Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Viktoria Xhako:KORBAT JANE LARG-TREGIM

Shko poshtë

Viktoria Xhako:KORBAT JANE LARG-TREGIM  Empty Viktoria Xhako:KORBAT JANE LARG-TREGIM

Mesazh nga Agim Gashi Wed Mar 16, 2011 2:24 pm

Viktoria Xhako:KORBAT JANE LARG-TREGIM  187132_100000525636701_1858917_n
Viktoria Xhako:KORBAT JANE LARG-TREGIM


Mbi fletë,la konturet e saj, hija. Ngrita kokën me rrëmbim. Qortimi më mbeti në fyt. “Mirëmëngjesi” u largua. E ndoqa me sy. Dielli ma dogji kafkën. Zemra m`u ngjit në grykë. Ula sytë mbi fletë. Punë e kotë. Në vend të gërmave, lapsi filloi të vizatojë …… „ Një ballinë kulle gjysmë të rrënuar, një tufë korba që dilnin prej saj“…..
............- Shikoje mirë, - më pat thënë babai, - shpirtin rebel, i cili e ka krijuar këtë tablo. –
Isha e re, pothuaj e vogël dhe nuk e kuptova ç`më tha babai.
- Mirëmëngjes! – dikush iu drejtua babait.
Babai tregoi me sy tablonë. U dëgjua një e qeshur gurgulluese. Ia ngula shikimin tablosë. Sa e frikshme! Përsëri nuk kuptova gjë............
Po fjalët e babait nuk i kam harruar. As mirëmëngjesin. As të qeshurën gurgulluese. Nuk i kam harruar. As atë tablo të frikshme. Më ka ndjekur pas ajo ballinë kulle gjysmë e rrënuar. Ata korba të zinj sikur i shoh akoma, të egërsuar. Kane marrë fluturimin duke rrahur krahët e fuqishëm. Për ku? Më ushtojnë veshët nga krra – krratë e tyre.
Nuk e pata të lehtë në jetë. Endrrën e bukur të poezisë ma vranë. Po nuk ma shuan dot. Ka kohë që zhgarravis diçka në fletë. Ulem në stolin e drunjtë të parkut tim dhe shkruaj….shkruaj…..për fëshfërimën e erës në gjethet e pemëve, për rrezet e diellit që i puthin ato.
Vij çdo ditë në këtë stol. Eshtë i vetmuar. Nuk i kalon njeri pranë. Unë, parku, stoli dhe dielli. Kur dielli arrin pikën më të lartë dhe dëshiron të jetë vetëm, unë ngrihem. Në shtëpi nuk më pret kush. Unë dhe lotët.
Dhe shkruaj e shkruaj, po nuk harroj dot.
Përsëri në park, në stolin tim. Përsëri konturet e hijes mbi fletë. Pa arritur ta qortoj, „mirëmëngjesi“ është larguar. Nuk më pret kush në shtëpi.
Mbi stol, në park, le bllokun dhe lapsin. Do ta qortoj. Këtu nuk ka rrugë kalimi. Pse kalon këtej?
Po nuk kaloi kush. As ditën tjetër. As tjetrën. As të tretën. E harrova. Blloku po mbushet me zhgarravinat. Aty – këtu, mes tyre, ndonjë korb me syrin gjakatar. Përse e vizatoj? Muza ime nuk i njeh korbat!
- Mirëmëngjes! –
Pata kohë të ngre kokën për t`i folur konturit të hijes mbi fletën time.
- A mund të ulem? –
Përsëri qortimi më mbeti në fyt. Mblodha fletët dhe i hapa vend.
- A kam leje? -
Kapi nje fletë. Zëri ka një tingull të ëmbël, rinor, po unë nuk e kam parë akoma poseduesin e tij. Vazhdova të shkruaj. Qeshi, si gurgullimë.
- Heshtja është pranim, - tha aksiomën e njohur.
Ma zgjati fletën duke vënë gishtin tek korbi. Një gisht i gjatë, i hollë.
- Eshtë korb, - i thashë, - po nuk vizatoj mirë. –
Qeshi sërish. Sikur gurgulloi një ujëvarë.
- Po ngrihem, - tha. – E shoh që të bezdis. –
Nuk fola. U largua pa më përshëndetur. I mjaftuaka vetëm mirëmëngjesi!
Kaluan ditë, javë, muaj. Dielli ua la vendin reve, retë shiut, shiu lau tokën me lotët e tij. Në parkun tim u zhveshën pemët. Era fishkëllen tërbimshëm mbi to. Stoli im i drunjtë u ngop me reshje. Unë i shoh nga dritarja e autobusit dhe vazhdoj drejt bibliotekës. Në shtëpi nuk më pret kush. Blloku po mbushet me zhgarravinat e mia.Mes tyre, korba me shikim të egërsuar, që fluturojnë me rrëmbim.
U rikthyen ditët e nxehta. Në më të parën prej tyre, vrapova në parkun tim, në stolin tim. Vura ballin para rrezeve të mia dhe prita. Prita, që të konturohet hija e “mirëmëngjesit” e të largohet sakaq. Asgjë nuk ndodhi. Dikur i mbarova zhgarravinat. I mblodha dhe për herë të parë shkova në një shtëpi botuese. Më priti një djalë i ri që shkëputi shikimin nga kompjuteri me bezdi. Hodha sytë përqark. Pak, fare pak rafte me libra. Po, ama, faqet e mureve ishin mbushur me piktura. E çuditur iu drejtova djalit për të justifikuar futjen time aty.
- Dera më poshtë, - tha djali, - është shtëpia botuese. Kjo është studioja e piktorit D.
E hutuar, si gjithnjë, duke parë atë që doja, dhe jo atë që ishte, kisha gabuar derën. U ktheva të dal. Harrova të kërkoj falje, harrova të përshëndes. U harrova përballë murit. Një ballinë kulle gjysmë e rrënuar, një tufë korba, që dilnin prej saj.
............- Baba! – ...........pëshpërita.
- çfare? – pyeti djali.
Vazhdoja të shihja tablonë. Nuk e dëgjova hapjen e derës së brendshme. As hapat. As pyetjen.
- Mirëmëngjes! –
U rrotullova mbi taka. U mbajta fort në shpinëzën e kolltukut të parë që më zunë duart . Qëndrova.
E qeshura gurgulluese.
- Mos u trondit, korbat janë larg, nuk mund të afrohen.-
Dhe qeshi sërish.

E diel 13 mars 2011 ora 16:00
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi