Sabit Rrustemi:IMAZHI I PAVDEKSHËM ( Në kujtim të Shaban Jasharit, risjell këtë reportazh letrar)
Faqja 1 e 1
Sabit Rrustemi:IMAZHI I PAVDEKSHËM ( Në kujtim të Shaban Jasharit, risjell këtë reportazh letrar)
Sabit Rrustemi:IMAZHI I PAVDEKSHËM ( Në kujtim të Shaban Jasharit, risjell këtë reportazh letrar)
Ka nëntë vjet që udhëtoj. Nëntë vjet udhë po bëj pa u ndalur e nuk e arrij atë vend, atë shtëpi, atë oxhak dhe atë burrë që prêt.
Nuk janë nëntë orë a nëntë ditë a nëntë muaj. Nëntë vjet janë dhe, nuk arrij të trokas në dyert e bac Shabanit , në Prekaz .
Mund të më hidhërohet ai burrë. Mund të mendojë se krejt e kam harruar. Madje edhe atë kafshatë buke që ia kam ngrënë. Mund të mendojë se kam ngelur diku, jam humbur diku. Apo, edhe se nuk jam më në mesin e të gjallëve se ndryshe nuk do të isha vonuar kaq shumë…
Eh, baca Shaban, eh! Po udhë e gjatë e vjet pak! U thinja duke ecur kah ti, u kërrusa supesh e u zgjata qafësh duke shikuar atë tym të drejtë oxhaku e, ende larg jam e, ende asgjë nuk po shoh.
Ose po më rrejnë këmbët, ose më kanë lënë sytë. Ose, jo o zot, jam duke u sjellur në një rreth vicioz, i cili nuk ka as pikë fillese e as mbarese. Një rreth që përditë të shtjerr hapash e nuk të nxjerr aty për ku je nisur.
Udhës rrethore, dikush më thot, nuk është aty. Po ku është, pyes. Ka ndërruar vend, thotë një tjetër. Shtëpi të re ka ngritur, shton tjetri. Jo ore, e ka lëshuar krejt këtë botë, më mpinë të tërin një i katërt, i ftohtë akull, i përdalë.
Ikni, ore, gënjeshtarë, largohuni, qërohuni! Mos më ngritni leqe! E di unë ku është bac Shabani. Në shtëpi është, në odë, në anën e majtë të oxhakut. Përballë, anës së djathtë, prêt mysafirët, udhëtarët a të zënurit e natës. Aty është ai. Prej shtëpie s’ ka ku shkon. Se i ka bë do vjet e, shpesh nuk del. Rrallë, shumë rralë del . Dhe kur del, në të kthyeshëm, del. E di unë…
Vazhdoj tutje.
Ec e ec e ec e ec…as pas nëntë vitesh, afër tij s’ jam. S’ arrij ta shoh, t’ i lidhë duart më të, s’ mundem . As nga një të sertë për ta pështjellur, jo.
Zot o zot, për kaq kohë në fund të botës do kisha prekur , lëre më një Prekaz a një shtëpi miku, a një burrë si bac Shabani!
Ti po ec në vend mor mik, më tha një zë i panjohur. Ti po vendnumron. Vetëm përmes ëndrrës po ec ti, mor u përhënur, më tha pas sa kohësh udhë, një orakull, i përplasur këndej pari nga botë e Delfit.
Ti po sillesh e pështillesh si pordha nëpër tirçi, mor i uruar! Ma përplasi troç një i nemur i lagjës sonë.
Mos, ore! Nuk jam fëmijë, palaço nuk jam, as i përhënur apo i shkalluar mëndjeje të talleni me mua. Sa leshëra kresë kam hequr, sa leshëra faqesh kam lënë pa u rritur, unë. Qe, edhe dhëmballët kanë zënë për t’ mu prishur e, ju më thoni, i përhënur, ec përgjumshëm. Jo, ore. Thoni ç’të doni. Di çka bëj, unë. Di si ecë unë. Zgjuar jam, në këmbë të mia, në këpucët e trashëguara prej tim eti. Po eci e s’ po ndalem drejt atij burri, asaj shtëpie, për atë odë ku hëngra bukë…diku para nëntë e sa vitesh. Nuk e harroj atë bukë, as atë sofër e as atë çun, atë nip të bac Shabanit. Na thyente bukën, na ofronte me urdhër të gjyshit.
Sëpari mysafirëve bukën, kripën e zemrën. Atë që e ke në sofër, pastaj të zotit të shtëpisë, tevona vetes.
Nipi rrinte gjunjaz para nesh derisa kryente ritualin e traditës. Bac Shabani e përcillte me sy, përmes një shikimi të thellë, duke i lëmuar herë pas here mustaqet .
Ashtu, djali im, ashtu! Sëpari mikut e pastaj vetes.
E kthehej kah ne.
Merrni atë që na e fali zoti. Merrni e mos u ngushtoni se keni ba udhë. Keni ba nder!
Një kësi burri nuk ta zë dot syri. As mos u mashtro, i pata thënë mikut me të cilin patëm bërë atë udhë, s’pari herë.
Rrallë rritë Drenica bac Shabana, ma ktheu. Po kur i rritë, i rritë qysh duhet, si bac Shabanin…
I kishin pas rënë në qafë, të shkretit. A prej Skenderaji, a prej Mitrovice. Besa edhe prej Prishtine, të ndërsyrë gjithnjë prej Beligradi. Pa dhimbtë i kishin rënë se, ish sh’pi, me toprak e tapi, si thoshin. Derë e kamun e derë e hapun, ish. Den baba den. i kish majtë në thumb e s’ e kishin hequr prej thumbit, as ata.
Këmba e huaj po ma rëndon qafën e s’po muj e duroj, na pat thënë. As djemtë besa tash nuk po durojnë. Janë rritë e nuk po ju përzihem. I dinë ata punët e veta. As nuk i mësoj, as nuk i largoj!
Eh, or bac Shabani! Po si mos të të shoh edhe njëherë, të të dëgjoj edhe njëherë, të ta shijoj atë bukë që thyhet nga dora e nipit të vogël, edhe njëherë?!
Ka nëntë vjet udhë që po bëj e ka nëntë vjet që nuk po të arrij. Po më humbni para syve ti e Prekazi. Sa them, e arrita, qe ku është! kur, shoh sa larg jam. Apo gjithnjë po më rrotullohet bota e po më largohesh syresh.
Mos, bre! Që s’ ma shkele derën njëherë, s’ po të zë kusur. Je rënduar nga motet. Djemtë të kanë mbetur ende në mal, aty përtej shtëpie në mal e nipat ende dhëmbtë i kanë prej tamli. Po me m’u larguar, nuk ta bëj hallall! Se të di për burrë, për sh’pi të gjallë, të di! Aty ku tymi i oxhakut s’ pushon as natën e as ditën, ku zjarri në votër kurrë nuk shuhet. Nuk kam harruar jo, si na the: nuk e mbaj mend kur e kemi ndezur sërishmi. Vetëm hirin po e largojmë kohë pas kohe.
Më gënjejnë njerëzia, dashakeqët e ndjellakeqët. I kanë vrarë. Shkrumb e hi i kanë bërë. Me burra, me gra e me fëmijë. Kush ka qëlluar brenda, pluhur është bërë, hi. S’ di, po thonë, a ka shpëtuar a jo ndonjë sabi.
Mo’zo’ma keq. Çka nuk po më dëgjojnë veshët kësaj udhe. Këtij rrethi që, përditë në këto nëntë vjet shpirtin po ma ha.
Po ti, mos ke dert, baca Shaban, jo! Nuk ju besoj. Ani, po thonë ju kanë parë të shtrirë nëpër ekrane televizive, nëpër faqe gazetash… Jo ore, A shtrihet der ai burri. A bëhet hi një shtëpi e tërë, burrash, grash e fëmijësh? Jo, për zotin! Ishalla s’e ka thënë as shkruar ai i madhi, jo. Edhe me të pas pa me këta dy sy në atë ekran televizori a faqeje gazete, pasha zotën, n’ e kisha besuar! Rrenë është kjo! E kanë vetëm me na ligështuar se, kështu janë mësuar, këta. Përpiqen për të na mashtruar. Si dhe shumë herë të tjera .
Ende po e dëgjoj zërin tënd kah më rrëfeshe për Tahirin, Tahir Mehën. Iu kish ngri dora n’ allti, mezi ia nxorra, thoshe.
E për djemtë që s’ ju ranë n’dorë policëve të Milloshit! Nuk kam harruar, jo. A the, u mbështollën në postaja të bardha jarganësh me pushkët nën sqetull e dolën prej sh’pie e oborri, falë një rrisku bore që sapo kish rënë.
I p’shtoi bora, për zotin. I p’shtoi! E kur dolën në mal përballë sh’pie, dhanë haber me krisma pushke. Ia kuqën Milloshit! thoshe. Madje plaka të preku se shoqin tjetër të udhës nuk e njihte. Të kujtohet si të tha: o ti njeri… Hajt se e di unë kë ma sjell, ky shoq! Mos baj dert!
Këtu, miko, këtu janë. Sillen këndej pari. Ua preva me nja: n’mal po, se mali sh’pia jonë ka qenë gjithmonë… a, për ma larg nuk ua bëj hallall.
Vijnë si t’ bie nata, kush brenda sh’pie e kush në krye udhe se milloshave kurrë s’iu kemi zënë besë, jo. As tash.
Mbaju baca Shaban, mbaju! Krejt Kosova është me ty. Patën ushtuar rrugët tona, sheshet…
Më ushtojnë veshët edhe gjatë kësaj ecjeje. Njejtë më zhbirojnë edhe goxhulët e bythkokëtulët: kur iu ranë në sh’pi, i harruan, i lanë vetë!
Ato britmat nëpër sheshe ishin kanë veç pallavra. Tash s’ kryhen së qirruri nëpër këngë e rrëfime. Krej ma trima po dalin se Shaban Jashari. A nuk i ke dëgjuar?
Ih sa bira gardhi në këtë udhë bre baca Shaban! Kot po i mbylli veshët. Kot po shtirem shurdhë.
Allahaile a je atypari, a je gjallë he, burrë se lajmi i keq rrallë ka dalë i rremë?! Këta lajmës të së keqes, shpirtin po ma hanë! Po unë, nuk po ju besoj. Në shtëpi të kam lënë, bashkë me plakën, me nipat dhe me djemtë atypari. Veç nja dy a tre i kam jashtë Kosove. Djalin e madh me dy nipat, në mos harrosha. Apo m’u kanë përzierë. Se, kjo udhë ma ka pru shpirtin te hunda.
Fara jonë nuk delë lehtë fare sip o rrehen milloshat. Rrajtë i ka prej Ilirie, prej Dardanie e prej Arb’nie, kjo fare. A nuk thoshe?
Mbaju he burrë, aty te oxhaku, në postajë dashi me gunën krahësh. Mos e lësho atë vend! Aty dua të të shoh! As mos e luaj hapin, vetëm lësho zë kur të thërras, se për zotin pa thirrë nuk hyj brenda. Dua ta dëgjoj zërin tënd e të ec shlirshëm pastaj kah oda. Tek ai ballë oxhaku, aty në anën e djathtë e të përqafem fortë me ty, si herën e mbramë.
Shushurimave nuk u besoj . As shushuritësve. Vetëm atij imazhi që në sytë e mi ka mbetur i pavdekshëm, i besoj. As dua ta ndërroj me ndonjë imazh tjetër.
Ti nuk e lëshon Prekazin, as shtëpinë e as odën. Ti nuk ndahesh nga Meka e shqiptarisë, tek e cila do të arrij e do t’i shtrëngojmë fort këto duar.
Kot e ka kjo udhë që më bishtnon. Këto nëntë vite që ma mbështjellin kohën dhe udhën nëpër këtë rreth vicioz.
Kot e kanë.
Në ditën e shkrume, në kohë të duhur, do arrij aty ku isha para nëntë vitesh për ta dëshmuar pavdekësinë tënde.
(19 dhejtor 2007)
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi