Fotaq Andrea: Letër e priftit shqiptar Françesk Karma më 1933
Faqja 1 e 1
Fotaq Andrea: Letër e priftit shqiptar Françesk Karma më 1933
Letër e priftit shqiptar Françesk Karma më 1933
Nga Fotaq Andrea
Gazeta franceze La Croix (Kryqi) e datës 28 qershor 1933, nën titullin “Kush e qeveris Shqipërinë?” boton letrën e priftit shqiptar në mërgim Francesk Karma, ku demaskohet politika antikombëtare dhe antikatolike e Ahmet Zogut. Artikulli shoqërohet me një foto tronditëse, varjen e priftit martir Gjon Gazulli si dhe portretin e tij fisnik. Dom Gjon Gazulli, lindur në Dajç të Zadrimës më 26 maj 1893 u urdhërua prift më 5 gusht 1919. Në çastin e varjes së tij, fjalët e fundit që tha ishin: “Jam dhe po vdes i pafajshëm. Ia fal jetën time Perëndisë për Shqipërinë. Rroftë Mbreti-Krisht. Rroftë Kisha Katolike. Rroftë Papa. Rrofshin Shqipëria dhe Shqiptarët e vërtetë”. Fotografia, e pabotuar asnjëherë, u realizua në Shkodër më 5 mars 1927, ditën e martirizimit të priftit të ri 34 vjeçar dom Gjon Gazullit, ndonëse në Shqipëri ishte ndaluar rreptësisht të fotografoheshin dënimet me vdekje.
Para disa javësh, me një shkrim mjaft të goditur, “Shqipëri e shenjtorëve”, Z. Besnik Mustafaj pasqyroi “një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e qytetërimit shqiptar të të gjitha kohërave”, siç vinte ai në dukje me të drejtë: mbajtjen, në katedralen e Shkodrës, të seancës së fundit të Gjyqit Kishtar Kanonik për shpalljen “Martirë të Kishës Katolike” të 40 klerikëve e laikëve të ekzekutuar gjatë shek. XX në trojet shqiptare. I fundit që mbyllte listën e këtyre klerikëve martirë, që presin të shenjtërohen nga Papa Benedikti XVI (le të shpresojmë sa më shpejt!) është pikërisht Gjon Gazulli, viktimë e kohës së mbretërisë shqiptare.
Me një frëngjishte të rrjedhshme, me të dhëna historike interesante, si dhe me një penë të fuqishme denoncuese, prifti Francesk Karma vë mirë pikën mbi -i- lidhur me dasitë fetare në Shqipëri kur thekson në letrën e tij se masat shqiptare myslimane gjithmonë kanë dashur të jetojnë në paqe vëllazërore me katolikët, por janë krerët ata që ushqejnë urrejtjen fetare. Nga ana tjetër, kjo letër përbën një burim me interes historik dhe mjaft ide të trajtuara në të kanë një tingëllesë aktuale.
Sot, kur 40 martirët e Kishës Katolike shqiptare që presin të shenjtërohen, i bëjnë nder mbarë kombit shqiptar, nuk ka si të mos shtrohet në rendin e ditës, për të kërkuar zgjidhje të shpejtë, edhe çështja e shenjtërimit të martirëve të Kishës Ortodokse shqiptare, Nolit, Petro Nini Luarasit, Papa Kristo Negovanit me shokë, që të gjithë e mbi të gjitha iu përkushtuan me shpirt e patriotizëm të flaktë Çështjes së madhe kombëtare shqiptare, ringjalljes e përparimit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Po japim më poshtë të përkthyer të plotë letrën e priftit Francesk Karma, botuar në organin francez La Croix nën moton e ImZot Gibier që thotë: “Më shumë se sa fjala e shkruar apo e folur, është shembulli ai që udhëheq botën. Mund të vihet në dyshim çiltërsia e fjalës, por s’ka se si të mos besohet shembulli i dhënë. Fjala është e diskutueshme, shembulli flet vetë”.
Letër e një prifti shqiptar : Kush e qeveris Shqipërinë?
Shqipëria – vend i vogël, që u zvogëlua edhe më shumë si rrjedhojë e traktateve të ndryshme ndërkombëtare në favor të shteteve kufitare – është pak e njohur në Francë. Më shumë se gjithçka tjetër, ndjej keqardhje që katolikët francezë kanë njohuri të cekët për një bërthamë katolikësh të cilët përbëjnë shumicën në pjesën veriore të këtij vendi. Mbase nuk njihen sa duhet luftërat e ndërmarra nga ata kreshnikë përgjatë shekujve për pavarësinë e atdheut të tyre, për emancipimin nga zgjedha e huaj, për fenë, kulturën dhe artet. Nuk dua të kërkoj këtu shkaqet që kanë penguar në Francë një njohje më të gjerë të këtij vendi, ose që kanë vonuar një kontakt më të ngjeshur e më të vijueshëm midis popullit tonë të vogël shqiptar dhe këtij populli të madh e të shquar të Francës.
***
Nuk është e mundur të shkruhet historia e një populli brenda kornizave të një artikulli gazete. Rrjedhimisht do të kufizohem në një relacion të shkurtër, mbështetur mbi një numër faktesh domethënëse që ndihmojnë të hidhet dritë në subjektin që dua të trajtoj.
E pakta që mund të thuhet është se në Francë, nuk janë harruar aktet heroike të katolikëve kreshnikë të fisit të Mirditës gjatë luftës ruso-turke (1855). Pikërisht në atë kohë, ata malësorë trima, falë guximit të tyre shpëtuan, gjatë betejës së Sebastopolit, një regjiment të tërë Francezësh që ishin në rrezik zhdukjeje më se të sigurt përballë sulmeve të trupave ruse. Kreshnikëritë e Mirditasve gjatë kësaj beteje fitimtare ngjallën në atë kohë admirimin e mbarë Francës. Në mirënjohje të atij akti të lartë trimërie në një rrethanë aq kritike, perandori i Francezëve Napoloni III i bëri dhuratë një shpatë Shqiptarit katolik Bib Doda, duke e emëruar atë princ të Mirditasve. Dhe që nga ajo kohë, Franca bëri çmos të mbronte Mirditasit nga tërë goditjet që Turqia ka dashur t’u bëjë. Dhe kjo mbrojtje, që atëherë, u shtri tek të gjithë katolikët e Shqipërisë, që kujtojnë edhe sot e kësaj dite me simpati e mirënjohje atë mbrojtje të efektshme.
Turqit, mbështetur në institucionet e tyre fetare, u bënë mundimtarët dhe shtypësit e katolikëve, duke u ndihmuar – le ta themi me keqardhje – në atë ndërmarrje të turpshme e tragjike brenda vetë Shqipërisë, nga disa kategori të bashkëpatriotëve tanë kaluar në islam. Fara e keqe e sektarizmit kundër katolikëve, përhapur nga Turqit veçanërisht tek paria shqiptare myslimane, prodhoi përgjatë tri shekujve frytet e veta më të këqija, dhe për fat të keq vazhdoi t’i prodhojë edhe më të helmëta qëkurse një pjesë e Shqipërisë u shpall e pavarur që para njëzet vjetëve. Për rrjedhojë, katolikët shqiptarë ndjejnë të rëndojë mbi ta një atmosferë e rëndë vdekjeprurëse.
Në të vërtetë, duhet thënë se masat myslimane shqiptare, tek ndjejnë ndoshta keqardhje që kanë lindur jashtë katolicizmit, gjithmonë kanë dashur të jetojnë në paqe vëllazërore me katolikët. Duke përfituar në të gjitha rastet për të nxitur tek ta fanatizmin fetar mysliman, janë vazhdimisht krerët ata që kanë ushqyer urrejtjen katolike.
Ndër të rekrutuarit e këtij edukimi të kobshëm turk anti të krishterë duhet të përmendim mbretin e sotëm të Shqipërisë, Ahmed Zogun.
Themeluesi i gjenealogjisë së njohur të këtij mbreti Zog quhej thjesht Zogu. Cub shumë i fuqishëm dhe kriminel fort i njohur, ky Zogu i parë qe bërë i tmerrshëm në Mat, fshati i tij i lindjes, si dhe në fshatrat përreth. Qeveria e sulltanëve të Kostandinopojës diti ta bëjë për vete këtë cub dhe i dha për më tepër titullin e beut si titull fisnikërie. Më pas, pasuesit e këtij Zogu morën edhe titullin më të lartë, atë të pashait. Zogut të parë pra iu njoh pushteti mbi Matin dhe rajonin përreth. Iu besua në mënyrë të posaçme përkujdesi për të shtypur katolicizmin në vendet që u vunë nën administrimin e tij. Duhet shënuar se përgjithësisht, qeveria e Turqisë u jepte tituj dhe funksione cubave e kriminelëve.
Është pikërisht ky Zogu, dhe më pas bijtë e nipërit e tij që, etapë pas etape, detyruan nëpërmjet forcës fshatra të tëra si Predhi, Macukulli, Kulla e Pashës, një pjesë e Lurës, etj. të braktisin fenë katolike e të shndërrohen në myslimanë. Njeri i dhënë pas tërë mizorive dhe plaçkitjeve, stërgjyshi i mbretit të sotëm të Shqipërisë terrorizonte krejt rrethinat. Deri vitet e fundit, në oborrin e banesës së Zogollinjve në Mat lulëzonte e shëndetshme – e ndoshta ekziston edhe sot – pema tradicionale në të cilën u varën tërë ata katolikë dhe tërë ata njerëz të gjykuar si kundërshtarë të kësaj familjeje... Përfundimisht, duke lënë Matin për të shkuar në Tiranë, ky stërgjysh famëkeq u vra në këtë qytet para gati njëqind e njëzet vjetësh tek mbante në kurriz një thes mbushur me objekte të vjedhura në treg. Dhe është qesharake të thuhet që pasuesi i këtij individi ka ngritur kohët e fundit në Tiranë një monument mbi varrin e atij ish stërgjyshi.
Sa për edukimin që mbreti i Shqipërisë mori në familjen e tij, ky edukim bëri që në shpirtin e tij të hedhë rrënjë - duke iu futur në mënyrë të natyrshme edhe në gjak -, urrejtja ndaj katolikëve në Shqipëri, përndjekja dhe shkatërrimi i tyre. Historinë e stërgjyshërve të tij ai e shihte të vaditur me gjakun e katolikëve dhe të kundërshtarëve të familjes së tij, derdhur aq bollshëm.
Për të plotësuar këtë urrejtje anti të krishterë, mbretit Zog iu deshën jo më shumë se “tre” vite studimi të bëra në gjimnazin Nemunei Terekki në Konstandinopojë, ku me përjashtim të atij tërbimi satanik kundër katolikëve dhe të njëfarë ligësie bizantine, nuk pati ndonjë përparim të dukshëm në studime të tjera. Thjesht kohëzgjatja e këtyre studimeve prej tre vjetësh lejon të gjykohet se sa kulturë kishte ai!...
Kur Zogu sapo mbushi moshën 19 vjeçare – për aq sa mund gjykohet për këtë moshë nga sa thoshin vetë familjarët e tij, përderisa nuk kishte gjendje civile – qeveria e sulltanit kërkoi të merrte frytin e këtij edukimi të dhënë, si dhe të konkretizonte urrejtjen që Zogu kish mësuar aq mirë. Më 1912, qeveria turke i dha gradën e majorit dhe i besoi 4000 pushkë. Kostandinopoja kish frikë se mos revoltoheshin fiset katolike dhe veçanërisht Mirditorët, gjë që e kishin bërë shumë herë. Një rebelim i ri do mund të sillte si rezultat çlirimin e krejt Shqipërisë nga sundimi turk sepse qeveria turke nuk do mund ta shtypte dot.
Ahmed Zogu u ngarkua pra për të shpërndarë 4000 pushkët tek besnikët e tij të Matit dhe nëse katolikët ngriheshin në revoltë, ai duhej të bënte qëndresë derisa të vinte ushtria e sulltanit.
Ja pra cili ishte ai njeri! Ja pra ai Ahmed Zogu që do mbretëronte dhe mbretëron edhe sot në Shqipëri! Dhe ky, u dashka të na ngjallë mes Shqiptarëve dashurinë për bashkimin e kombit, dashurinë për atdheun! Dhe ky, siç u betua faqe dynjasë, u dashka të na mbrojë fenë e minoriteteve!... Për fat të keq, është politika e gabuar fund e krye e qeverisë së një kombi fqinj që i imponoi popullit shqiptar këtë gjë të bukur! Dhe kjo qeveri ia imponoi një populli i cili as që donte t’ia dinte për një mbret, e aq më pak për një mbret Zog!... Thuhet se sot, njerëzit e kësaj qeverie të huaj e kanë vënë re gabimin trashanik që kanë bërë! Por, me të vërtetë, është shumë vonë!...
E kush nuk e di nga ana tjetër se mbreti Zog çeli udhën drejt pushtetit mbretëror më të lartë vetëm falë atentateve e vrasjeve që ka kryer duke paguar kriminelë, për të zhdukur tërë ata kundërshtarë të tij të çarmatosur! ...
***
Gjithkush mund të lexojë lajmet e pakta që gazetat japin herë pas here për Shqipërinë : dhe u zihet besë kollaj atyre çka thuhet në gazeta. Të dhënat që botojnë burojnë megjithatë, gati përherë, nga vetë qeveria e Shqipërisë. Por duhet bërë kujdes për të mos u besuar!...
Nga ana tjetër, kushdo pandeh se në Shqipëri - qëkurse ky vend po qeveriset prej Zogut -, gjithçka është e trëndafiltë, dhe se Shqipëria është tashmë e modernizuar. Nuk ka gjë më të rremë. Në fakt, Zogu bën jetën e një sulltani të vërtetë turk, kurse populli lëngon në mjerim. Duhet shkuar në vend, për ta parë me sy dhe me mendje të çlirët nga çdo paragjykim dhe nga çdo predispozitë. Nuk duhet gjykuar thjesht nga një banket i shtruar nga Zogu apo nga një prej ministrave të tij për ndonjë personazh që viziton Shqipërinë. Nuk mund të shihet mjerimi i një populli përmes pasqyrës së një Fordi apo të një Renaulti që ecën me shpejtësi për t’i çuar vizitorët një hotelin më të mirë të ndonjë qyteti shqiptar. Duhet zbritur nga automobili, dhe duhet depërtuar në banesat e fshatarëve e të malësorëve. Atje mund të shihet me sy dhimbja dhe mjerimi që mbretërojnë në këto familje të zhveshura nga krejt të ardhurat falë vjedhjeve e shpërdorimeve të mbretit të tyre dhe të satrapëve që ka përreth.
E kush nuk kujton me tmerr e urrejtje atë çka ndërmori qeveria e Zogut ndaj katolikëve të fisit të Dukagjinit e të Pukës!
Sipas një plani të studiuar mirë, Zogu nisi të shkelë me këmbë çdo të drejtë të këtyre fiseve. E bëri me qëllimin më të urryer për të shkaktuar një revoltë të armatosur. Dhe ia arriti planit të neveritshëm. Në nëntor 1926, shpërtheu në ato male revolta kundër qeverisë. Zogu thirri menjëherë disa prijës myslimanë të shitur e fanatikë nga Dibra, Shkodra, Mati e Luma. I detyroi të shkonin e të nxisnin besimtarët e krahinave të tyre për të rrëmbyer armët e për të mbrojtur gjoja fenë e tyre myslimane kundër katolikëve të fiseve në revoltë, për t’i parë këta të godisnin myslimanët, bashkëpatriotët e tyre, në emër të zhdukjes së islamizmit nga Shqipëria. Nuk mund të imagjinohet se deri në ç’pikë kulmore u nxit nga regjimi fanatizmi i tërbuar i masave myslimane të atyre trevave, në vetvete aq paqësore. Dy fiset katolike të përmendura u sulmuan e goditën nga lloj-lloj bandash të armatosura.
Pas një luftimi të denjë, fiset në revoltë u detyruan të dorëzohen. Kurrë, asnjë vend i rebeluar në rajone armike e barbare nuk ka qenë trajtuar nga ngadhënjyesit me një mizori të përngjashme. Tërë fshatrat që përbënin fisin e Dukagjinit dhe atë të Pukës u rrënuan plotësisht dhe u shkatërruan me themel. Kush nuk donte apo kush nuk mundi të largohet jashtë atyre zonave u vu nën hekura dhe iu nënshtrua torturave. Gra e fëmijë njohën poshtërime çnjerëzore dhe u lanë të vdesin urie e nga të ftohtit.
Tragjedia përfundoi me ekzekutime kapitale. U dënuan me vdekje, me varje, dymbëdhjetë burra nga të këtyre fiseve. U dënuan po ashtu me vdekje dy priftërinj të pafajshëm katolikë. I pari – që nuk do harrohet kurrë – ishte abati Gjon Gazulli. E varën në Shkodër më 5 mars 1927. Po japim këtu fotografinë e tij dhe atë të krimit të tmerrshëm.
Prifti tjetër i dënuar me vdekje ishte Stefan Vjerdha, ndëshkimi i të cilit u shndërrua në burgim të përjetshëm.
Pas tërë këtyre, me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen :
“A ka ndryshuar ndjenjë ky mbret i Shqipërisë?... A është më njerëzor sot, për nesër? ...A mund të jetë ai i ndezur nga ideja sublime për të udhëhequr popullin shqiptar në rrugën e bashkimit, paqes e lulëzimit?...”
Jo! Ai është përherë i njëjti!...
Dhe do ta shohim këtë në vazhdën e këtij artikulli...
Françesk Karma
Prift shqiptar i mërguar.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi