Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rexhep Kasumaj:KOHË „MARTIRËSH“ TË RINJ!

Shko poshtë

Rexhep Kasumaj:KOHË „MARTIRËSH“ TË RINJ!  Empty Rexhep Kasumaj:KOHË „MARTIRËSH“ TË RINJ!

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 15, 2011 6:18 pm

Rexhep Kasumaj:KOHË „MARTIRËSH“ TË RINJ!  195252_100001345856321_5443701_n
Rexhep Kasumaj:KOHË „MARTIRËSH“ TË RINJ!


* Nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij e magjishme.
Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur të tymit të zallahishëm në tregtizën politike. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi dhe pasi drejtoria e burgjeve tu thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot, ata, më në fund do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti sipëran: lërini të lirë”!




• Dromcë historie!


Në Prusinë e qindvjetit të 18-të, prijësi i saj Otto von Bismarck kishte krijuar e vënë në posedim një fond të pasur (“Reptilienfond”, ose arka e zezë) të cilin e përdorte krejt dorëlirë, jashtë çdo llogarie a kontrolli shtetëror. Princi i hekurt prusian i shenjëzonte kundërshtarët regjimorë si “reptilë”, nga buronte dhe emërtimi simbolik i fondit të fshehtë që i shërbente finansimit të betejës për të fashitur zërin e tyre. Megjithse i aplikuar me tjetër mënyrë e stil, ky nuk ishte veçse fenomeni i kulluar që latinët e vjetër do ta quajnë “corruptus”! Në Europën e atëbotshme korrupsioni kishte, prandaj, karakter të legjitimuar sistemor. Diplomatët, madje, pretendonin të drejtën për të qenë të mitosur, të paguar jashtligjshëm për favorin e kryer delikat.

Shekuj më pas, qytetëria demokratike e kësokohshme, në hovzimin e prurjeve të lirisë, i ka dhënë korrupsionit statusin e murtajes brejtëse ndaj egalitetit të shoqërisë së lirë. Nga kjo arsye, mbase, kultivuesit e zellshëm të tij, do të adoptonin në motin e ri taktikë, trajtë e pamje të rinuar duke u bërë, ashtu, më tinzarë, të pakapshëm e rrënimtarë. Mirëpo, për dallim nga vendet që rropaten, shpesh suksesshëm, për tu shkëputur nga nivel-rangimi i nëmur i Botës së tretë dhe ato që kanë dalë të molepsura nga Hemisfera e kuqe totalitare, në demokracitë konsolide kjo e keqe luftohet ndryshe: paprerë (sepse i paprerë është rigjenerimi i saj), me vullnet të hekurt politik dhe pafalshëm. Sensibilizimi është gjithsorë e alarmant, kurse formula e ardhur gjatë në rropamat e historisë, rezulton të ngjajë e thjeshtë: mjafton një shkrim i besuar i shtypit të besuar, e ritheksoj të besuar (e i tillë është i gjithi) për të pasuar trysnia, dorëheqja e bekuar apo dhe ndërmjetësimi i avokatit të shtetit, këtij mbrojtësi të iluminuar të interesit publik.

Civilizimet lokale, të moçme e të reja, kanë afinitetin dhe të drejtën natyrore për vetëjetesë, por disa syresh tkurren ende keq në autarkizëm (hiq dualitetin ambivalent të Kinës) dhe sisteme të mbyllura që, të trembura frymësie globale, kthejnë mbrapsht me arrogancë internacionalizmin humanitar. Në një forum medial në Shanghai, njëfarë z.Hu, redaktor i “Global Times” –it, të atjeshëm i thoshte justifikueshëm e në mirëbesim kolegut të tij nga “Die Zeit”-i gjerman se, të mësuar qëmoti me “kupolën e harmonisë”, kinezët, duke rënë në gjëndje varshmërie ndaj saj, nuk e përballojnë dot, si pohonte, “konflikt-demokracinë” atllantike. Liria e padozuar e shprehjes është shkaktarë xyfjesh (grindjesh) dhe kinezët, shtonte ai, vuajnë mungesën e “presupozimeve sociale e kulturore” për të absolvuar qetësisht e në paqe përplasjet interesore të demokracisë, që atij i dukej konfliktore dhe, si e tillë, e parezistueshme për shpirtin e shtruar kinez. Ç’është e drejta, njohës të kolosit të heshtur thonë se zbraztia vlerore që ka krijuar komunizmi i kësaj etapës së vonë të simbiozës së panatyrshme me sprovë tregu të lirë (që kërkon patjetër dhe bashkëgjuhën e tij politike) duke ndrydhur paksa konfuçianizmin – këtë filozofi shtyllore të jetës kineze, nuk do arrijë asnjëherë të rimbushet me atributet e rendit perëndimor. Në vend të tij, pas kohësh të tiranisë së kuqe, me gjasë, ashtu si në Tajvan,do të etablohet një sintezë e të dyjave bashkë!


• Keqkuptimi i errtë !


Është, së këndejmi, njëmend i pakëndshëm e inkomod supozimi (aq më tepër kur shqiptarët nuk paqëtohen strehe të një civilizimi me piramidë sistemimi mijëvjeçar, si kinezët me konfuçianizmin e tyre tek do të pikonte si ballsam së epërmi), por prirjet politike në truallin shqiptar sikur japin në fillin e tyre reminishencën e këtij keqkuptimi të errtë...Krerë të personelit politikë të Prishtinës, pothuajse të të gjithë proveniencave, e sidomos ata që mizërojnë rreth bërthamës së fronësuar pushtetare, sikur ruajnë ende në një formë të rudimentuar, mendësi të ngjashme që i ngrejnë kultin adhurimtar “harmonisë negative” të tiranisë.

"Konflikt-demokracia” e urryer e kinezit të shkretë, ngjanë të jetë kësodore edhe për ta, disi shtinjake. E pabesë. E ligë. Për ç’duhen vallë shtypi i lirë, opozita kritike, opinioni publik dyshimtar, vota e alternancës që i prishin njerëzisë ëndrrën e bukur të mashtrimit? Ata nuk i nëvojisin fare këto trille gjumëprishëse të dekadencës. Në vend të tyre ata duan besimin e verbër dhe dremitjen skllavnore, po çka se përplasjet pozitive të “konflikt-demokracisë” që tmerronin kinezin si mordja, rivandikojnë përpara rrafshe të pushtuar të mirëqenies e lirisë! Uniformiteti, njësojsia vorfnore pa kundërshtarë që arsyetojnë – është panorama idilës politike të tyre...Ndryshe, siç u ndodh ligësisht, detyrohen çdo ag dite, si prostituta Marie në “Njëmbdhjetë minuta” të Koelhos, të bëjnë përzgjedhjen e maskave me të cilat duhet t’ia mësyejnë sfidave të ditës. Po, ja që shkumëzima e demokracisë është përtrollisëse për mëndjet përtace dhe plangprishësit e pafytyrë. Nuk i duron gjatë maskat (si shemra e saj tirania) sado të hijshme e të sofistikuara të jenë. Ajo ka vetëm një anë. E papërkryer gjithsesi (si qahej Para Gjon Pali i rimenduar), por më e kthjellta dhe më e natyrshmja e historisë politike të botës. Për rrjedhojë, duke qenë e hapur për njeriun, ajo mund të jetë vetëm demokraci e arrirë (tipesh të ndërllojshme) ose, në të kundërten, cilsohet e bie në fundinën e “demokracisë defekte”, që gjetës e teoricienë të saj (si Merkel, Puhle e Habermas) do ta kategorizojnë në, fjala vjen, iliberale apo të kontrolluar, deliberative apo enklavore... Të përbashkët ato kanë zgjedhjen korrekte të reprezentantëve, por më pas, lëngojnë ose hipokrizinë arbitrare të të zgjedhurve ndanë elektorëve të mashtruar ose kreacionin politik a vendimmarrjen informale nga qendra lobiste ilegjitime. Ato, pra (realja e defektja) si pole refuzues, sprapsin njëra-tjetrën, vdekshëm e gjithmonë!


• Ideja e vështirë e Gurus!


“Pesë minuta pas shuarjes së jetës, trupi njerëzor nis shformimin. Njëherë së brendshmi e, mandej, përshfaqet qartja e tij jashtësore. Dhe fundi i tij, nuk është veçse fillim i një gostie të madhe festive për organizma të tjerë të uritur”. Pikërisht kësisoj fillon “Kimia e vdekjes”. Në dukje e trishtme, por thelbësisht, këtu nuk ka asgjë pesimiste. Shpirtthyese. Përkundrazi. Përvoja e prekshme e përkohësisë së jetës që jepet në tabllonë e sipërme të thrilerit nga Simon Beckett dhe ideja e transcendencës do të duhej, si thonë dhe librat e shenjtë, të paqësonin njeriun. Ta bënin më të dashur e të dhëmbshur, më të prajshëm e modest. Me të gjithë. Por ai, me gjasë, është i pandreqshëm. Indusi i çuditshëm Prahlad Jani tash 70 vjet jeton pa ngrënë asgjë. Merr, thotë, energji kosmike nga meditacioni dhe hyjnitë që e kishin kontaktuar kur ishte vetëm 8 vjeç. Mirëpo, shëmbuj të tillë ngjajnë dëshpërues jo pse ky njeri, duke qenë në kufi të të mbinatyrshmes, është i paimitueshëm, por pse, meditacioni i tij çlirues si armë e mbijetesës, nuk i qaset shpirtërave të tyre të vobektë. Që këtej dhe rrjeshtat mendimthellë të autorit të “Kimisë ...”, të larta si yjet siç janë, nuk kapen dot nga thundrat e deleve (si do të thoshte Niçe). Ndaj, mneri i asgjësë dhe frika e ndëshkimit qiellor sikur nuk mjaftojnë për ta disiplinuar njeriun. Aq më pak për ta fisnikëruar atë. Mbase, një tjetër drojë e ndëshkim, toksor tashmë, i shkon më shumë natyrës së tij.

Ndoshta ky do të ketë qenë kryemotivi inspirativ që Ramikshan Alipur Radavi, i njohur si Guru dhe mjeshtër i Jogas, të vendoste të përfshihej në garën zgjedhore për legjislaturën e re të Kuvendit federal të Indisë. Në vendin e tij i ka dalë nami si konservativ e nacionalist dhe kjo, në të parë, nuk bën një lajm të veçantë. E veçanta e kandidaturës së tij është filozofia elektorale dhe një premtim i vështirë. Janë, ndërkaq, interesante dy mesazhe që i japin veprimsisë së tij politike njëlloj idealizmi mesianist: i pari, i drejtohet ndjekësve të tij, kurse i dyti – gjithë botës. Vetëm kur të kemi spastruar shpirtërat tanë, pohon ai me bindje gati fanatike, do të spastrohet demokracia e Indisë dhe, pastaj,vetëm një Indi e shpëtuar do të mund të shpëtojë krejt botën. Mirëpo i vetëdijshëm për pamjaftësinë e Jogas, ligjërimit mistik dhe praktikave spiritiste, si për të përplotësuar këtë, ai, në rast fitoreje, premton një ligj-rrufe të padëgjuar: ligjin për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive!

Anipse i ashpër e drakonik, fillimisht do të mrekullohesha me idenë-ligj të Gurus. Por, duke persiatur për përmasat e tejshtrira të korrupsionit në Kosovë, do ta humbja entusiazmin shpejt më pas. Thashë: lehtë e ka ai të dënojë me vdekje krimin e korrupsionit. Të korruptuar ka më pak ndër bashkëvendës (relatorët e huaj u rezervojnë përherë shqiptarëve një ndër vendet e para të nderit në këtë zejë) dhe India e tij është aq e paanë. Ndërkohë që në Kosovë ka një shpërpjestim krejt të kundërt: të shumtë, si krimbat, janë korruptantët e palodhshëm dhe i ngushtë, tepër i ngushtë është landi verior i shqiptarëve. Dhe, prandaj, do të shfaqej për pasojë, një problem madhor: ata do iknin por duke lënë pas, në formë varresh, nishanet e tyre të pështirosura. Të shumta, të shpeshta dhe monumentale, ato, varret e heronjëve tanë të korrupsionit, do të shtriheshin rëndshëm gjithandej Kosovës së vogël.Varret e rëndomta civile, madje edhe ato të dëshmorëve të kombit, do të pakoheshin e përbuzeshin ndanë varrezave gjigante të martirëve që janë fikur për të mbajtur sa më lartë pishtarin e bëmës historike të hajnisë popullore. Dhe, tutje, ndërsa ato të vdektarëve të thjeshtë do të rrafshoheshin gati të paemër, të mbuluar me bar e harresë – ato të të dënuarve prej gjahtarësh të pashpirt të ligjruajtësve e drejtësiprerësve europianë me “procese të montuara politike”, do të ndrinin me kurora lulesh përherë të freskëta, vënë plot dhimbje e politesë nga mehybët, të mëshiruarit dhe përfituesit e skemës bashkëhajnore.

E pra, ku do të marrin shqiptarët e gjorë, si indusët në subkontinentin e tyre të pamatë, gjitë atë tokë, atë rezervat shtetëror për varrezat e titajve të idealit të ri? Për të gjallë, ata ua vodhën elektorëve të tyre bukën e fëmijëve , kurse me vdekjen pompoze do ua rrëmbenin, ashtu, hapsirën jetësore e s’do tu mbetej veç braktisja dhe mohimi i atdheut... Kremosja, nga ana tjetër, nuk do të ishte zgjidhje më komode. Tagri i saj do të ishte njësoj i rëndë: vendstacionimi i qendrave të tyre, shpenzimet e ndërtimit, mirëmbajtja e kujdesshme profesionale, bëjnë të gjitha bashkë, një rëndesë aspak të lehtë në kushtet e stanjacionit zhvillimor dhe kufizimeve energjetike!..Mandej, po të mungonte dhe filtrimi i stërholluar, shtjella e pluhnajës së ngritur nga kremosja e çdoditshme ( se e gjatë do ishte radha e tyre) do të ndotte ambientin dhe skandalizonte natyralistët, ata që merren oficialisht e të tjerë që janë adhurues të flaktë të natyrës së pafajshme.

Madje jo vetëm kaq. Si shpërblim mbarëpopullorë për trashëgiminë e tyre që s’i bindet as mortit, turma e lumnuar me prijës të tyre nga jeta profane civile, do të ndjenin detyrimin, tashmë në sferat e epërme të shpirtit e kulturës, edhe për përuljen, kujtimin e paharruar, përrallat me legjenda uliksësh për fëmijë para gjumit, kapituj të tërë lektyrash shkollore, festa, përvjetorë, betime të zjarrta, akademi solemne ku do të flisnin përlotur pleq të rrjedhur...Dhe do të përçudnohej ashtu e gjithë kulla vlerore: edhe tradicionale edhe kontemporane!

Mandej do të pllakoste, e padurueshme në sfondin e saj romantik, zallahia e gjyqeve të mëdhenj. Gjyqeve epokalë me fjalime solemne të të pandehurve që janë krenarë e s’kanë përse të pendohen dhe faqe gazetash të stërmbushura me kronika luftëtarësh të dalluar për shtimin e rendimentit të të lashtave korruptive, avoketër të ndërkryer pas fitimesh përmbytëse që u vijnë nga “fonde për mbrojtjen e vjedhjes patriotike” dhe familjarë që betohen, heshturazi disa e zëshëm ca të tjerë (me grusht a me dy, tre e me shumë gishtrinjë të ngritur, s’ka rëndësi) për hakmarrje dinjitoze si e do besa e nderi i fisit...

Po, së mbrami, do të rrjedhonte natyrshëm dhe hapja e diskursit, të madh e të lodhshëm, kombëtar për mënyrat e ekzekutimit të të dënuarëve të panumërt e ballhapur! Propozimet e “institucioneve provizore”, shoqatave të bamirsisë, veteranëve të torturës, personaliteteve emblematikë, të specialistëve të dhimbjes shpirtërore e të tjera, do të ishin të ndryshme, të egra ose më të mëshirshme, por gjithsesi të habitshme e marramendëse: që nga teknikat moderne e deri te ato mesjetare me elefantë të shkujdesur (që duhet importuar enkas, si kosto shtesë e buxhetit të konsoliduar) apo peshq të uritur!..I gjithë spektakli (u muar vesh, po u miratuan dënimet mesjetare) do të ishte madhështor, madje me një hir të rëndshëm perandorak, si kompensim i vonë për shkëlqimin e munguar, por poaq dhe i pakollajtë për menaxhim, ngaqë do të duhej të dëshmonte efiçencë të lartë për të kapur ashtu kurorën e lavdisë së “shtetit shkurtabiq” (për të shmangur hatërmbetjet saktësojmë se të tilla cilsohen, rëndom, krijesat shtetërore – ose me banorësi të paktë, ose me territor voglan ose me sovranitet të cunguar!), këtij veterani robnie që i zbardhi vonë dita në fushën e mëllenjave!

Përfundimisht, nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij magjishme.Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe ndër shqiptarë, e veçanërisht në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi dhe pasi drejtoria e burgjeve tu thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot, ata, më në fund do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti sipëran: lërini të lirë!


Rexhep Kasumaj
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi