Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Agim Bacelli:Rrëfimi* Tregim

2 posters

Shko poshtë

Agim Bacelli:Rrëfimi* Tregim Empty Agim Bacelli:Rrëfimi* Tregim

Mesazh nga Agideba Wed Mar 09, 2011 9:38 pm

Rrëfimi*
(Histori e vertetë)

Agim Bacelli

"Dimi! Për çdo fjalë shqip do më paguash kafen dhe fërrnetin e ditës. Dakort?" E si të mos isha dakort me ‘mësuesin’ tim të italishtes! Tunda kokën me kënaqësi. Pëllumbi qeshi jo më shumë për kafen sesa nga shoqëria që i bëja. Pastaj fërkoi mustaqet, zakon ky kur ishte i kënaqur.

"Pëllumb, L'italiano è davero una bella lingua. Cominciamo!"**, i thashë. Fola sa fola në gjuhën italiane dhe si 'padashur' futa një fjalë shqip.

"Eja shkojmë tek 'Lissus' të ta jap kafen dhe fërrnetin. A nuk është një çikë ftohtë jashtë?"

Pëllumbi vdiste për një çikëz pije, sidomos për raki të cilën dëndur e shoqëronte më një thelb udhre dhe me këngë.

Të ulur përballë njëri tjetrit, në një qoshe që s'para binte në sy, në e sallën sipërme të Bari-it, po rrinim pa folur.Vështroja me kureshtje atë burrë levent mbi pesëdhjetvjeçar, gojëmbël, tepër i hequr në fytyrë dhe trup, me sy zhbirilonjës; Shqiponjë e Gramozit, siç më pëlqente ta quaja shpesh. Nuk ngopesha të harxhoja me të tërë kohën e lirë.

I pari që e prishi heshtjen ishte ai:

"Shiko Dimi! Ke parë këmbë më të bukura se këto të kamarjere Lulës?" Ktheva kokën instiktivisht dhe vështova këmbët e saj. Vërtetë ishin shumë të bukura. Kishin formën e shishes së 'Birra Korçës' dhe ato këmbë më shpunë në qytetin tim. Nga fytyra nuk qe kushediseçfar por këmbët e saj ishin më të bukurat në qytet. Si për të qënë barabar në atë gjetje të veçanta ja ktheva, "Po fytyrë më të bukur se të Lizës ke parë?" Liza ishte kamarjerja tjetër në lokal. Sigurisht që biseda bëhej në italisht jo për ndonjë sekret pasi në qytetin tonë shumë qytetarë flisnin italisht. Katër vetë ishin mësuesit privatë më të mirë të italishtes në qytet të cilët do ti kishte zili edhe Tirana; Rudolfi, Gjergji, Alfonsi, ‘Profesori’ dhe Pëllumbi im që më mësonte vetëm mua. Kisha marrë mësime private me të katërt të parët por asnjë nuk krahasohej me virtualin, gazmorin, këngëtarin, qefliun...Pëllumb Islami. Ndoshta më pëlqente nga që ishim edhe nga e njëtja krahinë.

"Dimi, sot jam në qef dhe kam një dëshirë. Të lutem më bëj një nder..." E vështrova me një shikim që tregonte gadishmëri të plotë për t'ja realizuar çfardolloj favori.

"Sonte dua të më vish në shtëpi. Dua të të njoh dhe me gruan, Elin. Një shoqe trazavaçe dhe një bashkëshorte që flet cazë si tepër. Hahahaaaa. Pastaj, kemi kaq kohë që njihemi dhe sikur s'shkon të mos njohim edhe familjet e njëri-tjetrit. Si thua?"

E prisnja me kënaqësi këtë gjë, megjithëse e dija se Pëllumbi ishte i persekutuar dhe shikohej me dyshim nga partia dhe pushteti. Kjo gjë sigurisht që paraqiste rrezikshmëri për mua por, nuk e vrava fare mëndjen.

"Qysh tani!" bërtita i gatshëm.

Shtëpinë e kishin në katin e dytë tek një pallat në cep të lagjes "Liria", lagje e magjypëve. Hymë brënda. Tek dera e hapur na priti Eli me buzën në gaz. Ajo vazhdimisht buzëqeshte dhe sytë i shkëlqenin shumë. Nuk kisha parë kurrë sy aq të shkëlyer dhe të bukur. Bujtësit më krijuan një ambjent të dashur dhe të këndshëm pamvarsisht nga mjedisi tepër i varfër. Dhoma kishte një tavolinë, dy karrike, një dollap, një mangall me qymyr dhe asgjë tjetër. U vura në siklet se ku do ulej Eli por ajo sajoi me shpejtësi një ‘stol’ portativ me anën e një shporte dhe disa leckave që i nxorri nga dollapi dhe u vendos pranë të shoqit.

"Dimi, kështu të quajnë apo jo? – Unë pohova me kokë. - Për mua, s'duhet karrige sepse do t'ju shërbej juve. Na fal Dimi, me çfar na ndodhet sonte..." Sytë i vetëtitinë si diej dhe ndjeva ngrohtësine e saj bujare.

"Uuuf...Çështë ajo! Po vajza juaj, Ana, ku është?" - ndrrova temë për të mos i dëgjuar ato fjalë që tregonin vënien në siklet nga varfëria e tyre… Ju thashë gjithashtu se nuk dëshiroja asgje përveç asaj mikpritje të shkëlqyer që më rezervuan me zemër e fjalë.

Ata s’ju përgjigjën pyetjes sime, ndërkohë Eli me shpejtësi ndezi zjarrin e mangallit dhe vuri mbi të ca bukë misri. Se nga qiti pakë djathë, një qepë, udhra, disa kokrra ulliri dhe një shishe raki me tre filxhanë. Po me atë shpejtësi bëri dhe një ‘ëmbëlsirë’ të cilën e poqi mbi mangall duke shtruar një teneqe dhe na i vuri të gjitha sakaq në tavolinë. Buka e thekur avullonte si të qe taze dhe më gacmoi shqisën e shijes si asnjëherë tjetër. Rakia ‘më buzëqeshte’ me anën e ‘dhëmbëve’ të rruazave që kishte krijuar në sipërfaqen e saj.

"Gezuar Dimi! Paç ditë të bardha dhe u plakësh me nuskën tënde!" ishte urimi i Pëllumbit.

"Mirësenaerdhe Dimi. Jam vërtetë e lumtur. S'kam çfar them më shumë. Gëzuar!"

"Mirësejugjeta. Jam i prekur nga kjo mikprije kaq bujare dhe fisnike. Për shëndetin tuaj!"

Pashë se Pëllumbi e rrëkëlleu me fund filxhanin e vogël të rakisë. Edhe Eli bëri të njëjtën gjë. S'mund të veproja ndryshe, e piva edhe unë me fund. Pa dashje bëra një "bëëërrr..." dhe shfryva si kalë.

"Mos e pi nëse të bën dëm", - tha Eli. Pëllumbi s'foli. Mu duk sikur më pa me qortim.

"Më falni. Ju lutem ma mbushni përsëri". Syte e të dyve shkëlqyenë sidomos të Elit u dukën sikur morën zjarr dhe me të shpejtë ajo më solli pak ujë por Pëllumbi e pa përsëri me qortim.

"Megjithëse jemi të tre toskë që banojmë në një vend gegë, do pimë si toskë dhe si gegë, - ju thashë, - Për shëndetin tuaj dhe të vajzës tuaj! Jeni të mrekullueshëm dhe ju dua shumë!" E rrëkëlleva përsërsi rakinë me fund dhe u çlirova nga deklarimi që i bëra dashurisë së vërtetë që ndjeja për ata.

"Edhe unë do ta pi me fund për shëndetin tënd dhe të nuses tënde. Pse s’na i solle...?" - pyeti Eli.

"E mora nga rruga dhe, jam unë fajtori. Nuk i thashë ta merrte... - u hodh Pëllumbi, - U plakshi të dy bashkë me shëndet të plotë dhe me një djalkë!"

Ndihesha shume i lumtur. Rakia, buka e thekur, qepa e ëmbël, ullinjtë, dhe mbi të gjitha gëzimi i miqvë të mij që më kishin mysafir, më dhanë krahë për të fluturuar në parajsë. Pimë, kënduamë. I putha miqtë e mirë dhe isha gati për ta të rrëzoja edhe hënën për tokë!

Kënga buçiste sa tundej pallati. Jam i bindur se as jevgjët s' mund të na i kalonin nga madhështia e atij ahengu zemrash…

"Moj rakia bukuroshe

Që më çon qoshe më qoshe..."

Pa mbaruar mirë njërën këngë fillonim tjetrën:

Kush pi verën e rakinë
Me një tra e mban shtëpinë.
Moj rakí, moj bukuroshe,
Më përpjék qoshe më qoshe!
Moj rakí djers' e kazanit
Seç i bën zinxhír filxhanit!
Moj rakia në filxhán,
Kush të pí bëhet Sulltán.


Të gjitha këngët ishin për rakinë, verën dhe çupkat. (Të shkretat gra që nuk i lëmë të këndojnë për djemkat!) Eli këndonte më shumë se ne me një zë që e dridhte. Pëllumbi bënte basin ndërsa unë çirresha në një kakofoni nga që s'di të këndoj mirë por çjerrja i jepte këngës nuanca moderne. Një trio vokale e shkëlqyer. Nuk e di sesa vazhdoi ajo zallamahi e bukur por di që dëshiroja të mos mbaronte kurrë...

Herë here këndonim edhe në italisht këngë shumë të vjetra si këto:

Siciliana bruna bruna bruna,
come te non ce n'è nessuna,
bruna bruna bruna come te…
……………………………………………………………………

Volevo stare un po' da solo
per pensare tu lo sai,
e ho sentito nel silenzio
una voce dentro me
e tornan vive troppe cose
che credevo morte ormai.....

Befas Pëllumbi goditi me pirun filxhanin.

"Dëgjoni! Ju lutem mbani qetësi! Dimi që sot e mbrapa ti je si të ishe djali im." Uli kokën dhe dhe ngeli ashtu disa çaste. Eli dhe unë nuk piptimë.

"Dimi, ti duhet ta njohësh atë që të quan djalë. Kam shumë nevojë të të rrëfehem sonte në besë. Unë jam djalë i armikut të popullit Islam Gremi, pushkatur nga partia. Vetë kam qënë në burg i akuzuar si agjent i jugosllavëve sapo u ktheva nga Kosova ku kisha shkuar pas çlirimit të Shqipërisë që të ndihmoja në ngritjen e shkollës shqipe atje, dhe pikërisht, në Zllakuqan dhe disa fshtra për-rreth tij së bashku me shokët e mij, Qazim Azemi, Kolë Vata dhe Mefyt Begolli. Punova me përkushtim dhe dashuri për popullin tim, për gjuhën time e vendin tim. Sapo Shoku Enver u prish me Titon, neve na sollën në Shqipëri dhe më pas na gjykuanë si tradhëtarë. E njëta gjë ndodhi dhe me mësuesit kosovarë që punuan me ne, edhe ata përfunduan në burg si agjentë të Enver Hoxhës! O tempora! O mores! ka thënë Ciceroni. S'kam qënë kurrë tradhëtar i vendit tim, bile as i komunizmit. Kam qënë partizan në brigadën e 15S që në krijimin e saj dhe më pas u bëra komunist pasi besoj në idealin e komunizmit… - heshti pakë dhe më pas vazhdoi - Për mungesë provash u lirova pasi bëra 5 vjet burg kotë së koti. Fati për ngushëllim, më solli pranë Elin, e cila edhe ajo ka të vrarë dhe të burgosur disa të afërm të saj. U njohëm në internim dhe krijuam familjen tonë. Nuk bëmë dot fëmijë dhe kur erdhëm në këtë qytet ku fillova punë në SMT-në e qytetit, sekretari i partisë së ndërrmarjes më dha çupën e tij të porsa lindur me të vetmin qëllim, zbulimin tim si armik i partisë dhe Shqipërisë. Ky vendim ishte marrë në Byronë e Partisë së qytetit. I shkreti sekretar. Çupa tani është rritur dhe është 16 vjeçe, ajo na do më shumë neve se prindërit e saj biologjikë. Ti e ke parë Anën, ajo është e zgjuar, e bukur dhe shumë e dashur. Falenderoj shumë Perëndinë. Sonte ajo ka shkuar tek ata dhe, kur iku më tha, 'Babi, po shkoj për herë të fundit për t'ju thënë që të mos më shqetsojnë më pasi unë jam çupa e Elit dhe Pëllumbit.' Vajza rron me hallet dhe vështirësitë tona që s'kanë të mbaruar. Unë ju luta shumë Anës të shkojë dhe qëndrojë përherë tek ata kur Eli hyri në burg por ajo s’më dëgjoi..."

Këtu ai ndali dhe për herë të parë e pashë të prekur nga ai moment kur kujtoi burgun e së shoqes. Desha ta pyes pse Eli ka bërë burg por u përmbajta.

"Sigurisht që ti Dimi don të dish pse Eli ka bërë burg. Më mirë le ta tregojë vetë ajo", - dhe bëri më kokë drejt së shoqes.

Eli pa me pikëllim nga i shoqi. Vura re se ju fik përkohësisht zjarri i syve të cilët tash dukeshin si dy djej në mjergull. Dalëngadalë mjergulla filloi të shpërndahet dhe ‘djejtë’ e saj filluan të ndriçojnë si më parë por me një ndryshim të vogël pasi u rrit më shumë zjarri...

“Më vjen keq që ju solla kujtime jo të mira”, - ju thashë.

“Unë kam qënë shitëse tek metrazhet e qytetit, - filloi Eli të tregoi, - dhe atje kam qënë disa herë shitsja më e dalluar. Isha e lumtur dhe puna më pëlqente por kjo s’vazhdoi gjatë. Nje ditë më vjen tek dyqani hetues H.P. Dimi, besoj ti e njeh atë palaço i cili njihet për gacmime seksuale tek gratw e qytetit. Ai më tha se kam sy shumë të bukur. Buzëqesha nga halli. E ç’mund të bëja tjetër?! Ai buzëqeshjen time e mori si miratim joshës dhe pastaj vazhdoi të më gacmojë duke më thënë se vdiste për mua e të tjera idiotësira. Nga ajo ditë filloi të më vizitoi për ditë. U bezdisa kaq shumë sa më dridhej zemra të shkoja në punë. Kujt ti ankohesha?! Partia dhe pushteti s’janë të mijtë. Më në fund kur e pashë se do pëlcisja, i tregova Pëllumbit të cilin në fillim nuk desha ta shqetsoja se ju burrat... Pëllumbi u mërzit shumë dhe i kërceu damari i ballit, ‘Do ta vras qenin’ më tha. E dija se ky e bën një gjë që thotë dhe ju luta të shkojmë në ndonjë vend tjetër por kjo nuk ishte në dorën tonë pasi ne edhe këtu jemi të internuar. Për të mos bërë ndonjë të pabërë shkova në drejtorinë time dhe u ankova. Ju thashë nëse nuk e zgjidhin këtë problem do të shkoj të ankohem deri në K.Q. e deri tek Enver Hoxha. Ata më thanë të rrija e qetë se kjo punë do zgjidhej shpejt. Nuk e dija se drejtori dhe hetuesi ishin miq. Nga ajo ditë drejtori më futi një revizorin e tij për kontroll me qëllim të ma mbyllte përfundimisht gojën. Më parë, vetë drejtori, erdhi tek unë dhe tërhoqi disa metrazhe ‘per ndërrmarjen’ duke më thënë se ndërrmarja do ti paguante pas pak ditësh dhe unë të mos shetsohesha. Kontrolli Shtetëror, i bërë me nxitim, nën drejtimin e revizorit të futur nga drejtori, me nxorri difiçit dhe u padita për ndjekje penale. Në gjyq më kot u mundova të argumentoja se vetë drejtori kishte tërhequr mallin që më akuzonin. Ata deshën prova të cilat më mungonin dhe kështu, përfundova gjashtë muaj në burg.”

S’dija se çfar t’ju thosha miqvë të mij të mirë. Ndjeja një keqardhje të thellë dhe një urrejtje për ata njerëz të poshtër.

“Dimi, e kuptoj që të vjen keq por, ka edhe më keq, - u hodh Pëllumbi. Sekretari i Parë e futi në burg burrin e dashnores. Ti e njeh Rizanë… Kur Rizai doli nga burgu, e denancoi si burrat. Në mes të natës shkoi tek Monumenti i Beslidhjes dhe vendosi një ‘Njoftim’ në të cilën shkrojti me gërma të mëdha ‘Sekretari i Parë, M.M. më futi në burg për të më shfrytëzuar gruan…’ Tërë qyteti atë mëngjez ziente nga ky lajm tronditës. Ai njoftim nuk qëndroi më shumë se 2 orë pasi një polic roje e grisi por ai nuk ‘grisi’ dot shpërndarjen derë më derë të atij lajmi tronditës. Po atë ditë Rizai u dërgua në çmendinën e Tiranës ku vdiq pasi kishte guxuar tw thoshte tw vwrtetwn.

Gëzuar Dimi! Të paça! Të më rroç e të lënça prapa!”

Pastaj Pëllumbi ja mori këngës:

“Dola në udhë e të prita
Moj nëpërka pika pika
Atje ku shkoje përdita
Moj nëpërka pika pika.. .”


As Eli dhe as unë nuk e shoqëruamë në këngë. Dukej sikur këngës i kishte rënë bomba. Pëllumbi e ndali këngën dhe u ngrit e shkoi tek dollapi. E lëvzi pak dhe, nga poshtë tij nxorri një libër. Ma vuri mua në tavolinë. E lexoj, ishte “Anti Dyring” i Engelsit. “Po ky?!” mendova.

“Sigurisht që do pyesësh se çfar do “Anti Dyrigu” tek unë. Dimi, unë lexoj ato me gërma të vogla duke anashkaluar komentet…Por, më shumë e dua këtë libër sepse aty brënda gjendet im’atë.”

Nga faqet e librit ai nxorri një foto të një oficeri zogist simpatik. Veshur me xhaketë dhe qillota ushtarake ngjyrw kaki e me çizma llustrafine. Mustaqe spic si vetë Pëllumbi. Me dorashka të bardha dhe një kamxhik në dorë...

Befas trokiti dera. Të tre u hodhëm vërtik në këmbë. Dera trokititi përsëri akoma më fort dhe u dëgjua një zë: “Hapeni derën! Policia.”

Ndërkohë Pëllumbi filloi të këndoi:

Vjen bandilli vet i tretë,
O me llahutë e me gërnetë,
Vjen bandilli vet i tretë,
O me llahutë e me gërnetë...

Eli shkoi dhe hapi derën. Tre ploicë hynë brënda dhe, pasi i hodhën një sy dhomës urdhruanë: “Të tre do të vini në polici!”

Shënim:

*Tregim kushtuar miqve të mij të mirë, Pëllumb dhe Elvira Koprencka. Në kujtim të tyre me dashuri dhe respekt. Autori.
**Pëllumb, L'italiano è davero una bella lingua. Cominciamo!" (Pëllumb, italishtja është me të vërtetë një gjuhë e bukur. Fillojmë!)


__._,_.___
Agideba
Agideba

Numri i postimeve : 1
Age : 72
Location : KORCA
Registration date : 09/03/2011

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Agim Bacelli:Rrëfimi* Tregim Empty Re: Agim Bacelli:Rrëfimi* Tregim

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 09, 2011 10:04 pm

JU përgzoj për këtë tregim i dashur Agim. Shëndet e suksese edhe më të mëdha!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi