejt nga populli. Në kohën e komunizmit këto quheshin “organe të diktaturës” dhe nuk është zhdukur ende frika që shkaktonin këto organe, as nostalgjia e një pjesë të punonjësve të tyre për praktikat e atëhershme dhe simpatitë për PS-në.
Qysh kur është formuar qeveria e Berishës, në vitin 2005, në vend të bashkëpunimit, ajo është pvrballur me rezistencë nga këto organe, gjoja në emër të pavarësisë së institucioneve sipas të parimit të ndarjes së pushteteve. Kjo pavarësi është keqpërdorur disa herë për të futur qeverinë në vështirësi, e shtetin në ngërç, është kthyer shpesh në kundërvënie pushtetesh e armiqësi organesh pushtetore e shtetërore. Prandaj, drejtuesit e PD-së kanë të drejtë që theksojnë fort parimin e unitetit të pushtetit dhe të llogaridhënies së institucioneve të emëruara, zemra e të cilit është ai pushtet politik që ka dalë nga vullneti i popullit i shprehur drejtpërdrejt nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme dhe që mishërohet në radhë të parë tek ligjëvënësi dhe tek ekzekutivi i miratuar prej tij. Sulmet kundër legjislativit dhe ekzekutivit për përmbysjen e tyre të paligjshme me dhunë duhen cilësuar si grusht shteti, si kur i organizojnë civilët, ashtu edhe kur i ndërmarrin ushtarakët, apo së bashku civilë dhe ushtarakë, aktivë ose në reserve apo policë të liruar. Është grusht shteti madje shumë i rrezikshëm kur veprime të tilla merren nën mbrojtje nga institucione të pavarura shtetërore.
Grushti i shtetit duhet t’u nënshtrohet analizave të thella e të gjithanshme në të gjitha aspektet e tij. Grushti i shtetit duhet dënuar jo vetëm si dukuri, por si organizim konkret, si veprimtari konkrete, kolektive e individuale. Duhet të vihen para përgjegjësisë të gjithë fajtorët për pasojat e tij. E keqja e madhe e gjendjes politike të ngatërruar në Shqipëri qëndron pikërisht në atë që mund ta quajmë “kultura e mosndëshkimit të krimeve politike”, të kryera kolektivisht me implikime masash të mëdha njerëzish. Nuk u ndëshkuan fajtorët e ngjarjeve të vitit 1997 dhe kjo nxit e trimëron ata që e kanë vazhdimisht mendjen tek përsëritja e ngjarjeve të tilla.
Duhen analizuar thellë mangësitë e punës së qeverisë, gabimet e qeveritarëve, aparateve shtetërore që janë shfrytëzuar, me të drejtë apo pa të drejtë, nga kundërshtarët e qeverisë për ta nxehur gjendjen psikologjike të shumë shqiptarëve, deri në pranimin e shpërthimeve të kundraligjshme, si rrugë për të dalë nga e keqja. Jo vetëm në anën e opozitës, por dhe në anën e qeverisjes është grumbulluar pisllëk i madh politik, korrupsion i gjithfarshëm, papërgjegjësi politike që krijojnë situata të tilla që shqiptarët do t’i përfshihnin në episode të rënda lufte civile, të shkojnë e të vriten midis tyre, që pastaj krerët politikë kundërshtarë të hyjnë në pazare të reja, për të çuar në vend fjalët e thirrjet që u vinë nga ndërkombëtarët p
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi