Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Avni Rudaku:Gegërishtja si Gegnishtja dhe Gegnishtja si Gegërishtja

Shko poshtë

Avni Rudaku:Gegërishtja si Gegnishtja dhe Gegnishtja si Gegërishtja Empty Avni Rudaku:Gegërishtja si Gegnishtja dhe Gegnishtja si Gegërishtja

Mesazh nga Agim Gashi Sun Feb 27, 2011 12:26 am





Avni Rudaku:Gegërishtja si Gegnishtja dhe Gegnishtja si Gegërishtja 186359_510038495_4538963_n
Me shkas aktivitetin letrar “Takim letrar me poetët Primo Shllaku, Ledia Dushi dhe Manjola Brahaj” në Prishtinë

Gegërishtja si Gegnishtja dhe Gegnishtja si Gegërishtja

Shkruan: Avni Rudaku

Këtë javë isha pjesëmarrës në organizimin letrar: “Takim letrar me poetët Primo Shllaku, Ledia Dushi dhe Manjola Brahaj” në sallën e Art Qendrës në Fakultetitn e Arteve të UP-së, në Prishtinë. Takimi ishte organizuar nga redaksia e revistës letrare ‘Jeta e re’ në bashkëpunim me Institutin për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe, me qendër në Tiranë. Dy poetët e parë ishin nga Shkodra, ndërsa Brahaj nga Tropoja. Takimi ishte shumë i rëndësishëm sepse flitej për një letërsi herë të harruar, herë të sulmuar, herë të penguar, e herë të përçmuar: letërsinë gege. U lexuan poezi në dialektin gegë, e për të thënë më saktë, jo edhe tërësisht në atë gegë, sepse kishte toskërishte të kulluar, por toni gegë frymonte dhe kënaqi audiencën. Së këndejmi, u lexuan poezi nga vetë poetët, ndërsa për sojin e poezive të poetëve nga Shqipëria, reflektoi Ag Apolloni, foli Adem Gashi dhe prezentoi Adil Olluri ( më shumë në cilësinë e nikoqirit, e jo siç jemi mësuar ta lexojmë Ollurin si kritik kredibil letrar). Apolloni shtjelloi tematikën e poezive të Shllakut, duke vënë në diskurs poezitë e tij disidente gege, të cilat asnjëherë nuk u konformuan me estabilishmentin zyrtar të letërsisë së realizmit socialist (lexo: enverist). “Kur e lexojmë biografinë e Primo Shllakut e kuptojmë që kemi të bëjmë me një person të padëshiruar nga pushteti komunist, kur shohim kontekstin e receptimit të publikimeve të tij, kuptojmë që kemi të bëjmë me një poet të padëshiruar nga policët e gjuhës standard, ndërsa kur analizojmë vlerat e poezisë së tij, e kuptojmë që kemi të bëjmë me një poet të pashmangshëm”, - tha kritiku Apolloni. Ai e karakterizoi Primo Shllakun si “spartan i gegnishtes”, “lirik i parë i madh i Shqipërisë postkomuniste”, etj., duke shënuar po ashtu se, poezia e Shllakut është një poezi me diksion gegë, me ritëm melodik, me formë moderne dhe me ide humaniste. Adem Gashi foli si poet për Ledia Dushin dhe kishte një fjalim me karakter shumë miqësor për krijuesen, dilte herë si simpatik e herë poetiko-patetik, dhe thënë hapur, më pengoi liria e tij herë jolegjitime për ta zvogëluar seriozitetin e takimit. Pavarësisht kësaj, ai nxiti të qeshura, rrezatonte një sinqeritet të theksuar dhe kjo është e shëndetshme për të sjellur freski në këso takimesh. Ndërsa Adil Olluri prezantoi në pika shumë koncize motivacionin tematik të poezive të Manjola Brahaj, ku theksoi se tema dominuese në poezitë e saj është dashuria, por nuk përjashtohen as temat e tjera. Ndërsa për t’i dhënë shpirt ndejës organizative letrare, ishte mysafiri dhe poeti i shumënjohur shkodran, Primo Shllaku, i cili shkrepi një fjalim shumë të natyrshëm, por edhe kogja ‘reaksionar’. Ai shprehu hapur gjithë ‘frustracionin akumulues gegë’, që vjen si rezultat i periudhës eneversite shtypëse, dhe postkomunizmit, ku gegërishtja u nëpërkëmbë, u diskriminua dhe u leçit. “Ma kallxoni një gjuhë të zhvillume në botë, cilado, e cila për hatër të nji standardi që po pritet me le e me u dhanë në tabaket tona e me u shiju si e cilësisë së parë, qohet e i han vetës tanë letërsinë e madhe”- deklaroi Shllaku. Ai tregonte në mënyrë mjaft shpotitëse dhe ironike qëndrimet e atyre të cilët besonin se poezitë gege duhet të përkthehen në gjuhën standarde. Me të vërtetë, pati të drejtë, sepse edhe sipas bindjes sime, më mirë do të tingëllonte sikur një poezi gege të përkthehet në një gjuhë krejtësisht tjetër, ta zëmë, gjuhën angleze, sesa në gjuhën standarde shqipe. Paçka këtu të keqe!

Përdorimi i standardit ’72 në Kosovë

Përdorimi i standardit të gjuhës shqipe në Kosovë as në nivelet më institucionale dhe akademike, nuk është në korniza të kërkesave që dalin po nga ky standard, e aq më pak nga folësit e rëndomtë. Përdorimi i standardit të gjuhës shqipe as verbalisht e as në kulturën gjuhësore të të shkruarit nuk mund të konstatohet se është në atë shkallë vlerësimi siç synojmë ta arrijmë. Ka disa probleme të përdorimit të tillë: versioni i standardit ’72 për shqiptarët në Kosovë, por edhe për hapësirën shqiptare veriore të gegërishtes e gjetkë, nuk është aq i natyrshëm dhe pa vështirësi në përvetësim linguistik; problemi i politizimit të këtij standardi ’72 dhe lidhja me një figurë jo të pranueshme gjithëkombëtare siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972 nga Partia e Hoxhës, të të tjerëve, Kostallarit, etj.; reaksioni dhe frustracioni i shqipfolësve në mënyrë të pavetëdijshme kolektive ndaj ‘imponimit të toskërisë në përqindje maksimale dhe minimit të dialektit gegë’; leximi i vakët dhe shumë i rrallë në shoqërinë kosovare; arsimimi dhe edukimi i përgjithshëm i shqipfolësve në Kosovë në nivel jo të kënaqshëm; mbështetja e dobët institucionale ndaj institutive kërkimore gjuhësore; diskrepanca e thellë në mes mënyrës së të folurit të shqiptarëve të Kosovës në ambiente familjare e joformale dhe asaj hapësire publike në të cilat kërkohet përdorimi i standardit të gjuhës; disonanca linguistike e shqipfolësve, etj.

Fleksibiliteti linguistik dhe ‘policia gjuhësore’

Mangësitë nuk janë vetëm në zbatueshmërinë e standardit të gjuhës shqipe, por edhe në vetë mënyrën se si e shohim standardin gjuhësor, duke harruar se gjuha nuk është mbi ne, por ne jemi mbi të. Është e vërtetë se për shqiptarët gjuha ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për ngjizjen e vetëdijes kombëtare, por standardi ka qenë edhe faktor jokoheziv, përçarës, sepse shumica e shqiptarëve janë gegëfolës dhe nuk mund të shprehemi se çdo thirrje gege për ndonjë rishqyrtim, plotësim të standardit ’72, apo të një rishikimi shkencor të pasurimit linguistik, apo diskutimi mbi paskajoren, është përceptuar si anti-kombëtare, prosllave, konspirative nga forcat e huaja për ndarjen e mëtejme të shqiptarëve, etj. Jam për një fleksibilitet linguistik, që jo domosdo është sinonim i anti-standardit, por pasurimit të këtij standardi. Mangësitë në zbatueshmërinë e standardit mund të jenë: precizimi i ligjit mbi zbatueshmërinë e standardit në institucionet zyrtare dhe të komunikimit publik, letra e protokolle shtetërore, administratë publike, institucione qeveritare, arsimin publik, etj.; mungesa e vullnetit institucional mbi përkrahjen e zhvillimit gjuhësor; pamundësia e kthimit të librit në një ekonomi të vërtetë; kriza e leximit dhe kulturës së lexueshmërisë, etj. Mos të harrojmë, ne kemi telashe të vërtetë edhe me gegërishten letrare, e cila nuk është aq e kultivuar dhe ka kaluar nga shumë krijues në amnezi muzash dhe në të të shkruarit e saj. Madje, edhe disa bërtima kinse e të të shkruarit në dialektin gegë, nuk janë gege, por janë shkodranishte, gjakovarishte, prizrenishte, gjilanishte, ferizajishte, tetovarishte, etj., që ngatërrohet dialekti nga versioni i bashkësive dhe nënbashkësive gjuhësore krahinore.

Përmirësimi në zbatimin e standardit të gjuhës shqipe

Ka qenë një iniciativë e fundit e rektorit të UP-së që të kemi futjen e lëndës së gjuhës shqipe në të gjitha departamentet e UP-së, madje edhe në fakultetin teknik. Megjithatë, kjo nuk mund të bëhet vetëm me një lëndë zgjedhore apo obligative për kulturën gjuhësore shqipe, por me një strategji të zhvillimit dhe progresit në përdorimin e gjuhës në mënyrën më profesionale, por edhe në përshtatje me kodeksin e standardit. Një prej mënyrave do të ishte që të ‘shtrëngohen’ më shumë mësimdhënësit parauniversitarë përkitazi me lëndët e gjuhës dhe letërsisë shqipe; të mos krijohet ‘dorëlëshueshmëria’ e mësimdhënësve tanë në vlerësimin pedagogjik për lëndët të cilat nuk përvetësohen mirë nga nxënësit; të motivohen nxënësit, studentët në kulturën gjuhësore dhe përdorimit e drejtë të gjuhës shqipe, por edhe të flitet për lirinë e të të shkruarit në letërsi të atij e këtij dialekti, apo për diskurs shkencor mbi gjuhën e cila vazhdimisht evoluon; të ndihmohet dhe të nxitet joshja e qytetarëve tanë ndaj librit, hyrjes në libraritë tona, regjistrimit në biblioteka, duke u ofruar sidomos çdo institucioni të librit, lehtësime në forma ligjore, taksative dhe financiare, etj.

Gegnishtja dhe gegërishtja

Standardistët edhe kur e kanë fjalën për ‘gegnishten’, e shkruajnë si gegërishte. Sidoqoftë, dialekti gegë e toskë, i veriut e jugut, janë pasuri e fuqishme linguistike kombëtare. Ato e plotësojnë njëra-tjetrën. Kuptohet, gjuha standarde shqipe është marrëveshje apo mosmarrëveshje shoqërore-linguistike (sipas anti-standardit ’72), për t’u përdorur në zyrë, administratë, mjete të komunikimit masiv, dokumente e protokolle shtetërore, por letërsia duron dhe ka kapital të çmuar lirinë linguistike, atë liri të shprehjes së gjithë qenies shpirtërore, me mjetin më besnik të kësaj qenie, përmes gjuhës, pavarësisht dialektit.

Takimi letrar dhe rëndësia e tij

Takimi ishte projektuar nga organizatorët që të bëhet pjesë diskutimi dhe debati në mes të të pranishmëve dhe poetëve. Por nuk pati diskutim. Audienca nuk shpaloi asnjë pyetje dhe në atë atmosferë heshtjeje, krejt natyrshëm poeti Primo Shllaku, rrënqethi masën, me një fjalim briliant. Me gjithë këtë, ky takim ishte shumë i rëndësishëm për t’u mbledhur tok krijuesit e letrave shqipe, e veçmas njohja me poetët të cilët e kultivojnë poezinë në dialektin gegë apo gjysmë-gegë. Nëse fajësojmë regjimin e Enver Hoxhës për amputimin e standardit ’72, apo rekomandimet e Kostallarit, apo filmat e Shqipërisë Socialiste, e cila personazhet negative i shfaqte të flisnin gegërisht, ndërsa rolet e personazheve të hijshme, me dialektin toskë, atëherë kjo qoftë memorie e harruar kolektive. Tash askush nuk mund ta ndal frymën e gegërishtës letrare, por duhet të kemi sa më shumë iniciativa qoftë individuale, qoftë institucionale, që gegërishtja e toskërishtja, të jenë pjesë e mediumit letrar shqip dhe të konsiderojmë se i kemi thesar, si njërën e si tjetrën. Të tjerat gjëra janë ankime, rënkime e përçapje irracionale. Është për t’u përshëndetur ky takim. Përshëndetje!

KosovaSot, 26.02.2011

Avni Rudaku:Gegërishtja si Gegnishtja dhe Gegnishtja si Gegërishtja 182781_10150185927898496_510038495_8774671_7535533_n

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi