Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri

Shko poshtë

Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri Empty Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 10, 2011 1:33 am

Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri U1_Klosivjeter
Klosi i vjetër

Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri U1_PellumbGoricaKLOS, NJË NGA VENDBANIMET E VJETRA NË SHQIPËRI

(Fakte, gojëdhëna, legjenda, dhe burimeve të shkruara)

Nga Pëllumb Gorica

Në territorin e krahinës së Sulovës (Elbasan) ka ekzistuar një vendbanim i madh mesjetar si qytet. U ngrit pasi u ndërtua kalaja e Qafës. (Kalaja e Qafës është ndërtuar në shekullin e VI.) Siç dihet, Kalaja kishte një sipërfaqe të kufizuar, prandaj, me shtimin e popullsisë, lindi nevoja e ndërtimeve jashtë kalasë ndaj dhe u ndërtua ky vendbanim. Banorët u vendosën në këtë mjedis gjeografik pasi preferonin lartësitë e rrëzë kodrave. Veç kësaj ata ishin të kushtëzuar edhe nga faktorët ekonomikë, shoqëror dhe për vetmbrojtje. Kjo shpjegohet edhe me faktin që vetë natyra i siguronte ata për t’u mbrojtur.

Arkivat e gjalla, pikënisje për studime të historisë

Nisur nga arsyetimi dhe faktet, po bëj një sprovë për të hedhur disa radhë për këtë vendbanim të vjetër. Pra, një punë që e kam nisur para disa vitesh me hulumtime në terren, mbledhje të gojëdhënave e legjendave nga të moshuar, shfrytëzimit të arkivave e botimeve të ndryshme të historianëve e studiusëve: Kol Luka, Valter Shtylla, Aleksandër Meksi, Ylli Cerova, konsultimeve me historianë e studiues Moikom Zeqo, Kreshnik Belegu, Mark Tirta etj. Sidomos, këto dy vitet e fundit, në kuadrin e punës për botimin e librit “Sulova e Poshtme në shekuj”, fillova më seriozisht të thellohem në hulumtimet e mia për këtë vendbanim. Në fakt rrëfimi, shumë vite më parë, i 85 vjeçarit Musa Deliu në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës, por edhe të moshuarëve të tjerë sulovarë, më nxitën kureshtjen për të hulumtuar rreth këtij vendbanimi historik,për të shkundur pluhurin e harresës. Ngagojëdhënat dhe legjendat e treguara natyrshëm, munda të mësoj për të kaluarën e këtij vendbanimi, gjurmët e rrënjve të humbura të kaluarës së Klosit. Eruditi Moikom Zeqo në parathënien e botimit “Sulova e Poshtme në shekuj” thekson: “Aty ku duket se mbi historinë ka rënë pluhuri i harresës, ajo zbulohet e rizbulohet papushim në rikonstruktimin e burimeve gojore sipas llogjikës dhe vështrimit dokumentar. Klosi një vendbanim i vjetër, ku dëshmitë janë fakte të rëndësishme dhe kuptimplote”.

Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri U1_RrenojaBazilika
Rrënoja të Bazilikës
Gjetjet dhe gërmadhat dëshmojnë lashtësi

Sot, me gjithë shpërdorimet dhe pakujdesinë e treguar aty ndeshen ende gjurmët e vjetërsisë të këtij vendbanimi. Pak fragmente muri me gurë të gdhendur, mbetje qeramike (tjegulla, tulla), fragmente muresh të një kishe, tip bazilikale,tregojnë se kemi të bëjmë me një vendbanim të vjetër. Sipas të moshuarve, muret kanë qenë me të plota, por në kohëra, janë shkulur për ndërtimin e shtëpive në fshatrat e luginës së Devollit. Aty-këtu ndeshesh me pak fragmente të një rruge të lashtë nga antikiteti i vonë. Ky është një vëzhgim sipërfaqësor për këtë vendbanim. Herë pas here, gjatë punëve të ndryshme bujqësore, banorët zbulojnë copëza të qytetërimi të këtij vendbanimi të lashtë. Është e çuditshme se si një vendbanim i tillë, qytet me ndërtime, të jetë shkatërruar plotësisht. Ky vendbanim, dhe kalaja sipër tij, kanë qenë barrikadë luftërash ndër shekuj e këtyre territoreve. Në kala janë zhvilluar beteja të mëdha kundër turqve, luftëra që kanë çuar në shkatërrimin më të pandalshëm të këtij vendbanimi.

Këtu gjithçka ishte e bukur

Qarkullon një gojëdhënë e tillë, “saqë keci shkonte nga çatia në çati pa zbritur në tokë deri në kala dhe dilte matanë. Aq të dendura ishin banesat e këtij qytetthi sa ato ngriheshin njëra pas tjetrës nga kalaja deri te “Gropa e Derrit”. Një tjetër, nga gojëdhënat e shumta, ka të bëjë me natyrën magjepsëse të vendbanimit. “Këtu gjithçka ishte e bukur: pemë frutore, ullinj, vreshta, pyje, burime, bagëti etj. Shtëpitë ishin ngritur njëra mbi tjetrën, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”. Ky vendbanim ishte shtrirë në një panoramë e pozicion të përsosur. Jo më kot ishte zgjedhur, dikur këtu, si vend i përshtatshëm për të formuar një vendbanim, se kishte kushte të mira natyrore e mbrojtje nga shpati shkëmbor. Ky, pra, ishte vend i duhur me shtrirje të gjerë 3-4 kilometra, po aq edhe gjerësi, me gjithë pengesat e formacioneve shkëmbore. Për një fakt të tillë dëshmon edhe kjo histori: ”Një herë, dy banorë të këtij vendbanimi, por që nuk njiheshin, po ktheheshin nga larg. Pasi kishin udhëtuar së bashku një farë kohe në heshtje, ia nisën bisedës me nëjri-tjetrin:
-Nga je, or mik? Ku po shkon?
Përgjigjet e tyre treguan se ishin nga i njëjti vendbanim, por nuk ishin takuar ndonjëherë më parë”.

Pak nga dokumentat për këtë vendbanim

Klosi në Mesjetë, ishte qytet. Këtë dëshmi të një rëndësie të veçantë e sjellë historiani elbasanas Dr. Shyqyri Demiri në librin “Vështrim i shkurtër historik i trevës së Elbasanit”, faqe 28. Duke e argumentuar ai shkruan se : “Është shfaqur një mendim se këtu kemi të bëjmë ndofta me një qytet mesjetar nën sundimin e Muzakajve që u shkretua më vonë prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore ‘pishtarët e ndezur mbi brirët e dhive’’. “para pushtimit turk këtu ka qenë një qytet i dinastisë së Muzakajve dhe kalaja ka qenë një pjesë e këtij qyteti.” Ndërkaq aty nga gjysma e shekullit XIV, ky qyteti ka përjetuar një lulëzim arkitektonik ku njëri prej pinjollëve të saj, Andrea Muzaka, ka qenë njëri ndër princit më në zë të Arbërisë dhe se gjatë qeverisjes së tij janë ngritur shumë objekte fetare apo publike të këtij vendbanimi. Besohet se ky vendbanim mund të ketë qënë një qytezë e vogël bizantine, një nga themat në shekullin XII. Patjetër që gjatë shekujve ka evoluar. Myl-Mbyll-Klos.“Ky vendbanim ishte emërtuar Klos.(emër të cilin prej 50 vjetësh e mban një vendbanim tjetër në afërsi) Klos rrjedh prej fjalës “clusum” që d.m.th. “i mbyllur”. Kjo përputhet me pozitën gjeografike, sepse vendi është i mbyllur nga lindja rrethuar me një varg shkëmbor.Studiuesi Kol Luka në “Etnografia Shqiptare”, nr 14, faqe 288, Tiranë 1985 shkruan për gjendjen në të cilin gjendeshin mjaft prej këtyre venbanimeve në Shqipëri e midis tyre edhe Klosi i Sulovës: “Emërtimi Klos është vënë në kohën e pushtimit romak, janë trajta latine (cludo, cusi, clusum) në vështrimin e mbylljes së një shtegu të hapur e rrethimit dhe e ruajtjes së një rruge, të një qafe dhe duket se vjen nga një pjesore e latinishtes klosum. Këto në fillim ishin qendra të vogla ushtarake të formuara pikërisht në vendbanimet që morën këtë emërtim të vendosura nga krijuesi i temave bizantine Teofili, perandor bizantin 825-842, i cili formoi në kohën e vet këto qendra të vogla në këto “klose”, me sisteme mbrojtje të përqendruar dhe më vonë u caktua si vendbanim. Perandori bizantin Aleks Komeni në shekujt XI-XII do t’i përdorë këto “Klose” për t’u mbrojtur nga vërshimet e normadëve”.

Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri U1_RrugaKaurrit
Rruga e Kaurrit
Klosi, emër i vjetër i sistemit të ruajtjes së rrugëve

Qenia e këtij vendbanimi aty, me këtë emër të ruajtur qysh prej kohës bizantine, tregonte se ai kryente funksionin e ruajtjes së rrugës në itinerarin që kalonte në luginën e Devollit (dega jugore e rrugës Egnatia). Një arterie pak e përshkruar në dokumente historike. Ajo vinte nga Apolonina dhe Antipatrea (Berati) e lidhej me Scampinin (Elbasanin). “Kjo degë duke ndjekur anën e djathtë të Devollit arrinte në Gostimë, ku Devolli kthen drejtimin nga veri - perëndimi në jug- perëndim e, prej këtej, pasi takohej dhe me rrugën e Korçës të luginës së Devollit, vijonte për në veri-lindje dhe në Jagodinë merrte edhe rrugën e Belshit, më pas vijonte për në Shkumbin, tek ura e Topçiasit që e lidhte me Scampinin (Elbasanin). Rrugë që ka vazhduar deri në mesjetën e vonë.”. (V. Shtylla “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri”, faqe 25).
Nga kalaja zbriste edhe një rrugë që lidhej me degën jugore të rrugës Egnatia, një rrugë e shkurtër me kalldrëm, e cila kalonte në shpatin shkëmbor, sipër këtij vendbanimi e ndoshta edhe mes përmes tij, por që nuk ka gjurmë që të shprehemi më qartë deri ku shtrihej itinerari i tij. Kjo rrugë njihet me emrin “Rruga e Kaurrit”.

Kalaja, metaforë e historisë së këtij vendbanimi
Siç kemi thënë më lart pothuajse një pjesë e historisë së këtij vendbanimi të vjetër, ndërlidhej edhe me kalanë e Qafës. Ky vendbanim, dhe kalaja sipër tij, kanë qenë barrikadë luftërash ndër shekuj e këtyre territoreve. Aty janë zhvilluar beteja të mëdha kundër turqve, luftëra të pandalshme që kanë çuar edhe në shkatërrimin më të pandalshëm të këtij vendbanimi. E ndërtuar në këtë pikë dominuese siç ndërtoheshin rëndomë kalatë. Vendi, ku është ngritur, është në një sipërfaqe të sheshtë, me një pozitë mbizotëruese në një hapësirën të gjerë, përfshi këtu edhe qytetet e krahinat rrotull saj. Kalaja, edhe për vet faktin se kishte një strukturë natyrore, e bënte të sigurt atë dhe praktikisht të vështirë për ta pushtuar. Me pozicion tejet të mbrojtur ajo nuk ka pasur nevojë për fortifikime të shumta, pasi shkëmbinjtë e thepisur e bënin të pamundur nga jug-perëndimi t’i afroheshin asaj dhe vetëm në pjesët lindore e veriore ishin ndërtuar dy rrethime, njeri me një rreth mbrojtës të vogël dhe muri tjetër i lartë i përforcuar me një seri kullash.
Me copëtimin e perandorisë bizantine në shekullin XIII, të feudalëve perëndimorë në shekujt XI – XII, kalaja kaloi dora-dorës në duart e të huajve. Dy shekuj më vonë ajo zotërohej nga princa feudale të familjes së Muzakajve, të cilët nuk rezistuan dhe kalaja u shkatërrua pjesërisht prej pushtuesve osmanë dhe u zhduk si njësi mbrojtëse.
Qarkullojnë legjenda dhe gojëdhëna, për rezistencën ndaj pushtuesëve, sidomos atyre osmane. “ Hordhitë turke vinin me mijëra ushtarë për të pushtuar kalanë. Betejë që u vazhdoi ditë e netë me radhë, derisa, një natë, me dredhi ushtarët turq me një sulëm të rrufeshëm me të gjitha forcat, arritën të thyejnë qëndresën e luftëtarëve që e mbronin. Natën maskuan një tufë të madhe dhish, duke u vendosur në brirët e tyre qirinjë të ndezur dhe i nisën nga perëndimi i saj. Luftëtarët u përqëndruan nga ky krah. Ndërkohë turqit sulmuan nga lindja me forca të shumta, që ishte lënë e lirë nga luftëtarët dhe mësynë në kala, duke bërë gjakderdhje ndër luftëtarët”
Sot, me përjashtim të një fragment muri të ruajtur mirë, pjesa tjetër e kalasë së Qafës është shndërruar në grumbuj gurësh. Shkretimi i saj është i madh, për më tepër edhe nga largimi i plotë i banorëve të fshatit Qafë. Po dëmtohet nga njerëzit e pandërgjegjshëm nga (arkëkuesit), por edhe nga barinjtë e bagëtitë.
Rrënojat e kishës ende psaltojnë
Në mes të këtij vendbanimi ruhen themelet e një kishe mesjetare (tip bazilike), e ndërtuar në periudhën e lulëzimit të plotë të kësaj qendre banimi. Studiuesi i fushës kishtare, Aleksandër Meksi e ka hulumtuar dhe vëzhguar dhe ka shkruar në botime të ndryshme. Në revistën “ Monumentet’’, Nr 5- 6, viti 1973, faqe 190 shkruan: “Bazilika e Klosit përbën një dëshmi me rëndësi, si ndërtim, në një zonë fshatare, sepse ndodhte rrallë që larg qyteteve, qendrave të mëdha urbane të gjendej një bazilikë”. Në “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri”, faqe 149, ka shkruar gjithashtu se gjatë ekzistencës së saj bazilika ka pësuar transformime të ndryshme. “Është rindërtuar muri jugor, janë ngritur mure që kufizojnë një pjesë të saj. Këto janë ndërtuar me gurë të lidhur me llaç e baltë, pra në kohë të vështira, dhe duhet t’i takojnë periudhës së pushtimit turk”. Me një arkitekturë të thjeshtë përbën një ekzemplarë me rëndësi për studimin e arkitekturës bizantine te ne, sepse është e vetmja bazilikë trenëfëshe me arkiada mbi pilastra.” U përket ndërtimeve kishtare të shekujve XIII – XIV, ndërtime bazilikale që kishin një përhapje të madhe në këta shekuj. Bazilika e Klosit ishte trenëfëshe, një konkë, me arkada, mbi pilastra drejtkëndëshe. Absida (pjesa e përparme) ishte e ndërtuar prej guri, me breza me rrathë tullash të lidhura me llaç gëlqeror,ka formë gjysmëharkore e mbuluar me çati, muret e brendshme ishin me afreske. Dyshemeja ka qenë shtruar me pllaka guri në formën e një mozaik shumëngjyrësh me gjatësi 12 m dhe me një gjerësi 10 m . Ka pasur edhe mjedis që shërbente si aneks i bazilikës.

Toponimet e vjetra një dokument i heshtur

Në këtë vendbanim ekzistojnë toponime të shumta që përbëjnë edhe një pjesë të toponimeve të vjetra të krahinës së Sulovës, që plotësojnë kuadrin e përgjithshëm të këtij vendbanimi. Vlera e toponimeve është shumë e madhe, sepse ato ndihmojnë të lexohet historia e një vendbanimi të vjetër si ai i Klosit. Kështu, po sjellim vetëm disa prej toponimeve të këtij vendbanimi.
Më i njohur është toponimi: “Gjurmë e Mushkës”. Aty, ku fillon Qafa e Madhe, dikur ishte një gjurmë mushke mbi rrafshin e një pllake shkëmbore. Rreth saj mbijeton një legjendë e vjetër, që njerëzit ndër shekuj i kanë dhënë trajta rrëfimi me njerëz fluturues. Legjenda thotë, “Në kohën e pushtimit turk, një pasha turk u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka, dhe midis tyre pushtoi edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, për t’i shpëtuar turqve, kur e pa se nuk ishte në gjendje të mbronte kalanë para armikut të madh në numër, që e kishte rrethuar, kërcen së bashku me mushkën, mbi të cilën kishte hipur, dhe fluturoi nga kalaja në këtë pllakë shkëmbore.” Thuhet gjithashtu se për të vërtetuar që ky kërcim nuk ishte përrallë dëshmonte gjurma që ka lënë gjatë kërcimit mushka mbi këtë gur në fjalë.
“Hurdha e Çobankës”ndodhet fund të kreshtës malore, afër këtij vendbanimi. Edhe ky mikrotoponim është i dëgjuar prej legjendës së mësipërme. Legjenda thotë se “Këtu në këtë hurdhë (gropë për të mbledhur ujë) dikur, kur e pushtoi turku për të mos rënë në duart e tyre fluturoi me mushkën e saj dhe ra një vajzë çobankë”. Vendi ku ajo ra mori emrin “Hurdha e Çobankës”.
Toponimi “Kloset” ka rrjedhur nga fjala e mbyllur, që me të vërtetë i përshtatet mjaft mirë vendit. Nga kjo ka rrjedhur edhe emërtimi në shprehjen e vetë popullit. Toponimi “Lekri” emër njeriu që do të thotë Leka i Ri. Një emër-vend që mund të ketë qenë pronë e tij dhe si pasojë i ka ngelur emri. “Çezma e Klosit” e
Pëllumb Gorica: Klos, një nga vendbanimet e vjetra në Shqipëri U1_KalajaQafa
Kalaja e Qafës
ndërtuar në mes të këtij vendbanimi për udhëtarët që kalonin rrugës. Ajo sot nuk ekziston. Është shkatërruar dhe e zëvendësuar me ndërtimin e një çezme të ditëve tona.
Toponime të tjera përputhen me emra shpendësh, kafshësh, drurësh, gurësh.Përmendim edhe mikrotoponimet: “Shpardha, Guri i Nuses, Gropa e Derrit, Ponepthi, Garroçi, Burimi i Borës, Guri i Bardhë, Guri i Kuq, Kllapa e Kuqe, Buzët e Bukura” etj. Toponimi “Gjolla” përcaktonte vendin ku u hidhej kripë bagëtive. Toponimet “Rrahu” janë disa në këtë vendbanim sepse pyje afër nuk ka ngaqë është tokë. Rrahu në shqip ka kuptimin “pyll i prerë i hapur për tokë buke”. Këto janë mikrotoponime që për shekuj me radhë u ruajtën në gojën e popullit të kësaj krahine.
Në afërsi të këtij vendbanimi, në rrëzë të shpatit shkëmbor, gjenden guva e zgavra (në popull “kllapa”) të vogla dhe një shpellë interesante e njohur si “Shpella e Klosit”. Tek hyn brenda saj ke përshtypjen se futesh në një dimension tjetër. Majtas-djathtas, shpella ka disa të thelluara, ku mund të rrinë disa vetë në këmbë. Në kohët e lashta kjo shpellë mund të ketë qenë e banueshme, se brenda saj vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh. Dikur janë gjetur skelete njerëzish, fosile kafshësh, objekte arkeologjike. Me këtë shpellë ndërlidhen mjaft gojëdhëna interesante që ka lidhje me këtë vendbanim e kalanë e Qafës.Kjo gojëdhënë duhet të nxitë speleologët të bëjnë gërmime, për të vërtetuar nëse kishte diçka të vërtetë nga ajo që përflitet në popullin e kësaj krahine për lidhjen e këtij vendbanimi me kalanë e Qafës ndërmjet një tuneli.

Kur janë vendosur çengelat?

Afër këtij vendbanimi si mburojë është një kreshtë shkëmbore. Diku në të gjenden të ngulura shufra hekuri (në popull njihen çengelat). Gjithkujt i tërheq vëmendjen kjo dukuri. Njerëzit edhe sot pyesin: Kush i ka vendosur? Kur janë vendosur? Si i kanë vendosur? Hamendjet janë të çuditshme. Thuhet, mos vallë, kanë shërbyer për ankorimin e anijeve në kohërat kur ujërat mbulonin edhe këto lartësi?! Por, fakti që, materiali i hekurit është përdorur shumë kohë më vonë e hedh poshtë këtë hipotezë. Fotografi sulovar, Pajazit Senja, një historian amator i krahinës së Sulovës, mendon se këto hekura të ngulura janë përdorur dikur pas ndërtimit të kalasë nga banorët e vendbanimit të poshtëm, për të ndihmuar luftëtarët e kalasë në tërheqjen e ushqimeve dhe armatimeve me anë të litarëve. Sigurisht, për një dukuri të tillë fjalën e fundit e kanë studiuesit. Fakti është se, për këto hekura të ngulura, flitet shumë në Sulovë. Janë zmadhuar nga gojëdhënat Sa, dikush mendon se nuk ekzistojnë, janë fryt i imagjinatës së sulovarëve. Në shkëmbinjtë janë gjetur guaska të futura në sipërfaqe e në masën e gurëve.

Çfarë ndodhi me këtë vendbanim?

Kur dhe përse është braktisur? Mos është shkatërruar nga ndonjë tërmet, epidemi, kolerë, apo mos vallë banorët janë larguar për t’iu shpëtuar barbarizmave të ushtrive turke? Në rast se mund të qëndrojë arsyeja e fundit, ku mund të jenë shpërngulur, brenda apo jashtë trojeve shqiptare? Disa dokumente na bëjnë të njohur faktin e shpërnguljes së popullsisë gjatë shekullit të XV në rrethanat e pushtimit turk. Duke u njohur edhe më një gojëdhënë që tregon për shpërnguljen e banorëve në këtë periudhë kohore, mund të hamendësojmë se, ky vendbanim është rrënuar prej pushtuesve osmanë në shekullin XV, atëherë kur u pushtua dhe kalaja e Qafës.
Kështu, popullsia e këtij vendbanimi, e gjendur në tmerrin e mizorive të panumërta të pushtuesit, u detyrua të largohet nga trojet e të parëve. Si argumente të largimit të saj mund të radhitet edhe epidemia e kolerës, për të cilën gojëdhënat dëshmojnë: “një pjesë e mirë e banorëve kanë vdekur, ndërsa ata që shpëtuan u zgjodhën për banim troje të tjera përreth, të mbuluar më keq nga varfëria”. Dhe “ikën me ato pak plaçka që mundën të merrnin me vete. Largoheshin kokulur, duke lënë pas një vend të begatë”.
Me largimin e banorëve nisi gradualisht dhe rrënimi i pakthyeshëm i këtij vendbanimi. Gjithçka u kthye në gërmadhë, por në kujtesën e brezave qarkulloi gojëdhëna e vendbanimit të dikurshëm shkëlqimtar. Kurse afër tij, në një kohë tjetër, nisi të vazhdojë jeta në themele të reja.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi