Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Me rastin e ditlindjes se poetit LIRIKA VJESHTE NGA PETRAQ KOTE

Shko poshtë

Me rastin e ditlindjes se poetit LIRIKA VJESHTE NGA PETRAQ KOTE Empty Me rastin e ditlindjes se poetit LIRIKA VJESHTE NGA PETRAQ KOTE

Mesazh nga Agim Gashi Sun Feb 27, 2011 3:17 am

Me rastin e ditlindjes se poetit LIRIKA VJESHTE NGA PETRAQ KOTE 182200_190865464280664_100000716346990_529493_4550992_n
Me rastin e ditlindjes se poetit

LIRIKA VJESHTE NGA PETRAQ KOTE

Balada e vjeshtës…

Ah kjo vjeshtë!...
Vjet më mori fjalët që të thoja ty
dhe bulevardi i qytetit tim u bë shtyllë

këmbët e mia e dinë sa e gjatë është kjo shtyllë!
Në majën e saj lidha fijet e shpresës por ti nuk u ktheve.

Këtë pranverë shtylla çeli lule,
fjalët që të thoja ty
këtë pranverë erdhi dhe një vashë në dashurinë time.

Dje këputi lule te shtylla
mi dhuroj mua
edhe fijet e shpresës i ka varur në gjoks
me një medalion vjeshte.

Tani më kujtohet
se ti mërziteshe sa herë mbi çatinë e kështjellës sonë të vjeshtës
ulej mjegulla e re.
Unë nuk shkruaj dot balada për vjeshtën
një zog i verdhë shkruan…

Fier, 8 nëntor 2010

Dashuri e parë


Pas s’parës puthje mu bë se vinte
fushës së qiellit mes për mes
o Zot, sa bukur ajo shtrinte
hapej një udhëz, një ujdhesë!

Hapi hapit fustani hapej
posht tij magjiste venusi i ri
e krihte era e miklonte
ia ngulte buzët mbi të bardhin, gji

I mpir i dehur i nemitur
vështroja humbur i pa zë
vërtetë tek unë, pyesja, vjen
kjo perri vashë, ky fat dhe më!

Erdhi e s’foli as më zhveshi
Por mishin tim e rrethoi
me një përkëdhelje rrezellore
pastaj tërë shpirtin ma pushtoi…

Papritur

Papritur - habitur duken pemët lakuriq
rrugët të mbushura gjithë baltë
O Zot!- klithim, - iku jeta.
ç'menduam!... paska qenë... sa pak!

Nuk mundëm të rishihnim as të dashurat
pa lotë t'u thoshim: Lamtumirë!
Pas baltës matanë pemëve të mardhura
oh, po duken dherat e ngrirë!...

Tiranë vjeshtë 2010

Mua s’ka kush më kthehet përveç mendjes…

E ç’të besoj tek ikjet!
Ti gjithmonë ikje ke patur e dashur
andej nga ikin erërat e ftohta
vetmia grunduar me hënë
dhe shikimi im i kaltër qepur në xhaketën tënde prej mermeri të ujshëm.

Shikoje një herë shpinën në pasqyrë
ka sytë pikëllima aty
më vështron nga vrima e lotit.

Sonte është zjarr në pyjet e zezë të reve
me urë në dorë vetëtima nuk ndalet së ndezuri drurë.

Ndalja jote mbeti e vjetër në honin e zemrës…

Ai plepi i vetmuar që mbolli nëna ime 50 vjet më parë, jam unë
me dimrin komshi.
Natën vijnë sazet, qajnë, e shkojnë si ty

Lart pyjet po shuhen
ndriçimi është gjëja e fundit që dielli mendon dhe bënë
ai digjet për ngrohje, nesër
e shkonë e fle në shtëpinë e vetë të verës
po ti ku fle?
Mua s’ka kush të më kthehet përveç mendjes…

Fier, vjeshtë 2010

Ka një re, motër, nëna ime
ia kushtoj tezes sime V. Dumi Filka

Ka një re, motër, nëna ime.
Vjen çdo ditë tek qielli ujë i derdhur kove mbi sipërfaqen e llustërt të çimentos
që rrethon pusin
takon nënën
seç flasin ca fjalë që vetëm prifti i fshatit i di
dhe ajo qan e thahet…

Kur ishin të reja
aty vinte një uragan
është gjyshi më thoshin mua dhe në qiell dëgjoja një këngë të moçme shqipe,
gjëmonte.

Brez pas brezi kështu ndodh tek pusi i shtëpisë sime
vijnë re, stuhi, uragane
bisedojnë me njerëzit

herën e fundit erdhi një yjnesh aty dhe nuk donte të ikte nga qielli i pellgut
dhe pse uji u tha
ajo nuk është memece, nuk di shqip.

Nëna thotë se ka ngatërruar shtëpinë
por le të rrijë!

Fier, vjeshtë e tretë 2010


Gjethet e vendit tim

Të fundmen këngë të dashurisë kënduan
dhe vdiqën plotë gravitet së bashku me vjeshtën gjethet e vendit tim
era e hollë e dhjetorit i mori i varrosi pa madhështi ku mundi
një kryq djerse u nguli në çdo kokë dhe iku bënë meshë në kishën e dimrit
deri në vjeshtë atje do të pres këngën e fundit të brengës…

Qajnë degët me vaj epik
tkurren në trungje dhe elegji të reja shkruajnë
në faqet e qindraherë korrigjuara të rrënjve.

Fier. fundvjeshtë 2010

Të gjitha ditët e mia tani janë pritje.

Të dy lindëm nën tavanin e fshatit SheqMarinas
këndonte pylli i nusërisë së nënave tona, atëhere
shikonim hënën që na dukej si sisë
dhe zgjatnim duart

me duart e zgjuara ti kape një zog, të hyri në gojë
dhe po këndoje
Unë nuk dija të kapja zogj atëhere
dhe qaja.

Të dashurova atë ditë që kishte humbur një hero
në fshatin tonë
për të cilin vajtonte nën pullazin e shtëpisë sime
ai zogu që kape ti ditën e lindjes

fëmija e komshiut me sy myzeqeje
më thoshte se ai zog nuk qan se humbi heroi
qan se të iku ty e dashura…

të gjitha ditët e mia tani janë pritje.

Fier, vjeshtë 2010

… nën lëkurën e dritës

Mi more të gjitha ç’ndjeja për ty
dhe ike
më larg se dielli në solstitin e dimrit.
Mbeta përsëri fillim dashurie nën lëkurën e dritës.
Ti nuk do të vish në verë
siç vjen djelli përsëri afër tokës!
Harrove?
Nga zjarri që digjje brenda vetes ngrohesha unë.

Tani ndihem dimër,
brinjën e anës tënde m’a shkund një erë pa emër.

Dikur isha i gjithi pranverë
qielli nuk më nxente kur e vishja
dallandyshet më ndihmonin të mos e gërrisja.
Herë, herë në qiell hynte një skifter
rrëmbente dallandyshe…
Por ty nuk të mori askush
të rrëmbeu liria.

Më tregojnë se të është ëndërruar dashuria jonë!
Ti, nuk e merr dot më udhën e kthimit
sipër saj tani kanë mbirë gjurmë që ti i harroje.
Shkoj unë, atje, çdo kohë
pres një dhe e djeg në oxhakun e dimrit tim të uritur.

Kur të mbaroj së preri pylli i gjurmëve, do duket rruga
po atëhere ti do të jesh, e tretur!…
Ani, ti eja edhe e tretur!

Fier, dimër 2010

Pemëza e virgjërisë


Po unë përse e zhvesh me sy atë vajzë
veshur me trotuarë dhe bukuri
siç dimri po zhvesh me duar një pjeshkë në kopështin e tij me ngrohje!

Ah, kjo kollë e vogël mbiu si pemëz në buzët e saj!

Ja, peshkatarët erdhën
por detin e harruan të lodhur në bregun e rritur.
Çismet e tyre më kujtojnë shandanët e qirinjve
të ndezur
të cilët i shuanë vajza lakuriq në përvjetorin e parë të zjarrit
që ra në buzët e saj
dhe dogji pemëzën që s’ishte e kollës por e virgjërisë…

Fier, verë 2010

Ti do të vish

Ti do të vish
dhe unë po të pres me zogun tim të dashurisë
tek pema me gjethe nderi e pritjes!
Era pushoj
nuk po e përkund pemën si lamtumirat e dikurshme me dorë.
Shiu do të këputet nga litarët e reve të vjetra
dhe do të flas me tokën ca fjalë të mira për ne.

Do të vij edhe qielli
deri te porta e diellit…

Unë nuk di të luaj serenata
rosat e egra fëmijëria ime i kapte me lak
kripthet i ndillnin, ato…

Ti do të vish!

Tiranë, 19 nëntor 2010

Gozhdën e tradhëtisë e mbaj në dorë për bastun

Erdhi mëngjesi dhe shkoi në ditën e largët me kujtime,
shkeli hapin tim
nuk e di se nga ç’male dramash zbret ai i ftohur
por dhimbja mbeti prapa
mes dhëmbëve të mi
arredimit të lashtë të fytyrës.

Pas pak dhe do të vij mbrëmja me dimër
unë e lëviza këmbën
e shtriva në krevat
nuk më pëlqen të kem dhimbje nate me shi.

Oh, një gozhdë sa kulmi i çatisë m’u ngul në shpinë!

Kur zbrita në rrugë edhe qyteti çalonte
arrin tani
të më shkel gjithçka…

Gozhdën e tradhëtisë e mbaj në dorë për bastun.
… nuk i ndjej më dhimbjet
ato mbetën tek vizita ime e pamundur në pranverë.

Tiranë, 16 nëntor 2010

Toka e nderit të mjaftueshëm


Varreza e ambicieve të mia
është në tokën e nderit të mjaftueshëm
...ku njerëzit e kanë jetën dashuri...

Tiranë, vjeshtë 2010

Skenë

Më tregon fytyrën ky pellg sa Shqipëria Natyrale
shiu elit s’resht pikturon quka në faqe e mia
po e kujtoj shpesh të kaluarën
kjo do të thotë se po plakem
tundet dhe një pemë e re nën erë
si lamtumira ime.

Dikush po mbledh rrugët e mia të jetës
por ti
mos mbill lule tek koka e asaj që unë vet e kam varrosur!

Degët e shelgut që më mbolli stuhia shqiptare në shpatulla
vija pentagramesh uji shkruajnë në mollëzat e faqeve,
kur kalon lumi i lotëve.

Ndalon zogu i trishtimit në degët e shelgut
hedh nota
dhe këndon, këndon…
pastaj zbret çukit dritën e syve të mi
derisa vjen një makinë e pamëshirshme
sytë shkel
shelgun thyen
e zogu ndër kohë ka ikur…

Dishepujt e kuq nuk duan ti japin truall piedestalit të statujës sime…

Fier, 19 tetor 2010


Përçartje

E ndjej është me mua
dhe një sy larg më drejton ky mister
doja unë ta drejtoja dje i djersitur në sqetulla nga mendimet

por s’më la kënga ime amforë e grimcuar në ajërin e mbarsur me vdekje
tek ky park arkeologjik albin
arëprishësit shkelnin mbi kokat tona kur ne ishim filiza
sa lotë në gjak kanë derdhur sytë e rinisë, sime
dhe kjo botthë shqiptare
njeriun përzë nga shtëpia e fundit

dhe ikte nga unë bukuria ime
po ty oqean ti prita dallgët në degët e kësaj peme që sot e kam grua
ajo më puthte pa mbarim dhe krijonte mjalt
ku mbyste anijet e ikjeve të mia

Tani,
më thërret përherë një dhomë zërash me formën e pendesës
mbështetem tek pemët e kopështit tim të arrij tek dhoma

më pyesin zërat

përse nuk e bëre dashurinë ditën o Petraq që pemët të ishin më herët të larta
më herët të bleruara
dhe më japin lule zërat
dhe më thonë
veri në çdo kokë krevati lumi Shqipërie, deti Shqipërie ku derdhe ndjenjat
ti shoh nëna

Unë i çmendur shoh sytë e mi
i njëjti trup e njëjta ndjenj e njëjta gjë
shqiptar
i rritur nga fryma më e pisët
i pirë nga qumështi tradhëtar

më mjafton një fllad i leht, tani
të më mbaj përdore
mua dhe miun që jeton duke u ushqyer me rreshtat e historisë sime
të më nxjerrë nga dhoma e zërave drejt Shqipërisë sime që është brenda trupit tim…

Tiranë, dimër 2011

Unë të kam puthur gjithmonë

Ti ike nuk besoje se do të puthja edhe të ikur!
I ke parë kur të çelin trëndafilat e kuq në faqe, gushë, buzë
malli im për ty është
po kur dorën tënde e shpon gjëmbi i po atij trëndafili
kujtimi im për ty është

Ato re hipur mbi erë ndalojnë ëmbëlsisht në buzët e tua, në faqe, në gushën tënde
janë puthjet e mia
Shiu që ato derdhin mbi trupin tënd
janë lotët e mi të pranisë.

Tiranë, vjeshtë 2010

Lakmi

Futa dorën në lëngun qelqor të syrit tënd
hoqa të dashurën time
nuk e prisha
të duhet të shikosh ata që do ta thyejnë
se ti nuk rri dot pa varur imazhet e të dashurave të tjerëve, atje

Një fshesare do të ketë atë kohë pranë teje
duke mbledhur thërmijat e shikimepshit tënd,
të mos çajnë këmbët burrat.

Sytë do ti kesh skënë
me perde përjetësisht të ulura.

Pastaj do ta sjellë realisht të dashurën time
të tregoj besimin
dhe rrugën për drejt ekzistencës !

Por ti në gjumë përse e pret lirinë…

Gjithmonë shkoja i fundit tek zhgënjimet
me sytë e të dashurës më tradhëtare në sy
këndoja këngën e gjelbërimit
dhe pse - të e akullit më imponin, aty!

Kufij të bardhë i caktoja natës
dallgë prej loti ngrija në sy
mbytja demonin e shtërngatës
kurorëzoja arsyen, për ne të dy!

Por ti në gjumë përse e pret lirinë,
kur para meje e pretendon?!

Fier, verë 2010

… rrjedhë e pafajë!…

Përse më kërkon tek gjurmët
o vashë,
një lumë tek më pret
nga brigjet i dalë si unë
me dimrat i dehur komplet
ti shkri
dhe do shohësh pastaj
si bashkë do jemi një rrjedhë e pafajë!…

Dimër 2009, Tiranë

Të gjitha gratë seç kanë diçka prej hëne!...

Edhe ti e dashur
mos më dhuro portokalle!
Më ngjan si hënë e plotë
dhe nuk më kujtohe ti, pastaj
por e dashura para teje
atje, poshtë vidhit
me hënën varur për dritë në tavanin e tradhëtisë.

Dje isha në plantacionin e agrumeve
këputja portokalle që i binte të ishin hënat,
i puthja dhe qaja ikjet,
që të të doja, ty!
Njëra më tha: Kot më puth,
nuk kam fshehur as ndriçuar ndonjëherë dashuri,
ia lija diellit!

E kuptova
ishte portokallja dhuratë e gruas sime
me atë e bëja dashurinë pa e fshehur dhe në sy të diellit.

Agrumrritësit iu luta të mos shes më portokalle.
sa të kem unë të dashura.

Të gjitha gratë
seç kanë diçka prej hëne!...

Vlorë vjeshtë 2010

Nëna ime Myzeqe


Në këmbë i rri nderit, bukës, besës tënde
nëna ime Myzeqe!
Ndërtesë epike me tulla vargjesh po të ndërtoj
të hysh e shplodhesh në shtratin e trashëguar
ku vijnë erërat e çarçafëve
të genit të fillimit Europian.

Aty të lindësh nga çdo lindje
aty të rritesh nga çdo bir
të mos vdesësh nga çdo bijë!
Unë mundem
o krahu im i shpirtit dhe i zemrës në dashuri
së bashku me shqiponjat e burrërisë sime
që s’u larguan kurrë nga qielli yt i urtësisë
nga drita jote e besimit.

Në këmbë i rri fjalës tënde nëna ime Myzeqe,
trimërisë
e cila fillon pas durimit
derisa shpatullat prekin një mur!...

SheqMarinas, 21 dhjetor 2010

Gra me vlera lakuriq…

Më dëgjojnë klithmat e lindjeve të grave që nuk u bënë, kurrë
mbi kaluçin bosh,
zgjidh ekuacionin me thyesë akulli
shumzim uji
e pjestim zjarri duke menduar me zë, fëmijën.

Pas kësaj matematike gjej gjithmonë një tokë të re
mbjell dashuri
marshojnë kolonat e grave me vlera lakuriq, në këto toka
vrasin gushkuq dhe vajtojnë dimrat.

Qentë dhe hëna bredhin nëpër dimra
askush nuk hedh kocka dhe diej
vetëm vështrime nga liqenjt e syve, derdhin
mbytin gjurmët e qenve, hënave;
ato gjurmë janë kujtime
që vetë i lanë përjashta!

I kthejnë shpinën përmbytjes së shikimit
dhe nxitojnë e prekin njëri tjetrin
gjoja me buzë që në faktë janë brenga…

manushaqet puthen me prillin
nën rënkimin e kësaj rrëkeze të ngrirë malli!

Tiranë, 18 dhjetor 2011

Delirus

Nën çadër
një vrap i penduar teshtin dhe fashon këmbët gjithë gjak
puthjet s’e lagin
i takuar me vetveten
ku pëllumbat e mi të vështrimit zbresin
trembet nga bota e coptuar
në aq sa njerëz e banojnë.

Vrapi më thotë se liria është po ajo botë e coptuar
ose burg i ndarë me drita shprese pa dyer as dritare
mister i shenjt dhe përherë
ku Zotat përsëritin emrat e tyre.

Këtyre emrave që bien veç natën
rrugën për në tokë vet jua tregoj
në mëngjes rrugët ngrihen në këmbë

shikojnë lindjen e diellit që m’a bëjnë buzët e një vajze
dhe më zgjojnë me lotët zogj të po asaj vajze
që konvertohen shikimi im
ti që pret sensacionin
e di?
Ndodhem gjithmonë në hidhërimet e të tjerëve
dhe asnjëherë në gëzimet e mia…

Kam një bregore në korijen e diellit o vajzë
kam dhe një paqe atje me pëllumba rënë
një dafinë
eh, sa dashuri nisën aty të lira
si vrapi… pa çadër!

Fier, 3 janar 2011

Zjarri i shpirtit tim…

Nga zjarri i shpirtit tim në flakë
del tym i zi, çdo gulç shkëndi.
Ajo që dua pikëllon e pyet:
të ketë këtë tym, këtë dritë, ai?!

… rri mendoj për rrugën që nuk më ngulet në këmbë

Pabesueshmëria e vendit tim gjendet përherë
ku rrugët shqiptare ngulen si gozhdë të uritura
në këmbët e mia

digjen retë
këto çarçaf të zinj ku Hera i shtroi në qiell për secilin nga ne
një unazë e zjarrtë hyn në gishtin tim të martesës

sytë paranoja të dasmorëve
dritë tragjike rrethojnë brenda brigjeve
dhe rremtarë pa lundra diturie

dua t’ju pyes ju o dasmorë
mos e patë
rron apo nuk rronë hapi im(?)

dhe mos më thoni
se bota jonë do të shkatërrohet sa numri i perëndive të kaloj numrin e njerëzve
… nuk e gjeta kurrë
rri mendoj për rrugën që nuk më ngulet në këmbë

Vlorë, 1 shkurt 2011

Kali

Nuk ka lidhje me grigjen ky kalë, kalëron
tik-taku i kohës asht’ gjama e tij
prej vedit diçka të më dalë fillon
askand veç mejet s’ka mbi krena, ai!

Dhe lotët e mi nisën të flasin
nga gjama syni… po thahet kadalë
tek rrjedhin të helmet, me gjamë thërrasin:
o turmë, lemeri si s’e sheh nj’ate kalë!

Nga gjini i ernave, tambël pikon
i prinuni për me pa s’po lind ende
pije ti Judë!... udhëheqës deri kur(?!)
Krishtin tradhëtoja prapë kohës së re!

Nuk asht’ deka gjaja ma e vështirë
e vështirë asht’ jeta qi nuk të përket, ty
prapë pikëpyetja po e mbars nji këte botë
prapë s’do ta nij atë kalë ndoj’ i sy!

Tiranë, dimen 2011

Petraq Kote u lind në Sheq Marinas, Fier më 27 shkurt 1959 nga prindërit Todi Kote dhe Kalije Dumi. Të dy me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Arsimin tetëvjeçar e kreu në vendlindje 1966 - 1974. Në vitin 1974 – 1978 studioi në shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë. Akademinë e Forcave Tokësore e përfundoi po në Tiranë në vitet 1979 – 1982, ku u diplomua për specialitetin “Fizkulturë “. Në vitin 2006 – 2010 studioi dhe u diplomua në Universitetin "Ismail Qemali", Vlorë, në fakultetin e shkencave humane, dega gjuhë – letërsi shqipe. Pas diplomimit të parë u emërua Shef i Përgatitjes Fizike të Brigadës së nëndetëseve të Republikës së Shqipërisë.

Më vonë Shef i Përgatitjes Fizike të Divizionin Fier. Shef i Kulturës së Bashkisë Fier deri në vitin 2002. Aktualisht është kryeredaktor i gazetës letrare mujore " Fieri Profil " dhe specialist i trashëgimisë kulturore në drejtorinë e kulturës së bashkisë, Fier.

Ka shkruar letërsi qysh në rininë e hershme, në rrethin letrar të shkollës së mesme ushtarake "Skënderbej" Tiranë, ku udhëheqëse e rrethit letrar ishte mësuesja e letërsisë dhe poete zonja Vasilika Vasi.

"Është poet, publicist, eseist i shkëlqyer", - thotë dr. Moikom Zeqo. Krijimtarinë e tij poetike e kanë vlerësuar kritikë, studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar vëllimet poetike.


"Këngë e Marrë" 1996 shtëpia botuese "Planet" Fier,
"Humbja" 1998 shtëpia botuese "Darmisa" Fier,
"Ranë Këmbanat" 1997 shtëpia botuese "Planet" Fier,
"Muza" 1999 shtëpia botuese "Albapress" Fier,
"Këngë e Parrëfyer" 2001 shtëpia botuese "Darmisa" Fier,
"Këngët e Motmotit" 2003 shtëpia botuese "Ymeraj" Fier,
"Mirë se erdhe Lamtumirë !..." shtëpia botuese "Globus. R" Tiranë,
"Portretin kam varur në muret e kohës" 2008 shtëpia botuese "Globus. R" 2008.
Ka botuar dy vëllime me tregime


"Ngjarje ndër Muzakë - 1" 1999 shtëpia botuese "Albapress" Fier,
"Ngjarje ndër Muzakë – 2" 2005 shtëpia botuese "Ombra GVG" Tiranë,
Publicistika më e shquar e tij është


"Hija... e Kadaresë",
"Lasgushi dhe Kosova",
"Një çast me Migjenin",
"Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli",
"Dasma e Kreshbardhës",
"Diktatura Letrare shqiptare",
"Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë",
"Hija... e Kadaresë, shënime

"Qiellëzanat Trillane", shënime për romanin "Darka e Gabuar" të Kadaresë etj.
"Më kujton Kostandin Paustovskin" në librin me tregime

"Ngjarje ndër Muzakë – 2" – Shkruan studiuesi dhe përkthyesi Perikli Jorgoni

"Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare", ka thënë prof. Adriatik Kallulli.

"Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli... të stilit avantgard", ka shkruar prof. Agim Vinca. "...është nder por edhe privilegj të lexosh e shkruash për poezinë e Petraq Kotes..." shkruan dr. Faik Shkodra.

"Petraq Kote po ngre një Apolloni letrare ilirike", ka shkruar poeti dhe publicisti Ylli Xhaferri.

"... ai është dinjitet poetik..." shkruan Xhevahir Spahiu.

"...fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten", shkruan prof. Valter Memisha

"...klasi i lartë i leksikut i derdhur në vargje e vendos atë, në çdo hapësirë lexonjëse elitare", ka shkruar prof. Bardhosh Gaçe.

"...poezia e Petraq Kotes rrjedh me natyrshmërinë e lindjes së një dite të re apo me fluturimin e një zogu" ka shkruar poeti, studiuesi dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.

"...poeti Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikës letrare" ka shkruar Aida Dismondy në revistën Illyria dhe Kuvendi në Amerikë. Është përkthyer në rumanisht nga revista "Haemus", 2009 nën titullin "Trenul ce fuge de durere".

Është botuar në revistën letrare "Illyria", "Albpoem", "Floart Press", "Kuvendi" në SH. B. A. 2008.

Është anëtar i klubit te Shkrimtareve Shqiptare ne Bote "Drita" me qendër ne Athine dhe një kohe sekretar i këtij klubi, është anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqipërisë, është anëtar i Akademisë Evropiane te Artit, është anëtar i klubit letrar "Bota e Re" Amerike. Ka fituar mjaft çmime, i fundit ishte çmimi "Migjeni" për librin poetik " Mirë se erdhe lamtumirë !..." dhënë nga Klubi i Shkrimtarëve në Botë "DRITA" dhe revista Letrare - Kulturore "Pelegrin" në Athinë

URIMI NGA "SOFRA POETIKE"

Gezuar ditlindja, poeti i nderuar Petraq Kote! Ne miqte tuaj nga "Sofra poetike" urojme nga zemra qe te jetoni edhe 100 vite tjera dhe te na gezoni edhe me shume libra!

Për "Sofra poetike", Haxhi Muhaxheri.
Tiranë, 27.02.2011


Gëzuar edhe nga Akllapi.net i dashur Peteaq!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi