Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Flet aktori dhe regjisori kosovar Enver Petrovci: “Në Tiranë ende nuk fluturojnë pëllumbat e paqes”

Shko poshtë

Flet aktori dhe regjisori kosovar Enver Petrovci: “Në Tiranë ende nuk fluturojnë pëllumbat e paqes” Empty Flet aktori dhe regjisori kosovar Enver Petrovci: “Në Tiranë ende nuk fluturojnë pëllumbat e paqes”

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 16, 2011 3:32 am

Flet aktori dhe regjisori kosovar Enver Petrovci: “Në Tiranë ende nuk fluturojnë pëllumbat e paqes”


Flet aktori dhe regjisori kosovar Enver Petrovci: “Në Tiranë ende nuk fluturojnë pëllumbat e paqes” U1_EnverPetrovci
Bekim Femiu grindej në Beograd me grushte kur shahej Shqipëria
Prishtinës i mungon, orkestra simfonike, baleti dhe opera
Emrin ma vendosën prindërit, pasi kishin dashuri të madhe për Shqipërinë
Bekim Femiu ishte më patriot se gjithë deputetët e sotëm kosovarë të marrë së bashku
Nga Albert ZHOLI
Sipas Shumanit, detyra e artistit është të shpjerë dritë në thellësinë e zemrës së njeriut. Artisti duhet që edhe kur ndodhet i vetmuar dhe i zgjuar të vështrojë atë që sheh, duhet të flasë me vete duke zgjedhur më të mirën. Ndoshta këto mësime i ka pas parasysh aktori kosovar Enver Petrovci gjatë gjithë jetës së tij në skenë. Një jetë e mbushur plot aktivitete duke i kaluar dhe kufijtë e Europës. Në bisedë ai është i qetë, i menduar, dhe herë pas here e ngre kokën lart sikur i thotë qiellit më ndihmo të përcjell mendimet e mia. Me punë këmbëngulëse, ai ka mundur që të bëjë emër në skenat e teatrit Beogradas, ku të qenit shqiptar ishte një sakrificë për mentalitetin e vendasve dhe çdo sukses arrihej me punë dhe vetëm me punë. Bashkëpunimi i tij i fundit me Teatrin Kombëtar dhe sidomos me regjisorin Fatos Haxhiraj ishte një befasi, pasi ai kurrë nuk e kish çuar ndër mend se do të gjente regjisorë të kalibrit botëror dhe aktor po me përmasa të tilla. Ai flet me një dashuri për Tiranën, sikur të jetë qyteti i lindjes dhe dëshiron për të që në sheshin e madh të guisin pëllumbat, këta shpendë të paqes, harmonisë, gëzimit qetësisë. Ai në jetën skenike ka ecur sipas mësimit të Valesit se, “artisti i madh është gjithmonë një i plagosur i madh.”.

Ju kohët e fundit ishit ftuar në Teatrin Kombëtar nga regjisori Fatos Haxhiraj, për të vënë në skenë komedinë “ART” të autores franceze Yasmina Reza. Si e pritët këtë ftesë dhe mendimi juaj për regjisorin Fatos Haxhiraj?
Në fakt ftesën ma bëri miku im aktori Artan Imami. Ai më bëri prezent pjesën dhe rolin. Pranova, por duke menduar për regjisorin kisha mëdyshje. Se kisha dëgjuar asnjëherë emrin e tij. Kisha paksa tërheqje. Pastaj fillova të pyes. Më thanë se është një regjisor i mirë, këmbëngulës, i rregullt, ndaj dhe pranova. Regjisori është baza e një drame apo komedie. Ndriçimi, skenografia, zëri janë elementë dytësorë. Punën kryesorë në një vepër skenike e ka regjisori, puna që ai bën direkt me aktorët. Regjia është themeluar për shkak të aktorit. Regjia është baras me punën me aktorët. Sot ka regjisorë të mirë, por që punojnë me aktorët.
Dhe çfarë mendimi krijuat pasi punuat ditët e para me z.Haxhiraj?
Në fillim mendova se edhe n.q.s nuk do të gjeja një regjisorë të mirë me përvojën time si dhe me punën e partnerëve Artan Imami dhe Bujar Asqeriu do të mund t’ja dilnim. Por gabova. Aty pashë një regjisor, i cili më shtangu, më befasoi. Ai punonte dhe me detajin më të vogël me aktorin dhe me frymëmarrjen. Unë kam punuar me shumë regjisorë evropianë, nga më me famë. Por, si Haxhiraj nuk kisha parë. Unë (mendimi personal) atë e quaj Akademikun e regjisorëve europianë. Po, po e them me bindje. Regjisor I talentuar është Pirro Mani, ndërsa Fatosi nxënësi I tij e ka çuar në një nivel më të lartë regjinë shqiptare. Një regjisor i madh bën punë me aktorët. Kjo tregon se shkolla e aktrimit ka qenë një shkollë e nivelit të lartë.
-Si ju duket jeta teatrore në Tiranë?
E mirë, inkurajuese, me ritëm. Kam shpresë se do të vazhdoj të punoj në Tiranë se në Prishtinë nuk kam bërë asgjë serioze. Këtu punohet më tepër ka punë më serioze dhe ka konkurrentë më të mirë. Dhe unë jam një artist që kurrë nuk kam qëndruar në një vend. Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s'e bën këtë për vete, ai e bën këtë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dine në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë.
-Si je ndjerë në shfaqjen në Tiranë?
Shkëlqyeshëm. Unë kam qenë edhe raste të tjera në Tiranë por jo me Teatrin Kombëtar Shqiptar por me teatrin e Prishtinës. Ajo që më ka bërë të ndihem paksa keq është se kam pasur problem pak gjuhën. Unë kam pas dhe kam shumë ambicie, në skenë dhe në jetë. Aktualisht ambicia ime në Shqipëri është të mësoj gjuhën shqipe në perfeksion. Për komedinë kam punuar me një pedagoge dy orë në ditë për përmirësimin e gjuhës. Mendoj se arrita diçka. Kam punuar shumë me teknikën. Gjithmonë, çdo ditë që kalon I ndjej përmirësimet.
-Si ju duk publiku shqiptar?
Unë kam punuar shumë në botë dhe me publik të ndryshëm. Nuk e kam shumë problem, pasi kam prodhuar shumë shfaqje. Publiku sheh aktorin dhe jo nga është aktori. Nuk kam komplekse për publikun, për mua publiku është i njëjtë. Kam pasur problem shumë gjuhën, dhe mendoj se arrita që të kem sukses. Edhe në Beograd serbo-kroatishten e flisja më mirë se sa serbët. Me një apo dy shfaqje them se unë do ta arrijë në perfeksion gjuhën shqipe edhe pse ndikon edhe mosha ime. Po të isha më i ri do të flisja më bukur.
-Po në Beograd a e ke ndjerë racizmin, nënvleftësimin ndaj emrit shqiptar?
Një pedagogu im serb me lot në sy më ka thënë, se suksesin tënd do t’ia bësh hallall vetes, punës, dijeve, këmbënguljes, rezultateve të tua. Po arrite këto për ty s’do të ketë pengesë. Mua më kanë luftuar dhe kjo ka qenë arma më e fortë që të punoj më mirë. Kjo luftë e heshtur, ky lloj nënçmimi i fshehur, më ka bërë që të punoj më shumë se sa të tjerët. Rreth tre dekada, kam qenë në mes aktorëve më të mirë Jugosllavë. Me punë, kam arritur që të jem një ndër pesë aktorët më të paguar të teatrit jugosllav. Kur filluan trazirat në Jugosllavi unë e kam mbajtur emrin tim po aq lart me punë. Pas këtyre momenteve u largova nga Beogradi dhe u vendosa në Prishtinë.
-Miqësia juaj me Bekim Femiun dhe vdekja e tij?
Bekimin e kam njohur që në vitin e katërt të fakultetit të arteve në Beograd. Emrin e tij e kam dëgjuar që kur isha fëmijë. E simpatizoja pa masë. Ai ka qenë motivi im për t’u bërë aktor. Më vonë u bëmë miq dhe kemi bërë debate më shumë për Jugosllavinë dhe për gjuhën. Shqiptarët në Jugosllavi, nuk kanë qenë aq në trysni se sa në kohën e Bekim Femiut. Në kohën e Bekimit këta kanë qenë më pak të nderuar. Ai ka punuar në një kohë kur në Jugosllavi kishte një zemërim ndaj Shqipërisë dhe Enver Hoxhës. Të bëje karrierë në atë kohë ishte një meritë e madhe. Bekimi binte në sy për këtë. Ai ka arritur dhe ka bërë karrierë të madhe. Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për artin shqiptar.
-A ju përkrahu ai në momente e para?
Po. Në kohën kur unë erdha ai ishte në fazën kur po e linte aktrimin. Ai e pat kryer karrierën e madhe në botë. Ishte koha kur kishte probleme me syrin të cilin e dëmtoi në një aksident automobilistik.
-Eshët folur në shtypin shqiptar dhe atë kosovar se duke jetuar në Beograd, Bekimi i humbi ndjenjat atdhetare?
E kam dëgjuar. Dëgjo. Bekim Femiu ishte patrioti më i madh që kam njohur ndonjëherë. Ai ka qenë i çuditshëm që të dëgjonte çdo lloj bisede. Ka qenë shumë i guximshëm.
Ai ka bërë edhe shumë për shqiptarët. Ai e ka favorizuar shqiptarizmin më shumë nga të gjithë. Bekimi ka qenë shumë atdhetar. Ai ka qenë në situata të tilla që ta shiste emrin dhe atdheun duke u paguar shumë por ai se bëri kurrë diçka të tillë. Ai kurrë nuk e shiti emrin, atdheun, Shqipërinë. Bekimi është më patriot se të gjithë deputetët kosovarë të marrë së bashku. Shumë herë ai ka goditur edhe në lokal persona që kanë tentuar të fyejnë Shqipërinë. Dhe kjo disa herë. Ishte një atdhetar i flaktë.
Kjo do të thotë se politikanët kosovarë kanë dritëhije në CV e tyre?
Sigurisht. Sot në politikën kosovare janë ata që s’duhet të jenë, ndërsa trimat u vranë dhe pjesa tjetër është lënë në harresë, diku në një cep që askush nuk do ti kujtoj meritat e tyre. Në politikë kanë hyrë matrapazët që po bëhen qesharak në sytë e botës.
Emri juaj, sigurisht, që lidhet me udhëheqësin komunist Enver Hoxha
Po. Është e vërtetë. Gjithë familja ime ishte patriote që sytë i kishte nga Shqipëria. Duke qenë se prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë bëri shumë bujë Enveri diskutohej shumë në ish-Jugosllavi. Ishte pikërisht, kjo kohë që u vendos dhe emri im.
- Si ka qenë Shqipëria në parafytyrimin e Enverit; ashtu siç e mendonit ju?
Çdo kosovar e ka pas një ëndërr, Shqipërinë. Ju nuk e keni pas ditur dhe nuk e keni pasur edukatë për të menduar se ekzistonte edhe një pjesë e Shqipërisë diku. Ndërsa ne e kemi pasur gjithmonë Shqipërinë në gojë. Më kujtohet se kur u hapën rrugët dhe ne erdhëm në Shqipëri pamë se të gjitha ato që mendonim për Shqipërinë nuk ishte e vërtetë. Ishte vitit 1992 kur shkela për herë të parë tokën e ëndrrave. Shikoja gjithçka me kureshtje. Tjetër Shqipëri mendoja dhe tjetër gjeta. Shtanga. S’u besoja syve. Shqipëria e ëndrrave të mia të bukura ishte shumë e varfër. Babai im e ka pasur ëndërr që të vinte në Shqipëri . Kur I fola për të kur u ktheva, ai s’e besonte. Nuk donte të vinte ta shihte pasi në mendjen e tij ajo donte të ishte ashtu, e bukur, me mirëqenie, plot hijeshi. Ai vdiq pas 15 vjetësh dhe nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Të gjithë ato ëndrra ai mi kishte përcjellë dhe mua, prandaj ma kanë vendosur edhe emrin Enver. Ne atëherë nuk kemi dashur Enverin, por kemi dashur Shqipërinë. Sot se si më duket ky emër
-Mendimi për Shqipërinë sot?
Shqipëria ka pasur një fazë shumë të vështirë të jetës, me një sëmundje të vështirë dhe të gjatë. Por po shndërrohet me hapa gjigandë. Ndryshimet janë të paimagjinueshme. Kosova po shkon mbrapa 30 vjet. Kosova është në nivelin e vitit 1970. Politika e sotme po e shkatërron. Kosova ka qenë Amerikë për Shqipërinë. Tani Shqipëria është bërë Amerikë për Kosovën. Kosova është e pazhvilluar me krahasim me pjesët e tjera të Evropës. Zhvillimet janë gjigande për Shqipërinë. Në Shqipëri në vitet 1990-2000, bari nuk është i gjelbër, por është i verdhë. Sot, ka ndikuar njeriu në natyrë. Njerëzit nuk kishin ç’të hanin. Tani në këtë vend të vogël gjen lloj- lloj ushqimesh. Njerëzit ishin të paveshur mirë. Shqipëria po përparon aq shpejt sa mendja njerëzore nuk e përcjell dot. Çdo ditë sheh vetëm ndryshime, ndërtesa, rrugë, plazhe. Në asnjë vend të botës nuk sheh ndryshime të tilla. Më gëzon dhe më emocionon ky fakt. Ndjehem mirë në atdheun tim të vërtetë, ku çdo gjë është e gjallë, në lëvizje, plot ritëm, me njerëz që kërkojnë të panjohurën.
Po çfarë i mungon Shqipërisë?
Pëllumbat. Të vijnë dhe pëllumbat. Pëllumbat vijnë kur njerëzit janë të butë. Pëllumbat duan paqe, harmoni, qetësi, muzikë. Edhe Prishtina ka pasur dikur pëllumba, por tani nuk ka më, kanë ikur dhe kanë ardhur sorrat. Sa shumë dua të shoh pëllumbat e bukur në Sheshin Skënderbej. Aty ata të guisin këngën e paqes, harmonisë, gëzimit.
-Një mendim me aktorët shqiptarë?
Ato janë të përmasave evropiane. Europa ka aktorë shumë më të mirë se në Amerikë. Aktorin e mirë me zor se e gjen në vendet e zhvilluara. Në Tiranë gjen aktorë të mëdhenj. Aktori i mirë jeton me botën e përditshme të njerëzve të thjeshtë, me botë të bukur shpirtërore. Tek njerëzit, kontaktet, aktori gjen tharmin e lojës, karakteret që i japin ndikim emocional. “Artisti i vërtetë duhet të jetë i lidhur ngushtësisht me natyrën, me jetën, sidomos me popullin”, shkruan Shumani.
Dhe problemi i dytë shqiptar…
Duhet të legalizohen shtëpitë publike. Dikush edhe do të më kritikojë për këtë deklaratë, por është një e vërtetë që duhet thënë. Prostitucioni është një profesion i lashtë dhe sa bota. Pra, ekziston në një formë apo në një tjetër edhe në Shqipëri. Një shoqëri e konsoliduar duhet ta legalizojë këtë profesion, sepse është në të mirë të shoqërisë, përndryshe shoqëria bëhet më e kalbur nga brenda, më me probleme të fshehta, më e paperceptueshme. Vendet e qytetëruara e kanë zgjidh si duhet këtë problem.
-Kalomë sërish në Kosovë? Problemi kryesor I shtetit më të ri në botë?
Të krijojë Orkestrën Simfonike, baletin dhe Operën. Pra këta tre elementë kryesorë të artit modern, një shtet duket pa themele të shëndosha. Njëkohësisht duhet të punojë për formimin e teatrit. Fakulteti i Arteve të muzikës në Prishtinë edhe sot nuk është në gjendje me formuar një orkestër. Mund të them se një pjesë e drejtuesve janë dhe dembelë, pa iniciativë, aspak luftarak dhe ambicie profesionale. Prandaj dhe shumë instrumentistë kosovarë marrin rrugët e mërgimit. Ndoshta kjo vjen edhe nga niveli i ulët kulturor
Mendimi juaj për Presidentin e ri të Kosovës?
Mendoj se është zgjidhja më e drejtë për kohën. Është një figurë më e pranueshme se politikanët e mirëfilltë kosovarë, që s’kanë asgjë me politikën e vërtetë si art dhe që e kanë zhytur vendin në korrupsion.
Do qëndroni gjatë në Shqipëri?
Deri atëherë kur do mendoj se nuk kam ç’të jap më. Tirana më pëlqen. Artisti duhet të jetë gjithmonë në lëvizje. Ai nuk duhet të qëndrojë si uji i ndenjur. “Artistin e mban gjallë, lëvizja, debati. Të flasësh, të çosh në skenë dhe të shkruash të vërtetën është arti më i rëndë nga të gjitha artet”, thotë Gorki.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi