Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shaip Beqiri:Amokët në dy skajet e të njëjtës udhë

Shko poshtë

Shaip Beqiri:Amokët në dy skajet e të njëjtës udhë Empty Shaip Beqiri:Amokët në dy skajet e të njëjtës udhë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 22, 2009 12:03 am

Amokët në dy skajet e të njëjtës udhë

Shaip Beqiri, BOTA SOT
Klepsidra e re

Përveç ndeshjes në fushë gjërash të shpifura, siç ishin etiketat me markë ideologjike, mërgata shqiptare tash po hynte në një fazë tjetër të thellimit të ndarjes së ashpërsuar. Një pjesë e shtresimit të saj të ashtuquajtur intelektual, e cila me kohë i kishte bërë vetes njëfarë vendi e statusi në dhe të huaj, u kujtua një ditë që të themelonte edhe shtypin si një armë të pazëvendësueshme propagandistike. Disa nga këto fletushka, që ende nuk ishin bërë gazeta apo revista, u përpoqën të sjellin frymën atdhetare ndër mërgimtarët tanë, duke qenë të lidhura në bashkëpunim me grupe e grupthe të ndryshme që vepronin në ilegalitet në atdhe. Në anën tjetër, nuk ishte më e vogël pjesa tjetër e këtyre fletushkave që nuk kishte mëtim më të madh se t`i nxirrte nga guaska e inferioritetit përftuesit e vet. Në një situatë të tillë, duke u ndodhur në duar plotësisht amatore, ato fletushka zbrazësitë e mëdha profesionale përpiqeshin t`i plotësonin më së shpeshti me atdhetarizëm të shtirur. Ndërkaq më shpesh ato i bënin propagandë të shthurur një regjimi që s`kishte kurrgjë të përbashkët me synimin e lartë kombëtar të atdhetarëve të vërtetë.
Ky lloj shtypi, i cili fshihej prapa maskave të anonimatit publicistik, me kohë po bëhej një mjet i pamëshirshëm i thellimit të mëtejmë të ndasive në vijë të ndjeshme të mërgatës shqiptare. Të gjithë ata që nuk mund dhe nuk donin të ndodheshin në atë anë të barrikadës, qoftë për mosbindje në një ideologji parake staliniste apo për mosbesim në një demagogji infantile enveriste, me një lëvizje dore ky lloj shtypi i instrumentalizuar i vërviste në taborin armiqësor titoist! Kjo ishte sfida kryesore e mërgatës sonë që u pagua me çmimin më të lartë. Hilja ishte e madhe. E pashembullt. Është e vërtetë që zagarët e titoizmit shqiptarëve u kishin vënë katëçipërisht rrjetat e spiunazhit brenda e jashtë vendit, kurse disa mjeranë të pagdhendur shqiptarë brenda atyre rrjetave po vazhdonin të lidhnin nyja të pazgjidhshme për fatin e keq të të gjithëve.
Pikërisht në një këso situate, nga një dorë e tillë papagajsh të propagandës më të zezë, shqiptarëve midis Europës po u futej deri në palcë thika e përçarjes. Motivi ishte shumë i qartë dhe tepër i ulët: përpjekja e armikut tonë shekullor po korrte atë që kishte mbjellë prej kohësh në kokat trumpira të disa aventurierëve të pafytyrë. Ata, me hir ose me pahir, po ngarkonin mbi shpatulla të veta fajin që nuk falet, duke bartur përgjegjësinë për një veprim me rrjedhoja tragjike në vazhdimësi për gjithë kombin.
Këta vampirë ideologjish të mykura pikëpamjet e veta i mbështetnin në pritje të ngadhënjimit të revolucionit ndërkombëtar! Këto përralla ata donin t`i bënin të besueshme si një udhë të vetme të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. Ky ishte parimi themelor që kishin thithur ata nga mësimi i të pavdekshmit të tyre, Enver Hoxha. Se ku e kishte mësuar ai atë përrallë, ata as që lodheshin ta dinin. Ndërkaq, ata që nuk i besonin asaj ishin titoistë e tradhtarë! Nëse kishte pasur ndonjëherë titoistë ndër shqiptarët, them me bindje të plotë se i pari dhe i fundit titoistë kishte qenë vetë Enver Hoxha.
Marrja e shtypit shqiptar të mërgatës në tërë vjetët e `80 e tutje me këso kotësish tragjike, ia vështirësoi jo pak udhën kombit shqiptar për sendërtimin e aspiratave të veta shekullore.
Një shekull pas gazetarisë e publicistikës lapidare që kishin themeluar kolosët tanë të pavdekshëm: Konica, Noli, Koliqi dhe tërë plejada e madhe e sivëllezërve të tyre, pikërisht në kohën e dramave të përthyerjeve më të ashpra të lëvizjes shqiptare për liri, pavarësi e demokraci, një dorë dështakësh të përjetshëm kishte marrë kazmën e çekanin të kthente në rrënojë gjithçka që i dilte përpara.
Historia e këtyre amokëve të rrallë mbetet një dëshmi e zezë në tërë ato faqe të nxira në një kohë të rëndë për kombin e atdheun. Natyrisht që brenda kësaj historie të zezë hyn edhe turma e kolegëve të tyre nga tabori tjetër, që ishte vënë në shërbimin më të fëlliqur të regjimit pushtues. Nuk është aspak më i vogël dëmi i njërës palë se i tjetrës. Ato i bashkon dhe i lidh fort pikësynimi i tyre destruktiv për të rrënuar gjithçka që qëndron mbarë dhe e mbirë në vend të vet.
Do të ishte pamaturi e pafalshme sikur të mos e përmendnim edhe atë pjesë jo të vogël të shtypit të mërgatës sonë të asaj kohe, i cili bënte përpjekje të pareshtura të jepte një pamje tjetër të realitetit të kohës pa ngarkesa të kësaj natyre. Roli i tij fiton peshë po u pa në kuadrin e mozaikut të vrazhdë që e rrethonte atë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi