Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Këze Kozeta Zylo: Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, Liria

Shko poshtë

Këze Kozeta Zylo: Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, Liria Empty Këze Kozeta Zylo: Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, Liria

Mesazh nga Agim Gashi Sat Mar 05, 2011 11:58 pm


Këze Kozeta Zylo: Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, Liria U1_KezeKozetaZylo
Nga Këze Kozeta Zylo
Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, LIRIA
Marrë nga libri “Refleksione shpirtërore”
(Esse & Kritikë letrare)
Më zgjodhi faji, tjetër gjë do të zgjidhja,
Internimi ngeli kyçur, pa spjegim,
Njëqind ferre shpirtit do t’ia hidhja,
Në se gjeja fajin, që zgjodhi fatin tim…
Kasollja e Internimit (f.188)
Janë vargje të shkëputura nga libri më i ri “Kasollja e Internimit” me autor poetin nga Vlora, z.Dalan Luzaj, të cilat mbartin një ngarkesë tronditëse emocionale, dhe shkaktojne një tërmet dhimbjeje…
Edhe pse mund të kesh lexuar dhe ndjerë tronditje të tilla që nga letërsia e antikitetit, Shekspirit, Ferrin e Dantes etj…përsëri emocioni që merr kur e lexon këtë poezi është tejet ngjethës, pasi janë ngjarje që kanë ndodhur brenda gjakut tonë, para syve të verbër…
Duke vazhduar leximin më tej kupton se brenda shpirtit ke pasur ca dhomëza bosh…të errëta, nga se kjo lloj letërsie ishte dhe vazhdon të jetë e ndaluar.
“Ata” që përzgjedhin “letërsinë”, dhe që e vendosin të studjohet nëpër shkolla, duhet ta lajnë mëkatin duke vendosur shkrimtarë dhe poetë të kësaj klase, qe i robëruan, pushkatuan, por që iu ndrin pena me poezitë qe krijojnë në librat që përmbajnë një mal me dhimbje mbi shpinat e tyre, të shkruara aq bukur artistikisht.
Kur lexuesi merr në dorë libra të tillë dhe që mëson nga vetë autorët me gjak shqiptari për vuajtjet çnjerëzore, duket sikur dëgjojmë melodramën e një ferri fatal.
Ndaj dhe autori shkruan:
Kasolles shiu ja zhveshi baltën, mureve përreth,
Paralele purtekat, si brinjët tona, pentagram,
Druri që lidhte purtekat në mes,
Si një solfezh ngulur, në shpirt ende e kam…
Këze Kozeta Zylo: Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, Liria U1_DalanLuzaj-KasolljaInternimit
Gjithë vargjet e kësaj poezie janë pikturuar mbi kopertinë e cila më shfaqet me trajta fantazmë në fshatin e internimit. Një kasolle e vogël duket tutje mbështjellë me dritë te zbehtë, në ngjyrën e verdhë të meitit. Ndërsa në arë jepet i internuari, ndoshta poeti i robëruar përkulur mbi lopatë, jo brenda fushës me lulëkuqet e Van Gogut, por me bar të helmët epidemie, një gjëmë e vërtetë.
E përjetoj këtë tragjedi shpirtërisht, nëpërmjet imagjinatës që më jep privilegjin ky lloj rrëfimi artistik, por kurrë, kurrë nuk do të arrija dot deri tek vuajtjet e llahtarshme, tek njëzet e dy vjetëshi i internimit të poetit Luzaj në Sherishtë, sepse është tjetër të përjetosh dramën nëpërmjet leximit apo aktrimit në skenë, dhe tjetër ta pësosh mbi kurriz…
Këto drama që janë luajtur mbi shpinën e shumë të dënuareve, janë jashtë përfytyrimit të ligjeve njerëzore dhe shpirtërore, por që mjerisht janë luajtur brenda mureve të ftohta të Mëmëdheut tonë të shumëvuajtur.
Figurativisht autori të ka robëruar brenda kasolles së internimit, nëpërmjet metaforave aq të goditura për një rrëfim të tillë ngjethës..
Togfjalëshi “Kasollja e Internimit” jane dy fjalët që bëhen të pandara me njera-tjetren, brenda konshiencës dhe subkonshiencës.
Në përfytyrimin tim kurrë si kishja bashkuar Kasollen dhe Internimin në një togfjalësh të vetëm, por kur poezia bëhet kryevepër, atëhere kupton më nga afër dhe ndjen dhimbje gjer në palcë të shpirtit, se si poeti së bashku me familjen dhe fëmijët ëngjëll ishin robëruar brenda këtij togfjalëshi, nga diktatura e egër.
Ujë brinjëve të çara, ujë dhe nga lart,
Fëmijët në mes, ne përreth,
Një duf errësire dilte jashtë,
Të hollat vetëtima i shkelnim baltës në mes....
Vargu i tij klith me forcën e shpirtit sa dhe sot që jeton në Amerikë, kur gjëmon, ai ndjen frikë nga ish kasapët e shpirtrave, që fusnin brenda drites së syrit duf errësire.
Poezia mbyllet me një kontrast të fuqishëm, me antitezën se në Atdhe ishte rob, kurse në Amerike në vendin e Zotit po shijon Lrinë.
Qytetar në shpirt, detin kam në gen,
Ky vend, m'i mjekoi plagët që më dhe,
Plagosur malli im, vjen dhe të gjen,
Mbret në Amerikë, rob në Mëmëdhe…!
Poeti Luzaj ka gjetur folezën e ngrohtë në Amerikë, e cila po i mjekon plagët.
Mendoj se me këtë poezi autori ka vënë vulën e përjetësisë si një mjeshtër i fjalës, që përcjell rrënqethshëm tragjedinë që u luajt brenda kasolles së internimit.
Atë dhe pse e kishin ndaluar të takohej me muzat qysh në rini, nuk u ndal së vrapuari si
një Pegas nëpër retë e bardha, duke u takuar fshehtas me përëndeshat e frymëzimit.
Ai shndrin si poet, dhe brenda zemrës së vargut ka një mision paqeje, që vetëm një i vuajtur si vuajtjet e Krishtit në Kryqëzim, mund të arrijnë të falin mëkatet e të tjerëve.
Nëna e internuar e poetit
Një dashuri gati –gati hyjnore zë dhe adhurimi i të birit për nënën e tij, i cili e quan atë shpesh shenjtore. Duke lexuar poezinë “Nënës”, merr një ndjesi aq torturuese, sa të duket se dhe pranvera mund të nxijë gjethet e gjelbëra nga helmi i dhimbjes së poetit për nënëdhëmbshurën që ia torturuan pa kurrfarë ndjenje njerëzore.
Edhe poezia e Eseninit për Nënën, që është ndër më të bukurat brenda këtij lloji, pakuptuar m’u spostua pak më larg, nga se hallkat e zinxhirit të robërimit brenda trupit të një nëne, janë më tmerruese…
Nëna e poetit kishte një pritje të ankthshme, pritje gjer në çmenduri për bashkëshortin e saj, profesorin e madh të Kombit Isuf Luzaj, i cili nuk mund të hynte dot në Shqipëri, sepse e kishin shpallur armik të Diktaturës.
Këto poezi janë një dëshmi e gjallë e vuajtjeve të nënës dhe gjithë familjes së tij, ndaj dhe rrëfen:
Internimi ma lidhi nënën me zinxhir,
Viti ters erdh’dhe ma vrau,
Jashtë e brenda jeta nxirë,
Nga rrobat e zeza, as varri s’e ndau.
Nëna e tij, dëshmon poeti, mori ndëshkimin më të rëndë në jetë, edhe pse krejtesisht e pafajshme, aq e pafajshme ishte, sa të dukej sikur po ndëshkonin një ëngjëllore. Imagjinata e autorit është gati e tejskajshme, ai pyet për fajin ku ta gjej?
Mbi varr një selvi, më tej fillikat/ Prangosur u shua, me më të rëndin ndëshkim/ Ku të ta gjej fajin të ta bëj dhuratë/ Ta derdh përmendore tej në Internim!
Autori me vuajtjet e tij duket një Promethe shpirtëror, ngaqë ai nuk iu nenshtrua regjimit, ashtu siç vepruan "Perënditë" qe e gjuajtën me rrufe Prometheun dhe i thanë që të dorëzohet se do t’ia falin jetën, por ai ua ktheu me vendosmëri atyre: ”Nuk i ndërroj vuajtjet me një shërbim prej skllavi”.
Poeti, nëna dhe gjithë familja e tij e internuar luftuan të pabarabartë me ata që i çuan brenda kasolles së internimit.
Duke lexuar këto poezi për nënën, më duket sikur brenda gjithë gërmave është formuar piktura me e bukur në botë, zemra e nënës shpirtdhembshur, zemra e një shenjtoreje...
Poezitë për nënën janë të një lloji krejtësisht të veçantë, që brenda shpirtit të nënës derdhet dashuria për fëmijët e saj, ndaj dhe ata e adhurojnë atë aq shumë:
E kam për ty, o shpirt kulluar/ E çiltër krejt, si një fëmijë/ Kaq plagë e dhimbje ke duruar/ Sa balta plagë u bë nga ty...
Këto figura të arrira janë pasuri e zotërimit linguistik, ku lëvrohet arti i fjalës, duke e shprehur dhembjen e shpirtit në shumë dimensione, dhe që mjeshtërisht transmetohen me emocion në të gjithë lexuesit. Fytyrën ëngjëllore të nënës së tij, duket sikur e pasqyrojnë, burimet e kristalta të Serishtes, fshatit ku u internua. Autori sjell pranë nesh varkën e dhimbjes gjer në eshtër, dhe gdhend nëpër poezi skulpturën më të trishtueshme në botë, skulpturen e pikëllimit për nënëzonjën e internuar të poetit.
Malli i poetit dhe dhimbja për vuajtjet e saj, janë brenda rrënjëve të luleve të bukura, se zemrës së saj aq të bardhë, duhet t’i dhurosh vetëm buqetë poezie.
Nga shpirti i saj si deborë, duket sikur mbijnë gonxhe të bardha pranë selvisë, ku tretet nënëmira e pafajshme e poetit zënë rob...Shpirti i saj prehet në parajsë.
Amen!
Patrioti zemërzjarrtë, me gjak Kanine
Libri hapet poetikisht me dashurinë dhe dhimbjen për Kaninën, dhe rrënjët e gjakut të tij:
Me gjak Kanine jam gatuar/ Me shpirt vlonjat, nga Uji i Ftohtë/ Dy kontinente kam afruar/ Me urën më të gjatë në botë.
Nuk përbën çudi që me ndërtimin e urës më të gjatë në botë, ky ndërtim artistik të futet në mrekullitë e botës, projektuar nga mendja e një poeti arkitekt.
Vlagu i mallit per Vlorën, e mban gjallë ndjenjën e tij dhe pse tashme është larg saj fizikisht, por atij i shfaqen si imazhe yjet e qiellit të Vlorës ku bien në blunë e detit të saj, aq pranë.
Libri është si një magnet që është e pamundur të të lëshojë pa e lexuar gjer në fund. Nëse lexon poezinë: ”Letër në fshat” brenda saj ka nje dashuri vëllazërore për fshatarët e Serishtes ku u internua, ku e kufizuan të ishte i ndarë nga ata. Ai dialogon me ta gati si shenjt, sepse vetëm ky soj njerëzish i falin mëkatet ndaj dhe iu shkruan letër:
Urojmë me shpirt të jeni mirë/ Urrejtje, kurrë për ju aspak/ Ju shkruaj nga larg, nga Bote e lirë/ Gjysma armik, gjysma kulak.
Edhe pse shumë herë ndodh urrejtje midis shqiptarësh, kurrë nuk pashë dhe ndjerë nga klasa e persekutuar, që të hakmerren mbi xhelatët e tyre, por vetëm ata kërkojnë drejtësi dhe të gjykohen në bazë të ligjit.
Poeti patriot edhe pse është larg Atdheut, edhe pse iu mohua çdo e drejtë në menyrë çnjerëzore, ai zemrën e ka atje, ngase shpesh i duket sikur dëgjon nga qielli zërin e nënës: ”Mos e harro Mëmëdheun”...
Autori vendlindjen e të parëve Kaninën e quan me moshën më të vjetër në botë dhe më historike, aty ku Prijësi shqiptar vuri kurorë me gruan e bukur Donikën.
Fol Atdhe/ a ke vend tjetër/ ku u fal ky Skënderbe?
Me mjaft emocion jep dhe Rilindjen e Kosovës së përgjakur, ku autori ndjen gëzim të papërshkruar për Pavarësinë e saj: ”E mbylli shekulli mijëvjecarin/ Rilindi Kosova shekullit të ri/ Kohërat marrin plagët, jo Adem Jasharin/ Gjysma legjendë, gjysma histori.
Shpirti i poetit nuk mund të jetë i qetë dhe për Çamërinë e masakruar: ” Çapis i menduar buzë ngjolit çam/ Çdo fije bari, gjak Çamërie/ Me gjithë shpirt jetën jap, e ç’kam/ Që këtu të flitet GLUHE Perëndie”.
36 shkronjat e Gluhës shqipe të Çamërisë i mbeten si plagë ndër gjuhe e shpirt, gjersa të zgjidhet problemi i saj. Poezitë e tij të shumta për Atdheun kanë lindur nga gjaku i Kaninës dhe atje do të hedhin rrënjë në perjetësi edhe pse ndodhet fizikisht larg saj...
Këze Kozeta Zylo: Poetit që ia mjekoi plagët e robërisë, Liria U1_DalanLuzaj-KasolljaInternimit2
Magjia e dashurisë
Autori në poezitë liriko-erotike mediton buzë një liqeni dhe duket sikur shthur gërshetat e shelgut të dashurisë, i cili spërkatet nga stërkalat e argjendta të krahëve të një pulëbardhe që kalon pranë tyre.
Përmes poezive lirike të dashurisë dëgjojmë vazhdimisht cicërima zogjsh në qiell Maji dhe prej vargjeve aq delikate dhe të zjarrta befasohemi me aureola metaforash.
Fjalët magjike janë brenda mushtit të shpirtit të poetit, që digjen shkrumb nga dielli i dashurisë.
Zemra e tij shton pulsin nga harku i vetëtimave të syrit të dashuruar, me fluridhe figurash nga më të bukurat. ”Të pashë në sy/ shkëlqyen qiejtë e kaltër, shpirti bëri zë/ Ç’rrymë e lartë trandi ne të dy/ Më besojnë ata, ndaj mallin peng u lë./
Dashuria për poetin është nje stinë e bukur pranvere, ku mbi buzët e të dashuruarve derdhet çurku i hënës leshraverdhë në Oak Park, pranë shtëpisë së tij, në Çikago. Kjo ndjenjë magjike thotë poeti Luzaj nuk të lë të ndihesh vetëm, edhe pse ndonjëherë ndodhesh fillikat buzë një mbrëmje. Poezitë për dashurinë dhe figurat që përdor në to janë krejtësisht selektive. Dashuria edhe në se ka çast ndarjeje, i lë peng gjithë nurin e saj, ku joshet me vezullimin e yjeve, në natën e hëntë me ëndërrime.
Poezite erotike shkrihen dhe digjen së brendshmi, brenda buzëve të malluara ku mund të piqen dhe qershitë, apo të çeli një lulëkuqe: ”S’po e vështronim diellin që po ndante Karaburunin nga Sazani/ Atë buzëmbrëmje me majin ishim ndarë/ Ti u rrënqethe, u përpëlite e skuqur nga zjarri/ Atje çdo pranverë një lulëkuqe çel mbi bar/
( Një herë, f.171)
Shumë strofa e robërojnë lexuesin brenda metaforave dhe shpirti dridhet nga ndjenja e ëmbël si mërmërima e një liqeni.
Autori mjeshtërisht jep thelbin filozofik të dashurisë dhe të të dashuruarëve nëpërmjet një muzikaliteti të përsosur të vargut. Pena e tij duket sikur fshihet brenda një kompozitori të madh, që aq bukur ka kompozuar një simfoni të rrallë dhe reale.
Edhe petalet e kujtesës e mbajnë të fokusuar lexuesin brenda blerimit të dashurisë së përhershme: ” Sa dhjetëra vite rrinë mbi shpinë/ Thellë, të tjerë sa trokasin/ Mes tyre nje lulëkuqe ndrin/ Dy dashuri nje gjuhë, kurrë s’flasin. (Kujtese f.37)
Heroi lirik bisedon me të dashurën duke i kujtuar asaj Majin e gonxheve shpërthyese dhe që t’i besoj dashurisë së tij le të këpusi një luledele: ”Koha do të ikë, ngelur s’kemi ne/ Do kujtosh majin, ndoshta s’tu besua?/ Nën një krah pulëbardhe deti t’u fsheh/ Shqep një luleshqerre, se s’beson tek mua?/
Ndërsa heroina lirike e dashurisë duket sikur ka lindur nga zemra e poetes së famshme Safos, e cila pi shpesh kupën e dehjes nën ombrellën e ullinjve apo në gjethet e portokallit që ndizen nga ndricimi hënor. I dashuri i saj dehet dhe dallga e shpirtit përvëlon kurmin e saj të nxehtë... ” Kush ra në zjarr e s’mori flakë/ Nga floku i verdhë, me flakë floriri?/ Syri bie dhe bëhet gjak/ Gjaku djeg me dallgë qiriri/
Petale buzëqeshjesh iu vë vajzave të dashuruara, ku nëpërmjet hiperbolës thotë se kur qeshin ato shkëlqen qyteti mbarë... ”Si të vështron, kur do të pyes/ Si shkrepëtinë kur të do pranë/ Sa zjarre shpirti i saj ndez/ Sa prush mban brenda gjoksi i saj/ Kur përshëndet a të rrënqeth?/ Kur qesh, shkëlqen qyteti mbarë/ Sa yje syri i saj mbledh/ Te gjithe mes turmës i shpërndan/
Në shtigjet magjike të dashurisë do të ndjesh dhe nota pesimizmi si tek poezia ”Rrëshqitje, f.107) ”Të përkëdhelja dite e natë/ Stuhia treti çdo premtim/ Iu shtua vargut tim të gjatë/ Një tjetër brengë nga ty shpërblim./
Këto vargje të shkëputura nga poezia më lart të kujtojnë thënien e Remarkut i cili thotë: ”Të gjitha dashuritë kërkojnë të jenë të përjetshme dhe pikërisht këtu e kane burimin, mundimin dhe vuajtjen pafund!”
Vargjet e poetit pëshpërijnë ngrohtë në flladin e lehtë, brenda valsit të dashurisë, ku heroi lirik i tij jep premtimin për të mos u ndarë edhe pse mund të bien shirat e vjeshtës. “Shtresë floriri sonte të kam shtruar/ Mbi gjeth si limon të verdhë/ Nga këtu hënën kam urdhëruar/ Dritën lumë, veç mbi ty ta derdhë/
Të gjitha këto poezi me nektar dashurie duket sikur qëndrojnë sipër nesh si yje të zjarrta në qiellin e përflakur, dhe hëna e bukur ndjellëse pikturohet magjishëm duke rrëshqitur nëpër detin e mëndafshtë, që aq shumë poeti është dashuruar qysh fëmijë me të.
Nga sytë e poezisë ndjehet magjia e dashurisë, një magji që vetëm heroi lirik i autorit mund ta ndjejë dhe përshkruajë.
Korrik, 2010
Staten Island, New York
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi